-Ceremonia u drejtua nga Patrarku Ekumenik Bartolomeu i Parë dhe krerë ortodoksë nga e gjithë bota-
Nga ILIR VATA/
TIRANË, 1 Qershor/-AKa nisur mëngjesin e së djelës në Tiranë, ceremonia për shënjtërimin e katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, një object kulti madhështor, i cili u ndërtua vitin e kaluar ndërsa sot zhvillohet ceremonia liturgjike dhe zyrtare.
Në këtë eveniment marrin pjesë krerë të kishave ortodokse të botës, si Patriarku Ekumenik Bartolomeu i Parë, Patriarku i Jeruzalemit, Theofili i III, Patriarku i Rumanisë, Danieli, Kryepesokopi i Greqisë, Jeronimi, i Qipros, Krisostomi, Peshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, Nikon Liolini, Kryepeskopi i Varshavës, Sava, Patriarkut të Serbisë, Irinej dhe delegacionit të Kishës Ortodokse të Moskës.
Për mbarëvajtjen e ceremonisë së shenjtërimit të katedrales “Ngjallja e Krishtit”, policia ka bllokuar rrugët hyrëse për në katedrale.
Katedralja e re në Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, ka qenë dikur në Sheshin “Skënderbej”, pikërisht në vendin ku sot ndodhet Hotel Tirana International, por u shkatërrua nga regjimi komunist në vitin 1967.
Në ceremoninë e sotme, marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit dhe drejtues politikë: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, si dhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Shenjtërimi i Kishës së re Katedrale, një ngjarje e rëndësishme për ortodoksinë, kryet nga Tërëshenjtëria e tij – Patriarku Ekumenik Bartolomeu i parë, me pjesëmarrjen e Fortlumturive të tyre, Patriarku i Jerusalemit, i Serbisë, i Rumanisë, Kryepeshkopi i Qipros, i Athinës, Varshavës, si dhe kryepeshkopi Anastas.
Gjithashtu, bashkëmeshojnë edhe përfaqësuesit e Patriarkanave të Moskës, Bullgarisë, Gjeorgjisë dhe Antiokisë. Sipas Kishës Ortodokse Shqiptare, ngjarja e shenjtërimit të kishës përbën një bekim të veçantë, jo vetëm për ortodoksët e Shqipërisë, por për të gjithë vendin, dhe është një dëshmi shumë e rëndësishme e ortodoksisë në mbarë Botën.
Kompleksi i Katedrales së re të Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, është ndërtuar në qendër të kryeqytetit, në një truall që u dha gradualisht nga autoritetet shtetërore (2001-2005) në kompensim të truallit të kishës së vjetër, katedrale të Tiranës, e cila u shkatërrua nga regjimi ateist më 1967.
Kompleksi i veprës përbëhet nga këto korpuse: Kisha katedrale, Kishëza, Kambanorja, Selia e Sinodit të Shenjtë dhe Qendra Kulturore. Koncepti arkitekturor i Kishës katedrale mbështetet në ciklin, që përmban kuptimin e kohës së pafundme (së përjetshme), aksi kulmor i të cilit (ai që lidh tokën me Qiejt) përbën edhe qendrën e të gjithë ansamblit. Ky aks është po ashtu edhe qendra e një kryqi të madh, me gjatësi dhe gjerësi 49 m, krahët e të cilit përbëjnë masat kryesore mbështetëse të kishës. Kisha mbulohet me kupolë, me dia-metër të brendshëm 26 m dhe lartësi 23 m, ndërsa katër masat mbështetëse përfundojnë me mbulesa gjysëmcilindrike.
Kryqi i kupolës, katër mbulesat gjysëmcilindrike të masave mbështetëse dhe tri absidat e Hierores janë të veshura me fletë bakri ngjyrë floriri. Në ndarjet ndërmjet dritareve të kupolës janë vendosur perimetrikisht 52, elementë dekorativë në reliev, ndërsa katër masat mbështetëse dekorohen me basoreliev, me temë siglën dhe kallirin, si simbol i sakrificës dhe pjellorisë.
Pamja perëndimore – fasada e kishës formohet nga një hark i madh. Ky hark krijon përshtypjen e mikpritjes dhe shiriti i ndritshëm i qelqtë, në ngjyrë të kaltër, të jep përshtypjen e harkut të ylberit. Muri perëndimor është i veshur me mermer të bardhë dhe në qendër të tij ndodhet hyrja kryesore. Mbi hyrjen kryesore është vendosur një kryq i madh i bronztë, i qarkuar nga dy kallinj, simbol i dashurisë sakrifikuese dhe i përkushtimit (Joani, 12.24).
Lozha (gjinekoniti), që ndodhet mbi narteksin dhe dy hajatet anësore, disponon dysheme të shkallëzuar, në mënyrë që të gjithë besimtarët të kenë kontakt pamor me naosin qendror, amvonin dhe ikonostasin. Kupola përbrenda është me reliev të dekoruar me mozaik, në qendër të të cilit mbizotëron “i Gjithëpushtetshmi”, ndërsa dymbëdhjetë ndarjet përreth mbulohen me paraqitjen e dekoruar të qiellit. Përqark të Gjithëpushtetshmit, dymbëdhjetë rreze të krijojnë ndjesinë e rrezeve të Dritës Hyjnore, e cila nëpërmjet dritareve përçohet në të gjithë qytetin. Po ashtu me mozaik është zbukuruar absida e hierores dhe katër harqet që mbajnë kupolën.Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe kreu i PD-së Lulzim Basha në ceremoninë e Shenjtërimit të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë Foto: Agim Dobi
Llambadari qendror është kompozuar me fletë bronzi, duke krijuar nivele të njëpasnjëshme qirinjsh në formë rrethore dhe gjysmërrethore. Po ashtu, 120 qirinj, të shpërndarë në mënyrë perimetrike, plotësojnë ndriçimin e kishës.
Në qoshen veriperëndimore të truallit është ndërtuar Kishëza, e cila mbulohet me çati në formë kryqi. Kubeja e saj, e veshur me fletë bakri, përfundon me dritare rrethore. Hierorja veçohet nga një ikonostas i gdhendur në dru, ndërsa nga një dritare rrethore e qelqtë, në qendër të dyshemesë, drita natyrale hyn në pagëzimoren, e cila gjendet pikërisht poshtë kishëzës, në katin e nëndheshëm. Kishëza i kushtohet Lindjes së Krishtit dhe është e zbukuruar me ikonografi murale.
Konceptimi arkitekturor i Kambanores me lartësi 46 m, u bë nga Kryepiskopi Anastas, ndërsa projektimi përfundimtar u krye nga një grup projektuesish. Ajo përbëhet nga katër llambadhe Pashke, të cilat simbolizojnë katër Ungjillorët që shpallin Ngjalljen. Ato bashkohen rreth boshtit qendror të shkallëve. Shkalla rrethore të çon në dy kate të hapura, ku janë vendosur 16 kambana. Mbi kambana, ka një orë katërfaqëshe shënon kohën.
Në anën lindore të Kompleksit gjendet Selia e Sinodit të Shenjtë, ku do të vendosen zyrat e Sinodit, të Kryepiskopatës, biblioteka dhe dy kishëza. Këto mjedise janë të vendosura në katër kate të mbidheshme e në dy të nëndheshme. Në katin e tretë, tri veranda të mëdha shikojnë drejt qendrës së Tiranës e Kishës katedrale.
Plotësimi i nevojave për një Qendër Kulturore dhe Konferencash u realizua me shfrytëzimin e dy kateve të nëndheshme, nën sheshin e kishës katedrale. Qendra përmban amfiteatër, me kapacitet prej 500-850 vendesh, që mund të përdoret, gjithashtu, edhe për referate, shfaqje dhe veprimtari muzikore. Krahu i mjediseve ndihmëse – prapaskenave, krijojnë mundësi që salla të përdoret edhe si teatër.
Në pjesën lindore të amfiteatrit, është krijuar një muze i vogël, një sallë referatesh, mjedise për bankete dhe një sallë për ekspozitat dhe veprimtaritë e fëmijëve.
Në të djathtë të shkallëve të mermerta madhështore që të çojnë drejt Kishës katedrale, ekziston një hapësirë e bollshme për ambientet e librarisë dhe të dyqanit të objekteve kishtare. Ndërkohë, në krahun e majtë të shkallëve ndodhen dy salla për takimet e të rinjve dhe e besimtarëve pas mbarimit të shërbesave kishtare. Në anën veriore, përpara Qendrës Kulturore, është krijuar një amfiteatër i vogël, i hapur, për veprimtari verore.
DR. PRENO IMERAJ: DO TË JEMË ME VATRËN EDHE PSE PO LARGOHEM NË ATDHE
Dr. Prenjo Imeraj pas një qëndrimi shumëvjeçar në SHBA po kthehet në Atdhe, edhe pse është nënshtetas amerikan. Prej kohësh është i anëtarësuar në Vatër dhe i abonuar në gazetën Dielli, duke qenë edhe një bashkëpunëtor i rregullt i saj. Para largimit për në Atdhe(dr. Prenjo do të largohet në fund të qershorit) ai na njoftoi se kishte dëshirë, që të bënte një vizitë në shtëpinë e Vatrës. E priti sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu dhe editori i Diellit.Shoqërohej nga inxhinieri Azbi Shheu.
-Erdha për dy arsye, na tha dr. Prenjo, sapo u takuam. E para erdha të shlyej pagesën e anëtarësimit për vitin 2014. Do të largohem për në Atdhe, por nuk dua që të shkëputem nga Vatra e Atdhetarizmit në SHBA. Gazeta le të shkojë në adresën e shtëpisë në Astoria, Queens. Djali im, Sokoli, le të jetë vazhduesi im këtu e tutje. Arsyeja e dytë , ju kam sjellë një dhuratë; Një gravurë të punuar në bakër –Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbi kalë. “
Në dedikim, dr. Prenjo ka shkruar:”
VATRËS
Me konsideratë, për punën dhe luftën e pa ndërprerë dhe shumë të çmuar që ka bërë dhe po bën për Çështjen Kombëtare.
Prenjo dhe Jeffrey Sokol Imeraj
Astoria, NY…
E falenderuam dr. Prenjon dhe i uruam rrugëtim të mbarë. Disa fotografi në mjediset e Vatrës, dhe e përcollëm.
Veprimi i d r. Prenjo Imeraj është për t’u përshëndetur. Edhe pse po largohet ai kreu një obligim moral që meriton vëmendje: La djalin që të vazhdojë kontaktet me Vatrën! Një mesazh domethënës për shqiptarët e Amerikës për t’u bashkuar rreth Vatrës.
Faleminderit dr. Prenjo Imeraj!
VATRA DO TE KETË DEGËN E TRETË NË FLORIDA- ORLANDO
NJOFTIM I KRYETARIT TE DEGES SE VATRES NE JACKSONVILLE/
Në një njoftim që shpërndau në rrjetin social facebook dhe në një prononcim telefonik për gazetën Dielli, z. Adriatik Spahiu, kryetar i degës së Vatrës në Jacksonville-FL, njoftoi se do të organizohet për të parën herë dega e Vatrës në Orlando. Për këtë qëllim Spahiu u ka drejtuar një thirrje publike shqiptarëve në Orlando për të qenë pjesë e këtij organizimi. Përmes Vatrës shqiptarët e Amerikës do të jenë më të bashkuar për cështjen Kombëtare.
Ja njoftimi i kryetarit të degës së Vatrës në Jackosonville, drejtuar bashkatdhetarëve në Orlando.
Të nderuar bashkëkombas të qytetit të Orlandos, FL
Dega VATRA në Jacksonville organizon ceremoninë e themelimit të degës VATRA në Orlando.
Kjo ceremoni është e hapur për të gjithë Shqiptarët e komunitetit të qytetit.
Ju mirëpresim:
ditën e Diel, dt 08.06.2014 tek Torinos Pizza & Restaurant në orën 19.00 PM.
Qëllimi i kësaj ceremonie është: mirëorganizimi i Shqiptarëve të Orlando e rrethinë për të punuar së bashku për të ruajtur Identitetin kombëtar , Gjuhën e bukur Shqipe, historinë , kulturën dhe traditat kombëtare.
Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha degët e Vatrës dhe Shqiptarët në Florida për të ecur së bashku në rrugën e udhëheqësve të Vatrës, Nolit dhe Konicës, për të përmbushur misionin kombëtar të Federatës Vatra.
Në këtë takim do të regjistrohen anëtarët e degës së re të Orlando dhe do të bëhen zgjedhjet e reja për Këshillin e degës.Pjesëmarrja është e lirë.
Ju lutem njoftoni bashkëkombasit, miqtë dhe dashamirësit tuaj me telefon, e-mail dhe mënyrave të tjera në internet.
Ju faleminderit,
Kryetari i degës Vatra në Jacksonvillë,FL
Adriatik Spahiu
NJË DHURIM I VEÇANATË PËR VATRËN DHE DIELLIN
Edhe pse fushata për moblimin e Bibliotekës dhe Arkivit të Vatrës nuk është hapë zyrtarisht pasi kjo do të bëhet zyrtarisht në Kuvendin e saj që do të çelë punimet me 14 Qershor, dhurimet kanë nisë. I pari që e hapi fushatën ishte anëtari i Këshillit të Vatrës, Ahmet Hoti dhe Ndrec Gjergji.
Një dhurim i veçantë u bë të Shtunën me 31 maj në Vatrë nga një nga vatranët e rinj, njëkohësisht anëtar i këshillit të Vatrës,I rritur në kampet e internimit, i cili me dëshirën e vet do që të mbetet anonim. Dhurata e tij ishte për Gazetën, një kompjuter i ri, prodhim i fundit dhe një printer. E falenderojmë dhurusin që vetë zgjodhi anonimatin. Përmendim faktin se dhurimi i tij kushton më shumë se një mijë dollar!
-Ma tha zemra, nuk e bëra për t’u dukur, prandaj mos ma publiko emrin, i tha ai editorit të Diellit tek ia dorëzoi dhuratat.
Faleminderit vatran!
Dega e Vatrës në Queens zhvilloi takimin para Kuvendit
Ashtu siç ishte njoftuar, të shtunën e 31 Majit, dega e Vatrës në Queens, NY, u mblodh në një takim para Kuvendit Vjetor të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA.
Në takim merrnin pjesë nga Kryesia e Vatrës, sekretarja e Federatës Vatra, Nazo Veliu, editori i Diellit, Dalip Greca, dy anëtarët e Këshillit të Vatrës, pjesë të kësaj dege, zotërinjët Bashkim Musabelliu dhe Lek Mirakaj.
Takimin e ka hapur kryetari i degës së Vatrës të Queensit, dr. Skënder Murtezani. Ai tregoi për përpjekjet që ka bërë kjo degë për t’u riorganizuar , për të shtuar anëtarësinë dhe për të përcjellë mesazhe vatrane tek shqiptarët e kësaj zone. Dr. Murtezani tha se janë bërë disa qindra telefonata nëpër familjet shqiptare të Queensit, ku janë përcjellë mesazhe për Federatën Vatra dhe historinë e saj 102 vjeçare. Natyrisht, tha ai,nuk jemi të kënaqur me anëtarësinë egzistuse, pasi mundësitë e shtimit janë të shumta. Dega ka rezerva për t’u dy e shumëfishuar.
Më pas dr. Murtezani u ndal në dy nga veprimtaritë e degës së Queensit, në atë kushtuar Apostullit të Shqiptarizmit, Mithat Frashërit, veprimatri që u zhvillua në Hotelin, ku u ndal zemra e atdhetarit të madh dhe në veprimtarinë kushtuar historisë dhe tragjedisë së Çamërisë.
Po ashtu dr. Murtezani shfaqi projektin për hapjen e një shkolle shqipe nën kujdestarinë dhe drejtimin e degës së Vatrës. Ai tha se e ka siguruar objektin e shkollës shqipe dhe se ai vetë do të shlyente detyrimet financiare për objektin e shkollës. Por me kaq nuk mbaron puna, ne sapo kemi filluar, komentoi ai.
Kryetari i Komisionit të projektit të ndryshimeve të Kanunores së Vatrës, anëtar i Këshillit të Vatrës, juristi Bashkim Musabelliu, bëri një paraqitje esenciale të projektit të rishikuar të Kanunores së Vatrës. Ai u ndal në paketën e ndryshimeve, në nevojën që dikton koha e sotme për këtë Kanunore-hartuar para 102 vitesh, dhe ftoi pjesmarrësit që të shfaqnin mendimet e tyre rreth këtij projekti, siç ishte parashikuar në rendin e ditës të këtij takimi. Musabelliu iu përgjigj pyetjeve që u drejtuan nga salla.
Anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Mirakaj, shfaqi rezervat e tij për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në Kanunore, në këtë dokument historik 102 vjeçar. Ai tha se nuk është Kanunorja ajo që pengon veprimtarinë e Vatrës dhe se vlerat e Kanunores egzistuese mbeten historike dhe nuk duhen prekur, por mund te behen amendamente. Më pas z. Mirakaj shfaqi kritika me projektin dhe kryesisht kufizimet që diktojnë disa nga nenet e shtuara. Kufizimet që vihen, tha ai, ia heqin karakterin e lirë Vatres, karakterin e një shoqate të hapur, dhe e afrojnë atë me partitë politike. Po ashtu, Mirakaj, konstaton se ka shumë kopetenca në dorën e kryetarit, çka dëmton karakterin demokratik të Federatës. Vatra duhet të jetë më hapur dhe jo e kufizuar, tha ai. Z. Mirakaj shfaqi mendimin që strukturat udhëheqëse, përfshi Këshillin, duhet ët zgjidhen në Kuvend.
Pjesmarrësit ishin aktivë në diskutime. Takimi u karakterizua nga debate dhe toleranca e rrahjes së mendimeve.
Diskutuan, Ylli Dosku, Altin Qosja, Monda Musabelliu, Panajot Përmeti, Halit Shpuza, Erjon Bardhi, Ymer Dervishi, Arben Bardhi,Qazim Velaj, e të tjerë.
Sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu, pasi falenderoi degën për përpjekjet e saj për t’u organizuar dhe për të shtuar anëtarësinë, informoi për përgatitjet e Vatrës për Kuvendin vjetor që do të organizohet me 14 Qershor. Ajo u ndal edhe në mesazhet që duhet të përcjellim tek shqiptarët që nuk janë anëtarë të Vatrës. Të jesh në Vatër është krenari, por edhe obligim kombëtar,tha ajo. Duke folur për projektin e hapjes së shkollës shqipe, Veliu orientoi gjithëpërfshirjen e degës me qëllim që të mos lihet kjo detyrë vetëm tek kryetari. Ruajtja e gjuhës shqipe në mërgim është sfidë e hershme e Vatrës dhe ne duhat ta çojmë më tej.Është e pafalshme që fëmijët e shqiptarëve të humbin gjuhën këtu në Amerikë, ku vetë shteti të parkrah qoftë në hapjen e shkollave, qoftë edhe në veprimtaritë kulturore.
Për këtë pikë diskutoi nënkryetati i degës së Vatrës së Queensit, Halit Shpuza, i cili para disa vitesh mori inisiativë për hapjen e shkollës shqipe pa pagesë në Ridgewood, por që mbështetja e familjeve shqiptare ishte e pa mjaftushme dhe të gjitha shpenzimet e familjes Shpuza, përfshi dhe librat e fletoret,shkuan kot. Para se t’i hyjmë këtij projekti, duhet të bindemi se sa mbështetje do të kemi nga familjet shqiptare, sygjeroi ai.
Në takim diskutoi edhe editori i Diellit Dalip Greca, i cili kërkoi më shumë mbështetje për gazetën Dielli, që është regjistri më i vjetër i Botës shqiptare prej 105 vjetësh, por është edhe një zëdhënës i fuqishëm i Vatrës. Ai mirëpriti sugjerimet për ta përcjellë gazetën, përveçse tek vatranët, edhe tek komuniteti shqiptar.
Editori i Diellit, kërkoi që puna me pasion atdhetar e kryetarit të degës, dr. Skënder Murtezani, kërkon më shumë mbështetje nga strukturat dhe anëtarët e degës me qëllim që atij t’i lehtësohet misioni sepse profesioni i mjekut ia kufizon kohën e lirë.
Ndërsa për projektin e degës së Queensit për të hapur në të ardhmen një shkollë shqipe, editori e vlerësoi pozitivisht, por sygjeroi që të ngrihet një grup pune që tani, të trokitet derë më derë në familjet shqiptare, dhe t’u flitet për projektin, si një obligim i Vatrës për ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave dhe kulturës kombëtare. Ai tha se Vatra që në kohëthemelimin e saj, më 1912 është marrë me shkollimin në gjuhën shqipe të shqiptarëve, të vegjëlve dhe të rriturve. Në një nga mbledhjet bashkuse të Vatrës, konkretisht në atë të 24 prillit, siç dëshmohet në rekordet e Vatrës, që ruhen në arkivin e saj, tregohet se dy nga anëtarët e Komisionit, nuk mundën të merrnin pjesë në takim sepse ishin në çeljen e shkollës shqipe. Dhe këta qenë editori i Diellit Kristo Floqi dhe delegati Kostë Kota. Pra që prej 102 viteve të shkuara Vatra u mor me shkollën shqipe dhe e ka vazhduar edhe më vonë, deri në ditët tona, ku vihet re një përtëritje e traditës. Një shembull për këtë vazhdimësi na e dha dega e Vatrës në Jacksonville, që e bëri projektin realitet. Ky projekt kërkon pasion dhe përkushtim. Ndërsa për shtimin e anëtarësisë, ai solli si shembull po degën e Jacksonville me kryetar Adriatik Saphiun, që ka çuar numrin e anëtarve në më shumë se 80 vetë, ndërkohë që ishte inisiator edhe për hapjen e degës së Vatrës në Hartford, degë që ka 35 anëtarë. Po ashtu ai po përgatitet që këto ditë të organizojë dhe një degë të re në Florida.
Në këtë takim kishte dhe përfaqësues nga Brooklyni, të cilët premtuan që të kontribuojnë në krijimin e një dege atje.
Në fund të takimit, me propozime nga anëtarësia pjesmarrëse, u zgjodhën delegatët për Kuvendin e Vatrës. Ata janë:
1-Skënder Murtezani, si kryetar i degës dhe anëtar i Këshillit.
2- Raimonda Musabelliu
3-Ylli Dosku
4-Teodora Përmeti
5-Halit Shpuza
6- Qazim Velaj