• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPERIA BEHET

October 5, 2013 by dgreca

Nga Avdulla Kenaçi/

-Flet shqiptaro-amerikani Fazli  Bekteshi duke u bazuar në përvojën vetiake./

-Në Shqipëri  ka gjetur lumturinë dhe ka dhjetëfishuar pasurinë./

-Përvoja amerikane ka qënë çelësi i sukseseve të tij./E  kemi degjuar shumë herë këtë shprehje “Shqipëria bëhet”, e kemi degjuar nga politikanë, studjues, vizionarë, nga miq të vendit tonë, por rrallë nga njerëz të thjeshtë. Madje, disa, të mbytur në halle, me shpresa të vrara, thonë se ky vend është i mallkuar, nuk bëhet kurrë. Por nuk mendon kështu Fazli  Bekteshi. Ai është një burrë i shkurtër, me flokë të rëna afër ballit, me një palë mustaqe për qejf si për të kompesuar atë trupin e vogël, por që i jep shumë mundësi të lëvizë shpejt e pa u ndjerë. U bëra kureshtar të dija më shumë për jetën dhe historinë e tij familjare. Desha të dija dhe pse ishte aq shumë i bindur për një të ardhme të begatë të vendit tonë?

–          Kur ke ardhur në Tiranë? – ishte pyetja ime e parë.

–          Në vitin më të vështirë, më 1997.

–          Si, ahere kur u bë rrëmujë dhe të tjerët donin të largoheshin?

–          Kisha ardhur më parë, aty në prag të rrëmujave, e kisha vendosur që në fëmijëri se duhet të vija këtu. Ishte ëndërra ime më e madhe, më e bukura. Unë u linda dhe u rrita në një fshat të Kërçovës, të gjithë shqiptarët aty rriten me një dashuri të thellë për Shqipërinë. Ishte mungesa e shkollave në gjuhën e nënës, ishte represioni i madh serb, ishte kujtimi i sa e sa patriotëve të vrarë, masakruar e gjakosur për çështjen tonë kombëtare. Kur njoha veten, kur isha nja 10-12 vjeç, pyeta babanë: “Sa larg është Shqipëria?” Ai  më pa drejt në sy, më mori pranë vetes dhe më tha duke bërë dorën grusht mbi zemër: “këtu!…”.

–           Desha të di ku bie kufiri?

–          Andej nga shkon dielli të flerë.

–          Dhe unë një ditë u ngjita mbi një kodër duke ndjekur diellin se ku do të perëndonte. Po Shqipëria nuk dukej gjëkundi. Një ditë tjetër u ngjita mbi një kodër edhe më të lartë. Dhe prej andej dukej edhe një mal  akoma më i lartë, por Shqipëria jo.

–          Këtu ke ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ti e braktise familjarisht mrekullinë  për të ardhur këtu?!

–          Kur u bëra 18 vjeç dhe duart më hanin për punë, desha përsëri të shkoja në Shqipëri, por ishte e pamundur. Ajo ishte e mbyllur, e izoluar. Ahere ndoqa rrugën e kurbetit si shumë bashkëfshatarë dhe të afërm të mijtë.

–          Nuk munde të natyralizoheshe aty, në mërgim?!

–          Në Amerikë  kisha një vëlla më të madh dhe disa kushërinj. Aty ndjehesha i lirë. Kam bërë punë të ndryshme, por më shumë  kam punuar argjendar. Më pëlqejnë këto gdhendjet  e imta e të holla që kërkojnë mjeshtëri. Në atë periudhë ari  në Amerikë ishte i lirë dhe duke e punuar zinxhir,  unazë apo shqiponjë me dy krerë, i dhjetëfishohej vlera. Amerika u jep shumë hapësira, shumë liri qytetarëve të vet, po të dijnë të punojnë e të kursejnë, pasurohen.

–          Paske qënë në një periudhë kur nisi të shpërbëhej ish Jugosllavia dhe shpresat e shqiptarëve për liri u ndezën edhe më shumë.

–          Ne, të mërguarit nga trojet shqiptare u tubuam të gjithë së bashku dhe luftuam për pavarësinë e Kosovës, ish krahina autonome ishte më e mundshme të shkëputej, ashtu edhe si ç ndodhi. Nuk kam lënë tubim pa shkuar, demonstratë, revoltë, takim, pa llogaritur donacionet që ishin të përmuajshme. Vëllai im më i madh ishte aktivist i shquar, por unë kisha një përgjegjesi  edhe më të madhe sepse shkruaja në shqip e anglisht tabelat që mbanim në duar ne, demonstruesit.  Shpresonim shumë se mëma e madhe Shqipëri do të na ndihmonte. Në aspiratat tona kishim aleaten e madhe  të  lirisë e demokracisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kam shumë foto nga tubimet e asaj periudhe.

–          Aty e ke njohur bashkëshorten, Fatmirën?

–          Po, edhe ajo ishte një bijë emigrantësh, familje patriote shqiptare. Jeni të interesuar ta pyesni drejtpërdrejtë? Okay, i  bëjmë një vizitë dyqanit të saj, është këtu afër, tek kryqëzimi  i  “21 Dhjetorit”.

–          Dyqan i saj?! Po, me kënaqësi.

Ja edhe dyqani. Është shfrytëzuar një hapsirë tek sheshrrotullimi. Duket që atje tej. Është një sallon pikturash. Më së shumti  janë peisazhe dhe portrete me ngjyra vaji, ngjyra të ngrohta e të buta, hera herës  fëminore.

–          A mund ta takojmë autoren tani?

–          Posi  jo. –  Fazliu bën një telefonatë, ndërsa unë po shoh një nga një pikturat. Shumicën e tyre i indentifikoj me peisazhe nga Shqipëria, si Kruja, Lezha, Berati, kodrat rreth Tiranës, etj. Faiku sikur e lexon mendimin tim, afrohet e më tregon:

–          Në fundjavë ne largohemi  të dy nga Tirana, na pëlqen të shohim vënde të reja, të bukura. Fatmira është e mrekulluar me peisazhin shqiptar. Një vizitë në një vend që nuk e ka parë më parë është si t’i japësh një drekë në Sheraton.

Duke qeshur i them se kështu kursen edhe paratë, po shumica e grave, edhe kur nuk duan drekë, duan të kenë aksesorë të shtrenjtë.

–          Ah, jo, të dy e dimë se çfarë do të thotë varfëri. Në luftën e Kosovës kemi ndihmuar e strehuar shumë familje, disa na thanë se mund të na paguanin. Nuk pranuam kurrësesi.  Një dyqan ua dhashë në dispozicion për zyra atyre të UCK-së, tek rruga Bardhyl, këtu në Tiranë.  U bleva edhe fax e printer.  Kanë ardhur e trokitur pa na njohur fare, vetëm me të dëgjuar. – Ndërkohë ja ku vjen Fatmira me të bijën, studente për arkitekturë. Vajzën e quajnë Fitore. Dhe unë guxoj  t’i  bëj pyetjen Fatmirës së saponjohur:

–          Si të lindi dëshira të merresh me këtë profesion, i rrallë për gratë shqiptare në kurbet?  –  Ajo heziton pak, shikon nga i shoqi dhe ai ia bën me shenjë të vazhdojë. Ajo tregon ngadalë  duke i  artikuluar me vështirësi fjalët në shqip:

–          E kam filluar me bojërat e thonjve…- Dalloj tek fjalët e saj theksin amerikan të anglishtes.

–          Mos do të thuash manikyr?

–          Po, kam qënë e vogël, në klasë të parë kur fillova kështu, pastaj prindërit më blenë bojra të vërteta. Morën ca fletë të vizatuara dhe ia treguan mësueses. Ajo tha lereni të lirë të pikturojë çfarë të dojë. Pas kolegjit vazhdova një kurës. Më shumë unë pikturoj me intuitë.

–          Shisni?

–          Po, por rrallë, unë kam kënaqësi kur njerëzit rrijnë e soditin punët e mia. Tirana ka piktorë shumë të mirë, ka shkolla shumë të mira të artit. Ky është një dyqan në mes tërrugës, kushdo mund ta vizitojë. Për mua nuk ka shumë rëndësi  fitimi. Shqipëria të frymëzon.

Pastaj vazhdoj bisedën me Fazliun. Jam kurioz të di se çfarë vështirësish ka kapërcyer dhe a është tunduar për  t’u rikthyer në Amirikë kur e gjithë familja ka nënshtetësi  të dyfishtë? Të guxojë të heqë dorë nga të mirat atje, por të llogaritë edhe të mirat këtu. Vështirësi  ka, thotë ai, është vend në zhvillim e sipër, ka edhe rrëmujë, disa herë nuk zbatohen ligjet, por mund të bësh biznes. Unë jami i bindur se Shqipëria bëhet. Le të ndjekim rrugën Tiranë – Shkodër.  Janë 100 kilometra rrugë ku mund të vizitosh Kalanë e Krujës, varrin e Skënderbeut në Lezhë, lagunën në Tale, portin natyral  të Shëngjinit, plazhin e Velipojës, Drinin e Bunën, Rozafën dhe liqenin e Shkodrës….Ka det, ka mal, ka lumenj, fusha ku mund të mbjellësh agrume dhe ullinj, ka histori, çfarë nuk ka…E pyes se si.

–          Unë sa erdha nisa të blej toka në Durrë. E dija se deti, plazhi, rëra janë këtu pasuri që nuk kanë çmim. Të gjitha kursimet i hodha këtu. Pastaj nisa të shes, si punë brokeri. A e di se sa më ka shkuar fitimi? Dhjetë herë më shumë nga blerja fillestare. Kam synuar të blej apartamente të vjetra në qendër të Tiranës, mundësisht në rrugët e populluara. Fitimi me shitblerje apartamentesh dhe dyqanesh nuk ka qënë edhe aq i madh, por asnjëherë me humbje. Këtu shumë gjëra shkojnë me njohje dhe unë i  kam të kufizuara njohjet, por kam synuar rrugën ligjore, nuk kam blerë pa parë qysh më parë regjistrimin në hipotekë, nuk kam shitur pa avokat dhe pa noter.

–          Ke pasur ndonjë gjobë të fshehtë kriminale?

–          Asnjëherë. Unë nuk mbaj para në shtëpi, çdo veprim e kryej nëpërmjet bankës. Shumë  vetë e pësojnë këtu sepse nuk ndjekin rrugën ligjore, kërkojnë fitim të shpejtë pa respektuar ligjin dhe në fund, kur i pyet ndjehen të penduar që kanë vepruar në atë mënyrë. Mua më ka ndihmuar shumë përvoja amerikane. Ka qenë e vështirë të zbatohet këtu jo për faj të ligjeve, por për faj të mentaliteteve. Kur kam parë se klienti  nuk ka ndjekur rrugën ligjore,  jam tërhequr, si  të thuash e kam djegur atë biznes. Shumë këtu shkojnë në bixhos, nuk ka më turp dhe marrëzi se sa të humbësh djersën për disa sekonda. Duhet të dish të investosh, të jesh kursimtar dhe nuk gjen keq kur nuk i bën keq tjetrit.

–          U është dashur ndonjëherë të kërkoni ndihmën e Ambasadës amerikane?

–          Kurrë, unë jam shqiptar, jam në vendin tim, pavarësisht të dynënshtetësinë, për mua do të ishte turp të denononcoj dhe të kërkoj ndihmë në ambasadën amerikane. Do ta bëja një gjë të tillë në se do të jetë në rrezik jeta e fëmijëve të mi, por jo se me dikë jam grindur apo kam marrë një kërcënim.

–           Domethënë nuk ke pasur ndonjë incident?

–          Po, kam pasur me një bankë greke. Në vitin 2005 këtë dyqanin tim këtu mbrapa e kanë pasur ata, është pozicion i mirë, i sigurtë dhe në kryqëzim. Sipër bankës është ballkoni i shtëpisë sime. Kam aty dy flamuj që valviten ditë natë, të Shqipërisë dhe të Amerikës. Një ditë, menaxheri i bankës, pra, qiraxhiu, më thërret e më thotë se duket sikur ata dy flamuj i kemi  vënë ne  të bankës se janë direkt mbi fasadën tonë. Nuk është mirë për klientët tanë, tha ai.  A mund t’i heqësh? Jo, i thashë, mund t’i ngre më lart, por jo t’i heq. Ajo është prona ime dhe vendos vetëm unë. Pastaj me sa di klientët  tuaj janë shqiptarë dhe nuk besoj të mos u pëlqejnë ata dy flamuj. Së shpejti duhej përsëritur kontrata me ta, edhe pse me humbje, vendosa t’ua ndërpres. Megjithëse i lajmërova me shkrim, ata vazhduan të qëndrojnë. Edhe kur iu drejtova gjyqit, ata me një mendjemadhësi  të çuditëshme dhe të bindur se gjykata do të mbante anën e tyre, nuk dolën. Filluan seancat gjyqësore dhe ata po i humbnin njera  pas tjetrës.  Ikën duke paguar disa penallti sipas vendimit të gjykatës. Dola me më shumë fitim nga sa e kisha menduar.  Flamujt janë akoma aty.

–          Të shkon mëndja për t’u kthyer përsëri në Amerikë?

–          Amerika është këtu në Shqipëri  për ata që kanë sy ta shohin dhe duar ta prekin. Jam i lumtur që gjindem këtu. Djalin e madh Arianitin,  e dërgova në Univesitetin e Cikagos ku u diplomua për diplomaci dhe ai u kthye përsëri këtu. T’i shërbejë këtij vëndi, t’u shërbejë vëllezërve tanë në Maqedoni që kanë aq shumë probleme të pazgjidhura, t’i shërbejë  çështjes  çame, pronave të tyre të grabitura padrejtësisht . Unë jam krenar që jam shqiptaro-amerikan.

Këtë rrëfim për familjen e Fazli Bekteshit nuk do ta kisha mësuar kurrë sikur ata të mos më kishin tërhequr vëmëndjen në inaugurimin e tunelit të Krrabës ku të radhitur familjarisht në një rresht shtërngonim në duar dy flamuj të mëdhenj, shqiptar dhe amerikan. Ishin të gëzuar që po shkurtohej rruga për në Kërçovë, në vendlindjen e të parëve të tyre.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Avdulla Kenaci, Fazli bekteshi, shqiperia behet

Konsulli Dritan Mishto përherë midis nxënësve të shkollave Shqipe

October 5, 2013 by dgreca

Diaspora e Shqipërise kudo në botë ka mbajtur lidhje të forta shpirtërore dhe fizike me Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur.  Në palcë të saj është dashuria dhe dhimbja e pashmangshme për vendin tonë, për prindërit, të afërmit, kolegët, vendet e punës që lamë e gjithçka shpirtërore e vetmja pasuri e patundshme për shumicën që kanë marrë dhe vazhdojnë të arratisen si në kohët biblike.  Megjithë përpjekjet dhe sakrificat e mundimshme për të mbijetuar në emigrim njerëzit e gjejnë mundësinë të mblidhen në grupime të ndryshme për të ndarë dhe gëzuar së bashku festat tona tradicionale dhe më gjerë.

Në këto festime tradicionale të shumë shoqatave atdhetare, në hallet dhe gëzimet e Diasporës ka qenë përherë midis nesh Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York z.Dritan Mishto.  Duke jetuar për kaq vite në New York, që duket se po më afrohet të kem të njejtin balancë me vitet e punës në arsim me Tiranën tonë, njeriu ndjen të domosdoshme të komunikojë me bashkatdhetarët e tij ngase merr prej tyre aromëz Shqipërie, për më tepër medoemos do të marrësh dhe respektin reciprok me përfaqsues të shtetit amë.  Njeri  prej tyre që e ka përfaqsuar denjësisht ka qenë z.Dritan Mishto.

Më duhet të them se TV Alba Life dhe shkollat shqipe janë komplet të pavarura nga rrymat e ndryshme politike dhe shprehim krenarinë tonë për punën dhe bashkëpunimin tonë me mësuesit, prindërit, artistët, shoqatat, personalitete të shquara të Kombit,  dhe ndërtimin e punës sonë tërësisht në forcat tona.  Pra për të qenë më e qartë në ceremoninë e dorëzimit të mirënjohjes që u organizua në shkollë në Brooklyn në nderim të z.Mishto, u fol vetëm për punën e tij dhe bashkëpunimin që ka pasur me Shkollat Shqipe në Staten Island dhe Brooklyn.

Megjithatë për lexuesit që nuk e njohin historinë tashmë të përfolur dhe të botuar në shumë gazeta më duhet t’ju sqaroj se kohët e fundit e kam pritur me dëshpërim dhe zhgënjim heqjen nga detyra të Konsullit të Përgjithshëm z.Dritan Mishto deklaruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama në mënyrë jo profesionale dhe shokuese në mbrëmjen e organizuar nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan.  Mbrëmja do të nderonte Zëvendës/ndihmës Sekretarin Amerikan te Shtetit, z.Filip Riker dhe nobelistin Prof. Muhammad Yunus.

Në këtë mbrëmje ishin të ftuar kryeministri z.Edi Rama, presidenti z.Bujar Nishani, kryeministri i Kosovës z.Hshim Thaci, personalitete të tjera në fusha të ndryshme, pjesëmarrës që kishin paguar biletën plot dollarë për t’u ndodhur atje, si dhe vetë z.Dritan Mishto i cili ishte i ftuar zyrtarisht nga KKSHA-ja në grupin e shoqërimit të presidentit Nishani.

Më vjen keq ose aspak keq që nuk u ndodhëm atje si media për TV Alba Life, pasi kishim kohë që kishim lajmëruar prindërit dhe nxënësit e shkollave shqipe për hapjen e ditës së parë të shkollës për vitin akademik 2013-2014.  Sigurisht për shumë shqiptarë është më mirë t’ju mësosh fëmijëve larg mëmëdheut gjuhën shqipe se sa të harxhosh shuma të majme dhe darka të bujshme ku as më shumë e as më pak bëhet një fushatë e tmerrshme politike nga të ftuarit dhe ç’është më e dhimbshmja asnjë nga këta politikanë nuk i shkon mendja absolutisht që të vinë t’i përshëndesin fëmijët dhe t’i inkurajojnë për të mësuar gjuhën e nënës.  Disa prej tyre mund ta kishin shkollën larg vetëm pesë minuta, por është e kotë t’jua thuash ngase më shumë ju interesojnë darkat dhe dollari që derdhet pa kufi.

Ndërkohë lexova shkrimin e gazetarit të mirënjohur z.Frank Shkreli ish drejtor i Zërit të Amerikës nën titullin “Gabove z.Kryemistër” në të cilin z.Rama për z.Mishto thotë tekstualisht kështu:

“Jam shumë i kënaqur t’ju njoftoj se Ministri ynë i Punëve të Jashtëme i ka propozuar qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të pasur në këtë qytet madhështor një konsull nderi, në vend të një konsulli burokrat, të cilin tanimë e kemi pushuar nga puna.   Ky konsull i ri nderi do të jetë njëri prej jush, i cili do punojë me ju dhe me ne, dhe jo i ardhur nga Shqipëria për punë propagandistike, e ai është Sal Rusi”, tha Kryeminsitri shqiptar Edi Rama.

Pasi mbarova komplet shkrimin pata ndjesinë se në një farë mënyre darka ka degjeneruar në një mbledhje forumi ose të ministrisë së jashtme shqiptare ku hiqen dhe vihen pa kritere njerëzit që do të punojnë për të.  Sidoqoftë të gjitha këto do të më bëjnë të ndalem në një shkrim tjetër, pasi sot e kam fjalën absolutisht për punën e kulturuar të Konsullit të Përgjithshëm Z.Dritan Mishto ku kam qenë vetë dëshmitare e shumë aktiviteteve të organizuara nga Diaspora dhe ai me një modesti, çiltërsi dhe plot diplomaci ka përshëndetur dhe folur në podiume të ndryshme.  Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje si dhe nga dëgjimet e pjesëmarrësve të panumërt për portretin e z.Mishto është se fjalimet e tij kanë qenë jo më shumë se dy paragrafe, ku është thënë thelbi i gjërave pa propagandë partiake, pa bujë, pa fushatë, por ka falënderuar gjithmonë pjesëmarrësit dhe punën e aktivistëve të shquar për Kombin duke u bërë një frymëzues për punë të bukura.

Prandaj si kryeministri i ri dhe të gjithë qeveritarët kur flasin para Diasporës për punët e saj, është mirë të konsultohen më parë me të dhe pastaj të hedhin granata ose shashka tymi, që në rastin në fjalë sipas shumë artikujve akuzohet z.Rama për hakmarrje dhe konflikte të mëparshme që ka pasur me z.Mishto.

Për të gjithë këtë punë të palodhur të Konsullit të Përgjithshëm, mësuesit, prindërit dhe nxënësit e shkollave shqipe në Brooklyn e pritën z.Mishto plot respekt dhe dashuri ditën e premte në datën 4 tetor në mjediset e saj.   Zoti Mishto ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij fisnike znj.Agatia Mishto.  Pasi ka mbaruar mësimi, Themeluesi i shkollave shqipe dhe president i TV Alba Life z.Qemal Zylo në emër të stafit të tij i dhuroi z.Mishto në prag të largimit të tij për shkak të shkarkimit nga detyra deklaruar nga z.Rama në New York një pllakë mirënjohjeje me këtë motivacion: “Për një kontribut të jashtëzakonshëm dhe përkushtim të sinqertë për shkollat Shqipe dhe TV Alba Life.  Ne vlerësojmë kontributin tuaj për ruajtjen dhe kulturën shqiptare në Shtetet e Bashkuara gjatë shërbimit si Konsull i përgjithshëm në New York”.

Gjatë marrjes së pllakës së mirënjohjes Z.Mishto tha me emocion se ishte i nderuar për vlerësimin që i bënë Shkollat Shqipe, TV Alba Life dhe uroi që ato të zgjerohen dhe të mos mbyllen kurrë.  Puna që po bëjnë mësuesit, themeluesit e hapjes së shkollave shqipe është nga më të shenjtat dhe më fisniket.  Ai uroi që Atdheu ynë të përparojë më shumë dhe të radhitet së shpejti pranë kombeve të qytetëruara.  Ndërkohë ndër pjesëmarrësit kishte dhe pikëza loti për largimin e tij gjë që shprehnin dhe njëherë respektin dhe punën e tij të palodhur.  Më pas ka përshëndetur dhe sopranoja e famshme shqiptare Lindita Mezini Lole e cila këtë radhë nuk këndoi, por nga sytë e saj blu e thellë rrëshqitën lot kur tha se e falënderonte pamasë bashkëpunimin e z.Mishto me shkollat, TV Alba Life dhe gjithë Diasporën.  Ajo i uroi atij jetë më të mirë dhe u shpreh e sigurtë se do ta gjente vehten shumë shpejt.

Në fund të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësuesit bënë një fotografi të përbashkët për ta pasur kujtim në jetën e tyre.  Ai u nda me dashuri dhe plot respekt me ta dhe u premtoi se do të vijë përsëri.  Përcjellja e tij plot respekt nga fëmijët dëshmon qartë se Z.Mishto do të jetë përherë midis nxënësve të shkollave Shqipe.(Keze Kozeta Zylo)

4 Tetor, 2013

Brooklyn, New York

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: dritan Mishto, konsulli, Shkolla shqipe

YJET NUK SHUHEN KURRE…

October 5, 2013 by dgreca

Kushtuar Artistes së Madhe”Nder i Kombit” Drita Pelingu/

Shkruan: Vilhelme Vranari Haxhiraj/Vlorë/

Ne Foto: Aktorja e famshme ne rinine e saj/       

 U bënë tri ditë që mediat vizive apo të shkruara kanë shprehur dhembjen e humbjes së një artisteje të madhe, Drita Pelingu Kripa. Dikush ngushëllon ndarjen nga jeta të njërës prej Ikonave të Skenës dhe Ekranit, Drita Pelingu;Dikush shpreh dhembjen për humbjen e Artistes, “Nder i Kombit” Drita Pelingu.Dikush e quajti aristokratja vlonjate, dikush tjetër tha se nuk do ta dëgjojmë më Mjeshtren e Madhe të fjalës Artistike.

Drita Pelingu Kripa, kjo grua, kjo zonjë, kjo nënë e helmuar, kjo gjyshe mbushur me dhembje, që edhe në çaste të atilla kur mendonte se askush nuk mund të jepte asnjë ngushëllim nga fjala shpresëdhënëse, nga dora e ngrohtë dhe bujarija e shpirtërave njerëzor, kurse ajo Artiste e gjeti veten dhe e shkriu dhembjen në skenë, duke iu dhuruar shikuesve të panumërt kënaqësinë shpirtërore. Për hir të artit që ajo e adhuronte, kishte mohuar veten, doli jashtë qenies së saj ndoshta për dy orë apo mbase, mbase edhe më gajtë për xhirimin e një filmi, vetëm për të realizuar ëndrrën e saj dhe të shëronte shpirtrat e plagosur e të dhembur të shikuesëve të panumërt.

Drita, kjo grua vitale ishte mësuar me dhembjen e shpirtit të plagosur, për heqjen e X roli, apo dhënien e një roli që denigonte shtresën prej së cilës ajo kishte dalë, gjë që ishte fyerje dhe sfumim i asaj që ajo ishte. Që të vërtetosh se sa e vrarë shpirtërisht ishte artistja e madhe, mjafton vetëm një përgjigje e saj pasi zbriti në ShBA, në aeroport gazetarët e pyetën Artisten e Madhe:

-Zonja Pelingu, si ndiheni tani pas rënies së diktaturës komuniste? Dhe ajo u mjaftua vetëm me fjalët: -“Vonë, tepër vonë…” Artistja e Madhe e dinte se në kushte të tjera social-politike emri i saj do të njihej në botë si i shumë artisteve që dolën pas Luftës së Dytë Botërore. Ç’kishin vallë më shumë ato nga Drita: elegancën, sjelljen aristokrate, karizmën, artin e mbrujtur në çdo ind e qelizë, dashurinë për artin dhe skenën të endur në gjak e në shpirt apo mjeshtërinë e fjalës artistike? Asgjë, madje shumë syresh prej tyre kishin shumë më pak nga Drita dhe u bënë të famshme.

Nëse do të zhvillohej një takim kushtuar jetës artistike, veprimtarisë skenike, kinematografike apo regjisoriale,si dhe pedagogeje të Mjeshtres së madhe, Drita Pelingu, nuk do të mjaftonin dy orët e një filmi, apo të një shfaqjeje teatrale, as një simpozium, ku të merrnin pjesë kolegët e saj artistë, regjsorët, studentët e saj pa marrë parasysh adhuruesit e panumërt që ajo ka, pasi koha do të ishte e pamjaftueshme.

Mjafton të kujtojmë se kur analizohet një film, apo zhvillohet një bisedë në studio ose në ambiente ku merret në analizë vetëm një vepër letrare apo një dramë dhe koha nuk lejon që të thuhen të gjitha.

Po për 120 role, po për sa e sa vepra teatrale të vëna në skenë, sa dhjetëra e qindra diploma të studentëve, ku ka qenë kontributi i saj si Pedagoge e Institutit të Lartë të Arteve dhe e mjeshtërisë së fjalës artistike, a do të mjaftonte koha vallë? Natyrisht që jo.

Në kujtimet e mija ,E Madhja Drita Pelingu ,do të ngelet një Ikonë, ashtu e brishtë me fustanin e bardhë siç e kam njohur unë, vajza e vogël 11 vjeçare, aty te lulishtja e Vlorës, në Sheshin e Flamurit në vitet 1956-57, kur Teatri kombëtar bënte një turne dhe luheshin kryeveprat botërore. Kurse mirënjohja ime për Zonjën e Madhe Drita Pelingu, lidhet me pjesmarrjen e saj në 10 vjetorin e krijimtarisë sime, më 6 maj 2007. Që kjo zonjë 80 vjeçare të vinte për një promovim në qytetin e Vlorës, në qytetin e saj të lindjes, për mua ishte nder dhe privilegj.

