• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUNGESA E LIBRAVE UNIVERSITARË NË GJUHËN SHQIPE SI PASOJË E REVISTAVE TË “NEOKOLONIALIZMIT AKADEMIK”

December 26, 2023 by s p

Prof.Milazim KRASNIQI/

Tashmë që jam jashtë stafit të rregullt universitar, e kam edhe më të qartë pamjen lidhur me tiraninë që imponohet lidhur me botimet e punimeve shkencore në revista të huaja, si kusht brutal për avancim në tituj universitarë. Në fakt, ka pasur dhe ka gjithnjë e më shumë një zhvillim shumë kundërthënës në këtë punë: sa më shumë që mësimdhënësit tanë botojnë punime shkencore në revista në platforma të njohura, (Scopus) aq më pak ka libra universitarë në gjuhën shqipe. (Ndërsa punimet botohen vetëm anglisht dhe publiku shqipfolës nuk ka mundësi t’i lexojë! Ato as nuk shkruhen për studentë, prandaj jo gjithnjë mund t’u shërbejnë.)

Puna është e vendosur mbrapshtë që nga fillimi, sepse mësimdhënësit detyrohen të formulojnë tema që mund të zgjojnë më shumë interesin e revistave të huaja për botim. Temat e tilla shumë herë janë më shumë teorike ose „kozmopolite“, e jo tema që do të kishin për objekt hulumtimi probleme konkrete e aktuale të ambientit tonë ekonomik, shoqëror, kulturor, kombëtar, shëndetësor, teknologjik, etj. E dyta, standardizimi i punimeve i bën të duken disi si prodhim serik, çka e dëmton kreativitetin e studiuesve. Në këso punimesh për platformat e njohura, studimi futet në një kallëp teorik, metodologjik e strrukturor, gjë që e imponon botuesi, e jo hulumtimi dhe rezultatet e studimit. E treta, punimet u dedikohen studiuesve në fushat respektive, e jo studentëve ose ndonjë komuniteti pak më të gjerë. E katërta, meqë ka shumë universitete e shumë mësimdhënës, të cilët janë të detyruar të botojnë punime në aso revistash për t‘u avancuar, atëherë kjo konkurencë abnormale u merr shumë kohë e shumë energji. Bile ka revista që i detyron autorët të paguajnë para, për t’ua botuar punimet.

Njëra nga pasojat e kësaj politike të mbrapshtë, që në instancë të fundit mua më duket si një formë e neokolonializmit akademik, është se mësimdhënësit nuk kanë as kohë, as energji as interes që të shkruajnë libra univeristarë për studentë. Bile as të përkthejnë libra universitarë. Pse? Sepse ajo punë faktikisht nuk vlerësohet për avancim. Më shumë vlerësohet një punim i botuar në një revistë të huaj, dikund në rrotë të samës, se sa një studim monografik, i botuar në universitet. Prandaj, mungesa e librave univeristarë në gjuhën e studimit, pra në gjuhën shqipe, vërehet shumë në universitetet tona. Besoj edhe në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut gjendja është njësoj e keqe. Nuk e di a është përkeqësuar, por disa vitesh e kam bërë një matje të thjeshtë dhe rezultati ka qenë shokues: rreth 60% e librave që janë në syllabuse në programet e studimit në Universitetin e Prishtinës, nuk kanë qenë fare të përkthyera e të botuara në gjuhën es tudimit, pra në gjuhën shqipe. Ky është një absurd i llojit të vet: studentëve u jipen literaturë e obligueshme libra që nuk janë në gjuhën në të cilën ata/ato studiojnë. Meqë shumë prej tyre nuk dinë anglisht dhe ata që eventualisht dinë anglisht, nuk kanë para që t’i blejnë, i bie që ata nuk arrijnë t’i lexojnë ata libra. Pasoja e kësaj është direkte në formimin e tyre akademik: nëse 60% të vëllimit të literaturës nuk e lexojnë, i bie që për tri vite studime, marrin vetëm rreth 40% të kredive. Problemi i të rinjve në tregun e punës është tregues i këtij defekti. Prandaj mendoj se duhet të rishikohet kjo politikë e këtij farë akademizmi, që bën kujdestari policeske mbi avancimet. Fjala vjen, nëse një mësimdhënës boton një libër universitar (natyrisht me recensionim komptetent e rigoroz) ajo punë do të duhej të vlerësohej me përparësi për avancim. Natyrisht botimin dhe qarkullimin do të duhej ta bënin universitetet, duke e vlerësuar e kompensuar atë punë të dobishme për studentët. Natyrisht në këtë rast do të duhej të funksiononte edhe respektimi i të drejtave të autorit e jo që puna e tij të shkojë për lesh nga fotokopjimet pirate që bëhen në mes të ditës, afër kampuseve, siç ndodhë për gjithë këto vite. Realisht edhe pitateria e ka shkatërruar vullnetin e shumë mësimdhënësve që të shkruajnë libra universitarë, pasi ato vidhen dhe shumëzohen ilegalisht, që në momentin që del në qarkullim një ekzmeplar.

Nga pozita ime e tashme, kur nuk e kam sikletin e avancimeve, e kuptoj edhe më shumë tërë këtë situatë absurde. E kam të qartë se punimet shkencore që kam botuar ndër vite për avancime, mund t‘i kem harruar edhe vetë. Ndoshta mund t’i hyjnë ndokujt në punë vetëm për ta zgjatur bibliografinë. Ndërsa librat univeristarë që kam shkruar (e botuar vetë dhe shumicën dhënë falas studentëve) ende u hyjnë në përdorim studentëve. Me siguri që ata libra universitarë nuk janë librat më të mirë në ato fusha. Por e sigurt është që në procesin e aftësimit profesional e akademik, studentët e mi kanë përfituar prej tyre. Umberto Eko pati thënë në një rast se librat mbi komunikimin e gazetarinë që janë më të vjetër se njëzet vite, po të pyetej ai, nuk do t’i linte në qarkullim. Eko njësoj mendonte edhe për librat e vet. Unë mund të jem dakord me të, por ata libra duhet të zëvendësohen paraprakisht me libra më të mirë. Ama në rast se më askush nuk ka hapësirë të shkruajë libra univeristarë për studentët tanë, ngase në mënyrë policeske kushtëzohen nga botimi i punimeve në revista të huaja dhe në gjuhën angleze, si do të bëjmë për librat? E fundit: kjo politikë e avancimeve është thjesht një marrëzi, sepse i trajton mësimdhënësit domosdoshmërisht si shkencëtarë, ndërsa mësimdhënësit mund të mos jenë shkencëtarë, po vetëm transmetues korrekt të njohurive shkencore tek studentët. E dyta, u kërkojnë mësimdhënësve të shkruajnë punime shkencore për komunitetin e shkencëtarëve, ndërsa ata paguhen t‘u shërbejnë studentëve. Pra, shkruajnë për shkencëtarët që ato çështje realisht i dinë e nuk shkruajnë për studentët, të cilëve u shërbejnë.

Në instancë të fundit, në rastin e botimit në revista të huaja e në platforma të caktuara, fjala është për një biznes të madh e të dyshimtë. Fjala është për një industri të revistave që përfaqësojnë neoklolonializmin akademik, i cili ka synim të mbajë nën kontroll arsimin dhe kulturat kombëtare. Vetëm po ta shikoni gjendjen aktuale të programeve studimore albanologjike, e kuptoni më qartë se është fjala për një formë të neokolonializmit akademik. Degët nacionale, si gjuha shqipe, letërsia shqipe, historia, antropologjia, praktikisht janë para mbylljes. Çdo vit zvogëlohet numri i studentëve në këto departamente. Të diplomuarit e këtyre departamenteve nuk kanë fare treg të punës, sepse ua kanë hequr me Fakultetin e Edukimit. Bile sa jam në dijeni, edhe revistat albanologjike tashmë janë mbyll. Duhet të shkruash anglisht për problemet albanologjike e ta botosh punimin në platformën Scopus, qoftë edhe në revistat e shteteve ku nuk ekziston një ide mbi albanologjinë.

Filed Under: LETERSI

PIKA E UKSHIN HOTIT HAPI PORTAT E HISTORISË SË KOSOVËS

December 26, 2023 by s p

Në 80 vjetorin e lindjes, kujtojmë kolosët tanë: “Ukshini nuk ka ditë vdekje, është peng i shprehjes së lirë që nga viti 1981”.

Shkruan: akademik, Dr. Feti Mehdiu

Ukshin Hoti, i biri i Nazifit dhe i Fatimes, i lindur me 17 qershor 1943, i tha SKJ (Lidhjes Komunisteve të Jugosllavisë) dhe LKK-ës,(Lidhjes Komunisteve të Kosovës) në vitin 1981: “në konviktin e studentëve të Universitetit të Prishtinës, me 11 mars,  POLICIJA PËRDORI DHUNË KUNDËR STUDENTËVE DHE “PIKË”!. Kjo  ishte “pikë” jetës së Ukshinit, qysh në vitin 1981, edhe njëherë u hapën portat e historisë së Kosovës. Këtë “PIKË” të Ukshin Hotit SKJ-u dhe LKK-ës e shndërruan në “prese” dhe vazhdoi dhuna deri në vitin 1990, kur shqiptarët e Kosovës u bashkuan më qëllime të përbashkëta, se liria nuk fitohet me miklime por me pickime. Dhuna e filluar në konviktin e studentëve u shtri në tërë Kosovën, përmes Universitetit të Prishtinës, të cilin LKJ- e kishte shpallë BASTION I NACIONALIZMIT, dhe LKK, iu bë krah për të luftuar vetveten duke i shpallë luftë Universitetit të Prishtinës nën maskën DIFERENCIMI IDEO-POLITIK i kuadrave universitare, që si qëllim përfundimtarë kishte eliminimin e personelit arsimor në Universitet.Jam i privilegjuar, por edhe i obliguar, që me rastin e tetëdhjetvjetorit të lindjes së Diplomatit të rrallë shqiptarë të fundshekullit XX-të, të shpalos ca kujtime personale që, mbase do t`i shërbejnë të ardhmes së ndritshme të këtij populli liridashës.

I

Ukshin Hotin e njoha në Shoqatën Kulturore-Letrare të studentëve shqiptarë “PËRPJEKJA” në Beograd,  në vitet 1969-1971. Deri në vitet 1990-94, herë pas here, më ka rastis ta takoj edhe privatisht edhe zyrtarisht, dhe gjithmonë kemi këmbyer mendimet tona për dobi të kulturës shqiptare. Ai  vijonte studimet pasdiplomike kurse unë isha në studimet themelore në Fakultetin e Filologjisë, dega: Filologji Orientale. Kur u njohëm së pari here, sikur iu duk interesant fusha e studimeve të mia, gjuhë arabe dhe gjuhë turke.Unë i përfundova studimet, dhe me Ukshinin na mbante lidhja kulturore-letrare, ajo që kishte mbi dhe vepronte në  shoqatën  “Përpjekja”, në Novi Beograd. I kërkova ndihmën që e fejuara e tij Edi Shukriu, që ishte anëtare e grupit letrar në Shoqatën “Përpjekja” të më jepte biografinë dhe nja dy a tri poezi, që m`i kërkonte Abdulatif Arnauti, në Siri për një botim në gjuhën arabe me poezi të femrës shqiptare. Më afroi ndihmë të pakursyer Ukshini dhe ai projekt u realizua me sukses. Në Siri, u prezantuan në gjuhën arabe përveç Edi Shukriut dhe Flora Brovinës edhe poetesha tjera, si Afërdita Skenderi dhe Sadete Emërllahu nga Kosova, e disa poetesha nga Shqipëria.

II

Në vitin 1976, kur u ktheva nga specializimi për gjuhë arabe, në Kairo, Ukshin Hoti ishte Sekretar Krahinor për marrëdhënie me botën e jashtme. Përmes këtij organi kisha fituar bursën një vjeçare për qëndrim në Universitetin e Kairos, dhe ishte obligim imi që pas kthimit nga specializimi të paraqes një raport lidhur me qëndrimin tim në Kairo.Përgatita raportin, me shkrim në tri faqe dhe kur shkova ta dorëzoj,  në Sekretariatin Krahinor,per Merdhenie me Boten e Jashtme (ndërtesa ku sot ështe Kuvendi i Republikës së Kosovës), në recepcion, ai kërkoi që të shkoja personalisht në zyrë. Hipa në katin e dytë, ia dorëzova raportin e daktilografuar në tri faqe, i hodhi një sy dhe vazhduam bisedën, fillimisht profesionalisht dhe miqësisht lidhur me qëndrimin dhe kushtet, pritjen në Egjipt, përfitimi profesional etj. 

Para se të largohesha, Ukshini  m`u drejtua, ashtu si e kishte ai qëndrimin e vet, tash, shoku Feti, ma thuaj zyrtarisht, si sekretar krahinor për Marrëdhënie me botën e jashtme, “A është e dobishme që të vazhdohet kjo formë e marrëdhënieve kulturore me Egjiptin apo jo”?Pa u hamendur,  u përgjigja: Po dhe desha ta arsyetoj pohimin tim.  Falemnderës, më tha, nuk më la ta vazhdoj më tej. Më përcolli, si e kërkonte protokolli dhe u përshëndetëm miqësisht.

III

Në pranverën e vitit 1981, kur filloi kryengritja në Kosovë kundër riokupimit serbosllav, filloi fushata  e njohur DIFERENCIMET IDEO – POLITIKE kundër inteligjencës shqiptare, në radhë të parë asaj universitare ngase Beogradi e kishte shpallë Universitetin e Prishtinë  BASTION I NACIONALIZMIT. Në mbledhjet e Organizatës LKK, që i mbanim veçmas, nuk kemi qenë në një  Organizatë THemelore të LKK, por përjetonim të njëjtën atmosferë që vinte e ashpërsohej dita-ditës. Pasi që nga kuadri arsimor nuk u identifikua asnjëri që të kishte qenë i kyçur në organizimin e ngjarjeve të pamira, demonstratave armiqësore të studentëve, kështu përpiqej politika e LKJ ta amortizonte Kryengritjen e vitit 1981, ndërtuan tjetër strategji. Filloi ndjekja e arsimtarëve të cilët kishin shpreh vetëm me fjalë vlerësimin e tyre lidhur me ndërhyrjen brutale të policisë në Konviktin e studentëve.  Atëherë kur në OTHLKK- te unë, kërkohej eliminimi i prof. Rexhep Ismajlit dhe prof. Murat Blakut, ngase ata ishin shpreh se në konvikt ka pas dhunë, dhe ne aty manovronim me shprehje që amortizonin kërkesat partiake. Ukshin Hoti, në mbledhjen partiake të degës ku bënte pjesë ai, e kishte mbyllë diskutimin e vet, ashtu si dinte ai të shprehet qartë, drejt e kategorikisht: “në konviktin e studentëve është ushtruar DHUNË DHE PIKË “!  Dhe Mbledhja ishte mbyllë.Kurse kjo pika e Ukshin Hotit kundër dhunës, rezultoi  në PIKË për jetën e tij, ngase dhuna vazhdoi për ditë e më tepër, jo më vetëm në konviktin e studentëve dhe jo më vetëm kundër studentëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës dhe profesorëve të tyre, por edhe kundër nxënësve, punëtorëve, buqëve, zejtarëve…. KUNDËR TËRË POPULLIT SHQIPTARË,  dhe jo vetëm në Kosovë. Dhuna  mori hov dhe  në vitin 1999,  Ukshin Hotin  e” lëshoi toka”, sapo kaloi pragun e burgut në Dubravën famëkeqe, mu në mjedis të Kosovës.

Tani, kur bëhen 80 vjetori nga lindja e tij (qershor, 1943-qershor 2023), vetëm kjo është e saktë, sepse shenimi “Died”: 1999,  Niš, Serbia ”  nuk është i saktë!

Ukshin Hoti është peng i shprehjes së lirë kur e tha zëshëm: “tu je bilo nasilje i TAČKA” Nuk vdes UKSHIN HOTI!  Nuk e lënë të vdesi “… emnat e më shumë se 1400 jetë e fëmijve që I ka viktimizuar gjenocidi Serb” nga viti 1981-1999,   nuk e lënë të vdesi ata yjet e Nusret Pllanës e Hanëmshahe Ilazit, me zërin e KOSOVËS SË LIRË. 

Ai NUK VDES deri atëherë kur ajo rreze e vogël drejtësie që është strukur dikund,  të marrë guximin dhe t`i thotë  të zezës  E ZEZË dhe të bardhës  E BARDHë!.  Platforma e SKJ-u pas prillit 1981, me ISON e LKK-ës, (Lidhjes Komuniste të Kosovës) vazhdoi fushatën e përndjekjes së intelektualëve  shqiptarë, sidomos atyre  të arsimit, dikush pse ka fol, dikush pse s`ka fol, apo pse nuk ka aplauduar kur kreu politik i Kosovës u tha profesorëve të Universitetit të Prishtinës: “ ju jeni manjakë“!,etj.

Ukshin Hoti foli, por jo në valët e ISOS së LKK dhe e pagoi me HUMBJEN e lirisë PERSONALE për disa vjet. U dënua me burg  për shkak të “pikës” në  mbledhjen diferencuese. Dhe vazhdoi nga  burgu në burg!

IV

Ende i kam në kujtesë edhe dy takime me Ukshin Hotin, që mendoj se e vlen t`i ndajë me opinionin e gjerë: Në dhjetor të vitit 1991 në Shkup, u mbajtë Simpoziumi: SHQIPTARËT E

MAQEDONISË, që zgjati disa dit. Ishim vendosur në lokalet e Medreses Isa Beg, ku zhvilloheshin seancat, edhe fjetja ishte në internatin e Medrese.  Një mbrëmje pas darke vazhduam ndejë të lirë, Ukshini dhe dy historian nga Prishtina, edhe një filolog unë. (Liman Rushiti, dhe Haki Kasumi). Ishte koha kur formoheshin lëvizje e parti politike. Bisedohej për rrjedhat e kohës dhe opsionet e mundshme për ndonjë subjekt të ri politik, por unë si filolog, nuk isha futur n`ato diskutime. Nuk e shihja veten se jam i denjë për atë diskutim. Madje as nuk e merrja vesh sa duhet diskutimin konkret.

Edhe diskutuesit, në një far mënyre ishin në valë të ndryshme: një diplomat (kishte të botuar Lufta e ftohtë  dhe Detanti, 1975) dy historian, (edhe ata me vepra të botuara nga fusha e historisë,) kurse unë vetëm si dëgjues!

Unë, iu drejtua Ukshin Hoti,  kolegëve historianë, ose jam budalla, ose jam GJENI, që nuk mund të merrem vesh me ju.

V

Në tetor të vitit 1992, në Prishtinë, u mbajtë simpoziumi: FEJA, kultura dhe tradita  islame ndër shqiptarët, që zgjati tri dit. Në simpoziumet shkencore, sa janë të rëndësishme prezantimet e studiueseve, po aq janë të dobishme edhe pauzat e shkurtra të kohëpaskohshme midis seancave. Një pauzë e tillë, për mua ka mbet  e pazëvendësueshme, nuk do të përsëritet kurrë, sepse nuk është më Ukshin Hoti! Ne të tjerët (tre: Limani, Hakija dhe unë akoma jetojmë.) Në një seancë u trajtua edhe  një qasje e formimit të shtetit Shqiptarë në vitin 1912. Në kohën e lirë në prani të Ukshin Hotit dhe dy tre kolegëve historian, unë u shpreha: “shqiptarët në vitin 1912 humbën  shtetin e tyre, kur nga 100,000 (njëqindmijë km katrorë, mbetën me një Shqipëri politike  me 25-30,000 km. katrorë.”E dija se flas para tre historianëve dhe një diplomati. E dija edhe faktin se unë nuk jam historian, por kandari im, mbështetur në ata pak burime që i dija atëherë, ashtu ma kishte kap mendja dhe ashtu e thash.Njëri nga historianët brofi, si shokë që ishim, “çka je tu thënë ti…ti nuk je normal! Çfarë shteti thua ti  nën sundimin e Turqisë”… edhe unë e vazhdova, “..ani tash kah do t`a qojsh Shqipërinë ashtu të gjymtë… Po Kosovën…?!”Kolegët tjerë heshtnin, vetëm ne dy dëgjoheshim me opsionet tona… njëri historian tjetri filolog… herë thumbit… herë  atkonit…ndonjëherë as thundrës…! Ukshin Hoti na shikonte të dyve, por nuk fliste. E hetuam se dëshiron të thotë diçka dhe u ndalëm…ANI MORE, iu drejtua historianit, nuk ka nevojë me u nxe aq shumë! Fetiu e tha ashtu si e tha, edhe ti e the mendimin tënd… s`ka nevojë për nevrikosje!Filloj seanca e radhës dhe më nuk e zumë n`gojë atë “muhabet”. Nuk munda ta kuptoja se kah anonte kandari i Ukshin Hotit, por pas dy-tri vjetësh, kolegu historian, duke u përshëndetur kalimthi, më ndali pak dhe…. “ m` duket se kishe të drejtë ti – tha!”Edhe unë ia ktheva… “…ty akoma të duket se kam pas të drejtë, por unë jam edhe më i sigurt sot, se sa  aso here, që kam të drejtë dhe kështu mbaroi ajo bisedë.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Opinion

Katedralet

December 26, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Cili ishte defekti më i madh i dizajnit që ka ndodhur ndonjëherë në histori? Si u rregullua? Nëse ishte një e metë e projektimit, kjo është e diskutueshme. Për një inxhinier modern, do të duheshin studime tokësore për të shmmangur dështimin – megjithëse, ndoshta në atë kohë ajo që ata bënë ishte më e mira që mund të kishin bërë.

Katedralja e Salisbury-t (Uells), filloi në vitin 1175 dhe u shenjtërua në 1239. Gjatë njëqind e ca viteve të ardhshme dhe një tërmeti, kulla qendrore filloi të fundosej dhe të plasaritej, pasi toka nën të nuk mund të mbante më.

Për të hedhur peshën në tokë të fortë në të dyja anët e kullës, një mjeshtër i shkëlqyer murator, projektoi dy shtylla kryqëzuese në formën X për të transferuar ngarkesën. Katedralja është mbajtur që atëherë.

Gjëja magjepsëse është se llogaritjet strukturore ishin mjaft primitive në atë kohë. Dhe nuk ekzistonte asnjë ide, përveç se forcat janë dinamike.

Novelisti britanik Ken Follett shkroi një libër të mrekullueshëm, Shtyllat e Tokës (fiksion historik i hulumtuar mirë), i cili ka shumë informacione mbi katedralet, megjithëse nuk thotë se si u ndërtuan.

Matematika thjesht nuk ishte e përshtatshme për ndërtimin që donin të bënin, dhe madje më shumë se më parë dështimi e çoi inxhinierinë përpara.

Gjërat do të kishin qenë ndryshe nëse Arkimedi do të kishte lënë shënime për idetë e tij mbi llogaritjen nga të cilat do të përfitonin Njutoni dhe Leibniz.

Katedralja e Salisbury-t (Uells) u ndërtua në një moçal, dhe një burrë i pajisur me një kostum primitiv zhytjeje e kaloi pothuajse të gjithë jetën e tij thellë në themelet ujore, duke i mbështetur ato për të shpëtuar ndërtesën e lavdishme.

Në janar 2014, si pjesë e festivalit të filmit Bath, katedralja e Salisbury priti një shfaqje speciale të filmit “The Last Temptation of Christ” të Martin Scorsese. Kjo provokoi disa polemika, por kisha mbrojti vendimin e saj për të lejuar shfaqjen.

Salisbury u zhvendos, në shekullin e trembëdhjetë, nga një vend mbrojtës në majë të kodrës – ku rrënojat e katedrales së vjetër janë ende të dukshme – në një livadh të hapur, duke treguar se paqja e përhershme kishte ardhur. Por pyetja që shtrohet është – Pse u ndërtuan këto kisha?

Ka përgjigje të thjeshta – për lavdinë e Perëndisë, kotësinë e peshkopëve e kështu me radhë – por ato nuk mjaftojnë. Ndërtimi i katedraleve mesjetare është një fenomen mahnitës evropian. Ndërtuesit nuk kishin mjete elektrike, ata nuk e kuptonin matematikën e inxhinierisë strukturore dhe ishin të varfër: princat më të pasur nuk jetonin aq mirë sa, të themi, një i burgosur në një burg modern. Megjithatë, ngritën ndërtesat më të bukura që kanë ekzistuar ndonjëherë dhe i kanë ndërtuar aq mirë sa janë ende këtu, qindra vjet më vonë, që njeriu t’i studiojë dhe të mrekullohet.

Filed Under: Ekonomi

Roli i diplomacisë amerikane ishte vendimtar për lirinë e Kosovës

December 26, 2023 by s p

Këtë e dëshmojnë burimet arkivore amerikane që janë deklasifikuar kohëve të fundit dhe tregojnë një angazhim të veçantë të SHBA-së për lirinë e Kosovës

Kosova është interes suprem për SHBA-në, janë fjalët e Storb Talbot, diplomat e zv. Sekretar i Shtetit amerikan 1994-2001, në raportin analitik të agjencive informative amerikane, të shkruar më 21 dhjetor 1995.

Këtë dokument të cilin e disponoj, e hasa gjatë hulumtimeve të mia në arkivat e SHBA-së me vizionin dhe punën brilante të këtij diplomati, qëndrime të cilat ndryshuan interesat gjeostrategjike të fuqive dhe interesave kundërthënëse në Ballkan.

Z. Talbot ishte direkt i përfshirë në negociata të mundimshme dhe shumë të rënda me diplomatët rusë që nuk pajtoheshin që gjeografia qendrore e Ballkanit të largohet nga interesat e tyre, përkundër ndikimit mbi një shekull. Kjo edhe kishte dëmtuar strukturën etnike kompakte shqiptare në Ballkan.

Fitorja diplomatike e z. Talbot, kishte filluar pas Dejtonit me një angazhim të matur që të zgjedhin statusin politik të Kosovës dhe ishte njeriu i raundeve të vështira karshi interesave ruse në Ballkan.

UÇK-ja ishte bërë aleate e presioneve dhe politikave qe përfaqësonin vlera e demokracive perëndimore dhe ishte çelësi i negociatave paqësore për Kosovën. Diplomatët amerikanë, duke përfshirë edhe vet presidentin Clinton, kërkuan nga Rusia që në asnjë mënyrë nuk do të lejonin ndarjen e Kosovës dhe vendimin rus për dërgimin e një numri të madh të forcave të tyre në Kosovë. Ishte vendosmëria e presidentit Clinton në telefonatën me presidentin Jelcin që duhet të funksionojë vetëm një komandë e forcave ndërkombëtare në Kosove dhe e kishte njoftuar se me lidershipin politik të UÇK-së, kishte bashkëpunim dhe i besonte në marrjen e përgjegjësive edhe pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë. Ky bashkëpunim funksiononte shumë mirë me diplomatët e SHBA-së, ishte cekur cekur në bisedë, duke admiruar lidershipin politik të UÇK-së.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, zë vend qendror në historinë e re te Kosovës jo vetëm për kthesën e madhe që i dha zhvillimeve të brendshëm në terren, por edhe për angazhimin e diplomacive ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes se Kosovës, që në sipërfaqe dolën tri politika me qasje të ndryshme në raporte me çështjen e Kosovës.

Ishte diplomacia anglo-amerikane ajo që tregonte vendosmëri në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, diplomacia evropiane që kishte mos unitet në veprimet e saj dhe ishte hezituese për një linjë të ashpër kundër Serbisë dhe diplomacia ruse me aleatët e saj që mbronte interesat serbe me fanatizëm në Kosovë. Kosova i nxjerri në sipërfaqe edhe dallimet e diplomacive ndërkombëtare në raporte me Kosovën dhe interesat e tyre në Ballkan.

Pas refuzimit kategorik për negociata me përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Kosovës nga Millosheviqi në Dejton, e vetmja rrugë për të nxjerrë në tavolinën e bisedimeve çështjen e Kosovës ishte fillimi i rezistencës së armatosur në Kosovë, që në një mënyrë apo tjetër ishte si rezultat i veprimeve të diplomatëve ndërkombëtarë që nuk arritën ta bindin Millosheviqin për negociata paqësore me shqiptarët e Kosovës.

Në planin e brendshëm, UÇK-ja, përbënte pikën kulmore në zhvillimin e lëvizjes për liri në Kosovën e pushtuar që paralajmëronte një kthesë historike në organizimin e shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga Serbia. Për diplomacinë ndërkombëtare UÇK-ja përbënte bazën kryesore që t’i bënte presion Millosheviqit për negociata me përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës.

Rezistenca e Millosheviqit ndaj diplomatëve amerikanë në Dejton, gjatë vitit 1995, për mos hapjen e negociatave me shqiptarët e Kosovës për kthimin e një statusi autonom te Kosovës, ishte e madhe.

Dalja publike e UÇK-së dhe reagimi i diplomatëve ndërkombëtar ndryshoi skenën e Ballkanit përgjithmonë.

-Deklaratat kontroverse të Richard Gallbard ishin nxitëse për Millosheviqin i cili pa hezituar përdori brutalitetin dhe dhunën e forcave serbe, masakrat ndaj civileve shqiptarë në Drenicë, duke u bërë argument se ai regjim ishte diktatorial dhe okupues.

Analistët e CIA-s për Ballkanin, kishin informuar diplomatët amerikanë me parashikimin dhe analizat analitike se serbët pretendojnë që të formojnë Serbinë e madhe duke përdorur dhunë dhe pastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës . Gjatë viteve ‘91 dhe ‘92 përkrahje popullore të shqiptarëve të Kosovës për një rezistencë të mundshme kundër Serbisë pas mos përfshirjes së Kosovës në konferencën e Londrës-Hagës për Jugosllavinë, ishte më e madhe se në vitet 1996/97. Mirëpo ishte pikërisht diplomacia perëndimore që i sugjeronte përfaqësuesve shqiptarë në Kosovë që mos të binin pre e provokimeve serbe për të realizuar planet e tyre të shkatërrimit të strukturës etnike duke bërë pastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët. Këto konstatime i bazonin në mundësinë e një destabilizimi të gjithë regjionit të Ballkanit dhe pas një analizës së bërë ndaj kapaciteteve ushtarake në rajon dhe të Shqipërisë në veçanti.

Analiza e CIA-s e fundvitit 1992-1993, për mundësinë e ndihmës dhe përkrahjes nga ana e Shqipërisë dhe rezistencës së armatosur në Kosovë, ka përshkruar dhe ka dhënë në detaje fuqinë dhe kapacitetet ushtarake e teknike të Kosovës, ku parashihte që Serbia me kapacitetet e trashëguara të gjithë armatës Jugosllave përbënte rrezik për rajonin. Aq më keq, mund të kalonte brenda edhe territorit të Shqipërisë së veriut në emër te ndjekjes se guerilës së shqiptarëve të Kosovës.

Kështu, përkundër përkrahjes popullore në Kosovë për rezistencë të armatosur kundër brutalitetit të forcave serbe, nuk mendohej se do të kishte sukses. Sugjerimet e diplomatëve anglo-Amerikan në këto rrethana, potenconin se pasojat do të ishin të paparashikuara.

Analiza e agjencive informative amerikane e dhjetorit te vitit 1995, duke përfshirë edhe CIA-n e shihte Kosovën me interes të veçantë për SHBA-në. Analizat e shërbimeve amerikane për UÇK-në kishin filluar nga paraqitja publike e disa personaliteteve të rëndësishme dhe mediave vendore dhe ndërkombëtare duke qartësuar se nuk ishte vullneti i shqiptarëve dhe fuqia e tyre për t’i rezistuar forcave serbe, por ishin të detyruar t’i kundërvihen masakrave dhe gjenocidit të policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë.

Paraqitja e strukturave dhe intelektualëve që përfaqësonin konceptin dhe vizionin e UÇK-së, dhe idenë e qartë për lirinë e Kosovës, kishin filluar të kenë ndikim.

Intervista e Fehmi Lladrovcit dhënë BBC-së, në pranverën e vitit 1998, ishte shumë domethënëse për ekspertët ndërkombëtarë që ju sugjeronin diplomatëve të shtetit të tyre që të kenë takime direkt me përfaqësues të UCK-së.

Takimet me përfaqësuesi e UÇK-së në Kosove dhe perëndim me diplomatët perëndimor, këta të fundit filluan që të marrin në konsideratë disa liderë politikë të UÇK dhe filluan që të mbështeten në marrëveshjet dhe përgjegjësitë e tyre.

Profili i përfaqësimit politik të UÇK-së ishte në një mënyrë apo tjetër edhe përzgjedhje e diplomatëve perëndimorë të shtyrë nga diplomacia anglo – amerikane që filloi të bashkëpunojë në të mirë të paqes në Kosovë.

Në tetor të vitit 1998, amerikanët në mesin e shumë partnerëve për të arritur paqen në Kosovë e trajtonin edhe bashkëpunimin me UÇK-në si faktori më i rëndësishëm për një marrëveshje paqësore për Kosovën. Këtë e dëshmojnë shumë shkresa dhe dokumente të kohës të bëra nga zyrtarë të qeverive të kohës, e të cilat i disponoj po ashtu.

Sot, pas këtyre viteve organizimi politik e ushtarak që arriti dhe detyroi disa diplomaci të fjetura të organizojnë Konferencë ndërkombëtare për Kosovën, UÇK të quhet ndërmarrje kriminale është turp

Prof. dr. Lulzim Nika

Filed Under: Politike

PESHKOPATA ORTODOKSE SHQIPTARE E AMERIKAVE

December 26, 2023 by s p

† THEOFANI

Nga Mëshira e Perëndisë

Peshkop i Filomilisë

dhe i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave

LETËR BARITORE

LINDJA E KRISHTIT 2023

Klerikëve të nderuar dhe besimtarëve të krishterë ortodoksë, bij dhe bija anëtarë, mbështetës, dashamirës dhe miq të Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave.

Hir, Mëshirë, Paqe dhe Gëzim nga Zoti ynë Jesu Krisht dhe nga ne, bekime atërore!

“Unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”. (Luka 2:10-11)

Festa që po vjen para nesh përfaqëson përmbushjen e besëlidhjes midis Perëndisë dhe njerëzve. Foshnja Jesu, lindur në një grazhd në Betlehem, ndriçon jetën e secilit prej nesh dhe të gjithë botës, sepse edhe vitet janë shenjtëruar duke i numëruar nga Lindja e Zotit tonë Jesu Krisht. E gjithë krijesa mrekullohet me misterin e zbritjes së Perëndisë tek ne dhe dridhet nga përulësia e treguar nga Biri i Perëndisë, Ai që u lind në trup nga Nëna e Perëndisë dhe Gjithmonë Virgjëresha Mari.

Lindja e Krishtit Shpëtimtar, të cilën e gjithë krijesa gëzon, na bën të reflektojmë më thellë mbi misterin e Mishërimit, sepse mënyra e bashkimit të dy natyrave, Hyjnore dhe Njerëzore, në Personin e vetëm të Birit të Perëndisë, është modeli i unitetit të Kishës. Duke qenë një kungim teandrik, Kisha është Trupi mistik i Krishtit, në të cilin uniteti i besimtarëve imiton unitetin e Trinisë së Shenjtë. “Tubimi në Kishë është mbi të gjitha Misteri i dashurisë. Ne shkojmë në kishë për dashuri, për dashurinë e re të Vetë Krishtit, që na është dhënë në unitetin tonë”. (At Alexander Schmemann)

Nëpërmjet Mishërimit të Tij, Krishti Zot mori “zgjedhën e njerëzimit”, duke marrë në veten e Tij trupin universal të Kishës; “Ai nuk mori trupin e qiellit, por trupin e Kishës. Qielli është për Kishën dhe jo Kisha për qiellin”. Kreu i Kishës është Krishti Zot, i Cili u bë Njeri! Ai qëndron në lidhje të përjetshme

me njerëzimin dhe banon nëpërmjet Shpirtit në zemrat tona, “që, duke e pasur Atë në ne, të thërrasim me zë të lartë: “Avva! (At!)”, ne të mund të arrijmë lehtësisht në gjithë virtytin dhe, veç kësaj, të qëndrojmë të fortë dhe të pamposhtur përballë dredhive të djallit dhe kundërshtimeve”. (Shën Kirili i Aleksandrisë, Komente mbi Ungjillin e Shën Joanit, X, II, f. 983).

Shumë të dashur në Krishtin Jesu,

Uniteti shpirtëror i Kishës, i dhënë nga Krishti Zot në Frymën e Shenjtë, merr një përgjegjësi të madhe nga ne. Deklarata e njohur e Shën Qiprianit të Kartagjenës që thoshte: “Extra Ecclesiam nulla Salus”! (Jashtë Kishës nuk ka Shpëtim!), shpreh vërtet mësimin e Shpëtimtarit Jesu Krisht; se jashtë bashkimit të dashurisë, bazuar në besimin e drejtë, nuk ka Shpëtim. Çdo person, si anëtar i Kishës, jo vetëm që duhet të kujdeset për veten e tij, duke u ruajtur nga mëkati si dobësim i Unitetit Kishtar, por ai duhet të kujdeset për të afërmin e tij me përgjegjësi dhe dashuri sakrifice, siç na mëson Apostulli i Shenjtë Pavli: “Ecni denjësisht, sipas thirrjes me të cilën jeni thirrur, me gjithë përulësinë dhe butësinë, me durim të gjatë, duke falur njëri-tjetrin me dashuri, duke u detyruar të ruani unitetin e Shpirtit, në lidhjen e paqes. Është një Trup dhe një Shpirt i vetëm, ashtu siç u thirrët për një shpresë të vetme të thirrjes suaj; është një Zot, një besim, një pagëzim, një Perëndi dhe At i të gjithëve, i Cili është mbi të gjitha, përmes të gjithave dhe në të gjitha. Dhe secilit prej nesh na u dha Hiri sipas masës së dhuratës së Krishtit”. (Efesianëve 4:2-7).

Uniteti i Kishës duhet të jetë një model për unitetin shoqëror. Ashtu si dashuria hyjnore e shfaqur në personin e Shpëtimtarit Jesu Krisht është në themel të Kishës, ashtu edhe dashuria ndaj të afërmit është në themel të unitetit të Kombit, fakt për të cilin ne ndërmjetësojmë në Liturgjinë Hyjnore: “Duke lypur bashkimin e Besës dhe pjesëmarrjen e Shpirtit të Shenjtë, veten tonë dhe njëri-tjetrin, dhe gjithë jetën tonë, Krishtit, Perëndisë, le t’ja parashtrojmë “. (Liturgjia Hyjnore e Shën Joan Gojartit)

Festa e Lindjes së Zotit, e Vitit të Ri dhe e Pagëzimit të Zotit (Theofanisë), t’ju sjellë shumë paqe, shëndet, gëzim të bollshëm dhe forcë në shpirtrat tuaj!

Krishti u Lind, Lavdërojeni! Krishti është në tokë, lartësojeni!

I juaji me lutje në Zotin dhe Perëndinë e porsalindur Jesu Krisht, Shpëtimtarin tonë,

+Theofani

i Filomilisë dhe Dhioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1406
  • 1407
  • 1408
  • 1409
  • 1410
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT