Nga Avdulla Kenaçi/
-Flet shqiptaro-amerikani Fazli Bekteshi duke u bazuar në përvojën vetiake./
-Në Shqipëri ka gjetur lumturinë dhe ka dhjetëfishuar pasurinë./
-Përvoja amerikane ka qënë çelësi i sukseseve të tij./E kemi degjuar shumë herë këtë shprehje “Shqipëria bëhet”, e kemi degjuar nga politikanë, studjues, vizionarë, nga miq të vendit tonë, por rrallë nga njerëz të thjeshtë. Madje, disa, të mbytur në halle, me shpresa të vrara, thonë se ky vend është i mallkuar, nuk bëhet kurrë. Por nuk mendon kështu Fazli Bekteshi. Ai është një burrë i shkurtër, me flokë të rëna afër ballit, me një palë mustaqe për qejf si për të kompesuar atë trupin e vogël, por që i jep shumë mundësi të lëvizë shpejt e pa u ndjerë. U bëra kureshtar të dija më shumë për jetën dhe historinë e tij familjare. Desha të dija dhe pse ishte aq shumë i bindur për një të ardhme të begatë të vendit tonë?
– Kur ke ardhur në Tiranë? – ishte pyetja ime e parë.
– Në vitin më të vështirë, më 1997.
– Si, ahere kur u bë rrëmujë dhe të tjerët donin të largoheshin?
– Kisha ardhur më parë, aty në prag të rrëmujave, e kisha vendosur që në fëmijëri se duhet të vija këtu. Ishte ëndërra ime më e madhe, më e bukura. Unë u linda dhe u rrita në një fshat të Kërçovës, të gjithë shqiptarët aty rriten me një dashuri të thellë për Shqipërinë. Ishte mungesa e shkollave në gjuhën e nënës, ishte represioni i madh serb, ishte kujtimi i sa e sa patriotëve të vrarë, masakruar e gjakosur për çështjen tonë kombëtare. Kur njoha veten, kur isha nja 10-12 vjeç, pyeta babanë: “Sa larg është Shqipëria?” Ai më pa drejt në sy, më mori pranë vetes dhe më tha duke bërë dorën grusht mbi zemër: “këtu!…”.
– Desha të di ku bie kufiri?
– Andej nga shkon dielli të flerë.
– Dhe unë një ditë u ngjita mbi një kodër duke ndjekur diellin se ku do të perëndonte. Po Shqipëria nuk dukej gjëkundi. Një ditë tjetër u ngjita mbi një kodër edhe më të lartë. Dhe prej andej dukej edhe një mal akoma më i lartë, por Shqipëria jo.
– Këtu ke ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ti e braktise familjarisht mrekullinë për të ardhur këtu?!
– Kur u bëra 18 vjeç dhe duart më hanin për punë, desha përsëri të shkoja në Shqipëri, por ishte e pamundur. Ajo ishte e mbyllur, e izoluar. Ahere ndoqa rrugën e kurbetit si shumë bashkëfshatarë dhe të afërm të mijtë.
– Nuk munde të natyralizoheshe aty, në mërgim?!
– Në Amerikë kisha një vëlla më të madh dhe disa kushërinj. Aty ndjehesha i lirë. Kam bërë punë të ndryshme, por më shumë kam punuar argjendar. Më pëlqejnë këto gdhendjet e imta e të holla që kërkojnë mjeshtëri. Në atë periudhë ari në Amerikë ishte i lirë dhe duke e punuar zinxhir, unazë apo shqiponjë me dy krerë, i dhjetëfishohej vlera. Amerika u jep shumë hapësira, shumë liri qytetarëve të vet, po të dijnë të punojnë e të kursejnë, pasurohen.
– Paske qënë në një periudhë kur nisi të shpërbëhej ish Jugosllavia dhe shpresat e shqiptarëve për liri u ndezën edhe më shumë.
– Ne, të mërguarit nga trojet shqiptare u tubuam të gjithë së bashku dhe luftuam për pavarësinë e Kosovës, ish krahina autonome ishte më e mundshme të shkëputej, ashtu edhe si ç ndodhi. Nuk kam lënë tubim pa shkuar, demonstratë, revoltë, takim, pa llogaritur donacionet që ishin të përmuajshme. Vëllai im më i madh ishte aktivist i shquar, por unë kisha një përgjegjesi edhe më të madhe sepse shkruaja në shqip e anglisht tabelat që mbanim në duar ne, demonstruesit. Shpresonim shumë se mëma e madhe Shqipëri do të na ndihmonte. Në aspiratat tona kishim aleaten e madhe të lirisë e demokracisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kam shumë foto nga tubimet e asaj periudhe.
– Aty e ke njohur bashkëshorten, Fatmirën?
– Po, edhe ajo ishte një bijë emigrantësh, familje patriote shqiptare. Jeni të interesuar ta pyesni drejtpërdrejtë? Okay, i bëjmë një vizitë dyqanit të saj, është këtu afër, tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit”.
– Dyqan i saj?! Po, me kënaqësi.
Ja edhe dyqani. Është shfrytëzuar një hapsirë tek sheshrrotullimi. Duket që atje tej. Është një sallon pikturash. Më së shumti janë peisazhe dhe portrete me ngjyra vaji, ngjyra të ngrohta e të buta, hera herës fëminore.
– A mund ta takojmë autoren tani?
– Posi jo. – Fazliu bën një telefonatë, ndërsa unë po shoh një nga një pikturat. Shumicën e tyre i indentifikoj me peisazhe nga Shqipëria, si Kruja, Lezha, Berati, kodrat rreth Tiranës, etj. Faiku sikur e lexon mendimin tim, afrohet e më tregon:
– Në fundjavë ne largohemi të dy nga Tirana, na pëlqen të shohim vënde të reja, të bukura. Fatmira është e mrekulluar me peisazhin shqiptar. Një vizitë në një vend që nuk e ka parë më parë është si t’i japësh një drekë në Sheraton.
Duke qeshur i them se kështu kursen edhe paratë, po shumica e grave, edhe kur nuk duan drekë, duan të kenë aksesorë të shtrenjtë.
– Ah, jo, të dy e dimë se çfarë do të thotë varfëri. Në luftën e Kosovës kemi ndihmuar e strehuar shumë familje, disa na thanë se mund të na paguanin. Nuk pranuam kurrësesi. Një dyqan ua dhashë në dispozicion për zyra atyre të UCK-së, tek rruga Bardhyl, këtu në Tiranë. U bleva edhe fax e printer. Kanë ardhur e trokitur pa na njohur fare, vetëm me të dëgjuar. – Ndërkohë ja ku vjen Fatmira me të bijën, studente për arkitekturë. Vajzën e quajnë Fitore. Dhe unë guxoj t’i bëj pyetjen Fatmirës së saponjohur:
– Si të lindi dëshira të merresh me këtë profesion, i rrallë për gratë shqiptare në kurbet? – Ajo heziton pak, shikon nga i shoqi dhe ai ia bën me shenjë të vazhdojë. Ajo tregon ngadalë duke i artikuluar me vështirësi fjalët në shqip:
– E kam filluar me bojërat e thonjve…- Dalloj tek fjalët e saj theksin amerikan të anglishtes.
– Mos do të thuash manikyr?
– Po, kam qënë e vogël, në klasë të parë kur fillova kështu, pastaj prindërit më blenë bojra të vërteta. Morën ca fletë të vizatuara dhe ia treguan mësueses. Ajo tha lereni të lirë të pikturojë çfarë të dojë. Pas kolegjit vazhdova një kurës. Më shumë unë pikturoj me intuitë.
– Shisni?
– Po, por rrallë, unë kam kënaqësi kur njerëzit rrijnë e soditin punët e mia. Tirana ka piktorë shumë të mirë, ka shkolla shumë të mira të artit. Ky është një dyqan në mes tërrugës, kushdo mund ta vizitojë. Për mua nuk ka shumë rëndësi fitimi. Shqipëria të frymëzon.
Pastaj vazhdoj bisedën me Fazliun. Jam kurioz të di se çfarë vështirësish ka kapërcyer dhe a është tunduar për t’u rikthyer në Amirikë kur e gjithë familja ka nënshtetësi të dyfishtë? Të guxojë të heqë dorë nga të mirat atje, por të llogaritë edhe të mirat këtu. Vështirësi ka, thotë ai, është vend në zhvillim e sipër, ka edhe rrëmujë, disa herë nuk zbatohen ligjet, por mund të bësh biznes. Unë jami i bindur se Shqipëria bëhet. Le të ndjekim rrugën Tiranë – Shkodër. Janë 100 kilometra rrugë ku mund të vizitosh Kalanë e Krujës, varrin e Skënderbeut në Lezhë, lagunën në Tale, portin natyral të Shëngjinit, plazhin e Velipojës, Drinin e Bunën, Rozafën dhe liqenin e Shkodrës….Ka det, ka mal, ka lumenj, fusha ku mund të mbjellësh agrume dhe ullinj, ka histori, çfarë nuk ka…E pyes se si.
– Unë sa erdha nisa të blej toka në Durrë. E dija se deti, plazhi, rëra janë këtu pasuri që nuk kanë çmim. Të gjitha kursimet i hodha këtu. Pastaj nisa të shes, si punë brokeri. A e di se sa më ka shkuar fitimi? Dhjetë herë më shumë nga blerja fillestare. Kam synuar të blej apartamente të vjetra në qendër të Tiranës, mundësisht në rrugët e populluara. Fitimi me shitblerje apartamentesh dhe dyqanesh nuk ka qënë edhe aq i madh, por asnjëherë me humbje. Këtu shumë gjëra shkojnë me njohje dhe unë i kam të kufizuara njohjet, por kam synuar rrugën ligjore, nuk kam blerë pa parë qysh më parë regjistrimin në hipotekë, nuk kam shitur pa avokat dhe pa noter.
– Ke pasur ndonjë gjobë të fshehtë kriminale?
– Asnjëherë. Unë nuk mbaj para në shtëpi, çdo veprim e kryej nëpërmjet bankës. Shumë vetë e pësojnë këtu sepse nuk ndjekin rrugën ligjore, kërkojnë fitim të shpejtë pa respektuar ligjin dhe në fund, kur i pyet ndjehen të penduar që kanë vepruar në atë mënyrë. Mua më ka ndihmuar shumë përvoja amerikane. Ka qenë e vështirë të zbatohet këtu jo për faj të ligjeve, por për faj të mentaliteteve. Kur kam parë se klienti nuk ka ndjekur rrugën ligjore, jam tërhequr, si të thuash e kam djegur atë biznes. Shumë këtu shkojnë në bixhos, nuk ka më turp dhe marrëzi se sa të humbësh djersën për disa sekonda. Duhet të dish të investosh, të jesh kursimtar dhe nuk gjen keq kur nuk i bën keq tjetrit.
– U është dashur ndonjëherë të kërkoni ndihmën e Ambasadës amerikane?
– Kurrë, unë jam shqiptar, jam në vendin tim, pavarësisht të dynënshtetësinë, për mua do të ishte turp të denononcoj dhe të kërkoj ndihmë në ambasadën amerikane. Do ta bëja një gjë të tillë në se do të jetë në rrezik jeta e fëmijëve të mi, por jo se me dikë jam grindur apo kam marrë një kërcënim.
– Domethënë nuk ke pasur ndonjë incident?
– Po, kam pasur me një bankë greke. Në vitin 2005 këtë dyqanin tim këtu mbrapa e kanë pasur ata, është pozicion i mirë, i sigurtë dhe në kryqëzim. Sipër bankës është ballkoni i shtëpisë sime. Kam aty dy flamuj që valviten ditë natë, të Shqipërisë dhe të Amerikës. Një ditë, menaxheri i bankës, pra, qiraxhiu, më thërret e më thotë se duket sikur ata dy flamuj i kemi vënë ne të bankës se janë direkt mbi fasadën tonë. Nuk është mirë për klientët tanë, tha ai. A mund t’i heqësh? Jo, i thashë, mund t’i ngre më lart, por jo t’i heq. Ajo është prona ime dhe vendos vetëm unë. Pastaj me sa di klientët tuaj janë shqiptarë dhe nuk besoj të mos u pëlqejnë ata dy flamuj. Së shpejti duhej përsëritur kontrata me ta, edhe pse me humbje, vendosa t’ua ndërpres. Megjithëse i lajmërova me shkrim, ata vazhduan të qëndrojnë. Edhe kur iu drejtova gjyqit, ata me një mendjemadhësi të çuditëshme dhe të bindur se gjykata do të mbante anën e tyre, nuk dolën. Filluan seancat gjyqësore dhe ata po i humbnin njera pas tjetrës. Ikën duke paguar disa penallti sipas vendimit të gjykatës. Dola me më shumë fitim nga sa e kisha menduar. Flamujt janë akoma aty.
– Të shkon mëndja për t’u kthyer përsëri në Amerikë?
– Amerika është këtu në Shqipëri për ata që kanë sy ta shohin dhe duar ta prekin. Jam i lumtur që gjindem këtu. Djalin e madh Arianitin, e dërgova në Univesitetin e Cikagos ku u diplomua për diplomaci dhe ai u kthye përsëri këtu. T’i shërbejë këtij vëndi, t’u shërbejë vëllezërve tanë në Maqedoni që kanë aq shumë probleme të pazgjidhura, t’i shërbejë çështjes çame, pronave të tyre të grabitura padrejtësisht . Unë jam krenar që jam shqiptaro-amerikan.
Këtë rrëfim për familjen e Fazli Bekteshit nuk do ta kisha mësuar kurrë sikur ata të mos më kishin tërhequr vëmëndjen në inaugurimin e tunelit të Krrabës ku të radhitur familjarisht në një rresht shtërngonim në duar dy flamuj të mëdhenj, shqiptar dhe amerikan. Ishin të gëzuar që po shkurtohej rruga për në Kërçovë, në vendlindjen e të parëve të tyre.