Vlonjatët kurrë nuk do t’i harrojnë fjalët e saj si bijë e Vlorës, e cila mikpritjen dhe mallin për vendlindjen e pagëzoi me citimin e vargjeve të Rilindasit të madh Naim Frashëri, “Kur e le qengji kopenë” (poema “Bagëti e Bujqësia”) Më pas asaj Zonje i tërhoqi vëmendjen një poezi në ballinën e pasme të romanit tim “Ringjallur si Krishti” që titullohet “Drejtësia” dhe përfundoi me fjalët : “Të nderuar bashkëqytetar, zgjodha këtë poezi se për drejtësi ka pasur dhe ka nevojë shqiptari. Kjo e drejtë legjitime na ka munguar në shekuj dhe më e keqja është se vazhdon të na mungojë i komb…” Pas një dite të ngjeshur me aktivitet letrar, ajo u largua nga qyteti bregdetar, qyteti ku lindi duke marrë me vehte durtrokitjet e sinqerta të bashkëqytetërve të saj si dhe mirënjohjen tonë.

Eh, Yje të tillë që kanë lënë pas shkëlqimin e tyre, nuk shuhen kurrë. Drita Pelingu vdiq fizikisht, por drita e shpirtit të saj bujar, jehona e fjalës së saj të artë dhe ndërgjegja e saj prej artisteje, do të vazhdojë të jetojë në përjetësi. Ajo për gjithë ata që e njohën, që punuan me të, që morën mësim prej saj, që e ndoqën në rrugën e saj artistike do të ngelet “Artistja e Pavdekshme që rrezaton e do të rrezatojë në botën humane si një yll që nuk shuhet kurrë!”

 Le të të prehet shpirti në paqe, mikja ime!

Filed Under: Kulture Tagged With: Drita pelinku, Vilhel, Yjet nuk shuhen kurre

Music star Emira Berisha emerging as Best New Talent in film

October 5, 2013 by dgreca

By Nora Kalaja/

New York – The fresh new face in film and entertainment Emira Berisha is on the rise to becoming the Best New Talent. A star of the stage and musicals she is certainly making a big impression in New York as best female actress.

Emira has been acting since she was seven years old. She launched a successful acting career when she landed a main role in the reputable play of Roland Uruci “Invitation to Marriage”. She made her debut on the world stage as “Leila” and she was well received for her outstanding performance.

She then went on to deliver best performance in the comedy drama “Made in Amerika” directed by the visionary Orges Bakalli, where she played lead role “Drita”.

“Emira Berisha is a phenomenal actor,” said director Orges Bakalli. “She brings amazing talent and uniqueness to the character. I couldn’t have asked for a better female lead in my film. She nailed her role”, he added.

“I truly loved working on the set of Made in Amerika with the talented Emira Berisha. I think she is an amazing actress. This lead role just confirmed the level of professionalism she portrays, sophistication and passion in her craft,” said the wonderful Artan Telqiu, who co-stars in the film with Emira.

Long before she appeared on stage and on TV Emira Berisha was winning hearts playing the flute at prestigious recital halls in Europe.  As a classical musician star Emira Berisha became famous giving spectacular concerts in filled out auditoriums and concert halls, making special appearances in Kosovo.

Emira Berisha moved to New York City to pursue a successful career as actress. Emira Berisha was born in 1985 in Prizren, Kosovo. She was raised in a lovely big family with four other siblings. Childhood is her favorite time of her life, she says, and that is thanks to her wonderful parents (Rexhmidin and Resmije Berisha) for making that happen. Her family has been very supportive of her acting career since her early on performances as a young child.

“Ever since I was 7 years old I knew I wanted to perform and entertain others. New York City has confirmed my passion of acting and I am blessed to have been part of amazing and successful opportunities. I look forward to the new exciting projects the future holds for me,” said the extraordinary actress, Emira Berisha.

Filed Under: Featured Tagged With: Ermira Berisha, ermira Kalaja, music star

Në ditëlindjen e vatranit Julian Çefa

October 5, 2013 by dgreca

Shkruan: Pjetër Jaku/*

Në Kafe “ KUVENDI”, me datën 2 tetor 2013, Kryesia e Degës së Vatres në Michigan organizoi një takim festiv për ditëlindjen e njërit prej  vatranëve veteran, e njërit prej miqëve më të mirë, të secilit të pranishëm, Julian Çefes.  Siç po bëhët traditë përkujtimi i rasteve që kanë miqtë tanë, Dega e Vatrës në Michigan dhe  Stafi i Revistës “ Kuvendi”, bëjnë oragnizimin e këtyre eventeve, duke dhënë një mundësi më shumë për t’u njohur me njëri – tjetrin dhe  punën  e secilit, me praninë e përsonave, për të cilët bëhët fjalë. Edhe në rastet e mëparshme, si edhe në këtë rast, asnjërit prej tyre nuk u përkujtuam numra, siç bie fjala u be kaq apo aq vjeç, por u bë përpjekje për t’u kujtuar punët e mira të tyre, të cilat të shëmbëllejnë për më të rinjët. Vitet janë vetëm numra, në kohën kur njeriu e mat jetën e tij me punët e mira që ka bërë, me miqtë e mirë që ka dhe me çdo  gjë që i ka lënë emrin kohës së tij.Me Julin festuan, miku i tij i kahershëm në emigrim Ekrem Bardha e deri tek me të rinjët, anëtarët e sapopranuar në Vatër, Zef Marku, Gjovalin Gjelaj dhe Fran Marku. Me Julianin  e për Julianin folen e kënduan Alfonsi e Gjetoja, Ekremi e Dom Frani, Sela e vëllezrit Marku, Kujtimi e Pjetri,Luvigji e Bedriu, Dom Frani e Dom Pashku, e të gjithë sëbashku.Pjetër Jaku do ta hapte  këtë festë me pak fjalë për Julianin, për t’i lënë radhën Kryetarit të Degës së Vatrës për Michigan, Alfons Grishaj, i cili uroi Julianin e të pranishmit dhe hapi darkën.

Të gjitha madhështitë e botës nuk vlejnë sa një mik i mirë

Këtë thënie të  njohurit Volter, më duket me vend ta përmend për këtë rast. Ekrem Bardha do të thonte një të vërtetë që i përket plotësisht dhe i ngjitet aq mirë Julian Çefës!” Njeriu më modest që kam njohur në jetën time. Kur në komunitetin tonë ka nga ata që duan të përvetësojnë edhe punë që të tjerët i kanë bërë, Julian Çefa nuk vuri kurrë në dukje punët e veta. Më vjen shumë mirë që ju e bëni këtë për  mikun tonë të mirë.” Në të vërtetë është një përcaktim  ekzakt i Ekremit, çka na lenë fare  pak për të thënë ne të tjerët.Ishte viti 1967, kur Juliani 30 vjeçar erdhi në Amerikë e pikërisht në Michigan. “ Në atë kohë, – kujton Juli, – nuk kishte më shumë se katër –pesë familje malësore. Kishte fare pak shqiptarë, krahasuar me numrin e sotëm. Vatra kishte degën e saj dhe, që në fillim u angazhova aty. Më vonë punova  edhe me radion shqiptare, të cilën e drejtonte aktivisti i njohur Gjon Lulgjuraj. Po me këtë radio punoi edhe aktivisti Kujtim Qafa e disa kohë në fillim edhe Gjergj Dedivanaj. Kishte një përkushtim atdhetar model, ku të gjithë e ndihmonin radion dhe e konsideronin si të tyren. Kur na u mbaronin paratë për transmetim, i drejtoheshim Ekremit, që përherë u tregonte i gatshëm të na ndihmonte. Por, ka pasë edhe nga ata si Baba Rexhepi që, të paktën njëherë në vit, na thirrte vet e na ndihmonte me 500 dollarë, ku për atë kohë nuk ishin pak.” I emocionuar, Juliani falnderon organizatorët e kësaj mbrëmje, të gjithë të pranishmit dhe, në veçanti, priftërinjët: Dom Fran Kolen, Famullitar i Kishës së Shën Palit, Dom Pashkun e ardhur nga Kosova dhe Dom Robert Kolen i ardhur nga Dioqeza e Sapes.Më pas, në kujtimet e tyre, aktivistët Gjeto Ivezaj dhe Kujtim Qafa sollën disa momente të bashkëpunimit më Julianin dhe për rëndësinë e këtyre aktivitetve, që sapo vijnë e bëhën më cilësore, për të cilat komuniteti ynë ka shumë nevojë.Dom Robert Kola, i ardhur  nga Dioqeza e Sapës, ku përfshin disa fshatra të Shokdres, Lezhës dhe Pukës, në përshëndetjen e tij, solli para të pranishmëve një  thënie brilante të  Pader Anton Arapit. “ Në vitin 1946, disa priftërinj i thonë Pader Antonit se Partia Komuniste e ardhur në fuqi do t’i burgoste e vriste priftërinjët dhe do t’i mbyllte kishat. “Roftë Shqipëria pa ne!” – ishte përgjigja e Pader Antonit. Jam i bindur se, edhe ju kur të detyruar “i kthyet  shpinën” atdheut, thatë të njëjtat fjalë.Biznesmeni Selë  Çela, përveç fjalës së tij përshëndetëse si vatran i kësaj dege, por edhe si bashkëqytetar i Julianit, u kujdes për gjithë anën  argëtuese, duke kënduar disa nga këngët më të njohura shkodrane, nën shoqërimin muzikor të Bedri Rukaj.

Julianit i dhuruan disa punime simbolike Valentin Lumaj dhe Luvigj Sterbyçi, ndërsa Dom Fran Kola i dhuroi librin “ Udha e kryqit” të Dom Robert Kolës. Si edhe në rastet e mëparshme, edhe kësaj here nuk mungoi fjala artistike nëpërmjet artistit të njohur, Ndue Gjekaj.

 * Botues i Revistes”KUVENDI”

 

Filed Under: Featured Tagged With: ditelindje, Julian Cefa, Pjeter Jaku, Vatra Michigan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5152
  • 5153
  • 5154
  • 5155
  • 5156
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT