• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MASAKRA E TIVARIT DHE RISHKRIMI I HISTORISË

April 5, 2024 by s p

(Me rastin e 79-vjetorit 1945-2024)

Ndër ngjarjet tragjike të popullit shqiptar që ka të bëjë me Luftën e Dytë Botërore është Masakra e Tivarit e cila ka ndodhur me 1 prill 1945. Në këtë masakër të realizuar nga njësitë ushtarake të Jugosllavisë aty janë likuiduar një numër i madh shqiptarësh nga Kosova, me përmasat e gjenocidit, të cilët ishin mobilizuar për të ndjekur okupatorët gjermanë në pjesën perëndimore të ish-Jugosllavisë. Mobilizimi i tyre në Kosovë ka pasur një prapavi të caktuar politike sepse si qellim kishte spastrimin e Kosovës nga shqiptarët për të realizuar në praktikë pushtetin ushtarak i cili ishte vendosur nga data 8 shkurt 1945, duke bërë riokupimin e Kosovës, pa përfillur parimet e Kartës së Atlantikut, me pasoja për shqiptarët që është dëshmuar në vitet vijuese.

Nail Draga

Me 1 prill u bënë 79- vite(1945-2024) nga Masakra e Tivarit, ku u likuiduan në mënyrën më mizore shqiptarët nga Kosova. Sipas të dhënave del se ky numër shkon minimalisht nga 1560 shqiptarë, ndërsa sipas disa përllogaritjeve arrinë deri në 3764 persona. Fjala është për shqiptarët të cilët ishin të mobilizuar si regrutë ne aradhat partizane për të ndjekur armikun përfundimisht nga territori i ish-Jugosllavisë.Por, edhe pas shtëdhjetë e pesë vjetëve kjo tragjedi ende nuk është ndriçuar nga studiuesit e ndryshem nga vet fakti se gjatë periudhës së sistemit komunist marrja me një ngjarje të tillë ishte e pa preferueshme dhe me pasoja për autorët.

Edhe pse ne popull dihej për ketë tragjedi dhe përshperitej për numrin e të vrarëve, saktësisht pak kush dinte të dhëna të sakta, sepse arkivat për shqiptarët ishin nën embargo, madje dokumentët gjegjëse ka mundësi që janë zhdukur nga ato të cilët kanë realizuar ketë masakër.

Dëshmi autentike e atyre që përjetuan masakren

Por, vetëm pas dështimit të sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit nga viti 1990, opinioni i gjërë filloi të njihej më ne detaje për ketë masakër, e ate duke iu falenderuar dëshmitarëve autentik të cilët kishin shpëtuar nga kjo kasaphane tipike naziste e bërë nga pjesëtarët e aradhave partizane jugosllave gjoja “nacional-çlirimtare”. Dhe janë këto individ të cilët e përjetuan personalisht ketë masakër të cilët kanë dhënë kujtimet e tyre për ketë kalvar të shqiptarëve nga mobilizimi i tyre në Kosovë dhe rrugëtimi ne relacionin Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar.

Ndër ta bën pjesë edhe Azem Hajdini-Xani i cili opinionit i ka dhuruar librin “Tragjedia e Tivarit”, botuar në Shtutgard në Gjermani në vitin 1990, dhe më pas ribotuar në Prishtinë në vitin 1998. Po ashtu ky autor ka botuar edhe një botim tjetër me titull ”Masakra e Tivarit”-Memoare, Prishtinë 1998, duke prezentuar dëshmi autentike të personave të cilët kanë mbetur gjallë. Edhe pse ne ndërkohë janë botuar edhe disa studime nga autor të tjerë për ketë masakër(M.Pirraku. U.Butka etj.), botimi i këtyre materialeve nga autori i cili e ka përjetuar drejtëpëdrejt ketë masakër për momentin shërben si lëndë bazë dhe e domosdoshme për të trajtuar ketë tragjedi të bërë nga komunistet ne prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sepse arkivat ende janë të mbyllura për hulumtuesit shqiptarë.

Nisja nga Prizreni për në Tivar

Për të bërë plotësimin e Armatës IV të Jugosllavisë, për në Frontin VP të bregdetit të Adriatikut ne saje të të dhënave të publikuara del se ne mars dhe prill të vitit 1945, u deportuan 22.017 luftëtarë shqiptarë nga Kosova. Ata janë deportuar ne formacione ushtarake të cilat quhen eshalone qe gjatë muajve mars-prill 1945 nga Prizreni për në Tivar gjithsejt ishin gjashtë eshalone të tilla. Kështu në mars janë deportuar tre eshalone; eshaloni i parë, me 3.700 luftëtarë, niset nga Prizreni më 24.3.1945 dhe arrin në Tivar më 29.3.1945; eshaloni i dytë, më 4.700 luftëtarë, niset nga Prizreni më 26.3.1945 dhe arrinë në Tivar më 31.3.1945 dhe eshaloni i tretë me 2.700 luftëtarë shqiptarë, niset nga Prizreni me 27.3.1945 dhe arrin në Tivar më 1 prill 1945. Ndërsa gjatë muajit prill janë deportuar edhe tre eshalone të tjera: eshaloni i parë me 1.506 luftëtarë niset nga Prizreni më 19 prill 1945, eshaloni i dytë me 2.601 luftëtarë niset nga Prizreni më 20 prill 1945 dhe eshaloni i tretë me 1.216 luftëtarë niset nga Prizreni më 24 prill 1945.Ndërsa më pas nga Prizreni niset një eshalon i veçantë me 5.323 luftëtarë shqiptar, nga Maqedonia ne ditët e para të prillit të vitit 1945.

Pse po largoheshin luftëtarët nga Kosova

Duke marrë parasysh se operacionet luftarake kundër nazistave gjermanë ne Luftën e Dytë Botërore kishin marrë fund nga fundi i viti 1944 me të drejt bëhët pyetja se pse i deportuan luftëtarët shqiptarë nga Kosova. Përgjigja ishte e qartë sepse planifikohej një hakmarrje ndaj shqiptarëve të Kosovës për humbjen qe kishin përjetuar formacionet ushtarake të partizanëve jugosllavë ne luftën ndaj luftëtarëve të Shaban Polluzhës. Ndërsa nga ana tjetër si qellim ishte largimi nga Kosova i atyre luftëtarëve të cilët mund të bëjnë rezistencë për vendosjen e pushtetit ushtarak serb, gjegjësisht ripushtimin serb të Kosovës, ne saje të vendimeve të më vonshme.

Të mobilizuarit iu ngjanin robërve

Edhe pse të gjithë të tubuarit nga anë të ndryshme të Kosovës kishin premtime se do të deportoheshin me statusin e luftëtarëve për të ndjekur armikun ne vijen e frontit në veriperëndim të Adriaktikut(Istër-Slloveni), nga momenti i parë në Prizren u verejt se do të jetë tërësisht ndryshe.Nëse deri aty ata ishin të armatosur dhe të përcjellur me oficerë shqiptarë, më tu nisur nga Prizreni përcjelljen e moren oficeret serbo-malazez, ndërsa po ashtu u detyruan për të dorëzuar armet me pretekst se rruga është e gjatë dhe do të lodheni pa nevojë, pra, ata u nisen nga Prizreni të paarmatosur, të pa ushqyer, të lodhur, të paveshur, dhe ne kushte higjenike të papërshtatshme. Ishte ky eshaloni i dytë që është nisur nga Prizreni më 26 mars, ku pjesëtarët e tij do të përjetojnë gjenocid të pa parë ne qytetin e Tivarit të Ri.

Gjatë rrugës atyre iu ndalohej dalja nga kolona qoftë për të pirë ujë apo kryer nevoja fiziologjike. Kush kishte guxim të vepronte ndryshe e pësonte me jeten, sepse pushkatohej në vend. Nga një sjellje e tillë e oficerëve përcjelles të cilët vrisnin kur kishin dëshirë e flisnin fyerjet më vulgare ndaj shqiptarëve tash të gjithë e kishin të qartë se nuk janë më luftëtarë por iu ngjanin robërve të luftës. Dhe nga një situatë e tillë dramatike gjatë rrugës deri ne Shkodër numri i të vrarëve kishte arritur deri në 800 luftëtarë të cilët janë gjuajtur në lumin Dri, Bunë etj.

Pamjet e Tivarit paralajmëronin masakren

Me të arritur në Tivarin e Ri është vërejtur një moblizim i madh i popullatës vendore ku me ta ishin së bashku edhe njësitë ushtarake të Brigadës së Dhjetë Malazeze, të armatosur ne çdo aspekt, athua se janë duke pritur njësitë e armikut. U pa qartë komploti dhe gracka e pregatitur, por ata prisnin vetëm shkasin.Ne qendër të Tivarit të Ri pasi i kanë udhëruar për të pushuar ne afërsi të tyre ishte një krua, ku shqiptarët shprehen kërkesën për të pirë ujë, por oficeret reaguan ashper duke mos iu mundësuar dhe fyer ata ne aspektin nacional, duke vrarë tre shqiptarë, ndërsa nga plumbat e tyre kishin vrarë “gjoja” një ushtarë malazias. Ky ishte një tjetër pretekst për të vrarë shqiptarë, andaj për ketë “vepër “ e cila nuk ishte bërë nga shqiptarët ata pushkatuan 100 ushtarë shqiptarë, sikurse nazistatët gjermanë kohë më parë. Nga kjo e papritur shqiptarët ishin të vetdijshëm se një tragjedi e tillë nuk do të përfudnoj më kaq, sepse ishin të rrethuar nga të gjitha anët.

Ndërtesa e Monopolit të Duhanit ferri i shqiptarëve

Ata më pas ne kolonë i detyruan të ecin dhe i vendosen ne objektin e Monopolit të Duhanit në afërsi të portit.Ishte kjo një ndërtesë tre katëshe, ku i detyruan të hyjnë brenda ndërsa të tjerët u vendosen në oborr, pra të gjithë grumbull e jo ne kolonë, sepse kështu mundësia për ti shfarosur ishte më e madhe. Dhe nuk ka vonuar shumë ne të gjithë shqiptarët si brenda ne ndërtesë e ne oborr është qitur me të gjitha mjetet luftarake rreh dy orë dhe ne oborr dhe shesh ku ishin rreth 3000 veta nuk mbeti njëri i gjallë në këmbë, sepse u bë kasaphanë e vërtetë dhe kudo u bë lumë gjaku. E tërë kjo masakër ka zgjatur rreth një orë e gjysmë duke filluar në ora 14 të datës 1 prill 1945. Patën fat të shpetojnë vetëm ata qe ishin ne katin e lartë të ndërtesës, dhe disa nga eshaloni i parë të cilët për momentin ishin në Tivarin e Vjetër. Por, tragjedia nderpritet duke iu falenderuar një automobili i cili brenda kishte disa vëzhgues amerikanë, të cilët më gjasë kishin dëgjuar të shtënat e armëve dhe kishin ardhur për të parë vendin e ngjarjës.Por, kriminelet iu dolën përpara dhe i binden të largoheshin dhe të vazhdojnë rrugën për në Ulqin.Pra, nga frika se do të zbulohet krimi, ata u detyruan ta nderpresin plojën. Ishte kjo një rastësi që të shpëtojnë disa luftëtarë kosovarë, të cilët do të jenë dëshmitarë të kësaj masakre, edhe pse qellimi i forcave shfarosëse të partizanëve jugosllavë ishte për ti vrarë të gjithë për të mos pasur dëshmitarë.

Mungojnë varret e të masakruarve

Me pas u mobilizuan të gjithë qytetarët si pleq, gra, të rinj, punëtor e ushtarë për të pastruar oborrin për të humbur gjurmet e kësaj vepre mizore. Me kamion kanë ngarkuar të vrarët dhe të plagosurir për ti deportuar ne varreza të ndryshme kolektive. Madje ne ketë transport kanë angazhuar edhe ata shqiptarë të cilët kanë mbetur gjallë.Ende nuk dihet se ku janë bartur kufomat dhe varrosur ata. Bëhet fjalë për disa vende si ne Tivarin e Vjetër, Tugjemil, Zalef dhe ne një shpellë ne malin e Vollujicës pranë detit. Por, nuk ka dilemë se pjesen më të madhe të tyre e kanë gjuajtur në det.

Bëhët pyetja sa janë vrarë ne këtë masakër, e sa kanë mbetur gjallë.Pasi nuk ka të dhëna arkivore, andaj i vetmi burim është A.Hajdini-Xani i cili thot se të gjallë kemi mbetur 810 individ, ndërsa nga Kosova janë nisur 4700 luftëtarë, nga del se gjatë rrugës dhe ne ketë masakër janë vrarë e zhdukur 3.890 shqiptarë të Eshalonit të dytë dhe 420 të Eshalonit të parë, pra gjithsej 4310 individ kanë humbur jetën, çështje që mbesin për hulumtime..

Ne këtë regji shfarosëse ka pasur raste qe individ të ndryshëm të shpëtojnë dhe të ikin ne drejtime të ndryshme, por edhe aty nëse janë zbuluar janë likuidur, sepse të gjithë shqiptarët janë cilësuar si armiq, nga pushteti ushtarak. Ka raste të veçanta që kosovarët janë strehuar e mbajtur nga familje shqiptare duke iu shpetuar jetën, si ne Tivar, Anë të Malit dhe Krajë, ku për raste të tilla egzistojnë dëshmi autentike.

Objekti i Monopolit të Duhanit në Tivar-vendi i masakrës të 1prillit 1945!

Tragjedia e cila u hesht për vite të tëra

Me të përfunduar lufta dhe kthimi i luftëtarëve kosovarë në shtëpitë e tyre, kjo ngjarje mori dhenë, por ishte me pasoja nëse kërkohej e vërteta pse ndodhi ajo. Madje ata të cilët e përjetuan ishin të kërcënuar nëse debatojnë ne lidhje mbi ketë ngjarje e jo më të kërkojnë që ajo të ndriçohet në tërësi.

Dhe si për ironi të fatit pas kësaj masakre ajo u hesht nga ato të cilët është dashur të flasin dhe ta informojnë opinionin e gjërë për ketë gjenocid të bërë nga partizanët jugosllavë, duke kërkuar përgjegjësi nga ana e tyre.

Por, ndodhi që për këtë masakër te mos flasin kaudrat shqiptare qoftë nga Kosova apo nga Shqipëria por për të parën herë të deklarohet A. Rankoviqi në Kongresin Themelues të PKS më 8-12 maj 1945 i cili ne mes tjerash ka thënë se ”udhëheqesit e eshalonit e nxiten revoltën midis shqiptarëve”, duke planifikuar të vrisnin “ 40 shqiptarë për një luftarë të vrarë”, duke vazhduar se “udhëheqesit tanë hapën zjarr dhe i vranë 300 shqiptarë”. Një e dhënë e tillë edhe pse e minimizuar shumë herë dëshmon se një masakër e tillë ka egzistuar dhe është realizuar nga forcat partizane jugosllave, që ishin të Brigadës së Dhjetë Malazeze, duke mbetur informata e vetme zyrtare për këtë masakër.

Por edhe pse një nismë të tillë ne rrugë institucionale për të prezantuar dhe hulumtuar të vertetën është bërë nga Azem Hajdini si pjesëmarrës i kësaj masakre nga viti 1966 e më pas çdo gjë mbeti vetëm ne nismë sepse pushtetit jugosllav të kohës nuk i ka interesuar e vertëta për ketë tragjedi sepse ishin vetë serbo-malazezët të cilët ishin skenaristet dhe regjisorët e kësaj maskare e cila ishte më e madhja në përfundim të Luftës së Dytë Botërore ne Evropën Juglindore.

Përgjegjësia e udhëheqjes së Shqipërisë

Edhe pse kanë kaluar 79 vite nga masakra e Tivarit, deri më tash nuk kemi pasur rast të lexojmë diçka konkrete ne lidhje mbi ketë tragjedi nga strukturat qeveritare të Shqipërisë. Madje kjo tragjedi nga ana e tyre është heshtur, duke mos u shënuar as ne kalendarin e ngjarjeve historike sepse ata janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbajnë. Sepse si te lejohet që të kalojnë nepër territorin e Shqipërisë eshalone të tëra qytetarësh kosovarë të përcjellur nga ushtarakët serbo-malazez gjoja për të marrë pjesë ne ndjekjen përfundimtare të armikut në Istër e Slloveni, kur Lufta e Dytë Botërore kishte marrur fund.

Nuk ka dilemë se ishte ky një veprim monstruoz dhe antikombëtar i udhëheqjes së Shqipërisë së kohës e cila ka përgjegjësi për masakren e Tivarit. Por, nëse analizojmë rrethanat e kohës që më vonë është njoftuar opinioni i gjërë, as që është pritur diçka konkrete nga udhëheqja e Shqipërisë, ose me konkretisht nga ajo e PKSH, sepse këta ishin si filialë e komunistëve jugosllavë, dhe ishin të indoktrinuar nga ideologjia komuniste si rrallë kush ne Evropën Juglindore. Sepse nga ajo kohë e deri në vitin 1948 me jugosllavet kanë punuar së bashku për të eliminuar armiqet ideologjikë, ku egzistojnë dëshmi të pakontestueshme sepse individë te ndryshëm shqiptarë janë arrestuar në Shqipëri dhe iu janë dorëzuar jugosllavëve, të cilët kanë përfunduar më pasoja tragjike.

Tivari 1945 sikurse Srebrenica 1995

Nuk ka dilemë se Masakra e Tivarit e vitit 1945 është pothuaj identike me masakren e Srebrenicës në vitin 1995 e bërë nga forcat ushtarake serbe ndaj rreth 8000 boshnjakëve. Por, këtu egziton vetëm një dallim sepse krimi në Tivar është bërë pa praninë e forcave ndërkombëtare ndërsa në Srebrenicë është bërë ne prani të tyre, të cilët ishin gjoja me mision për të mbrojtur ketë popullatë. Një rast i tillë analog ka edhe të veçantën tjetër sepse viktimat e Tivarit, edhe sot janë pa varre të identifikuara, ndërsa ata të Srebrenicës janë identifikuar, sepse janë gjetur në varrezat kolektive, më ç’rast është bërë rivarrimi i tyre.

Pjesëmarrësit e Konferencës shkencore, të Monopoli i Duhanit në Tivar (31.3.2013)

Pllaka përkujtimore e cila mungon

Ka ardhur koha qe ne lidhje mbi masakren e Tivarit të formohet një komision i veçantë pranë Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Qeverisë së Malit të Zi.Nuk ka dilemë se ngjarja tragjike e vitit 1945 nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi pushtetin aktual në Mal të Zi, por angazhimi ne drejtim të ndriçimit të kësaj masakre do të ishte ne favor te pushtetit aktual ne rrethana të reja shoqërore e politike.

Edhe pse kanë kaluar 79 vjet nga kjo masakër ende nuk ka të dhëna ne lidhje mbi varrët e të masakruarve, andaj është obligim moral dhe civilizues që ne vendin ku është bërë masakra të ngrihet një memorial apo të vendoset një pllakë përkujtimore ne tre gjuhë për të njohtuar opinionin e gjërë mbi ketë ngjarje tragjike ne vitin 1945 që ka ndodhur në qytetin e Tivarit.

Përfundim

Ndonëse kanë kaluar 79-vite nga data e 1 prilit 1945, kur u masakruan shqiptarët nga Kosova, nga ana e strukturave ushtarake jugosllave të kohës, realizuar sipas një skenari me qellime shfarosëse ndaj shqiptarëve nga Kosova, ajo masakër ia kalon “Natës së Shën Bartolomeut” të Parisit të vitit 1573, që është sinonim për vrasjet masive të kundërshtarëve ideologjikë.

Për këtë tragjedi në kohën e monizmit nuk është guxuar të flitet as të shkruhet se pasojat ishin të mëdha. Çdo informatë ishte në heshtje, sepse politika komuniste e kohës si mision kishte eliminimin e krimeve duke mos i publikuar ato, por e vërteta nuk ka mundur të heshtet.

Vetëm pas rënies së monizmit, të mbijetuarit por edhe disa studiues kanë filluar të shkruajnë artikuj e botime të veçanta, e po ashtu janë përgatitur edhe emisione televizive. Eshtë fatkeqësi që për këtë masakër nuk ka asnjë shënim në librat e shkollave fillore, të mesme e universitare, sidomos nga lënda e historisë, dukuri e cila nuk mund të arsyetohët më asgjë..

Në lidhje me ketë ngjarje tragjike Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në Ulqin, më 30-31mars të vitit 2013, ka organizuar Konferencën shkencore ”Masakra e Tivarit-1945”, me pjesëmarrje të studiuesve nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi. Pas prezantimit të kumtesave për këtë ngjarje(të cilat ende nuk janë botuar) pjesëmarrësit më pas kanë shkuar e vizituar vendin e krimit të Monopoli i Duhanit(31 mars). Ishte ky takimi i parë nga përfaqësuesit e një subjekti të shqiptarëve ku kanë marrë pjesë edhe ish të mbijetuar e kësaj masakre nga Kosova, duke dëshmuar në mënyrë autentike përjetimet e kësaj tragjedie.

Pasi në lidhje me këtë masakër, nuk ka asnjë të dhënë në vendin e ngjarjës, duhet bërë çmos që në ketë vend të ngrihet një memorial i shkruar ne tre gjuhë kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Një memorial i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën, tashmën dhe të ardhmën për të njohtuar opinionin e gjërë mbi ketë masakër që ka ndodhur në qytetin e Tivarit. Në rrethana të reja kur tash Kosova është shtet i pavarur i takon qeverisë së saj të inicojë një çështje të tillë me pushtetin në Malin e Zi.

Andaj ka adhur koha që historia të rishkruhet dhe të thuhet e vërteta për këtë tragjedi, duke eliminuar qasjen ideologjike e pranishme edhe në ditët tona. Në këtë aspekt është obligim profesional të hulumtohen arkivat sekrete të UDB-ës jugosllave, për të hequr hipotekat nga e kaluara ideologjike, që do të jetë në favor të faktografisë shkencore si kudo në botën demokratike.

(Prill 2024)

Filed Under: Opinion

PËR LIBRIN E ANNA KOHEN “FLOWER OF VLORA”

April 5, 2024 by s p

Prof. Thanas Gjika/

Për ta kuptuar më mirë përmbajtjen dhe vlerat e librit “Flower of Vlora – Growing up Jewish in communist Albania” (Lulja e Vlorës – Rritja e ebrenjve në Shqipërinë komuniste) të shkrimtares Anna Kohen, bijë e komunitetit ebre të Shqipërisë, më duhet të jap së pari disa sqarime mbi historinë e këtij populli.

Populli ebre / Jewish, ka një histori tragjike. Mbas peripecish të shumta ky popull arriti të krijonte në territorin e quajtur Palestinë shtetin e vet të lulëzuar të ndarë në dy krahina, krahina veriore quhej Israel dhe ajo e jugut, Jude (si dy krahinat tona Gegëria dhe Toskëria). Kryeqytet i tij ishte Jerusalemi, ku sunduan mbretër të ndryshëm, midis të cilëve u shquan Davidi dhe Solomoni. Mirëpo më vonë ky popull ra nën zgjedhën Babillonase, u kthye në skllav dhe u shpërngul në Babilloni. Pas 75 vjetësh mundi të rikthehej në trojet amëtare e të vijonte jetën e vet. Në shek. VII krijimi i Perandorisë Arabe solli si pasojë shpërnguljen / dbimin e dytë të këtij populli. Kjo ishte shpërngulja më e madhe dhe më e gjata.

Ky popull i shpërndarë në shtete të ndryshme të Europës, Azisë dhe Afrikës mundi të mbijetonte duke u organizuar nëpër komunitete, ku jetonin afër njëra tjetrës familjet e judenjve me sinagogën e tyre (tempullin e fesë). Gjatë shekujve diaspora judaike e humbi gjuhën amëtare dhe pervetetësoi gjuhën e vendit ku jetonte, pra gjuhësisht u asimilua. Në gadishullin Hiberik judenjtë përvetësuan spanjishten si gjuhë shtëpie, në gadishullin Ballkanik përvetësuan greqishten; në Europën Qendrore gjermanishten dhe në Perandorinë Cariste Ruse, rusishten.

Diaspora ebraike ka një meritë të madhe, ajo i dha njerëzimit një fenomen madhështor: mbijetesën si etni kombëtare ndonëse jetoi më shumë se një mijë vjet larg trojeve të atdheut mëmë edhe pasi humbi gjuhën amëtare. Kjo mbrekulli nuk ndodhi rastësisht: Kudo ku shpërndaheshin judenjtë merrnin me vete një kopje të librit “Torahs”, si quhet prej tyre pjesa e parë e “Biblës”. Kapituj të këtij libri u komentoheshin besimtarëve çdo të shtunë prej rabinëve (priftërinjtë e ebrenje) nëpër sinagogat, ose prej kryefamiljarëve në shtëpi. Libri madhor “Torahs” luajti rolin e “Atdheut kulturor / Atdheut virtual” që i mbrojti bijtë e diasporës ebraike nga asimilimi..

Nazizmi gjerman kreu masakrën më të madhe ndaj këtij populli, shfarosi gjashtë milion ebrenj nëpër kampet e internimit. Për shkak të përndjekjes shekullore dhe sidomos të përndjekjes naziste ky popull u quajt “Popull Martir”. Qeveritë e shteteve që fituan luftën kundër nazizmit në vitin 1948 mundën ta krikrijonin shtetin e Israelit në një pjesë të trojeve të lashta amëtare të Palestinës, për t’i krijuar mundësinë e jetesës popullit martir në një shtet të pavarur, këtij populli që i ka dhënë kulturës, artit e shkencës botërore shumë njerës të shquar.

Në trojet shqiptare gjatë pushtimit turk u vendosën disa komunitete ebrenjsh sidomos në qytete si Preveza, Parga, Janina, Vlora, Kavaja, Durrësi, dhe deri në Manastir (Bitola), Shkup, Prizren, Prishtinë, etj. Zyrtarisht Perandoria Osmane i quajti ebrenjtë e Ballkanit “Ebrenj Romanjotë”, dmth të greqizuar.

Në Ballkan ndoshta disa ebrenj ishin tërhequr prej ebrenjve të vendosur më herët. Në Sarandë arkeologët kanë gjetur një shandan judaik të ndërtuar me gurë mozaiku në një dysheme, që dëshmon ekzistencën e një sinagoge judenjsh që në shek V-VI. Ndryshe nga popujt e tjerë populli shqiptar nuk i pa me zili banorët e komuniteteve ebre, por i rajtoi si të barabartë. Madje gjatë L2B populli ynë i mbrojti prej nazistëve gjithë ebrenjtë e Shqipërisë së Bashkuar dhe ata që erdhën nga Gjermania, Austria, ish-Jugosllavia. Bujaria dhe mbajtja në besë e ebrenjve prej popullit tonë rrëfehet me dashuri në faqet e këtij libri. Në vitin 2012 autorja shkoi me gjithë bashkëshortin në fshatin Trevllazër dhe i takoi pasardhësit e familjes së Kadri Lazaj, që kishte strehuar familjen e saj gjatë L2B.

Gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri u shquan disa bij të diasporës ebraike si doktori Nuni Theodhosi, Zino Matathia, Ingjinieri Marko Menahem, përkthyesit at’ e bir Robert & Edvin Zhvarc, etj. Midis tyre shkëlqen dhe doktoresha stomatologe Anna Kohen, mjeke e shquar dhe aktiviste shoqërore, që ka merituar disa medalje e vlerësime nga shteti shqiptar e amerikan. Tani së fundi ajo u rendit dhe si krijuese e letërsisë memuaristike…

Mora pjesë në promovimin që iu bë në Worcester MA librit të saj “Flower of Vlora – Growing up Jewish in communist Albania”, ku ajo vetë tregoi shkurt disa momente të jetës, me të cilat na preku të gjithëve. Pasi e bleva librin, e lexova dhe nuk mund të rri pa shkruar një vlerësim për të mbasi u qartësova plotësisht për jetën e komunitetit ebre të Vlorës dhe ecurinë e jetës plot zgjuarësi dhe guxim të Anna Kohen, aftësitë e së cilës shpërthyen kur ajo doli në botën e lirë, mbasi u largua nga Shqipëria (1966). Mbrojti tituj e grada shkencoree si dentiste stomatologe, hapi klinikën e saj, punoi dhjetë vjet si Prof. Assistente Restorative Dentristy në Universitetin e mirënjohur të Nju Jorkut, Dental School; drejtoi për njëzet vjet Shoqërinë e grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”; organizoi mbledhje dhe dhurime të shumë ndihmave për Universitetin e Tiranës; riatdhesoi 37 judenj të Vlorës në ShBA (1990); ndihmoi për të strehuar e punësuar shumë e shumë të shpërngulur me dhunë nga Kosova (1999), etj.

Jeta plot mund e sakrifica e heroinës së kësaj vepre memuaristike mendoj se do t’i ndihmojë shumë të rinj e të reja për të gjetur rrugën sesi të bëhen më të vlefshëm për vete dhe familjet e tyre, dhe për mbarë botën shqiptare.

* * *

Ky libër biografik shquhet për rrëfimin realist të jetës së familjes Kohen në Shqipëri, Greqi dhe ShBA. Titulli “Fower of Vlora” (“Lulja e Vlorës”) për mua mund të merret alegorikisht sikur nënkupton gjithë komunitetin ebre të Vlorës si lulja e qytetit. E them këtë sepse pjesëtarët e komunitetit ebre të Vlorës me jetën e punën e tyre i ishin imponuar vlonjatëve si një model i qytetërimit europian.

Kushtet e vështira ekonomike e politike ndikuan që autorja të rritej në një atmosferë të izoluar, ndonëse ajo e ndjente veten të gëzuar për shkak të optimizmit që i jepte mosha dhe kujdesit të prindërve e sidomos të gjyshes Aneta. Kjo gjyshe merrej me punët e shtëpisë: gatimin, edukimin dhe kumandarjen e fëmijëve, sepse nëna dhe babai gjithë ditët e javës punonin jashtë shtëpisë. Aneta ishte një grua me kulturë dhe me karakter të fortë që u imponhej si fëmijëve dhe njerëzve që e rrethonin. Në rini ajo kishte studiuar tek “Aleanca Franceze” e Janinës ku kishte mësuar frëngjishten, pasuri e rrallë kulturore për femrat e asaj kohe. Përpjekjet e saj për t’i ushqyer, edukuar, veshur, krehur e mbathur sa më mirë katër fëmijët e familjes Kohen, u ngjallën dashuri e respekt grave vlonjate të mëhallës, të cilat i quanin ata fëmijë “Lulja e Vlorës”. Këtë epitet këta fëmijë e meritonin për pamjen e jashtme edhe për edukatën e tyre. Ata shoqëroheshin me të gjithë fëmijët e mëhallës e të shkollës, myslimanë, katolikë e ortodoksë. Nuk ziheshin kurrë, gjithëçka e zgjidhnin përmes zgjuarësisë me paqe. Mësonin rregullisht dhe nuk kurseheshin t’u shpjegonin edhe shokëve e shoqeve pjesët që nuk i kishin kuptuar.

Familja Kohen erdhi në Vlorë nga Janina e Greqisë më 1928 pa ndonjë pasuri dhe në Vlorë nuk u bë e pasur, por jetonte me rregull e pastërti që binte në sy. Babai i Annas merrej me tregti ambulante. Ai nuk kishte dyqan. Mallin që shiste (fustane, copa për fustan, shalle, shami koke, etj) i vendoste në dy arka të cilat i ngarkonte mbi gomar dhe shkonte fshat më fshat ku ua shiste banorëve të fshatrave malore.

Guximi për jetën ishte tipar i këtij ebreu, tipar që ai e manifestoi jo vetëm gjatë udhëtimeve i vetëm nëpër fshatrat malore të Vlorës, por mbi të gjitha në krijimin e familjes së vet, jo me një ose dy fëmijë, por me katër në kushtet e vështira të L2b dhe mbas saj. Më 1943 familja e tij e re u shtua me një djalë, Elio-n. Gjatë vitit 1944 familja e tij u strehua në fshatin malor Trevllazën prej familjes Lazaj. Sapo u larguan forcat naziste nga Vlora, ai me bashkëshorten Nina, si optimiste qe ishin, vendosën ta shtonin familjen edhe me tre femijë të tjerë, vajzën Anna, lajmëtarja e fitores, të cilën shoqet e quajtën Emi, djalin Abe (Mimi) dhe vajzën tjetër, Alice (Aliqi).

Si shumica e ebrenjve edhe David Koheni, të cilin populli i Vlorës e quante Xhon, ndiqte strategjinë e mbijetesës së popullit ebre: “përdor shtatë zgjuarësi dhe një trimëri, ose një hile”. Gjatë pushtimit italian ai u muarr me tregti mallrash italiane. Një herë, tregon autorja, babai i saj shkoi në Itali dhe bleu këpucë me shumicë. Mirëpo që të mos paguante doganë, i solli në portin e Vlorë me dy rrugë. Në rrugën e parë solli kutitë ku kishte futur vetëm këpucë të djathta, kurse në rrugën e dytë solli kuti ku kishte futur vetëm këpucë të majta. Në të dy rastet ai u ankua doganierëve: “Shikoni se ç’ qeratenj janë italianët, më kanë amballazhuar vetëm këpuc të djathta / të majta, e ç’doganë të paguaj unë, nuk mund t’i shes dot këto këpucë.” Doganierët nuk e kuptuan hilenë e tij dhe kështu ai emori mallin pa paguar taksë dogane.

Kurse gjatë viteve të diktaturës komuniste kur ai shkonte nëpër fshatra dhe ndonjë fshatar i varfër, pasi i shikonte plaçkat e tij, largohej pa blerë gjë duke psherërirë: “Eh kur s’kam pare t’ia blija këtë shami gruas / nuses a vajzës sime”. Xhoni menjëherë i thoshte: “Hajde mor i dashur, merre falas. Mos e prish zemrën”. Dhe ia mbështillte e ia jepte.

Tregtari ebre e dinte se fshatari shqiptar ndonëse i varfër kishte sedër dhe sedra do ta detyronte që një ditë ta paguante. Në kohën kur fshatari vilte domatet, rushin, ullinjtë ia sillte te shtëpia zotit Xhon Kohen një kosh plot me prodhimet e tij, që kushtonin shpesh herë më shumë se malli që kishte marrë falas…

Autorja i tregon këto raste për t’i bërë të qartë sesi përpiqej babai i vet për të mbajtur familjen duke fituar ç’ mund të fitohej në Shqipërinë e varfër të asaj kohe.

Të shumta janë episodet ku tregohet urtësia e durimi i zotit Kohen, por mbi të gjitha më tërhoqi largpamësia vizionare dhe guximi i tij. Këto tipare shpalosen në vepër kur rrëfehen ndodhitë e vitit 1966. Anna ishte studente pa bursë për stomatologji në Tiranë dhe vijonte miqësinë me djaloshin simpatik Theidhor (Dhori) Çaushi, me të cilin ishte njohur që gjatë viteve të gjimnazit në Vlorë.

Qeveria shqiptare dha urdhër që të mbylleshin aktivitetet private. Kjo situatë e shkundi tregtarin ambulant. Pa e zgjatur ai vendosi që të mos vijonte më jetën në Shqipëri, por të përpiqej për të gjetur mundësi për t’u larguar në botën e lirë.

Ai kapi faktin që familja e tij ishte ebre e ardhur nga Greqia dhe nuk kishte ende qytetari shqiptare, quhej familje greke. Guxoi t’i kërkonte drejtpërdrejt diktatorit Enver Hoxha të drejtën për t’u riatdhesuar në Greqi. Anna e zotëronte shqipen në nivel më të lartë se anëtarët e tjerë të familjes, prandaj ai ia sqaroi asaj planin dhe kërkoii që ajo ta shkruante letrën, natyrisht sipas ideve të tij.

Mirëpo kishte një problem, një nyjë gordiane. Sigurimi i Shtetit dha sqarimin se duhej të riatdhesohej krejt familja, pra nuk mund të lejohej që familja të ndahej, një pjesë të riatdhesohej në Greqi e një pjesë të mbetej në Shqipëri. Para vajzës lindi problemi: të ndahej nga i dashuri për të bërë të mundur riatdhesimin e gjithë familjes, apo e gjithë familja të sakrifikohej për hir të daahurisë së saj e të qëndronte në Shqipëri.

Momente prekëse, ndonjë krijues mund të frymëzohet për të hartuar një vepër dramatike, skenar filmi, etj…

Në mendjen dhe zemrën e vajzës 21-vjeçare nisën të ndeshen ndjenjat e dashurisë me zgjuarësinë ebraike. Ishte në kulmin e lulëzimit të ndjenjave rinore, mirëpo pikërisht në të tilla rrethana i duhej të vendoste për fatin e saj e të mbarë familjes. Dhe Anna vendosi të sakrifikonte dashurinë për hir të së ardhmes më të mirë të krejt familjes.

Shkoi tek Theidori dhe pasi u sqarua me të, i tha babait se mund ta shkruante letrën. U ul dhe shkroi…

Pasi familja u riatdhesua në Greqi, Anna vijoi studimet për stomatologji. Edhe aty pati vështirësi financiare, por gjithnjë ishte ndër studentet me rezultatet më të larta. Natyrisht duke qenë e sukseshme dhe e bukur shumë djem i afroheshin për ta njohur. Me zgjuarësi ajo u jepte shoqëri, madje me njërin marrëdhëniet shkuan mjaft mirë, por nuk përfunduan me fejesë.

Babai me zgjuarësinë dhe vizionarizmin e tij, ndjeu se Greqia dhe Israeli nuk ishin shtetet ku duhej të vendosej përfundimisht familja Kohen. Me ndihmën e disa kushërinjve ai ariti të realizonte shpërnguljen në ShBA, pikërisht kur Anna ishte ende studente në vitin e fundit. Shkuan së pari nëna, babai, gjyshja, motra e vogël dhe dy vëllezërit. U vendosën në Nju Jork. Ana shkoi atje pasi mori diplomën. Shpejt u punësua në një klinikë si asistente. Aty filloi të bënte karierën e saj. Kurajua, zgjuarësia, vullneti i madh për punë e ndihmuan të ecte gjithnjë përpara vajzën e re. Rastet e ndihmuan të njihte shumë djem pretendentë për martesë, por asaj nuk i mbushej mendja. Nuk i pëlqeu as një jude i pasur, që jetonte në Meksiko City, i cili kishte mundësi financiare t’i krijonte jetë të lumtur.

Rasti e solli, që kur ishte duke u ngjitur drejt apogjeut të karierës së saj profesionale, një shoqe e njohu me një ebre me origjinë polake, me Zotin Markus De Rowe. Në fillim Anna nguroi. Iu duk krejt i papërshtatshëm. Markus ishte 11 vjet më i madh, burrë i ndarë nga gruaja me dy fëmijë. Mirëpo Markus ishte burrë shumë i zgjuar, zotni në sjellje dhe brenda dy vjet e gjysëm marrëdhëniesh ariti t’ia fitonte zmerën plotësisht.

Ceremonia e dasmës u zhvillua në prani të 140 të ftuarve, kur Anna ishte 29 vjeçe e Markus 40. Mbas martesës çifti u shtua me dy fëmijë, vajzën Felicia dhe djalëin Olek, të cilët sot kanë fëmijët e tyre. Mbas pensionimit Anna me Markusin u vendosën në vitin 2015 në qytetin Sarasota, Florida. Aty shkoi më vonë për të jetuar edhe Felicia me vajzën e saj të vogël, Alana, kënaqësia e gjyshes Anna. Djemtë e Markusit erdhën për vizitë disa herë nga Izraeli tek familja e babait në Nju Jork dhe në Sarasota FL., deri në prill të vitit 2023, kur Markus u largua nga jeta. Anna i priti gjithnjë me respekt e dashuri, si rrallë ndodh midis grave shqiptare.

Ndonëse jeta e DDS Anna Kohen eci gjithnjë përmes stresit dhe vështirësive, rrëfimi i ngjajeve në libër karakterizohet nga një rrjedhje e qetë plot kuriozitete dhe bëma të këndshme. Libri lexohet me interes nga fillimi në fund . Lexuesit i mbeten në mendje shumë sentenca e këshilla të mençura që ka dhënë autorja, bëma të babait, gjyshes dhe njerëzve që jetuan pranë saj.

Leximi i këtij libri ma pasuroi botën shpirtërore, prandaj ua rekomandoj shqiptarëve dhe amerikanëve ta blejnë për ta lexuar sa më parë. Variantin anglisht mund ta gjejne në Amazon.com, kurse variantin shqip të përkthyer nga Edvin Zhvarc tek Libraria Tirana Times. Në nëntor 2024 ky libër do të dalë nga shtypi dhe greqisht, variant që besoj se do ta blejnë e lexojnë emigrantët e shumtë shqiptarë që jetojnë në Greqi…

Filed Under: ESSE

FEJA NË SHQIPËRINË KOMUNISTE, ASPEKTE TË PROPAGANDËS ATEISTE NË REGJIMIN TOTALITAR SHQIPTAR

April 4, 2024 by s p

Sokol Paja/

Mediat në Shqipërinë komuniste ishin totalisht në shërbim total të shtetit totalitar. Regjimi i dhunës e tortures komuniste shkatërroi gjithçka fetare në Shqipërinë diktatoriale. Mediat transmetonin ato informacione dhe të dhëna që ishin në përputhje me parimet ideologjike marksiste-leniniste. Propaganda ateiste ishte kthyer në një institucion që shprehte qëndrimet e kohës dhe porositë e udhëheqjes së kohës në luftën ndaj fesë. Propaganda ateiste e komunistëve ishte e kujdesshme në çdo detaj. Drejtuesit politikë të regjimit diktatorial nëpërmjet medias që vetë e kontrollonin dhe orkestronin, realizuan një spastrim shpirtëror dhe institucioanl të tmerrshëm ndër shqiptarë për afro 50 vjet. Komunistët e organizonin propagandën sipas specifikave dhe nevojave të partisë-shtet dhe tejçonin në publik atë informacion që vetë dëshironin duke indoktrinuar politikisht dhe ideologjikisht masat me qëllim bindjen absolute, përkrahjen e verbër dhe pjesëmarrjen në aksionet fizike dhe ideologjike që ndërmerrte shteti kundër fesë.

“Propaganda totalitare e ngriti metodën shkencore ideologjike dhe teknikën e saj të të bërit deklarata në formën e predikimeve te një lartësi e efiçencës së metodës dhe absurditetit të përmbajtjes, sepse, thënë në mënyrë demagogjike, vështirë se ka një rrugë më të mirë për të shmangur diskutimin sesa me anë të lënies së një argumenti jashtë kontrollit të së tashmes, duke thënë se vetëm e ardhmja mund t’i zbulojë meritat e tij”[1]. Fjala e agjitatorit ateist në krejt sistemin propagandistik komunist ngrinte në këmbë njerëzit për një punë vetëmohuese në ndërtimin dhe lavdinë e atdheut socialist. Në propagandën që ndiqej në sistemin totalitar rëndësia e bisedës si një formë agjitacioni është tejet specifike pasi zgjidh dyshimet që ekzistojnë te dëgjuesi. Biseda si një formë shumë e përdorur dhe e lakmuar nga sistemi zhvillonte edhe kritikën dhe autokritikën te njerëzit. Ndërmjet bisedës që zhvillohej gjatë propagandas ateiste  dalloheshin qartë fjalë që ngrinin peshë masat, pra fjalët formonin brenda tyre ndërgjegje te ashtuquajtur revolucionare. Me porosi nga lart, gjatë bisedave duhej të krijohej një, atmosferë “e lire” dhe jo e detyruar me forcë; kjo përbënte një element të fortë të propagandës komuniste. Agjitatori ateist porositej që të kujdesej vazhdimisht për zgjerimin e horizontit të tij ideologjik dhe formimin e tij politik. Vendi ku zhvillohej biseda, si element elastik i agjitacionit, ishte shumë i përshtatshëm që dëgjuesit të kapnin mirë mesazhin e agjitatorit dhe në atmosferën e lirë të shkëmbenin mendime rreth çështjes në fjalë. Kryerja e agjitacionit nga një agjitator kërkohej në mjedise sa më të ngushta dhe me njerëz që e njihnin njëri –tjetrin pasi diskutimi dhe biseda bëhet edhe më e gjallë. “Një nga kushtet kryesore që biseda të ketë sukses është që agjitatori duhet t’i njohë mirë ndigjuesit e tij”[2] dhe të mbajnë kontakt jo vetëm ditën e bisedës, por çdo ditë dhe krahas bisedave kolektive të zhvillojë edhe biseda individuale. Tema e bisedës përcaktohej nga agjitatori, duke u mbështetur në kërkesat e punonjësve, te detyrat politike dhe ekonomike, te ngjarjet e jetës së brendshme dhe në ngjarjet ndërkombëtare. Agjitacioni dhe propaganda antifetare, që zhvillohej në Shqipëri para dhe pas zhdukjes së fesë, nuk ishte abstrakte, por konkrete dhe e lidhur ngushtë me jetën e njerëzve e veprimet shkatërruese e shfarosëse që kryente radikalisht sistei komunist. Gjatë zhvillimit të propagandës antifetare dhe aksionit për çrrënjosjen e fesë prej komunistëve, detyra e agjitatorit konsistonte që të  nxirrte në dritë rëndësinë e jashtëzakonshme që kishte puna e përditshme e njerëzve në ndërtimin e komunizmit përpara dëgjuesve të tij. Agjitatori me veprimtarinë e tij ndikonte drejtpërdrejt në formimin mendor dhe në ndjenjat e dëgjuesve të tij. “Detyra që i është besuar çdo agjitatori është që ai të edukojë te rinia frymën e shkathtësisë, besimin në forcat e saja dhe gatishmërinë për të kaluar çdo pengesë në luftë për kauzën e Partisë”[3]. Fjalimet, që mbanin agjitatorët gjatë  zhvillimit të propagandës dhe agjitacionit, fillonin me fenë dhe me gjoja dëmet e saj duke  përdorur kontraste të forta e të dukshme ndërmjet fesë dhe komunizmit. Përpara ndalimit të fesë me ligj më 1967, komunistët krahas vrasjes, burgosjes, internimeve e shkatërrimit fizik, shpirtëror dhe institucional të drejtuesve dhe institucioneve fetare, kryen një lavazh truri ideologjik të të gjithë shqiptarëve duke shkatërruar botën shpirtërore të çdo njeriu në regjimin e tmerrshëm komunist.

Referenca:

Arendt, Hannah, Origjinat e totalitarizmit, DIJA, Prishtinë 2002

Glerzerman, G., Si Ta pregatisim dhe ta zhvillojmë bisedën, Botim i KQPP, Tiranë 1949


[1] Arendt, Hannah, Origjinat e totalitarizmit, DIJA, Prishtinë 2002, f. 447.

[2]Glerzerman, G., Si Ta pregatisim dhe ta zhvillojmë bisedën, Botim i KQPP, Tiranë 1949, f.20.

[3]Po aty, f. 30.

Filed Under: Opinion

MESHA E PADRE LELLO-S DO TË VAZHDOJË NË QIELL…

April 4, 2024 by s p

Eda e Visar Zhiti/

Padre Raffaele Lanzilli, jezuiti italian, i njohur me emrin At’ Lello, është kaq i dashur dhe në Shqipëri, 20 vjet, ishte me mision mes nesh. Që nga 1993 deri në 2014 shërbeu në Tiranë dhe në Shkodër si at’ shpirtëror, drejtor i gjimnazit “Pjetër Meshkalla” profesor universitar i psikologjisë në Universitetin Teologjik, epror i komunitetit jezuit, etj, dhe e fliste shqipen tonë kaq bukur, sa nuk kuptohej që ishte i huaj, megjithëse ai nuk dinte të ishte i huaj kurrë.

Fjala dhe zemra e tij do të mbeten të mrekullueshme përgjithmonë.

E kam thënë dhe në librin tim, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, më rrëmbeu fjala e tij në një meshë, po e sjell këtu atë pjesë libri, është në epilog:

GABIMI FATAL I SHQIPËRISË

Mezi po prisnim të shkonim në kishën tonë në Romë, të dielave mesha mbahet në gjuhën shqipe […]

Ime shoqe dhe unë i kishim dëndësuar vajtjet atje. Donim të luteshim së bashku […] edhe për të dashurit tanë, për miqtë e përbashkët… për vendin.

Të ndizja dhe një qiri…

Meshtari shqiptar, Dom Gjovalini, kishte ikur në Shkodër, edhe At Mikeli s’ishte, po kështu dhe rektori i kishave shqiptare në Itali, Don Pasquale gjendej në Veri dhe atë të diel do ta celebronte meshën një prift italian, Padre Lello, që fliste një shqipe liturgjike tërheqëse.

Gjatë homelisë ai po na fliste për ringjalljen e Krishtit e për dyshimin e Tomës, nga që s’kishte qenë i pranishëm në atë ringjallje dhe donte të sigurohej në ishte i njëjtë ai që ishte kthyer nga vdekja me atë që kishin kryqëzuar… pa vënë gishtin tim në vëndin e gozhdave, pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj… shkruhet në Ungjillin sipas Gjonit.

Pa këtë vazhdimësi s’do të kishte kuptim… po thoshte meshtari.

Ngrita kryet i tronditur si ai që zbulon një gjë me rëndësi. Tek ne kishte ndodhur ndryshe, nuk i kishin prekur dhe aq plagët tona, s’na kishin vënë dorë në kraharor, nuk na besonin duke qenë dhe vetë të mosbesuar dhe më e rënda, të tjerë ishin ata që u kryqëzuan dhe të tjerë ishin ata që u ringjallën.

Gabimi fatal që kishte bërë Shqipëria…

Ia thashë Edës. Më pa dëshpërueshëm.

* * *

Me Padre Lelon arrita të përcaktoj këtë zbulim, mashtrimin e madh, do të thosha, dhe kur e ke të qartë realitetin, e përballon më mirë.

E kishim takuar edhe në Tiranë, edhe në Romë dhe shkëmbenim shpesh mesazhe, jo vetëm për urime festash, por dhe për ta pyetur, jo vetëm për shëndetin, por dhe për çështje të ndryshme, ndonjë sqarim biblik, etj, dhe ai na përgjigjej me mirësi të madhe, gjithmonë…

E qeshura e tij, aq e natyrshme dhe e begatë, ishte e mençur si fjala e tij, aq e thjeshtë në dukje…

Por sot në Romë, në zyrën e tij në Curian e Përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit, ku ne e kishim vizituar dhe kishim ndejtur gjatë me të, në mëngjes sot, ai u gjet pa jetë. Kështu është ai, punonte deri në fund…

Mesha e tij do të vazhdojë në Qiell, ku dhe iku engjëllrisht.

Dëshpërimi është tek të gjithë ata që e njohën e punuan me atë, por ai do ta zbukurojë Qiellin edhe më siç e bënte edhe më të mirë tokën…

Filed Under: ESSE

KJO RINI SHQIPTARE, ME TË VËRTETË, ËSHTË NJË KRENARI KOMBËTARE

April 4, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Universiteti i Prishtinës njoftoi javën që kaloi, atë që u quajt në portalin e këtij institucioni të lartë të dijes në Republikën e Kosovës, “Një arritje historike e studentëve”, të kësaj qendre të njohur akademike shqiptare. Bëhet fjalë, pra, për një grup të zgjedhur studentësh të Fakultetit Juridik të këtij Universiteti, të cilët përfaqësuan Universitetin e Prishtinës në garën ndërkombëtare, “Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”, ku morën pjesë mbi 350- universitete botërore. Objektivi i kësaj gare është të trajnojë liderët e ardhdëshëm më të mirë në fushën e drejtësisë dhe në metodat e zgjidhjeve alternative të konflikteve.  

Arritja e studentëve shqiptarë cilësohet si historike se ata kanë zenë vendin e tretë  duke arritur të dilnin të tretët më të mirë në botë, nga radhët e disa qindra universitetesh botërore — ndër më të njohurat ndërkombëtarisht — që morën pjesë në këtë garë prestigjoze botërore. Ishin, pra, këta studentët e Universitetit të Prishtinës, të Republikës së Kosovës, shtetit më të ri të Evropës që shkëlqyen në Vjenë të Austrisë! 

Kjo garë nuk është do-si-do, por është gara më e madhe botërore në fushën e të drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit – është pra një garë serioze në fushën e drejtësisë ndërkombëtare. Prandaj, me të drejtë Universiteti i Prishtinës e cilëson suksesin e studentëve të vet në skenën ndërkombëtare, si një arritje “historike e cila ngre lartë punën e studentëve tanë dhe emrin e Universitetit të Prishtinës, si dhe na bën të gjithëve shumë krenarë”, siç thuhet në deklaratën e Universitetit shtetëror të Kosovës.

 Ky grup studentësh shqiptarë të Universitetit të Prishtinës i bën krenarë të gjithë shqiptarët kudo që jemi. Ndaj i dërgojmë atyre secilit/secilës, trajnerëve të tyre dhe Universitetit të Prishtinës urimet dhe përgëzimet me të sinqerta:  Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri, si dhe trajnerëve të tyre: Prof. Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj. Suksesi i tyre është një triumf i vërtetë për ta si individë, për entin akademik që ata përfqësojnë, për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë shqiptarët. E para e Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani shprehi krenarinë e saj të veçant për këtë grup studentësh shqiptarë dardanë, duke nënvijuar se ajo kishte trajnuar shumë prej tyre, në të kaluarën.

May be an image of 10 people and the Oval Office

“Mirënjohje Presidenciale për ekipin e Fakultetit Juridik që dolën të tretët në garën më prestigjioze të drejtësisë në botë.  Ata janë personifikimi më i mirë i rinisë sonë–të talentuar, të motivuar e të përkushtuar për të arritur çdo sukses e për ta ngritur lartë e më lartë shtetin tonë. Prandaj sot, në prezencë të disa prej ish- pjesëmarrësve të garës VIS moot, shumë prej të cilëve edhe kisha nderin t’i trajnoja për rreth 15 vite, si dhe të ekipeve më të reja të Universitetit tonë të udhëhequra nga Donikë Qerimi e mbi të gjitha në prezencë të prindërve të studentëve, shprehëm sërish mbështetjen dhe krenarinë tonë për studentët tanë”, ka shkruar Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Vjosa Osmani në faqen e saj fejsbuk.

May be an image of 13 people and the Oval Office

Në ceremoninë e zhvilluar javën që kaloi në presidencë, mori pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Z. Jeffrey Hovenier, i cili në faqen e ambasadës amerikane në Republikën e Kosovës, uroi grupin e studentëve të universitetit të Prishtinës për suksesin e tyre në skenën botërore: “Urime grupit të Kosovës që mori pjesë në garën Moot Court për suksesin e tyre në skenën botërore. Të gjithë ne celebrojmë arritjet e tyre, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë krenare për susksesin e tyre pasi për një kohë të gjatë kanë ndihmuar studentët juridikë të Kosovës për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare, përfshir edhe këtë”, thuhet në urimin e Ambasadorit amerikan në Prishtinë.  U.S. Embassy Pristina, Kosovo 

Ndër urimet e shumta në drejtim të grupit të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës ishte edhe Ministrja e Drejtësisë në qeverinë e Republikës së Kosovës, Zonja Albulena Haxhiu, e cila shprehu krenarinë e të gjithëve për këtë grup të talentuar stidentësh juridikë shqiptarë.  Ata, “Na bënë krenarë të gjithëve”, tha ajo. “Ata na treguan edhe njëherë potencialin që ka rinia jonë. Ata janë shembulli më i mirë i përkushtimit, punës së palodhur dhe talentit bashkë me trajnerët e tyre të palodhshëm, të cilët i përgëzoj, poashtu.  Performancë fantastike ekipi ka treguar që në garat përgatitore. Faleminderit që po e vendosni Kosovën në hartat e suksesit”, është shprehur, me këtë rast, Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

May be an image of 13 people and the Oval Office

Me shembëllin e tyre, ky grup studentësh të talentuar të Kosovës dardane, të pakën në nivelin e kësaj gare ndërkombëtare, në të cilën morën pjesë, me suksesin e tyre i treguan vetes por edhe brezit të shokëve e shoqeve studentë/studente si dhe rinisë shqiptare, në përgjithësi, se megjith vështirsitë nepër të cilat ka kaluar dhe po kalon aktualisht rinia shqiptare dhe Kombi shqiptar, në përgjithësi, ka ende forca të mëdha në gjirin e këtij populli të lasht e të vuajtur, që frymëzojnë! Megjithëse sot shqiptarët gjënden ende përballë pasojave të një errësire të kaluar shekullore të komunizmit sllavo-aziatik dhe luftërave çfarosëse të armiqëve të kombit kundër shqiptarëve, ky grup studentësh shqiptarë, me suksesin e tyre në këtë garë, na jep shpresë se fuqia krijuese nuk u shterret kurrë shqiptarëve. Ata kanë nevojë vetëm për liri dhe mundësi veprimi e shkollimi dhe mund të garojnë me më të mirët e botës.  Edhe përball vështirsive të jetës, shpresa nuk i ka lenë kurrë shqiptarët.  Se këta studentë u treguan kolegëve të vet ndërkombëtarë në garën e Vjenës se kur shqiptarët, megjithëse për dekada, të mbërthyer në një errësirë shekullore të cilës nuk i shihej fundi, sot në liri dhe kur u jepet mundësia, ata ndriçojnë dhe shpërndajnë rreze drite e qytetërimi — edhe në skenën ndërkombëtare — duke bërë krenar Kombin shqiptar të cilit i përkasin, me të gjithë aftësinë intelektuale, si dhe me fisnikërinë dhe me zgjuarsinë e tyre intelektuale.

 I takon kësaj klase politike aktuale – e mbërthyer në konflikte të brendshme të pakuptimta e të pafund për dekada tani, në dëm të interesave të Kombit dhe të brezave të ardhëshëm — anë e mbanë trojeve shqiptare — që t’i japë rinisë shqiptare liritë, mundësitë, drejtësinë dhe ligjet e nevojshme, për të përparuar dhe për tu zhvilluar në vendin e vet. Mundësisht, për të ndaluar shpërnguljen katastrofike në masë e më të mirëve të Kombit. Me këto politika zhgënjyese në veprim tani — për klasën politike të këtyre dekadave të fundit — historia ka rezervuar dënime të rënda, nëqoftse nuk ndryshoni drejtimin dhe rrugën e gabuar që i kini dhenë Kombit, para se të jetë tepër vonë.

U lumtë studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe iu priftë për së mbari! Suksese dhe përparime gjithmonë paçin – në nivel kombëtar e ndërkombëtar – bsi dhe në jetën personale dhe në veprimtarinë e tyre profesionale në shërbim të shoqërisë ku jetojnë, aty në Dardaninë e vjetër e në Kosovën e Re.  Por edhe në shërbim për të mirën dhe në interes të mbarë Kombit Shqiptar, të cilin ju e përfaqësuat aq denjësisht në garën ndërkombëtare “Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë!  Shpresa e Kombit është se brezi i juaj, më në fund, do të jetë ai që bën “Ndryshimin e Madh” për të cilin shpiptarët kanë pritur me shekuj!

Frank Shkreli

Studentët e Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Juridik, që morën pjesë në garën“Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë para një jave, duke zenë vendin e tretë midis mbi 350-universiteteve botërore.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1054
  • 1055
  • 1056
  • 1057
  • 1058
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT