• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë

December 15, 2025 by s p

New York, 13.12.2025/

Këtë të shtunë në New York, u zhvillua një aktivitet i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në USA, e veçanërisht për Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, dega USA. Përfaqësues të ndryshëm nga komuniteti shqiptaro-anerikan, gazetarë, shkrimtarë, përfaqësues religjionesh, diplomatë nga Ambasada e Kosovës etj., ishin pjesë e këtij aktiviteti i cili nisi me himnet e tri shteteve, atë të SHBA, kombëtar dhe të Republikës së Kosoves.

Më pas u shfaq dokumentari “Dom”, i realizuar nga regjisori Bujar Alimani, me skenar të gazetarit Dritan Haxhia, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së një prej figuara të rëndësishme të këtij komuniteti, klerikut Dom Pjetri. Dokumentari u shfaq në një nga sallat e Kishës “ Zoja e Shkodrës”, e cila ishte edhe mikpritsja e aktivitetit të zhvilluar nga UGSH për SHBA.

Emocione dhe përshëndetje të veçanta sollën në këtë veprimtari momentet kur Unioni i Gazetarëve, për USA, vlerësoi me çertifikata disa nga emrat e njohur të gazetarisë shqiptaro amerikane të cilët janë shquar ndër vite, si Frank Shkreli, Idriz Lamaj, Virgjil Kule, Gjek Gjonlekaj.

Këto personalitete dhe profesionistë kanë dhënë një kontribut të çmuar në publicistikën dhe mediat klasike si në ato shqiptare ashtu edhe amerikane. Mbrëmja u moderua nga Kryetari i UGSH, për USA, Dritan Haxhia dhe Koordinatorja Elona Paja Biba, si dhe pati një përshëndetje nga Tirana, prej drejtuesit të UGSH, gazetarit Aleksandër Çipa.

Dr. Pashko Camaj, sekretar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, gjatë fjalës së tij përgëzoi drejtuesit për organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të gazetarisë, e veçanërisht për shqiptarët e Amerikës. Pjesëmarrës në këtë veprimtari ishte dhe kandidati për në kongresin amerikan, shqiptari Diamant Hysenaj. Mbrëmja pati surpriza të ndryshme dhe u finalizua me trokitjen e gotave të verës, duke uruar që aktivitete të tilla, të jenë të vazhdueshme..

Dega UGSH në SHBA

New York

13.12.2025

Photo & Video Credit: Adriatik Bërdaku, Ilir Rizaj

Filed Under: Politike

“Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”

December 15, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Më 15 dhjetor 1942 u shua në Uashington, nga një hemorragji cerebrale, Faik Konica, i vetmuar dhe i rënë nga vakti, me 15 dollarë e 54 cent në xhep. Konica ishte një çudi e llojit të vet. Një talent i rrallë, një mendje universale dhe një filozof i botës së zjarrtë. Prapavija e tij mendore dhe imagjinative është kaq e pasur dhe e fuqishme, e pranishme në harkun e tri shekujve kolosë të njerëzimit, saqë e ka projektuar profilin e vet edhe në shekullin XXI që po jetojmë, duke ngërthyer vetëdijen e tendosur shqiptare të kombit. Njeriu tipik shqiptar, shkrimtari dhe mendimtari që i mjafton plotësisht vetvetes dhe nuk ka nevojë për mbishtresa dhe hamendësime, edhe në këtë 83 vjetor të vdekjes na del para syve si një fantazmë supreme, faustiane, që posedon sekrete të mëdha e të patjetërsueshme, jo vetëm të vdekjes por edhe të jetës. Konica është sa njeriu-histori, aq dhe historia-njeri. I ngritur në kult nga bashkëkohësit e vet letrarë, gjatë kohës së diktaturës komuniste u anatemua, sipas një koncepti ideologjizues të pashembullt.

Kronologjia bibliografike e Konicës nuk ka shumë rëndësi. Ka më shumë rëndësi stili i të menduarit të tij, përafrimi i kuptimeve, konotacioneve, ideve, rrënja dhe shkaku i tyre. Faik Konica, i shpallur si një “enciklopedi që ecën”, ishte një nga shqiptarët më të kulturuar të të gjitha kohërave, një mjeshtër i madh i shqipes së shkruar, “kalorës” i albanologjisë dhe i procesit konvergues të gjuhës kombëtare letrare shqipe, poliglot nga më të mëdhenjtë e Evropës, indoeuropianist, etimolog dhe etnopsikolog, që di historitë e fjalëve e termave. I dimensionuar jo vetëm në kulturën shqiptare, por edhe në atë frankofone dhe anglofone, ai diti të konstruktojë koncepte estetike dhe antropologjike, që nuk janë zbehur në substancën e tyre.

Konica i përkiste një racë dyshimtarësh paganë, i brujtur me njëlloj teozofie, por edhe me altruizëm, që e bën të dalë jashtë klasifikimeve të bashkëkohanikëve të tij. Ai nuk i nënshtrohet monoteizmit të emrave të veçantë të kulturave, sepse lirinë e konsideronte më të rëndësishme se çdo gjë. Madje ai është i pari personalitet shqiptar i cili, përmes shumë mishërimeve, e quante të domosdoshme procesin e eksorcizmit kombëtar, të kritikës së pamëshirshme të të metave të shqiptarëve, që ata të përfaqësojnë një komb idealisht të përsosur. Jo më kot ai shkruan se “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë” (Revista Albania, 25 mars 1897). Romani “Doktor Gjilpëra” është padyshim një prozë e shkëlqyer, e papërsëritshme, një traktat eksorcizmi i jashtëzakonshëm për aventurizmin dhe vonesat e pashpjegueshme historike, ku ironizohet “zululandi shqiptar” i situatave burleske, i dhimbjes dhe i talljes me vetveten dhe hidhen tutje alibitë. Ndihem i lumtur që së fundi arrita ta dramatizoj këtë vepër, si një antidramë absurdi, për të cilën jam i bindur se nuk do të jetë një shfaqje thjesht argëtuese për publikun, ku spikat ironia dhe humori i zi konician, por një performancë në bazë të vijave karmike.

Paradoksaliteti i Konicës, me mosbesim kundrejt çdo gjëje, i shpjegueshëm me paradokset e kohës që jetoi, si dhe me proceset e brendshme shpirtërore agnostike të tij, shpaloset edhe te vepra “Katër prralla nga Zululandi”. Konica botoi te Gazeta “Dielli”, në vitin 1922, vetëm pjesën e parë të quajtur “Një ambasadë e Zulluve në paris”, ku analizohet struktura e një bote alegorike indikuese. Proza eseistike “Shqipëria si mu duk”, një kryevepër e sintezës dhe ideve, një parodi asgjësuese ndaj regjimit mbretëror, u botua në vitin 1929 pa udhëtimit të tij në Shqipëri në vitin 1928.

Biografia:

Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë, në një familje të vjetër shqiptare. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit. Pasi kreu shkollat e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SH.B.A, ku mori gradën “Master of Arts”.

Me 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”.

Në 1909 u ftua prej shqiptaro-amerikanëve të shkonte në Shtetet e Bashkuara, ku të jepte një varg leksionesh, që e bëri në dyvjeçarin 1909-1911. Më 22 tetor 1909 mori në dorëzim prej Fan Nolit redaksinë e gazetës “Dielli”, botim javor i Shoqërisë “Besa-Besë”. Konica punoi si editor i “Diellit” deri më 18 mars 1910, për t’u kthyer sërish me 6 maj deri me 1 korrik 1910 dhe mandej prej 1 gushtit 1912 deri më 8 korrik 1913. Më 24 dhjetor 1911 në një mbledhje drejtuar nga Kristo Floqi, Konica caktohet anëtar i Komisionit për Bashkimin e Organizatave shqiptare në SH.B.A. Përpjekjet e mbarë patriotëve shqiptarë, përfshirë Konicën, arritën kulmin me themelimin e Federatës Vatra më 28 prill 1912. Mbledhja e themelimit u zhvillua në Kishën e Shën Gjergjit që atëhere ndodhej në 227 Tremont Street, Boston. Vatra bashkoi shoqëritë Besa-Besën, Flamuri i Krujës, Kombëtare dhe Dallëndyshja dhe do të luante rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Një Pleqësi e përkohshme u zgjodh për të drejtuar organizatën e re. Sekretar i saj u zgjodh Fan Noli. Konica dhe Floqi u ngarkuan me ngritjen e degëve të reja të organizatës në Masaçusets dhe shtete të tjera. Pas përfundimit të stinës së provimeve për Faikun nuk do të kishte më asnjë ditë pushimi të lirë.

Me 1912 në emër të Federatës Vatra, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Përreth një muaj rrjesht, nga 19 maj 1912 deri më 16 qershor 1912 Konica do të udhëtonte pa reshtur në mbarë Anglinë e Re duke ngritur dhe organizuar degë të reja të Vatrës në Worcester, MA, Lynn, MA, Manchester, N.H., Central Falls, R.I. and Southbridge, MA. Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Vatrës i 16 shkurtit 1913 vendosi të dërgonte Faik Konicën si delegat në Kongresin e Triestes. Kongresi filloi më 1 mars 1913 nën kryesinë e Faik Konicës.

Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”. Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Vdiq në Uashington më 15 dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë.

Filed Under: Opinion

Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde

December 15, 2025 by s p

Hysen Sinani/

Vëllimi me tregime “Dënesje në dru”, e plotëson siç duhet fizionominë e njërit prej tregimtarëve tanë më të mirë, siç është Lazër Stani, duke i dhënë lexuesit krijime të tilla që rrallë i gjen sot në morinë e botimeve “për llogari të autorit”. Ky vëllim vlen edhe si një model për ata letrarë të rinj që dëshirojnë të dalin nga tradita jonë e rrëfimit, me dëshirën për t’u çliruar nga disa korniza të konceptimit letrar, të cilat i pengojnë në shprehjen e tyre moderne.

Midis katër a pesë vëllimeve me tregime të botuara nga Lazër Stani, ky i fundit, i titulluar “Dënesje në dru”, vjen dhe ia plotëson portretin këtij autori tashmë të njohur. Është po ai, me një rrëfim të rrjedhshëm që duket sikur ka për qëllim kryesor shtangien e lexuesit, duke i krijuar në fund një ndjenjë zbrazëtie shpirtërore. Është po ai që, nga tërësia e subjektit (kur e ka një të tillë, sepse nuk i intereson shumë), lejon të përftohet nga lexuesi ndonjë mendim mbi irracionalitetin e botës njerëzore, duke e bërë atë të buzëqeshë lehtë dhe të mendojë diçka për atë që sapo ka lexuar. Pra, është po ai Lazër Stani, për të cilin kritika letrare nuk është kursyer të japë vlerësimet e saj të mira, por këtë radhë më i thellë dhe më i guximshëm në ato që dëshiron t’i thotë vetes së tij dhe lexuesit. E them këtë, sepse e veçanta e parë që të bie në sy te ky vëllim me tregime, është procedura krijuese që autori ka ndjekur.

Nuk ngjan me ndonjë tregimtar tjetër dhe të krijon përshtypjen e lehtësisë për të kuptuar se si ka proceduar në mënyrë krejt të rastësishme në krijimin e këtyre historive të rrëfyera prej tij. Të duket sikur diku është kujtuar për një episod nga fëmijëria e tij dhe, duke u habitur vetë më parë për kuptimin e ri që ka marrë ky episod, nis dhe e tregon jo më ashtu siç mund të ketë qenë në të vërtetë, por ashtu siç e shikon ai sot. Po këtë thelb të irracionalitetit të jetës, e kërkon edhe në ato tregime që mund të mos kenë të bëjnë fare me një histori të jetuar apo të treguar, por që janë pjellë e trillimit të mirëfilltë të fantazisë. Kështu, Lazër Stani, vetvetiu, arrin në atë qerthur të kozmosit të tij letrar, i cili, mund të thuhet pa ndonjë ngurrim, e vendos atë në pozicionin e parë të tregimtarit absurd shqiptar.

Le të shohim shkurtimisht, pa hyrë në analiza letrare, çfarë i sjell lexuesit shqiptar ky libër jo aq tërheqës në paraqitjen e jashtme. “Shtrati i dytë i lumit” titullohet tregimi i parë i vëllimit dhe nuk bën fjalë për kurrëfarë shtrat lumi, por për një burrë të ri nga qyteti, të cilit e ëma i thotë se në fshatin ku ai ka lindur, ka vdekur njeriu që e donte atë aq shumë kur ishte kalama. Kujtohet heroi ynë për të shkuarën e tij të largët dhe merr rrugën e gjatë për të vajtur në varrimin e njeriut që e donte dhe e vlerësonte kur ai ishte fëmijë. Kujtimet e burrit të sotëm janë kureshtare për fshatin e dikurshëm dhe ngjajnë si të seleksionuara dhe të përpunuara nga kujtesa. Vetë fundi i tregimit, ku heroit tonë i thonë atje në fshat se njeriu për të cilin ai ka ardhur, është varrosur që prej shtatë vjetësh, të bën t’i vesh në dyshim edhe kujtime e rrëfyesit për fshatin e tij…

Kështu, në një përplasje pa kurrëfarë djallëzie midis jetës reale dhe superjetës të cilës intelektuali përpiqet t’i japë një tjetër dimension, janë konceptuar dhe realizuar tregimet më të mira të këtij vëllimi.

Edhe në tregimin “Lulet e Arianës”, ku përshkruhet jeta e disa shkrimtarëve europianë në një shtëpi shkrimtarësh, vëzhgimi i rrëfyesit përqëndrohet në absurditetin e sjelljeve thuajse banale të njerëzve të shquar, ku heroina mbetet me një tufë lulesh në dorë, të cilat nuk di kujt t’ia japë. Edhe në tregimin “Dënesje në dru”, absurditeti i fenomeneve paranormale që e rrethojnë njeriun është i paperceptueshëm dhe i pakuptueshëm prej tij. Ndërsa te tregimi “Një vonesë bagazhesh”, valixhja e vonuar në aeroport zbulon absurditetin e një takimi, për të cilin heroi ka bërë kilometra të tëra, por që në fund i realizohet si iluzioni i diçkaje që nuk është. Tridhjetë vjet hapësirë kohore përshkon absurditeti i një ndjenje shpirtërore te “Përgjigjmu nesër”. Matildës i duket se fataliteti i jetës e ka bërë të humbasë diçka të pakorrigjueshme dhe pikërisht pas tridhjetë vjetësh vendos ta japë përgjigjen e kërkuar për të nesërmen, gjë që me siguri do t’i japë fund iluzionit të saj për dashurinë e Levikut. Kërkimi dhe gjetja e elementit të absurdes, nuk ka lënë jashtë as tregimin më me atmosferë “Gruaja me të zeza”.

Këtu kemi të bëjmë me përshkrimin e bukur të një nostalgjie fshati, jo të vetë fshatit që, edhe po të ketë ekzistuar, me siguri që do të ketë qenë shumë më pak tërheqës se ç’përshkruhet në tregim. Këtu, absurditeti i veshjes së një gruaje të moshuar me të zeza, vetëm pse ka vdekur një burrë i fshatit, merr kuptim, sepse ky burrë fshati, sipas fjalëve të gruas, “nuk la shoq mbi këtë dhé.” Sensi i absurditetit të luftës nuk i ka shpëtuar as një tregimi tematik si “Djaloshi dhe lufta”, për të cilin autori duhej të bënte kujdes që ai të mos tingëllonte si pacifist. Por kulti i jetës e bën të kuptueshme këtë gjendje dhe e lejon të kalojë pa sforcim. Tregimi tek i cili kërkimi i sensit të absurdes është bërë deri në përmasat ekzistencialiste “më shohin, pra jam”, si “Në hijen e vdekjes”, flet për një vendosje të mirë të autorit në terrenin e tij krijues. Vëllimi përmban edhe dy tregime të tjera, që janë titulluar “Vila e gjarpërinjve”, e cila përshkruan një makth, një haluçinacion midis të vërtetës dhe metaforës së kësaj të vërtete në formën e një gjarpëri të frikshëm, dhe “Darka e fundit”, një rrëfim për të shkuarën që mund të jetë po kaq i vërtetë edhe për të ardhshmen.

Dhjetë tregime, me nga dhjetë-dymbëdhjetë faqe secili, janë përfshirë në këtë vëllim thuajse të vogël, por të mjaftueshëm për të gjykuar mbi atë që sjell si të veçantë ky botim në prozën tonë të shkurtër.

Para së gjithash, hapësira ku lëvizin personazhet është e pakufizuar dhe shpesh e vështirë për t’u përcaktuar si vend. Kjo nuk është shpërfillje e një elementi të rrëfimit, por një shmangie e qëllimshme për të kaluar më lehtë dhe më shpejt në gjendje të ndryshme psikologjike, shpesh me karakter universal. Edhe kur përmendet ndonjë qytet i madh, si Roma bie fjala, ose kur emërtohet një fshat, tregimtari i zhdërvjelltë nuk humbet në përshkrimin e tyre, madje as për disa detaje karakterizuese. Mungesa e përshkrimit të tepruar të ambientit në përgjithësi, i jep atij mundësinë e një ekonomie të mirë të fjalës, karakteristikë e prozës moderne më mjeshtërore.

Të njëjtin konstatim mund të bëjmë edhe mbi përdorimin e kohës si një përbërës teknik me efekte të caktuara. As ky element nuk e ka vëmendjen e autorit, madje duket sikur e bezdis edhe atëherë kur e ka të nevojshëm një orientim kohor. I vetmi tregim ku gjejmë një datë, 31 janar 1950, është ai me titull “Darka e fundit”, ku përcaktimi në kohë është bërë më tepër si për një trill, se sa për të tipizuar kohën kur ka ndodhur ngjarja.

As për subjektin nuk duket ndonjë përkujdesje e madhe, duke e ngjeshur dhe përqëndruar atë në mënyrë të tillë që të mbetet në mendjen e lexuesit. Autorit të kësaj përmbledhjeje i intereson mbi të gjitha ajo që ndiejnë personazhet e tij dhe ajo që vetë ata mendojnë për gjendjet e tyre shpirtërore. Në këtë terren psikomeditativ, Lazër Stani ka aftësinë të zhvendoset lehtësisht nga njëra situatë në tjetrën, duke i krijuar lexuesit mjaft befasi.

Është e kuptueshme që pa kujdesin ndaj këtyre elementeve të prozës që përmendëm, as portretizimi i personazheve nuk do të kishte ndonjë vend klasik në këto tregime dhe, për pasojë, s’do të kishte as personazhe që të të mbeteshin në mendje. Por personazhe që të mbeten në mendje ka, sepse ata janë përshkruar nga brenda, pa nevojën e ngjitjes në portret të syve të kaltër apo të musteqeve të verdha, karakteristikë kjo e prozës sonë më arkaike dhe mediokre.

Në përfundim të këtij recensioni të shkurtër, mund të them edhe një herë se vëllimi me tregime “Dënesje në dru”, e plotëson siç duhet fizionominë e njërit prej tregimtarëve tanë më të mirë, siç është Lazër Stani, duke i dhënë lexuesit krijime të tilla që rrallë i gjen sot në morinë e botimeve “për llogari të autorit”. Ky vëllim vlen edhe si një model për ata letrarë të rinj që dëshirojnë të dalin nga tradita jonë e rrëfimit, me dëshirën për t’u çliruar nga disa korniza të konceptimit letrar, të cilat i pengojnë në shprehjen e tyre moderne.

Filed Under: ESSE Tagged With: lazer Stani

Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)

December 15, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Në raportet konsullore austro-hungareze të fillimit të shekullit XX, bashkëpunimi ndërmjet diplomatëve rusë dhe serbë në veri të Vilajetit të Kosovës (Üsküb/Shkup) paraqitet si një element i qëndrueshëm i rivalitetit gjeopolitik në Ballkan, si dhe përpjekjet permanente serbe për destabilizimin e Kosovës përmes amratosjes së popullasisë dhe bandave serbe. Një dëshmi sa aktuale dhe domethënëse në këtë drejtim është raporti i konsullit austro-hungarez Gottlieb Pára, drejtuar ministrit të Jashtëm Alois Lexa von Gołuchowski, i datës 6 gusht 1901, i hartuar nga Shkupi, atëherë qendra administrative e Vilajetit.

Leximi i raporteve sekrete të diplomatëve evropianë për Shqipërinë e Epërme (Kosovën) zbulon paralele të dukshme me zhvillimet politike bashkëkohore dhe me qëndrueshmërinë e politikës ruse kundër Kosovës. Edhe raporti i vitit 1901 hedh dritë mbi këtë vazhdimësi strukturore, duke dokumentuar bashkërendimin ruso-serb në terren dhe instrumentalizimin e çështjeve lokale për qëllime strategjike.

Pára evidenton, ndër të tjera, paraqitjen e ekzagjeruar të shpërnguljes së familjeve serbe nga Novi Pazari, dërgesat e armëve nga Serbia dhe përhapjen e qëllimshme të thashethemeve mbi një origjinë gjoja austro-hungareze të këtyre armëve. Raporti trajton gjithashtu aksionet e çarmatimit të popullsisë, të zhvilluara pjesërisht nën udhëheqjen e Isa Boletinit, si dhe udhëtimin e një gazetari çek me orientim proserb, i cili shërbente për përforcimin e narrativave politike në favor të Serbisë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është pakënaqësia e valiut osman me çarmatimin e popullsisë serbe nga ana e mutasarrifit të Prishtinës, si dhe ndërhyrja ruse për shkarkimin e këtij funksionari. Pára vëren gjithashtu shenja të jolojalitetit brenda administratës osmane, planet për thirrjen e një kuvendi shqiptar në afërsi të Pejës, si dhe pozitën e pasigurt të zëvendëskonsullit serb në Prishtinë dhe të mitropolitit serb në Prizren.

Në tërësi, raporti i Párës përbën një burim të rëndësishëm për të kuptuar mekanizmat e ndikimit ruso-serb në Kosovë në fillimshekullin XX dhe dëshmon se tensionet aktuale në rajon kanë rrënjë të thella historike, të lidhura me konkurrencën e Fuqive të Mëdha dhe instrumentalizimin e realiteteve lokale ballkanike.

Më tej konsulli Para shkruan: “Episodi i ditëve të trazuara në Prishtinë, Mitrovicë, Kollashin dhe Novi Pazar duket se ka marrë fund me kthimin e komandantit ushtarak Ferik Nuri Pashë, të shtunën më 3 të këtij muaji, si dhe me mbërritjen sot të z. Mashkov pas ekskursionit të tij trejavor. Nga vëzhgimet që këto ngjarje i ofruan një vëzhguesi të paanshëm, në radhë të parë meriton të përmendet fakti se qeveria ruse edhe këtë herë nuk e la t’i shpëtonte rasti për t’u përzier në punët e brendshme osmane, duke pretenduar një të ashtuquajtur të drejtë mbrojtjeje mbi mbarë botën sllavo-ortodokse të krishterë.

Mbi bazën e njoftimit të marrë nga zëvendëskonsulli serb në Prishtinë, se ky i fundit – për shkak të qëndrimit kërcënues të popullsisë myslimane – ishte detyruar të ndërpriste pa rezultat udhëtimin e ndërmarrë më 15 korrik drejt Mitrovicës, me synim ndërhyrjen në favor të popullsisë së krishterë të Kollashinit (nga e cila myslimanët kishin marrë armët), z. Mashkov kërkoi nga ambasada e tij dërgimin (komandimin) e tij në veri të vilajetit. Kjo kërkesë u pranua menjëherë dhe ai u nis më 17 korrik për në Mitrovicë, ndërsa iu bashkua edhe zëvendëskonsulli serb i Prishtinës, Avramović.

Z. Mashkov qëndroi më gjatë në zonën e Kollashinit, e cila shtrihet në të dy anët e lumit Ibër në perëndim të Mitrovicës dhe banohet kryesisht nga të krishterë. Në fshatin Brnjak (rreth 27 km në vijë ajrore në perëndim të Mitrovicës) thuhet se ai u kërcënua seriozisht nga myslimanët e grumbulluar atje, prandaj iu desh të kërkonte mbrojtje ushtarake. Mashkov mundi të komunikonte lirshëm me popullsinë ortodokse të asaj treve dhe të hartonte procese-verbale dëshmish lidhur me shtypjet dhe keqtrajtimet e supozuara nga popullsia myslimane.

Më 30 korrik, ai mbërriti në shoqërinë e oficerit të Gardës ruse, Rittich, në Novi Pazar, ku u vendos në shkollën serbe dhe vijoi hetimet e tij në të njëjtën mënyrë si në Mitrovicë dhe Kollashin. Sipas rrëfimit të z. von Rittich, i cili u kthye këtu më 3 të këtij muaji, Mashkov paska arritur të zbulojë disa gjurmë keqtrajtimi dhe torturimi të të krishterëve nga myslimanët. Si veçanërisht të rëndë ai përmend faktin se, në kohën kur mbërriti në Novi Pazar, aksioni i çarmatimit vijonte ende, megjithëse iradeja perandorake që ndalonte ndjekjet e mëtejshme kundër serbëve ishte shpallur që më 23 korrik.

Edhe pse shumë banorë të krishterë gjatë tre muajve të fundit i kanë braktisur vendbanimet dhe janë strehuar në Serbi, shifrat e publikuara nga gazetat serbe për këtë çështje janë dukshëm të ekzagjeruara. Në zonat e vizituara nga Mashkov, sipas deklarimit të vetë Rittich-it, numri i të ikurve është i vogël dhe ata kryesisht i përkasin shtresave më të mira (p.sh. priftërinj etj.).

Sipas informatave që marr nga burime të besueshme, përfaqësuesi rus e shfrytëzoi kontaktin e tij me rajatë e krishterë për të nxitur qëndrim kundër Austro-Hungarisë, sidomos kundër projektit – që ai e konsideron të vendosur – për zgjatjen e hekurudhave boshnjake deri në Mitrovicë. Interes të veçantë meriton çështja e armatosjes së të krishterëve, të cilën as pala serbe dhe as z. Mashkov nuk mund ta mohojnë. Meqë gjatë javëve të fundit u gjetën disa qindra pushkë Martini në posedim të fshatarëve serbë në pjesën veriore të vilajetit, drejtuesit serbë të aksionit të armatosjes dhe mbrojtësit e tyre rusë po përpiqen tani t’ia shpjegojnë disi “në mënyrë të besueshme” opinionit publik evropian origjinën e këtyre armëve. Të aftë gjithnjë për shpikje dhe shtrembërim, nga pala serbe dhe ruse komentohet se armët paskan hyrë fshehurazi nga kontrabandistë shqiptarë dhe u paskan shitur popullsisë së krishterë.

Autoritetet turke, megjithatë, thonë ndryshe, pasi kanë dëshmi dhe rrëfime të shumë ortodoksëve – të penduar – se armët vinin nga Kuršumlje dhe ishin shpërndarë falas përmes ndërmjetësimit të priftit të Kollashinit, Mihajlo, i cili vitin e kaluar ishte arratisur në Serbi. Për më tepër, versioni serb bie poshtë nëse merret parasysh se një pushkë Martini këtu ende kushton 40–50 guldenë, një shumë e papërballueshme për banorët e varfër të krishterë kufitarë.

Nuk mungojnë as sot thashethemet e përhapura nga Serbia se e gjithë lëvizja qenka inskenuar nga Austria për të realizuar më në fund idenë e saj të avancimit. Është për të ardhur keq që insinuata të tilla kanë gjetur vend edhe në gazeta të mëdha si “Novoje Vremja” dhe “Národni listy” (kjo e fundit, p.sh., në numrin e saj të 9 korrikut të këtij viti, duke iu referuar një shkrimi të “Novoje Vremja” të mbështetur mbi rrethana krejt të rreme, kërkonte nga Shkëlqesia Juaj të më tërhiqte menjëherë nga posti i konsullit të Shkupit dhe – siç ndodhi dikur me z. von Kuczyński – të më dërgonte diku në Amerikën e Jugut).

Simptomatik në raport me ngjarjet e fundit ishte edhe vizita e redaktorit të “Novoje Vremja”, Vsevolod Svatkovsky (që përdor pseudonimin “Nestor”), i shoqëruar nga oficeri i sipërpërmendur i Gardës. Pas disa udhëtimeve nga Shkupi drejt fshatrave sllave në shpatet e Karadakut, si edhe në Tetovë, Köprülü, Prilep dhe Selanik, për të mbledhur të dhëna mbi përkatësinë gjuhësore e kombëtare të sllavëve të jugut (serbë e bullgarë), të dy u kthyen në Shkup dhe më 22 korrik udhëtuan për në Mitrovicë për t’iu bashkuar konsullit Mashkov. Fillimisht synonin të shkonin deri në Bosnje, por duket se hoqën dorë nga ky plan për shkak të mundësisë së karantinës në kufi. Svatkovsky u kthye në Shkup më 23 korrik dhe më 28 korrik u nis për në Bullgari, ndërsa von Rittich qëndroi me Mashkov-in deri më 2 gusht. Është e lehtë të kuptohet se oficeri do t’i përdorë në mënyrë zyrtare vëzhgimet e tij ushtarako-gjeografike, të plotësuara edhe me fotografi të shumta.

Unë i kam njohur më afër të dy zotërinjtë. Z. Svatkovsky, i referuar tek unë nga deputeti çek Dr. Kramář (të cilin personalisht nuk e njoh), nuk u ngut të përmbushte këtë “mision”; ai erdhi tek unë vetëm pasi kishte kaluar disa ditë duke komunikuar intensivisht me konsujt rus dhe serb. Ky gazetar i talentuar dhe relativisht i kulturuar u shfaq si propagandues i zjarrtë i ideve pansllaviste; për rrjedhojë, tek ai nuk vërehen simpati për Monarkinë austro-hungareze, të paktën për aq kohë sa – siç thotë ai – rendi centralist në Austri të mos zëvendësohet me një regjim që merr parasysh interesat e popujve sllavë (pra një sistem federal). Ai dënon veçanërisht politikën e Monarkisë në provincat e okupuara. Unë iu përgjigja se, për të formuar një gjykim më të drejtë mbi Bosnjë-Hercegovinën, do të ishte e dobishme të realizonte udhëtimin e planifikuar, ku do të mund të bindet se e ashtuquajtura “propagandë katolike” e qeverisë atje nuk është gjë tjetër veçse një fabul e sajuar trashë.

Megjithëse Svatkovsky deklaron se në çështjen maqedonase është i paanshëm dhe do të dëshironte një vëllazërim serbo-bullgar, ky “paanshmëri” zhduket sa herë diskutohet një rast konkret lidhur me përkatësinë gjuhësore të një krahine, ku ai shfaqet rregullisht si përkrahës i serbëve.”

(Teksti vijon me pjesën mbi qëndrimin e autoriteteve osmane, rolin e mutasarrifit Xhemal Bej, aksionin e çarmatimit të ndërmarrë nga popullsia myslimane nën udhëheqjen e Isa Boletinit dhe Adem Çaushi, intriga brenda administratës, si dhe planin për një mbledhje shqiptare pranë Pejës; nëse dëshiron, e përkthej menjëherë edhe atë pjesë deri në fund, pa e shkurtuar.) Burimi: Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz (red.), Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherrschten Kosovo 1870–1914. Berichte der österreichisch-ungarischen Konsuln aus dem zentralen Balkan, Band 4 (1908–1914), Schriften zur Balkanforschung, Wien: Österreichische Akademie der Wissenschaften / Böhlau Verlag, 2020.

Filed Under: Histori

Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët

December 13, 2025 by s p

Evarist Beqiri/

Lufta në Ukrainë nuk është thjesht një konflikt lokal. Ajo është manuali më i qartë i shekullit XXI për mënyrën se si një autokraci agresive synon që të përçaj shoqërinë perëndimore dhe të minojë aleancat ndërkombëtare pa pasur nevojë që të pushtojë gjithçka ushtarakisht. Rusia e Putinit po lufton me një paradigmë të re, luftën hibride. Te “lufta pa kontakt” informacioni, sabotimi politik, presioni ekonomik dhe operacionet kibernetike veprojnë paralelisht me raketa, dronë dhe artilerinë.

Dështimet e Moskës në Ukrainë zbulojnë shumë më tepër sesa arrogancën e një regjimi autoritar. Aty po shpaloset se si një shtet i kapur nga korrupsioni, iluzionet e vetëmanipulimit dhe shërbimet e inteligjencës të politizuara, prodhon plane të dështuara, vendime të rrezikshme dhe krime mizore. Një pjesë thelbësore e ofensivës së Rusisë u mbështet te shërbimet e saj të inteligjencës. Ato supozuan se Ukraina do të thyhej brenda pak ditësh. Këto parashikime që u përgatitën në zyrat e një sistemi të mbyllur, të korruptuar e të frikësuar, rezultuan katastrofike.

Por çfarë lidhje kanë këto mësime me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në rajon? Kanë shumë më tepër sesa mendojmë ne.

Së pari, lufta hibride është tashmë një realitet në Ballkan. Nga propaganda ruse te operacionet e ndikimit përmes partive politike, strukturave kriminale, “analistëve” të sponsorizuar, rrjeteve të financimit të errët dhe përpjekjeve për të mbjellë dyshim ndaj BE-së dhe NATO-s, mekanizmi është i njëjtë. Mino besimin, krijo ndarje dhe dobëso institucionet. Serbia është porta tradicionale e këtij ndikimi, por objektivi final janë shqiptarët dhe shtetet e tyre.

Së dyti, dobësitë që Rusia shfrytëzon në Ukrainë janë të pranishme edhe tek ne. Polarizimi ekstrem, parti të kapura, media të blera, mungesë kontrolli parlamentar dhe dobësimi i kulturës demokratike. Banjska ishte tentativa me flagrante për të përçarë Perëndimin, duke krijuar një tjetër konflikt në zemër të Europës. Ukraina u mbrojt sepse kishte një identitet politik e qytetar që reagoi si një trup i vetëm. Shqipëria dhe Kosova duhet që të luftojnë si një trup i vetëm. Nevojitet më tepër kohezion.

Së treti, dronët dhe teknologjia po ndryshojnë natyrën e luftës. Ukraina e ka shndërruar fushëbetejën në një laborator inovacioni. Ndërsa Ballkani është shumë mbrapa. Mbrojtja ajrore, kapacitetet kibernetike, inteligjenca teknologjike dhe operacionet me dronë nuk janë më luks. Janë detyrime të sigurisë kombëtare. Kosova dhe Shqipëria duhet të integrojnë urgjentisht kapacitetet e tyre ushtarake dhe të ndajnë infrastrukturën e përbashkët të mbrojtjes.

Së fundmi, mësimi më i rëndësishëm i Ukrainës është se sovraniteti nuk mbrohet me deklarata, por me kapacitete reale dhe me shoqëri të bashkuara. Rusia ka një objektiv të qartë. Ai është ndarja e Ballkanit nga Perëndimi. Shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, janë mbështetja më e qëndrueshme perëndimore në rajon. Pikërisht për këtë arsye jemi në shënjestër.

Europa është tashmë në një luftë. Nëse nuk ndërtojmë një arkitekturë të përbashkët sigurie, një strategji kombëtare kundër ndikimit të huaj dhe një kulturë demokratike më të fortë, atëherë historia do të na trajtojë me të njëjtin cinizëm me të cilin trajtoi ata që nuk e panë rrezikun teksa ai afrohej. Ukraina po paguan çmimin më të lartë. Detyra jonë është të nxjerrim mësime dhe të mos përsërisim të njëjtat gabime.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT