• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIRIA NUK KA ÇMIM

November 22, 2021 by s p

Agim Aliçkaj

Ishte porosia kryesore në Akademinë Përkujtimore kushtuar Adem Jasharit,  Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” e udhëhequr nga Z. Mark Qehaja dhe Shkolla Shqipe “Alba Life” nga Z. Qemal Zylo. Përveç Markut dhe Qemalit me kolegët  e tyre, respekt dhe meritë e veçant ju takon Ambasadorit William Walker, mysafirëve dhe folësve tjerë, ushtarëve të lirisë nga radhët e UÇK-së, artistëve dhe valltarëve, sidomos moderatores Zonjës Kozeta Zylo. 

         Vlerë e madhe ishte pjesëmarrja e shumë bashkëatëdhetarëve nga të gjitha Trojet Shqiptare. Nga porositë e shumta të folësve në këtë Akademi shumë të rëndësishme mund të veçohen:

-Kombi shqiptar ka dhënë gjithëmonë heronj dhe patriotë të cilët kanë bërë dhe sakrifikuar çdo gjë në mbrojtje dhe ngritje të tij.

-Politikanët e këqinj dhe të tjerët që veprojnë kundër interesave kombëtare duhet të luftohen dhe largohen me mjete demokratike.

-Askush nuk ka të drejtë të bëjë pazare me tokat shqiptare. Liria, integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës janë të paprekëshme.

-Rezistenca dhe flijimi i heroit Adem Jashari me familje e ngriti në këmbë mbarë kombin shqiptar në luftën dhe fitoren kundër shtetit fashist serb.

-Veprimi i përbashkët pa dallim partiak garanton suksese.

-Bashkimi kombëtarë është amanet i Adem Jasharit dhe patriotëve më të mëdhenj të kombit.

-Ardhmëria sigurt e Kosovës dhe kombit shqiptar është me shpëtimtaren e popullit shqiptar-Amerikën dhe vendet mike Perëndimore.

Kumtesa e ime:

LUFTA PËR LIRI DHE REZISTENCA HEROIKE E ADEM JASHARIT ME FAMILJE

         Për heroin tonë kombëtar, komandantin legjendar Adem Jashari është folur e do të flitet, është shkruar e do të shkruhet. Vepra e tij heroike do të vlerësohet, festohet dhe do të studiohet me shekuj nga populli shqiptar por edhe nga popuj të tjerë të botës, të cilët ballafaqohen me shtypje, robëri dhe padrejtësi të formave të ndryshme.

         Lufta për liri dhe rezistenca e popullit shqiptar kundër pushtuesit fashist serb ka filluar në momentin kur këmba serbe ka shkelë në tokat e shtrenjta arbërore. Në dalje e sipër nga pushtimi i egër 500 vjeçar turk, në pamundësi për të krijuar ushtri të rregullt dhe të armatoset si duhet, ky popull i shumëvuajtur por heroik, ka luftuar me breca, thika e sopata, me pak armë e municion të siguruara me shumë vështirësi. I organizuar në grupe familjesh, fshatrash dhe kaqakësh nëpër qeta të vogla, kurrë nuk ka pushuar së luftuari në mbrojtje të familjeve, shtëpive dhe tokave të veta stërgjyshore.

          Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 Nëntor të vitit 1997, shënon kthesë të madhe në luftën për liri kundër pushtuesit serb. Kësaj radhe filloi një rezistencë e organizuar, me formacione ushtarake e cila u shëndrrua në një ushtri të mirëfillët kombëtare. Padyshim se, meritat më të mëdha për këtë i takojnë komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.

         Ai i tregoi mbarë botës se liria nuk ka çmim. Në vijë me thënien e njohur të amerikanit Patrick Henry “Give Me Liberty, or Give Me Death” ( Më Jep Lirinë, ose Më Jep Vdekje) ai dhe familja e tij, të rrethuar nga të gjitha anët nga ushtria terroriste serbe e pajisur me armatim të rëndë, luftuan burra, gra dhe fëmijë, pa ju trembur syri deri në vdekje, në mbrojtje të familjes, shtëpisë dhe të lirisë së mbarë popullit shqiptar.

          Me flijimin e Ademit dhe 56 anëtarëve të familjes Jashari, shpërtheu vullkani i pashueshëm i lirisë, flakët e të cilit e përfshinë bishën e egër serbe për ta shkulur përgjithmonë nga Kosova. I gjithë kombi shqiptar u ngrit në këmbë. Vërshuan vullnetarët nga të gjitha Trojet shqiptare, vërshuan mërgimtarët nga Evropa, Amerika dhe vendet e tjera të botës. Djemt më të mirë shqiptaro-amerikanë krijuan brigadën e lavdishme Atlantiku dhe u nisën për në vendlindje, në mbrojtje të lirisë.

         Në përkrahje të luftës për liri në Kosovë dhe afirmimit të çështjes kombëtare shqiptare në Amerikë vazhdonte pandërpre aktiviteti lobist i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën udhëheqjen profesionale të ish-Kongresmenit me prejardhje arbëreshe Joseph DioGuardi dhe Këshilltares për Çështje Ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi. Me punë të palodhëshme, dyert e Washingtonit ishin hapur për Kosovën liridashëse dhe ishin mbyllur për shtetin kriminal Serb të udhëhequr nga kasapi i Ballkanit Sllobodan Milosheviq.

         Liga ishte organizata e parë shqiptaro-amerikane e cila doli haptas në përkrahje të UÇK-së me deklaratën e saj publike në fillim të muajit Shkurt 1998. Organizoi protesta të mëdha në përkrahje të saj në Washington para Shtëpisë së Bardhë dhe Capitol Hill-it ku morën pjesë shumë Senator dhe Kongresmen  të njohur amerikan. Në dëgjimin e organizuar nga Kongresi Amerikan, në Mars të vitit 1998, pak ditë pas vrasjes së familjes Jashari u  konfrontua dhe u hudh poshtë përpjekja e Ambasadorit Gelbard për ta shpallur UÇK-në organizatë terroriste. Me forcën e argumenteve dhe me fakte, nuk mund të shpalleshin terrorist ata që mbroheshin dhe flijoheshin në shtëpitë e veta si familja Jashari !

FATI DHE EKZISTENCA E KOSOVËS DHE KOMBIT SHQIPTAR ËSHTË E LIDHUR NGUSHTË ME AMERIKËN    

         Evropa nuk ka as kaqik as vullnet për ta kundërshtuar hegjemonizmin dhe  ekspansionizmin ruso-serb. Për më keq, shumë shtete evropiane të helmuara nga propaganda shoviniste serbe dhe të varura nga gazi rus, kanë formuar qëndrime paragjykuese dhe nënçmuese ndaj kombit shqiptar në baza nacionale dhe fetare.  Vetëm rezistenca e popullit shqiptar me përkrahjen e Amerikës e ndalon turrin e Serbisë dhe Rusisë në Ballkan. Interesat strategjike amerikane përputhen plotësisht me interesat strategjike shqiptare. 

         Pa Amerikën nuk mund të zgjidhet konflikti i Kosovës me Serbinë. Prandaj përpjekjet dhe forcat tona duhet të orientohen kah Amerika. Të insistohet që Amerika të jetë e kyçur drejtpërdrejt në dialog me Serbinë. Nga jurist dhe ekspertë të caktuar të shiqohen mundësitë ligjore dhe diplomatike për marëdhënje speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.               

          Në luftën shekullore kundër okupatorit serb, Komandanti legjendar Adem Jashari me familje dhe shumë luftarë tjerë të lirisë luftuan dhe ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Ata e dhanë jetën për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjitha Trojet Tona. Ata na lanë amanet ta vazhdojmë veprën e tyre të shenjtë, të mos ja lëshojmë asnjë pëllëmbë tokë okupatorit serb dhe tjerëve, ta vazhdojmë rezistencën deri në mundjen përfundimtare të Serbisë shoveniste. 

         Kombi ynë i shumëvuajtur, si të gjitha kombet tjera kush më shumë e kush më pak, ka dhënë edhe njerëz të këqinj, interesxhi të paskrupullt, të korruptuar, të pamoral, me karakter të ulët, me ego të sëmurë, narcisistë, inatçorë dhe ziliqarë, të gatshëm t’i shesin tokat shqiptare dhe t’i tradhëtojnë interesat kombëtare në shërbim dhe për interesa të armiqëve tanë.  

         Edhe pse numri i tyre nuk është i madh, sherri i tyre është. Fatkeqësisht, shumë prej tyre mentalisht të sëmuar, në mesin e të cilëve ka politikanë, gazetarë, analistë, historianë dhe aktivistë të ndryshëm, mendojnë se janë në rrugë të drejtë, se janë më të mënçur dhe më patriotë se të gjithë tjerët dhe e vazhdojnë “kryelartë” rrugën e tyre antikombëtare. Atyre nuk ka nevojë të jua përmendim emrat, sepse e dijmë të gjithë kush janë. Në ditët e sodit të bumit mediatik, nuk mund të mëshifet asgjë. 

         Kemi edhe asi politikanë hajvanë të shekullit, të cilët deklarojnë se Serbisë duhet t’i falën krimet dhe t’i ipet shtesë tokë shqiptare për të marrë njohjen e pavarësisë. Një gjë duhet ta kuptojnë të gjithë, përfshirë edhe mediatorët perëndimorë në dialog me shtetin destruktiv serb, se liria, integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk mund të falen as të negociohen nga askush. Liria është fituar me gjakun e familjes Jashari, shumë heronjve tjerë dhe me sakrificën e popullit të Dardanisë dhe mbarë kombit shqiptar.

         Është e dhimbshme kur e sheh Kryeministrin e shtetit amë, të çarpallisur e në përqafim me kriminelin Vuçiq, të shet pallavra e propagon “paçë, mirëkuptim e mirëqenje” me shtetin primitiv serb, me njëfarë “Ballkani të hapur” i cili i ngjet  mashtrimit të komunistëve serb e shqiptarë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore për “jetë të bukur” kudo në botën komuniste, në Tiranë, Beograd apo Moskë, e cila i kushtoi Dardanisë me dhjetra-mija viktima. Tashti e ka “zbuluar” formën më të re për të patur sukses në dialog, sëpari duhet që Serbisë t’i falen krimet, pastaj ajo do të kërkoj falje! Deklarata e tij e fundit për kinse bashkim të Shqipërisë me Kosovën ka për qëllim ta mashtrojnë popullin shqiptar dhe ta ndihmojnë qeverisjen e diktatorit Vuçiq në Serbi.

         Bashkimi kombëtarë i cili ishte dhe është dëshirë, ideal dhe amanet i Adem Jasharit dhe patriotëve më të mëdhenj të kombit, nukë bëhet me fjalë boshe. Është nevojë dhe e drejtë legjitime e kombit shqiptar të ndarë padrejtësisht në 6 shtete edhe me fajin e Evropës. Sot shqiptarët nuk kanë nevojë të kërkojnë ndryshim të kufijve me forcë, gjë që nuk përkrahët nga bota demokratike. Bashkimi kombëtar mund dhe duhet të arrihet gradualisht, në mënyrë paqësore, duke hequr barrierat shtetërore, me lëvizje të lirë dhe bashkëpunim në të gjitha nivelet. 

         Deri atëherë, duhet të punojmë më shumë dhe organizohemi më mirë në bashkëpunim me njëri tjetrin, me dy shtete të forta në Ballkan, të drejta të garantuara njerëzore dhe nacionale në të gjitha Trojet tona dhe Mërgatën e fuqishme. 

         Kombi shqiptar është komb i lashtë me traditë dhe vlera të larta njerëzore, i papërkulur dhe i pathyeshëm me të ardhme të ndritur.

-Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe luftarëve të lirisë !

-Gëzuar ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari !

-Gëzuar Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë !

-Zoti e Bekoftë Kombin Shqiptar dhe Amerikan! 

Agim Aliçkaj

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Alickaj

“BALLKANI I HAPUR” ËSHTË I PA PRANUESHËM PA KOSOVËN DHE MALIN E ZI

November 22, 2021 by s p

Nikollë Camaj, Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën politike në Mal të Zi, shqiptarët si faktor politik përcaktues në skenën politike malazeze, sfidat e Komunës së Tuzit me administrim shqiptar, iniciativën “Ballkan i Hapur” pa Kosovën e Malin e Zi dhe takimet me diasporën shqiptare në Amerikë. Me z. Nikollë Camaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol PAJA.

SITUATA E PËRGJITHSHME POLITIKE NË MAL TË ZI

Asnjëherë më e ndërlikuar, dhe me më shumë të panjohura. Me një qeveri “ekspertësh”, e cila nuk gëzon përkrahjen e shumicës që e ka zgjedhë, por e cila nuk merr guximin për ta shkarkuar, edhe pse, gjasat janë se shkarkimi është i pashmangshme. Pastaj parlamenti me retorikën e viteve të 90-ta, nuk premton asgjë të mirë. Një situatë e këtillë nuk mund të mbahet gjatë, por askush nuk e di zgjidhjen. Se a do ketë rekonstruktim të kësaj qeverie, rikuperim forcash politike për një qeveri të re, apo zgjedhje të parakohshme, si epilog i krejt kësaj,  nuk i dihet, por shpresoj të mos pritet gjatë.

SHQIPTARËT SI FAKTOR POLITIK NË MAL TË ZI

Statusi i shqiptarëve edhe tutje mbetet i pazgjedhur. Them edhe se jemi në një pozitë të pa lakmueshme, mes dy blloqeve të papranueshme për të ardhmen e vendit. Në njërën anë pushtetarët klero-fashistë , në anën tjetër opozita e krimit të organizuar,  e që pret përkrahjen tonë për të rrëzuar këtë qeveri, e për të formuar të renë. Në një situatë të re, që shpresojmë se do të ndoll, duhet të prihemi nga interesat tona kombëtare, e assesi nga ajo që është “interes i madh shtetëror” siç ishte rasti më 1997-ta, pastaj në kohën e referendumit për pavarësi të Malit të Zi, apo të integrimit në NATO. 

“BALLKAN I HAPUR” PA MALIN E ZI DHE KOSOVËN, SI ËSHTË PRITUR NË PODGORICË DHE CILI ËSHTË GJYKIMI JUAJ

Podgorica zyrtare nuk e ka mbështetur, ndërkohë që nënkryetari i Qeverisë D. Abazoviq, gjatë një vizite në Tiranë i ka premtuar përkrahje në këtë drejtim, z. Rama. Për mua është një projekt e papranueshëm, derisa të mos zgjidhen raportet Kosovë Serbi. Nuk mund të krijohet një bashkësi e tillë, me dikë që ka pretendime territoriale. Duaje kojshinë, por mos e prish portën, thotë një fjalë e urtë. Sidoqoftë, jam për bisedimet të çdo lloji me fqinjët, por të vendoset vetëm për variante, të leverdishme e të pranueshme për kombin në përgjithësi, e jo të pjesëve të tij.

ÇDO NDODH NË TUZ? SI PO E QEVERISIN SHQIPTARËT KOMUNËN SHQIPTARE

Tuzin po e qeverisin subjektet që u angazhuan, disa prej tyre me dekada, për themelimin e komunës së plotë, dhe kjo ishte jo vetëm e arsyeshme, por është gjëja më e mirë që ka mundur t’i ndodhë Tuzit, në mandatin e parë të administrimit autonom. Kryesisht jemi të orientuar në rregullimin e infrastrukturës,  të lënë mbas dore me dekada, si edhe në mirëmbajtjen e ambientit. Po ashtu, jemi në bisedime edhe me investues,  për hapje të vendeve të reja të punës, e që disa janë në fazën përfundimtare. 

TAKIMET ME DIASPORËN NË AMERIKË

Takimet me diasporën janë gjithherë të veçanta dhe kuptimplote. Përpos takimeve të drejtpërdrejta, ata na hapin shumë dyer të administratës amerikane, aq të nevojshme për ne. Siç dihet, diaspora jonë, përpos ndihmave materiale vendlindjes, që janë të shumta, dha kontribut të madh në jetësimin e idesë për komunë të plotë, si edhe në marrjen e pushtetit nga partitë që po e qeverisin. Nga kjo vizitë, do të veçoja takimet me shoqatat shqiptare ne New York,  Michigan e Californi, si edhe vizitën Federatës panshqiptare Vatra. Një pritje të ngrohtë organizoi edhe majori i qytetit-motër Rochester Hills. Po ashtu, isha edhe në departamentin e Shtetit, për të shkëmbyer informacione mbi statusin tonë. Të gjitha këto dëshmojnë se Malësidashësit përherë i rrinë pranë vendlindjes së vet.

THIRRJE PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA QË TË BASHKOHEN DHE TË KONTRIBUOJNË PËR VENDLINDJEN

Ata nuk kanë nevojë për thirrje; kanë nevojë vetëm për sinqeritetin tonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Nikolle Camaj, Sokol Paja

ESAT PASHË TOPTANI DHE “PRETORIJA” E DURRËSIT

November 21, 2021 by s p

Eugjen Merlika/

Mbas dorëzimit të Shkodrës malazezve figura e Esat Pashës merr një rëndësi të veçantë në jetën politike. Njeri me një formim të pakët kulturor, por me nuhatje politike të fuqishme, pa shumë skrupuj por me një ambicje të pasosur në veprimtarinë politike, me marrëdhënie të ndryshme në qarqet e huaja, Esat Pashë Toptani lakmonte të vihej në krye të Shtetit shqiptar. Në vjeshtën e vitit 1913 ai fillon një sulm të fuqishëm kundër Ismail Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës për të ndryshuar selinë e Qeverisë. Në letrën që Xhemal Belegu i dërgoi  M. Krujës, që mban datën 21 shtator 1913, flitet për një meting të organizuar në Durrës nga përkrahës të Esad Pashës, për të krijuar idenë se populli nuk e do më Qeverinë e Vlorës. Ishte preludi i shpalljes që, tri javë më vonë, Pretorija (Pleqësia) e Durrësit do t’i drejtonte shqiptarëve për t’a kandiduar Esad Pashë Toptanin në krye të një qeverie të Shqipërisë së mesme. Ndërmjet organizuesve të kësaj lëvizjeje politike kishte intelektualë të shquar si Faik Konica e Mitat Frashëri, veprimtarë të hershëm atdhetarë e publiçistë si Dervish Hima apo Menduh Zavalani, njerëz t’afërt t’Esadit si Hamit be Toptani apo Fazil Pasha, aventurierë politikë si Basri beg Dibra et. Motivet e kësaj kundërvënieje ndaj I. Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës janë të shumta e të ndryshme. Mbas më shumë se njëqind vitesh të këtyre ngjarjeve historiografia shqiptare nuk na jep ende një shpjegim të mirëfilltë shkencor të këtij çasti historik. Teksti i Historisë është i mbushur me interpretime “marksiste” të ngjarjeve, të paraqitura në mënyrë të sipërfaqëshme, pa asnjë objektivitet shkencor, duke anashkaluar ngjarje e personazhe që, më vonë, komunizmi do t’u ngjiste etiketën e “tradhëtisë” e të “tradhëtarit”. Vëllimi i tretë i “Historia e popullit shqiptar” as që e përmend fare këtë dokument që dëshmon për atë çarje në politikën shqiptare.

            Shqipëria e 1913-ës ishte një mozaik qendrash, ndikimesh, mendësish, figurash e forcash politike. Në këtë mozaik ishin të natyrshme zilitë e shemëritë që, herë herë, arrinin në kundërshti të fuqishme. Kjo ishte ana njerëzore, vetiake e marrëdhënieve mes pjesëmarrësve  që shpesh kapërthehej e ndikonte edhe veprimet në arenën politike. Gjëndja e jashtzakonshme në të cilën ndodhej Shqipëria me ushtritë e fqinjëve ballkanikë në trojet e saj, me një pozitë shumë të dobët në planin ndërkombëtar, me institucione të vjetra, të trashëguara nga Turqia, me njerëz t’administratës të mendësisë otomane, probleme të theksuara ekonomike e të infrastrukturës, me ndikime e prirje të ndryshme në drejtim të shteteve t’Evropës nuk i jepte askujt “shkopin magjik” të sistemimit të problemeve, që donin kohën e tyre të domosdoshme të viheshin në rrugën e zgjidhjes.

            Më duket me vënd të sjell këtu disa nga argumentat që themeluesit e “Pretorisë së Durrësit” shpalosnin në shpalljen e tyre në gjuhën turke. Shpallja fillon me një pohim të prerë mbi Qeverinë e Vlorës: “Shrregullimin qi ka shkaktue Qeveria e Përkohëshme e Vlorës në vênd , paligjsít dhe paudhsít e saj i din mbarë Evropa…..”[1]Nuk merret vesh se si gjithë Evropa ishte vënë në dijeni të “paudhësive” të Qeverisë që, në më pak se një vit ekzistence, nuk kishte patur kohë të merrej me problemet e panumurta të rëndësishme të Vendit, mbasi çështja e përcaktimit të kufinjve ishte ajo që mbizotëronte n’atë çast politik. Megjithatë autorët e Shpalljes së 13 tetorit 1913, të parët ushtrues të “dialektikës” shtetërore shqiptare, shtrojnë në tryezë arsyet e kundërshtisë së tyre.

            “Në shërbim të sigurimit janë shtí në punë shumë laro e gjaksorë….”

            “Nëpunsit nuk janë zgjedhun prej njerëzve të ndershëm e t’aftë dhe aqë sa ka qênë nevoja, por janë mbajtun në vênd zyrtarët e vjetër të regjimit turk….”    

            “Nji qeverí e përkohshme s’ka të drejtë e kompetencë me dhânë konçesione….”

            “Qeveria e Vlorës po të kishte marrë para sŷsh psikologjinë e popullit shqiptar duhej t’a kishte kuptue se lumnia dhe bashkimi i tij nuk mund të sigurohej veçse me nji princ në krye… Por asnji hap s’ka bâmë deri tash ke Fuqít e Mëdha për zgjedhjen e dërgimin e mbretit. Kjo provon se i pëlqen gjêndja kaotike e soçme qi të mundet kështu me sundue vetë si t’i dojë qejfi….

            Ky popull ka bâmë shumë metingje për me protestue kundra Ismail-Kemal Beut për këto veprime e shpërdorime qi kanë për qëllim me çue në vênd lakmít vetiake e me sigurue interesat e veçanta të tia….”

“Sikur t’ishim përpara nji qeverie të rregullt e të kishim nji parlament, sigurisht njerzit e saj do t’ishin marrë në gjyq dhe vêndet e tyne do t’i kishin zânë ata qi t’i meritojshin për zotsí e aftí….”

            Parsija e intelektualët e Shqipnís së mesme, dmth. të Durrsit, …. të Krús, të Tiranës, të Peqinit e të Mates me rrethet e tyne, qi gjinden ndërmjet ujit të Mates e lumit të Shkumbinit, tue pamë se vetëm me pushkë mund të rrëzohej nji qeveri qi përbuz pa tjetër e pa diftue asnji shkak e arsye dëshirat e kërkesat e popullit, por tue mendue edhe se gjaku qi do të derdhej kishte për të shkaktue nji dasí të përjetëshme e n’anë tjetër tue mos pasun as jetën e vet të sigurtë me këtë qeveri, u mblodhën në Kuvênd dhe simbas traditave t’ona kombtare zgjodhën nji krye e nji pleqsí për me matarue punët e popullit…”[2]

            Është i habitshëm fakti që një dokument i tillë, që përmban një padi kaq të fuqishme kundër së parës qeveri të të parit shtet të pavarur, të mos jetë i pranishëm në tekstet e historisë zyrtare të tetëdhjetë viteve të fundit. I parë sot në hapësirë kohe më shumë se një shekulli, mendoj se është shumë i vyer për të kuptuar ecurinë  e ngjarjeve dhe problemeve të kombit tonë fill mbas Shpalljes së Pavarësisë.

            Ka gjithshka n’atë dokument: shqetësim për mënyrën si u ngjiz shteti i ri, për mungesën e meritokracisë në rradhët e kuadrove themelues, për praktika që quheshin të paligjëshme e zotime për të mos njohur asnjë vendim t’asaj qeverie, për kritika t’ashpra sa i përket strategjisë së përcaktimit të kryetarit të Shtetit, madje padi për përfshirje në strukturat e shtetit të elementëve kriminalë…. Ka kaluar më shumë se një qindvjetor e gjuha e politikës nuk ka ndryshuar aspak, por ka ardhur duke u trashur. Sikur vetëm gjysma e atyre padive t’ishin të vërteta, proçesi historik kundrejt Ismail Qemalit dhe bashkëpuntorëve të tij shpallës së Pavarësisë, do të kishte qënë i pamëshirshëm. Fakti që ai proçes nuk ka gjetur zbatim në historiografinë tonë tregon se shumica e atyre padive nuk kanë patur bazë të vërtetë.

            Por ne sot, që e shohim të shkuarën tonë historike me syzet e nderimit e vlerësimit për një pjesë të mirë të veprimtarëve politikë t’atyre viteve, aq më tepër kur bëhet krahasimi i vetëvetishëm me kolegët e tyre të mbas vitit 1944, ai dokument duhet të na bëjë të përsiasim gjatë e thellë e ndoshta të rishohim në kah objektiv e kritik edhe opinionet tona. Duke mbajtur parasysh emrat e personaliteteve që qëndronin mbas shpalljes së “Pretorisë” e ndihmesën e tyre në jetën politike shqiptare të mëvonëshme, më duket se ka mjaft arsye për t’a parë me një farë mosbesimi të ligjshëm atë ndodhi në të gjithë dritë-hijet e saj.

            Kemi të bëjmë me një ndarje dy pjesësh të klasës politike shqiptare, një dasi që ndodhte mbas më pak se një viti nga krijimi i Shtetit, në një kohë kur ish kryeministri i Sërbisë, Vlladan Djordjeviç, botonte në gjuhën e tij e në gjuhët më të njohura evropiane librin “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, ku mundohej të vërtetonte idenë se “Shqiptarët nuk ishin t’aftë të krijonin e të mbarështonin një shtet të qytetëruar….”, ide që dëmtonte shumë çështjen kombëtare në mjediset politike e intelektuale t’Evropës s’asaj kohe. Nëse do të kishte qënë vetëm Esat Pashë Toptani ideatori e frymëzuesi i atij dokumenti, do t’a kishim quajtur atë si një shprehje të lakmisë për pushtet e të arritjes tek ai nëpërmjet metodave demagogjike e populiste, pa përjashtuar as përdorimin e forcës. Por kur në fushën e tij e n’ujdi me të luanin personalitete intelektuale si Faik Konica e Mithat Frashëri, përpilues të dokumentit, na mbetet një hidhësirë në gojë, sepse përfytyrojmë një Vend e një popull që, në hapin e parë të ecjes së tij të pavarur, fillon të çalojë. Në vend që të gjente tek intelektualët e tij të paktë frymën e bashkëpunimit për interesat e Vendit, qoftë edhe nëpërmjet një dialektike të fortë e kundërshti pikëpamjesh, gjindemi përballë një dasije që nuk i sillte asgjë të mirë atdheut. Ky qëndrim përligjej me një mbledhje të disa përfaqësuesve të një pjese të Shqipërisë, në këtë rast të asaj të mesme, së cilës i bashkohen intelektualë të Jugut të saj e të Kosovës.

            Ftillimet që përdoren, edhe se një pjesë t’arsyeshme, rrëshqasin në demagogji e në një gjuhë që na kujton atë të pasardhësve të tyre mbas tridhjetë vitesh. I parë në këtë këndvështrim, del më i qartë qëndrimi i gabuar i Mufid be Libohovës që, në mungesë të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, mori përsipër të hedhë poshtë propozimin e ardhur nga Tirana, pak muaj më parë. Sigurisht një Kuvend i ri i gjithë krahinave shqiptare do të kishte arritur në përfundime që do të kishin shmangur dasinë e madhe të klasës politike t’asaj kohe.

Shpallja e 13 tetorit 1913, që priret t’i hapë udhën një “principate” të Esad Pashës në Shqipërinë e mesme, duke vënë në pikëpyetje Shtetin e bashkuar, është një dokument që meriton një analizë të mprehtë e pa paragjykime. Pa hyrë në logjikën e vjetër e shterpë t’etiketimit bardh e zi të ngjarjeve e protagonistëve të tyre, studjuesit e sotëm duhet të thellohen në përmbajtjen e këtij dokumenti me objektivitetin e duhur, për të ndarë grurin nga egjra e për të përcaktuar shkencërisht cili ishte thelbi i kundërshtive, cilët ishin motivet e përgjegjësitë.

(Marrë nga vëllimi “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare)


[1] “Mustafa Kruja në historinë shqiptare” OMSCA 1, Tiranë 2012  Faqe 213

[2]Po aty, Faqe 213 – 214

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika

KONGRESI I MANASTIRIT E OKSIDENTALIZOI KULTURËN E SHKRIMIT SHQIP

November 21, 2021 by s p

Nga prof. dr. Skender ASANI/


Duke kujtuar Kongresin e Alfabetit të mbajtur më 14 – 22 nëntor 1908, nervi i reagimit shkencor e kulturor bëhet më i prekshëm ndaj detyrimeve tona shoqërore e institucionale për gjuhën shqipe, si instrument mjaft i rëndësishëm në rrafshin e komunikimit shoqëror.
Kongresi Alfabetit, mbajtur nga 14 – 22 nëntor 1908 në Manastir, e oksidentalizoi kulturën e shkrimit shqip, si një mundësi e favorshme për ta shkëputur rrjedhën e historisë nga anarkia e shkronjave me alfabete të ndryshme në një alfabet unik. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe organeve kombëtare të trevave shqiptare.Kongresi ngriti një komision prej 11 delegatësh ku Gjergj Fishta u zgjodh kryetar komisioni. Në këtë komision ishin anëtarë: Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Buda, Bajo Topulli, Nyz’het Bej Vrioni, Grigor Cilka.Të gjithë këta emra, përpos heterogjentitetit krahinor, përfaqësonin edhe diversitetin fetar, sepse në Kongresin e Manastirit morën pjesë veprimtarë të shquar katolikë, myslimanë, protestantë, ortodoks e bektashinjë.Pra, Kongresi i Manastirit, përpos integrimit të alfabeteve në një të vetëm, në atë latin, promovoi edhe kulturën e bashkëjetesës fetare, një model ky gati unikal tek shqiptarët, i cili u kultivua edhe në kohët e mëvonshme.Për një popull të emancipuar, alfabeti ka një dimension të rëndësishëm në zhvillimin historik e kulturor të tij. Sa i përket shqiptarëve, ky dimension është i dyfishtë, sepse në mënyrë praktike shprehte aspiratën e shqiptarëve për liri kombëtare dhe për frymë properendimore në kulturën shkrimore.Përvetësimi i alfabetit latin dhe standardizimi i tij për nevojat praktike të shkollave, librave, gazetave e revistave, i dha kulturës shqiptare një favor tepër të madh sepse në këtë mënyrë procesi i komunikimit dhe bashkëpunimit me kulturat perendimore ishte më efikas. Ky favor kishte qenë vendimtar për interesimin albanologëve të huaj për gjuhën shqipe, të cilët e patën më lehtë për t’i studiuar shkrimet e shkruar në këtë alfabet.Shikuar nga perspektiva e tanishme, Kongresi i Manastirit mund të na shërbejë si një referencë e dobishme e standardizimit gjuhësor të shqipes, por edhe si një hallkë e fuqishme e lidhjes me kulturat tjera, ku interakcioni linguistik ndihmon në tejkalimin e barrierave komunikuese në mes të popujve.Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve për çdo vit organizon DITËT E ALFABETIT, ku studiuesit e fushave albanologjike japin kontributin e tyre shkencor në ndriçimin e temave e ideve që ndërlidhen me kulturën e shkrimit shqip. Sivjet patëm Gjuhën, letërsisë, kulturën dhe traditën arbëreshëve të Italisë temë qendrore të DITËVE TË ALFABETIT, duke dashur që në këtë mënyrë të senzibilizojmë opinionin publik dhe sidomos institucionet kompetente në ruajtjen e këtij komuniteti nga erozioni i zhdukjes. Komuniteti arbëresh në Itali sot janë dëshmia më e gjallë e një kulture të lashtë e cila u kishte mbijetuar furtunave të asimilimit në saje të ruajtjes së gjuhës së vjetër të Gjergj Kastriotit Skenderbeut nga dhëmbi i asimilimit dhe globalizmit. Njëkohësisht ky komunitet ishte edhe ura lidhëse përmes së cilës idetë kulturore evropiane ndikuan në zhvillimin e Rilindjes sonë kombëtare, dhe u formësuan në Kongresin e Alfabetit në Manastir. Prandaj edhe Instituti ynë si ditëlindje të vet ka pikërisht 22 Nëntorin, një simbolikë kjo që integron në vetvete përveç historinë e kulturës gjuhësore edhe idetë e Rilindjes sonë për një diversitet kulturor e gjuhësor me popujt tjerë, aspiratë kjo që është materializuar në funksionimin e disa Departamenteve tona ku bashkëjetesa fetare dhe kulturore është motoja e punës sonë shkencore e hulumtuese. Një konfirmim praktik i këtij angazhimi janë edhe inkurajimet që na vinë nga institucionet ndërkombëtare, ku ITSHKSH targetohet si një qendër e mirëfilltë e kultivimit të tolerancës dhe mirëkuptimit në një shoqëri me diversitet etnik, fetar e gjuhësor.Duke kujtuar Kongresin e Alfabetit të mbajtur më 14 – 22 nëntor 1908, nervi i reagimit shkencor e kulturor bëhet më i prekshëm ndaj detyrimeve tona shoqërore e institucionale për gjuhën shqipe, si instrument mjaft i rëndësishëm në rrafshin e komunikimit shoqëror.Uroj që në vitet në vijim kultura e gjuhës dhe e komunikimit në mes të njerëzve të zgjerojnë dioptrinë e vrojtimit në ato pika ku e përbashkëta shkrihet në shtratin kohor të së ardhmes. (Fjalë rasti në manifestimin qendror për shënimin 22 nëntorit – përmbylljes së Ditëve të Alfabetit në ITSHKSH)

Filed Under: Politike Tagged With: Prof.dr. Skender ASANI

KRYETARI I VATRËS KËRKON TAKIM MES LIDERSHIPIT SHQIPTARO-AMERIKAN DHE PRESIDENTIT BIDEN

November 21, 2021 by s p

Dielli/

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra z.Elmi Berisha i ka kërkuar kongresistes demokrate Carolyn B. Meloney që të mundësohet një takim mes lidershipit shqiptaro-amerikan dhe presidentit amerikan Joe Biden takime dhe bisedime të udhëhequra nga Vatra për çështjet të cilat shqetësojnë komunitetin shqiptar në Kosovë, trojet shqipfolëse dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës si SHBA-të dhe Perëndimin. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve për të mbështetur rikandidimin e kongresistes demokrate Carolyn B. Meloney. Në fjalën e saj përshëndetëse Carolyn Maloney falenderoi organizatorët dhe u ndal në rëndësinë e aprovimit të paketës 1 trilon dollarë të Infrastrukturës nga Kongresi Amerikan. Kryetari i Vatrës z.Berisha diskutoi rreth situates në Kosovë duke deklaruar se: “Bisedimet Kosovë-Serbi duhet të bëhen nën udhëheqjen dhe përkujdesjen absolute të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Situata për shqiptarët në Ballkan është shqetësuese. Zhvillimet në aspektin e sigurisë në veri të Mitrovicës dhe përplasjet për kufirin mes Serbisë dhe Kosovës, janë moment të vështira për shtetin e Kosovës dhe sigurinë kombëtare të shtetit. Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe rrezik në rritje për shqiptarët prezenca e Beogradit, ushtrisë serbe dhe ndikimi e intervenimi rus në raportet dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Ne kërkojmë me çdo kusht që Serbia të marrë dënimin dhe ndëshkimin e merituar për genocidin dhe krimet e kryera në Kosovë” tha ndër të tjera kryetari i Vatrës z.Berisha. Darka e patriotëve shqiptaro-amerikanë në mbështetje të kongresistes Carolyn Maloney u mbajt në restorantin “Allora”, të patriotit shqiptar Halil Ahmetaj në Manhattan nën organizimin e z.Vehbi Bajrami. Carolyn Maloney është anëtare e Kongresit që prej vitit 1993 dhe është kryetare e Komitetit të Mbikqyrjes dhe Reformës në Dhomën e Përfaqësuesve, Komitet që heton shkeljet, korrupsionin, dhe abuzimet e zyrtarëve më të lartë amerikanë në të gjitha institucionet më të larta të shtetit Amerikan.

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2730
  • 2731
  • 2732
  • 2733
  • 2734
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT