• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tenori Saimir Pirgu në premierën e Operas “Carmen” në Dallas

November 2, 2025 by s p

Saimir Pirgu përfaqëson Shqipërinë si “Ambasador” për fëmijët me autizëm “Down Syndrome Albania”. “Zëri im, për zërin tuaj” – thotë ai.

Nga Mimoza Dajçi

Në fund të muajit tetor në Dallas të SHBA u shfaq premiera e operas “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet. Rikthimi i “Carmen” në Winspear Opera House në Dallas u bë në nderim të origjinës së saj të vitit 1875, ku për herë të parë është luajtur në Teatrin e Operas “Comique” në Paris, Francë, spektakël që në atë kohë tronditi audiencën dhe shumicën e kritikëve.

Rolin e “Carmen” në skenë e luajti mezzo – soprano Maria Viotti, ardhur nga Franca, ndërsa personazhin e Don Jose-së e interpretoi tenori shqiptar Saimir Pirgu. Artisti shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu që po shkëlqen në skenat operistike botërore dha një prezantim e paraqitje skenike fenomenale që u mirëprit dhe duartrokit disa herë nga audienca amerikane në Dallas. Interpretimi i tij virtuoz në portretizimin dramatik të përmbajtjes, i dha rëndësinë e duhur këtij diapazoni operistik. Shfaqja u ndoq edhe nga shqiptarët e shumtë që jetojnë në Dallas, të cilët patën rast të takonin e flisnin nga afër me artistin e madh Saimir Pirgu.

Opera “Carmen” është një opera në katër akte e kompozitorit francez Georges Bizet. Libreti u shkrua nga Henri Meilhac dhe Ludovic Halevy, bazuar në novelën me të njëjtin titull nga Prosper Merimee. Opera për herë të parë u shfaq në Paris në mars të vitit 1875 në operan “Comique”, ku thyerja e konventave tronditi dhe skandalizoi audiencën franceze.

Kompozitori Bizet vdiq papritur pas shfaqes së 33-të, i pavetëdijshëm se vepra e tij do të arrinte famë ndërkombëtare brenda dhjetë viteve në vijim. Që atëherë “Carmen” është bërë një nga veprat më të njohura e të interpretuara shpesh në zhanrin klasik.

Me artistin shqiptar Saimir Pirgu, i cili ka dhënë koncerte të suksesshme nëpër Europë dhe botë, jam takuar për herë të parë në vitin 2016 në Hollin e “Kaufman Music Center” në Manhattan, ku zhvilluam edhe një bisedë mediatike së bashku. Saimiri do të performonte koncertin e tij recital. Më bëri përshtypje mënyra e tij e thjeshtë e komunikimit, veshur sportiv, që për pak çaste më bëri të harroj që përballë kisha këngëtarin operistik me famë botërore.

Tenori i muzikës lirike – operistike Saimir Pirgu, fitues i disa Çmimeve si në Shqipëri edhe nëpër botë thotë për median se, “Asgjë nuk arrihet pa sakrifica e përpjekje intensive”. Tenori Pirgu si këngëtar është angazhuar në disa festivale fëmijësh në Shqipëri, por mësimet e para në fushën e muzikes i mori në Liceun Artistik, Tiranë në instrumentin e violinës. Më pas karriera e tij artistike si tentor vazhdoi pranë tenorëve të mëdhenj të muzikës italiane Luciano Pavarotti dhe Claudio Abbado, që për këtë sukses i është mirënjohës pafundësisht…

Saimir Pirgu përfaqëson Shqipërinë si “Ambasador” për fëmijët me autizëm “Down Syndrome Albania”. “Zëri im për zërin tuaj” – thotë ai.

Filed Under: Kulture

“Flaka që digjet vetë për t’u bërë dritë të verbërve”

November 1, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Pushteti, dija, padituria

Në çdo epokë historike, ka ekzistuar një vijë e hollë që ndan dijen nga padituria, urtësinë nga arroganca dhe shtetndërtimin nga shkatërrimi institucional. Por kur kjo vijë fshihet, kur në majat e shtetit ngjitet injoranca – qoftë e veshur me retorikë populiste, me pseudo-patriotizëm, apo me kult personaliteti – atëherë fillon procesi më i rrezikshëm për një komb: vetëdjegia politike.

Në këtë frymë, thënia:nuk është vetëm një figurë metaforike, por një diagnozë filozofiko-politike për ato shoqëri që e kanë lejuar paditurinë të institucionalizohet dhe injorancën të ngjitet në piedestalin e vendimmarrjes. Qeveria që nuk di, por beson se di, është më e rrezikshme se ajo që e pranon mungesën e dijes, sepse e para gabimet i bën me bindje, ndërsa e dyta mëson me përulësi.

Qeverisja pa dije

Në shtetet e brishta të demokracisë, injoranca politike ngjitet në pushtet jo për shkak të forcës së saj, por për shkak të dobësisë së sistemit. Ajo merr forma të ndryshme:

-Injoranca institucionale – mosnjohja e rendit kushtetues dhe e ndarjes së pushteteve;

-Injoranca profesionale – përjashtimi i dijes dhe përmbysja e meritokracisë përmes militantizmit;

-Injoranca morale – perceptimi i pushtetit si privilegj personal dhe jo si përgjegjësi publike.

Rezultati është i njëjtë: deformimi i shtetit dhe shkatërrimi i drejtësisë publike. Kur dija përjashtohet nga qeverisja, pushteti humbet busullën e orientimit dhe shndërrohet në një rreth vetëkonsumues, që digjet në flakën e vet të paaftësisë.

Dija si themel i shtetit të së drejtës

Shteti modern mbështetet mbi arsyen publike dhe kërkon që pushteti të jetë i ngritur mbi dije, urtësi dhe integritet. Dija në qeverisje nuk është luks intelektual – është kusht i ekzistencës së shtetit vetë. Pa dije, ligji shndërrohet në instrument force; drejtësia bëhet selektive; ndërsa administrata – në mekanizëm klientelist.

Në këtë rreth vicioz, pushteti që duhej të ndriçonte qytetarin, bëhet flakë që e verbon atë. Historia e shtetndërtimit, nga Athina klasike e deri te demokracitë bashkëkohore, dëshmon se kur padituria bëhet pushtet, dija hesht. Por heshtja e dijes është akti i parë i shkatërrimit të demokracisë.

Kur pushteti digjet nga brenda: metafora e vetëshkatërrimit

Metafora e qeverisë që “i vë flakën vetes” është përkthim figurativ i procesit të brendshëm të konsumimit të legjitimitetit politik. Në momentin kur një qeveri vepron pa dije, pa konsultim institucional dhe pa respekt ndaj ligjit, ajo fillon të digjet nga brenda.

Në fillim, ajo duket sikur ndriçon rrugët e të tjerëve – me propagandë, me sloganë e me iluzione të rreme suksesi. Por drita që buron nga flaka e vetëshkatërrimit nuk është dritë e dijes, por zjarr i mashtrimit. Në fund, ajo qeveri nuk ndriçon më as vetveten, sepse është shndërruar në hi të vetëkonsumimit moral e institucional.

Verbëria e masës dhe roli i shoqërisë

Rreziku më i madh nuk qëndron vetëm te ekzistenca e qeverive injorante, por te pranimi i tyre nga një shoqëri e dorëzuar. Kur qytetarët pranojnë që rrugën t’ua ndriçojë zjarri i paditurisë, ata bëhen pjesë e verbërisë kolektive. Kështu lind ai që Gramsci e quante “njeriu i dorëzuar ndaj pushtetit” – ai që nuk reagon ndaj padrejtësisë sepse është mësuar të mos shohë.

Verbëria politike nuk është mungesë shikimi, por mungesë guximi për të parë të vërtetën.

Rrugët e të verbërve ndriçohen nga flaka e vetëshkatërrimit të atyre që marrin pushtetin pa ditur çfarë është ai. Kombi shqiptar, që ka kaluar shekuj përpjekjesh për liri e vetëdije kombëtare, duhet ta ketë mësuar: Qeveria pa dije është pushtet pa shtet, dhe pushteti pa shtet është rrënim i kombit.

Historia si mësuese e popujve

Historia botërore është dëshmitare e qeverive që janë vetëdjegur në flakën e paditurisë së tyre:

-Perandoria Bizantine u shemb nga arroganca e mendjeve të ngushta që nuk pranonin reformën.

-Franca e shekullit XVIII shpërtheu në revolucion sepse elitat jetonin në iluzionin e dijes absolute, ndërsa populli në errësirën e skamjes.

-Jugosllavia e fundit u përmbys nga padituria nacionaliste që e shndërroi flakën e urrejtjes në dritë të rreme patriotike.

Në të gjitha këto raste, flaka që mendohej se ndriçonte, dogji gjithçka, sepse mungoi dija, urtësia dhe respekti për njeriun.

Përmasat bashkëkohore të qeverisjes së paditurisë

Në epokën moderne, injoranca politike nuk manifestohet më si analfabetizëm, por si mosvlerësim i dijes. Një qeveri mund të ketë diploma, por të mos ketë dije; mund të ketë teknologji, por të mos ketë urtësi; mund të ketë aparate shtetërore, por të mos ketë shpirt institucional. Kjo është forma më e rrezikshme e injorancës: ajo që fsheh boshësinë pas gjuhës teknokratike.

Ajo përdor retorikën për të mbuluar paaftësinë, statistikat për të fshehur realitetin dhe imazhin për të zëvendësuar përmbajtjen. Në këtë mënyrë, pushteti humbet kuptimin si shërbim publik dhe bëhet akt vetëshkatërrues moral e institucional.

Zgjidhja: Kthimi te dija, urtësia dhe njeriu

Për të shpëtuar nga flaka e vetëshkatërrimit, çdo qeveri duhet të ngrihet mbi tri shtylla të pathyeshme: Dijen – që udhëheq çdo vendim me argument dhe vizion; Urtësinë – që ruan masën, maturinë dhe drejtësinë në ushtrimin e pushtetit; Humanizmin – që e vendos qytetarin në qendër të çdo politike publike. Vetëm këto tri vlera krijojnë qeveri që ndriçojnë shoqërinë me dritën e mendjes, jo me zjarrin e propagandës. Sepse dija nuk digjet – ajo ndriçon. Ndërsa injoranca, sado që duket si dritë, është vetëm flakë që përfundon në hi.

Mësimi për kombet e vogla dhe shtetet në tranzicion

Kombet e vogla, si Kosova, e kanë më të domosdoshme qeverisjen e dijes, sepse çdo gabim i injorancës në krye është shumëfish më i shtrenjtë se në shtetet e mëdha. Në shtetet e reja, ku legjitimiteti ndërtohet çdo ditë, një vendim i marrë nga padituria mund të kushtojë dekada zhvillimi.

Filed Under: Ekonomi

Diaspora Hasjane – Zëri i Bashkimit nga Anglia në mbarë botën

November 1, 2025 by s p

Valdete Cenalia/



“Kush harron gjuhën dhe zakonet, harron shpirtin e vet.” Pjetër Bogdani. Në zemrën e Anglisë, larg kodrave e burimeve të Hasit, ka lindur një frymë e re bashkimi, Diaspora Hasjane, një urë shpirtërore që lidh zemrat e bijve dhe bijave të Hasit, kudo që i ka shpërndarë jeta nëpër botë. Kjo nismë fisnike lindi nga Edmir Dida, një bir i Hasit që e mbart me krenari gjakun, traditën dhe besën e krahinës së vet të lashtë, ku tregon se trashëgimia e një zemre spërkulet kurrë. Edmir Dida është i biri i Sejdi Didës, një emër që mbetet i skalitur në kujtesën e njerëzve për guximin, mençurinë dhe dashurinë e pashuar për trojet shqiptare.

Në vitet e errëta të fillimit të ’90-tave, kur kufijtë ishin plagë të hapura e fjala shqiptare përndiqej, Sejdiu mori mbi supe një mision që do të bëhej legjendë. Ai kaloi në këmbë kufirin shqiptaro-shqiptar, atë vijë të padrejtë që Serbia e mbante nën kthetrat e saj, vetëm për të mbajtur gjallë lidhjet mes shqiptarëve. Në shpinën e tij mbante dengjet e revistës “Etja” një simbol i dijes dhe bashkimit, një dritë që ndriçonte errësirën, një dëshmi e “etjes” së pashuar për një komb të lirë e të bashkuar. Kjo “etje” e shenjtë për bashkim dhe dashuri për atdheun u trashëgua me nder e krenari te i biri, Edmiri.

Një zë që bashkon zemrat në mërgim – Me shpirtin e një bashkuesi të vërtetë, Edmir Dida ngriti zërin e Hasit në një tokë të huaj, duke dëshmuar se dashuria për vendlindjen nuk njeh kufij. Ai mblodhi rreth vetes jo vetëm hasjanët e Anglisë, por edhe bashkatdhetarë nga mbarë bota, duke krijuar një rrjet solidariteti, bashkëpunimi e krenarie kombëtare. Sot, Diaspora Hasjane në Angli nuk është thjesht një shoqatë, por një zemër që rreh për Hasin, për gjuhën, për zakonet dhe për rrënjët që s’harrohen kurrë.

Është një dëshmi e gjallë se largësia nuk e shuajti as dashurinë, as kujtesën – përkundrazi, i bëri ato më të forta. Në fjalët e vetë Edmir Didës, që kanë prekur zemrat e shumë bashkatdhetarëve:
“Kjo nismë që morëm ne, të gjithë djemtë hasjanë, nuk është familjare apo personale. Ajo është për t’u mësuar fëmijëve tanë traditën, kulturën dhe prejardhjen tonë, që të mos harrojnë kurrë kush janë e nga vijnë, duke e ruajtur si gjënë më të shtrenjtë dhe të shenjtë.”

Këto fjalë janë thelbi i shpirtit hasjan krenar, i urtë, por i pathyeshëm. Në to pasqyrohet e gjithë historia e një krahine që, ndonëse e vogël në sipërfaqe, ka dhënë gjigandë në kulturë, atdhetari e shpirt shqiptar. Hasi, vend i fjalës, i besës dhe i shpirtit burrëror – Shkrimtari i madh hasjan Pjetër Bogdani, themelues i prozës shqiptare, na kujtonte se: “Gjuha dhe zakonet janë shpirti i kombit.” Ky shpirt është ai që sot e mban gjallë Zërin e Bashkimit nga Anglia në mbarë botën, një zë që buron nga dashuria për rrënjët, për vendin e të parëve dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Hasi nuk është vetëm një vend në hartë, është një ndjenjë, një mall, një flamur në zemër.

Diaspora Hasjane është sot shembull i gjallë i bashkimit, i kulturës dhe i krenarisë kombëtare. Ajo dëshmon se kur ka dashuri, përkushtim e vullnet, as kufijtë, as detet, as koha nuk mund të ndalin bashkimin shpirtëror të shqiptarëve.Kjo do të thotë që të jesh hasjan do të thotë të jesh gjithmonë kujtesë e gjallë e shqiptarisë.

Filed Under: Interviste

MANIFESTIM I IDENTITETIT KULTUROR DHE KOMBETAR TE SHQIPTAREVE

November 1, 2025 by s p

Prof.Dr.Fatbardha Fishta Hoxha/

“Su gli albanesi Ricerche e Pensieri” – (Mbi shqiptaret gjurmime dhe mendime, 1847 Napoli eVincens Dorses). 

Në rrjedhën historike të mendimit shqiptar ka patur vepra që kanë lënë gjurmë dhe janë bërë pika referimi për ngjarje dhe periudha të shënuara. Shumë prej këtyre veprave u botuan jashtë trojeve amtare, ku shqiptarët i përplasën tallazet politike dhe ekonomike të kohës. Dokumentohet ky mendim me veprimtarinë e humanisteve shqiptarë, qe me dinjitet e krenari afirmuam personalitetin e veçantë të shqiptarëve, historinë e shpirtin e pamposhtur të tyre në mbrojtje të së drejtës më të parë njerëzore për të jetuar të lirë në trojet e veta. Veprat e tyre të botuara kryesisht në Gadishullin Apenin do të tërhiqnin vëmendjen dhe opinionin e kohës. Është interesant fakti se ky mendim sado që në kushte tejet të vështira nuk u shua as ne trojet tona edhe pse u pengua mizorisht nga pushtuesi aziatik. Veprat e Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit janë deshmi vazhdimsie e atij mendimi në trojet shqiptare, shfaqje e orientimit dhe integrimit te hershem shqiptar  ne zhvillimet e kontinentit. Eshtë po kaq i rendesishem fakti se edhe ne ngulimet shqiptare qe sherbyen si ura lidhese te vendeve dhe popujve me te qyteteruar te kontinentit me trojet shqiptare, gjejmë vazhdimësi mendimesh dhe jo shkëputjeje. Kjo vijimësi e pandërprerë, kjo lidhje i ka rrënjët në arsyet e forta politike dhe ekonomike që i shkulen shqiptarët nga vendlindja si dhe në lidhjet e fuqishme dhe të shumëfishta që ata ruajtën me atdheun e origjinës. Në këtë kuadër duhet çmuar në tërësi roli i diasporës shqiptare por në veçanti i ngulmimeve shqiptare në Itali, vend në të cilin ishte shkruar në italisht që më 1473 libri i parë për Shqipërinë për të ndjekur rrugën e gjatë të shumë veprave që flasin drejtpërdrejtë ose tërthorazi për Shqipërinë dhe shqiptarët. 

Por nuk është vetëm kjo klimë interesimesh humane e romantike që ka pushtuar Evropën e qytetëruar për të kthyer vëmendjen tek popujt nga më të lashtë të saj por që vuajnë zgjedhën e robërisë osmane, nuk është distanca kronologjike e përafërt shpirtërore që lidh banorët e dy brigjeve të Adriatikut, të vetmet arsye që vënë në lëvizje mendimin arbëresh në shekujt më të vonë në Itali. Mbi të gjitha, është shpirti i tyre që dëshmon dashurinë e pashuar për vendin e zanafillës së afërt apo të largët, eshte vetedija e qartë e të qenit shqiptar që aq thekshëm do ta shprehte vargu i poetit “se ne të huaj po jemi tek ky dhe”. Fale ketij shpirti,kesaj vetedije te kristalte ata arriten te ruajne tiparet origjinale te kombesise të shpërfaqura në gjuhën amtare, në vlerat materiale e shpirtërore që ata ruajtën të paprekura me një ndjenjë të habitshme krenarie dhe besimi në të ardhmen e idealit të tyre atdhetar. Në këtë klimë mund të shpjegohet krijimi i veprave të Lekë Matrëngës, Jul Varibobës, Nikollë Ketës, Zef Krispit, Engjëll Mashit, Mikel Skutarit në ngulimet arbëreshe të Italisë, që nga shumë ane jane integruar ne zhvillimet kulturore ne atdhe ne shek XVIII dhe fillimet e shekullit XIX dhe ndonjë anë çelin edhe shtigje të reja siç ndodh me veprën e Nikollë Ketës “Thesar shënimesh mbi maqedonët” dhe veprën e Jul Varibobës “Jeta e Shën Merisë virgjër” si vepra e pare artistike në letërsinë shqipe. Si vijim i natyrshëm i lidhjeve të gjera kulturore në mjedisin arbëresh shfaqet vepra e studiuesit, dijetarit arbëresh Vinçens Dorsa “Mbi shqiptarët,gjurmime dhe mendime” botuar në Napoli. Vepra e Vinçens Dorsës u botua në një moment kyç. 

Do të mjaftonte të kujtonim vitin 1847. Duke rilexuar në të gjithë rrafshet veprën e Dorsës bindesh për dimensionet se është ne hapat e parë epoka e re e lëvizjes kombëtare, që grish duke ngritur më lart vetëdijen e shqiptarëve kudo që ndodhen, qendresen e pashembullt të tyre në histori. Shqiptarët po kapërcenin pragun e madh të vetëdijesimit dhe organizimit kombëtar si asnjëherë tjetër, në përmasa të panjohura më parë. Dhjetë vjetë të shkuara De Rada më veprën e tij të parë të shkruar arbërisht “Këngët e Milosaos” do të paralajmëronte agun e kësaj epoke të ndritur. Një vit më parë i dituri Naum Veqilharxhi që e kishte përflakur në shpirt zgjimi i popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik do të hidhte idenë e mësimit, shkollimit dhe kulturimit të popullit të vet, sepse sic arsyetonte rilindesi vizionar “popujt e pakulturuar u ngjajnë skllevërve”. Në pragun e Epokës së madhe të Rilindjes po konturohej një strategji e re, më së pari shpirtërore që do të sillte patjetër edhe ripertritjen lendore të shqiptarëve. Për këtë duhej përbuzur dhe luftuar tirania osmane.

Vepra e Vinçens Dorsës e shkruar dhe e botuar në italisht vjen në kohën e vet. E shkruar nga një arbëresh në italisht ajo do të kishte një horizont më të gjerë pritjeje dhe do të realizonte synimet më themelore  të kohës, sensibilizimin e qëndrimit evropian ndaj çështjes shqiptare. Vinçens Dorsa (1823–1885) bashkëkohës i De Radës, Santorit, kishte lindur në Frashineto të Kalabrisë, kishte qenë nxënës në kolegjin e Shën Adrianit dhe më pas student i kolegjit të Propagandës në Romë. Kur e boton veprën, që edhe pse më e rëndësishmja, nuk është publikimi i vetëm i tij, ai nuk është më shumë se 24 vjeç. Që dijetarin e nxit të shkruajë këtë vepër shkencore, historike e kulturore një ndjenjë e flaktë patriotike që nuk shmang kërkesat e tregon titulli i vepres mjaft kuptimplote si dhe fjalët e cituara “i lumtur është ai shkrimtar që i ngre monument vendit të tij”, si dhe kushtimi: “Kombit tim të përçarë të shpërndarë por nje i vetem”. Me veprën e vet ai kërkon të hedhe drite thelle ne rrënjët e origjinës së shqiptarëve, në historine mijevjecare te tyre si dhe te japë mendime mbi aktualitetin dhe të ardhmen e tyre. Këtë barrë të rëndë që merr përsipër, si e parashton në titull,qe ka për qëllim të realizojë permes gjurmimit të ngjarjeve, fakteve, te dhenave nepermjet mendimit dhe persiatjeve qe rrjedhin nga shqyrtimi tyre. Dhe mund të thuhet me plot gojën që ia ka arritur te përmbushë qëllimin e vet, dhe të na japë një vepër nga më të plotat e llojit të saj. E kaluara shqiptare nga fillimet deri në kohën kur shkruan dijetari është vështruar në një kronologji të saktë. Vështrimi në të kaluarën dhe aktualitetin shqiptar në tiparet më qenësore të kombit parë në rrjedhe historike i kanë lejuar autorit të shohë dhe të projektojë sadopak jo drejtpërdrejtë udhën drejt lirisë dhe emancipimit kombëtar.

Argumentet shkencore të veprës së vet dijetari do t’i paraqesë në një strukturë tepër organike. Synimet e tij, bazën nga është nisur për të shkruar atë vepër e shtjellon në parathënie (fq. 5–9). Në kapitujt e parë ai jep njoftime mbi pozitën gjeografike të trojeve shqiptare. Merret në mënyrë të veçantë me etnonimet mbi shqiptarët në lashtësi dhe në kohët moderne si dhe mbron me argumente lashtësinë, autoktoninë e kombit si një popull jo grek nga më të vjetrit e gadishullit ballkanik. Për të provuar identitetin e lashtë të shqiptarëve ai mbron tezën pellazgjike, tezë kjo e përqafuar përgjithësisht nga rilindësit. Në kapitujt më pas ai i kushton një vend më vehte problemit të formimit të gjuhës shqipe si dhe vendit të formimit të saj. Në përgjithësi ai i jep një zgjidhje të pranueshme duke e kërkuar dhe gjetur origjinën e shqipes në fillimet thrako-ilire. Historinë e shqiptarëve ai e gjurmon nga fillimet, gjatë sundimit romak, bizantin, sllav e turk. Në kapitullin 6 ai ka për argument atë për të cilën ndjehet më krenar, qëndresën e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe famën e epokës së tij. Në disa kapituj më radhe (kap. 7, kap. 14), ai flet për situatën e krijuar në Shqipëri pas vdekjes së Skënderbeut, për rënien e vendit në robërinë osmane, që i detyroi shqiptarët të marrin rrugën e dhimbshme të mërgimit. Si përfaqesues të këtij mërgimi të trasheguar, Vinçens Dorsa me objektivitet vështron historinë e ngulimeve shqiptare në Siçili dhe Kalabri, për veshtersite dhe mundësitë që ju krijuan arbëreshëve për të ruajtur gjuhën, doket, zakonet e tyre karakteristike, besimin e tyre në  nje mjedis te huaj. 

Kontributin e arbëreshëve ai e sheh të konkretizuar në ngritjen e seminarit në Palermo dhe të Kolegjit në Shën Benedeto Ulano si dhe ne një lëvizje të gjerë kulturore që nxori e afirmoi personalitete te shquar si Guxeta, Rodota, Mashi, Sqiroi, Krispi, De Rada, Santori etj. Në kapitujt që vijojnë (vepra ka gjithsej 20 kapituj) autori flet për aktualietin dhe vitalitetin historik të shqiptarëve. Për dijetarin arbëresh shqiptaret qe kane tradita te shkelqyera luftarake ne te kaluaren e larget, cfare arsyeton edhe ndonjë vonesë në jetën kulturore të vendit, kanë dhënë pa u kursyer kontributin e tyre në luftrat për liri te popujve te tjere duke luftuar si për Turqinë, Egjiptin, Greqinë, Italinë etj. Ai përmend heronj shqiptarë që u shquan në lëvizjen kombëtare greke si Foto Zhavella,Kosntandin,Kristo e Marko Bocari,Bubulina etj, Tiparet e vecanta te paperseritshme shpirterore te shqiptareve, dijetari i sheh te shprehura sidomos ne gjuhe,poezine popullore, ne letersine e kultivuar,ne zakonet,ne menyren e jeteses, ne ritet tradicionale dhe ne kostumet kombetare. Duke njohur dhe pranuar me argumente lashtesine e gjuhes shqipe ai do ti kushtoje vemendje dhe gjendjes aktuale te saj. Ne kapitullen per gjuhen ai flet për karakterin dhe tiparet gramatikore të saj. 

Gjuha shqipe, sipas tij, shkruhet me një alfabet prej 28 germash, 23 prej të cilave janë latine dhe 5 shkronja origjinale. Në mënyrë të veçantë ai merret me fizionominë e poezisë popullore, vlerat estetike ai i sheh ne shpirtezimin e jofrymorve ne frymore. Puhuri i nje varri kthehet ne njeri, rrasa e tij në kalë e kështu ai heton një nga dukuritë më të vjetra të poezisë popullore. Ai bën dallimin e poezisë së vjetër me atë të krijuar më vonë. Tek e vjetra ai vëren vargun e bardhe dhe mungesën e rimës. Vëndin e rëndësishëm që zë poezia popullore, ai e lidh me faktin se shqiptarët nuk kanë mundur të kenë një histori të shkruar. Gjuha shqipe është e thjeshtë, shprehëse dhe imitative poetike, por nuk arriti të kultivohej sepse kombi gjendej kurdohere nën armë. Në këto rrethana ai vlerëson rolin e ngulimeve shqiptare të cilët në mes të kulturës së huaj krijuan një letërsi të veçantë dhe ruajtën qytetërimin e tyre të hershëm. Përmes poezisë popullore, vlerave të saj, Vinçens Dorsa shpalos romantikën e tabllove të tokës shqiptare te populluar me personazhet simbolike si thëllëza, pellumbi, skifteri etj. Por në vargjet e poezisë popullore nuk mungojnë edhe tropet befasuese që te habisnin me dritën e bukurinë e mendimit dhe të shprehjes poetike. Vajza e poezisë popullore është e bardhë dhe e bukur si një re, e embel si kumbull, e ndritshme si hëna e netëve të bukura të dimrit, ndërsa djali si dielli kur lind. Veç elementëve mitologjikë, në poezinë popullore Dorsa veren se kanë ndikuar edhe elementë të artit të Lindjes. Në kapitullin e veçantë që i kushton letërsisë shqipe të kultivuar ai cmon autorët e shek. XVI–XVII dhe sidomos autorët arbëreshë V. Bariboba dhe bashkëkohësit e vet, J. De Rada dhe Anton Santori. Eshte me interes te theksohet se vepra e J.De Rades ndonese u be objekt studimi  më M. Markianoi, A. Stratikoi, Gualtieri, Vinçens Dorsa është ndër të parët që artikuloi fjalët që do të profetizonin vlerat poetike të J. De Radës. 

Në kapitullin e fundit që ka për objekt gjendjen aktuale dhe të ardhmen e Shqipërisë si edhe te ngulimeve arbereshe, fatin e të cilave Dorsa nuk mund ta shkëpusë nga fati dhe ardhmja e gjithë vendit, i tronditur nga zgjedha e egër e një regjimi despotik që rëndon mbi Shqipërinë, ai shtron problemin në se vendi do të vazhdojë të jetë akoma pa industri, pa kulturë, pa ligje, pa mjetet e nevojshme për zhvillim. A do ta durojnë shqiptarët gjendjen e tyre te rende e të shtypur? Si të gjithë vizionarët e mendimit rilindës, Vinçens Dorsa e sheh mundësinë e shpëtimit në karakterin luftetar dhe të panënshtrueshëm të shqiptarëve nje e pesta e te cileve jane te gatshem për t’u thirrur nën armë. Shqipëria ka shumë pasuri dhe burime natyrore,ajo ka pasur tradita të njohura në fushën e ekonomisë dhe të diplomacisë, në marrëdhëniet me vendet e popujt e tjerë. Dijetari arberesh zbulon në këtë kapitull shqetesimin e tij nese shqiptaret do te pajtohen me gjendjen e shtypur nen thundren e nje shteti mizor aotokratik sic eshte perandoria osmane. Që ai e njeh mirë gjendjen e Shqipërisë në atë kohë, qofte edhe permes shtypit, e tregon fakti,se ai  përmend në veper njerin nga heronjte e qendreses antiosmane, ne vitet 30 te atij shekulli dhe konkretisht Tafil Bej Buzin. Shqipëria patjeter duhet të ndjeke shembullin e Greqisë që ka fituar pavarësinë e saj. Dijetari është plot besim. Duke mbajtur lart flamurin e shpresës dhe te besimit që ngrohu gjithë rilindësit, paralajmeron fortunen qe do të flake barbarinë më të rënde të despotizmit në historisë së njerzimit. Kjo do të jetë shenimi i mbarimit te luftes dhe fillimi i diteve te bardha te lirise per Shqiperine. V.Dorsa permes tere vepres i ben jehone idealeve te Rilindjes Kombetare qe perjetonin trojet shqiptare ne ate kohe. Ai me vepren e vet “Mbi shqiptaret,kerkime dhe mendime”,ka arritur te permbushe qellimin e tij fisnik dhe patriotik “te ringjalle ne opinionin publik te drejtat e nje populli te ndritur,por te panjohur” dhe me shpirtin e tij profetik te parashohe agimin e diteve te lumtura qe do vijne per shqiptaret dhe Shqiperine. Sado që një trajtese historike kutlturore, ajo mori vlerën e një manifesti të fuqishëm kombëtar që edhe pse e shkrua në gjuhë të huaj për një publik jo shqiptar, me karakterin e saj polivalent u bë një enciklopedi shqiptare për kohën që ndikoi në publikimin e çështjes shqiptare në Evropë. Si e tillë veprat e Vincens Dorsës iu priu në kohë veprave të kësaj natyre që do të botojnë në shqip dhe në gjuhë të huaj: Zef Jubani, Pashko Vasa, Sami Frashëri dhe të tjerë mendimtare të Rilindjes që do të shërbenin si ura komunikimi të shqiptarëve me botën.

Filed Under: Opinion

Naum Prifti në Ditët e Letërsisë Shqipe në Gjimnazin Petro Nini Luarasi, Ersekë

October 31, 2025 by s p

Julika Prifti/

Në përjetimet e mia personale muaji i letërsisë zë vend të veçantë me shumë kujtime të bisedave letrare me autorë e krijues në Shqipëri. Për babanë tim, ftesat për takime e tetorit në shkolla anë e mbanë vendit ishin të mirëpritura dhe ai shkonte me dëshirë në çdo bashkëbisedim me lexuesit kudo që të ishin ata. Aktiviteti për veprën e Naum Priftit nga gjimnazi Petro Nini Luarasi në Ersekë më solli përjetimet e traditës letrare të tetorit, por, për shkak se mbahej pranë vendlindjes së tij, ishte edhe më prekës për mua.

Në njoftimin e postuar shkruhej se gjimnazi PNL, Qendra Kulturore Fan Noli dhe Bashkia Kolonjë me pjesëmarrjen e mësuesve dhe të ftuar të tjerë kujtuan shkrimtarin Naum Prifti (1932-2023), një ndër figurat më të ndritura të letërsisë dhe kulturës shqiptare, si “prozator, dramaturg, skenarist, mësues dhe redaktor letrar, por mbi të gjitha një njeri që e deshi me shpirt njeriun e zakonshëm, gjuhën shqipe dhe jetën. Në çdo tregim të tij gjen dashuri, ndershmëri, humor dhe reflektim. Ai dinte të fliste me thjeshtësi për gjëra të mëdha.” “Sot, “udhëtuam” përmes fjalëve të tij, përmes personazheve dhe ideve që i dhanë frymë brezave të tërë. Kujtuam së bashku se fjala është forcë, dhe se njeriu që qëndron për të vërtetën, “vdes në këmbë” – por nuk përkulet kurrë,” theksuan organizatorët në aktivitetin e mbajtur në sallën e gjimnazit në kuadrin e muajit të letërsisë.

Fragmente nga filmi artistik “Kush vdes në këmbë” me skenar të shkrimtarit Naum Prifti u përcollën me emocione të veçanta duke qenë se i kushtohet personalitetit të njohur të kombit dhe mendimtarit martir, Petro Nini Luarasit, (1865-1911) emrin e të cilit mban me krenari gjimnazi i Ersekës. “Kujtimet, interpretimet dhe esetë e reflektimet e nxënësve mbi veprën e mesazhet e shkrimtarit kolonjar Naum Prifti përcollën jehonën që fjala artistike e tij gjen edhe te brezi i sotëm,” thanë folësit.

Ju shpreh falënderime të përzemërta organizatorëve nga gjimnazi Petro Nini Luarasi Ersekë dhe znj. Anila Cucllari, znj. Vinjola Rota, drejtoreshë e DRAP Korçë, Qendrës Kulturore Fan Noli, Bashkisë Kolonjë, gjithë të ftuarve e pjesëmarrësve, mësuesve dhe nxënësve të klasave të 10-ta për këtë takim të bukur letrar.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 254
  • 255
  • 256
  • 257
  • 258
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT