• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË RIHAPET SHËRBIMI SHQIP I RADIO LONDRËS (BBC)!

January 29, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli/

Ky është rekomandimi i Komisionit të Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes i House of Lords — Dhoma e Epërme e Parlamentit të Britanisë së Madhe. Ky komision, në një letër dërguar Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Lordit Cameron, kërkon që Qeveria britanike të rishqyrtojë qendrimet dhe politikat e saj ndaj Ballkanit Perëndimor – vetëm disa ditë pas kthimit të tij në Londër nga një vizitë të shkurtër në rajon, përfshir Prishtinën – ku rithekosi angazhimet e qeverisë së tij në mbështetje të Kosovës dhe rajonit, në takimet e tija me udhëheqsit më të lartë të Republikës së Kosovës, Presidenten Vjosa Osmani dhe me Kryeministrin Albin Kurti.

Komisioni i Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes i Dhomës së Epërme të Parlamentit britanik, shpreh shqetsimin për rritjen e tensioneve, kohët e fundit, në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që përmend dhunën në veri të Kosovës, protestat në Beograd dhe gjendjen e brishtë politike në Bosnje e Hercegovinë. Për më tepër, invadimi i Ukrainës nga Rusia vazhdon të prek sigurinë evropiane dhe kjo, sipas Komisionit, ka pasoja serioze edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor – duke shfaqur shqetësimin, veçanërisht, në lidhje me fushatat ruse të dezinformimit në mediat e rajonit. Ndërsa, sipas fjalëve të Komisionit, në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbretëron përhapja korrupcionit, ndërkohë që sipas antarëve të Komisionit britanik të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes, në vendet e ballkanit Perëndimor janë përkeqësuar masat kundër lirisë së medias. Përball kësaj situate të krijuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Komisioni i Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe kërkon prej qeverisë britanike rishqyrtimin e politikës së Londrës zyrtare ndaj rajonit ballkano-perëndimor, ndërsa sugjeron edhe disa rekomandime për të ndidhmuar në arritjen e sigurisë, të stabilitetit dhe begatisë në atë rajon. Porosit qeverinë britanike që, njëherazi, të shtojë lidhjet ekonomike me vendet e rajonit me qëllim për të promovuar rritje ekonomike afat-gjatë në përputhje me përpjekjet e Bashkimit Evropian për të stabiliaur atë rajo dhe për ta integruar Ballkanin Perëndimor me institucionet Euro-Atlantike. I bëhet thirrje qeverisë britanike që të bashkrendojë sanksionet dhe programet anti-korrupcion me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim që të luftohet kleptokracia në Ballkanin Perëndimor.

Është interesant fakti se në një prej këtyre rekomandimeve kyçe të Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Dhomës së Epërme të Parlamentit Britanik, i kërkohet qeverisë që të sigurohen fondet për hapjen e Shërbimit shqip të BBC- radio Londrës, diçka që sipas Dhomës së Epërme (The House of Lords) të Parlamentit britanik – do të ndihmonte për të kundërshtuar përhapjen e informacionit fals në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është një rekomandim që, për fat të keq, të sjell në kujtesë luftën e ftoftë midis botës komuniste dhe perëndimit demokratik gjysëm shekullin e fundit të shekullit të kaluar si dhe luftërat në ish-Jugosllavi gjatë 1990-ave. Ishte një periudhë përplasjesh ideologjike dhe luftarake kur, siç dihet, e vërveta është gjithmonë viktima e parë – kur qeveritë perëndimore demokratike mundoheshin që mungesën e lirisë së shtypit në vendet komuniste ta zevendësonin me programe shtesë dhe në gjuhë të ndryshme të Evropës dhe ish-Jugosllavisë. Objektivi, sipas Komisisonit të Parlamentit britanik, për të rekomanduar rifillimin e programeve të Shërbimit shqip të BBC-së, është që të miratohen fondet afat gjatë për zhvillimin e programeve në rajon, me qëllim, përveç promovimit të lirisë së shtypit, njëkohsisht edhe për të promovuar rritjen ekonomike dhe për të luftuar korrupcionin e përhapur në Ballkanin Përendimor.

Ka qenë Janari i vitit 2011 kur Shërbimi Botëror i BBC-së kishte vendosur të mbyllte Shërbimin shqip, thjesht për “kursime”, pat deklaruar në atë kohë Ministria e Jashtme britanike, duke arsyetuar se “ne duhet të përqëndrojmë përpjekjet tona në gjuhët ku ekziston nevoja më e madhe dhe ku ne kemi ndikim më të madh.” Rekomandimi aktual i Komisionit të Parlamentit britanik për të rivendosur programet e Shërbimit shqip të BBC, 13 vite pasi e kishin mbyllur Shërbimin shqip, tregon se vendimi i Londrës zyrtare për të mbyllur programin shqip ka qenë i gabuar por tregon gjithashtu se programet në gjuhë të ndryshme ndërkombëtare të enteve të gazetarisë së lirë, siç është BBC, janë një mjet i dobishëm jo vetëm për politikat gjeostrategjike të Britanisë së Madhe por edhe të dobishme për lirinë, demokracinë, stabilitetin, paqën dhe sigurinë rajonale edhe evropiane. Kjo e vërtetë është provuar, sidomos, gjatë shekullit të kaluar, por edhe në ditët e sotëme.

Duke u bazuar në përvojën time 30-vjeçare në Zërin e Amerikës, unë jam i bindur se radiostacionet perëndimore, kryesisht Zëri i Amerikës, BBC dhe Radio Evropa e Lirë, kanë qeneë dhe janë forca vendimtare në luftën kundër nazizmit dhe komunizmit si dhe forcave të tjera të errëta më vonë në Evropë, si politika fashiste e Millosheviqit kundër popujve të tjerë të Ballkanit, sidomos politika e tij e gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës. Ish-disidenti polak dhe më vonë president i Polonisë, Lech Walesa ka thënë se, “pa këto radiostacione, përpjekjet për liri do të ishin më të vështira dhe rruga drejtë demokracisë do të kishte qenë më e gjatë.”

Unë vazhdoj të jem i besimit se megjithëse lufta e ftohtë nuk është më, misioni i këtyre mediave ndërkombëtare nuk ka marrë fund. Transmetimet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të BBC-së, drejtuar Shqipërisë dhe Shqiptarëve, janë më të rëndësishme se kurrë. Liria e shtypit, sipas organizatës prestigjioze Freedom House, ka vazhduar të bjerë anë e mbanë botës, përfshirë edhe Ballkanin, duke i cilësuar shumë vende si, “jo të lira” ose “pjesërisht të lira”, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën. Thirrja e Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe për të rihapur Shërbimin shqip të BBC — është një votë mos besimi, jo e favorshme për lirinë e shtypit në botën shqiptare. Dikur, kur vendosnin hapjen e një shërbimi në gjuhë të huaja, pyetja e parë dhe më e rendësishme ishte: cila është gjëndja e lirisë së shtypit në atë vend – si faktor kryesor për hapjen e një programi të ri.

Programet në gjuhën shqipe, të BBC-së duhet të vazhdojnë të shërbejnë si shembull dhe si burime të lirisë së shtypit në këto vende përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën, duke transmetuar lajme e komente të pacensuruara dhe të painfluencuara nga politika ose elementë të tjerëtë errët politikë, shoqërorë dhe ekonomikë. Kto programe janë në interes të atyre të cilëve këto programe u drejtohen në gjuhë të huaja, por në të njëjtën kohë, ato janë edhe në interesin e vendit nga ku burojnë këto transmetime si edhe në interesin e paqës dhe të demokracisë rajonale, evropiane dhe botërore, pasi një vend demokratik ka më pak gjasë të kërcënojë fqinjët dhe rendin ndërkombëtar.

BBC dhe transmetuesit e tjerë perëndimorë, siç është Zëri i Amerikës, me programet e tyre duhet të vazhdojnë të inkurajonë forcat e lirisë dhe të demokracisë anembanë botës dhe në të njëtën kohë të diskurajonë dhe të diskreditojnë forcat e errëta të shtypjes dhe armiqët të lirisë, të demokracisë dhe drejtësisë.

Shkëmbimi ose përhapja e informatave të sakta sot si edhe gjithëherë më parë, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për lirinë dhe dinjitetin njerëzor, për vlerat morale dhe demokratike ndaj të cilave aspirojnë të gjithë popujt vullnetmirë, anembanë botës, përfshir Kombin shqiptar. Lajmi se Dhoma e Epërme e Parlamentit britanik rekomandoi, javën që kaloi, rivendosjen e programeve të BBC-së në gjuhën shqip, është një lajm i mirë për të gjithë. Për Britaninë e Madhe dhe për interesat e sajë në Ballkanin Perëndimor. Por një program shtesë ndërkombëtar lajmesh e informacioni në gjuhën shqipe nga një ent prestigjoz lajmesh si BBC, është një lajm i mirë për dëgjuesit shqiptarë anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, pasi përveç Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë, ndër të tjera, do të kenë edhe një burim tjetër lajmesh dhe informacioni të një standardi të lartë gazetaresk dhe redaksional nga një ndër më prestigjozët në botë.

Filed Under: Politike

Mendësi lufte në paqe

January 29, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Perandoritë, veçanêrisht ajo Romake, u krijua në një epokë kur nuk kishte kontrolle dhe ekuilibra në qeveri. Ata donin pushtet dhe e morën. Edhe tani, me gjërat që kanë ndryshuar gjatë shekujve, ka njerëzve që luftojnë, për të marrë ose pêr të mbrojtur. A dëshirojnë të gjithë njerëzit luftë gjatë gjithë kohës, apo ka një ngacmuues të lindur që dëshiron ta bëjë këtë? Lufta i lëndon dhe i shkatërron të gjithë.

Ndonjëherë, si në Luftën e Dytë Botërore, kur e gjithë bota ishte pothuajse e shkatërruar, njerëzimi bëri atë që duhej të bënte kur ekzistonte një person i pangopur, pjesë e një grupi të zgjedhur që dëshironte të kishte pushtet absolut përgjithmonë. Megjithatë kjo nuk do të thotë përgjithmonë për të gjitha kohërat.

Tiranët e lindin pushtetin absolut. Burrat mund të dëshirojnë luftën marrëzisht, por pas luftës ata kthehen në vatër, shtëpi; turpi i luftës zbehet shpejt dhe harrohet me një lutje.

Në kohë paqeje, depërton paksa idea/romantike e një epoke aventure. Lodhja, banaliteti dhe mërzia e epokës moderne ku paqja ka mbretëruar mbi cepin tonë të vogël të pyllit, njeriu ka pak dëshirë për aventura, tregime me luftë dhe për personazhet e saj të shumtë.

Kjo është pse në kohë paqeje, komunistët mendonin për luftë çdo ditë me filma, arte e libra, pēr të mbajtur njerëzit të pashkëputur nga lufta e shkuar vellavrasëse “e lavdishme”.

Filed Under: Interviste

“Ndiq Paranë, dhe gjen ustanë”…

January 29, 2024 by s p

Fejton nga Rafael Floqi/

Në rrugën e ngjarjeve plot humor dhe ngjarje që mahnitin opinionin publik, nga SPAK një shprehje vjen natyrshëm në mendje: “Ndiq paranë” ose, në anglisht, “Follow the money”. Kjo shprehje bëhet edhe më thelbësore kur hedhim një vështrim në detajet e çështjes së Agron Nezaj dhe Charles McGonigal, duke u fokusuar tek lidhjet e dëshmuara dhe rrugën e parave.

Në këtë rreth, Agron Nezaj u bë burim konfidencial i FBI-së, megjithatë një pyetje po del në sipërfaqe: Pse?

Duke “ndjekur paratë”, shqetësimet dhe lidhjet fillojnë të dalin në dritë. McGonigal pranon se ka marrë 225,000 dollarë nga Nezaj dhe justifikon këtë me presionin financiar dhe shpenzimet e universitetit për fëmijët e tij. Po ku shkojmë, në një sitcom apo një dramë teatri? Pse dhe të kujt ishin paratë?

Kryeministri Rama dëshmon se nuk ka njohur Nezaj-n dhe ka qenë i pranishëm vetëm me McGonigalin. Pyetja e natyrshme që lind: Përse Nezaj bëhet burim konfidencial dhe pse McGonigal përfshihet në këtë grumbullim ngjarjesh? Ndoshta ky është momenti kur shprehja “Ndiq paranë” merr një kuptim të plotë.

Në një ngjarje të papritur që po forcon besimin tek drejtësia shqiptare, Agron Nezaj, një shqiptaro-amerikan i cili u bë burim konfidencial i FBI-së, po përballet me sfidën e Prokurorisë së Posaçme për lidhjet e tij me ish-zv. drejtorin e FBI-së, Charles McGonigal. Ngjarjet e fundit kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe medias shqiptare, por në një atmosferë të pasigurt, një fakt mbetet i qartë: Nezaj u thirr për 6 orë në Prokurorinë e Posaçme dhe refuzoi të jepte deklarata. Kaq mjafton për të filluar të krijojmë një skenar satirik për këtë “komedi të re shqiptare”.

Çështja filloi kur deputeti demokrat Gazmend Bardhi vendosi të hedhë në arenë një paditë për hetime ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-zv. drejtorit të FBI-së, McGonigal. Këtu nisi loja e shqiptaro-amerikanit Nezaj, që u bë burim konfidencial i FBI-së për të hedhur dritë mbi lobistin amerikan. Megjithatë, kur u thirr për të dalë në skenë, Nezaj e mbuloi tërë ngjarjen me heshtjen e tij që solli nostalgji për ditët e kinematografisë klasike shqiptaretw socializmit, po që përhapi si thashetheme pyetjen . ”A është bërë Neza burim konfidencial edhe për SPAK-un?

Ndërkohë, McGonigal pranoi më vonë fajësinë për të pasuruar veten me 225,000 dollarë nga Nezaj. Shpërthimi i tij komik i justifikimeve për pagesën është po aq absurd sa një sitcom i Hollywood-it.

Dokumentat e Drejtësisë amerikane sjellin detaje të hetimeve, ku paratë duket se kanë një rol kyç. Nezaj, si burim konfidencial, tregon për lidhjet e McGonigal me kryeministrin dhe sponsorizon udhëtimet e dëshmitarëve për takimet me FBI-në.

Zoti McGonigal ka pranuar të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin Rama dhe zotin Duçka.

I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, se ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”. Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. “Rregulli i artë është që nuk ka rregulla të arta.” shkruante George Bernard Shaw.

Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së. Ish zyrtari i FBI-së informoi Departamentin amerikan të Drejtësisë për këtë rast, më 25 nëntor, “pasi një ditë më parë ai kishte marrë informacion mbi lobistin amerikan nga personi B”, i identifikuar si Dorian Duçka. Në atë kohë, pikërisht dy ditë më parë, më 22 nëntor, BIRN, kishte bërë publik faktin se Muzin kishte deklaruar se kishte marrë 500 mijë dollarë nga Partia Demokratike. Ndërsa në janar 2018, ish zyrtari i FBI-së, merr sërish informacion, këtë herë nga shqiptaro-amerikani Nezaj. Ky i fundit, sipas aktakuzës, e ka marrë informacionin nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë.

Nëse dëshironi të kuptoni çdo problem në Amerikë, duhet të përqendroheni te ai që fiton nga ky problem, jo tek ai që vuajti nga ky problem.”, thoshte Dr. Amos Wilson për këto soj çështjesh.

Vitin e kaluar kur foli në parlament për këtë çështje zoti Rama tha se “koha së cilës i referohet ky moment, përkon me ditët pasi skandali kishte dalë në media këtu dhe unë apo zyra ime, nuk kishim asgjë tjetër lidhur me këtë, përveç informacioneve të dala në media se po t’i kishim, si do i mbanim, të fshehura?”, duke shtuar se “po të kisha patur çfarëdo informacioni, më shumë se ato që dolën në media, për faktin e tmerrshëm që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë, do t’ia kisha përcjellë kujtdo që të mundja, pa asnjë diskutim, nga organizatat partnerë të ndjeshme për këto çështje dhe FBI-së patjetër, të parës fare”.

Tani pyetja shtrohet: Kush po ndjek paratë, kush i dha dhe për çfarë qëllimi?

“Ndiqni paratë. Gjithmonë ndiqni paratë.” dëshmoi Deep Throat (informatori i Watergate). Kur bëhet fjalë për korrupsion, nuk bëhet fjalë për njerëzit që mund t’u besosh; është për njerëzit që nuk mund t’u besosh. Ndaj pastaj, koha e McGonigal të dalë në skenë duke pranuar fajësinë për fshehjen e parave dhe gënjeshtrën ndaj FBI-së. Për shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë, shprehja “Ndiq paranë” duket se ka arritur një pikë kulmore. A mund të jetë ky një moment që do të shfaqet në komedinë shqiptare të tij?

Si përfundim, në një ngjarje që përshkon lidhjet diplomatike, paratë, dhe marrëdhëniet e dyshimta, shprehja “Ndiq paranë” bëhet një farë thirrjeje për të hedhur dritë mbi ngjarje dhe për të ndjekur rrugën e parave. Ndoshta, në fund të kësaj telenovele, do të shohim se kush ka ndjekur paratë me sukses dhe kush ka pasur një humor ta fshehur në gjithë këtë skenar, mund të pyesë me humor :

-Pse dollari shkoi tek terapisti?

-Sepse kishte shumë probleme me “ndjekjen e parave”

Filed Under: Ekonomi

NJË LIBËR QË ZBARDH REALITETIN SHQIPTAR

January 29, 2024 by s p

Libri “Koha e mediokrëve”, i autorit Nail Draga, brenda kopertinave të saja përmbanë ese, artikuj dhe vështrime, të botuara në periudha të ndryshme. Disa nga këto artikuj dhe shkrime kanë qenë të botuara në shtyp, të shpërfaqur nëpër portale në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri e gjetiu në hapësirën shqiptare por edhe më gjërë. Ky libër si i këtillë, meton të pasqyrojë për publikun lexues të historisë më të re, shumë delikate për shqiptarët, për shtetin dhe pushtetin, pushtetmbajtësit dhe pretendentët e tyre, të cilët të mbërthyer nga joshja për famë e pasuri, me mjete e forma të palejuara kapen institucionet me të gjitha instrumentet shtetërore.

Qani Osmani

Temat me të cilat rroket autori janë të shumëllojshme.Janë hallet dhe qorrollisja e njeriut tonë tok me politikën shqiptare në tranzicionin marramendës që birret nëpër labirinte të kohës e që neve shqiptarëve, gjithandej po na kushton shumë shtrenjtë. Hamendjet dhe sorollatjet individuale dhe grupore janë pikat që i sulmon autori, me të vetmin qëllim të gjendet diagnoza për shërim të shoqërisë shqiptare sa më shpejtë, sot se nesër mund të jetë vonë.

“Koha e mediokrëve”, si titull përmbledh në mënyrë tejet të logjikshme qasjen e autorit të cilat janë të përmbledhuranë në 46 artikuj, me tema mjaftë serioze të cilat ngërthejnë në vete shumë të dhëna, shumë të vërteta në mënyrë tejet të guximshme të përpunuara, fakt ky i cili na dëshmon se ky autor nuk heziton tu rreket temave të cilat paraqesin dhe manifestojnë realitetin e mjerueshëm të shoqërisë shqiptare.

Kur është fjala për shqiptarët e Malit të Zi, autori thekson “domosdoshmërinë për të ndriçuar vizionin që aspirojmë”. Të mos sillemi në “rrethin e mallkimit” si në legjendën shqiptare të murimit. Të vetëdijesohemi e të shporrim vetëmashtrimin në këtë hapësirë kaq të ngushtuar ku gjithsecili e njeh gjithsecilin. Alkimia e politikës si e tillë dhe ajo e politikës shqiptare në veçanti, nuk do të duhej të ishin caqe për standarde çoroditëse që me një të prekur me thupër, të shndërrohet në pasuri personale apo grupore të mediokreve. Në këtë vijë u shmangën, u margjinalizuan apo u haruan krejtësisht vlerat e mirëfillta nëpër të gjitha fushat e jetës.

Libri i Z. Nail Dragës, i titulluar “Koha e mediokrëve”, jo rastësishtë është përmbledhur në këto fjalë. Në këtë libër autori i jep formë më se reale dhe precize mu këtyre fakteve të cilat janë përditshmëri e neveritshme dhe monotone, të cilën të gjithë ne nuk duam ta kemi përreth nesh, por ajo imponohet dhe bëhet e patjetërsueshme. Autori në këtë libër mëton të na tregojë se në në epokën tonë shoqërore, politike e kulturore në të cilën po kalojmë, jeta e përditshme frymon me një adhurim dhe me një ushtrim të lirë të karaktereve të ndryshme njerëzore, profesionale e mendore. Një ndër defektet e karakterit që po e përcjellin njeriun e ditëve tona është edhe mediokriteti i cili perceptohet si një defekt i mendjes, si një harlisje e disa njerëzve tanë. Madje edhe si një lloj sëmundje e pashërueshme që kërkon një terapi shoqërore.

Për autorin njeriu mediokër, në të vërtet nuk është ndonjë përjashtim i jetës sonë e cila është e stërmbushur me përkeqësime dhe dukuri negative nga më të ndryshmet. Gjëja më e çuditshme është që rrethi dhe populli nuk denjon t’i japi hapësirën që ai të ngritët mbi njerëzit e merituar, intelektualët e vërtet, krijuesit e çdo lëmi. Të tillë janë dukur të jenë edhe fushatat e partive politike ku elektorati ka rënë në kurthet e verbëta të njerëzve të cilët me paraqitjen e tyre kanë pasur pamje engjëlli e përmbajtje mediokri.

Nail Draga në këtë libër, më saktësishtë në njërin nga artikujt, trajton edhe dukurinë e çekuilibrimit si strategji që ka çorientuar veprimin e politikës shqiptare këtu ndër ne. Kjo, thotë autori, ka qenë dhe mbase vazhdon të jetë, do të shtoja unë, metoda më e përshtatshme për të përçarë, për të rrënuar me djallëzi çdo gjë të ngritur me mund e sakrificë. Me kalimin e kohës shqiptarët dhe politika e tyre, thotë autori, për të shpëtuar nga vetvetja u “strehuan në kalanë e lakmisë (për pushtet e privilegje) dhe vetëpëlqimit” narcisoid them unë. Kjo lakmi, kjo ëndje, do të brejë substancën e e shoqërisë shqiptare në Mal të Zi por edhe më gjërë. Kështu do të fillojë shmangia, largimi dhe ikja e të rinjve që nuk pajtoheshin me politikën e partizuar, punësimet me libreza partiake, e që nuk mund t’i bënin rezistencë luftës së pakompromis, sidomos mes llojit. Ky fenomen do të krijojë zbrazëti profesionale e më pastaj edhe hapësirë për injorancën dhe mediokritetin me plot të dëgjueshëm dhe injorant. Andaj, kjo politikë është e rrasët me mashtrime, ndërskamsa, truqe e veprime lakmitare të pista.

Në këtë tufë tekstesh të shkruara me guxim, të ngjeshura me mjeshtri, lexuesi i vëmendshëm e i kujdesshëm, duke lexuar do të hetojë kurthet dhe pusitë që ngrehen në jetën shoqërore e politike, e veçmas te kjo ndër ne që autori do ta emërtojë “politikë anarkike, “politikë e padefinuar”, “politikë biznesi”, “politikë lypsare”…ndërkaq unë do të shtoja emërtimet: politikë servilizmi e politikë vazalizmi.

Injoranca, diletantizmi, ambiciet e sëmura dhe epitete të tjera të kësaj natyre, Draga do t’i përdorë në shtrirjen e tërësishme të teksteve të librit për të nxjerrë përfundime logjikë-plota sesi operohej indi kombëtar pa anestezion, meqë gjendja jonë ishte si në hipnozë. “Mendjet e robëruara” që në politikë u futën kinse për ta “shpëtuar kombin”, deklarata këto që bëheshin përpara elektoratit shqiptar e veçmas përpara ndërkombëtarëve, si dhe mentaliteti anarkik me shumë gabime e faje, kanë dëshmuar se kjo shturë trumacakësh politikë, ky zhgan kusarësh e intelektualësh laramanë “pa dhembje e fundosën çështjen shqiptare”.

Për autorin politikë është vetë jeta. Me fjalë të tjera, politika me një energji negative në këtë rreth kohor të tranzicionit përfshiu çdo pore të jetës. Më së keqi e pësoi kultura kombëtare, e cila me mendjelehtësi të vrazhdët u kuptua si “këngë që këndohet me dy-tre akorde”. Në mungesë e pamundësi të dijes e të guximit, në skenë zhagun e mbajtën “mediokrët”, “servilët”, “injorantët” me mbështetjen dhe përkrahjen e manipuluesve të strukur në limere hajdutësh, rrini të tulatur nëpër strofka grupesh e grupimesh. Dhe, nga veprime të këtilla të padenjëG, u lindën demagogët që vunë në rrezik mirëqenien shoqërore. Prandaj, ky tufan i furishëm i përgaditur që moti dhe i ndihmuar nga vetvetja solli dukurinë e akulturimit, një shpërlarje truri me pasoja të pariparueshme që ende, sot, nuk ia shohim shenjat e këndelljes. Dhe nëse nuk angazhohemi e nuk bëhet luftë për demokraci sa më të thellë, për të mirë të popullit, asgjë nuk do të ketë kuptim. Në të kundërtën, angazhimet dhe veprimet pa përmbajtje, me folklorizëm të thatë e optimizëm të rremë, nuk paraqesin asgjë tjetër, veçse ambicie të sëmura, kotësi, me të vetmin qëllim dëshirën dhe dalldinë për pushtet. Këto janë politikat e errëta të mbetura në labirint, e të cilat me guxim i gozhdon autori i librit dhe prej nga kuptojmë se nomenklatura udhëheqëse politike shqiptare e kësaj periudhe u shndërruan në personazhe qe me kohë i përbuznin qytetarët.

Më në fund vlenë të theksohet se shkrimet që i ofrohen lexuesit në këtë libër të autorit Draga, janë një përmbledhje e shkëlqyeshme që pasqyrojnë situatën politike e kulturore të shqiptarëve në Mal të Zi, por edhe më gjërë. Në këtë libër trajtohen ngjarje dhe paraqiten ide, ku janë analizuar mirë konceptet e shqiptarëve, paraqitet ecuria për të ardhmen dhe sukseset e pritshme të popullit shqiptar në përgjithësi.

Gjuha me të cilën është shkruar kjo përmbledhje, pra ky libër, është e pastër, me sintaksë të krehur mirë, me një leksikë të pasur, elemente këto të cilat edhe më shumë e shtojnë peshën e këtij libri. Duke i dëshiruar shëndet, fat dhe suksese në karrierën e tij të mëtejshme, çdo lexues i cili e ka librin mikun më të mirë, do të pret me padurim librin e ardhshëm të Dr. Nail Dragës, për të shtuar edhe më tutje jo vetëm numrin e librit shqiptar, por edhe cilësinë e tije si vlerë primare. (Botuar në Koha Javore, janar 2024)

May be an image of 2 people and text

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

1313

Filed Under: ESSE

Stilistët e rinj të modës në Maison de l’Albanie

January 29, 2024 by s p

Luan Rama

(Instituti Ndërkombëtar i Modës – Izet Curri)

Është një kënaqësi e veçantë të takojmë këto ditë stilistët e rinj të modës të dalë nga atelierët e Institutit Ndërkombëtar të Modës – Izet Curri. I krijuar që 9 vite më parë, themelimi dhe veprimtaria e këtij instituti, një nga aventurat më të bukura të artit të modës në Ballkan, nga gjiri i tij kanë dalë një sërë stilistësh që tashmë janë angazhuar në atelieret e kuturierëve të mëdhenj siç është dhe rasti i Jehona Kastrati në firmën « Azedin Alaja ».

Izet Curri ka qenë dhe është vizionar në këtë fushë, i mbështetur në eksperiencën e tij personale me përjetimet e tij në Paris e nëpër Ballkan dhe përvojën e përftuar me krijuesit më në zë në « Prêt-à-Porter », që nga Hermes tek Azedin Alaja, pastaj nga ky tek Jean-Paul Gauthier due vazhduar me Lacroix apo Channel, për të ardhur më së fundi në krijimin e e këtij instituti pa mbështetje të fuqishme financiare por duke u mbështetur në eksperiencën e tij, në inteligjencën e tij natyrore dhe principet e një menaxhimi perëndimor. Ky artist, që në fillim të viteve ’80 krijonte dizajnin e kostumeve të Sean Connery, Gerard Depardieu, Isabelle Adjani, Christoff Lambert, Cindy Crafford, Madona apo Naomi. Në krijimin e këtij instituti ai tregoi njëkohësisht konceptet e tij moderne, shijen e veçantë artistike kërkimin e preferencave moderne në fushën e modës, me idenë e perspektivës për të qenë një pararendës. Puna e palodhur me gjilpërën që në fëmijërinë e tij (tradita e qepjes, një traditë familjare që është tashmë në ADN-në e tij), ku rrobaqepësia në këtë familje ishte jo vetëm traditë por dhe pasion dhe ekzistencë, krijoi tek ai atë këmbëngulje për të realizuar ëndrrat e tij në lagjet e dikurshme parisiane dhe atelieret e para të punës me modën. Dhe si gjithnjë ai ia ka dalë mbanë. Pas kaq vitesh, interesi për institutin e tij është shtuar, studentët e Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, nga Bosnja-Herzegovina etj gjejnë në këtë institut mishërimin e pasioneve të tyre për të bukurën dhe rrugët për një të ardhme në këtë lami të artit. Veshja e njeriut ndër shekuj qytetërues ka qenë dhe është arti i të bukurës në forma dhe ngjyra, në atë që quhet « grâce », e hirëshme. Në botimin e revistës së institutit informohesh se studentët vijnë nga Gilani, Shkupi, Gjakova, Tetova, Kumanova, Gostivari e Kërçova e po ashtu nga kryeqytetet e vendeve fqinje. Është për tu çuditur interesi i vogël i stilistëve nga Shqipëria të cilët vështrojnë veç nga ana tjetër e Adriatikut, ndërkohë që ky institut është kryekëput perëndimor. Këtë e tregojnë punimet e këtyre ish studentëve të cilët kanë krijuar vepra të admirueshme, dizajne që spikasin për një modernitet të skajshëm, dizajne që fare mirë do qëndronin me dinjitet në sfilatat e mëdha të modës në Paris, Romë, Londër, Berlin e gjetkë. Në dizajnet e Arsime Bajramit nga Kumanova ka shumë finesë, por kështu dhe në dizajnet e Azra Nezirit nga Gostivari ku të tërheq menjëherë moderniteti i saj e po kështu dhe të stilistëve tashmë me emër dalë nga ky institut si profesori Nikola Eftimov apo Igor Markov, Angela Bikova etj. Të gjithë së bashku ata kanë krijuar « matricën artistike » të këtij Instituti. Në këtë pikëpamje, kozmopolitizmi i Izet Currit ka gjetur shprehje në krijimin jo vetëm të një arti bashkëkohor por dhe të një koherence dhe atmosfere ndër-ballkanike. Arti i vërtetë arrin gjithnjë të thyejë çdo barriere, kufi dhe moskuptime historike mes fqinjëve mijëvjeçarë. Referencat e tyre janë të shumta siç u dëshmua dhe në homazhin e këtij instituti për gratë stiliste nga ato pararendëse gjer tek Coco Channel, Elsa Schiapareli, Sonia Rykel etj.

Një numër më vete i revistës i është kushtuar artit të pikturës në punën e stilistit të modës. Një nismë për tu përshëndetur pasi në fund të fundit veshja është një formë pikturale e krijuar me mjete të tjera, përmes cohës, modelimit, elegancës dhe ndjesisë artistike. Kështu, nga Dali, Albulena Baftiari ka arritur të krijojë një dizajn frymëzuar drejtpërdrejt nga ky gjeni, Antigona Kadriu është frymëzuar nga Klimt, Bledina Katona nga Miro, Herona Fejzullahu nga Degas, etj, duke vazhduar kështu me Mondrian, Manet, Picasso, Miro, Cocteau, Munch, Vassarely, Picasso apo Dado. Vështroj këto krijime dhe ndjej një emocion të veçantë rreth këtyre stilizimeve që dhe ato janë vepra arti më vete. Mjafton të ekspozosh dhe vetëm këto dizajne që një publik botëror të gjejë në to fantazinë për krijimin e të bukurës, asaj që të tërheq në mënyrë manjetike dhe kjo për çdo lloj publiku. Kështu e bukura është gjithëpërfshirëse, ajo rrok njerëz të moshave të ndryshme, popujve, kategorive dhe shtresave të ndryshme, ku e bukura është humane për gjithë njerëzimin. Ndoshta një ngasje tjetër do të ishin dhe epokat plot dritë të kohës bizantine apo të Renesansës ku artistët anonimë i kushtuan shumë art veshjes njerëzore, në veçanti gruas. Nje mpleksje mes bizantines dhe epokës së Renesansës me modernen, mund të na shfaqte ndoshta hire të tjera…

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1338
  • 1339
  • 1340
  • 1341
  • 1342
  • …
  • 2936
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT