• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lukë Kaçaj, zëri i artë i Operas që pas burgut punoi si hamall…E vrau xhelozia e miqve

August 14, 2025 by s p

Mevlan Shanaj

(Nga libri” Të fshehta jashtë ekranit”)/

Ndër emrat e mëdhenj botëror të belcantos kisha dëgjuar Enrico Carusso si tenor i pakrahasueshëm dhe Beniamino Xhili. Një emër i madh dhe shumë i komentuar te Opera e vjetër ishte Lukë Kaçaj, sipas pëshpërimave gjatë kohës së studimeve kishte pasur vlerësime maksimale duke e krahasuar me këngëtarin e tyre më të madh të gjithë kohërave- Chaljapin! Nga Zef Çoba një shtesë (një detaj i treguar nga të gjithë shokët e Lukës, studentë bashkëkohës në Konservatorin ‘Çajkovski’ të Moskës: Studenti i kantos, basi Nicolaj Ghiaurov (nga Bullgaria), në provim këndonte gjithmonë para Lukës, kurrë mbas Lukës….Ky artist është shpallur nder më të mëdhenjtë e shek. (XX), çka i ka taku me kenë Lukë Kaçajt?

Në Tiranë ishte padyshim vokali më tronditës edhe pse në ato vite ishin një grup me solistë të operës dhe baletmaestra që mbanin një repertor botëror! Kujtoj: Gaqo Çako, Mentor Xhemali, Gjoni Athanasi, Avni Mula e tj si edhe Agron Aliaj me Zoica Haxho një dyshe e shkëlqyer, apo Skënder Selimi, Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Miltiadh Papa, Xhemil Simixhiu etj. Nga viti 1967 u organizua një si tip koncerti në Operën e vjetër ku golin e bëri Lukë Kaçaj! Më kujtohet” Don Bazilio “nga Berberi i Seviljes i Rosinit dhe “O ju male” nga filmi Skënderbeu. Po në atë kohë si studentë nëpër këmbë të së njëjtës godinë ishim miqësuar me Lukë Kaçën. Miqësia erdhi spontanisht, ne ju afruam për ta uruar për suksesin dhe aty shkëmbyem nga një fërnet, që ishte më e preferuara për gjigantin Lukë Kaçaj.

Pas ca kohësh shkuam në Dajti se aty kishte fërnet Branca, pija italiane që për kohën mbahej si më e mira! Pasi u kthyen disa gota, Luka trupmadh kishte zbërthyer këmishën dhe nga kënaqësia hodhi një gotë në kokë që t’i rridhte mbi gjoks. Ne si studentë të rinj u mrekulluam nga gjesti bohem i bas baritonit më të mirë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më gjerë. Thuhej se ishte zëri i dytë në Europë për nga përmasat. Italianët që gjithë herët kanë ndikuar në kulturën tonë, shquheshin për tenorët po ky zëri i pjekur i trashë gjëmonte dhe tundte xhamat e sallës kur jepte koncert. Kështu me këtë natyrë “populiste” me ne studentët, bëheshim shumë herë si të barabartë në tavolinë. Në një rast erdhi në lokalin ku ishim ulur, Ana e bukur deri në bukuri, e shoqja veshur krejt në të zeza. Luka u çua dhe vajti i dha zarfin.

Ishte dita e rrogave, asaj me sa duket i ishin nevojitur lekët dhe erdhi papritur të vinte Luka në shtëpi! U kthye Luka në tavolinë dhe na tha, më kishte dalë prej mendjes që Ana po më priste në shtëpi! Pas disa kohësh u takuam edhe në Gradishtë ku po xhironte në filmin “ Dasma” (Ismail Kadare, regjisor Piro Milkani) aty në atë film ishin edhe Albert Minga, Timo Flloko! Sigurisht ishte ngjarje e bukur që Luka po interpretonte në film. U takuam dhe pasi u përshëndetëm provuam edhe nga një gëzuar rakie, nuk kishte fërnet! Më pas nuk di si rrodhën ngjarjet, por u çuditëm që ky gjigant u arrestua në mënyrë demonstrative në Institutin e Arteve ku ishte pedagog dhe u burgos! Atë e kishin larguar nga Opera në kulmin e karrierës dhe sipas zërave, shkak ishte madhështia e tij që e hëngrën xhelozët. Dihet që kudo xhelozia është shkatërrimtare, por në rastin e Lukës ishte vrastare. Pasi e larguan nga opera ziliqarët, ai punonte si pedagog i kantos në Institutin e Arteve. Është koha që ndoshta e mbyste trishtimin me ndonjë gotë!

Krejtësisht e pabesueshme akuza “ Agjitacion Propagandë” për aq sa e njihnim jo ne, por studentët e tij direkt. Të vetmen gjë që nuk kishin dëgjuar nga artisti i përmasave botërore, pakënaqësitë për kohën. Ishte shumë i përmbajtur si një nxënës i zellshëm i shkollës së Françeskanëve në Shkodër, për të cilën ishte krenar. Aty ishte zbuluar talenti i tij i një djali të ardhur nga Bajza! Kishte pamje malësori tipik në paraqitje si nga shtati dhe pamja! Pasi kishte ditë që kishte dalë prej burgu shtatlarti, po ecte i vetëm, buzë Lanës me plepa. Isha veti i dytë, ndalëm para tij për ta takuar, ai eci drejt nuk na përshëndeti dhe as që ndali! Mbetëm të shtangur! E biseduam më pas përse nuk përshëndetet Luka?! Na thanë që kur doli nga burgu, ka mbetur në hallet e tija, nuk përzihet me askënd. Punonte për të mbijetuar si hamall diku nga Pazari i Ri. Mendoni hamall, këngëtarit që kur kishte dhënë koncerte në disa vende i ishin bërë oferta për ta mbajtur! Të gjitha i kishte refuzuar (nga pohimet e hetuesve kur ishte i burgosur). Më vonë në RTSH isha si shef dhe nga Julian Napoleoni, erdhi si skenar Lukë Kaçaj.

Ishte një ngjarje e bukur. U bë me përkushtim dokumentari dhe për të gjithë ne qe një kënaqësi! Na buronte së brendshmi një gëzim për ta shumëzuar madhështinë e këtij martiri të regjimit diktatorial të një artisti në përmasa europiane. (Ky dokumentar duhet të jetë në Arkivin e RTSH).Mendoj se do jetë dënuar vetëm e vetëm nga shpifjet e kolegëve që stimuloheshin shumë në ato vite , por edhe pse ishte françeskan katolik që i shkonte për shtat çdo intrigë! Te shpirti i tij kishte vetëm art pasi notat muzikore i jepnin lirinë. Filozofia e tij ishte ajo e mësuesit të tij At Gjergj Fishta “Ku asht shpirti i Zotit, aty ashtë Liria” (Ubi spiritus Domini ibi libertas) Sikur të kisha mundësi të pyesja atë burrë të mençur Fishtën: A kishte ëndrra në fund të jetës dhe të çfarë karakteri? A i ishin pakësuar miqtë me kalimin e viteve pasi të njohurit dihet që shtohen deri në fund të jetës! A kishte ditë që nuk donte të mbante inat me veten? Po të keqes i kthente krahët, i qëndronte heshtur apo i rrinte përballë!

P..S. Zef Çoba, më thotë se sot pushon në varrezat e Bajzës!

Filed Under: Kulture

Tezat që ndërtuan harresën për Çamërinë

August 13, 2025 by s p

Teza # 5

“Çamët ishin turko-shqiptarë”

Një nga manipulimet më të qëllimshme që përdori shteti grek për të justifikuar dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë ishte përhapja e tezës se “çamët nuk ishin shqiptarë, por turko-shqiptarë”.

Ky manipulim nuk ishte thjesht një lojë terminologjie. Ishte një strategji për të mohuar identitetin etnik shqiptar të çamëve myslimanë, duke i identifikuar si mbetje të Perandorisë Osmane dhe për rrjedhojë të huaj, të padëshiruar dhe të dëbueshëm.

Si u shpik një identitet i rremë për të fshirë një komb

Që nga vitet ’20 e në vijim, në dokumente administrative, raporte ushtarake, deklarata zyrtare dhe madje edhe në shtypin grek të kohës, shqiptarët myslimanë të Çamërisë përshkruheshin shpesh me etiketën “τουρκαλβανοί” (turko-shqiptarë).

Përse?

Për të fshirë përkatësinë e tyre shqiptare, për t’i identifikuar me osmanët si “pushtues të dikurshëm”, dhe për t’i paraqitur si të huaj në tokën ku kishin lindur, jetuar dhe ndërtuar për shekuj.

Por kjo tezë është historikisht e rreme

1. Marrëveshja e Lozanës i përjashtoi çamët nga shkëmbimi me Turqinë

Në janar 1923, Greqia dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje për shkëmbimin e popullsive me bazë fetare. Megjithë përpjekjet e qeverisë greke për ti përfshirë çamët në këtë shkëmbim popullsie, reagimi i çamëve dhe patriotëve shqiptarë në qeverinë shqiptare bëri që Turqia të përjashtonte çamët nga shkëmbimi, sepse nuk ishin turko-shqiptarë, por shqiptarë myslimanë pra, qytetarë të Greqisë që nuk kishin lidhje me Turqinë.

2. Çamët kishin vetëdije dhe trashëgimi shqiptare

• Gjuha: shqipja ishte gjuha amtare.

• Zakonet, emrat dhe kultura ishin shqiptare.

• Shumë çamë kontribuan në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, në Kongresin e Manastirit, dhe në Shpalljen e Pavarësisë më 1912.

“Turko-shqiptar” – një etiketë për të legjitimuar spastrimin

Etiketa “turko-shqiptar” nuk ishte term etnografik. Ishte një instrument politik:

• Përdorej nga autoritetet greke për të mohojë kombësinë shqiptare të çamëve myslimanë.

• Përdorej në propagandë për të nxitur urrejtje ndaj tyre, duke i paraqitur si “turq të mbetur”, të dyfishtë: të huaj si shqiptarë, dhe të rrezikshëm si “turq”.

Në shumë raporte të EDES-it dhe në ligjëratën zyrtare të kohës, dëbimi i çamëve përshkruhet si “spastrimi i Thesprotisë nga turko-shqiptarët”.

Ndërrimi i identitetit përmes fesë është krim simbolik

• Kombësia nuk zëvendësohet me fenë.

• Të quash dikë “turko-shqiptar” sepse është mysliman është diskriminim i drejtpërdrejtë, dhe mohim i identitetit kombëtar.

• Është një formë e gjenocidit kulturor: fshirje e identitetit përmes përvetësimit terminologjik.

Çamët nuk ishin turko-shqiptarë. Ata ishin shqiptarë. Dhe për këtë arsye u dëbuan.

Etiketa “turko-shqiptar” u përdor për të mohuar të kaluarën, për të justifikuar dhunën dhe për të fshirë një popull nga harta.

Feja nuk fshin gjuhën. Nuk fshin origjinën. Dhe nuk fshin të drejtën për të qenë shqiptar në Çamëri.

Alket VELIU

Filed Under: Emigracion

Piktori austriak Leopold Forstner dhe Shqipëria

August 13, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Leopold Forstner (1878–1936), një ndër përfaqësuesit më të shquar të Jugendstil-it austriak dhe pjesë e lëvizjes së njohur Secession të Vjenës, la pas një trashëgimi të pasur ku mjeshtëria dekorative bashkohet me ndjeshmërinë artistike. I specializuar në mozaik dhe pllaka dekorative, ai përdorte teknika të përziera dhe materiale të çmuara, duke gërshetuar harmoninë e formës me ngjyrën. Bashkëpunimet e tij me figura të njohura si Gustav Klimt, Otto Wagner, Otto Schönthal dhe Emil Hoppe e vendosin Forstner-in në qendër të skenës artistike të fillimshekullit XX, në një kohë kur arti europian po përjetonte transformime të thella.

Fati e solli që gjatë Luftës së Parë Botërore, kur trupat austro-hungareze u vendosën në veriun dhe qendrën e Shqipërisë (1916–1918) pas shkatërrimit të Serbisë, Forstner të shërbente si oficer i grumbullimit në Shqipëri dhe Maqedoni. Ky rol, përveç detyrave logjistike, i hapi atij mundësinë për të dokumentuar vizualisht jetën e përditshme, arkitekturën dhe tiparet etnografike të vendeve ku qëndroi. Ndryshe nga shumë ushtarakë të kohës, Forstner e shfrytëzoi këtë periudhë për të ndërtuar një arkiv të pasur me vizatime dhe piktura që sot kanë një vlerë të dyfishtë – artistike dhe historike.

Në Shkodër, ai gjeti një qytet me ndërthurje të qartë osmane dhe perëndimore: rrugica të ngushta, çati të pjerrëta, tregje të mbushura me jetë dhe ndërtesa monumentale. Në Tiranën e asaj kohe, ende një qytezë e vogël, regjistroi me kujdes xhamitë, shtëpitë me oborre dhe rrugët me kalldrëm, duke e ruajtur përmes penelit një atmosferë që sot ka humbur. Kavaja e tij është më e qetë, me pamje tregjesh lokale dhe banorë të paraqitur në veshje popullore, ku vërehet qartazi dashuria e artistit për detajet e punimit dhe ngjyrat e gjalla.

Portretet e Forstner-it nuk janë të ftohta apo vetëm dokumentare; ato pasqyrojnë një vështrim të mprehtë mbi psikologjinë e “etnotipit shqiptar”. Ai portretizon burra me plis e kostume kombëtare, gra me veshje të qëndisura shumëngjyrëshe dhe fëmijë me një vështrim të pastër e të drejtpërdrejtë, duke kapur jo vetëm pamjen e tyre, por edhe një ndjesi të brendshme të karakterit dhe krenarisë. Në këtë mënyrë, pikturat e tij bëhen jo vetëm peizazhe urbane, por edhe dëshmi të gjalla të një shoqërie në prag të ndryshimeve të mëdha.

Sot, këto vepra shihen si burime të pazëvendësueshme ikonografike për historinë e qyteteve shqiptare të fillimshekullit XX. Ato janë dëshmi të një periudhe tranzicioni – nga struktura osmane drejt modernizimit – dhe ofrojnë detaje arkitekturore e etnografike që shpesh nuk gjenden më në terren. Për studiuesit, ato janë një dritare për të kuptuar zhvillimet urbane e kulturore të kohës; për botën e artit, ato tregojnë aftësinë e një artisti të formuar në rrymën elegante të Vjenës për të përthithur dhe përçuar estetikisht realitetin shqiptar.

Ekspozitat dhe botimet e viteve të fundit në Austri dhe Shqipëri e kanë rikthyer në vëmendje figurën e Forstner-it, duke e vendosur jo vetëm si një nga mjeshtrit e fundit të Jugendstil-it, por edhe si një kronikan të heshtur vizual të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore – një artist që, pa e ditur, kontribuoi në ruajtjen e kujtesës historike dhe kulturore të një vendi në ndryshim.

Filed Under: Reportazh

Hasan Prishtina – 93 vjet nga atentati që la boshllëk në zemrën e Kombit

August 13, 2025 by s p

Mehmet Prishtina/

Sot kujtojmë me nderim dhe dhimbje 93-vjetorin e vrasjes politike të Hasan Prishtinës në Selanik, një humbje e madhe për Shqipërinë dhe gjithë trojet etnike shqiptare. Hasan Prishtina nuk ishte thjesht një burrë shteti, por një vizionar, një patriot elitar dhe një kolos i politikës shqiptare, i cili i dha Kombit më shumë sesa shumë prej nesh do ta mundnin të jepnin gjatë një jete.

Si familjar dhe themelues i Fondacionit “Hasan Prishtina”, kemi punuar për ta ruajtur dhe afirmuar trashëgiminë e tij:

nga ngritja e monumenteve në Shkup, Prishtinë, Tiranë, Vlorë, Elbasan, Dibrë, Tropojë e Kukës, tek organizimi i akademive shkencore dhe botimi i librave që thellojnë njohjen për veprën dhe idetë e tij. Hasan Prishtina mungon – në familjen e tij, në Drenicë, në Kosovë dhe në gjithë Shqipërinë.

Për fat të keq, historia shqiptare shpesh është e ashpër me figurat e mëdha: i harrojmë, i anatemojmë, i ofendojmë i burgosim e ndonjëherë edhe i vrasim.

Kjo shpesh na lë të mallkuar brenda vetvetes, në përplasje midis sojeve dhe interesave të ngushta.

Si do të dukej “Hasanizmi” në bashkëpunimin eShqipëris dhe Kosovës?

Shtresa jonë hasaniste, siç e përmendte Demaçi, ka mundësinë të fuqizohet tani, në kohën kur dy qeveri legjitime në Tiranë dhe Prishtinë mund të ndërtojnë ura bashkëpunimi real dhe të qëndrueshëm. “Hasanizmi” i sotëm nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës, por një thirrje për unitet dhe veprim të përbashkët, përtej ideologjive dhe krahinave.

Nëse Shqipëria dhe Kosova bashkëpunojnë me një vizion të qartë e të përbashkët, duke vënë interesin kombëtar mbi atë politik, do të ringrihet shpirti i aspiratave të Hasan Prishtinës. Ai që në parlamentin osman, me guxim të rrallë, paralajmëroi se “fjalëve bajate u jep fund shpata”, duke paralajmëruar luftën për të drejtat e shqiptarëve.

Hasan Prishtina – një rigjenerues i arsimit dhe një diplomati i rrallë

Ai ishte ndër të parët që kuptoi rëndësinë e arsimit kombëtar, duke investuar nga pasuria e tij në shkolla dhe duke dërguar nxënës në shkollën Normale të Elbasanit. Sot, ndonëse emri i tij duhet të ishte frymëzim për çdo shqiptar, ai shpesh vendoset në pikëpyetje ose harrohet padrejtësisht.

Në Konferencën e Paqes në Paris, kur shqiptarët u mohuan zëri, letra e Hasan Prishtinës tek Presidenti Wilson mbetet një dëshmi e fuqisë së tij diplomatike dhe përkushtimit për kauzën shqiptare.

Sot, kujtimi për Hasan Prishtinën është më shumë se histori – është një mësim dhe një përgjegjësi

Në kohën kur Kosova sfidohet nga brenda dhe jashtë, ne duhet të qëndrojmë besnikë ndaj idealit të tij: shteti i drejtë, i fortë dhe i bashkuar. Duke ndjekur modelin e tij, Shqipëria dhe Kosova mund të artikulojnë një “hasanizëm” të ri, që i përshtatet sfidave të sotme rajonale dhe globale.

Ne, brezi i hasanistëve, jemi thirrur të mos e lëmë këtë trashëgimi të fiket, por ta rigjallërojmë përmes veprave, bashkëpunimit dhe përkushtimit ndaj së ardhmes së kombit.

Në përkujtim dhe falenderim për jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës — një burrë shteti, një idealist dhe një hero i përjetshëm.

Filed Under: Interviste

“Shkëmbime tokash” Loja e rrezikshme në Alaskë dhe jehona e saj në Ballkan

August 13, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi 

Njoftimi se Donald Trump dhe Vladimir Putin do të diskutojnë për “shkëmbim tokash” në një samit të nivelit të lartë në Alaskë mbi luftën në Ukrainë zbulon njëkohësisht urgjencën për të gjetur paqen për të ndaluar vdekjet siç kërkon Trump, por ehe rrezikun e diplomacisë së nxituar.
Ndërsa Trump e paraqet takimin e ardhshëm si një sesion “për të matur pulsin”, rreziku është jashtëzakonisht i madh. Perspektiva e rishikimit të vijave të frontit për t’i dhënë fund luftës mund të duket pragmatike, por në praktikë rrezikon të shpërblejë agresionin, të minojë sovranitetin e Ukrainës dhe të vendosë një precedent të rrezikshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Standardi i Zelensky-t: Jo koncesione, pa Ukrainën

Presidenti Volodymyr Zelensky ka qenë i prerë: “Ukrainasit nuk do t’u dhurojnë tokë pushtuesve” — kufijtë e Ukrainës janë “të koduar në Kushtetutë” dhe “nuk negociohen” Reuters Ai ka theksuar se çdo vendim që përjashton Ukrainën është një vendim kundër paqes — një “vendim i vdekur” që nuk do të sjellë paqe të qëndrueshme.

Ky qëndrim është një reflektim i ndjesisë rezistente, tipike për shtetet që kanë përjetuar konfliktet e shkuara si Kosova. Ambasimi që “kufijtë nuk janë monedhë për kompromis të përshkruar Arabër”, që është një vlerë e cilësueshme për të dy rastet: Ukrainën sot dhe Ballkanin dje.

Nga ana tjetër, Zëvendëspresidenti i SHBA, J.D. Vance, ka sinjalizuar se SHBA po përpiqet të organizojë një takim mes Putinit dhe Zelenskyy-t, por vetëm pas takimit Trump–Putin në Alaskë. Strategjia e tij është e qartë: presim që SHBA të drejtojë lojën për të krijuar një plan të përbashkët mes palëve para se të ftohen në një tryezë ballë për ballë.

Zërat e historisë

Në një kohë kur ideja e “shkëmbimit të tokave” po rikthehet si instrument diplomatik — nga Alaskë e deri në Ballkan — zërat e historisë dhe të përvojës politike paralajmërojnë për rreziqet e saj. Qysh me 1919 presidenti Woodrow Wilson, pat deklaruar “Kufijtë nuk mund të vizatohen nga të huajt mbi një hartë pa pëlqimin e atyre që jetojnë aty.”

Ndërsa kancelarja Angela Merkel, 2018, për idenë e korrigjimit të kufijve Kosovë–Serbideklaroi :
“Integriteti territorial i shteteve në Ballkan nuk është monedhë që mund të shkëmbehet për paqe afatshkurtër.” 

Frustrimi i Trump me këmbënguljen e presidentit Volodymyr Zelensky për një referendum kombëtar është domethënës. Në një demokraci nën rrethim, legjitimiteti është po aq i rëndësishëm sa territori. Për Ukrainën, çdo marrëveshje që dorëzon tokë pa pëlqimin e popullit do të ishte politikisht helmuese dhe moralisht gërryese. Komenti i drejtpërdrejtë i Trump — se Zelensky “ka nevojë për miratim për të bërë shkëmbim tokash” por mund të bëjë luftë pa të — e humb thelbin: lufta zhvillohet për mbijetesë, marrëveshjet e paqes përcaktojnë të ardhmen.

Kjo dilemë nuk është e panjohur për Ballkanin. Diskutimet e kaluara për një marrëveshje potenciale mes Kosovës dhe Serbisë kanë përfshirë ide për “korrigjim kufijsh” ose shkëmbime territoriale, nën arsyetimin se ndryshimi i vijave në hartë mund të mbyllë një konflikt të ngrirë. Por kritika kryesore ka qenë e njëjtë si në rastin e Ukrainës: një kompromis që duket praktik mund të hapë portën për tensione të reja, duke legjitimuar logjikën e ndryshimit të kufijve me forcë ose kërcënim.

Ruajtja e sovranitetit varet nga aftësia për të luftuar

Ashtu si Kosova, edhe Ukraina është një vend i dalë nga një konflikt ku njohja e plotë ndërkombëtare është sfiduar nga një fuqi më e madhe fqinje. Nëse precedentët e këtillë pranojnë se “paqja” mund të blihet me territor, atëherë mesazhi për shtetet e vogla është i qartë: ruajtja e sovranitetit varet nga aftësia për të luftuar, jo nga e drejta ndërkombëtare.

Evropa ka arsye të forta për t’u shqetësuar. Nëse presidenti amerikan hyn në negociata pa përcaktuar vijat e kuqe, ai rrezikon ta kthejë raportin e tij personal me Putinin në një dobësi. Mungesa e liderëve evropianë dhe ukrainas në tryezën e Alaskës ngjall frikën e pazareve të errëta, ashtu si në rastet kur Ballkani ka qenë objekt diskutimesh ndërkombëtare pa përfaqësim të drejtpërdrejtë të palëve kryesore.

Evropa e shqetësuar

Merz bisedoi me Trump të dielën në mbrëmje për t’i nënvizuar se ai do të preferonte që SHBA të vendoste sanksione të mëtejshme ekonomike ndaj Moskës para bisedimeve. Ai gjithashtu tha se supozonte që Zelensky do të ishte i përfshirë në çdo bisedim, por për Moskën do të ishte një lëshim fakti që një delegacion rus të zhvillonte bisedime me presidentin ukrainas, pasi pushtimi i saj bazohet në mosnjohjen e legjitimitetit të qeverisë.

Një deklaratë e përbashkët të shtunën nga liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Britanisë, Finlandës dhe shefes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Trump-it të ushtrojë më shumë presion ndaj Rusisë dhe theksoi: “Rruga e Ukrainës nuk mund të vendoset pa Ukrainën.”

Putini do të hyjë në bisedimet e së premtes duke besuar se po bën përparim në fushën e betejës, Trump-i është i dëshpëruar për një marrëveshje dhe populli ukrainas gjithashtu është gjithnjë e më i gatshëm të bëjë lëshime për paqen. Por presidenti rus e di gjithashtu se nëse nuk bën ndonjë ofertë thelbësore, Trump-i do të jetë nën presion të madh politik për të vazhduar me sanksionet më të gjera ekonomike ndaj Rusisë që ka premtuar prej kohësh.

Lindsey Graham, senatori republikan pas një plani kongresional për të vendosur sanksione dytësore ndaj vendeve që tregtojnë me Rusinë, shprehu besim se Trump-i do të mbronte interesat e Ukrainës në samit. Ai ishte i përfshirë në diplomacinë e fundjavës dhe gëzon besimin e zyrtarëve ukrainas si ndërmjetës me Trump-in.

Ai tha se nëse Putini nuk ofron lëshime, priste që Trump-i të bënte që vendet që importojnë naftë ruse të paguanin një çmim të lartë, duke shtuar se kjo nuk zbatohet vetëm për Indinë, por edhe për Kinën dhe Brazilin. India është tashmë e parashikuar të përballet me tarifa 50% më vonë këtë muaj.

Duke folur për NBC, Graham tha: “Ushtarakisht, ne duhet ta mbajmë Ukrainën të fortë, të vazhdojmë t’i furnizojmë me armë të forta dhe moderne, dhe garanci sigurie me forcat evropiane në terren si ‘telashe’ për të parandaluar një pushtim të tretë [rus]. Duam ta përfundojmë këtë me një Ukrainë sovrane, të pavarur, vetëqeverisëse, dhe me një situatë ku Putini nuk mund ta bëjë këtë për herë të tretë pa u shkatërruar.”

Ai shtoi: “Dua të jem i sinqertë me ju, Ukraina nuk do t’i dëbojë çdo rus, dhe Rusia nuk do të shkojë në Kiev, kështu që në fund do të ketë disa shkëmbime tokash.”

As humbje dhe as fitore totale

Sigurisht, Trump ka të drejtë për një gjë: lufta nuk do të mbarojë me fitoren totale të njërës palë. Por dallimi mes një kompromisi pragmatik dhe një koncesioni të rrezikshëm qëndron tek garancitë — shkëmbimet territoriale, nëse do të ndodhin, duhet të shoqërohen me garanci të hekurt sigurie, mbështetje të vazhdueshme ushtarake dhe një angazhim të qartë për sovranitetin e vendit. Kjo është po aq e vlefshme për Ukrainën sa për Kosovën. Pranimi i këtyre vendeve ne NATO do te ishte një garanci sigurie.

Çdo paqe që vjen me koston e legjitimimit të pushtimit territorial është një paqe e brishtë. Ajo blen kohë, por gërryen themelet e rendit ndërkombëtar. Samiti i Alaskës mund të jetë një takim “për të ndjerë terrenin” për Trump, por për Ukrainën dhe Evropën është një provë nëse Perëndimi beson ende se kufijtë nuk ndryshohen me forcë — një mësim ky, që Ballkani e ka mësuar në mënyrë të dhimbshme. 

Përvoja e Ballkanit e di mirë se kur të ftojnë në tryezë pa të pyetur, zakonisht je në menu.

Shkëmbimi i tokave është gjuha e diplomacisë kur fuqitë e mëdha nuk kanë guxim të thonë ‘Jo’ agresionit.” Diplomacia e shkëmbimit të tokave nuk mbyll konflikte — thjesht i zhvendos në një vend tjetër dhe në një kohë tjetër.

Kosova e ka ndjerë këtë kur ideja e korrigjimit të kufijve u hodh si një zgjidhje magjike, por askush nuk shpjegoi se çfarë ndodh me plagët historike pas “magjisë”. Po ashtu, Ukraina sot po dëgjon fjalët e buta të kompromisit, ndërsa harta e saj vizatohet me lapsa të huaj.

Shkëmbimi i tokave është recetë  ku hartat vizatohen nga të fortët dhe fshihen lotët e të dobëtëve.

Nëse Alaska do të jetë vendi ku kufijtë vizatohen sipas humorit të ditës, atëherë ndoshta diplomacia ndërkombëtare ka kaluar në modelin “open bar”: hyn kush do, shërben çfarë do, dhe paguan gjithmonë ai që është më i dobëti.
Në këtë kuptim, marrëveshja e mundshme Trump–Putin mund të bëhet një manual për të gjitha konfliktet: humb tokë, merr premtimin e paqes dhe shpreso që nesër mos ta rishkruajnë edhe një herë.

Në fund të fundit, siç ndodh shpesh në histori, paqja mund të jetë thjesht një pauzë midis dy luftërash — dhe negociatorët e sotëm, heronjtë e nesërm të fotografive zyrtare, do të zhduken shumë përpara se kostot e kompromisit të fillojnë të ndihen.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 223
  • 224
  • 225
  • 226
  • 227
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT