Ilia Vinjau-një jetë me kitarë e serenatën ndër buzë…
Profil i një serenatisti të shquar korçar…./
Shkruar nga Raimonda MOISIU/
Serenatat korçare janë shprehja e thellë e gjendjes emocionale të shumëfishtë, e gëzimit të natyrshëm dhe e premtimit, ndjenja e serenitetit të qetësisë e lumturisë, dashurisë dhe dhimbjes, romantike dhe melkankolike, të vrullëshme e të ëmbla pafundësisht. Serenatat janë agundriçues dhe dritëndjeshëm i triumfit shpirtëror të rilindjes, ku çdo varg e fjalë fiton vlerat vitale dhe unike në tërësi me akordet e ritmin muzikor, imazhi dhe melodia e tyre qetëson dhe transformon gjendjen dhe natyrën njerëzore, gjithmonë në kërkim të së bukurës, lirikes që u falin përjetësinë, nuk vdesin kurrë. Isha ulur në lokalin “Dajana” afër parkut “Rinia” në Korçë, dhe po pija çaj bliri, në pritje të një mikut tim, që e kishim lënë për t’u takuar aty. Ashtu sikundër ngrohtësia e pranverës fillon të shfaqet përsëri nga bora dhe koha e ftohtë, ashtu ndjeja dhe shijoja ajrin aromatik të blirit dhe tingujt fisnikë të serenatës, reflektuesë e nostalgjikë. I sillnin të dridhurat e një kitare që vinin nga magnetofoni dhe ngrohnin ambientin përreth, qetësonin e ëmbëlsonin shpirtin e gjithsecilit, motivi dhe ritmi i tyre bëhej shpresë dhe liri, frymë e jetë;
“Korçë, o qyteti i bukur,
O qyteti i serenatave,
Një këngë dashurie,
Për ty po këndoj,
Këngët më të bukura,
për ty zgjodha,
kërcirin e shpirtit tim,
serenatave tek ty i këndova,
bashkë me shokët e brezit tim.
Po ashtu edhe trumcakët cicërinin gëzueshëm, herë fluturonin dhe herë qëndronin në parvazin e dritares të lokalit, si për të na treguar se edhe në mes të dimrit ka pranverë, trëndafilat çelin jo vetëm në pranverë, por edhe në janar, me gjithë apatinë e akullt të dimrit, na bëjnë të shpresojmë dhe e dimë se pranvera do të vijë gjithsesi. Dhe kështu ne e jetojmë jetën me të mirat e të metat e saj, nga premtimi deri në premtim, përmes mjegullës e qartësisë, nga bora në pranverë. Përmes lenteve të serenatës ne shikojmë jetën tonë, pranojmë dhimbjen e dëshpërimin, jo si fjala e fundit, por për ta ngjyrosur jetën tonë me arin e ndritshëm të gëzimit dhe dashurisë njerëzore. Fjalët i përcillte një zë melodioz e i ëmbël që i ngjason gurgullimës së lumit;
“Ty moj lule zoti, të zgjodhi,
Ta dha jetën plot alegri,
Korça, Korça ime,
Sa e bukur aq hyjnore, më je ti!
Rritesh ti e zbukurohesh,
Përherë, si gonxhe trëndafili,
E plot freski.
Për ty serenata kanë kënduar,
Djem e vajza rrite ti,
Përjetësisht me ty të dashuruar,
Korça e serenatave je ti!
Nuk ishin natyrisht vargjet apo melodia e serenatave të Vivaldit, apo sonata e Bethovenit, as të Rite Stravinsky apo të Tchaikovsky-it, -jo, ishin tingujt e magjishëm të serenatës korçare, muzikë e frymëzuar nga dashuria përtej madhështisë të talentit absolut muzikor, të serenatistit veteran, -Ilia Vinjau.
Teksa nuk ja ndaja vështrimin trumcakëve, në derë u shfaq miku im, me borsalinën në kokë, ashtu virtuoz, enthusiast dhe duke buzëqeshur, Virtyte këto, që i jepnin pamjen, tipike të një aristokrati fisnik korçar. U çova menjëherë dhe i afrohem, jo vetëm për t’i lënë të kuptonte, që unë jam Raimonda, gazetarja që i pata kërkuar takim dhe ta intervistoja, por respekti për moshën dhe artistin, do të më çonin pranë tij dhe t’i uroja mirëseardhjen. Tokëm duart dhe një përqafim miqësor, sikur njiheshim prej kohësh. Të tjerët rrotull po na shihnin buzagaz dhe e përshëndetën, dikush me emër, dikush e thërriste mjeshtër. Ç’është e vërteta unë e njihja, e kisha parë në koncerte, në festivalet e serenatës, apo duke i rënë kitarës e kënduar në baret karakteristike korçare, rrugicat me kalldrëm dhe kodrat e qytetit tonë, për qejf të serenatës dhe muzikë, me miqtë e kolegët e tij. Ai nuk më njihte mua, mëse e kuptueshme dhe normale, se jo çdo këngëtar apo artist i njeh fansat e dashamirësit e tij. Ishte artisti korçar nga më të admiruarit dhe të pëlqyerit, serenatisti i pandreqëshëm dhe mjaft popullor, Ilia Vinjau. Nuk e tregonte moshën mbahej mjaft mirë. Si u ulëm edhe ai porositi çaj bliri dhe filluam të bisedonim. Fillimisht, gjëra të përgjithëshme, për familjen, punën, artin dhe muzikën. Pranë tavolinës sonë afrohet kamarieri, një djalosh i ri me kitarë në dorë: “ Mjeshtër, të lutem një serenatë nga ato të tuat.” Me atë mimikën e tij gazmore e babaxhane, “rrëmben” kitarën dhe pa e bërë fjalën dy fillon:
“Bjere pra kitarën, do t’këndoj për ty,
Për mirësinë tënde, për të kaltrat sy.
Ti me tre fëmijë,
e di si më ngjan,
si një trëndafil, me tre gonxhe pranëëë….
Bjere pra kitarën, do t’këndoj për ty,….”
“ Bjere pra kitarën, moj e dashur,
do të këndoj për tyyyyyyy…..
“ Bjere pra kitarën, moj e dashur,
do t’këndoj për ty, për të kaltrat sy.
Bjere pra kitarën, do t’këndoj për ty,
për mirësinë tënde, për të kaltrat sy.
“Për shikimet e ndrojtura,
psherëtimën e parë,
për shamitë e përlotura,
Këndo pra kitarëëë…”
Ai talent i mrekullueshëm, ai interpretim me dinjitet, ai zë i kthjellët, melodioz ajo ndjenjë e bukur për t’i kënduar, hymnit të dashurisë korçare, mbushi plot muzë frymë, jetë e dlirësi, gëzim e harmoni, në një minikoncert lokalin “Dajana” dhe veten e pamë sakaq, të rrethuar nga njerëzit, që ishin aty dhe këndonin së bashku me mjeshtrin. E lë kitarën mënjanë dhe vazhdojmë bisedën tonë nën avujt e çajit të blirit, të qetë e të rrjedhëshme, me aksentin e këndshëm korçar. Gjatë bisedës nuk ngurroja dhe e thërrisja edhe unë Mjeshtër.
Pyetjeve ju përgjigjej me emocion, nostalgji dhe aspak nuk e ndante buzagazin e tij karakteristik. Kërshëria ime ishte, të dija se nga e kishte të trashëguar talentin për të kënduar, ishte në gen apo dhunti të lindur. Fillimisht nisi të më tregonte për origjinën e tij, për prindërit. Këtu mjeshtërit fytyra i ndryshoi. Ndjehu një moment homazhi për mungesën e tyre, por dallohej edhe krenaria për origjinën dhe për ta.
Origjina, prindërit dhe talenti.
Babai ishtë me origjinë nga Përmeti. Në vitin 1916-të, kur ra sëmundja e kolerës, familjes së babait i vdiqën tre motra dhe i ati,(gjyshi i Ilias). Kështu nëna e Ilias mbeti vetëm me të dy fëmijët e tjerë dhe xhaxhain, vëllai i të atit. Babai,- tregon Ilia- në moshën 14 vjeçare punoi si çirak në zejtaritë e njerësve të tij, derisa krijoi familjen dhe kishte një zë shumë të bukur. Kur bëheshin dasmat dhe ahengjet në zonën e Përmetit, vinin orkestrantët dhe këndonte bashkë me ta në gëzime familjare, fejesa, lindje dhe martesa. Dinte aq shumë këngë popullore, sa këndonte tërë natën dhe pa përsëritur asnjëherë të njëjtën këngë. Me të ardhurat e fituara ndihmonte e mbante familjen. Më vonë ikën nga Përmeti dhe u vendosën në Korçë, se nëna ime ishte korçare, nga të Qafzezit, çupa e Andonit dhe e mbesa e Ligorit. Një nga nipërit e gjyshit, me mbiemrin Gregory në SHBA-ës, është kozmonauti dhe aviatori i parë, që fluturoi në kozmos. Nëna vazhdimisht këndonte nëpër shtëpi, duke bërë punët e shtëpisë apo kur rrinim mbrëmjeve në shtëpi. E donte këngën dhe muzikën shumë. Mblidheshin së bashku me babanë, vëllezërit dhe nipërit e saj, gati çdo natë, njëri lahutës, tjetri gërnetës e mandolinës, një familje e tërë adhurues të pandreqëshëm të muzikës dhe unë megjithëse isha i vogël rrija pas tyre dhe këndoja. Kështuqë talentin për të kënduar jo vetëm e kam dhunti, por janë të dyja bashkë –edhe nga prindërit e mij, -familje muzikantësh.
Serenata…..
Në vitin 1951-ë ika të vazhdoja studimet në Teknikumin e Ndërtimit, Tiranë. Atje me grupin e korçarëve, këndonim këngë të ndryshme. Ishte koha e artë, kur lulëzonte e rritej serenata korçare në Korçë e këndohej ngado. Gjithmonë më insipironin ata që këndonin serenatën korçare, por artisti që i dha vlera të mëdha serenatës, ka qenë kantautori dhe serenatisti i shquar Sotiraq Mitre, të cilin, fatkeqësisht e shtypi makina në vëndin simbolik të mërgimtarëve, të quajtur “Lëndina e Lotëve”, në vitin 1957. Ja një serenatë e Raqkës , që këndohej si homazh atë ditë që ai u nda nga jeta.
“Dashurova njëherë edhe unë,
Ja dhashë shpirtin e zemrën dikujt,
Me premtime e përkëdhelje,
Ajo më vuri në gjumë,
Ajo, që më ndodhi mua,
Mos i ndodhtë kurkujt.
Sa gëzime ajo më premtoi,
Helm u bënë për shpirtin tim,
Që atë ditë ajo më harroi,
Iku larg, mua më la në mjerim.
Mos dashuro, mos dashuro,
Fjalëve të ëmbla,
Kurrë mos u beso,
Në do i qetë të rrosh,
Këto dy fjalë të m’i zbatosh,
Mos dashuro, kurrë mos dashuro…!”
Në 1957-ën, isha në vitin e dytë dega inxhinieri, Universiteti i Tiranës. Atëhere kam kompozuar e kënduar serenatën e parë, që këndohet edhe sot e kësaj dite dhe mbahet prelud i serenatave, “Lule në saksi”.
“Si se ujite, lulen dashuri,
Që atë ditë të mbiu në gji,
E shikon u tret, e shikon u tha,
Mjerë kush e pa, lulen vaj medet.
Katër vjet saksi, zemrën tënde pati,
Ti e thave ti, ti moj nga inati.
Folë mbi gjoksin tim,
Sa lotë të kanë rënë,
S’pate mallëngjim,
Për fjalën e dhënë.
Refr.,etj.”
Vargjet lirike të kësaj serenate i ka shkruar, miku im i viteve studentore, poet dhe shkrimtar, ing. Gjeolog, Shadan Stërmasi. Po ashtu Shadan Stërmasi ka shkruar vargjet e serenatave “Dy plagë”, “Puthmë e besomë”, dhe të kompozuara nga unë, Ilia Vinjau.
Kam kënduar me serenatat e mija, në Festivalet e Këngës në Radio-Korça. Moment mbresëlënës ka qenë kur konkurova me këngën e “Gjeologes”, me tekst të Teodor Laços, dhe e kompozuar nga unë. Çmimin e Parë ma dha publiku, të tretin juria. Ajo ç’ka e bënte më interesante, të këndshme e të kënaqëshme ishte se; unë një kompozitor dhe këngëtar amator, konkuroja me këngëtarët më të mirë të Shqipërisë. Me rastin e përvjetorit të martesës, kompozova serenatën “Bjere pra kitarën”, me tekst të Shadan Stërmasit. Dua të theksoj se tekstet e serenatave të kompozuara nga unë, shumicën prej tyre mbajnë muzën e poetit e shkrimtarit Shadan Stërmasi. Me ndihmën e djalit tim Vangjushit e nuses së tij, të dy janë muzikantë, djali ka mbaruar kitarë klasike, nusja piano, mundësova nxjerrjen e disa CD-ve origjinale.
Ndryshimi mes serenatës së vjetër dhe asaj të sotmes.
Serenata lindetë spontanisht dhe këndohej nëpër rrugicat e Korçës, në dritaret e vajzave të dashuruara, ose pranë familjeve, që dilnin dhe dëgjonin serenatën e bukur që këndohej nga një këngëtar apo grup të rinjsh, djelmuria korçare, të cilët e bënin për kënaqësi e të argëtonin bashkëqytetarët e tyre, pa asnjë përfitim material, thjesht përfitimi shpirtëror e moral. Në këtë qytet jetonte një komunitet njerëzish me kulturë të veçantë, të importuar nëpërmjet mërgimtarëve nga Europa e Amerika, që bashkë me kthimin e tyre në atdhe, sillnin jo vetëm kulturën perëndimore, por edhe muzikën. Kjo është një nga veçoritë, që solli inspirimin dhe edukimin e brezave të ndryshëm korçarë, të cilët kënduan dhe prodhuan këngët e tyre autoktone-serenatën-që i këndonin shpirtit të vashës e djalit, të djalërisë e komunitetit korçar. Vetë arkitektura autoktone e Korçës, të frymëzonte, të shkruaje e kompozoje serenata, me ato ndërtesat karakteristike dykatëshe dhe dritaret që shihnin në rrugë, avllitë e unjta dhe mbi të gjitha komuniteti i emancipuar, qytetëruar, inteligjent, fisnik e i kulturuar, i cili dëshironte e mezi priste të dëgjonte serenatën, dilte në rrugë lur këndohej serenata mbrëmjeve të freskëta korçare. Sot dëgjoj serenata të deformuara, tallavaja po hyn në lokalet e Korçës, me këngë të vjedhura turke e bullgare, që po trazojnë dhe deformojnë serenatën. Ndjehem jashtëzakonisht keq, ndaj ju them e ju lutem me shpirt artisti e qytetari, me shpirt korçari: Mos e shëmtoni e deformoni serenatën, lëreni ashtu sikundër ka lindur. Le të vazhdojë tradita dhe të këndohet serenata ky symbol i dashurisë njerëzore, në çdo gëzim të jetës, të çdo komuniteti, nga jugu në veri, brenda e jashtë Shqipërisë tonë. Lëreni ashtu sikundër e kanë kompozuar të pavdekshmit serenatistët, Sotiraq Mitre, Ligoraq Qamo, Nasi Bicolli, Abas Hajro, etj, dhe ashtu sikundër bëjnë Spanja Pipa, Mihallaq Andrea, Nona Kajno, Eli Fara, etj.
Mesazhi
Qyteti im i dashur Korça, i cili është pagëzuar, që të mbetet i përjetësuar, Qyteti i Serenatave, duhet që edhe shoqëria të ndërgjegjësohet dhe ta ruajnë si sytë e ballit, këtë pasion të pastër muzikor, këtë trashëgimi të kulturës e qytetarisë korçare. Dëshiroj të transmetoj idenë e mbajtjes së një Festivali Kombëtar të këngës së serenatës korçare, me pjesëmarrjen nga të gjitha trevat shqiptare, njëherë në tre vjet ose pesë vjet. Ajo ç’ka unë dua të theksoj ky festival të vazhdojë dhjetë ditë rresht në Korçë, të këndohet; në rrugicat me kalldrëm, në ballkonet e shtëpive antike e karakteristike korçare, dhe baret e lulishtet e qytetit tonë dhe rrethinat, si Drenovë, Dardhë dhe Ziçisht, ku serenata është kënduar për gati një shekull. Festivali, të bëhet tradicional si Festival i Serenatës, pra epiqendra e një eventi madhështor të jetë Korça dhe festivali i hymnit dhe dashurisë njerëzore. Kjo do të sjellë jo vetëm kulturën dhe shkëmbim eksperienca brenda artit e muzikës shqiptare, por edhe rritjen dhe mirëqenjen e jetës social-ekonomike –kulturore-historike të qytetit dhe promovimit të vlerave të artit e kulturës shqiptare.
Raimonda MOISIU
HARTFORD CT USA
Shkurt 2014
Diaspora shqiptare në Amerikë zgjodhi Tefik Abdullain kandidat për SHBA dhe Kanada
Apelohet që Diaspora shqiptare të regjistrohet në mënyrë masive për votimet Parlamentare në Maqedoni/
Nga Beqir Sina, nga Çikago – Illinois/
CHICAGO – ILLINOIS : Një delegacion i lartë i BDI-së në Çikago – Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi të djelën takimin për të mobilizuar diasporën shqiptarë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që priten të mbahen së shpejti në Maqedoni. Ku për dallim nga 3 vjet më parë, pra në zgjedhjet e fundit parlamentare(2011) shqiptarët nuk arritën të fitojnë asnjë nga tre postet e deputetëve për të cilët voton diaspora, ata thanë se kësaj radhe po e shohin çështjen e deputeteve shqiptarë në diasporë më seriozisht, duke synuar të paktën dy nga tre postet e deputetëve të diasporës, Europën dhe SHBA ti fitojnë shqiptarët. Tre deputetët e diasporës zgjidhen sipas modelit të shumicës në një raund zgjedhor ku :” Njëri zgjidhet për hapësirën mërgimtare në Evropë dhe Afrikë, një në dy Amerikat Veriut dhe Jugut, dhe i treti në kontinetin Australi – Oqeani dhe Azi”.Bashkë me nënkryetarin e BDI-së, zotëri Izet Mexhiti, i autorizuar si përgjegjës për diasporën në këtë zgjedhje, për vizitë në Çikago Qëndrën Kulturore Shqiptare, ishin edhe krerët e dy komunave të cilat dihet se kan edhe numërin më të madh të mërgimtarëve shqiptarë në Amerikë, atë të Kërçovës dhe Dibrës, zotin Fatmir Dehari dhe zotin Ruzhdi Lata.Në këtë takim morën pjesë edhe disa përfaqësues të komunitetit shqiptarë nga Nju Jorku, veprimtari Yleber Pilku dhe Lavdërim Cami përfaqësues nga Shoqata Atdhetare Dibra, dhe veprimtarët Nazar Mehmeti dhe Ylber Korça përfaqësues nga komuniteti shqiptar i Dallasit, Qendra e Trashëgimisë Shqiptaro – Amerikane e Teksasit.
Takimi me Komunitetin Shqiptaro – Amerikan të shtetit Illionis, dhe shteteve për rreth tij me disa përfaqësues të Shoqatës Atdhetare Dibra, nga Nju Jorku, dhe ata nga Dallasi, Wisconsin, e shtetet për rreth u mbajtë të dielën në mesditë në Qendrën Kulturore, e cila ka qenë dhe mikëpritëse e këtij takimi.
Ky takim u moderua nga konsulli i përgjithshëm i Maqedonisë në Çikago, Jakup Rexhepi.
Duke kërkuar që diaspora duhet të kryejë procedurat e kërkuara dhe të mos hezitojë më ta bëjë regjistrimin, duke korrigjuara dobësit dhe gabimet e vrejtura para 3 vjetëve, konusulli Jakupi në cilësinë e drejtuesit të këtij takimi, njoftoi përfaqësuesit e komunitetit, për qëllimin e këtij tubimi dhe prezantoi mysafirët e lart nga Maqedonia .
“Në thelb të këtij takimi tha ai shtrohet pyetja se : “A jemi ne të interesuar ne si diasporë të dalim dhe të garojmë ne zgjedhjet paralamentare e parakohëshme , a ka interesim të mjaftueshem dhe aktivist për të çuar përpara këtë proces dhe kush mund të jetë kandidati më i mundëshëm nga diaspora shqiptare në Amerikë, që do ta përfaqësojë diasporën shqiptare nga Maqedonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, natyrishtë nëse dalim fitues”, tha ai.
Më pas konsulli Rexhepi, prezantojë tre kryetarët e të tre komunave shqiptare: Kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, Kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, dhe Kryetari i Komunës së Dibrës, zoti Ruzhdi Lata.”
Nënkryetarin i BDI-së, zoti Izet Mexhiti, i autorizuar si përgjegjës për diasporën në këto zgjedhje, vuri në pah se “Intenca e këtij takimi, është që të mbledhim të gjithë shqiptarët e Amerikës, të ardhur këtu nga Maqedonia, që të “shërojmë” atë “gabimin” që u bë në zgjedhjet e 2011 me deputetin nga SHBA, në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, një shëmbull jo i mirë që ne duhet të nxjerrim mësime ; pra të zgjedhim një kandidat për deputet shqiptarë dhe ai të fitoi këtë mandat duke gjetur edhe unitetin tuaj pa dallim – Natryishtë, që 2014 të jetë vit i suksesshëm ashtu si edhe ishte në zgjedhjet lokale ku për herë të parë mbas 70 vjetëve bashkërisht vend-lindja me diasporën kurorëzuam një fitore historike me Kërçovën me kryetar shqiptarë, Fatmir Deharin dhe po me këtë kontribut “betonuam” elementin shqiptar në Komunën e Strugës”, mbas asaj farë “tronnditje” se po u humbënim Strugën si në vitin 2005″.
Kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe, maxhistër Ruzhdi Lata, qysh në fillim të fjalës së tij pas foli për kompaktësinë, që duhet të ketë diaspora, ceku se ne jemi me fat se kemi një diasporë që jeton e punon në një vend që historikisht ka qenë pro çështjes shqiptare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës .
” Viti 2014 dhe këto zgjedhje, tha Lata të jetë me fitoren e deputetit nga disapora, dhe, gjegjësisht me këtë rast nga Shtetet e Bashkuara, duke e bërë këtë një vit historik, ku me kandidatin që do të zgjidhet nga këtu dhe me ndihmën tuaj – diaspora e shqiptarëve të Amerikës, do të shkruaj historinë e saj – Duke, përforcuar edhe më shumë ato urat e lidhjes së fuqishme që ka kjo diasporë me vendorigjinën e saj prej andej nga ka ardhur, pra, në rastin konkret si jeni ju të ardhur nga Maqedonia”
Më pas Lata, foli për rëndësin e madhe që ka ky përfaqësues i kësaj diaspore, ku si tha ai do të jetë zëri i juaj në Parlamentin e Maqedonisë, ku diaspora deri dje është përpjjekur që nëpërmjet deputetve atje ta ngre zërin e saj – por tani ka një rast historik, që ta ketë ajo vetë përfaqësuesin nga vetë Amerika në mënyrën më institucionale. Por, që kërkon bashkimin tuaj ashtu si keni ditur të bashkoheni edhe në raste të tjera kur ua ka lypur nevoja për vendin tuaj, dhe ju dëshmi keni plotë, konkludoi i pari i Dibrës, zoti Ruzhdi Lata, me kontrubitin financiar që keni dhënë për familjet tuaja atje.
Ndërsa, “Zgjedhjet Parlamentare në Maqedoni, u shpreh kryetari i Komunës së Kërçovës, zoti Fatmir Dehari po afrojnë dhe se afatet për regjistrimin e diasporës, për të shprehur të drejtën e votës dita ditës janë më limitive, ne kemi ardhur tek ju – t’ju tregojmë se vijmë me një projekt kombëtar për të zgjedhur një deputet shqiptar nga SHBA. Vendin ku shqiptarët, kan qenë të organizuar historikisht, për çështjen kombëtare, duke u nisur prej kur ata erdhën për herë të parë në Amerikë, nëpërmjet shoqatave dhe organizmimeve të klubeve shqiptare në megrim – ata dhanë kontributin e tyre, dhe kan ditur të bëjnë punë të mëdha dhe të kenë suksese për Shqipërinë dhe vendbanimet shqiptare kudo që janë. Dhe së bashku me ju edhe kësaj radhe , së bashku, dibranë, kërçovar, presparë, tetovar, e gostivarllinjë e të tjerë, do të dini ta thoni fjalën tuaj duke institucionalizuar punën e madhe dhe kontributin e kësaj diaspore- Argumenti dhe forca e juaj e votes ishin ato që e sfiduan pushtetin e atjeshëm edhe me Kërçovën, ku nidhma juaj e ka dëshmuar atë”, tha kreu i komunës së Kërçovës zoti Dehari.
Meqënse, nuk u arritë të zgjidhej në takimin e parë kandidati nga diaspora e Amerikës, ku ne mesin e katër kandidaturave në fund mbetën Lavdërim Cami ish kryetar i Shoqatës Atdhetare Dibra dhe ish knadidati i vitit 2011 nga diaspora, mbrëmë, vonë nga ky takim është finalizuar edhe emir i kandidatit të diasporës shqiptare nga SHBA dhe Kanadaja, që do të garojë në zgjedhjet e radhës parlamentare në Republikën e Maqedonisë. Vendimi është unifikuar nga përfaqësuesit që morën pjesë në këtë takim në Qendrën Kulturore Shqiptare ne Çikago, ku u vendosë që për njësinë numër 8 që përfshinë SHBA dhe Kanadanë të jetë zotëri Tefik Abdullahu,një mërgimtar nga Prespa që ka disa vjetë që jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Këtë lajm për gazetën tone e konfirmojë edhe Kryetari i Dibrës zotëri Ruzhdi Lata, I cili tha se :”“Jemi duke u angazhuar që tek kjo pjesë e mergimtarëve tanë në SHBA, të sensibilizojmë çështjen e ardhmërisë të shqiptarëve në tërësi, të bashkëpunojnë dhe të marrin pjesë në votime pasi ua lejon këtë ligji, që këta të kenë përfaqësuesin e tyre në parlamentin e Maqedonisë. Ne fatmirësisht ia arritëm që të kemi një kandidatë të përbashkët nga të gjitha shoqatat dhe ky kandidat të jetë Tefik Abdullahu”, tha numëri një i Dibrës së Madhe , zoti Ruzhdi Lata, anëtar i delegacionit të BDI-së në diasporë që ka ardhur pikërishtë, për këtë çështje.
Zotëri Lata tha se angazhimi i tanishëm ka të bëjë me faktorizimin e akoma më të madh të shqiptarëve në qeverinë e ardhshme, ku përndryshe nga 3 vjet më parë, ai tha se tani BDI-ja synon të marrë të paktën 2 nga 3 deputetët e diasporës.
“Këtu nuk është çështje shprese por është çështje angazhimi pasi numri është dominant i njerëzve tanë në SHBA dhe nëse angazhohen shqiptarët që të dalin në votime, të shkojnë deri në konsullatë të Maqedonisë që të votojnë, është më se e sigurt që ne fitojmë edhe një deputet më shumë shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë”, u shpreh kryetari i Dibrës mgjistër Ruzhdi Lata, anëtar i delegacionit të BDI-së në diasporë, duke folur në emër të këtij delegacioni.
FERKI VELIU-BERISHA: JU TRGOJ LIDHJET E GJAKUT ME HASAN PRISHTINËN
Flet nga Portland-Oregon- , Ferki Veliu Berisha, njeriu që ka lidhje gjaku me Heroin Kombëtar, Hasan Prishtina. Së bashku me bashkëshorten amerikane, Patricia, ai vizitoi Shtëpinë e Vatrës dhe mori pjesë në festimet e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës./
Nga Dalip Greca/
Kryetarja e degës së Vatrës në Washington DC, poetja dhe veprimtarja Merita B McCormack, përmes një emaili na njohur në distancë me Ferki Veliu-Berisha dhe bashkëshorten e tij Patricia. Vizita e tyre në Shtëpinë e Vatrës të shoqëruar nga Merita, të shunën e 15 shkurtit, ishte fare e veçantë. Ferki dhe Patricia fotografonin çdo objekt historik dhe prekën nga afër 100 vite histori të shqiptarëve të Amerikës.
Ferki mbartëte një histori interesante. Familja e tij si shumë të tjera gjatë luftës së Kosovës kishin përjetuar çaste të vështira, shtëpia ishte djegur dy herë. Shtatë vëllezërit, tri motrat, dhe prindërit, për tre muaj nuk dinin asgjë për fatin e njëri-tjetrit. Babai, së bashku me tre të afërm ishte vrarë gjatë luftës. Po cili ishte fati i Ferkit? Cilat janë lidhjet e tij me heroin e Popullit Shqiptar, Hasan Prishtina? Ku dhe si u njoh me bashkëshorten amerikane Patricia? Le të ndjekim bisedën që zhvilluam me të që nga Oregon(Portland), pas largimit nga festa e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
– Ferki, Ju vizituat Shtëpinë e Federatës Vatra së bashku me bashkëshorten amerikane, Patricia. Si u ndjetë gjatë vizitës? Çfarë ju bëri përshtypje?
-Unë u lumturova kur vizitova VATREN e t’i tregoja bashkeshortes sime Historinë dhe Kulturen Shqiptare. U ndjeva nostalgjik tek degjoja dhe shihja heronjtë e së kaluarës. Aty dëshmohet historia shqiptare për më shumë se 100 vjet. Jam ndjerë tepër krenar tek e kam prekur atë histori. Ju falenderoj për mikpritjen tejet të ngrohtë e të përzemërt. Ju së bashku me zv/kryetarin Asllan Bushati dhe kryetaren e degës së Washnigtonit, zonjën Merita, u treguat shumë të dashur me ne.
Morët pjesë, besoj për të parën herë në një manifestim shqiptarësh në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Si u ndjetë ju? Çfarë ju bëri përshtypje? Po zonjës Patricia?
-Ishte shumë e rëndësishme që ne u bëmë pjesë e festës,që organizoi Vatra. Në fytyrat e pjesmarërsve të shumtë pamë gëzim. Ishte kënaqësi që festuam së bashku këtë ditë të shënuar, pasi njerëzit tanë kanë paguar një çmim shumë të madh për këtë ditë-dhe ne duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur të drejtën e pavarësisë dhe vazhdimësinë e saj. Ishte kënaqësi të takoheshim me të gjithë dhe ishte kënaqësi të ndaja me Patrician,gruan time muzikën dhe kulturën time shqiptare.Ajo u kënaq shumë.
-Ju jetoni në Portland, ku nuk besoj se ka shqiptarë. Si hytë në lidhje me Vatrën?
– Ne po bashkëpunojmë me Merita McCormack(që është e përfshirë me VATREN) për një projekt libri. Ajo na tregoi për festën e VATARES. Duke konsideruar që libri në fjalë është per historinë e familjes sime gjatë luftës në Kosovë, bashkëshortja ime dhe unë thamë” Hajde shkojmë edhe ne e t’i bashkohemi festimit madhor”. Jemi shumë të ëgzuar që e morëm këtë vendim.Ishte një festim shumë i bukur. U kënaqëm shumë.
Cili ishte fati i familjes tuaj gjatë Luftës së Kosovës? Diçka më shumë për familjen tuaj? Kur dhe në ç’rrethana u larguat nga Kosova, ku shkuat? Si erdhët në SHBA?
– Lagjia, ku ne jetonim, ishte epiqendra e luftës së viteve 1998-1999 dhe familja ime vuajti shumë gjatë asaj periudhe,veçanërisht në vitin 1999 kur familja, (prindrit, shtatë vëllezër e tre motra) u nda dhe shkuam në drejtime të ndryshme.Për pothuajse tre muaj ne nuk e dinim se kush ishte gjallë apo i vdekur. Ndërkohë që të gjithë patëm disa eksperienca të vështira gjatë luftës ne mbijetuam, përveç babës sonë, Isuf Veliu, i cili u vra së bashku me tre të afërm. Askush nga ne s’donte të largohej nga Kosova, por si mund të mbijetoje? Vendosa të shkoj në Itali, ku iu bashkova dy vëllezërve të mij dhe aty u njoha me Patrician, me të cilën pas dy vitesh, u martova.Tashmë ne jetojmë në SHBA
Lexuesit tanë janë kureshtarë për lidhjet tuaja me heroin Kombëtar Hasan Prishtina. A mund të na tregoni hollësi të këtyre lidhjeve. Pra çfarë ju lidh ju me heroin Hasan Prishtina, një nga burrat që kanë lënë gjurmë në historinë tonë Kombëtare? Ndërkohë kemi dëgjuar pretendentë në median e Kosovës për trashëgimtarë të Hasan Prishtinës.Komenti juaj?
-Pas kaq shumë brezash,jam i sigurt se ka shumë të afërm të Hasan Prishtinës, kështu që pyetja lind vevetiu, kush janë më të afërtit, kush vjen nga vendi i tij, kush ka lidhje gjaku me të, kush mban historinë e familjes, histori të treguara brez pas brezi. Po ju tregoj se Hakan Berisha është i afërmi më i vjetër i Hasan Prishtinës.I afërm që jeton, dhe ai është edhe mbajtësi i arkivit e historisë së familjes.Familja ime (Berisha-Veliqi-Veliu) jeton në tokën ku baba i Hasan Prishtinës Ahmet Ali Berisha u lind e ku stergjyshi i Hasanit, Abdullah Ali Veliu është varrosur. Këto tre mbiemra:Berisha, Veliqi-Veliu, Mangjolli janë një gjak. Toka ku familja ime ka shtëpinë e ku jetojmë sot është toka e parardhësve të Hasan Prishtinës.Në fakt, pusi origjinal që përcaktonte tokat e tij, është në pronësinë tonë.
Ne i njohim mirë si gjakun ashtu dhe brezat e Hasan Prishtinës. Po ashtu njohim mirë historitë e vërteta lidhur me Hasan Prishtinën. P.sh si shkoi në një peligrinazh në Shqipëri të gjente parardhesit e tij në Shkodër,ose sa vëllezër e motra ka pasë (ka pretendime fallso nga disa); ne njohim badigardët e tij dhe historitë e tyre. Ne bile e dimë se cila ishte pija e tij më e preferuar. Unë nuk jam historian apo politikan, dhe shumëkush në Shqipëri, njeh më mirë historinë politike të tij, natyrisht më mire se unë,-unë thjesht njoh historitë famijare rreth këtij njeriu-Hasan Prishtina-dhe kam kënaqësi t’i tregoj për ata që kanë interes. Si i thonë në anët tona, unë jam ende “një zog i ri”, ende jam duke mësuar bëmat e Hasan Prishtinës, por “zogjtë e vjetër” ama, ç’ka ma mësuan,ma mësuan shumë mirë.
– Jeni duke shkruar një libër, a mund ta informoni lexuesin e gazetës Dielli rreth tij?
-Po, po shkruaj librin rreth familjes sime, që jetoi në zonën historike të Skënderajt , epiqendra e Luftës në Kosovë në 1998-1999.Në kulmin e sulmeve në vitin 1999 ,për pothuajse tre muaj, ne anëtarët e familjes Veliu (tre ishin jashtë vendit dhe nëntë brenda tij) ishim të paqartë se kush jetonte e kush kishte vdekur, ishim të pasigurtë se ç’po ndodhte, tek përpiqeshim t’i shpëtonim zonave të luftës.Ky libër rregjistron ngjarjet e luftës së Kosovës përmes syve të shtatë vëllezërve dhe tre motrave, ku gjithësecili kaloi përmes disa eksperiencave vdekjeprurëse, i mbijetoi pas djegies(dy herë) të shtëpisë,përjetoi maskarat gjakatare ndaj të afermeve e komshinjve, kaosin masiv dhe konfuzionin e një periudhe para telefonave mobilë, dhe më keq, akoma ekzekutimin e patriarkut të familjes, mençuria e urtë e të cilit i ndihmoi të gjithë fëmijët të shpëtonin jetët e tyre. Eshtë historia e qëndresës së familjes sime përgjatë gjithë kësaj padrejtësie që tingellon a pakuptimtë dhe së fundi,me shpresë se ky libër do të frymëzojë të tjerët nëpër botë për shpirtin e pamposhtur të shqiptarit.
– Kur keni qenë për të fundit herë në Kosovë? A e ka vizituar Kosovën zonja juaj?Me ç’mbresa është kthyer që andej?
-Po, ishim atje së bashku me Patrician vitin që kaloi. Shkuam që ta njihja Patrician me vendin tim, kulturën tonë, historinë e familjes sonë.Ajo donte ta shihte me sytë e saj vendin dhe historinë, tokën tonë.Vizituam shtëpinë e familjes, varrezat në Palac dhe i treguam asaj disa relike të mbetura nga Lufta, varrezat e lagjes, memorialet,vizituamTrepçën, fabrikën ku punoi dikur im atë, por që tashmë është mbyllyr dhe qëndruam tek ura e Mitrovicës. Ajo u surpizua tek shihte rojet e tanket e ndërkombëtarve aty, dhe u deshpërua akoma më shumë tek pa një vajzë të vogël tek kalonte pranë ushtarakëve. Ajo më tha mua: “Asnjë fëmijë s’duhet të rritet kështu”!
Vizituam familjarët në Mitrovicë, pastaj morëm rrugën për në Shqipëri, të shihnim rrënjët e familjes, duke filluar me Kukësin për të vizituar varrin e Hasan Prishtinës, pastaj në Shkodër, nga ku familja jonë ka origjinën. Vizituam Tiranën, Durrësin, Shëngjinin,u kthyem në Kosovë pastaj shkuam në Maqedoni, ku ajo u ndje se kishte një energji krejt ndryshe. Patricia më pyeste dendur se pse kaq luftë, pse kaq konfuzion me kufijtë, pse kaq sherre për token tonë, pse nuk janë lënë shqiptarët të qetë?
A e di si i thashë? Mendo me e nda një shtrat me tre kafshë: Majmunin (Malin e Zi), Gjarprin (Serbia) dhe Tigrin (Greqia) dhe se ne kurrë s’do kemi qetësi perderisa do kemi këto tre kafshë në shtrat.Ata kanë qenë armiqësor me shqiptarët.
Personalisht ajo u prek jashtë mase nga zemërgjeresia e njerëzve tanë, nga kultura e pasur, muzika dhe historia. Planifikojmë të shkojmë sërish, shpejt besoj.
Keni ndërmend të anëtarësoheni në Vatër?
-Absolutisht po! Jam i lumtur të mbështes përparimin e vendit tonë.Ku më mirë se tek Vatra e gjejë këtë mundësi?
Faleminderit për intervistën!
-Kënaqësia ishte imja.
Ne Foto: Ferki Veliu-Berisha dhe bashkeshortja amerikane Patricia gjate vizites ne Vater
Turizmi në hanet shqiptare
Nga Nikolla Lena/- Hanet apo bujtinat, janë struktura të vogla me arkitekturë tradicionale, të cilat kanë qenë të përhapura në të gjithë territorin e Shqipërisë, kryesishtë në rrugë-kalimet tregtare apo ushtarake. Këto struktura kanë ekzistuar që nga periudhat e hershme Romake, periudhës Osmane dhe deri në gjysmën e parë të shekullit të XX. Ato kryenin funksionet e stacioneve të udhëtarëve dhe karvaneve të tyre, fjetjes, ushqimit për udhëtarët dhe kafshëve të transportit, vendas apo të huaj.
Dokumentat e gjetura, flasin për shumë udhëtarë te huaj, që kan lënë shënimet e tyre mbi vizitën dhe udhëtimet në Shqipëri. Ata kanë përshkruar veç të tjerave, edhe Bujtinat apo Hanet ku janë strehuar, mbrojtur dhe çlodhur. Kanë folur për mikëpritjen Shqiptare, bujarinë, doket, zakonet, veshjen, sjelljen për se cilën zonë të vizituar prej tyre. Mund të përmendim Baronin dhe poetin Anglez Bajron, udhëtaren dhe studiuesen angleze Edit Durham, konsullin francez, Pouqeville, profesorin e Universitetit të Vjenës,Karl Patch, historianin anglez Hamond, e shumë e shumë të tjerë, i kanë përshkruar në shkrimet e tyre këto lloj strukturash autentike. Duke marrë në konsideratë kërkesat e shumta të turistëve të huaj dhe vendas, në kërkim të origjinales dhe asaj e cila mbetet burimore dhe e veçantë, Hanen përbëjnë një nga guidat kryesore turistike në vendin tonë.
Në qoftëse do të hidhnim një vështrim mbi shtrirjen dhe përhapjen e këtyre bujtinave, vërejmë se ato gjenden pothuajse në të gjithë teritorin tonë nga Veriu në Jug. Nga Ministria e Turizmit janë evidentuar rreth 40 Hane ose Bujtina, që ushtrojnë veprimtari hotelerie, ose më saktë, mik-pritëse të bujtësve të tyre.Administratorët e këtyre Bujtinave, janë kujdesur që të krijojnë ambientin e përshtatshëm pë pushuesit apo vizitorët. Që nga hoteleria me një komoditet bashkëkohor, deri tek gatimi karakteristik i zonës ku ndodhet.
Po kështu, diversifikimi i ofertës turistike, nëpërmjet formave të ndryshme të turizmit, siç janë agro-turizmi, eko-turizmi, turizmi kulturor, ai malor, etj. Padyshim që është i përfshirë në këto aktivitete dhe komuniteti vendas. Zona ku Bujtinat janë më tipike dhe më specifike është ajo e veriut të Shqipërisë, në zonat e malësisë së Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe.
Do të përmend disa prej haneve në qarkun e Shkodrës,ku vizitori do të gjej akomodim të mirë si dhe do të mësoj mbi kulturën dhe historinë e zonës.
1 Hani i Gjon Dukgilajt
2 Hani i GJERGJ FRANIT
3 Hani i NIK DONIT
4 Hani i NIKOLLË NAÇAJT
5 Hani i LUCË SHQUTAJT
6 Hani i GJOKË BUJAJT
7 Hani i NDOC BUJAJT
8 Hani i ZEF TINAJT
9 Hani i NIKOLL VOLAJT
10 Hani i PRELË VUKTILAJT
11 Hani i MARASH VUSHAJT
12 Hani i NIKOLIN REXHAJT
13 Hani i PRELË TINAJT
14 Hani i LEKË VUKAJT
15 Hani i LLESH NIKOLLËS
16 Hani i MARASH PLLUMBIT
17 Hani i MËHILL ÇARKUT
18 Hani i GJON FRASHNISHTËS
19 Hani i FRAN MOLLËS
20 Hani i GJON DED DOJËS
21 Hani i PAL RUPAJT
22 Hani i GJOVALIN LOKTHIT
23 Hani i NIKOLL POLISË
24 Hani i LULASH KOMETËS
Agjencia Telegrafike Shqiptare, do të transmetojë në ditët në vijim, një cikël të plotë të Haneve shqipëtare dhe vlerave të tyre turistike