• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY BREZAT

April 14, 2020 by dgreca

…Unë kaloj disa herë në ditë pranë dhomës ku rri Susan, çel derën lehtas, e thërras, e dij që nuk e mundoj sepse sytë e saj rrijnë gjithmonë nga dera në pritje të së bijës e cila nuk mundet të vijë por rrin pranë telefonit dhe pret dhe pret ./

Nga Marjana BULKU/Mengjesi fillon me një zile telefoni, pastaj një tjetër ,derisa  një zë i mbytur nëpër lutje e lot përtej ziles së tejzgjatur flet e flet pambarim . Kërkon të dijë gjithçka për Suzan që ajo e quan mam ndërsa për ne është paciente si gjithë të tjerët .Si është? përse nuk flet dot në telefon?! a mundem ti sjell diçka që ajo e don fort?!

Janë disa pyetje që nuk marrin frymë as përgjigjje dhe mua më lejnë pa fjalë.

Karolin vazhdon të telefonojë ,ajo pret që Suzan ta telefonojë , Suzan ka dëshirë të flasë, ajo e pelqen muzikën , është shpirt i gjallë ,përse është konfuze?! pse nuk do të flasë?! Nuk dij t’i përgjigjem, e ardhur rishtaz pas dy javësh qëndrimi në shtëpi, në një departament tjetër që nuk është mjedisi që unë e njoh …

I marr me vete pyetjet e saj , largohem me hapa të ngrirë prej tryezës së punës dhe afrohem drej dhomës ku është mama e saj Suzan.Ndaloj përpara saj si përpara dikujt që njoh . Në fakt nuk e njoh . E thërras ëmbël por ndjej se zëri më dridhet. Ajo reagon pak , fare pak por shikimin e ka të ngulitur thellë pas zërit tim. Nuk ka fuqi të përgjigjet por lëvizjet e lehta të kokës janë një përgjigje . I afrohem pasi jam izoluar mirë me veshje protektive në këto ditë pushtimi prej covid 19. Nuk dua ta shkund nga përhumbja në të cilën ndodhet edhe pse dua t’ja dëgjoj të paktën zërin që t’ja transmetoj Kalolinës e cila është vazhdimisht pas telefonit.

Ditët nën Covid19 janë të pazakonta , edhe pse në rrugë, në parqe, në qendra tregtare, në shkolla ka rënë një qetësi e frikshme, në mjediset spitalore qetësia bëhet kërcënuese.

Dikur momentet kur vinte në jetë një fëmijë jehonin në gjithë korpusin me një Luliby që sjell gëzimin e mirseardhjes dhe çel buzëqeshje në fytyrat e gjithkujt. Ndërsa tani ka heshtje , vetëm heshje pas të cilës jeta e dikujt është shuar . I vetmi tingull që e thyen atë është zilja e telefonit , pyetjet përtej asaj heshtje ku jo gjithmonë përgjigja është një lajm i mirë nuk reshtin , janë pa përgjigje ,heshtin sikurse gjithçka tjetër përreth.

Telefoni bie prapë. Pastaj të njehtat hapa , drejt saj ; Susan, sytë e së cilës rrijnë nga dera, sikur presin dikë e diçka që nuk u tha …

Një brez që po shuhet në heshtje , brezi tjetër në kërkim të një lajmi të mirë , jashtë kësaj qetësie në një tjetër qetësi të pagjumë.Një mal i tërë të  pathënash në mes . Koha e çmendur që e thërriste njeriun pas punës, parasë ,mbijetesës u ndal . Ajo kohë që ndau prindin nga fëmijët duket se ka ngrirë bashkë me ndjenjat që e mbanin gjallë këtë mardhenie kaq unike dhe njerëzore që ushqen të shkuarën dhe të ardhmen tonë . Prandaj unë rend pas ngulmimit të Karolinës , pas insistimit të saj për të parë çdo mëngjes sytë e nënës, për ti vënë në vesh muzikēn që asaj i pēlqen,për ta ndihmuar të ushqehet ,sepse kisha kohë që nuk e takoja këtë lloj dashurie .

Unë kaloj disa herë në ditë pranë dhomës ku rri Susan, çel derën lehtas, e thërras, e dij që nuk e mundoj sepse sytë e saj rrijnë gjithmonë nga dera në pritje të së bijës e cila nuk mundet të vijë por rrin pranë telefonit dhe pret dhe pret .

Nesër do të jetë një ditë e re, zilja e telefonit do nisë kolazhin e vet të zhurmshëm dhe pyetjet që unë i di , por jo përgjigjet…

Marjana Bulku -Nju Jork- Prill 2020

Filed Under: Opinion Tagged With: Dy brezat, Marjana Bulku

MES DEBATEVE PËR AUTORITETIN E HAPJES SË EKONOMISË, ASHPËRSOHET GODITJA E COVID-19

April 14, 2020 by dgreca

*SHBA kthehet tek rekordi i keq; 2 mijë e 284 të vdekur brenda një dite. Numri i viktimave ditore të New Yorkut i barabartë me ato në Britaninë e Madhe(778), ndërkohë ashpërsohet gjuha mes New Yorkut e Shtëpisë së Bardhë.

  • Kryebashkiaku de Blasio : New Yorku po përgatitet t’i prodhojë vetë testet.-Cuomo, paralajmëron se rreziku COVID-19 do të kalojë plotësisht pas 12 ose 18 muajësh, kur të prodhohet vaksina….

-Guvernatori Cuomo: Trump është President, jo mbret!

Përgatiti: Dalip Greca/

         Edhe dita e sotme nuk ishte e lehtë për amerikanët në betejën me Koronavirusin. Në orët e pasditës shifra ditore e viktimave e ngriti sërish kurbën. U raportuan 2 mijë e 284 të vdekur, ku sërish pjesa më e shumtë i takon New Yorkut, pasuar nga New Jerseyme 362, Michigani 166, Louisiana 129, Massachusetts 113,Pannsylvania 106, Illynois 74, California 72, Connecticuat 69, Ohio 50, ndërsa shtetet e tjerë problematikë lëvizin mes 20-40 viktima në ditë  etj. SHBA kishte rreth 24 mijë e 215 të infektuar të rinj të dalë nga testimet e fundit,u raportua të Martën, duke e cuar shumën totale në 611 mijë e 156. Duket se Treshtetshi me qendër New Yorkun, mbanë ende barrën e epidemisë. Deri më tani, më shumë se 284 mijë 413 është numri i të infektuarve dhe rreth 14 mijë 241 persona kanë vdekur në NY, NJ dhe CT së bashku; por shenjat janë të qarta se prapë kurba e shtrimeve në spitale po nivelohet.

Numri ditor i vdekjeve në New York u rrit të martën pas një rënje një ditë më parë, por Guvernatori Andreë Cuomo sërish u kap pas shpresës se do të bëhet më mirë, ndërkohë që nuk e fshehu jetëgjatësinë e koronavirusit dhe se beteja nuk përfundon shpejt, rreziku do të jetë i pranishëm deri në prodhimin e vaksinës, kohë që mund të variojë nga një vit deri në 18 muaj, ose më gjatë.

Tash qeveria e shtetit më të goditur në glob, është fokusuar rreth rihapjes së ekonomisë. Guvernatori Cuomo po udhëheq një koalicion me shtetet e tjerë të Verilindjes për rihapjen graduale të ekonomisë, duke u përplasur me Presidentin. Vizioni i tij është për një bashkëpunim ndërshtetror pasi shtetet janë si enët komunikuse me njeri-tjetrin, jo vetëm pse në New York punojnë qytetarë të shteteve të fqinjë, por dhe komunikimi e marrdhëniet e ndërsjellta janë të lidhura pazgjidhshmërisht.

Duke iu drejtuar shifrave më të fundit, guvernatori i New Yorkut nuk e mohoi rëndimin e situatës, por përsëriti se rrezikun e kemi kaluar përgjysëm, por duhet kujdes të mos gabojmë se pakujdesia na kthen mbrapa,ndërsa Guvernatori i NJ, Phil Murphy, është shprehur se shteti i tij ende nuk e ka prekur kulmin e kurbës.

Andrew Cuomo tregoi shenja optimizmi pasi spitalet më në fund po marrin frymë lirisht, dhe ka një rënie të ndjeshme të shtrimeve.

Guvernatori pranoi se infektimi ka prekur një masë të madhe qytetarësh, po ashtu edhe numri i viktimave është i lartë, por ai shtoi se përshkallëzimi i vdekjeve rrodhi kryesisht nga pacientët në shtëpi pleqsh dhe jo në spitale. Kjo është diçka që shteti po e vëzhgon nga afër e me kujdes, por qeveria e New Yorkut së bashku me spitalet po punojnë fort për të shpëtuar cdo jetë.

Me gjithë humbjet e shumë jetëve, ne, komentoi Cuomo, kemi demonstruar se mund të kontrollojmë përhapjen e virusit, natyrisht ai ka prekur shumë familje, ka shkaktuar shumë dhimbje, por faleminderit Zotit ne mund ta kontrollojmë përhapjen e tij,- tha guvernatori të martën. “Ajo që ne po bëjmë sot do të kontrollojë nivelin e infeksionit nesër…”, tha ai.Guvernatori sërish këshilloi për ruajtjen e kufizimeve dhe respektimin e urdhërave: Nëse njerëzit fillojnë të dalin jashtë dhe të mos respektojnë rregullat e distancimit, shkalla e infeksionit do të rritet brenda tre ditësh, paralajmëroi Cuomo. Ne duhet të respektojmë rregullat, duke vazhduar t’u bindemi kufizimeve dhe distancimit social, ç’ka kanë provuar se janë ndikuese në kontrollin e koronovirusit, me qëllim që shteti, dhe kombi, mund të fillojnë të mendojnë për hapat e ardhshëm. 

Ai sqaroi se nuk do të ketë ndërpreje të respektimit të kufizimeve të deritanishme,bëhet fjalë për një hapje drejt lehtësimit, jo heqjes së izolimit dhe kufizimevve të tjera. Natyrisht do të ketë edhe seleksionim; duke rikalibruar kush është punëtor thelbësor, dhe kush jo, ka thënë Cuomo të Martën me 14 Prill. Do të ketë pika zgjidhjeje me kalimin e kohës. “Ne mund ta humbim të gjithë përparimin që kemi bërë brenda një jave nëse bëjmë hapje të menjëhershme,” tha ai.Tabloja është e zymtë: New York-u raportoi për 202 mijë e 208 raste me COVID-19, dhe 10 mijë 834 të vdekur. Kjo është rreth një e treta e të gjitha rasteve të ndodhura në Amerikë,diçka më shumë se 40 përqind e vdekjeve.

New Jersey mbetet shteti i dytë në shkallë vendi pas New Yorkut, me gati 68 mijë e 824 raste infektimi dhe më shumë se 2.805 të vdekur që nga e hëna. Connecticut raportoi gjithsej 13,381 raste ndërsa numri i të vdekurve arriti në 600, plus 50 të ditës së Martë.

Ndërsa Cuomo, nga njera anë, thotë se më e keqja mund të ketë kaluar, nga ana tjetër deklaron se vetë kriza nuk do të përfundojë derisa të kemi një vaksinë, e cila mund të jetë larg diku nga një vit në 18 muaj, nëse jo edhe më gjatë. Ai ka bërë thirrje për testime më të shumta për të ndihmuar në rigjenerimin e ekonomisë.

Kryebashkiaku De Blasio njoftoi se NYC do të prodhojë kompletet e veta të testit të koronavirusit. Këtë njoftim kryebashkiaku De Blasio e komunikoi të Martën me 14 Prill.

-Ne menduam, nëse njerëzit mund t’i bëjnë ato në mbarë botën, përse të mos i bëjmë edhe ne këtu në New York, edhe pse nuk i kemi bërë kurrë më parë,tha de Blasio gjatë konferencës me gazetarët.

Duke filluar nga maji, qyteti do të prodhojë 50,000 komplete testimi të koronavirusit, prodhim që do të vijë nga bashkëpunimi vendas me kompani, universitete, punonjës të qytetit të New York-ut, tha kryetari i Bashkisë.

Ai përmendi edhe dhurimin javën e kaluar prej Indianës të paketës prej 50,000 testesh COVID-19 për NYC. Zyrtarët e atjeshëm kanë konfirmuar se mund t’i prodhojnë ato rregullisht për në New York City, njoftoi kryetari i bashkisë.

Duke filluar nga e hëna, qyteti do të blejë 50,000 komplete javore nga kompania Aria Diagnostics me bazë në Indiana.

De Blasio tha se NYC do të ketë ende nevojë për një provë “të madhe”, por ai shprehu optimzëm se qyteti së shpejti do të jetë në gjendje të realizojë 100,000 teste në javë, duke llogaritur prodhimet e veta dhe ato të Indianës.

“Ky është vetëm fillimi,” tha de Blasio, duke shtuar, “për herë të parë do të kemi një furnizim të vërtetë, të besueshëm, të madh të testimit.” Kryetari i bashkisë tha se testimi do të jetë me përparësi për më të prekurit e qytetit, duke favorizuar qytetarët e moshuar.

De Blasio njoftoi gjithashtu se qyteti po rrit prodhimin vendas të pajisjeve mbrojtëse personale, duke përfshirë maskat e fytyrës dhe veshjet mjeksore. Kompanitë lokale aktualisht prodhojnë 240,000 mbrojtëse të fytyrës në javë, të cilat do të rriten në 465,000 në javë deri në 24 Prill, tha kryebashkiaku. Qëllimi tjetër jo i largët do të jetë prodhimi i 620,000 mbrojtseve të fytyrës në javë.

Guvernatori Cuomo:Trump është President, jo mbret

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka qenë në qendër të vëmendjes nga media. Ai ishte i pranishëm në disa emisione televizive në mëngjesin e së martës. Thelbi i bisedave dhe intervistave ishte debatimi në esencë i deklarimeve të Presidentit Trump se kujt i takon dhe kush e ka autoritetin për të rihapur ekonominë e vendit të bllokuar për shkak të coronavirusit. Përgjigjet e guvernatorit ishin të prera: Jo, nuk i takon presidentit. Një president nuk është një monark absolut.

“Ne nuk kemi një mbret,” tha Cuomo në “Today” të NBC. “Ne kemi një president.

Ai përmendi faktin se amerikanët ikën nga pushteti i Mbretit për liri. Xhorxh Uashington ishte president, jo Mbret!… Presidenti nuk ka autoritet të pakufishëm.

Guvernatori Demokrat, shteti i të cilit është bërë epiqendra e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, reagoi fort lidhur me pohimin e presidentit Trump, se autoriteti I takon presidentit. Autoriteti i presidentit është total. 

“Jo”, tha Cuomo.

Kur u pyet në ” New Day ” të CNN se çfarë do të bënte nëse presidenti republikan e urdhëron të rihapte ekonominë e New York-ut, Cuomo iu përgjigj: Nëse ai më urdhëron të rihap ekonominë në një mënyrë që do të rrezikonte shëndetin e njerëzve të shtetit tim, unë nuk do ta bëja këtë. Dhe ne do të kishim një sfidë kushtetuese midis shtetit dhe qeverisë federale, dhe çështja do të shkonte në gjykatë.Kjo  do të ishte gjëja më e keqe e mundshme që ai mund të bënte në këtë moment .

Trump bëri komentet e tij në reagim ndaj lëvizjeve të guvernatorëve që njoftuan paktin e bashkëpunimit të hënën për të koordinuar rihapjen në mes të pandemisë. Përvec grupit të gjashtë guvernatorëve të shteteve verilindore me Cuomon, të Hënën të njëjtin qëndrim deklaruan edhe guvernatorët e shteteve të Washingtonit, Oregonit dhe Kalifornisë.

Filed Under: Politike Tagged With: Dalip Greca-debati-Shteti-Federali

KALOFSH PËRTEJ TË NJËQINDAVE PIRO MANI!

April 14, 2020 by dgreca

NGA PELLUMB KULLA/*

Nuk mund të mos fillonte 14 prilli pa këtë urim për Piro Manin, dekanin historik të regjisurës shqiptare, endsin e magjishëm të spektakleve më të bukur që kanë parë skenat e vendit tonë. 
Sot Piroja mbushi 88!
Për shkak të angazhimeve tona në fushën e regjisurës, unë artistin e madh kam patur rast ta bashkoj, të shkëmbejmë mendime, ta njoh nga afër… Por kurrë nuk am ndenjur me të më shpesh dhe më gjatë se sa në vitet tanë të përbashkët të Amerikës.
Kam shkruar për mikun tim disa herë. Në këtë ditë po sjell vetëm disa ekstrate nga një artikull i gjatë që më nxiti një porosi nga Tirana. Ka qenë një 14 prill dhe ai. Edhe atëhere i urova njëqind vitet, normën e zakonshme. Sot, megjithë shpirt, i uroj atij dhe familjes Mani që ta kenë kreun e familjes edhe përtej të njëqindave! Por ta kenë të shëndetshëm. Pa sa për të lumtur, lumturinë e ka në gen ai!
………………………………………………

ME PIRO MANIN, NËPËR NJU JORK
Jo rrallë unë shkoj aty ku banon Piroja, që të marr kolegun tim të shquar dhe të vemë t’i pijmë kafetë në periferi të qytetit, ose tej nga Fresh Pondi, në lokalet e shqiptarëve. 
Pres deri sa ashensori e zbret plakun flokëbardhë, që del në trotuar e nuk thotë mirmëngjes pa u rehatuar në sediljen përkrah shoferit, që në këtë rast jam unë. Zëri i tij është po ai i pari, ai që mbahet mend me Edi Karbonen, me Protopapën e me figura të tjera të paharrueshme që krijoi ai.
Me që ra fjala, e njoh qytetin e madh më mirë se Piroja. Nuk harroj asnjëherë ta shpie përmbi urën e Bruklinit, aty ku gjysëm shekulli më parë bënte shëtitjet e përditëshme Artur Mileri, dramaturgu i madh i këtij vendi, që sodiste nga lartësi e urës, punën e hamejve emigrantë italianë në portin e dikurshëm. Ato soditje më pas i dhanë letërsisë dhe teatrit “Pamjen nga Ura”, dramën e Edi Karbones, atë dramë të pavdekshme mbi dritëhijet e nënvetëdijës njerëzore që Frojdi ka marrë përsipër të na i shpjegojë shkencërisht dhe ky zotëria në sedilen përbri, djalë i ri i porsakthyer nga studimet e Moskës, pat përveshur mëngët t’i trupëzonte në skenën e teatrit të Korçës. Korça qe një qytet province në kuptimin gjeografik, por mbeti një nga kryeqytetet e teatrit shqiptar, më së shumti për meritë pikërisht të këtij individi, që bash nga vendi i origjinës nisi rrugën e mundimshme drejt majave me dritë. 
Ai djalosh i dikurshëm pas një jete me vazhdë të ndritëshme prapa, ka avancuar në moshë tashmë, dhe mirënjohja e bashkëkohësve me vështrim nga kalendari, nuk harron të nderojë 14 prillin, ditën që regjisori i shquar erdhi në jetë në atë vit të largët 1932, në Korçën e bukur.
………………………. 
Piro Manin e kishte puthur fati në ballë. Në laboratoret e teatrit korçar pati nën urdhrat e tij regjisorialë aktorë të klasit të parë, si Pandi Raidhin, bashkëshortët Dhorka dhe Dhimitër Orgocka, Thimi Filipin, Stavri Shkurtin, Aleko Prodanin e të tjerë, që Piroja s’i heq nga goja dhe i ka të pranishëm, jo vetëm në bisedat jubilare, si këto të këtyre ditëve. 
…………………………………………………
Është interesante se si historia e vendit tonë do mund të lexohej edhe nëpërmjet historisë së teatrit. Aty shfaqet qartë se si shtrëngimet dhe lëshimet në repertor, përkonin me dritëhijet në trurin e diktatorit të sëmurë nga paranoia. Historia edhe më dramatike e dramave të anulluara e atyre që fituan kurora dhe u shkurorëzuan, e dramave që u bënë shkak përleshjesh të kryekrerëve, drama që u bënë shkas për internime, transferime dhe burgime autorësh, regjisorësh e piktorësh; e dramave pa vlerë që përfituan e dolën në dritë nga këto lloj përleshjesh, mund ta tregojë fare mirë, në gjuhën e vet, historinë e Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX. 
Sukseset e ndritëshme të Korçës, e sollën Piro Manin në teatrin qëndror të vendit, në Tiranë. Gjatë kësaj kohe që iu qasëm Piros në kërkimet e përbashkëta e në konkurime, ne, nxënsit e tij, vumë re rritjen e hovshme të personalitetit të një regjisori, që të godet me të parën me imazhin e veprës, që operon me guxim e brutalitet bashkë, gjetjet e reja, atë që kërkon me këmbëngulje karakteret e paparë, që e tërheq llastikun e groteskut deri aty sa t’i thua se do t’i këputet në dorë. Në studjot dhe në skenën e teatrit, për një çerek shekulli u pa një njeri që nuk u ndal kurrë në kërkimet e tij që rezultuan, në më të shumtën, suksese për t’u patur zili. Si të mos i kishe zili një vepër alegoriko-satirike si “Arturo Ui” e Brehtit, ku bashkë me atë të regjisorit, ndritën gati të tërë yjet e aktrimit të angazhuar atje. Arturo Ui ishte personifikimi i karrieristit mizor, i diktatorit të pandalshëm para asgjëje në ngjitjen e tij, i demagogut populist, që është moskokëçarës nëse e besojnë apo jo, në ato që thotë. Ne, në Shqipëri, e kishim një të tillë. 
Tamam në ato vite shënohen krizat më të mprehta e dramat më të mëdha njerëzore, që si për të përqeshur artin e skenës, nuk do të ngjiteshin dot kurrë mbi një skenë teatri. Tamam në atë kohë morsat e persekutimit mbërthyen dy nga regjisorët më të talentuar, Spahivoglin dhe Luarasin. Por kjo ngjarje nuk la pa tronditur edhe sigurinë e Piro Manit edhe të tjerëve të cilët e ndjenë fshikullin. Ne të gjithë ndjemë vërshimin dhe përmbytjen e skenave me vepra që u lexohej fundi që në faqen e parë. Edhe në varfërinë e gjatë dramaturgjike, Piro Mani tregoi se qe një regjisor me vlera të papara gjer atëherë dhe që nuk ia gjen shokun as sot në bollëkun e pakufishëm repertorial. Ai rendi dhe me mençuri ngjiti në skenë vepra si “Cucën e Maleve”, “Fytyrën e Dytë”, “Epoka para Gjyqit”, “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”, që ofronin hapësira të bollshme për të frymëzuar regjisorin dhe interpretët, për të kënaqur dhe spektatorët e llozhës dhe ata të platesë.

BISEDAT ME PIRON

Piroja ka mendimin se shkolla ruse e teatrit është një shkollë e përparuar me baza të shëndosha të mjeshtërisë së aktrimit… 
“Pra ti, Piro, e quan veten me fat që u edukove në atë shkollë?”
“Pa as më të voglën lëkundje! Gorçakovi, pedagogu im ka qenë dishepull i
Stanislavskit. Po i tillë ka qenë dhe Zavadski, udhëheqësi artistik i Kujtim Spahivoglit. Ishte shumë e vlefshme praktika jonë në teatrin dhe shkollën ruse, pasi shihnim se si artistë të shquar iu përshtateshin kushteve. Edhe në binarët e hekurt stalinistë, ata arritën të realizojnë një pjesë të ambicjeve të tyre artistike.”
“Po në binarët e stalinizmit tonë ç’ndodhte?” e ngacmoj unë. 
Me keqardhje, të dy sjellim ndërmend se censura ndaj teatrit rrinte me tre turne në majë të karakollit. 
“Ti Piro,” vazhdoj unë, “ke qenë në qendër, ke qenë më i shquari ndër regjisorët, dhe detyrimisht të ka rënë barra të ngjitësh në skenë edhe vepra që kundërmonin orientime komitetoqendroriale. Buzëplasur, buzëplasur, por e ke gjetur pajtimin me to…”
“Mos harro të thuash se kam qenë edhe më i vëzhguari dhe më i monitorizuari!” 
E pastaj, mendueshëm, regjisori shton: “Pajtimin me to… Si të them?… Ti e kupton se edhe në dramën më të keqe, do të gjesh se s’bën një qoshkë të bukur frymëzuese, një motiv të paprekur, një karakter interesant, apo një të thënme me vlerë… Do të gjesh, me siguri, një gozhdë ku lidhet kënaqësia estetike, frymëzimi i artistit. Pastaj artisti e zhvesh frutin e ëmbël nga lëvozhga ideologjike dhe arrin ta shijojë. A nuk e frymëzon artistin një vajzë që u mëson shoqeve shkrim e këndim? A nuk të duket frymëzues dhe i shtrenjtë një partizan 19 vjeçar që jep jetën duke luftuar e nuk e merr vesh kurrë më, se gjaku i tij u përdor për një skllavëri tjetër më të egër se okupimi?”
“Le të ndërrojmë temë, profesor…”
“Le të mos e ndërrojmë edhe për ca minuta më shume,” kundërshton Piroja. “Ca njerëz mund të më gjykojnë për spektaklet që kanë parë nga unë, spektakle, që më së shumti i ka reklamuar kritika zyrtare. Por një nga shfaqjet më të bukura të mia, unë mbaj “Rrethimin e Bardhë” të Naum Priftit, por ata nuk kanë mundur ta shohin. S’e panë, ngaqë atë e rrëzoi vetë Enver Hoxha në një nga vizitat e tij në Korçë. Fabula ishte mbi rezistencën njerëzore në kushtet e rrethimit nga dëbora dhe mendohej se do të kalonte me pasaportën e temës së rrethimit kapitalisto-revizionist. Unë u dashurova pas veprës. Sapo pata ardhur nga Moska, ku destalinizimi po shkrinte çdo lloj akulli. Në tërë katet e universitetit Lomonosov kërciste rockenrolli nga gëzimi i hapjes së horizonteve. Kurse tek ne… Unë arrita që tërë këtë përjetim ta plazmoja në atë dramë. I Pari i vendit e kapi menjëherë nostalgjinë time dhe e fundosi atë spektakël aq të ndjerë që pa u shfaqur ende… Sinqerisht, ka qenë një nga punët më të bukura që kam bërë. Pra, i dashur, teatri ka qenë një bashkëpunim i gjërë: për ngjarjet e shënuara vepra orientohej nga shumë lart; në organizatën bazë shtrohej akuza delikate “Piro Mani nuk u jep role komunistëve”, gjë që nuk ishte e vërtetë aspak, pasi shumë nga komunistët ishin aktorë vërtet të paarritshëm. Por komunistët mediokër, aktorët pa vlera, me këtë akuzë, jo vetëm që nuk e linin udhëheqësin artistik t’i dëbonte nga teatri, por deshin që ai t’u jepte të luanin dhe Hamletin! Hajde të harmonizoje kërkesat e Shekspirit me ato të organizatës bazë të partisë të Teatrit Popullor!… Mund ta ndërrojmë temën tani!… (2007)(Marre nga Faqja e Pellumb Kulles(fb)

Filed Under: Featured Tagged With: Ditelindja e Pirro Manit

KOSOVA, NJË MUAJ PËRBALLJE ME PNDEMINË, NIS TË DYTIN…

April 14, 2020 by dgreca

-Në karantinë janë vendosur Prishtina Ferizaj, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Klina, Mitrovica Veriore, Zveçani/

-SITUATA EPIDEMIOLOGJIKE ME COVID-19 NË KOSOVË – Raporti më i ri i orëve para mesnatës të mbrëmjes së 13 prillit 2020 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës/

PRISHTINË, 14 Prill 2020-Gazeta DIELLI/ Kosova hyri në muajin e dytë të përballjes me pandeminë, pas të parit nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar 2 rastet e para me koronavirus, e  deri më 12 prill 2020 kanë rezultuar pozitivë 362 raste. Gjatë ditës së fundit të kaluar -13 prillit janë diagnostikuar gjithsej 15 raste infektimesh me koronavirus, ndërsa numri i të shëruarëve ishte 4.

Deri me datë 13 prill, 63 raste janë shëruar. Janë regjistruar 8 raste të vdekjes, të gjitha kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Në karantonë janë vendosur Prishtina Ferizaj, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Klina, Mitrovica Veriore dhe Zveçani.

Pas një muaji përballje me pandeminë, ky është raporti më i ri i orëve para mesnatës të mbrëmjes së 13 prillit 2020 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës:

SITUATA EPIDEMIOLOGJIKE ME COVID-19 NË KOSOVË

Më datë 31 dhjetor 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u njoftua për disa raste të pneumonisë në qytetin Wuhan, Provinca Hubei të Kinës. Kjo situatë ngriti shqetësimin e Ministrisë së Shëndetësisë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) duke u mobilizuar menjëherë. Bazuar në rekomandimet e OBSH dhe Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) u aktivizuan të gjithë instrumentet me qëllimin kryesor, pamundësimin e përhapjes.

Në fillim të muajit janar 2020 u fillua me përgatitjet e rekomandimeve, udhëzuesve, protokolleve dhe dokumenteve tjera për profesionistë shëndetësorë, popullatën, organizata publike dhe private, aeroportin, pikat kufitare tokësore etj.

Në fund të muajit janar 2020, Laboratori i Mikrobiologjisë në IKSHPK është pajisur me reaksione për testim në SARS-CoV-2.

Më 14 shkurt 2020, u dorëzua Plani për gatishmëri dhe reagim për Coronavirus/ COVID-19 në MSH, me mundësi të revidimit sipas situatës epidemiologjike dhe konform OBSH, ECDC, CDC.

Nga data 8 shkurt – 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.256 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.

Nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar 2 rastet e para, deri me 12 prill 2020 kanë rezultuar pozitivë 362 raste.

Deri me datë 13 prill, pas evidentimit, 59 raste janë shëruar. Konsiderohen të tillë sipas protokollit të OBSH-së, pra kur 2 mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Dhe janë regjistruar 8 raste të vdekjes. Të gjitha rastet kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Përgjatë 24 orëve në IKSHPK kontaktohen dhe mbikëqyren të gjitha kontaktet e rasteve dhe kontaktet e kontakteve. Ata obligohen për vetizolim dhe këshillohen për ndihmë mjekësore nëse kanë simptoma.

Deri me datë 13 prill janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve. Duke e përcjellur numrin e rasteve të detektuara dhe konfirmuara, vërehet tendencë e rritjes së shpërndarjes së COVID-19 në vend dhe në botë.

Resurset humane të specializuara në epidemiologji në Kosovë.

Në IKSHPK janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin (përfshirë të punësuarit në 6 qendrat rajonale). Ndërsa 5 epidemiologë të tjerë punojnë në QKMF (Në 5 komuna: Obiliq, Podujevë, Istog, Drenas dhe Viti).
Për nevojat bazike në një situatë të zakonshme nevojiteshin edhe 17 specialistë të tjerë. (5 specializantë për Epidemiologji për nivelin qendror dhe për çdo Qendër rajonale nga 2 specializantë).

Pse nevojiten epidemiologët? Ata kanë rol kyç në hulumtim e mbikëqyrje të rasteve e kontakteve me sëmundje ngjitëse. Metodat specifike të detektimit, hulumtimit e gjurmimit epidemiologjik, e bëjnë angazhimin e tyre gjatë pandemisë të pazëvendësueshëm.

Aktualisht, me 362 raste, 4.795 kontakte, mbi 500 persona në karantinë dhe hyrjeve në pikat kufitare, numri i epidemiologëve që ka vendi është ekstremisht i ultë.

Deri tani nuk ka ngecur asnjë proces pune me kaq profesionistë sa kemi, falë gatishmërisë së tyre për të punuar pa ndalur.

Në Qendrën Operative Emergjente punojnë 10 epidemiologë. Ata mbulojnë gjithë territorin e vendit së bashku me epidemiologët e rajoneve.

Puna e epidemiologëve konsiston në: hulumtimin e kontaktimin e të gjitha rasteve të dyshimta me COVID-19, mbikëqyrjen e hyrjeve në pikat hyrëse kufitare; mbikëqyrjen e personave të karantinuar; grumbullimin-përpunimin dhe analizën-interpretimin e të dhënave; komunikimin me popullatën me rekomandime e këshilla.

Hulumtimi: Për çdo rast që referohet si i dyshimtë në COVID-19 nga Klinika Infektive, Klinikat e tjera të QKUK, spitalet rajonale, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe rastet që raportohen nga terreni, menjëherë inicohet hulumtimi i rastit dhe gjurmimi i kontakteve.

Gjurmimi: Me zbulimin e kontakteve nis gjurmimi i detajuar për lëvizshmërinë e kontaktit të kontakteve në 3 javët e fundit të tyre. Kështu mbërrihet tek burimi i infeksionit (rasti 0). Ky proces ka vështirësinë maksimale dhe merr kohë.

Çdo rast që rezulton qoftë pozitiv apo negativ, i cili nuk është i shtrirë në klinikë, mbikëqyret në vazhdimësi përmes kontaktit të përditshëm, në bashkëpunim me policinë, duke iu dhënë rekomandimet për zbatimin e masave mbrojtëse dhe duke u interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore.

Të gjitha këto informacione të marra shndërrohen në të dhëna që futen në Sistemin Alert Kosova Health, bazën e të dhënave sipas OBSH dhe bazën e të dhënave të IKShPK. Këto të dhëna përpunohen dhe analizohen për përgatitjen e raporteve të rregullta.

Çdo institucion shëndetësor dhe kryetar komune veç e veç informohet për rastet pozitive dhe negative dhe rekomandohet për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe të kontrollit në komunat përkatëse. Informohet secila Qendër rajonale e shëndetit publik për rastet në rajonet e tyre. Raportet periodike dërgohen në institucionet ndërkombëtare (ECDC dhe OBSH).

Të dhënat e grumbulluara dhe të analizuara shërbejnë për planifikimin e terrenit për gjurmimin dhe testimin e kontakteve të afërta me rastet pozitive.

Resurset humane të specializuara në mikrobiologji në Kosovë.

Në IKSHPK punojnë 29 mikrobiologë. (Në Prishtinë – 12 vetë dhe në 6 Qendrat -17 vetë). Nevojat bazike, në situatë të zakonshme kërkojnë edhe 32 mikrobiologë të tjerë. (për nivelin qendror – IKSHPK në Prishtinë + 8 specializantë për Mikrobiologji e për çdo QRSHP edhe nga 4 specializantë). Poashtu, nevojiten edhe 29 specializantë për Mikrobiologji Klinike në SHSKUK (5 në Prishtinë) dhe për çdo Spital të Përgjithshëm Rajonal nga 4 specializantë (gjithsej 6 SPR x 4 = 24).

Departamenti i Mikrobiologjisë gjatë periudhës 8 shkurt-13 prill 2020 ka testuar dhe vazhdon të testojë të gjitha rastet në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR.

Që nga viti 2009 Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare është i vetmi i tillë në të gjithë Kosovën.

Në laborator kanë punuar deri në fillim të pandemisë më COVID-10 vetëm dy persona: një specialiste e Mikrobiologjisë, si dhe një laborant.

Me shtimin e numrit të kërkesave për testim – janë shtuar fillimisht 2 specialiste të Mikrobiologjisë dhe 1 laborant, të cilët kanë pasur përvojë paraprake në testim me RT PCR. Dhe ditët e fundit janë shtuar dhe 3 specialiste të Mikrobiologjisë.

Kemi kërkuar ndihmë dhe nga 2 kolegë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinës, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” si dhe 1 kolegë në Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës, të cilët kanë ekspertizën e nevojshme.

Deri më tani përmes IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë janë kontraktuar 11.250 reaksione me Real Time PCR. Ndërsa, në proces të prokurimit është edhe kërkesa për 10.000 reaksione tjera, për të cilat ka filluar procedura. Poashtu, 2500 reaksione me RT-PCR janë kërkuar përmes zyrës së UNICEF-it në Prishtinë, si dhe në kërkesën adresuar zyrës së USAID-it përmes OBSH-së janë edhe 3500 reaksione.

Janë pranuar dy aparate “Real Time PCR” për shfrytëzim në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, njëri nga Fakulteti i Mjekësisë, si dhe tjetrin nga Agjencioni Kosovar për Produkte Medicinale. Dy institucione tjera, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, si dhe Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë kanë ofruar Real Time PCR aparatet e tyre për shfrytëzim në rast të nevojës.

Jemi në proces të blerjes së katër aparateve për ekstraktim automatik të acideve nukleike që është një proces i rëndësishëm për testim. Kjo përmes Zyrës së OBSH-së në Prishtinë dhe USAID-it. Si dhe 4 aparate Real Time PCR përmes zyrës së USAID-it dhe CDF-it (GFATM ). Pas 4-6 javësh kapacitetet laboratorike me aparaturë pritet të rriten dukshëm duke ju falënderuar këtyre donatorëve.

Pse nuk kryhen më shumë teste për diagnozë të infeksionit me COVID-19 në laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK?

Së pari do të ishte më mirë që të kishim pasur më shumë laboratore për diagnostikë molekulare në sektorin shëndetësor dhe më shumë personel të specializuar në këtë procedurë diagnostike. Por këto kapacitete njerëzore dhe laboratorike nuk mund të krijohen për 2-3 javë e as për 2-3 muaj. Edhe një specialisti të dedikuar për të punuar në diagnostikë molekulare i nevojiten rreth 6 muaj për trajnim në mënyrë që të punojë i pavarur. Gjithashtu edhe kërkesat laboratorike për aparaturë dhe hapësirë të punës nuk mund të krijohen ad-hoc për shkak të kushteve shumë speifike të punës, edhe në rast së në këtë moment ka shumë nevojë për këto.

Departamenti i Mikrobiologjisë, IKSHPK, me një buxhet tejet të limituar, kryen rreth 200.000 ekzaminime të ndryshme mikrobiologjike në vit për infeksione të rëndësishme për shëndetin publik për tërë Kosovën, për pacientët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës si dhe qytetarët e rajonit të Prishtinës. Në të gjitha laboratoret ku kryhen këto shërbime punon një specialist i mikrobiologjisë dhe një laborant. Prandaj, të vendoset si cak i kritikave se pse nuk po testohen më shumë njerëz në Kosovë për COVID-19, një laborator, përkatësisht shërbimi diagnostik i sëmundjeve ngjitëse të të cilit i janë neglizhuar me vite nevojat për burime njerëzore të bëra si kërkesa të vazhdueshme, për pajisje, për hapësirë të punës, si dhe për buxhet, nuk mund të jetë aspak korrekte.

Që nga fillimi i gjendjes me pandeminë COVID-19 personeli i laboratorit është duke punuar shtatë ditë në javë, pa ndonjë orar të caktuar me afro 16 orë në ditë. Të gjitha mostrat të cilat janë pranuar deri më sot, janë testuar brenda ditës ose më së largu brenda 24 orëve që nënkupton tejkalim të kapaciteteve edhe të laboratorëve moderne evropiane. Asnjë qytetar i Kosovës që ka pasur indikacion epidemiologjik dhe që është referuar për testim nuk ka mbetur pa u testuar.

Shtetet e tjera kanë angazhuar për testim me RT PCR për diagnozë të COVID 19 të gjithë laboratorët që i disponojnë. Ndërsa te ne Laboratori i Mikrobiologjisë molekulare në IKSHPK është i vetmi i tillë në Kosovë në sektorin publik e privat shëndetësor.

Në Kosovë nuk prodhohen as teste e as aparatura për Real Time PCR. Si dhe punojmë në shtetin që ka ndarë më së paku për shëndetësi në Evropë për shumë vite me radhë.

Ndaj jemi duke iu bërë thirrje që në rast se nuk keni mundësi profesionale të na ndihmoni në këtë situatë:

Ju lutemi së paku të mos na kritikoni pa bazë, sepse është duke u dhënë maksimumi i angazhimit në rrethanat që kemi.

Çdo kritikë e pabazuar mund të jetë me ndikim në rëndimin e situatës epidemiologjike dhe në demotivimin e stafit të përkushtuar në realizimin e vëllimit të stërngarkuar të punëve në ballafaqimin me epideminë.

Filed Under: Politike Tagged With: kosova

GËZUAR DITËN E LINDJES, MJESHTËR PIRRO MANI!

April 14, 2020 by dgreca

Sot është një ditë e veçantë-14 Prill, Dita e Lindjes e regjisorit të madh të skenës shqiptare, Dekanit historik të regjisurës shqiptare (term i marrë hua nga mjeshtri Pëllumb Kulla). Sot, të ngujuar, ashtu si dhe Pirroja, duke pritur në dritare armikun e padukshëm, të kërcënuar nga virusi me kurorë, po mendoja se si mund ta uroja Mjeshtrin, përveçse përmes rrjeteve sociale dhe gazetës online?! SHUMË URIME MJESHTËR! Ta gëzosh Ditën e bukur të Lindjes! 

I dashur Pirrro;

Ky i flamosur Koronavirus nuk na lejon që të vijmë me Vies Belliun dhe ta cikrojmë nga një gotë atje në shtëpinë tënde të bukur, në Harrison, duke biseduar e duke vështruar atë peisazh magjepës, të qendisur nga pranvera! Besoj se ju kujtohet mrekullimi i Mirush Kabashit nga ajo pamje kur ju vizitoi fluturimthi, nga që kohën nuk e kishte të mjaftë.

Të jesh i bindur Mjeshtër se 89 vjetorin do ta festojmë dyfish!

Epo gëzuar!

Si “dhuratë” në vend të luleve, po Ju nis shkrimin që i referohet atit Tuaj, Kosta Mani, bashkëshoqëruesit të Imzot Nolit, kur shkuan nga Amerika, me ëndrrën që të bënin Shqipërinë tonë të dhembshur. Ati Juaj mbeti honeve të nëntokës së Mathauzenit…. E di i dashur Pirro, Ati Juaj, ka mbetur pengu i jetës Tuaj, por ai ishte dhe shpëtimtari juaj në çastet më të vështira të Jetës!..Në fillim mendova ta shoqëroja urimin me shkrimin ”Na i nxefe shuplakat Gjeneral”, thirrja ngazëllyese e kosovarëve, kur në vitet ’70, në Prishtinë vutë në skenë Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, por ky shkrim për babain nuk e di pse më pëlqen më shumë…

        ***

PIRRO MANI, PENGU PËR TË ATIN, KOSTA MANI, SHOQËRUESIT TË FAN S. NOLIT

Inxhinieri Kosta Mani, babai i regjisorit, artistit Pirro Mani, vatrani që shoqëroi Fan S. Nolin në Tepelenë dhe Vlorë, u shua në kampin e vdekjes në Mathauzen, më 27 Janar 1945. Një histori tragjike. Inxhinier Kosta Mani la Amerikën për të projektuar e ndërtuar urat, rrugët, ndërtesat e Shqipërisë, u arrestua nga fashizmi, u burgos dhe u pushkatua po nga nazizmi, u shpall dëshmor dhe tradhëtar nga komunizmi….

Nga Dalip Greca

14 Prilli ishte ditëlindja e Pirro Manit, por, edhe në një ditë të shënuar si ajo e lindjes, Pirro Mani, mbreti i skenës shqiptare, gjenerali i regjisurës, i cilësuar si Stanislavski shqiptar, shfaq një peng. Është një peng, që po e shoqëron gjatë gjithë jetës. Edhe tani, kur festoi përvjetorin e lindjes, kërkesës për një intervistë për gazetën “Dielli”, ai i përgjigjet shkurtazi se për të është shkruar mjaft. Nuk ka mbetur gjë pa u thënë, por e ka një peng që e rëndon. 

– Dua ta zbraz shpirtin nga brenga e tim eti. Më rëndon shumë ai peng. Më ka ndjekur edhe në skenë. E ke vënë re episodin e gurit të pendimit tek “Cuca…”? Është krijuar prej meje ai episod, duke patur në mendje fundin e babait tim, Kosta Mani. E kam mësuar vonë faktin, që ai dha shpirt duke mbajtë në shpinë pesha të rënda, ja, ashtu si guri i pendimit. I zbriste në shkallaren e një galerie si mijëra të tjerë në kampin e vdekjes së Mathauzenit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ma ka treguar ngjarjen një durrsak, që shpëtoi gjallë nga kampi i vdekjes dhe u riatdhesua….Ai ishte një nga ata që i shpëtuan ferrit të Mathauzenit. 

Ja si e pat përshkruar ai ngjarjen, që i pat marrë jetën Kosta Manit: 

“Babai i Pirros, ishte rebeluar. Nuk kishte pranuar Kosta të vazhdonte të ngrinte “gurin e turpit”, gurin e poshtërimit; pas tij vinte guri i varrit. Ushtarët gjermanë të kampit i dërgonin të burgosurit në një humnerë dhe i detyronin të ngrinin thasë apo gurë të mëdhenj mbi shpinë (si rrasë varri) dhe i shtrëngonin me pahir që t’i ngjiteshin të përpjetës. Motivi? Të mundoheshin. Dhe ata çapiteshin me shpirt ndër dhëmbë me shpresë e me gurin e rëndë mbi shpinë. Kosta e kishte imagjinuar veten edhe si Krishti, edhe si Sizifi në këtë ngjitje”,- ka shkruar në librin kushtuar Pirros, Josif Papagjoni. 

Po përse duhej ta bënte sakrificën, kur, pas ngjitjes, do ta prisnin plumbat? – pyet Pirro më shumë veten, se sa të atin, apo mua që më ka përballë. Kosta Mani nuk e kishte ngritur “rrasën e varrit”, gurin e poshtërimit. Ata e grinë me plumba. Ai u masakrua më 1945, u shpall dëshmor, po në 1945, ndërsa komunistët e ripushkatuan më 1946, duke e ekzekutuar përsëdyti!

KUSH ISHTE INXHINIERI KOSTA MANI, I DIPLOMUAR NË INSTITUTIN M.I.T TË BOSTONIT?

Tregon Pirro:  

            – Babai im, Kosta Manim ka lindur në Korçë. Si shumë korçarë, emigroi herët në Amerikë. Ka qenë rreth të katërmbëdhjetave, kur mori rrugën e kurbetit. Krahas punës vazhdoi edhe studimet. Ka studiuar në Institutin e famshëm M.I.T. të Bostonit, ku kishte studiuar edhe mjeshtri i madh i fotografisë, Gjon Mili. Është diplomuar për inxhinieri-arkitekturë. Ishte pjesë e Vatrës. Si shumë idealistë të tjerë vatranë, e la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri për të ringjallur vendin. Kishte në xhep diplomën e inxhinierit. Sa i mungonin Shqipërisë inxhinierë të tillë si Kosta Mani!

Në Shqipëri qe kthyer me Imzot Nolin dhe e kishte shoqëruar atë në udhëtimet, që kryezoti i shqiptarëve të Amerikës kishte bërë në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në Tepelenë dhe Gjirokastër. Këtë episod, Pirros ia pat treguar nëna e tij.

Pasi Fan Noli e la Shqipërinë, Kostë Mani nuk e ndoqi pas për t’u kthyer në SHBA. I tha Imzotit se Shqipëria kishte nevojë për inxhinierë dhe ai do të qëndronte. Vendimi ishte i prerë. Ati i shqiptarisë, Noli, i kishte dhënë bekimin. Dhe ai vazhdoi të punojë për disa kohë në Ministrinë e Punëve Botore. Kishte fatin që të punonte me një tjetër inxhinier të zot, me inxhinier Gjovalin Gjadri. Shqipëria ishte me fat, ngaqë ishin bashkë dy shkolla inxhinierike; ajo amerikane, ku ishte diplomuar Kosta Mani dhe ajo austriake, ku ishte diplomuar inxhinier Gjadri. Të dy ndërtuan ura, rrugë, vila, që i qëndruan kohës.

Pirro përhumbet në rrëfimin e tij: 

– E mbaj mend mirë rrugën malore të Thethit. Babai më kishte marrë me vete. E kam në kujtesë bukurinë përrallore të Thethit. Ata punonin, unë vështroja bukuritë e egra të maleve dhe pastaj kthehesha i lodhur dhe i kënaqur në çadër. Qe kohë vere. Ishte e bukur natyra e atyre anëve. 

Edhe Urën e Zogut, urën me harqe, e pat ndërtuar Gjadri me Kosta Manin. Pirro kujton se edhe atje i ati e pat marrë me vete shumë shpesh. Madje e mban mend të atin dhe Gjadrin me hartat përpara, tek ndiqnin projektin. Kosta Mani ishte kudo, ku ndërtohej. Kishte ndërtuar për vete edhe një shtëpi provizore në Tiranë, që priste ta modernizonte kur t’ia kishte ngenë. 

Kosta Mani jepte edhe mësim në Shkollën Teknike të Fullcit. Jepte lëndën e Matematikës. Pirro kujton se i ati lexonte shumë libra. Në bibliotekën e tij ndodheshin libra të Balzakut, Stendalit, Dumas, Tolstoit e të shumë e shumë shkrimtarëve të tjerë me emër.

Kosta Mani ndërtoi edhe urën e Kardhiqit, në Gjirokastër. Kjo urë i dha një fatkeqësi dhe një dhuratë, që do ta kishte të shtrenjtë gjatë jetës së tij të shkurtër. 

Tregon Pirro:- Gjatë punimeve për ndërtimin e urës, Kosta theu këmbën. Ku të gjente mjek në ato anë, ku nuk shkelte këmbë njeriu? E mbartën me mushkë dhe e çuan tek një mjeshtre popullore, që i kishte dalë nami si ortopede e rrallë. Mjeshtrja, (plaka thirrej Dade), jetonte në Stegopull të Gjirokastrës. Muskujt e Kostës sforcoheshin nën dhimbjet e shtrëngimeve të plakës, ndërsa sytë i ishin ngulë në bukurinë e rrallë të një vajze 15-16 vjeçare, mbesës së plakës Dade. Inxhinieri shëroi njëherësh këmbën dhe shpirtin. Vajza bjonde, zanë e shkuar zanës, me emrin e bukur Amali, do të bëhej “robinë” e inxhinier Kostës, i cili e kërkoi sakaq për grua. U martuan me Amalinë dhe lindën fëmijën e parë, Pirron, pastaj dhe dy vajzat, motrat e Pirros. Kosta, ndërkohë kishte blerë një truall 6 mijë m2, në rrugën “Shën Gjergji” në Tiranë, sot rruga”Ali Demi” dhe aty ndërtoi shtëpinë e tij, që Pirro e gëzon sot (edhe pse është në Amerikë shtëpia pret të zotin ende). Jeta ecte në rrjedhat e veta. Shpesh, Kosta bridhte nëpër Shqipëri, ku ndërtonte a projektonte. Merrte me vete edhe Pirron e vogël dhe e ushqente me dashuri për kombin, Atdheun e shtrenjtë, që duhej dashur, edhe kur ishte kockë e lëkurë. Në ditën e pushtimit fashist, Kosta u pushua nga puna dhe u arrestua me akuzën se kishte hedhur në erë urën e Limuthit, atë urë që e kishte bërë vetë. Kosta kishte shtetësi amerikane, urrente fashizmin dhe u trondit nga pushtimi i Shqipërisë. Dikur hapi një zyrë private në Tiranë, “Stika”, së bashku me inxhinierin Spiro Koleka. Ajo zyrë nisi projektet e ndërtimit të infrastrukturës së Tiranës; projektoi rrugë, sheshe, parqe, vila të bukura dy dhe tri katëshe. Kosta projektoi vilën e njohur mbi kodrat e Tiranës, “Baballarët e Teqesë” dhe vepra të tjera që i rezistuan kohës.

Pirro është i bindur se babai ka qenë antifashist në shpirt dhe si i tillë ishte zgjedhur edhe në Këshill. Madje, për reputacionin që gëzonte, u zgjodh edhe deputet i Korçës. Gazeta “Tomorri” e asaj kohe i kushtoi hapësirë në kronikën e vet fjalës së deputetit Kosta Mani:“Çamëria dhe Kosova janë pjesë të pandara të Shqipërisë”, deklaronte deputeti Kosta Mani. 

Në kohën e Asamblesë Kombëtare, në kohën e pushtimit gjerman, si deputet ishte pjesë e saj. Por partizanët e qëlluan me top, duke e shpallur atë si “Asambleja tradhëtare”. Si shumë intelektualë të tjerë patriotë, Kostë Mani mendoi se Atdheut mund t’i shërbehej edhe nën pushtim. Por atë pjesëmarrje nuk ia falën komunistët.Ishte mblodhë qarkori dhe e përjashtoi Kostën nga Këshilli. Ishte kohë e çmendur. Komunistët e akuzojnë, fashistët e arrestojnë. Edhe gjermanët, po ashtu, e arrestojnë si njeri të rrezikshëm. Me kë ishte Kosta Mani? Ishte me Shqipërinë. Arrestimi në fundin e dhjetorit 1943 nga gjermanët ishte fatal. Nazistët e syrgjynosën në kampin famëkeq të Mathauzenit. Pirro kujton se, nëna, e cila kishte marrë vesh lajmin e largimit nga burgu dhe internimin jashtë Shqipërisë, i kishte shkuar në burg dhe i kishte dhënë një xhaketë, që të mos kishte ftohtë, nën astarin e së cilës kish qepur, nën një arnë, 40 napolona flori. T’i ketë për çdo rast, pat menduar nëna. Pirro atë kohë ishte fëmijë, 12 vjeç. E ka në kujtesë pamjen e trishtë. Të burgosurit i hipën në kamionë dhe i nisën në mëngjes herët. Imazhi i mbeti në mendje. Në shtëpi prisnin në ankth ndonjë lajm. Shenja e fundit e komunikimit ishte një telegram, që ishte nisë nga Kosta. Ishin vetëm tri fjalë: “Jemi në Manastir”! Asnjë lajm tjetër.

E gjithë jeta e Kosta Manit, është një dramë me shumë mistere, një dramë e ankthshme me shumë akte, thotë i biri, Pirro Mani, për të cilin misteriet mbeten të pazbardhura ende edhe sot.

Hija e të atit dhe shpirti i tij peng nuk i janë ndarë Pirro Manit as këtu, në Sh.B.A.. Erdhën në Amerikë, u vendosën në Kolorado dhe më pas, në New York. Shpesh shëtisja me hijen e tim eti. Më dukej se do ta takoja diku….Edhe ai kishte qenë në Amerikë…

Më duket se Pirro po mediton….

Nuk ka hequr dorë nga gjurmimet për të gjetur të dhëna për të atin, që më parë nuk mund t’i siguronte. Mësoi se Kosta Mani nuk ishte i vetëm, kur e nisën në kampin e vdekjes. Ishin më shumë se 200 të burgosur. Një pjesë i dërguan në Prishtinë, pjesën tjetër në Mathauzen, ku i ra fati të shkonte edhe Kosta. Përmes kërkimeve me shoqatat amerikane-hebraike, u arrit të sigurohen të dhënat e munguara, përfshirë dhe kohën e vdekjes, 27 Janar 1945, vendin e  vrasjes dhe të dhëna të tjera…., madje, edhe numrin që mbante në uniformën e kampit të internimit.

…Lajmi fatal është mësuar pak muaj pas çlirimit të Shqipërisë. Në shtëpi kishte shkuar Spiro Koleka, që ka qenë ortak me Kostën në zyrën e projektimeve dhe ndërtimeve “Stika”. Spiro ishte inxhinier i ri asokohe dhe bashkëpunoi me Kostën, edhe për të fituar eksperiencë. Ai solli lajmin fatal në shtëpinë e Kostë Manit. Familja shpalli zinë dhe e qau Kostën.

U shpall dëshmor nga regjimi. Familjes iu dha edhe karta e dëshmorit, por drama e Kostë Manit nuk kishte të sosur. Ashtu si në kohën e italianëve, të gjermanëve, dhe të komunistëve, secili e pa si armik.

        Pirro tregon: 

– Më kujtohet se ka qenë një burrë me emrin Faruk, që jetonte në një barakë, diku aty ku ka qenë Ministria e Jashtme. Faruku ka qenë kampion boksi. Ai qe rritur në shtëpinë e Kosta Manit. Kujtoj se Faruku mbante dhe një pistoletë, ngaqë kishte qenë partizan…” 

Pirro kujton se po vinte Faruku me nxitim dhe i thotë: 

– Ç’po bën këtu? A e di se po i demaskojnë gratë e familjes Mani?!

Shkova me vrap. Agjitatorët komunistë ngrinin zërin në kupë të qiellit për armikun imagjinar. Dhe armiku paskish qenë Kosta Mani, që na qenkish shpallë “dëshmor me biografi të keqe”,  sepse paskish marrë pjesë në Asamblenë tradhëtare! Fronti Demokratik dhe partia nuk mund ta toleronin këtë tradhëti! Ultimatumi i demaskimit ishte i rreptë: Familja armike Mani duhej të largohej brenda shtatë ditëve nga Tirana! Nisën reprezaljet. Pirron dhe motrën Marikën i hoqën nga puna, ndërsa motrën tjetër, Mirelën, e pezulluan nga shkolla. Ua hoqën dhe triskat. Ishte hapur fjala se Kosta nuk ishte vrarë e se punonte si agjent në një shërbim perëndimor!

    Pirro thotë se e pagoi rëndë faturën. Por, siç duket, dikur u bindën se të gjitha këto ishin fantazira. Vetë ata e vërtetuan se Kosta ishte ekzekutuar në Mathauzen. Mirëpo hija e dyshimit mbeti pezull e kurrë nuk u trajtua më si dëshmor. Jo vetëm kaq, por Kostës nuk iu përmend emri asnjëherë si një nga inxhinierët e parë të Shqipërisë, diplomuar në Sh.B.A.. Pirro ruan një dokument që ka emrat e inxhinierëve që kanë kontribuar në Shqipëri, ku emri i parë është ai i Kosta Manit, pastaj i dy inxhinierëve italianë, i Gjadrit dhe i të tjerëve.

Rehabilitimi i të birit të Kostës, Pirro Manit, ndodhi vonë. Fillimisht nuk i dhanë as të drejtë studimi. Kaluan dy vjet pasi mbaroi shkollën dhe nuk po i dilte e drejta e studimit. Madje mbaroi edhe ushtrinë e, më pas, e lejuan….

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, ditelindja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 641
  • 642
  • 643
  • 644
  • 645
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT