• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Albanian Independence Day

November 4, 2023 by s p

Please save the dates 11/27 & 11/28 and join us in celebrating Albanian Independence Day at the following events:

Flag-Raising Ceremony
Date: November 27, 2023
Time: 2:30 P.M.
Location: Wall Street (Charging Bull), Bowling Green, New York, NY, 10004

City Hall Celebration
Date: November 28, 2023
Time: Doors open at 5:30 P.M.
Location: New York City Hall, City Hall Park, New York, NY, 10007

Filed Under: Mergata

Java Kulturore Hungareze në Tiranë

November 4, 2023 by s p

Dita inaugurale e festivalit “Hungarissimo 2023”, Javës Kulturore Hungareze në Tiranë, ishte një simfoni e kulturës, artit dhe historisë së përbashkët që përmblodhi zemrën e trashëgimisë kulturore hungareze duke përqafuar shpirtin dhe talentin artistik të Shqipërisë. Festivali u çel te Muzeu Historik Kombëtar, ndërsa anëtarët e shtypit, adhuruesit e kulturës dhe të ftuarit u mblodhën për prezantimin zyrtar të javës kulturore, e cila premtoi një kaleidoskop ngjarjesh.

Konferenca e Medias nuk ishte thjesht një ceremoni hapjeje; ishte një tablo e pasur me narrativë që vendosi tonin për gjithë javën. Folësit varionin nga përfaqësuesi zyrtar i Ambasadës së Hungarisë, i Ngarkuari me Punë, z. Adam Lovassy; znj. Entela Çipa, Drejtore e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit nga Ministria e Kulturës; si dhe drejtues të lartë të kompanive që mundësojnë realizimin e eventit, z. Bledar Shella, CEO i bankës OTP Albania dhe znj. Irida Bonati, Zëvëndës CEO e kompanisë së telekomunikacionit ONE.

Ata folën me elokuencë për dialogët ndërkulturorë që Java Kulturore Hungareze do të nxisë, duke theksuar homazhin e këtij viti ndaj figurave monumentale të kulturës hungareze dhe shqiptare. Kjo konferencë shërbeu si uvertura hapëse, duke shpalosur shtrirjen ambicioze të këtij takimi kulturor. Njëkohësisht, ky aktivitet shënoi dhe çeljen e një ekspozite të veçantë të artistes hungareze Anna Konya. Ekspozita me vepra të artit abstrakt, e tematizuar rreth konceptit të lirisë, do të jetë e hapur për publikun te Muzeu Historik Kombëtar përgjatë gjithë Javës Kulturore Hungareze, nga data 2 deri në 6 nëntor.

Ndërkohë, pasditja paralajmëroi një shkrirje unike të sportit intelektual dhe muzikës me eventin “Chess ‘n Jazz” te Galeria e Artit “Kalo”. Grandmaster hungarez Imre ishte në qendër të simultanes së shahut me 20 lojtarë të rinj nga Klubi i Shahut të shkollës “Qemal Stafa”. Galeria shndërrua në një arenë të gjallë ku heshtja strategjike e shahut përzihej me meloditë improvizuese të xhazit të talentit të ri shqiptar, pianistit Fatjon Pula. Ky ballafaqim kapi thelbin e “Hungarissimo” – një festë novatore e traditës me një kthesë bashkëkohore.

Paralelisht me meloditë e “Chess ‘n Jazz”, te Galeria e Artit “Kalo” u paraqitën dhe dy ekspozita të unike. E para ishte një paraqitje një dedikuar trashëgimisë së Sándor Petőfi, poetit kombëtar të Hungarisë, veprat dhe patriotizmi i zjarrtë i të cilit kanë gdhendur një shenjë të pashlyeshme në historinë hungareze. Krahas ekspozitës së Petőfi-t ishte një shfaqje e gjallë e mjeshtërisë abstrakte të Anna Konya, kanavacat e së cilës shpërthyen me një gjuhë vizuale që i fliste shpirtit, duke komanduar shikimin dhe soditjen e shikuesit. Ekspozitat ishin një nuancë e thellë për temën e festivalit, duke ndërthurur gjeniun letrar me artin avangardë.

Së fundmi, dita e parë u kurorëzua nga mbrëmja gala “Nata Hungareze”. Nën moderimin brilant të Balina Bodinakut, “Nata Hungareze” ishte një gërshetim i artit hungarez dhe shqiptar, me një përzierje madhështore të shkëlqimit operistik dhe instrumental. Skena u gjallërua me zërat e fuqishëm të tenorëve të jashtëzakonshëm shqiptarë, Kastriot Tushës dhe Josif Gjipalit, dhe ariet e tyre emocionuese. Atyre iu bashkua sopranoja eterike Ardita Meni, zëri i kristaltë i së cilës i shtoi një cilësi transhendentale mbrëmjes.

Instrumentalisht, performanca e Zeqir Sulkuqit në violinë ishte një rrëfim prekës në vetvete, duke treguar histori përmes goditjeve të buta dhe të fuqishme të harkut të tij. Ansambli “Egnatia” e pasuroi më tej programin, duke ndërthurur artin individual në një kolektiv harmonik.

Dita e parë e Javës Kulturore Hungareze vendosi një pikë të lartë referimi, duke premtuar përvoja po aq të pasura në ditët në vijim.

A.C

Filed Under: Kulture

3 NËNTORI I VITIT 1443 DITA KUR GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE U RIKTHYE NË ATDHE 

November 4, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli 

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Në çdo vend tjetër, nga çdo komb tjetër, kjo datë – ky përvjetor historik për Kombin shqiptar — do të kujtohej zyrtarisht nga dy shtetet shqiptare dhe nga pikëpamja historike prej akademive të shkencave në Tiranë dhe Prishtinë dhe si rrjedhim nga i mbarë Kombi shqiptar kudo, përfshir diasporën. Kjo duhej të ishte një ditë, në të cilën shqiptarët kudo, por sidomos në Shqipëri e Kosovë dhe anëa e mbanë trojeve shqiptare nën sunidme të huaja në Ballkanin Përendimor – të festonin këtë ditë të madhe për ta—të mbledhur të gjithë së bashku – të pakën në këtë ditë për të përkuajtur Fatosin e Madh dhe të përgjithëmonshim e Kombit – rikthimin e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Atdhe. 

Për fat të keq, ashtu siç u harrua në heshtje disa vite më parë edhe i  shpalluri “Vit i Gjergj Kastriotit- Skenderbe–   Frank Shkreli/ U mbyll “Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu” – Në heshtje | Gazeta Telegraf – ashtu edhe kjo datë (3 nentori 1443) të pakën me sa shoh deri tani – me përjashtim të ndonjë portali aty këtu, nuk u përmend nga asnjë ent me rëndësi qeveritar, shtetëror ose akademik.  Ky qendrim anti-kombëtar sot ndaj Gjergj Kastriotit -Skenderbe, nga shqiptarët, për Heroin e tyre Kombëtar –i cili me luftimet e tija kundër Perandorisë Osmane u solli lirinë për një çerek shekulli. Por kjo date e kthimit të Skednerbeut në Atdheun e tij, duhej të ishte edhe një ditë kujtesë nga Evropa për ndihmesën që luftërat e Gjergj Kastriotit Skenderbe kanë dhënë për shpëtimin e kontinentit të vjetër nga hordhitë osmane.  Do të ishte mirë që dikush t’ua kujtojë këtë datë borrelave dhe lajçakëve

të Evropës moderne se çfarë rëndësie ka kjo datë për lirinë e shqiptarëve sot por

edhe për mbarë Evropën. Dikush duhet t’ua kujtojë evropianëve modernë që vazhdojnë të përçajnë e të ndajnë me pazarllëqe trojet shqiptare se kush ishte Kastrioti i shqiptarëve të shekullit XV që luftoi edhe për të mbrojtur lirinë dhe qyttetërimin e tyre por dhe i shqiptarëve të shekullit XXI – I këtyre shqiptarëve që edhe sot e kësaj dite nuk kanë siguruar lirinë dhe pavarsinë e plotë për veten në trojet e tyre shekullore. 

Ndryshe nga heshtja e klasës së sotëme politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishitnë – ishte At Gjergj Fishta –Poeti i Madh i Kombit shqiptar, që në fillim të shekullit të kaluar u ka kujtuar fuqive të atëhershme evropiane, por aktuale edhe për ditët tona për fat të keq të shqiptarëve – se pasardhësit e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut end enuk gëzojnë lirinë dhe pavarësinë e plotë:

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís

Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije? 

(At Gjergj Fishta – Lahuta e Malsisë)

Mirë – nëqoftse Evropa ka heshtur prej ligështie, siç me të drejtë, At Gjergj Fishta qortonte fuqitë e mëdha evropiane të kohës së tij, pse heshtin sot shqiptarët – prej ligështie thua a po prej ndonjë gjëje tjetër — për At Gjergj Fishtën dhe për data të rëndësishme për Kombin shqiptar, siç është (3 nëntori, 1443) – Dita e rikthimit të Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Atdhe. Një përvjetor ky që ka hapur një kapitull të ri në historinë e qendresës së shqiptarëve ndaj së keqës së Perandorisë Osmane dhe që. Njëkohësisht, shënon edhe flijimet e mëdha të shqiptarëve në mbrojtje të qytetërimit evropian!?

Pamje nga Sheshi “Skenderbej” në Tiranë, ku siç duket në këtë ditë të 3 Nëntorit 2023) që shënon rikthimin e Gjergj Kastriotit në Atdhe, (3 Nëntori, 1443) dikush ka vendosur të pengojë pamjen e Monumentit të Heroit Kombëtar duke ngritur këto kioskë – se për çfarë qëllimi, nuk është e qartë.

HENRY WADSWORTH LONGFELLOW –Poeti amerikan që lartësoi Skënderbeun me poemën e tij ku Skënderbeu paraqitet si hero legjendar. Vjersha është përkthyer nga i madhi Fan Noli (1916). 

SKENDERBEU

Shkruar me 4 Shkurt, 1873

Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret

Ditën e Rushajevet,
Dhe nga fush’ e kuqe gjak
Ikën, rent përpara tij

E Muratit ushtëri
Që shpëtoj e s’ra në lak.
Kur u-ngrys e kur u-err,

Skënderbeu, nder, lavdi
I asqerit Osmanlli
Tok me Turqit krismën merr,

Si lëfton e si humbet
Ditën e Rushajevet.

Mbet e vdekur prapa tij

E Muratit ushtëri,
Kryerojtja udhën hap,
Praparojtja rent me vrap,

Dhe armiku gjakësor
Si me drapër grin e kor.

Po kujdes ay s’të ka

As për Bej as për Pasha,
Edhe natën tek’ po shkon
Yjt’ e fatit po shikon

Që i ndritnin n’udhëtim;
Edhe kalit tij i ra,
Nënëqeshi edhe tha:

“Është koha për gëzim”.

Mez’ i natës kur afroj,
Ikja e rreptë kur pushoj,

Një Qatip na vjen i Mbretit
Me myhyrin e Dovletit
Edhe tha me zëmërim:

“Njoll’ e parë t’u-vu sot
N’emër, o Gjergj Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!

Ushtërinë pse e le
Therrur fushës për vajtim?”

U-përgjeq Skënderi, e tha:

“Dergjen mbytur nëpër gjak.
Thembr’ e kalit i ka prak,
Po kështu e shkruar qe

Nga i Madhi Zot atje
Q’urdhëron çdo ushtëri.
Dhe ku kemi ne fuqi

Kur ngre dorën kundër nesh
Dhe na grryen si rrebesh?

“Lidheni, tha, me litar
Shkronjësin me kallamar!”
Dhe Qatipi tha: “Po ç’faj

Paskam bërë që Pashaj
M’a bën mua këtë gjë?”
U-përgjeq Skënderi e tha:

“Faj s’ke bërë asnonjë,
Po që të mos na shpëtosh,
Dhe të fshihesh e të shkosh,

Përandaj t’a bënj këtë.”

Tani shkrua-më një shkrim
-Dhe për fis e paç bekim!

Me myhyrin e Dovletit
Për Mytesarifn e Mbretit
Që mban Krujën, një qytet

Rreth me mur e me hendek,
Të m’a kthenjë gjën’ e atit
N’emrin e Sulltan Muratit;

Se çdo urdhër që të japë
Kurrë nukë merret prapë.

Dhe Qatipi u-krrus prej tmerrit

Dhe kështu i tha Skënderit:
“O Allah i math, i naltë,
Që të jemi hi e baltë!

Qysh t’i shkruanj këto shkrime
Kur e di që kokën time
Po m’a pret ay Dovlet?”

Shpejt ahere si një yll
Që këputet lark nga qjelli
Çpallet nga i arti myll

Një hanxhar me reze djelli
Dhe gjëmon Skënderi: “Shkruaj!”
Dhe Qatipi i tmerruar

Shkroj në dritën e drithmuar
Afër zjarrit, i dërmuar,
Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,

Nga e ftohta i mërdhirë,
Zëmër-prerë, vdekje-grirë.

Dhe Skënderi prapë tha:

“Tani eja pas me mua
Se të mbetesh këtu s’dua
Do t’të kem si mik e vlla,

Gjithënjë do t’të nderonj
Me kujdes do t’të rrethonj
Sa të rrosh në këtë botë.”

U përgjeq Qatipi e thotë:
“Udha jonë këtu ndahet,
Shoqëria jonë s’mbahet.”

Pa mbaruar këtë fjalë
Një hanxhar i rëndë ra,
Kur s’ish afër asnjë tjatër

Dhe Qatipi po përmbyset
Si një gur që rrugulliset
Në liqen të zi dhe shket

Tatëpjetë dhe humbet;
Edhe rreth në qetësi
Asnjë pipëtim s’u-ndi

Përveç kalit Skënderbeut
Që përpjet’ u-hodh prej dheut.

Pastaj sulet si shigjeta

Me tre qint pothua veta
Nëpër lum’ e pyll e garth
Përmi malet Argjendar;

Dhe me zemrën plot gëzim
Kapërceu lumin Drin
Dhe u-gdhi e n’agullim

Pa kështjellën Ak-Hissar,
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek

Tek u-lint e tek u-rrit,
Yll mëngjezi mi të ndrit.

Dhe ahere trumbetarët

Brirëve t’argjëntë u bien
Edhe togje rreth i mblidhen
Turqit bashkë me Shqiptarët

Që dëgjuan atë thirrje.
Dhe kremtoj me miqt’ e tij
Dhe u-ngrohnë me dolli.

Dhe u thotë: “Miqt’ e mi,
Shihni fati ç’na dërgon,
Perëndia ç’na bekon!

Mbret Murati urdhëron
Mall’ i gjërë i tim-eti,
Vend’ i terë dhe qyteti

Të më jipen nga Dovleti.”

Dhe pastaj me salltanet,
Veshur armët si një mbret,

Shkon kaluar në kështjellë
Edhe hyn nga port’ e gjerë
Dhe pashajt që urdhëron

Përmi Kruj’ i dorëzon
Urdhërin e Murat Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.

Dhe Pashaj, si heshti, tha:
“Lavdi pastë Perëndia,
Ja ku hiqem nga fuqia.

Merr-e vendin dhe qytetin;
Kush lëfton dot me kësmetin?”

Nga kështjella shpejt ka rënë

Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vënt të tij valon

Flamur’ i Skënderit n’erë
Shkab’ e zezë me dy krerë.

Dhe një thirrje lart-u-ngrit,

Se çdo zëmër e çdo shpirt
U-mërzit nga Turku i lik,
Q’e kish bërë atë Krujë

Zi, murtajë dhe rrëmujë.
Ay zë me gas me bujë
Q’oshëtin nga brek në brek

Është: “Rrofsh, o Skanderbeg!”

Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim;

Edhe lajma u-përhap
Si një flagë, si një zjarr
Q’i fryn era në behar

Dhe qytetet afër larg,
Thotë Ben Isa Ben Miri
Në Qitap, të tij fakiri

“Binin m’atë lehtësi
Që zë burri veshn’ e tij”

A person sitting in front of a statue

Description automatically generated

Busti i të përgjithëmonshmit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Sallën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Bisedë me zonjushën Ballina Prishtina bijë e Gjuhës Shqipe në UPENN

November 4, 2023 by s p

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

Gjuhën Shqipe unë doja që ta shihja të gjallë e për shumë vite të tjera, të dokumentuar në arkivat historikë të Universitetit tonë, si një gjuhë që këmbëngul në një komb të qëndresës”.  B.P.

Ngjarja e cila ka ngelur thellë në mëndjen time si një fëmijë pesë vjeç ishte pjesëmarrja ime në rivarrimin e gjyshit tim nga mami dhe 15 anëtarëve të familjes së tij, Mirena (1999). Ata u morën me dhunë nga shtëpitë e tyre, eshtrat e tyre u gjetën në një varrezë massive ne Serbi…

Zonjusha Ballina Prishtina është inisiatore e mësimit të Gjuhës Shqipe duke e futur në programin e Universitetit të Pennsilvanisë si lëndë mësimore.  Si një studente e këtij universiteti ndër më të mirët në Amerikë, ajo arriti të realizojë ëndrrën e saj pas shumë përpjekjesh dhe të na bëj krenar të gjithëve.

Ju ftoj të lexoni bisedën më poshtë:

Zonjusha Ballina Prishtina që më emocionon pamasë me emrin dhe mbiemrin tënd aq të bukur dhe domethënës na tregoni ju lutem përpjekjet tuaja, mundimet dhe realizimin e kësaj ëndrre me sukses për të gjithë shqiptarët në Amerikë dhe më gjerë?

Faleminderit për mundësinë që më dhatë, është kënaqësi dhe privilegj të jap këtë intervistë për gazetën Dielli dhe Illyria. Identitetin e njeriut e njohim nga emri e mbiemri i tij. Kjo ishte motoja e babit tim që ma vuri këtë emër. Uroj që të jetë një frymëzim për prindërit e rinj që t’i pagëzojnë me emra shqip e domethënës fëmijët e tyre, që ta ruajmë identitetin kombëtar ndër breza e shekuj…   

Fillimisht, UPenn si universitet obligon çdo student të marrë një gjuhë të huaj. Në qoftë se studentët tani kanë njohuri në një gjuhë të huaj, ata mund të testohen dhe t’i ikin këtij obligimi. Unë vendosa të mos testohem për gjuhën shqipe, dhe zgjodha gjuhën frënge si gjuhë të huaj. Kur pashë listën e ofruar nga universiteti, ishte një listë e gjërë që përfshinte gjuhë të folura nga miliona njerëzish, sikurse gjuha frënge, italiane, spanjolle, kineze, apo edhe ruse, mirëpo kishte edhe gjuhë që janë më pak të folura ndërkombëtarisht, sikurse gjuha greke, çeke, apo edhe ajo turke. Mendova dhe thash me vete, nëse ofrohen gjithë këto gjuhë të huaja, pse mos të figurojë në këtë listë gjuha jonë shqipe, që posedon një trung të vetëm në hartën e gjuhëve të botës, që nuk përmban asnjë lidhje me ndonjë gjuhë tjetër, e që daton si gjuhë e lashtë dhe iu vu ballë okupimeve mijë-vjeçare. Në ato momente kujtova një thënje të mamit tim që shumë shpeshë ma thotë, “If you don’t ask, the answer is always no,” dhe vendosa të pyes se cilat ishin mundësitë. 

Unë kur kontaktova administratën me idenë që gjuha shqipe të jetë e përfshirë në listën e gjuhëve të ofrurara përgjatë vitit të rregullt akademik, ata pyetën nëse unë po mendoja për një klasë fillestare apo të lartë, dhe une iu përgjigja të dyja. Në fillim kishte hezitim nga ana e administratës se a do kishte mjaft studentë të interesuar në mënyrë që të krijohet një klasë me numër të konsiderueshëm studentësh. Ata më thanë që duhet të bëja një peticion me nënshkrimet e studentëve që pranonin të kenë interesim në këtë lëndë. Pasi shpërndava peticionin te grupi i shqiptarëve në Penn, e shpërndava peticionin edhe nëpër universitet. Kur mblodha mjaft nënshkrime, iu ktheva administratës me provë që ka me të vërtetë interesim në këtë gjuhë. Pas një procesi të gjatë burokratik dhe me disa këmbëngulje gjatë procesit, më lajmëruan që klasa fillestare e gjuhës shqipe do ofrohet për herë të parë gjatë semestrit pranveror të vitit 2024. Më në fund, listës së gjuhëve të huaja që mësohen në UPenn, iu shtua edhe gjuha shqipe. I uroj të ketë një rrugëtim të gjatë e frytdhënës.  

Pati skeptikë në administratën e UPenn-it për mosrealizimin e futjes së Gjuhës Shqipe në programin akademik?

Nuk është se kishte skeptikë, por kërkoheshin kritere të cilat duhet të plotësoheshin. 

Si u mirëprit nga studentët shqiptarë në qoftese ka, por dhe nga të huajt?

Penn Albanian Society, apo Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Penn është një klub i themeluar në UPenn të cilin unë e udhëhoqa si presidente gjatë vitit akademik 2020-2021. Klubi e mirëpriti lajmin me shumë entuziazëm, ku mora shumë mesazhe dashamirëse, si nga studentët e tanishëm shqiptar, ashtu edhe nga ata të diplomuar duke shprehur mirënjohje të thellë dhe se me padurim presin të fillojnë këtë nismë kuptimplotë. Ndërsa studentët e huaj, me të cilët kisha kontakt, ata përgjatë viteve e kishin kuptuar sa vlenë gjuha shqipe për mua dhe sa shumë doja ta shihja si lëndë të ofruar në UPenn. Ata e mirëpritem duke më shprehur një “Well done” të fuqishëm dhe më dërguan mesazhe mbështetëse për realizimin e kësaj ëndërre. 

Cila është fëmijëria juaj dhe historia e familjes tuaj?

Unë kam lindur në Amerikë nga prindër të mbijetuar të luftës, të cilët u dëbuan me dhunë nga shtëpia e tyre në Prishtinë, dhe përfunduan refugjat në Bronx të New York-ut (1999). Si shumë refugjatë të tjerë, ata erdhen me rrobat që i kishin në trup dhe një trastë me gjëra elementare. Aty qëndruan për një vit, dhe pastaj kaluan në Hackensack, New Jersey, ku edhe linda unë (2001) dhe u rrita deri në moshën 5 vjeçe. Mirëpo, kur forcat e NATO-s e çliruan Kosovën, prindërit e mi ishin vetëm fizikisht në Amerikë, por me mëndje e me shpirt ishin në Kosovë. Qëndrimi në mërgim iu dukej sikur nënvlerësim i secilës jetë që u flijua për të na dhuruar një Kosovë të lirë. Kështu që në vitin 2006, pasi u natyralizuan me shtetësinë Amerikane vendosën të kthehen për të punuar për ushtrinë Amerikane në Camp Bondsteel në Kosovë. 

Unë u rrita në Kosovën e lirë, në trojet e të parëve tanë, në vendin martir të shqiponjave, duke folur gjuhën e nënës. Vijova mësimin fillor në shkollën “Ismail Qemali” dhe e mbarova me merita të larta ku edhe u zgjodha kryetare e rinisë së shkollës gjatë vitit shkollor 2015-2016. 

Pastaj, shkollimin e mesëm e vazhdova në “American School of Kosova” ku iu nënshtrova testeve dhe dola me pikët maksimale dhe fitova bursë të plotë. Gjatë shkollimit të mesëm u zgjodha kryetare e Model United Nations (MUN), ku përfaqësova shkollën në disa konferenca jashtë vendit: RCIMUN në Robert College, Stamboll (2017); BERMUN në John F. Kennedy School, Berlin (2017); PORGMUN në Anglo-American University, Pragë (2018); dhe WESTMUN në University of Westminster, Londër (2018). 

Gjatë vitit shkollor 2017-2018 u pranova në Harvard Summer School. Shkuarja në Harvard ishte një përvojë që më rriti dhe më krijoi një vizion ndryshe për moshën që kisha. Më ndihmoi të krijoj njohuri të reja për sistemin Amerikan të shkollimit universitar. 

Dhe fare në fund u përzgjodha që të jem Salutatorian për të mbajtur fjalimin përshëndetës në ceremoninë e diplomimit të Class of 2019 në American School of Kosova.   

Qershia mbi tortë ishte pranimi në University of Pennsylvania, universitet elitar që bënë pjesë në Ivy League, e që grupon 8 universitetet më prestigjioze në Amerikë. Aty njoha profesorë dhe studentë që punonin fortë dhe mbartnin vlera e cilësi, ku arrita të zhvilloj potencialin tim dhe të avansoj në fushën time.  

Pas gjithë këtij rrugëtimi, u detyrohem prindërve të mi, për fëmijërinë që kisha pavarësisht përvojave të tyre të rënda, për dashurinë e pa kusht që më falën, që ishin busullë orientimi për mua dhe burim inkurajimi për çdo hap që unë hodha. Falë tyre jam këtu ku jam. 

Ngjarja e cila ka ngelur thellë në mëndjen time si një fëmijë pesë vjeç ishte pjesëmarrja ime në rivarrimin e gjyshit tim nga mami dhe 15 anëtarëve të familjes së tij, Mirena (1999). Ata u morën me dhunë nga shtëpitë e tyre, iu dogjën shtëpitë, u masakruan dhe trupat e tyre i dërguan në Serbi për t’i fshehur gjurmët e krimit. Pas 8 vitesh, eshtrat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Serbi ku përmes kryqit të kuq ndërkombëtar, trupat e tyre u riatdhesuan dhe u rivarrosen për t’u prehur në paqë në Kosovën e lirë. Liria që e gëzojme sot gjitmonë do të mbizotërojë mbi dhimbjen por duke pritur që drejtësia të triumfoj e të ndëshkohen vrasësit. 

Ata janë të paharruar në kujtesën tonë e të popullit, gjithmonë duke pritur që drejtësia të triumfoj dhe t’i ndëshkojë vrasësit. 

Ju jeni diplomuar në Maj të këtij viti në këtë universitet, cilat janë disa nga arritjet tuaja akademike dhe planet tuaja për të ardhmen?

Unë u diplomova nga UPenn në Maj të vitit 2023 me merita të larta Magna Cum Laude, në dy drejtime (double major): politikë internacionale dhe histori diplomatike. Gjithashtu kreva minor në kinema dhe media, si dhe u çertifikova për studimet e gjuhës frënge. Gjatë studimeve në UPenn jam ndjerë shumë e mirëpritur dhe e lirë për t’i ndjekur ambiciet e mia. 

Ka shumë çaste kur jam ndjerë krenare gjatë kohës sime në UPenn. Fillimisht, unë isha presidente e shoqatës së shqiptarëve në UPenn, (2020-2021) ku organizova një konferencë tre-ditore që vuri në theks shqiptarë të arritur në fushat e inxhinierisë, politikës, dhe biznesit. Studentët kishin rastin të merrnin njohuri nga këta të ftuar dhe t’i shfrytëzonin këshillat e tyre. 

Në fillim të vitit të tretë të studimeve (2021), unë u përzgjodha nga universiteti që të jem pjesë e programit Penn in Washington në Penn Biden Center, Washington DC. Aty ndiqja 4 klasa nga ky program dhe paralelisht bëja praktikën në Senatin Amerikan në Komitetin e Punëve të Jashtme për një semestër të plotë. Praktika që kreva në Senatin Amerikan sot e kësaj dite mbetet një ndër eksperiencat më të mira të jetës sime, ku e pashë demokracinë në veprim dhe dhashë kontributin tim për legjislaturën Amerikane. Isha prezente në shumë takime që kishin për objektiv Europën dhe shumë shpesh Shqipërine dhe Kosovën. Në të njejtën kohë, kur përfundova programin u përzgjodha nga dejtuesja e programit, Prof. Dr. Deirdre Martinez, të asistoj mësimin e programit gjatë gjysëmvjetorëve të ardhshëm (2021-2023). Të gjitha këto përvoja më ngritën shumë akademikisht. 

Sa i përket anës hulumtuese, dy punimet hulumtuese që dua t’i përmend janë: 1) Punimi hulumtues për punën e Presidentit Bill Clinton në Kosovë (2022), për të cilën do të flas më vonë; dhe 2) Punimi hulumtues për shqiptarët të cilët luftuan në luftën civile të Spanjës, dhe influenca që kishin ata në politikën e Shqipërisë (2022). Kjo e dyta u bë nën Prof. Dr. Antonio Feros dhe u zgjodh punimi më i mirë i vitit në departmentin e historisë europiane ku fitova çmimin Jack Reece prize. 

Gjithashtu dua ta përmend një moment tjetër, ku unë isha organizatore e marshit për Ukrainën. Ky qe një moment solidarizimi ku të gjithë studentët marshuam në përkrahje të lirisë dhe demokracisë, pavarësisht prejardhjes. Ky marsh u vlerësua shumë nga universiteti si një organizim mbresëlënës. 

Sa i përket planeve për të ardhmen, synoj që të përfundoj edhe studimet master në Amerikë në të ardhmen e afërt. 

Ju keni përfunduar me sukses praktikën në Departamentin e Shtetit këtë verë dhe keni marre pjesë në seminarin e politikës se jashtme nën Sekretarin Blinken. Ju shkruani ne F/B se duke ecur nëpër korridoret e Departamentit të Shtetit keni ndjerë praninë e Sekretares së ndjerë zonjes Albright.  Cilat janë disa nga momentet tuaja më të bukura për këtë përvojë të mrekullueshme?

Mund të them që çdo ditë pune e imja nën Sekretarin Blinken ka qenë rikujtim i punës së mahnitshme ndërkombëtare që bënë Amerika për botën dhe shqiptarët. Unë punova në departmentin legjislativ ku kisha për detyrë koordinimin e punës ndërmjet anës legjislative dhe ekzekutive të qeverisë. Përndryshe, ishte një eksperiencë fantastike ku unë mësova shumë dhe pashë se ku kanë buruar vendimet më të mëdha për çlirimin e Kosovës. Një nga momentet më të bukura ishte pjesëmarrja në seancat e nominimeve të ambasadorëve amerikan, ku isha në mesin e senatorëve të komitetit të punëve të jashtme, si dhe takimi me shumë zyrtarë që vizitonin Departmentin e Shtetit. 

Ju vizituat Bibliotekën Presidenciale Bill Clinton në Little Rock, Arkansas, përpos mirënjohjes së pakufishme për Presidentin Clinton cili ishte tjetër qëllimi i vizitës suaj?

Gjatë studimeve të mia në UPenn, unë mora një klase të cilën e ligjëronte Prof. Dr. Dwight Eisenhower, nipi i ish-Presidentit Eisenhower. Kjo lëndë fokusohej në historinë e komunikimeve të presidentëve amerikan. Klasa për qëllim e kishte që secili student të zgjedhë një president amerikan për të e hulumtuar një pjesë specifike të karrierës së tij, duke udhëtuar për në bibliotekat presidenciale të tyre. Kështu që UPenn më dergoi mua në Little Rock, Arkansas në biblioteken presidenciale të Presidentit Clinton për të hulumtuar komunikimin dhe lidhjen e Presidentit Clinton me Kosovën. Aty kisha çasje në burimet primare dhe korrespondencën që Presidenti Clinton kishte kryer prapa skenave për Kosovën. Ishte kënaqesi e madhe të shihja që një pjesë e dukshme e muzeut të Presidentit Clinton shfaqte punën e tij në Kosovë, si dhe çlirimin e Kosovës. 

Pas studimeve akademike keni menduar të ktheheni një ditë në Kosovë, Mëmëdhe?

Qëllimi im është që gjithmonë të kontriboj për demokracinë në botë. Nuk e kryqëzoj idenë që të kthehem në Kosovë, nëse paraqitet mundësia. Për momentin jam njëqind-përqind e fokusuar në studimet e mia akademike.  

Shume faleminderit e dashur Ballina, balli i vajzave dhe në emër të bordit të Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në New York dhe në Online jeni e mirëpritur të vizitoni këto mjedise dhe të bëheni frymëzim për qindra të rinj që vazhdojnë këto shkolla.

Nëntor, 2023

New York

Filed Under: Komunitet

Kryeministri Kurti raportoi në Kuvendin e Kosovës mbi zhvillimet e dialogut Kosovë-Serbi

November 4, 2023 by s p

Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, mbajti seancën e radhës.

Në këtë seancë raportoi kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, për takimin e fundit në Bruksel lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Fillimisht, kryeministri Kurti tha se më 26 tetor në margjina të Samitit të Këshillit Evropian në Bruksel zhvilloi takim me krerët e Bashkimit Evropian, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian, Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij për rajonin e Ballkanit dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak.

Në këtë takim, Kurti shtoi se së pari dhe mbi të gjitha ka kërkuar më shumë siguri në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nga Serbia erdhi agresioni ndaj Kosovës me paramilitarët, të cilët e kryenin sulmin terrorist të sponsoruar nga Serbia. Kërkova po ashtu që të bëhet edhe ndëshkimi e sanksionimi i Serbisë për këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, pasi mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje”, theksoi Kurti.

Ndër të tjera, Kurti tha se ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për Bashkim Evropian dhe që pesë shtetet mos njohëse t’i bashkohen 22 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës.

Më pas kryeministri Kurti dha detaje të tjera nga takimi i 26 tetorit në Bruksel.

“Para krerëve të Bashkimit Evropian si dëshmitarë dhe si garantues ne ofruam të nënshkruajmë Marrëveshjen Bazë të Brukseli të 27 shkurtit, me gjithë Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit, si dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10, pra për idenë e vetëmenaxhimit të shndërruar në propozim. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim. Mirëpo, pranimi do të thotë nënshkrim, e vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim. Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel ishte ngjarja, por edhe vendi, edhe kryeqyteti ku kjo do të duhej të ndodhte. Serbia refuzoi sërish nënshkrimin, duke refuzuar kështu edhe draftin për vetëmenaxhim apo zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes bazike”, tha Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti tha se ka mirëpritur deklaratën e përbashkët nga krerët e Bashkimit Evropian dhe shteteve të Gjermanisë, Francës dhe të Italisë të 27 tetorit për thirrjen për njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia, si dhe deklaratën e Presidentes së Komisionit Evropian znj. Ursula von der Leyen, e cila ishte për vizitë këtë të hënë në Kosovë.

Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është interes i dyanshëm, shtoi Kurti, duke shtuar se prandaj edhe kërkohet njohje-reciproke. “Njohja de-fakto reciproke që është arritur tashmë me Marrëveshjen e Brukselit, ajo duhet të zbatohet. E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian dhe në aleancë, miqësi e partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën e Kosovës, Marrëveshja Bazike në Bruksel dhe Aneksi në Ohër janë ligjërisht të obligueshme”, tha kryeministri Kurti.

Kryetari i PDK-së, deputeti Memli Krasniqi kritikoi qasjen e kryeministrit Kurti përballë deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me takimin e 26 tetorit në Bruksel.

Ai tha se kryeministri Kurti nuk foli për draftin e marrëveshjes për të cilin është ftuar të flas në Kuvend.

“Një e vërtetë e madhe prej të cilës nuk mund të largohesh është se ke pranuar asociacionin pa njohjen e ndërsjellë. Po flet për disa njerëz të mençur të disa shteteve mike, por po harron se dy presidentët e fundit amerikanë kanë thënë se ‘angazhohemi për marrëveshje gjithëpërfshirëse, finale me njohje në qendër’. Sot nuk është njohja në qendër. Nën kujdesin tuaj është hequr njohja, është bërë një marrëveshje e përkohshmë, jo finale, jo gjithëpërfshirëse, por e pjesshme me asociacionin në qendër, e sipas atij nenit shtatë me autonomi politike për serbët në qendër”, theksoi Krasniqi, duke shtuar se kjo është arsyeja që PDK-ja ka thënë se kjo marrëveshje nuk është e mirë për Kosovën.

Edhe kryetari i LDK-së, deputeti Lumir Abdixhiku, ishte kritik ndaj kryeministrit Kurti.

Abdixhiku tha se ndonëse janë bërë dy javë pasi që kryeministri Kurti ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e asociacionit, deputetët vazhdojmë të jenë në terr informativ.

“Gjithsesi sot jemi para një gjendje të re. Kryeminstri ka bërë atë që kemi paralajmëruar se do ta bënte në fillim të këtij viti. Pra, do të pranonte asociacionin. Përkundër refuzimit të atëhershëm se ky pranim po ndodhte, statusi i asociacionit na vije çuditrisht një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë. Them çuditrisht, sepse kur pritjet tona ishin se beteja kundër terrorizimit do të shfrytëzohet në përballje diplomatike, ne jo vetëm që mbetëm me sanksione, jo vetëm që Serbia nuk u sanksionua, por se ne së bashku me ta pranuam statusin e asociacionit dhe ende jemi në sansione”, tha Abdixhiku.

Në emrin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari Besnik Tahiri, e cilësoi papërgjegjësi totale raportimin e vonuar të kryeministrit Kurti, duke mos shpalosur informacione.

“Konfidencialiteti i dokumentit për Serbinë dhe përfaqësuesit e saj mund të jetë taktizim, por për Kurtin mungesa e transparencës dhe përfshirjes së publikut, së Kuvendit dhe akterëve të tjerë është arrogancë dhe është vazhdimësi e mashtrimit të tij që nga dita e parë kur ka ardhë në Kuvend”, u shpreh Tahiri, duke shtuar se pasojë e taktizimeve të Kurtit ndaj Kosovës janë vendosur sanksione.

Në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, kryetarja Mimoza Kusari-Lila, përmendi sfidat, por edhe progresin të cilin ka shënuar Qeveria e Kosovës, përfshirë edhe në veri të vendit.

“Shpresoj se nëse bëhemi bashkë dhe nuk përsërisim gabimet e të kaluarës natyrisht se e ardhmja jonë për integrim evropian dhe NATO është e sigurt. Situtata në terren ka ndryshuar rrënjësisht dhe si i tillë çdo diskutim i deritashëm për dialogun lehtësohet nga pesha e rëndë e gjendjes së mëhershme që ishte në veri dhe se avancimi i procesit të integrimit të të gjitha komuniteteve po vazhdon me një progres të cilin nuk e kishim deri më tani”, tha Kusari.

Në emër të Grupit Multietnik, Enis Kervan, tha se minoritet e kanë përkrahur dialogun nga fillimi, sigurisht duke shpresuar në një marrëveshje të mundshme me synim normalizimin e jetës politike dhe shoqrore në Kosovë.

“Duhet të theksohet edhe njëherë se Kosova është një shtet multietnik, ku jetojnë edhe komunitetet tjera joshumicë. Ne si komunitet kërkojmë që të jemi të informuar dhe të kontribuojmë në këtë proces, duke e mbështetur dialogun dhe duke e mbështetur qeverinë. Nuk duhet të harrojmë se çdo gjë është ndryshuar pas 24 shtatorit. Akti i 24 shtatorit është kryer me mjete terroriste dhe për qëllim Serbia kishte të pushtojë territor të Kosovës”, theksoi Kervan.

Në këtë debat morën pjesë edhe deputetët tjerë nga pozita dhe opozita, duke shprehur mendime të ndryshme për dialogun, përfshirë edhe për marrëveshjen e 26 tetorit në Bruksel.

Për vazhdimin e kësaj seance me pikat tjera, kryetari Konjufca tha se deputetët do të njoftohen me kohë.

May be an image of 6 people

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1347
  • 1348
  • 1349
  • 1350
  • 1351
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT