• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

COVID-19: Prania e Pandemisë për të Pavaksinuarit Vazhdon

September 22, 2021 by s p

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik *

Vera e vitit 2021, të paktën për ne këtu në Shtetet e Bashkuara (SHBA) filloi me një premtim të mirë. Në Ditën e Përkujtimit (Memorial Day), fillimi tradicional i verës, me miliona njerëz të vaksinuar, shumë prej nesh menduan se më e keqja e Covid mund të ketë përfunduar. Disa muaj më vonë, atij optimizmi i është dhënë një ton i zymtë dhe i pasigurt, ndërsa vera e nxehtë kthehet në vjeshtë me Ditën e Punës (Labor Day-që është dhe fundi jozyrtar i verës në SHBA). Pas një fillimi entuziast të iniciativës së vaksinimit dhe disa muaj më vonë, shtytja për vaksinimet u ngadalësua me një mur rezistence. Shtojini kësaj, vera shënoi gjithashtu ardhjen e një varianti më ngjitës, atij Delta. E gjithë ajo përfolje e hershme e verës për “daljen” nga pandemia u shndërrua përsëri në pyetje dhe skepticizëm: Kur do të arrijmë një pikë kthese në luftimin e Covid 19? Kur dhe si do të kthehemi më në fund në diçka afër “normales” përsëri? Edhe pse me dhjetëra miliona amerikanë të vaksinuar, rihapjen e shkollave dhe një ekonomi të rimëkëmbur, pandemia Covid-19 më shumë sa vazhdon, veçanërisht në mesin e të pavaksinuarve, këtu në SHBA por dhe globalisht.

Si do të duken muajt e ardhshëm:

Siç kemi parë në të kaluarën e afërt, muajt e ardhshëm do të na çojnë nëpër kodra dhe lugina, veçanërisht nëse vazhdojmë të mos kemi më shumë njerëz të vaksinuar. Por sfida do të mbetet në madhësi dhe formë, sa të mëdha dhe të largëta nga njëra – tjetra do të jenë këto kodra dhe lugina. Më shumë vaksina do të ndihmojnë që kodrat të jenë të menaxhueshme. Risia e këtij koronavirusi është si një zjarr pyjor që nuk do të ndalet derisa të gjejë të gjithë drurin njerëzor që mund të djegë. Eshtë gjithashtu e mundur që SARS-CoV-2 të mos ndjekë rrugën e përcaktuar nga pandemitë e së kaluarës. Në fund të fundit, është një patogjen i ndryshëm, i ri dhe në dukje më i transmetueshëm. Dhe me një numër të vdekur prej më shumë se 4.7 milion njerëz deri më tani, kjo pandemi është tashmë më shumë se dy herë më vdekjeprurëse se çdo shpërthim që nga Gripi Spanjoll i vitit 1918. Pavarësisht valëve fillestare të rënda dhe niveleve relativisht të larta të vaksinimit, në shumë vende, përfshirë numrin e infeksioneve të reja në SHBA, kanë qenë në rritje. Imunizimi po ndihmon në zbutjen e rasteve të rënda dhe vdekjeve, por rritja e infeksioneve të reja do të thotë që virusi po arrin tek të rinjtë dhe të tjerët që mbeten të pavaksinuar, duke çuar në rritjen e niveleve të sëmundjeve serioze në ato grupe. Ajo që duket e qartë është se pandemia nuk do të përfundojë në gjashtë mujorin e ardhshëm. Përhapja aktuale mund të zbutet vetëm pasi shumica e njerëzve, ndoshta 85% deri 90% e popullsisë globale, të kenë një shkallë imuniteti, përmes vaksinimit ose infeksionit të mëparshëm. Disa epidemiologë tani presin që koronavirusi të jetë endemik, që do të thotë se mund të jetë këtu për të qëndruar në cikle si gripi i zakonshëm. Por edhe nëse virusi vazhdon, kjo nuk do të thotë që ne do të jemi te izoluar në një pandemi të përjetshme. 

Vaksinat dhe imuniteti:

Vaksinat nuk sigurojnë një imunitet të përsosur – një imunitet “sterilizues.” Imuniteti sterilizues, do të thotë që sistemi ynë imunitar mund të ndalojë që një patogjen, përfshirë viruset, të mos replikohet brenda trupit tuaj. Kjo zakonisht ndodh kur qelizat imune në trup lidhen me patogjenin në vende që e pengojnë atë të jetë në gjendje të hyjë në një qelizë ku mund të fillojë të bëjë kopje të vetes. Disa nga këto qeliza imune mund të prodhojnë antitrupa sterilizues, të cilët janë proteina që njohin proteina dhe struktura specifike në sipërfaqet e patogjenëve. Për të arritur imunitetin sterilizues, trupi ynë duhet të prodhojë mjaft antitrupa neutralizues dhe duhet të jetë në gjendje ta bëjë këtë në një afat të gjatë. Në mënyrë ideale, ajo çon në imunitet të përjetshëm. Shumica e vaksinave prodhojnë një përgjigje imune që nuk është sterilizuese, dhe as nuk kanë nevojë që ato të jenë efektive në parandalimin e sëmundjeve. Shumë vaksina kanë për qëllim kryesisht parandalimin e sëmundjeve dhe jo domosdoshmërisht mbrojnë kundër infeksionit (testimit pzitivë ndaj Covid-19). Për shumicën e historisë së vaksinimit, njerëzit janë udhëzuar duke ndaluar sëmundjen, dhe kjo ka qenë e mjaftueshme.b Për shembul, vaksina shumë e suksesshme e lisë nuk ishte sterilizuese; megjithatë ajo ende na ndihmoi të çrrënjosim patogjenin që shkaktonte sëmundjen e lisë. Edhe fruthi, një virus që është shumë më ngjitës sesa SARS-CoV-2, mund të ofrojë një shembull optimist. Disa njerëz përfundojnë duke u infektuar pas vaksinimit. Por vaksina, në dekadat që nga premiera e saj, ka shtyrë kryesisht fruthin në çrrënjosje në SHBA, përveç shpërthimeve te lokalizuara të viteve të fundit të lidhura kryesisht me normat e ulëta të imunizimit. Dhe disa njerëz të imunizuar që sëmuren kanë tendencë të marrin atë që quhet ‘fruthi i modifikuar’, i cili është një version shumë më i butë i sëmundjes. Vaksina kundër fruthit nuk është perfekte. Pra, as vaksinat Covid, nuk ka vaksina perfekte. Por kjo nuk i bën ato të padobishme. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Edhe me gjithë publicitetin negativ ndaj vaksinave dhe mbrojtjes që ato ofrojnë nga ‟shkencëtarët” që fshihen në platforma të ndryshme si media sociale etj., vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar një sëmundje. Me siguri dhe deri tani, shumë më mirë të ekspozohesh ndaj virusit pas, sesa para vaksinës. E vërteta është në shifra: më shumë se 95% e të gjitha shtrimeve në spital dhe vdekjeve nga Covid gjatë kësaj vale të fundit në SHBA kanë qenë në mesin e popullatës së pavaksinuar.

Imuniteti sterilizues ose funksional:

Ne e dimë se arritja e një imuniteti sterilizues është pothuajse e pamundur, në fakt sistemet tona imune nuk mund të trajnohen për të arritur përsosmërinë. Pra kjo nuk është as surprizë as mangësi e vaksinave Covid-19 apo dhe vaksinave të tjera. Më tepër, kete vaksina që mbrojnë jashtëzakonisht mirë kundër sëmundjeve, mund të përfundojnë këtë pandemi. Jeta me siguri do të ishte më e lehtë nëse vaksinat do të ofronin mure të blinduara të pathyeshme, që patogjenet thjesht nuk do t’i penetronin. Por vaksinat nuk e bëjnë këtë. Supozimi ose pritja që vaksinat ta bëjnë këtë, mund të jetë e rrezikshme. Pra, në vend të një imuniteti sterilizues, më e mira që mund të bëjmë është të përpiqemi për një imunitet funksional, sikurse është një rrip sigurie në makinën tuaj, që nuk parandalon përplasjet, por mund të shpëtojë jetën tuaj. 

Për t’iu përgjigjur pyetjes së shtruar në fillim të këtij artikulli, pandemia do të përfundojë në kohë të ndryshme në vende të ndryshme të botës, ashtu siç kanë përfunduar shpërthimet e mëparshme. Qeveritë lokale dhe globale, do të duhet të vendosin se me sa sëmundje janë të rehatshme të jetojnë. Ka qasje se ne do të duhet të gjejmë një mënyrë për të bashkëjetuar me të, me aq siguri sa të mundemi. Pra, mbajtja e virusit larg, do të kërkojë gjithashtu përqendrim të më shumë vëmendjes në përmirësimin dhe zgjerimin e qasjes në trajtime, veçanërisht ilaçet që mund të merren me gojë jashtë spitalit ose qendrës së infuzionit. Deri atëherë, shumë prej nesh, veçanërisht dhe në veçanti të pavaksinuarve, do të na duhet të vazhdojnë të mbërthehen për shumë muaj në kodrat dhe luginat e prangave të kësaj pandemie.

  * Nënkryetar i Federatës Pan -Shqiptare të Amerikës – VATRA.

Filed Under: Analiza Tagged With: COVID -19, Pashko camaj

Të veçanta rreth personalitetit të Skënderbeut

September 22, 2021 by s p

Nga Anton Çefa

Duke përsiatur herë mbas here, si çdo shqiptar, rreth jetës e bëmave të  Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, këtij personaliteti madhor, më madhori e më i shquari i kombit tonë, më kanë bërë përshtypje disa gjëra.

Edhe në veshje e në paraqitjen e jashtme njeriu shfaq botën e tij të brendshme. Në përkrenaren e Skënderbeut qenë gdhendur koka dhe brirët e dhisë: një dëshmi e shkëlqyeshme që Ai është bir trojesh të lashta mitologjike e pagane, dhe është krenar për këtë. Në mitologjinë tonë iliro-shqiptare, dhija është simboli i orëve dhe zanave – hyjneshave të çuditshme që jetonin në tokë, por që kishin në vetvete cilësi e atribute tejtokësore, që jetonin me shqiptarët dhe ndikonin në fatet e tyre, i ndihmonin a edhe i ndëshkonin ashtu si perëndeshat olimpike. Ato shitonin a edhe dënonin me vdekje, me një vdekje sa të çuditshme aq të lavdishme: duke i përjetësuar në gur. 

Ato i ndihmuan kreshnikët legjendarë të eposit tonë, Mujin e Halilin, në luftën për mbrojtjen e vendit prej armikut shkja. Ato do ta ndihmonin Heroin tonë, që kishte dalë nga legjenda dhe ishte futur në histori, në atë më të lavdishmen histori të kombit tonë.

Duhet vënë në dukje, gjithashtu, që si Aleksandri i Maqedonisë ashtu edhe Pirrua i Epirit kishin në përkrenaret e tyre brirët e dhisë. Fryt i një mendësie mitologjike ilire a i një nënshtrese më të hershme pellazge. Dhe Skënderbeu edhe pse ishte Mbreti i Arbërit, e quante veten “Mbreti i Epirotasve dhe i Maqedonasve”, sado që ky emërtim nuk përputhej plotësisht me realitetin e kohës. Bile, në një letër që i dërgoi Princit të Tarantit, më 31. X. 1460, siç na e jep Noli, Skënderbeu shkruan: “Në mos gënjefshin kronikat tona, ne quhemi epirotë”. 

Ai shpalosi një Flamur, po aq të çuditshëm sa edhe përkrenarja e tij. Një flamur ku ishte fytyruar një shqiponjë me dy krerë; sikur të donte përsëri të dëshmonte se i përket një humusi pjellor mitologjik e pagan. Dhe sado që Europa e mikloi dhe Vatikani e ledhatoi duke i vënë epitetet më përlavduese të kohës, si “Atlet i Krishtit” ose “Mbrojtës i Krishtërimit dhe i qytetërimit përendimor”, etj., etj. ,  ai nuk i vuri flamurit një kryq, siç do t’i përshtatej besimit, mendësisë dhe sidomos qëllimeve të Europës, dhe siç e kishin në atë kohë shumë mbretërira e principata europiane. Një qëndrim tjetër këmbëngulës dhe i përkushtuar ndaj identitetit tonë etnik.

Ai e ruajti, e shpalli dhe na e la trashëgim këtë flamur me mbretin e shpendërisë, shqiponjën me dy krerë që vështrojnë drejt dy orientimeve të kundërta: Lindjes dhe Perëndimit. A kuptimësonte kjo një totem, një trill thjesht pagan, një kult, apor qe pjellë e një ndërgjegjeje tejet të trazuar, që parandjen dyzimin e fatit, që e ndoqi dhe e ndjek historinë e kombit tonë, një dyzim i shtrirë mes dy kontinenteve, mes dy botëve, mes dy qytetërimeve, mes dy kishave, mes dy besimeve. Gjithsesi, koha e fataliteteve ka perënduar, apo nuk ka qenë asnjëherë; por identiteti i një populli është një, dhe duhet ruajtur dhe dëshmuar në simbolet kombëtare dhe në çdo rrafsh të kulturës lëndore e sidomos asaj shpirtërore. 

Shumë studiues e kanë lidhur shqiponjën e Skënderbeut me shqiponjën e Zeusit të Dodonës së Epirit, për të cilën bëhet fjalë në veprat homerike, etj.; gjë që na çon rishtas në një nënshtresë kulture ilire a edhe pellazge.

Sido të jetë, ne shqiptarët e pëlqejmë dhe na ledhatohet sedra ta quajmë veten  “bijt e shqipes”, ndoshta edhe për faktin e thjeshtë që shqipja është një shpend i lirë i maleve tona, një shpend që nuk mund ta robërojë kush. 

Edhe në emrin e vet, Heroi ynë ka një diçka të veçantë. Ai iu paraqit botës me dy emra: me emrin Gjergj, të familjes, – siç duket në emër të Shen Gjergjit, pajtorit të drejtësisë, forcës dhe mposhtjes e ndëshkimit të së keqes, apo në emrin e një prej heronjve më heroikë të folklorit tonë, Gjerg Elez Alisë, – dhe me emrin e të huajit, Skënderbe, një emër i përngjitur nga Iskander, në emër të Aleksandrit të Maqedonisë, emër që ia vuri Sulltan Mehmeti II, dhe nga titulli Be-beu a Beg- Begu, siç e ka shkruar Ai vetë, titull që shënonte sundimtarin e një krahine, dhe që, edhe pse nuk ishte ndonjë titull ushtarak edhe aq i lartë në sistemin e titujve ushtarakë osmanë, ai e ruajti dhe me këtë emër të dyzuar u fut në histori për ta njohur dhe vlerësuar gjithë bota si një nga strategët më të shquar të të gjitha kohëve.

Mos qe edhe kjo refleks i asaj parandjenje të dyzimit që çekëm më lart, që i diktoi nevojën të porosiste popullin e vet që, edhe pse, në një masë të madhe do të kalonte në besimin islam, gjithsesi të ruante me një përkushtim të veçantë, pothuajse fanatik, gjithçka shqiptare që përbën shpirtin e tij?  Ashtu siç ngjau në të vërtetë. Megjithëse kaluan një provë jashtëzakonisht të rëndë, shqiptarët ruajtën gjuhën, zakonet, konstruktin e vet shpirtëror, krijuan historinë dhe kulturën e vet kombëtare, duke zgjidhur pa mëdyshje dihotominë e vet në drejtimin perëndimor.

Lidhur me emrin do të theksoj edhe këtë:  në letërkëmbim dhe në dokumentet zyrtare, Heroi ynë ka përdorur formën gjuhësore gege, Skander Beg, Skanderbeg. Këtë formë e ruajti Barleti në veprën e tij “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principes”, botuar në Romë në v. 1508-1510. Në portretin më të vjetër të tijin, që është cilësuar sipas Nolit dhe studiuesve tjerë si më autentiku, dhe që ruhet në Galleria degli Uffizi në Firence, shkruhet me shkronja të mëdha GORGIVS SCANDER BEK; Po ashtu, Dhimiter Frangu, në titullin e veprës së vet botuar në Venecie në v. 1541 shkruan: “Comentatorio dele cose de Turchi et del Georgiu Scanderbeg, Principe de Epyro.” Në këtë formë, emri i Heroit është ruajtur në morinë e madhe të veprave, portreteve, medalioneve, etj., që janë botuar më vonë. Atëherë, me ç’të drejtë ne nuk e ruajmë emrin e Heroit tonë, ashtu siç është në origjinal, po e deformojmë nga Skanderbeg në Skënderbeg, duke zëvendësuar atë tingull plot dritë  të “a-së” me një “ë”, që gjallon gjitnjë e hijesuar ? Është kjo një nga paradokset që ne shqiptarëve nuk na mungojnë, por i ruajmë me fanatizëm dhe kokëfortësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Skenderbeu

ISI (SHËRBIMI SEKRET USHTARAK PAKISTANEZ) DHE LIDHJET E TIJ ME AL-QAEDËN DHE TALEBANËT

September 22, 2021 by s p

*Dritan Demiraj, Ph.D.

*Ish ministër i Brendshëm i RSH, autor i librave: “Al-Qaeda Tri Dekada Terror” (2020), “10 Komandat Strategjike të Al-Qaedës në Botë”, “Al-Qaeda në Afganistan-Pakistan” (2021), “Forcat Speciale dhe Lufta Asimetrike” (2021), “Afganistani-Një Paqe e Vështirë” (2014), “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik” (2017), “Nëpër Labirintet e Shtetit Islamik” (2015), “Al-Qaeda në Siri” (2019) dhe “Al-Qaeda në Irak” (2019).  

Shërbimi Sekret i Pakistanit, i njohur me shkurtesën ISI (Inter-Services Intelligence) llogaritet të jetë një nga shërbimet sekrete më të fuqishme dhe më të rrezikshme në botë së bashku me CIA-n amerikane, Mossad-in izraelit dhe GID-në Jordaneze. Ky shërbim u bë i njohur në skenën ndërkombëtare në vitet tetëdhjetë, kur dha mbështetje për muxhahedinët afganë kundër Bashkimit Sovjetik gjatë luftës në Afganistan.

Gjatë kësaj lufte, shërbimi sekret ISI ka bashkëpunuar ngushtë me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-ve CIA, për të trajnuar dhe financuar muxhahedinët me fondet amerikane, pakistaneze dhe saudite. Asnjë agjent i shërbimit serkret të Pakistanit nuk është kapur gjatë atij konflikti.

ISI siç do ta spjegojmë në këtë shkrim, ISI ka dhënë mbështetje strategjike, financiare, logjistike dhe shërbime të inteligjencës për Talebanët Afganë kundër të ashtuquajturës Aleanca Veriore Afgane në luftën civile të viteve 1990-1995, porn ë mënyrë të veçantë Byroja e tij Afgane, e cila është përgjegjëse për gjithë aktivitetet e armatosura në Afganistan është përgjegjëse për situatën e krijuar në këtë vend. Agjentët e saj planizuar, planifikuan dhe ekkzekutuan me sukses Operacionin Ushtarak “Anakonda” për marrjen e kontrollit të Afganistanit dhe rrëzimin nga pushteti të presidentit Ashraf Ghani.

Shërbimi sekret ISI, përbëhet nga dhjetë departamente. Secili departament ka detyra specifike për grumbullimin e të dhënave të inteligjencës. Një nga këto departamente i quajtur “Drejtoria SS” merret vetëm me vëzhgimin e aktiviteteve të grupeve terroriste që veprojnë kundër shtetit të Pakistanit.

Për më shumë se 30 vite, agjensia e spiunazhit pakistanez ISI dhe agjensia e inteligjencës amerikane CIA kanë patur marëdhënie të mira bashkëpunimi, por kohwt e fundit kanw përplasje shumë të forta me njëra tjetrën. Gjatë viteve 1980, SHBA-të i dhanë disa dhjetëra miliardë dollarë ISI-it për të organizuar luftën kundër Sovjetikëve, por ISI jo të gjitha paratë i përdori për të ndihmuar Afganët kundër Sovjetikëve. Duke shfrytëzuar këto para të dhëna pa hezitim nga SHBA-të, Arabia Saudite dhe nga e gjithë bota arabe, duke shfrytëzuar me sukses dhe përfshirjen e tyre në tregtinë rajonale në rritje të trafikut të drogës (heroinës) ISI u bë një organizatë shumë e fuqishme, duke qënë në gjendje që të vetëfinanconte operacionet e saj në mbarë globin. Pas pak vitesh, kjo organizatë në të gjithë botën do të konsiderohej si “shtet brënda shtetit”, duke patur fuqi dhe pavarësi më shumë se asnjë agjensi inteligjence tjetër në botë.

Është i njohur fakti se Talebanët Afganë u krijuan nga ISI, të cilët me ndihmën e tyre pushtuan Afganistanin. Gjatë viteve të qëndrimit në Afganistan, bin Ladeni në mënyrë të vazhdueshme takohej me zyrtarët më të lartë të ISI-it në tendat e tij në shkretëtirat e Kandaharit. Gjatë këtyre takimeve, ata kalonin tek bin Ladeni të gjitha informacionet e inteligjencës ushtarake amerikane dhe planet për të sulmuar bin Laden-in, duke i mundësuar atij që t’i shmangej sulmeve amerikane për ta arrestuar ose vrarë në më shumë se një rast. Megjithëse nuk është evidentuar në libra, nuk e kuptoj pse nuk është theksuar se ka shumë prova të cilat sygjerojnë përfshirjen aktive të disa drejtuesve të saj të lartë në mbështetjen për realizimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër SHBA-ve. Një nga personat kryesorë për të kuptuar lidhjen midis ISI-it, al-Qaedës dhe sulmeve të 11 shtatorit 2001 është Saeed Sheikh.

Direkt pas sulmeve të 11 shtatorit, Saeed Sheikhu u deklarua se ishte një nga financierët kryesorë të sulmeve të 11 shtatorit 2001. Pas pak ditëve, u publikua lidhja midis tij dhe gjeneral leitnant Mahmood-it dhe menjëherë raportimet rreth Saeed Sheikut dhe lidhjes së tij me sulmet e 11 shtatorit ndaluan. Në fillim të vitit 2002, Saeed Sheiku u arrestua në Pakistan me akuzën e përfshirjes në vrasjen e reporterit amerikan Daniel Pearl. Kjo vrasje tregonte lidhjen midis ISI-it, al-Qaedës, Saeed Sheikh-ut dhe mjeshtrit të këtyre sulmeve Khalid Sheikh Mohammed-it. Por vetëm shumë pak gazeta e identifikuan Saeed Sheikh-un si agjent të ISI-it dhe të al-Qaedës. Marrja në pyetje e Saeed Sheikh-ut të çonte drejtëpërdrejtë tek drejtori i ISI-it të asaj kohe gjeneral leitnant Mahmood Ahmedi.

Ka shumë fakte të cilat vërtetojnë se gjeneralleitnant Mahmood Ahmedi nëpërmjet Saeed Sheikut ka mbështetur me fonde rrëmbyesin e avionit që goditi kullën në New York, egjiptianin Mohamed Atta. Gjatë disa intervistave dhe emisioneve investigative pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA, kanë dalë fakte të lidhjes së gjeneralit Mahmood Ahmed me al-Qaedën dhe Talebanët afganw. Duhet theksuar se Pakistani pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ishte shumë i trembur për një pushtim nga SHBA-të, kështu që ishte i detyruar që të bashkëpunonte me ta. Ata ishin të pafuqishëm që të provokonin administratën Bush pa i ofruar të gjithw bashkëpunimin e mundshwm. Kërkesa e parë e amerikanëve ishte largimi nga detyra e gjeneral leitnantit Mahmood Ahmed. 

Në fillim të vitit 2004, amerikanët mësuan se babai i bombës atomike të Pakistanit Dr. Abdul Khani kishte qënë pjesëmarrës në disa “tregti” të paligjshme sa i përket programit dhe teknologjisë së armëve nukleare duke ndarë sekrete me shtete si Korea e Veriut, Irani dhe Libia. Presidenti në atë kohë i Pakistanit, gjenerali Pervez Musharaf ishte i përfshirë në këtë tregti, tregti e cila vazhdoi deri në vitin 2002. Gjatë marrjes në pyetje, Dr. Khani i pranoi këto akuza dhe kërkoi falje. Në këtë kontekst, ai dhe dhjetë inxhinierë të tjerë atomikë të Pakistanit janë dyshuar se kishin asistuar al-Qaedën në zhvillimin e armëve të dëmtimit në masë (WMD). Për këtë arsye, disa herë SHBA-të anulluan ndihmën disa miliardë dollarësh për Pakistanin. Por duhet theksuar se për shkak të poseidimit të armëve nukleare, asnjë shtet nuk tenton që të fillojë një konflikt ushtarak me Pakistanin.

Në vitet 1982-1991, prodhimi i drogës së Afganistanit u rrit nga 250 tonë në vitin 1982 në mbi 2000 tonë në vitin 1991. Sipas drejtorit të CIA-s George Tenet, “Në atë kohë, këtë fenomen ne e zbuluam më vonë…”.

Osama bin Ladeni për herë të parë zhvendoset në qytetin e Peshawarit, një qytet që ndodhej në kufi me Afganistanin dhe filloi të drejtojë organizatën e muxhahedinëve, e cila në atë kohë njihej si Maktab al-Khidamar (MAK), e cila furnizonte me armë, para, luftëtarë të huaj, pajisje mjekësore, etj nga jashtë rajonit në Pakistan dhe më pas i fuste nëpërmjet kufirit në konfliktin kundër Sovjetikëve në Afganistan. MAK-u mbështetej nga shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës së Pakistanit, Byroja Afgane e ISI-it partner kryesor i CIA-s për kryerjen e operacioneve klandestine kundër pushtimit të Sovjetikëve.

Në atë kohë, bin Ladeni ishte i lidhur ngushtë me Gulbudin Hekmatyar-in, duke forcuar fuqishëm operacionet e tij të drogës. Gulbudin Hekmatyari, i cili kishte lidhje me bin Laden-in dhe CIA-n për shkak të bashkëpunimit të fuqishëm me ISI-in konsiderohej si “prodhuesi dhe magazinuesi” i saj. Pas vitit 1985, ISI-i aktivizoi disa celula aktive të agjentëve të saj, të cilët filluan të përfitojnë nga tregtia e heroinës, një pjesë të parave të së cilës e përdornin për operacione të fshehta. Këto celula promovonin kultivimin e opiumit dhe trafikimin e saj nga territori i Pakistanit dhe Afganistanit nën kontrollin e muxhahedinëve. Më pas heroina trafikohej në zonat ku vepronin Sovjetikët, me qëllim që trupat Sovjetike të fillonin përdorimin e saj dhe të ishin të varura nga droga.

Pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani në vitin 1988, celulat e heroinës së ISI-it filluan të përdornin rrjetin e rafinerive dhe trafikantët me qëllim trafikimin e heroinës në perëndim, duke i përdorur këto para për të mbështetur ekonominë e tyre. Si rezultat, ISI u fuqizua aq shumë ekonomikisht sa asnjë agjensi tjetër në planet. Për këtë arsye, shumë shtete dhe agjensi e konsiderojnë atë si “qeveria e padukshme e Pakistanit”. Sipas autorit Gerald Posner ish zyrtar i CIA-s, gjeneral leitnanti Akhtar Abdul Rahman Khani, ish drejtor i ISI-it nga viti 1979-1987 takohej rregullisht me bin Ladenin në Peshawar. ISI dhe bin Ladeni gjatë kësaj kohe krijuan një partnership me qëllim që forcat e drejtuesve të fiseve afgane duhet të paguanin një taksë për tregtinë e opiumit. Në vitin 1985, bin Ladeni dhe ISI-i ndanin një përfitim të paktën 100 milionë dollarë në vit.

Shërbimi Sekret i Pakistanit, i njohur me shkurtesën ISI (Inter-Services Intelligence) llogaritet si një nga shërbimet sekrete më të fuqishme në botë së bashku me CIA-n, MI6, Mossad-in dhe GID-në Jordaneze. Ai është krijuar me asistencën e Britanisë së Madhe në vitin 1948. Ky shërbim u bë i njohur në skenën ndërkombëtare në vitet tetëdhjetë, në kohën kur mbështeti muxhahedinët afganë kundër Bashkimit Sovjetik gjatë luftës në Afganistan (1979-1989) nëpërmjet Byrosë së tij Afgane dhe drejtuesve të saj të famshëm gjeneral brigade Mohammad Yousaf dhe gjeneral leitnant Akhtar Abdul Rehman Khani.

Gjatë kësaj lufte, shërbimi sekret ISI ka bashkëpunuar ngushtë me Agjencinë Qëndrore të Inteligjencës së SHBA-ve për të trajnuar dhe financuar muxhahedinët me fondet amerikane, pakistaneze dhe saudite. Asnjë agjent i shërbimit sekret të Pakistanit nuk është kapur gjatë këtij konflikti.

Siç do ta spjegojmë në këtë analizë, ISI ka dhënë mbështetje strategjike, financiare, logjistike, stërvitje dhe shërbime të inteligjencës për Talebanët Afganë kundër të ashtuquajturës Aleanca Veriore Afgane në luftën civile të viteve 1990-1995, por në mënyrë të veçantë Byroja Afgane është përgjegjëse për gjithë aktivitetet e armatosura në territorin e Afganistanit dhe për situatën e krijuar në këtë vend. Agjentët e saj planizuan, organizuan dhe ekzekutuan me sukses Operacionin Ushtarak “Anakonda” për marrjen e kontrollit të Afganistanit dhe rrëzimin nga pushteti të presidentit Ashraf Ghani në muajin gusht 2021.

Shërbimi sekret ISI drejtohet nga gjeneral leitnant Hameed Faiz, i cili përgjigjet vetëm tek Shefi i Shtabit të Pakistanit gjeneral Qamar Javed Bajwa dhe kryeministi Imrad Khan. ISI-i përbëhet nga dhjetë departamente.

  1. Departamenti Inteligjencës së Përbashkët X (JIX).

Ky departament shërben si sekretariat për të koordinuar dhe mundësuar shërbime administrative mbështetëse për degët e tjera të ISI-it dhe organizatat e tyre në terren. Ai përgatit të dhënat e inteligjencës dhe kërcënimet strategjike të Pakistanit. Ai drejtohet nga një gjeneral major dhe pesë zv/drejtorë gjeneral brigade, përgjegjës për administrimin, buxhetimin, llogaritë bankare, transportin dhe operacionet klandestine.

  1. Byroja e Përbashkët e Inteligjencës (JIB).

Kjo byro është struktura më e madhe e ISI-it, e cila përmban rreth 60 për qind të stafit të përgjithshëm të ISI-it. Kjo byro drejtohet nga një gjeneral major dhe pesë zv/drejtorë me gradë gjeneral brigade, përgjegjës për studentët, partitë politike, anti-terrorizmin, ministritë dhe shoqërimin e VIP-ave. Në shtesë të tij gjenden tre seksione të rëndësishme, të cilat kanë përgjegjësi për zhvillimet politike dhe ekonomike nëpër botë. Kjo byro kontrollon aktivitetin e atasheve ushtarakë dhe përfaqësuesve të saj jashtë vendit.

  1. Seksioni 1: Është përgjegjës për Indinë dhe Lindjen e Largme.
  2. Seksioni 2: Është përgjegjës për vendet ose ish vendet komuniste.
  3. Seksioni 3: Është përgjegjës për Azinë e Largët dhe Afrikën.  

Pjesë e kësaj byroje është edhe Dega Speciale (SW) ose Byroja Afgane, e cila merret ekskluzivisht me Afganistanin dhe drejtohet nga një gjeneral brigade. Ajo ka tre n/drejtorë me gradën kolonel të cilët janë përgjegjës për:

  1. Operacionet ushtarake dhe stërvitjen.
  2. Mbështetjen logjistike, shpërndarjen e armëve dhe materialeve ushtarake.
  3. Stërvitjen e Talebanëve afganë, refugjatëve afganë dhe kryerjen e Operacioneve Psikologjike (Operacioni Anakonda-2021).
  1. Byroja e Përbashkët e Kundër Inteligjencës (JCIB).

Kjo byro është përgjegjëse për survejimin në terren të diplomatëve pakistanezë të stacionuar jashtë vendit dhe drejtohet nga një gjeneral major. Në të njëjtën kohë ajo është përgjegjëse për ekzekutimin e operacioneve të inteligjencës në Lindjen e Mesme, Azinë Juglindore, Afganistan, Republikat Muslimane të Azisë Qëndrore të ish BS.

Zv/drejtori me gradën gjeneral brigade dhe kontrollon syrvejimin e diplomatëve të huaj dhe pakistanezë, drejtuesit e partive politike dhe personelin e ISI-it. Ai ka katër drejtorë në vartësi.

  1. Drejtori (kolonel) për zyrvejimin në terren të diplomatëve të huaj.
  2. Drejtori (kolonel) për politikat jashtë vendit.
  3. Drejtori (kolonel) për Azinë, Europën dhe Lindjen e Mesme.
  4. Drejtori (kolonel) për zyrën e Kryeministrit Imrad Khan.

Kjo Byro ka degët e saj të cilat survejojnë personelin e ISI-it në Lahore, Karachi, Peshawar, Kohat, Rawalpindi, Mardan, Nowshera, Attock, Murree, Jhelum, Kharjan, Sialkot, Gurjanwala, Sahiwal, Multan, Sargodha, Muzaffarabad, Tulbul dhe Gilgit.

  • Byroja e Zbulimit të Përbashkët në Veri (JIN).

Kjo byro drejtohet nga një gjeneral major dhe është përgjegjëse për operacionet speciale në Xhamu dhe Kashmir. Këtu përfshihen operacionet e infiltrimit, propaganda dhe ekzekutimi i operacioneve klandestine. Gjithashtu pjesë e rëndësishme janë edhe operacionet për grumbullimin e inteligjencës në rajonet Xhamu dhe Kashmir. Një njësi speciale e ISI-it (ISI-SSG) merret me stërvitjen dhe mbështetjen me armë dhe municione për grupet terroriste LeT, LeJ, LeI dhe JeM. 

  1. Byroja e Përbashkët e Zbulimit Jashtë Vendit (JIM).

Kjo byro drejtohet nga një gjeneral major, i cili është përgjegjës për spiunazhin në SHBA, Europë, Azi dhe në Lindjen e Mesme. Ajo drejtohet drejtëpërdrejtë nga Shtabi Qëndror i ISI-it në Rawalpindi dhe realizohet nëpërmjet spiunëve, të cilët veprojnë nga zyrat ku janë dërguar jashtë vendit ose nën maskim. Kjo byro ndahet në dy n/drejtori, njëra përgjegjëse ose drejtoria e operacioneve për Europën me një gjeneral brigade në krye dhe tjetra drejtoria e operacioneve për Azinë dhe Lindjen e Mesme, e cila drejtohet nga një gjeneral brigade.

  1. Byroja e Përbashkët e Inteligjencës me Sinjale (JSIB).

Kjo drejtori drejtohet nga një gjeneral major dhe misioni i saj është realizimi i zbulimit me sinjale, grumbullimi dhe analiza e saj veçanërisht në Indi dhe Afganistan. Kjo byro prodhon sinjalet dhe kodet sekrete të cilat përdoren për të realizuar operacionet jashtë vendit. Ajo ka tre detashmente të cilat drejtohen nga tre gjeneralë brigade në Lahore, Karachi dhe në Peshawar.

  1. Byroja e Përbashkët Teknike (JIT).

Është byroja që ka si mision asistencën teknike për realizimin e operacioneve të fshehta klandestine. Ajo drejton të gjitha aspektet e pajisjeve elektronike që kërkohen për kryerjen e operacioneve sekrete dhe klandestine të ISI-it.

  1. Byroja Speciale e ISI-it.

Akademia e ISI-it është riemëruar në muajin prill 1998 dhe quhet “Akademia e Inteligjencës së Shërbimit Ushtarak”. Ajo drejtohet nga një gjeneral major dhe ka tre zv. drejtorë gjeneral brigade, zv/drejtori për stërvitjen, zv/drejtori për gjuhët e huaja dhe zv/drejtori për stërvitjet teknike.

  1. Seksioni Ndërlidhës Ushtarak (MLS).

Ky seksion është pjesë e Ministrisë së Brendshme të Pakistanit. Ai ka mision ndërlidhjen me Ministrinë e Brendshme, por drejtohet dhe komandohet vetëm nga shtabi i ISI-it. Ai përfaqëson të gjithë agjensitë e inteligjencës civile, organizatat paramilitare, agjensinë federale të hetimit dhe drejtorinë e emigrimit dhe të pasaportave.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dritan demiraj, ISI, talebanet

Turizmi 2021

September 22, 2021 by s p


Enela Markja


Ndërsa vera mbaron mediat shqiptare bëjnë një bilanc të turizmit të verës së këtij viti (2021) dhe unë kujtoja me tim atë turizmin e viteve ’70 – ‘80, i cili përqëndrohej vetëm në stinën e verës në plazhin e Durrësit përgjatë stationeve Teuta – Apollonia – Hekurudha – Iliria e gjer te Plepat ku ishte dhe Kampi i Pionjerëve. Pikërisht kjo pjesë ishte zemra e turizmit shqipar të atyre viteve.Lëvizja ishte shumë i kufizuar dhe 15 ditë leje e bënin udhëtimin nga Veriu ne Jug dhe anasjelltas të vështire, të gjatë dhe të lodhshëm.Turizmi shqiptar i asaj kohe përkufizohej me një fjali të thjeshte – ishim në plazh, ose ishim për verim. Tipike ishin „kampet e punëtorëve” në Rasëm, Shirrokë, Shëngjin, Dhërmi, Qafë Shtamë, Vlorë, Sarandë etj. Jo të gjithë kishin mundësinë të shijonin pushimet e verës dhe me fat ndjeheshin ato që kishin dy fleta kampi në dorë ose merrnin një gabinë plazhi.Sot shqiptarët vizitojnë Botën dhe të huajt janë miq në Shqipëri.Por cila është Bota? Dmth cilët turiste vizitojnë Shqiperine?


Duke vëzhguar dhe ndjekur turizmin nga fillimi i viteve 2000 e deri më sot mund të them se:Shqipëria ofroi në fillim tw viteve 2000 një turizëm individual për të gjithë ata perëndimore që deri në atë kohë kishin dashur po e kishin pasur të pamundur të vizitojnë dhe eksplorojnë Shqipërinë komuniste.Turizmi individual është dhe sot tepër aktiv duke përfshirë kamping, motorrist dhe ciklist (Bicikletat), alpinistët dhe dashamirësit e natyrës, – gjë kjo që vihet re në turizmin malor. Projektet e donatorëve dhe ndërtimi i fshatrave turistik në Alpe, Koman dhe në luginën e Valbonës ishin Sofra e parë shqiptare për të huajt.Tipike e turistëve individual është të vizitojnë vende të pa shkelura, të explorojnë kultura të reja, të përjetojnë tradita dhe të krijojnë „përshtypjet dhe fotografitë” e tyre mbi vendet që shohin.Përveç turizmit individual, vitet e fundit kemi një rrijte të madhe të turistëve nga Rusia, Ukraina e Polonia, të cilët pronotojnë pushimet me tarifa të fiksuara (all inclusiv). Për këtë lloj turizmi masiv janë ngritur këto vitet e fundit dhe infrastruktura turistike kryesisht në segmentin Durres-Golem-Kavajë. Segment I cili është zgjeruar përgjatë kurorës së gjelbër sic quhej asaj kohe segmenti nga Plepat e deri në Qerret ku në fillim te viteteve 2000 shikoje vetëm Pishave shumëvjecare e bunkerë si kudo të pranishëm, është shëndruar ndërkohë në një kurorë të betontë. Ky segment mbart si nga cilësia ashtu dhe nga sasia atë që në gjuhën profesionale quhet – turizëm masiv. Gjithashtu në këtë segmet gjejmë dhe pjesë të Turizmit elitar, ku nuk mungojnë hapësirat dhe hotelet me 4 apo 5 yje sigurisht dhe me çmime që I përgjigjen standartit dmth. yjeve të ofruara.
Tipike e këtyre turistëve është akomodimi brenda infrastrukturës së pronotuar. Në të shumtën e rasteve është lëvizja e tyre e organizuar dhe planifikaur nga angjesitë turistike. Destinationi i tyre i preferuar është bregdeti.Turizmi kulturor dhe malor janë pjesërisht pjesë e kësaj infrastrukture.Njëkohësisht në këtë segmet zhvillohet dhe turizmi rajonal: për arsye atdhedashurie ose dhe të lëvizjes së lirë pa viza, shumë pushues nga rajoni kalojnë pushimet në Shqipëri.Turizmi i rivierës shqiptare përfiton nga peizazhi I tij I mrekullueshëm dhe I pa krahasueshëm, por megjithate nuk duhet “të pushoj” mbi bukurinë e tij. Ndër të tjera është e rëndësishme të ketë një posicionim të qartë që dallohet dhe përkufizohet nga oferta turistike. Për mendimin tim infrastruktura turistike në Rivierë është duke u posicionuar qartë në sektorin e nivelit të lartë elitar, në mënyrë që të luajnë në të njëjtën ligë me bregdetet e ngjashëm të perëndimit.Ky pozicionim eshte shume mire, por mund të jetë e suksesshme vetëm nëse do të ketë gjithë rajoni infrastrukturën e përshtatshme dhe me kualitet në shërbim. Nëse na pëlqen apo jo, në këtë segmet selektohen pushuesit në bazë të cmimit.Kryesisht në këtë sektor por dhe në gjithë Shqiperinë përbëjnë shqiptarët që jetojnë jasht Shqipërisë pjesën dërmuese të pushuesve.Cilat aspekte luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit turistik në Shqipëri?E rëndësishme në këtë zhvillim është të mos kopjojmë por të mësojmë nga gabimet e një Europe mesdhetare „të plakur” në turizëm.Rruajtja e traditës dhe zhvillimi i turizmit autentik është ajo që Shqipërinë e bën të pakrahasueshme dhe të vecantë në tregjet ndërkombëtare të turizmit. Duke vërejtur fqinjët tanë (Kroacinë, Malin e Zi dhe Greqinë), ne duhet të plotësojmë infrastrukturën turistike përgjatë vijës bregdetare të Mesdheut. Njekoheshisht duhet te nxjerrim në pah karakteristikat dhe veçoritë kombëtare si tradita, kultura, guzhina, muzika, vecori keto sa te ngjashme aq dhe dalluese ne rajon. Turizmi masiv krijon mundësi punësimi, por ne do të dallohemi nga konkurentët tanë jo të paktë mesdhetar, vetëm nëse ofrojmë një turizëm të qëndrueshme e konsistent dhe vendosim kriteret për rruajtjen e natyres – p.sh. përdorimi i energjisë diellore, minimizimi I produkteve të mbështjella/ shërbyera me plastikë deri në heqjen e plastikës, etc. Zhvillimi (shumë i shpejtë) i Tiranës në një qendër të Ballkanit Perëndimor do të rris gjithmonë e më tepër kërkesën e një turizmi zyrtar, turizëm ky i cili nuk duhet nënvleftësuar dhe zhvillohet gjatë javës dhe gjithë vitit. Rajonet me strukturë të dobët turistike por tërheqese nga relievi dhe peizazhi I tyre të bëhen më të njohura nëpërmjet panaireve dhe qendrave tregtare, ose aktiviteteve tradicionale e kulturore të zonës. Pozita gjeografike dhe afërsia me Evropën na ofron mundësinë për zhvillimin e një turizmi vjetor dhe jo vetëm veror. Për këtë duhet ndërtuar infrastruktura përkatëse për grupe të caktuara turistësh.Reflektim: Tek lë Shqipërinë duke fluturuar drejt një qiell pa re dhe vështroj nga lart vijën tonë bregdetare dhe vargmalet përreth, mendoj që ne jemi vetëm në fillim të një zhvillimi intensiv në sektorin turistik. Ndërtimi i rrugëve dhe i strukturave turistike në zonat rurale dhe lidhaje tyre direkte me portet, aeroportet dhe pikat kufitare si dhe rrjetizimi i të gjithë aktorëve që përbëjnë sektorin është shumë i domosdoshëm për të plotesuar kërkesat e turistëve si një kontribut shumë shpresdhënës për fuqizimin e ekonomisë.(Çfarë turizmi patëm këtë verë? Cdo mbjellesh, do korresh – thote populli.)Enela MarkjaShtator 2021Starnberg

Filed Under: Komente Tagged With: Enela Markja, Turizmi 2021

Kosova synon anëtarësim sa më të shpejtë në NATO

September 22, 2021 by s p

-Në Nju Jork Presidentja Osmani dhe Ministrja Gërvalla takuan Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg/

NJU JORK, 21 Shtator 2021 – Gazeta DIELLI/

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, sot në Nju Jork takuan Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg.

Presidentja Osmani theksoi se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO. Anëtarësimi është i rëndësishëm për ta siguruar paqen në rajon, por edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta.

Gjatë takimit me të, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit me NATO-n, i cili nënkupton përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

“Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, duke kontribuar për paqen”, tha ajo.

Forca e Sigurisë e Kosovës, tha Presidentja Osmani, është forcë profesionale, e përgatitur në përputhje me standardet e NATO-s, e cila do t’i mundësojë Kosovës të bëhet forcë aktive në kuadrin e sigurisë rajonale dhe globale.

“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale”, tha Presidentja Osmani.

Presidentja e informoi Sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. Ajo theksoj se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë.

Sekretari i NATO–s, Jens Stoltenberg, e falënderoi Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë bashkëpunëtorë të NATO-s dhe e vlerësoi veprimin e saj si shembull të bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët.

Presidentja Osmani theksoi se vendimi i Kosovës ishte në përputhje me orientimin gjeostrategjik dhe reflektim i vlerave të përbashkëta të të drejtave të njeriut. 

“Kosova është e gatshme që edhe në të ardhmen të kontribuojë në misione të ngjashme humanitare, por edhe në ato të sigurisë”, tha Presidentja Osmani.

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, Vjosa Osmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2731
  • 2732
  • 2733
  • 2734
  • 2735
  • …
  • 2828
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT