• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndjesia e ligë që pata dikur

November 11, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Kur në shkurt të 1999-ës shqiptarët kurorëzonin shtetit e tyre të dytë Kosovën, asgjë nuk më ka cëmbitur më shumë se një ndjesi e ligë për një përçarje të mundshme, një e tillë që do na vinte në provë përpara Amerikës dhe aleancës së Natos. Kryesisht edhe para opinionit mbarë botëror si në një lloj testi se janë apo nuk janë të aftë shqiptarët të ndërtojnë shtetet e tyre, të konsolidohen organikisht në territorin e një Shqipërie natyrale dhe jo të tezës Shqipëri e madhe. Kjo kishte pengun e vet për arsye se memoria ruante ca indicje se si kryeministri në ekzil i Kosovës Bujar Bukoshi anashkalonte një gazetar duke i thënë se këto insinuata i shkojnë Tiranës dhe jo Prishtinës. Bëhej fjalë për ca atentate mes shqiptarëve ndërkohë që Kosova qe përfshirë në luftën për liri. Nga ana tjetër presidenti historik Rrugova e kish kthyer Tiranën në një tranzit aeroportal, jo si vendin amë ku të kishte rezidencën e tij. Thuhej se Rugova dhe Berisha nuk flasin me gojë. Të vinte keq ta besoje pasi historia jonë fillonte keqas që me qasjen internacionale kur Enver Hoxha këshillohej nga jugosllavët. Ku diku tërthorazi dhe diku drejtpërdrejtë asgjësoi çdo grimë të pluralizmit për hatër të jugosllavëve. Shembujt i keni me shumicë nga Kokolarët, deri tek Mithad Frashëri etj. Ishin këto arsyet që Sejfulla malëshova do i pohonte Petro Markos se jemi parti e terrorit dhe jo e pikëpamjeve. ”Kujdes kur të flasësh Petro se këta të q…. nënën”. Tirana e shikonte Prishtinën me një mbushje mendje aq sa një akedemik i Kosovës me të drejtë shkruante se e keqja nuk na ka ardhur asnjëherë nga i huaji, por nga esnafi ynë politikë. Nuk e kishin njohjen e kulturën e mjaftueshme këta emra, të mos e dinin këtë? Sigurisht që e kishin, por faktori në shtetin amë kurrë nuk e ka pranuar të jetë prirja e frymës kombëtare pasi ka dashur të identifiokoj veten si krijues të saj. Dhe kjo është theqafja më klasike që vazhdon akoma edhe në këto kohë moderne të globalizmit. Në një farë mënyre të gjitha kishin një origjinë, zhvokjen e çështjes kombëtare me karriken, pushtetin personal a bythën e vet. Shqipëria vinte nga një përvojë e shkëlqyer e kësaj kulture vrasëse, kësaj kulture otomane ndaj kishin kohë që vrisnin njëri-tjetrin ku shembulli më i gjallë është Hasan Prishtina. Më ka cëmbitur kjo ndjesi për faktin se Shqipëria jonë me studiot arkaike e trajton Kosovën si truall të huaj sa është e turpshme të dëgjosh nga kryeministri i Kosovës të të thotë që do ishte mirë që Shqipëria të ishte konsultuar me ne për taksën në rrugën e Kombit, mund të gjenim një gjuhë të përbashkët për krijimin e një fondi të mirëmbajtjes. Është e turpshme sepse karshi atyre fasadave të takimeve të të dy qeverive, e kupton menjëherë se sa i thellë është hendeku mes dy shteteve të shqiptarëve. Në fund të fundit, dy shtete që nuk arrijnë të mirëmbajnë një arterie kombëtare, qoftë si simbol të unifikimit, për çfarë mbrojtje territoriale mund të flasin? Sot bota mbarë i njeh të gjitha versionet në mirëmbajtjen e rrugëve, si ato me konçesione, si ato me ndërmarrjet shtetërore. Shqipëria megjithëse sipas Sali Berishës do e bënte rrugën e kombit edhe duke shitur bizhuritë e grave, qeveria Rama pikërisht nga aty nisi me forcë konçesionin rrugor. Vinte nga përvoja e një dhune denoncimi mbi shpërdorimin e fondeve, aq sa ia shpifi shqiptarëve të Kosovës dëshirën për të parë vendin amë. Nga ana tjetër askush nuk hyri në burg, askush nuk u dënua, veç shqiptarët e Kosovës me një taksë që nuk e zëvendëson asnjë vlerë monetare sa kohë që prek të vetmen vizë nga projekti për riunifikimin e shqiptarëve në Shqipërinë natyrale. Pra nga koha e shpalljes së pavarësisë, cëmbitjes së ligë për një përçarje të mundshme, të pashmangshme mes vedit i erdhi dita. Sot bota virtuale shqiptare sidomos ajo në Kosovë ka një indinjatë karshi Edi Ramës në lidhje me deklaratat e tija rreth vetizolimit të shqiptarëve në Kosovë, Kosovës etj.

Deklarata e Edi Ramës në lidhje me vetëizolimin e Kosovës, ka hapur një debat të panevojshëm mes shqiptarëve. Ose më saktë mes dy qeverive a liderëve këtej dhe andej kufijve.

Një debat që nuk i shërben askujt veç ideatorëve të linjës përça e sundo në kalendat e ballkanit perëndimor dhe më tej.

Nuk është asgjë tjetër, por vazhda e tezës së mësipërme se për bythën e vet lidershipi i Tiranës ja lëron nënën me qejfin më të madh edhe vet çështjes kombëtare. Nëse lidershipi në Kosovë nuk e ka kuptuar këtë do të thotë se është infektuar nga Tirana. Skupet janë të modës në Tiranë. Bëhet zhurmë denoncimesh dhe aty rrinë. Nga ana tjetër prirja qytetare është e lidhur shumë pas njëshave ndaj e kanë të pamundur rrotacionin. Në Kosovë nuk ndodh kështu, kësisoj rrijini larg Tiranës zyrtare dhe sidomos kësaj të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Ndryshe keni në rënë në grackën e zgjatjes së pushtetit të tyre, sidomos Edi Ramës. Shoh shumë indinjatë në faqet personale tuajat por më dhimbet, më vjen t’ju kujtoj se po bëheni të pa aftë si shqiptarët në dheun amë. Na mëshironi dhe kaq se neve na ka plasur cipa me kohë, jemi me shumicë teknokratë, unionista të Perandorisë Otomane, ish Jugosllavisë, Bashkimit të Republikave Sovjetike, Kinës së Maos, nuk ka atdhe për ne. Atdheu tek ne fillon dhe mbaron tek shallvaret e Ramës, xheli i Lulit që pret radhën, mban ca leksione me nga 10 veta dhe pret radhën. Shqipëria për momentin donte një opozitë që të thyente brinjët, por nuk e ka. Ashtu sikundër nuk ka edhe një votues që të hante nofullat. Ka një votues që voton një person për 16 familjarët e tij, mjafton t’i japësh 100 mijë lekë të vjetra dhe aq. Shqipëria amë feston më 29 nëntor ditën e Çlirimit për arsye se më 29 nëntor u themelua ish Federata Jugosllave, kurse ju i indinjoheni shtetit amë. Shteti amë është për tu qarë, jo për t’ju indinjuar.Këto janë fjalë zemre vëllezër, ndaj bëjeni Kosovën siç dini ju se mbase kështu na ndihmoni edhe ne.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Ndjesia e Lige

Në Vjenë prezantohet “Fitorja diplomatike e UÇK-së”

November 11, 2019 by dgreca

Shkruan nga Vjena:Hazir MEHMETI/

     8 nëntor 2019, Vjenë- Në Vjenë nisi shënimi i Nëntorit Historik Shqiptar me promovimin e librit  më të ri të Dr.Sabri Kiçmarit, “Fitorja diplomatike e UÇK-së. Salla e bukur ku  qytetarit vjenez i ofrohet art, letërsi e kulturë “Kunstraum”, në qendër të qytetit, si  asnjëherë më parë ishte e mbushur me bashkatdhetarë të ardhur  nga e gjithë Austria. Melodia në harfë bashkëdyzonte me ambient arti të cilave sonte iu shtua ngjyra kuqezi shqiptare me tri shkronja emblematike UÇK. Aty, jehona e tyre në diasporë që nga koha kur skuqej dheu shqiptar për liri. Dr. Sabri Kiçmari u prit nga mërgimtarët në kryeqytetin austriak me nderim e respekt ashtu siç u prit në Austri si  ambasadori i parë i Republikës së Kosovës. Një vazhdimësi në kohë, aty ku ishte caktuar njëzet  vjet më parë në përcjellje të zërit të luftës së UÇK-së për liri, tani do kthehet me Fitoren diplomatike të saj. 
        Mbrëmjen e nderoi me praninë e tij Roland Bimo, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri dhe e diplomatëve të tjerë nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Raland Bimo përshëndeti të pranishmit në emër të institucionit që ai drejton dhe e përgëzoi autorin e librit, Sabri Kiçmarin për librin e tij të radhës.
        Në emër të organizatorit, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Aleksandër Moisiu” në Austri, të pranishmit i përshëndeti Anton Marku, kryetar. “Ndihemi të nderuar me praninë e juaj sonte kur po promovojmë veprën e radhës të mikut tonë, studiuesit dhe diplomatit Dr.Sabri Kiqmari. Ai është një personalitet i njohur për diplomacinë dhe studiues duke botuar vepra me vlera për shkencën, artin dhe historiografinë kombëtare. Dr.Kiçmari ishte mbështetës i aktiviteteve të Lidhjes sonë sa shërbeu në Austri si Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës. Lidhja jonë e falënderon për mbështetjen e vazhdueshme”, tha mes tjerash ai.

     Pjesë nga biografia e tij lexoi Besim Xhelili, kryetar nderi i Lidhjes, kurse një vështrim rreth librit e mbajti Hazir Mehmeti, publicist në Vjenë. “ Libri i ri  “Fitoren diplomatike të UÇK-së“,  për nga rëndësia, cilësohet me vlera të mëdha historike, një lloj letrar, e shkencor i rrallë në traditën tonë. Shkrimi i natyrshëm me gjuhë të fakteve i shton vlerat e tij përtej një vepre kujtimesh apo ditari personal, kur dihet se autori ishte personazhi i ngjarjeve qe nga vitet e renda për vendin”.

       Bisedën me autorin e librit, Sabri Kiçmari e udhëhoqi me përkushtim, Vlora Jonuzi.   Publiku bëri shumë pyetje rreth librit, motiveve, rrethanave të përfaqësimit të UÇK-së, bisedimet e Rambujesë, bombardimet e NATOS, politika e deritanishme. Në të gjitha pyetjet autori, Sabri Kiçmari, u përgjigj hapur dhe me gjuhë bindëse. “Jam kyçur në politikë që të ndihmoj vendin tim, e jo për përfitime tjera. Vendi ka nevojë për ndryshime të ngutshme pozitive. Kemi ngecur shumë, falë paaftësive të politikës sonë, kjo është indikativë këto dy viteve të fundit”, tha ai mes tjerash. Programin e drejtoi me profesionalizëm Kaltrina Durmishi.
Në fund, për të pranishmit nga organizatori u shtrua koktej rasti. 
            Sabri Kiçmari në faqen e tij për publikun shkruan: “Një organizim i shkëlqyeshëm, në një ambient të përzgjedhur kulturor, me rastin e përurimit të librit tim “Fitorja diplomatike” në Vjenë. Falënderime të përzemërta udhëheqjes së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri Anton Markut, Besim Xhelilit dhe Hazir Mehmetit, të cilët folën për librin dhe punën time si studiues dhe diplomat si dhe Vlora Jonuzit, e cila e udhëhoqi bisedën plot përkushtim dhe Kaltrina Durmishit, për udhëheqjen profesionale të programit. Falënderim të veçantë Ambasadorit të Shqipërisë SHT z. Roland Bimo për fjalën e tij, që më nderon, si dhe diplomatëve dhe zyrtarëve tjerë nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, që ishin të pranishëm. E ndjeva veten të nderuar, që shumë nga pjesëmarrësit kishin ardhur edhe nga vise të largëta të Austrisë për të marrë pjesë. Takimi me bashkëveprimtarë, kolegë dhe miq të shumtë, në një ambient të tillë, lë gjurmë të pashlyeshme”, përfundon z. Kiçmari mbresat nga përurimi i veprës së tij në Vjenë.

                                   ***

                                   Fitorja diplomatike e UÇK-së *

 Hazir Mehmeti,  vështrim,                                                        

Vjenë, 8 nëntor 2019

          Sonte ndihem i nderuar që mu dha rasti të paraqes para jush  librin e radhës të  mikut tonë, ambasadorit të parë  të Republikës së Kosovës në Austri, zotit Sabri Kiçmari, Fitorja Diplomatike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kujtime nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

 Libri “Fitorja Diplomatike e UÇK-së” është një margaritar në mësimin e rrjedhave të rrugës së vështirë deri në realizimin e idealeve për liri në fundshekullin e kaluar. I shkruar natyrshëm me gjuhën e fakteve e bënë librin vepër me  vlera përtej një vepre kujtimesh apo ditari personal, kur dihet se autori ishte personazhi i ngjarjeve qe nga vitet e renda për vendin e pushtuar nga Serbia dhe Jugosllavia.

          Akademik Regjep Qosja në rezymenë e tij rreth librit me tjerash shkruan: “Libri i diplomatit  dhe i studiuesit tonë tashmë të njohur e të çmuar, Sabri Kiçmari, me titullin domethënës, Fitorja diplomatike, është libër i rrallë në krijimtarinë tonë letrare e shkencore, në të cilin janë bashkuar, shumë pajtueshëm, veçanti të kujtimeve dhe të ditarit”. 

Duke qenë bashkë drejtues të ilegales që nga viti 1989 autori na sjell kujtime  nga koha e demonstratave kundër pushtuesve serb e jugosllav, atëherë kur autori përjeton rëndë vrasjen e bashkëluftëtarëve të tij të ilegales, heronjtë e kombit: Ali Ajeti, Afrim Zhitia e Fahri Fazlia, dhe vdekja e Fadil Vates si pasojë e kushteve torturuese të burgut që kishte mbajtur.  Ishte kohë kur Lëvizja Popullore për Çlirimin e Kosovës e sheh rrezikun nga arrestimi, dhe merr vendim që Sabri Kiçmari të vepron jashtë vendit në Evropën Perëndimore. “U gëzova shumë që në përfundim të Konferencës do të bëja dorëzimin e detyrës së Sekretarit Organizativ tek heroi ynë Afrim Zhitia, pasi që për mua u vendos të largohesha jashtë vendit” , shkruan Sabri Kiçmari. Ky veprim ishte i mençur dhe me efekte pozitive të shumanshme të cilat i dokumenton libri që po promovojmë sonte.  Ishte me rëndësi  Mbledhja e Katërt e Lëvizës Popullore për Çlirimin e Kosovës, në gusht të vitit 1993, kur edhe  vendoset  për organizimin e luftës së armatosur, dhe,  përcaktohet koncepti teorike, filozofik e politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo  filozofi e drejtë dhe e arsyeshme do të prezantohet me sukses dhe vendosmëri nga grupi i përfaqësuesve politik të UÇK-së në Evropë. Në shtatorin e vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak i UÇK ës emëron zyrtarisht grupin e përfaqësuesve të saj për marrëdhënieve me jashtë i përberë nga Sabri Kiçmari, Jashar Salihu, Ramadan Avdiu, Rexhë Ibërdemaj, Agush Buja, Mujë Rugova, Bilall Sherifi  dhe drejtuesi i grupit,  Bardhyl Mahmuti.

Diplomacia  evropiane  ruante  koncepte të vjetra, jo të drejta, lidhur me shqiptarët, rrjedhat në Jugosllavi dhe veçanërisht vuante nga paragjykimi ndaj UÇK e cila po rritej çdo ditë, dhe jo pa arsye në çarqe analitike ushtarake botërore,  cilësohej si ushtria më rritur dhe shkruar në shtypin botëror në fundshekullin e njëzet.

           Kjo rritje u shumëfishua veçanërisht pas Epopesë së UÇK-së me 5,6,7 mars të vitit 1998, në Prekaz, kur bie heroikisht Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari,   pikërisht, atëherë kur Serbia  propagandonte shuarjen e saj.  Kjo datë shënon kthesën e madhe veç tjerash, në interesimin botëror për luftën e drejtë të UÇK-në. Ky moment shënon nisjen e fazës intensive të aktiviteteve të grupit  përfaqësues me jashtë të UÇK-së në kontaktet me diplomat dhe shtypin botëror. Rënia heroike e Fehmi Lladrovcit, Xhevë Lladrovcit, Xhemajl Fetahajt ishte sa humbje e madhe, shumë herë më tepër, ishte krenari e frymëzim në fuqizimin e luftës për  liri. Këto sakrifica frymëzim kishin idealin për liri të lagur me gjak nga dëshmoret e kombit mes tyre Zahir Pajaziti që në hapat e parë të formësimit dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Për nga rrjedha e ngjarjeve në libër mund të vërejmë dy faza aktivitetesh: faza e  ndërtimit të botëkuptimeve dhe koncepteve për liri brenda faktorit shqiptar dhe faza e ndërtimit dhe mbështetjes të së drejtës për liri të garantuara me konventat ndërkombëtare  në të cilat ishte e konceptuar filozofia politike dhe lufta e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu mësojmë sa e vështirë dhe e mundimshme ishte të bindet Evropa mbi të drejtën tonë për liri,  në rrethanat e kohës, kur dihet se  diplomacia e vendeve evropiane dhe vendeve tjera vuanin nga sindromi i koncepteve  të të ashtuquajturit “shtetit sovran” edhe kur ai shtet është kolonizator  e vrasës masiv i popujve siç ishte Serbia dhe Jugosllavia.  Argumentet e shtruara në takime me burra shtetesh, diplomat, media e shkruara dhe elektronike tregojnë për sukses të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e faktorit të jashtëm mbi nevojën e përkrahjes së luftës për liri të UÇK-së, si formë e imponuar nga veprimet kriminale të pushtuesit i cili kishte qellim shfarosjen e shqiptarëve me pasojë  pastrimin etnik, si akt i vazhdueshëm gjenocidi shekujve  sipas programeve të memorandumeve të Akademisë Serbe të Shkencave, Kishës Ortodokse Serbe dhe qeverisë serbe si zbatuese e tyre.

  Sabri Kiçmari qe nga intervista e tij në gazetën “Der Spiegel” (12 tetor 1998) dhe  më tutje argumenton luftën e drejtë të UÇK-së, demanton propagandën serbe dhe argumenton mbështetjen vullnetare nga mërgimtarët për UÇK-në. Në intervistat dhe takimet me  diplomat e zyrtarë  do bëhet prezantimin e krimeve serbe kundër civilëve shqiptarë; argumentimin e shkeljeve nga ana e Serbisë të rezolutave të ndryshme që ishin në fuqi; në periudhën e pas Marrëveshjes Rambujesë, përkatësisht në kohën e fushatës ajrore të forcave të NATO-s kundër Serbisë,  si faza vendimtare e epilogut të  luftës në Kosovë.  Tani UÇK-ja kishte ndërtuar struktura komanduese dhe Drejtorinë Politike të drejtuar nga Hashim Thaqi, i cili do jetë edhe drejtues i delegacionit kosovar në bisedimet e Rambujes, Angazhimi i Simbolit të Qëndresës Kombëtare, Adem Demaçit,  si përfaqësues i UÇK-së dhe Akademik Regjep Qosjes  i dha fuqi popullaritetit të UÇK-së duke forcuar pozicionet e saj në planin e brendshëm dhe të jashtëm si faktor pa të cilën nuk mund të vendoset asgjë për të ardhmen e Kosovës. 

Sabri Kiçmari së bashku me grupin përfaqësues njoftonin vazhdimisht opinioni publik, diplomatik, politik e ushtarak ndërkombëtar me gjenocidin që po zhvillohej kundër shqiptarëve në Kosovë si dhe argumentimi i shtruar i humbjes së vlefshmërisë së Marrëveshjes së Rambujesë në raport me statusin e ardhshëm të Kosovës dhe vetë UÇK-së, duke e mbrojtur në këtë rast qëndrimin se zgjidhja e statusit duhet kërkuar përmes referendumit ku do vendoste  populli. Me këmbëngulje u argumentua  mos çarmatosja e  UÇK të si nevojë e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie.  Në shtypin gjerman do shkruhet me theks të veçantë rreth vendimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, duke e cilësuar një fitore diplomatike të UÇK-së.

 Autori me respekt të matur dhe të një diplomati të arsyeshëm rrëfen mbi realizimin e takimeve me personalitet të njohura të kohës:  Wolfgang Ischinger, Cem Özdemir,  Pier Churi, Doris Pack, Wolfgan Schüssel, Jozias van Aartsen, Louise Arbour, Erich Rathfelder, Hans Koschnik,  Tim Judah, Erchard Eppler, Gerhard Jandl, Laszlo Nagy, Jeffrey Fleishman, Alvaro Guitian Garcia, Larry Rossin, Lawarence G. Rossin, Roland Schleicher, H.Hunor, Albert Rohan, Wolfgang Petritsch, Wieland Schneider etj

Vjena ishte dhe mbetet në përgjithësi qendër  me peshë  në historinë tonë kombëtare dhe veçanërisht qendër diplomatike. Këtu  vepruan shumë figura të njohura kombëtare, mes të cilëve: Hasan Prishtina, Faik Konica, Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri,  Eqrem bej Vlora,  në përpjekjet e tyre për liri dhe shtet.  Këtu veproi edhe Sabri Kiçmari me grupin e veprimtarëve të devotshëm nga radhët e mërgimtarëve tanë: Xhevat Xhemajli, Abdullah Abdullahu, Rifat Buzuku, Eset Berani  e shumë tjerë që organizuan demonstrata në përkrahje të gjithanshme për UÇK-në dhe  protesta në gjithë Austrinë në mbështetjen e luftës për liri të në të gjitha format e nevojshme.

         Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri e pa alternativë për mbrojtje të kombit shqiptarë në Kosovë, Kosovë Lindore dhe Iliridë. Ajo lindi nga populli, u formësua nga populli, u ushqye nga populli dhe do mbetet gjithmonë emër i shenjtë për secilin qytetar. Idealet e saja ishin dhe do mbesin liria e barazia për të gjithë pa dallim etnie, bindje apo gjinie. 

           Emri i autorit, Sabri Kiçmari,  këtu bashkëjeton në të gjitha rrethanat që  nga ilegalja e   Lëvizjes Popullore për Çlirimin e Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeverisë  së Përkohshme pas Rambujesë, Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga të cilat  Sabri Kiçmari do caktohet në rolin  e tij diplomatik  si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Evropë, detyrë kjo aspak e lehtë, por e kurorëzuar me  fitore diplomatike e cila  për rrjedhojë solli fitoren ushtarake dhe lirinë e Kosovës. Në këto rrjedha vendimtare për liri, Sabri Kiçmari ishte nga ato personalitet që me dinjitet kreu këtë obligim patriotik kombëtar. Ai  me modestin e tij mes tjerash në emisionin direkt të ARD në Bon, datë, 5 shkurt 1999 deklaron: “Jam vetëm një përfaqësues i një populli që lufton për liri dhe pavarësi”.

      Dhe në fund më lejoni që në emër tuaj ta përgëzoj mikun tonë të nderuar, Sabri Kiçmari duke i dëshiruar shëndet e suksese në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij! 

     Kjo audiencë dhe ky ambient ju dëshiron dhe fton përsëri!                                           

*Kumtesë e mbajtur më 8 nëntor 2019 në Vjenë në promovimin e librit të Dr. Sabri Kiçmari “Fitorja diplomatike e UÇK-së”

Filed Under: Featured Tagged With: Hazir Mehmeti- Fitorja Diplomatike e UCK- Sabri Kicmati

Malësorët bujarë dhe Fondi humanitar Trieshi

November 10, 2019 by dgreca


NGA MARJANA BULKU/

Fondi humanitar Trieshi ka vetëm tri vite jetë dhe numëron me dhjetra ndihma, kontribute dhe investime që komuniteti shqiptaro -amerikan i Trieshit i cili prej dekadash  jeton në Amerikë ia dedikon vendlindjes përmes një projekti infrastrukturor dhe kulturor për zhvillimin e Trieshit.Në studion e Albanian Culture TV në Nju Jork dy nga anëtarët e këtij grupimi humanitar; Zoti Marash Lucaj dhe Pjetër Lucaj prezantojnë me shifra e detaje konkrete projektin e tyre tashmë tre vjeçar i cili po i dhuron vendlindjes së bukur prej natyre , me dashurinë pakufij sa malet e lartë ,dhjetra investime disa mijë dollarëshe të cilat përmirësojnë ndjeshëm jetesën, infrastrukturën  dhe edukimin duke ngjallur shpresë dhe dëshirë për të mos e braktisur tokën që trashëguam prej të parëve tanë. Ata kanë emigruar prej dhjetra dekadash nga vendlindja por është shumë e veçantë lidhja që ata kanë me të; e vizitojnë sistematikisht, e duan, ia dijnë bukuritë, ia njohin problematikën dhe tashmë të mbledhur së bashku në një paketë financiare me shifra e zëra konkretë dhe mbi të gjitha me një transparencë të lakmueshme ata i dhurojnë Trieshit dhe komunitetit që jeton aty ; rrugë të asfaltuara, shtëpi të restauruara për nevojtarët , klasa të pajisura me sistem kompjuterik bashkëkohor, parqe dhe së fundi një bust të Heroit kombëtar Gjerg Kastriot Skënderbeut si simbol mbrojtjes së civilizimit europian të shqiptarëve dhe territoreve shqiptare kudo ku ata jetojnë. Ky investim historik sipas tyre i mohuar në dekadat e kaluara është një detyrim moral trashëguar nga gjyshërit e tyre të cilët bashkë me truall e shtëpi, mall e pasuri u lanë trashëgim edhe simbolet tona ; gjuhë, flamur dhe heronj. Malësorët fisnikë dhe Fondi Humanitar Trieshi  i kanë sytë nga vendlindja; ato shtëpi të braktisura e ato fëmijë që ëndërrojnë ikjen duhet ta ndërtojnë jetën e tyre aty në atë vend që Zoti e ka bekuar me mrekulli gjeografike e ku dora dhe dashuria njerëzore mundet ta bëjë edhe ma të bukur. Dhe kur sheh fëmijët të lundrojnë në internet në klasat e pajisura me kompjutera bashkëkohor dhuratë e Fondit Humanitar Trieshi nuk ke se si të mos jesh mirënjohës për këtë investim që prek të ardhmen.Prioritetet ata i caktojnë vetë jo se nuk kanë bashkëpunim me pushtetin vendor atje por sepse kështu mendojnë se e bëjnë më të besueshëm investimin që malësorët e Amerikës ( Nju Jork, Detroid) ia  bëjnë dhuratë vendit amë të cilin e prekin jo vetëm me mallin dhe dashurinë që nuk shuhet por edhe me ëndrrën për tu rikthyer atje një ditë , pse jo. Teksa i dëgjon të numërojnë këto akte humanitare që përtej vlerës monetare kanë një dashuri të thellë njerëzore pêr vend e gja, mall e pasuri që trashëgim na la i pari nuk ke se si të mos kujtosh kreshnikët e atyre bjeshkëve që u dolën zot trojeve të tyre , nderit e pronës me forcën që u buronte nga kode morale të shkruara e të pashkruara por të thella po aq sa rrënjët tona.

Filed Under: Featured Tagged With: Marjana Bulku- Fondi humanitar Trieshi

MË PAK TË MATUR ME MOSKËN? NJË NGASJE E GABUAR

November 10, 2019 by dgreca

Nga FRANCO VENTURINI/ Nëse kishte ende ndonjë dyshim mbi ndjenjat e Donald Trump-it kundrejt Bashkimit Evropian, kryetari i Shtëpisë së Bardhë  u përkujdes pardje të sqaronte gjëndjen. Gjatë një interviste, të dhënë në mënyrë kuptimplote eurofobit Nigel Farage, Trump-i sulmoi edhe dishepullin e tij Boris Johnson duke e qortuar se synon në një marrëveshje me Brukselin për të arritur Brexit. Dhe kritikës i shtohet një përfrikësim i dukshëm, sepse n’ata kushte SHBA “nuk do të mund” të përfundonin atë marrëveshje të madhe tregëtare në të cilën Londra shpreson mbasi të jetë shkëputur nga Evropa. Deri këtu Trump-i nuk kishte mbërritur kurrë. Dhe nuk mjafton sepse presidenti merret e edhe me ne, duke pohuar se “Italia do t’ishte shumë më mirë pa Evropën”, njëlloj si të “tjera Vende” të pa përmendura.

            Kur këto janë mendimet e aleatit tënd kryesor, kur armiqësia kundrejt Evropës nuk ve gishtin kundër mangësive të saj të shumta por merr një kuptim strategjik për inat të vullneteve të ligjëshme të kombeve të vëna në shënjestër, nuk mjafton  të konstatojmë edhe njëherë se ideologjia e Trump-it është kundërshtare e çdo forme të multilateralizmit dhe e dëshëruar t’i besojë gjithshka krejtësisht  vetëm marrëdhënieve dypalëshe, trysnive tregtare dhe shtrëngesave teknologjike. Bëhet plotësisht normale, për Vendet evropiane të shohin përqark, të kërkojnë alternativa qoftë edhe sektoriale ndaj një fuqie mike që të trajton keq  me ritme të rregullta. Por ka një problem të rëndë: “përqarku” i ynë gjeopolitik quhet Rusi.

            Ka disa muaj tashmë, që nga G7 e Biarritz-it verën e shkuar, që në Evropë bashkëjetojnë një vetëdijesim i qartë dhe një ngasje e fuqishme. I pari ka të bëjë me vartësinë e Evropës nga SHBA për çështjen e sigurisë, e, pavarësisht  veçimit të ri të Trump-it, për atë kulturë të fuqisë së madhe që i lejon opinionit publik amerikan të pranojë ushtrimin e forcës dhe pasojat e saj. Evropa paguan vonesat e saj përsiatësore dhe egizmat e saj financiare në fushën ushtarake, por është prurëse, me përjashtimin e pjesëshëm të Britanisë së Madhe e të Francës, e një kulture të denjë të atij që ka pritur në truallin e tij dy luftëra botërore.

            Ngasja, e hedhur në qarkullim dhe e mbështetur nga Emmanuel Macron, por edhe nga kryesia e rradhës finlandeze, që për traditë kombëtare e njeh mirë Rusinë, e miratuar me zë të ulët nga Gjermania e të tjerë, qëndron në pranimin e faktit se Evropa nuk mundet më t’i besojë vetëm mbrojtjes amerikane. Që do të duhet kohë për t’i dhënë BE (ndoshta) një sovranitet të besueshëm në fushën e sigurisë, dhe që gjëja m’e mirë për t’u bërë shpejt është të kërkojë një bashkëbisedim më të ngushtë me Rusinë. Pa hequr dorë nga sanksionet në fuqi dhe me kusht që Kremlini të bëjë me të vërtetë pjesën e tij në paqëtimin e Ukrainës. Atëherë e vetëm atëherë mund të bëhet e mundur të thirret Rusia në një përcaktim  të ri të sigurisë evropiane. Vizioni i Macronit ka meritën të jetë i guximshëm, por është i gabuar. Sepse presidenti francez, siç bën shpesh, ka shkuar përpara duke parapëlqyer protagonizmin vetiak kundrejt këshillimeve me ortakët. Sepse ka ndodhur një përthellim i çarjes evropiane ndërmjet Perëndimit e Lindjes mbi temën Rusi, me Poloninë, Vendet Balltike dhe Rumaninë, që duket se jetojnë (e gabojnë dhe ato) në frikën e vazhdueshme të një sulmi ushtarak të Putinit të pabesë. Mbi të gjitha ka gabuar Macroni sepse një hapje gjeopolitike e fuqishme kundrejt Rusisë, si kundërveprim i shpalljeve të Trump-it, sot do të përfaqësonte një ikje përpara të paracaktuar të mbetej e brishtë.

            Vladimir Putin sapo ka stërfituar ndeshjen e ndërlikuar siriane, edhe se Trump-i ka rifituar pjesërisht terren me vrasjen e “kalifit” Al – Bagdati. Përtej Sirisë, nga ana tjetër , kryetari i Kremlinit duket se nuk gabob asnjë goditje, gjë e cila nuk mund të thuhet për Trump-in që nga Koreja e Veriut deri në Afganistan dhe, pse jo edhe n’Evropë. Por Putini që fiton jashtë rrezikon të humbasë në shtëpi. Miratimi i brëndshëm është ulur shumë, edhe se mbetet mbizotërues për mungesë të rivalëve të vërtetë. Ekonomia duron harxhin e ndërmarrjeve luftarake jashtë derës, por duhet të bëjë llogari me çmimet e ulta të naftës, sanksionet dhe mungesën e reformave gjithmonë të premtuara por të pasendërtuara asnjëherë. Veçanërisht e shëmtuar, siç vërente New York Times në një korespondencë të tijin, është bërë shtypja e kundërshtimit dhe të çdo forme mos angazhimi. Kolegia Svjetllana Propokieva është dënuar me shtatë vjet pune të detyruar për favorizim të terrorizmit sepse, duke shkruar për një vajzë që ishte vetëhedhur në erë në një zyrë policie, ka krahasuar veprimin e saj me ata të revolucionarëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Një burrë që përshkonte Rusinë duke thënë se Putini ishte një djall që duhej përzënë me yshtje u shtrua në një institut të veçantë në Siberi. Gjëmba në brinjë si më i njohuri Alexej Navalni janë të mbikqyrur vazhdimisht nga shërbimet e fshehta. Ashpërsimi gjithënjë e më i madh i “demokracisë iliberale” ruse përkon me hapat e parë të luftës për pushtet që mundet vetëm të përkeqësojë gjërat me afrimin e 2024, viti në të cilin Putini duhet te lerë Kremlinin.

            Maturia, për të cilën Macroni nuk është një shembull, kundrejt Rusisë është domosdoshmëria më e pakët për Evropën që kërkon hapësirën e saj ndërmjet Trump-it dhe Putinit (Pa harruar Kinën). Të gjindet një strategji e barazpeshuar por jo e shtruarshëme, më shumë kërkuese kundrejt Rusisë dhe e aftë të kundërveprojë kundrejt Trump-it, duhet të jetë përparësia e vërtetë e Komisionit të Ursula von der Leyen, kur më së fundi ai do t’arrijë të vendoset. Është me të vërtetë e trishtuar që Italia nuk është në gjëndje të japë ndihmesën e vet, e dalë boje siç është nga kapitujt shërbimet sekrete e Russiagate, Hotel Metropol dhe premtime të tradhëtuara.

            “Corriere della Sera”, 1 nëndor 2019      E përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Franco Venturini-Moska- President Trump-Eugjen merlika

NËNTORIADA OSE FESTIMI I ZISE

November 10, 2019 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/Për afër gjysëm shekulli nëntori për shqiptarët qe muaji i shumëpritur i festave. Festoheshin me rradhë të gjitha datat e shënuara të lindjes e të fitores së komunizmit. Fillohej nga dita e grushtit të shtetit bolshevik të 1917 ës në qytetin e Pjetrit të parë, për të pasuar në përkujtimin e themelimit të partisë komuniste shqiptare nga Miladin Popoviçi, i dërguari i posaçëm i Josif Broz Titos për Shqipërinë. Muaji përfundonte me festën e madhe të “çlirimit” të 29 nëntorit, që eklipsonte atë të një dite më parë, e vetmja ditë me të vërtetë e shënuar në historinë e gjatë të vendit.

            “ Nëntoriada” qe për dhjetëvjeçarë me rradhë burim frymëzimi për poetë e artistë të të gjitha përmasave e festat e nëntorit gjithmonë burim shprese për qindra e mijra  të burgosur politikë që prisnin me ankth vite me rradhë një gjest “zemërgjërësie” të Zeusit të Olimpit në drejtim të tyre. Për gjithë periudhën e gjatë të sundimit komunist historia u shkrua simbas orekseve të fituesve, u tjetërsua e u interpretua simbas shijeve dhe interesave të tyre. Kështu komunistët qenë të parët që luftuan e u sakrifikuan për të çliruar Vendin, qenë të parët që ju kundërvunë pushtuesve nazifashistë e fitoren e arritën me gjakun e 28000 dëshmorëve, qenë të vetmit  që luftuan në mënyrë të papajtuar me “ armiqtë më të mëdhenj të lirisë së njerëzimit”, fashistët italianë e nazistët gjermanë. Ndofta  shumëkujt spontanisht gjatë asaj kohe i vinin pyetje që ngelnin pa përgjigje ose akoma më keq mbeteshin të pashprehura.

            Dihet se Shqipëria u pushtua më 7 prill 1939, kur ende lufta e dytë botërore nuk kishte filluar. Do të kalonin ende disa muaj para se korridori i Gdanskut të bëhej shkëndija e atij zjarri të stërmadh që do të pushtonte Evropën. Nga 1939 deri më 1941 qëndresa kundër italjanëve ishte diçka sporadike dhe e paorganizuar. U krijuan aty këtu çeta luftëtarësh, kryesisht me orjentim monarkist, që nuk pajtoheshin me pushtimin. Kuptohet se efektiviteti i veprimit të tyre ishte tepër i vogël, si pasojë e ndryshimit të madh të raportit të forcave në fushë. Komunistët, që për gjysëm shekulli kanë rrahur gjoksin e kanë stërfolur për meritat dhe vetmohimin e tyre në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, i anashkalojnë historisë dhe ngjarjeve të atyre dy viteve, që në terma kohe përbëjnë gati gjysmën e gjithë  “epopesë”  së shkruar. Eshtë folur e shkruar për demostrata të mëdha të zhvilluara në Tiranë e qytete të tjera e të drejtuara nga komunistët e personalisht nga Enver Hoxha. Nuk i përgjigjen së vërtetës këto pohime, mbasi udhëheqësi i ardhshëm i partisë në atë periudhë englendisej në librarinë Flora dhe në rrethet shoqërore të borgjezisë, ku pranohej në sajë të lidhjeve farefisnore. Qetësia relative, pothuajse miratuese, e komunistëve në këta dy vite shoqërohej me argumentime teorike, simbas të cilave pushtimi kishte dhe anët e tij pozitive mbasi do të jepte ndihmesën e tij në krijimin e klasës puntore, si pasojë e futjes së marredhënieve kapitaliste në prodhim. Më vonë këto teori u konsideruan disfatiste e ju veshën atyre komunistëve që nuk pranuan të venë në qafë kularin e Miladin Popoviçit.

            A ishte i rastësishëm pasiviteti i komunistëve shqiptarë në këta dy vite, ishte pasojë e mosorganizimit, e grindjes mes grupeve të ndryshme siç është servirur në libra e në propagandë? Po të hedhim vështrimin më larg, në marredhëniet ndërmjet komunizmit botëror me qëndrat e tij drejtuese Kremlinin dhe Kominternin me Boshtin qëndror e kryesisht Gjermaninë hitlerjane, do të kuptojmë më mirë arsyen e vërtetë të atyre qëndrimeve. Më 23 gusht 1939, vetëm dhjetë ditë më parë se të shpallej lufta, në Moskë ministri i jashtëm gjerman, baroni fon Ribentrop nënëshkroi një “pakt mossulmimi” me kolegun e vet sovjetik Molotov. Ai nuk ishte thjesht një angazhim i ndërsjelltë i dy shteteve më të fuqishme diktatoriale të kontinentit për të mos sulmuar njëri tjetrin, por ishte një marrëveshje banditësh për të rindarë territore e skllavëruar popuj. Efektet qenë të menjëherëshme me ndarjen e Polonisë dhe pushtimin e republikave pribaltike.

            Ai traktat ishte përfundimi i një sërë konsideratash e llogarish, që në strategjinë e dy diktatorëve më mizorë të shekullit do të ndryshonte historinë dhe gjeopolitikën e Kontinentit e të globit. Ai traktat u pasua nga të tjera marrëveshje të fshehta e të hapura, që filluan të ndryshojnë dhe qëndrimin zyrtar të dy Vendeve e propagandave përkatëse karshi njëri tjetrit. Stalini kishte lavdëruar luftën “ antikapitaliste “ të Gjermanisë kundër Anglisë e Francës, “ shkaktarët e vërtetë të luftës “ simbas Molotovit. Më 7 shtator 1939 Stalini i njoftonte Dimitrovit, sekretar i parë i Kominternit, se “ nuk do të ishte keq nëse Gjermania do të dobësonte pozitat e kapitalistëve më të pasur (veçanërisht të Anglisë )”. Si pasojë e strategjisë së re të BS e të Stalinit direktiva e Kominternit qe e prerë:” Qëndrimi i mbrojtjes kombëtare është i papranueshëm për komunistët në këtë luftë (…) çështja e fashizmit luan sot një rol të dorës së dytë, çështja kryesore përfaqësohet nga lufta kundër kapitalizmit, origjina e të gjitha luftrave. Taktika e Frontit popullor nuk është më e zbatueshme.” Të gjithë morën nga Moska udhëzimet për “ t’i çjerrë maskën legjendës së natyrës antifashiste të luftës”. Filluan në seri autokritikat aspak dinjitoze, në stil shqeto komunist  të udhëheqësve të partive komuniste, që gjithmonë kishin zbatuar direktivat, por që tani duhet të merrnin mbi vehte barrën e ndryshimit të tyre…Francezët pranuan se kanë gabuar në të besuarit e    “legjendës së karakterit antifashist të luftës”, ndërsa ajo kishte karakter imperialist me piksynim diktaturën e kapitalit !!??. Palmiro Toliati pranonte se Musolini ka përmirësuar kushtet e punonjësve në Itali dhe deklaronte: “ Un nuk ve në qendër luftën për të rrëzuar  Musolinin “. Ishte 7 mars 1941!!!

Kur në prill të 1940ës Gjermania pushtoi Danimarkën dhe Norvegjinë, shtypi komunist, si gjithmonë zëdhënes besnik i partive komuniste, ja ngarkonte përgjegjësinë kryesore jo Gjermanisë, por kundërshtarëve të saj dhe vetë viktimave të agresionit, ndërsa Qeveria sovjetike i uroi privatisht Gjermanisë “ sukses të plotë në nismat e saj mbrojtëse “. Më 25 nëntor 1940, plot 80 vite më parë, Molotovi thirri ambasadorin e Gjermanisë në Moskë për të firmosur një marrëveshje historike. BS kishte vendosur të bashkohej me boshtin Romë-Berlin-Tokio për të thyer fuqitë pluto-judaike- masonike, siç quheshin rëndom në propagandën komuniste e fashiste demokracitë e Perëndimit. Ky vendim ishte përgjigje e kërkesës së Hitlerit bërë verbalisht Molotovit gjatë vizitës së tij në Berlin disa ditë më parë.    

Synimet e BS në këtë situatë idili dhe sinkronizimi me Gjermaninë naziste gjatë viteve 39 – 41 ishin në përfitimet territoriale në pjesët e perandorisë britanike që konsiderohej në shpërbërje e sipër, në shtimin e influencës në Ballkan e në përpjekjet për kontrollin e ngushticave, pika strategjike me rëndësi të jashtzakonëshme në kohë lufte e paqeje. Gjermania ishte e interesuar t’a kishte në anën e saj kollosin rus për të gjunjëzuar qëndresën angleze e në shërbim të këtij synimi Ministria e propagandës naziste ndaloi çdo “ qëndrim kundër marksizmit dhe bolshevizmit në shtyp dhe në propagandën gjermane “ si pasojë e një protokolli shtesë të fshehtë të paktit Ribentrop-Molotov. Më 19 korrik 1940, në një fjalim të mbajtur në Rajshtag, Fyhreri deklaronte:  “Marredhëniet ruso- gjermane janë përcaktuar përfundimisht… çdo shpresë se mund të lindin tensione të reja  është foshnjarake.” Autoritetet gjermane theksonin faktin se “ për Gjermaninë dhe Rusinë punët kishin vajtur mirë gjithmonë kur kishin qënë mike dhe keq kur kishin qënë armike”.

Kjo ishte atmosfera e marredhënieve mes dy sistemeve totalitare në dy vitet e para të luftës. Ajo u prish me sulmin rrufe të gjermanëve, për të cilët traktatet ktheheshin në copa letre të grisëshme, sapo t’ua kërkonte interesi, më 22 qershor 1941. Çfarë nuk vazhdoi të funksjononte në mekanizmin koordinues të strategjisë globale të dy diktaturave? Deliri i plotfuqishmërisë së Hitlerit që mendoi se në pak kohë do të asgjësonte, nëpërmjet forcës, kërkesat, gjithnjë në rritje, të Stalinit për pushtet në skakjerën botërore. Si drita e diellit është e qartë se nuk ishin motivet e idealevet apo të ideologjisë ato që përcaktuan ndarjen mes dy tiranëve, qenë çështje interesash e vlerësime të gabuara të forcave. Marredhëniet e ngushta mes dy tiranive ishin shprehje dhe rezultat i përkimit të interesave. Gjithshka tjetër, që propaganda e kohës motivonte, ishte një fletë fiku që shërbente për të mbuluar të vërtetën e për të trullosur dhjetra milionët që do të bëheshin mish për top.

Kështu lufta për “ mbrojtjen e lirisë së popujve dhe idealeve të demokracisë” që, për më shumë se një gjysëm shekulli, bota  komuniste e shpalosi pa prerë si motivin kryesor të sakrificave e të fitores mbi nazifashistët, ishte një mashtrim i përbindshëm në dritën e së vërtetës historike, të fakteve e dokumentave. Po ashtu ishte një tjetër mashtrim “lufta kundër komunizmit”, që propaganda nazifashiste e kishte vënë në qendrën e argumentave të saj për të justifikuar tragjedinë më të madhe të historisë së kontinentit.

Në këtë kontekst mungese parimesh e idealesh dhe komunistët shqiptarë nuk mund të bënin përjashtim. Ata soditën të kënaqur frutet e bollëkut që solli Italia deri në vjeshtën e vitit 1941, ishin në letargji derisa Titoja, prokonsulli i Stalinit për Ballkanin, nëprmjet të dërguarit të tij të posaçëm, Miladin Popoviçit, do t’ju kujtonte se kishte ardhur koha të organizoheshin e të luftonin mbasi  “atdheu i socializmit” ishte në rrezik. E gjithë vepra e tyre konsistoi në zbatimin e urdhërave që sillnin nga shtabi qëndror i ushtrisë jugosllave Popoviçët, Mugoshët, Stojniçët, Tempot etj emisarë të druzhe Titos. Dëshmi e këtyre qëndrimeve janë themelimi i Partisë në tre ditë mbas tre vite kundërshtish e mosmarrëveshjesh të grupeve komuniste, vënia në krye të saj e një personazhi të lakueshëm e të paaftë kur në orbitën e botkuptimit komunist shqiptar kishte personalitete të forta si Llazar Fundo, Zef Mala, Sejfulla Malëshova, Sadik Premtja etj., prishja ë njëanëshme e marrëveshjes së Mukjes, asgjësimi gradual e sistematik i elementëve të shëndoshë e atdhetarë në gjirin e lëvizjes, thika e ngulur mbas shpine çështjes kombëtare nëpërmjet mungesës së këmbënguljes për thirrjen e referendumit për vetëvendosje në Kosovën e pasluftës, kompromiset e heshtjet kriminale në kurriz të mijra viktimave të vëllezërve të Kosovës.

Po t’i shtojmë kësaj tablloje gjysëm shekulli terrori nën hijen e kultit të Stalinit, mungese lirie, varfërie skajore, prapambetje proverbiale, sakrificash pa fund për të ndërtuar bunkerë më duket se festat e nëntorit, duke përjashtuar ditën e ndritur të Pavarësisë, meritojnë të kthehen në ditë zie.

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika-NËNTORIADA OSE FESTIMI I ZISE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 830
  • 831
  • 832
  • 833
  • 834
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT