• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Supermacioni i organizmave ndërkombëtarë ndaj sovranitetit relativ të Republikës së Kosovës

June 24, 2025 by s p

Analizë juridiko-politike dhe ndërkombëtare

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

1.Kuptimi i sovranitetit në arenën ndërkombëtare

Koncepti klasik i sovranitetit, i ndërtuar mbi parimin e autoritetit të pakushtëzuar brenda një territori të caktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht, është vënë në sprovë të vazhdueshme në epokën moderne të globalizimit, integrimeve ndërkombëtare dhe ndërhyrjeve të legjitimuara në emër të të drejtave të njeriut, sigurisë globale apo stabilitetit rajonal. Rasti i Republikës së Kosovës është ndër më tipikët që dëshmon për zhvillimin e një modeli të ri të sovranitetit – atë të sovranitetit relativ ose të kushtëzuar, ku autoriteti shtetëror bashkëjetohet dhe shpesh sfidohet nga prania, ndikimi dhe kontrolli i organizmave ndërkombëtarë.

2. Zanafilla e sovranitetit të kushtëzuar: Rezoluta 1244 dhe UNMIK-u

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999), e cila sanksionoi ndërhyrjen humanitare të NATO-s dhe vendosjen e administrimit ndërkombëtar mbi Kosovë përmes UNMIK-ut, është pikënisja formale e kufizimit të sovranitetit të Kosovës. Sipas kësaj rezolute:

-Sovraniteti i ish-Federatës së Jugosllavisë mbahej teknikisht në fuqi, por i suspenduar në praktikë;

-Kompetencat ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore i kaluan përkohësisht misionit të OKB-së, duke e përjashtuar autoritetin lokal nga pushteti efektiv.

UNMIK-u, në përputhje me Kapitullin VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, vepronte me autoritet pothuaj të pakufizuar, duke hartuar ligje, emëruar gjykatës, krijuar struktura të përkohshme vetëqeverisëse dhe duke negociuar në emër të Kosovës në forumet ndërkombëtare. Ky ishte një protektorat në kuptimin e plotë juridik dhe funksional.

3. Shpallja e pavarësisë dhe ndërmarrja e sovranitetit nominal (2008)

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, siç konfirmoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin këshillimor të 22 korrikut 2010. Akti i shpalljes së pavarësisë u zhvillua në një ambient ku:

-UNMIK-u nuk ishte larguar zyrtarisht, por kishte filluar të zbriste gradualisht nga përgjegjësitë ekzekutive;

-U vendos misioni EULEX, me mandat të BE-së, për të mbikëqyrur dhe ekzekutuar kompetenca në drejtësi dhe polici;

-U ruajt Prania Ndërkombëtare Civile (ICO) me përfaqësuesin civil ndërkombëtar, i cili kishte të drejtën e vetos ndaj çdo akti të institucioneve të Kosovës.

Prandaj, edhe pas shpalljes së pavarësisë, autoriteti shtetëror i Kosovës ishte i cunguar – një pavarësi e mbikëqyrur me rregulla dhe ndërmjetësime ndërkombëtare.

4. EULEX dhe ndërhyrja në sovranitetin gjyqësor

EULEX-i, si një mision i Bashkimit Evropian, me një kombinim të mandatit ekzekutiv dhe monitorues, përbën një nga institucionet më të rëndësishme në realizimin e supermacisë së faktorit ndërkombëtar ndaj sovranitetit të Kosovës.

-EULEX kishte të drejtën të ngriste aktakuza, të gjykonte raste të ndjeshme, dhe të ndërhynte në hetime të nivelit të lartë.

-Ai funksiononte paralelisht me sistemin gjyqësor të Kosovës, duke krijuar dy juridiksione të ndara: një vendor dhe një ndërkombëtar.

-Në raste të shumta, përfshirë hetimet për korrupsion të nivelit të lartë, krime lufte dhe çështje sensitive politike, vendimmarrja ishte e huaj dhe shpesh pa mundësi reale apelimi në sistemin vendor.

EULEX jo vetëm që ndihmoi në zhvillimin e kapaciteteve vendore, por edhe i ushtroi këto kapacitete vetë, duke u bërë faktor që e pengoi autonominë e plotë të institucioneve.

5. Gjykata Speciale: Legjitimim i kufizimit përmes drejtësisë ndërkombëtare

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale për Kosovën, janë produkt i presionit ndërkombëtar mbi Kuvendin e Kosovës që të miratojë ndryshimet kushtetuese dhe ligjore për themelimin e kësaj gjykate. Ajo:

-Operon jashtë territorit të Kosovës, në Hagë;

-Zbatohet në bazë të ligjeve të Kosovës, por me juridiksion ndërkombëtar;

-Ka staf të huaj dhe nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes apo kontrollit të institucioneve vendore;

-Gjyqon vetëm pjesëtarë të UÇK-së, duke e bërë karakterin e saj njëetnik dhe të diskutueshëm në aspektin e barazisë para drejtësisë ndërkombëtare.

Kjo gjykatë është shembulli më ekstrem i transferimit të sovranitetit gjyqësor nga një shtet nominalisht i pavarur tek një trupë ndërkombëtare e krijuar për interesa politike dhe stabilitet ndërkombëtar.

6. Marrëveshjet e Brukselit dhe ndërmjetësimi me autoritet të imponuar

Dialogu Kosovë–Serbi, i ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011, ka prodhuar një numër marrëveshjesh politike e teknike, të cilat shpesh:

-Nuk janë ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, por konsiderohen si detyrime të brendshme;

-Janë interpretuar nga BE-ja si obligime të parevokueshme, edhe kur bien në kundërshtim me vendime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës;

-Përdoren si instrument presioni për përfitime politike nga Serbia në procesin e integrimit evropian.

Më e diskutueshmja është marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila, sipas versioneve të kërkuara nga BE dhe SHBA, përbën një rrezik për integritetin institucional të Kosovës dhe një lloj autonomie territoriale që bie ndesh me parimin e unitaritetit të shtetit.

7. Njohja ndërkombëtare e kufizuar dhe ndikimi në subjektivitetin juridik

Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së dhe nuk njihet nga një numër shtetesh kyçe, përfshirë 5 vende të BE-së dhe dy anëtarë të përhershëm të KS të OKB-së (Rusia dhe Kina). Kjo gjendje:

-E pengon Kosovën të veprojë si subjekt juridik ndërkombëtar me kapacitet të plotë;

-E bën të varur nga ndërmjetësimi dhe përfaqësimi indirekt nga partnerët perëndimorë në organizata ndërkombëtare;

-Forcon rolin e institucioneve si UNMIK, EULEX, ICO apo të vetë shteteve të fuqishme si SHBA në orientimin dhe mbikëqyrjen e politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës.

8. Teoria e sovranitetit relativ në kontekstin e Republikës së Kosovës

Në shkencat juridike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, koncepti i sovranitetit relativ ose të kushtëzuar lidhet me:

-Shtete që nuk gëzojnë monopolin absolut të vendimmarrjes;

-Shtete që ndajnë kompetencat me organizma ndërkombëtarë, veçanërisht në sektorët kritikë si drejtësia, siguria dhe politika e jashtme;

-Shtete që veprojnë nën prani ndërkombëtare të zgjatur, shpesh pa afat përfundimtar.

Kosova është ilustrimi më i plotë i këtij modeli, ku faktori ndërkombëtar vepron jo vetëm si partner, por shpesh si regjisor i procesit të shtet-ndërtimit.

9. Rreziqet e supermacisë ndërkombëtare dhe perspektiva për sovranitetin e plotë

Ndërhyrjet ndërkombëtare në shërbim të paqes dhe stabilitetit kanë sjellë edhe pasoja të dëmshme për zhvillimin institucional dhe demokratik të Kosovës:

-Legjitimiteti i brendshëm është dobësuar kur vendimet kryesore nuk burojnë nga vullneti i zgjedhur i popullit;

-Krijohet një elita e varur politike, që vepron më shumë për të kënaqur partnerët ndërkombëtarë sesa për të ndërtuar institucione sovrane e funksionale;

-Dobësohet ndjenja e vetëqeverisjes demokratike, duke shkaktuar apati qytetare dhe mosbesim në sistem.

10.Sfida për barazi sovrane në sistemin ndërkombëtar

Rasti i Kosovës duhet të kuptohet si një ndërthurje komplekse ndërmjet ndërhyrjes ndërkombëtare legjitime dhe kufizimit të autonomisë vendore. Sovraniteti relativ i Kosovës është pasojë e një ndërhyrjeje të jashtëzakonshme, por edhe reflektim i një rendi ndërkombëtar ku fuqia politike, interesa strategjike dhe stabiliteti rajonal shpesh e tejkalojnë të drejtën formale.

Për Kosovën, sfida qëndron në tranzicionin nga një sovranitet i mbikëqyrur në një sovranitet të vetëqeverisur, ku roli i organizmave ndërkombëtarë të shndërrohet nga autoritar në partneritet të vërtetë. Kjo kërkon rritje të kapaciteteve vendore, rritje të legjitimitetit demokratik dhe forcim të pozitës ndërkombëtare përmes njohjes dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Vetëm atëherë, Kosova do të mund të realizojë sovranitetin substancial dhe të barabartë, si çdo shtet tjetër në sistemin ndërkombëtar.

Filed Under: Ekonomi

Në Zemrën e Arbërisë – udhëtim përtej kohës dhe kujtesës drejt Shën Mitër Korones

June 24, 2025 by s p

(Mbresa udhëtimi në margjinat e konferencës IX-të mbarëkombëtare të Arkivistikës)

Nga Prof.dr Skender ASANI/

Në mes të qershorit 2023, u nisëm në një udhëtim të veçantë drejt Shën Mitër Korones në Kalabri, Itali, për të marrë pjesë në konferencën e IX-të mbarëkombëtare të Arkivistikës. Ky event nuk ishte vetëm një takim shkencor, por një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për bashkimin dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare në të gjitha trevat. Përmes bashkëpunimit midis institucioneve arkivore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe komuniteteve arbëreshe, ky udhëtim u shndërrua në një përvojë të thellë shpirtërore dhe intelektuale, duke lidhur të kaluarën me të ardhmen e kujtesës kombëtare.

Në mëngjesin e freskët të 13 qershorit, nisëm udhëtimin tonë nga Shkupi për në Tiranë. Pas mbërritjes në kryeqytetin shqiptar, pasdite u takuam në ambientet e Arkivit Qendror të Shtetit, ku na u bashkuan studiuesit nga Arkivi i Kosovës. Atmosfera ishte plot entuziazëm dhe pritshmëri për rrugëtimin që do ta bënim. Së bashku u nisëm drejt qytetit të Durrësit, ku mbërritëm në mbrëmje të vonë dhe ankoruam në tragetin që do të na çonte në Bari, Itali.

Mëngjesin e 14 qershorit, mbërritëm në portin e Barit, duke filluar me shpresë dhe kureshtje drejt destinacionit tonë të vërtetë: Shën Mitër Korone, një qytet që ruan me fanatizëm trashëgiminë arbëreshe dhe kujtesën e thellë kombëtare.

Në rrugën për në Shën Mitër, ndaluam për një vizitë të paharrueshme në qytetin e lashtë italian, Matera. Ishte një udhëtim mes gurëve që rrëfejnë historinë dhe heshtjen mijëravjeçare të një qytetërimi të gdhendur në shkëmb. Rrugicat e ngushta, të ndriçuara nga perëndimi i diellit, të ftonin të ecnim ngadalë dhe të ndjejmë qetësinë e lashtësisë që mbizotëronte çdo cep. Në një qoshe të qetë, shijuam një picë tradicionale italiane me bazë të hollë, plot aromën e erëzave freskëta, një shije që ruante me fanatizëm traditën e vendit. Ndërsa dielli perëndonte ngadalë pas terracave prej guri, ne duhanxhinjtë e grupit ndezëm nga një cigare, një akt ky meditative, ku tymi ngjitej në ajrin e ngrohtë dhe të qetë, duke u përzier me frymën e përjetshme të Materas, një qytet ku koha duket se ka vendosur të pushojë.

Në mbrëmjen e të njëjtës ditë arritëm në Shën Mitër Korone, dhe në ditën pasuese, më 15 qershor u zhvilluan punimet e Konferencës mbarëkombëtare të arkivave. Kjo ngjarje shkencore ishte më shumë se kaq – ishte një përqafim i gjallë me kujtesën kombëtare, në vendin ku historia shqiptare ka lënë gjurmët më të thella të saj. Në godinën simbolike ku lindi Rilindja Kombëtare, dhe ku vepruan dhe mësuan figura si Jeronim De Rada, Luigj Gurakuqi dhe Avni Rrustemi, pata nderin të mbaj një fjalim rasti. Në mes tjerash theksova se ndodheshim në një vend që nuk ruan vetëm kujtime, por mishëron vetë shpirtin e kombit. Në këtë kuadër, i dhurova një pullë postare me figurën e Luigj Gurakuqit kryetarit të komunës, z. Mateo, si një shenjë simbolike e lidhjes sonë të përbashkët me trashëgiminë.

Në fjalën time gjithashtu përmenda kontributin e mikut dhe kolegut tim nga Tirana, Ardit Bidos, për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e institucioneve tona shkencore shqiptare, duke shpresuar që ky mision të vazhdojë edhe në angazhimin e tij të ri politik si deputet. Një vend të veçantë ia kushtova profesor Francesco Altimarit, jo vetëm studiues i çmuar, por edhe ura shpirtërore e arbëreshëve, lidhja që i mban ata të bashkuar me Arbërinë përtej kohëve.

Shën Mitri nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, por një tempull i kujtesës dhe nostalgjisë shqiptare, që na fton të jemi bartës të këtij identiteti të përjetshëm.

Në kuadër të konferencës pata mundësinë të prezantoj një temë përkujtimore për 100-vjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit. Në Liceun e Shën Mitrit, ku Gurakuqi ishte nxënësi i fundit i rilindasit Jeronim De Rada, fjalimi im ishte një përkulje para kujtesës dhe hulumtimeve në Arkivin Qendror të Kroacisë. Për herë të parë solla dokumente të paeksponuara më parë, që hedhin dritë mbi motivet politike të mbretit Zog në lidhje me atentatin ndaj Gurakuqit, duke sfiduar narrativën e heshtur të historisë. Gjithashtu, rikujtova pllakat përkujtimore dhe publikimin e një pulle postare nga Postat e Maqedonisë në nder të figurës së Luigj Gurakuqit, një akt i vogël por me domethënie të madhe për ruajtjen e kujtesës kolektive në diasporë.

Takimet me personalitete të shquara si kryetari i Komunës, z. Ernesto Madeo, dhe profesor Francesco Altimari, albanolog i njohur, sollën reflektime të thella mbi rëndësinë e shkencës në lidhjen e së kaluarës me të ardhmen. Prania e z. Mehmed Xhemajli, drejtor ekzekutiv i Arkivit të Kosovës, pasuroi diskutimet me eksperiencën e tij në fushën e arkivistikës modern, me theks të veçant në domosdoshmërinë e bashkëpunimit mbarëkombëtar.

Pas përfundimit të konferencës, vizituam Machia e Jeronim de Radës, shtëpinë muze të tij, ku çdo cep tregonte përkushtimin ndaj gjuhës, kombit dhe identitetit arbëresh. Një tjetër ditë e mbushur me përjetime të thella ishte ajo e 16 qershorit, kur vizituam qytetin e Rossanos dhe Muzeun e Kodikëve, aty ku ruhej Kodiku Purpur i Rossanos – një nga dorëshkrimet më të rralla të qytetërimit. Ishte një takim me ndërgjegjen historike të njerëzimit, i cili ngjason thellësisht me Kodikun e Beratit, një tjetër pasuri kombëtare shqiptare dhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Mikpritja e ngrohtë dhe fjalët e Imzot Mons. Maurizio Aloise i dhanë kësaj vizite një dimension shpirtëror të veçantë.

Pas vizitës në Rossano, ndaluam në Kishën e Achiropitës, një vend shenjtërie me afreske të rralla dhe një ndjenjë paqeje të thellë, ku reflektimi dhe besimi bashkohen në një përvojë unike shpirtërore.

Më pas, udhëtimi na çoi në qytetin e Kozencës dhe Universitetin e njohur me të njëjtin emër, ku katedra albanologjike dhe biblioteka e saj përfaqësonin një arkiv të gjallë të ndërgjegjes kombëtare. Aty pata nderin t’i dhuroj profesor Altimarit një pullë postare për 100-vjetorin e rënies së Luigj Gurakuqit. Në shenjë mirënjohjeje, profesori më dhuroi kompletin e veprave të Jeronim De Radës dhe librat e albanologut Francesco Solano – një trashëgimi që do të shoqërojë rrugëtimin tonë profesional.

Mbrëmja e 16 qershorit na gjeti në Shën Sofia e Epirit, ku emrat e rrugëve dhe busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut dëshmonin për lidhjen e pashkëputshme midis shqiptarëve dhe arbëreshëve.

Më 17 qershor, rrugës për në Bari, ndaluam në Alberobello, qyteti i famshëm me shtëpitë “trulli” – një peizazh unik mes gurit të bardhë dhe historisë popullore italiane. Në heshtjen e atij çasti, shijuam një kafe italiane, duke ndjerë ritmin dhe qetësinë e jugut.

Në mbrëmje u rikthyem në Bari, ku manifestimet e arkivistikës u përmbyllën në Arkivin e Barit me ekspozitën kushtuar 100-vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakuqit. Dhurimi i pulës postare drejtorit të Arkivit të Barit, z. Adriano Buzzaka, u prit me emocion të thellë. Prezantimi i dokumenteve origjinale për atentatin ndaj Gurakuqit, si procesverbalet dhe raportet, ngjalli diskutime dhe reflektime të thella.

Ky rrugëtim mes Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, i gërshetuar me mikpritjen e komunitetit arbëresh dhe institucioneve italiane, tregoi se historia jonë e përbashkët është një urë që forcohet çdo ditë me veprime dhe kujdes institucional.

Në çdo qoshe të qyteteve dhe fshatrave, pritja ishte e shoqëruar me këngë dhe valle tradicionale arbëreshe, që nuk ishin thjesht shfaqje folklorike, por një shprehje autentike e shpirtit dhe identitetit arbëresh. Kënga dhe vallja u bënë ura komunikimi midis brezave, duke krijuar një atmosferë feste dhe bashkimi ku kultura dhe historia jonë gjenin jehonë të gjallë. Ky gjest mikpritjeje e bëri udhëtimin tonë edhe më të paharrueshëm, duke na kujtuar se trashëgimia jonë nuk është vetëm e ruajtur në dokumente dhe arkiva, por edhe në zemrat dhe gëzimet e komunitetit që e përjeton atë çdo ditë.

Për rrjedhojë, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë së shqiptarëve në diasporë, sidomos në komunitetet e vogla dhe të rrezikuara nga asimilimi, duhet të jetë një alarm i përhershëm për institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës. Kujdesi për pjesët anësore të kombit dhe për mërgatën shqiptare nuk mund të mbetet vetëm në nivel deklarativ apo simbolik – ai duhet të përkthehet në veprime konkrete dhe të koordinuara ndërinstitucionale. Globalizmi, rrjetëzimi kulturor dhe format e tjera të ndikimit të jashtëm po krijojnë rrethana të reja që rrezikojnë zbehjen e identitetit shqiptar në këto mjedise të brishta. Në këtë drejtim, modeli që duhet të praktikojnë institucionet shtetërore shqiptare është pikërisht modeli i suksesshëm institucional i bashkëpunimit ndërmjet Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë, Arkivit të Kosovës në Prishtinë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, të cilët prej më shumë se një dekade kanë ndjekur një rrugëtim të përbashkët profesional e kombëtar në çdo cep të vendbanimeve shqiptare. Ky model jo vetëm që ka dëshmuar efikasitet në fushën e arkivistikës dhe dokumentimit të kujtesës, por ka shërbyer edhe si platformë e gjallë për bashkërendim kulturor, hulumtim historik dhe mbrojtje të identitetit në përmasa mbarëkombëtare.

Ky udhëtim dhe pjesëmarrja në Konferencën e IX mbarëkombëtare të Arkivistikës në Shën Mitër Korone përbën një moment kyç në përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit shkencor dhe kulturor mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Në zemër të Kalabrisë, ku ruhet trashëgimia arbëreshe, u ringritën ura komunikimi midis institucioneve arkivore, studiuesve dhe komuniteteve, duke rikonfirmuar rëndësinë e kujtesës historike si një vlerë të përbashkët dhe motor për zhvillimin e mëtejshëm të identitetit kombëtar. Dokumentet e zbuluara dhe diskutimet shkencore gjatë konferencës jo vetëm që thelluan njohuritë mbi ngjarjet historike, si vrasja e Luigj Gurakuqit, por edhe forcuan ndërgjegjësimin për nevojën e ruajtjes së integritetit, të kujtesës kolektive në kohët moderne. Ky takim shënoi një hap përpara në rrugën e dialogut mbarëkombëtar dhe bashkëpunimit që do të ndikojë pozitivisht në promovimin e shkencës, kulturës dhe identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Opinion

ZGJEDHJET, SISTEMET POLITIKE DHE SHTETFORMIMI NË HAPSIRËN SHQIPTARE

June 24, 2025 by s p

Alfons Grishaj/

*Analiza politike vijon nga numri i kaluar…

Në kapërcyell shekujsh, shpesh herë vota ka qenë e verbër, politika e ka përdhosur mos më keq, ndërsa vegjëlia i ka dhënë sy me pa. Po ku është vegjëlia? Në largësi, të krijohet përshtypja se shqiptarët brenda kufinjëve duket sikur vuajnë nga “apraksia konceptuale”, gjë që i pengon në zgjidhjen e duhur. Fasada dhe farsa, sharjet e fyerjet, intimidime dhe bribery janë njëra anë. Por ana tjetër, kulmon mpirja dhe falimenti në përballjen e të keqës. Kjo sëmundje e përafërt po ndodh dhe në Dardani, por me një ndryshim: atje nuk vidhen votat si në Shqipëri, ngaqë akoma mungon stili i remenishencave bolshevike, gjë që e bën elektoratin dardanas më të zhdërvjellët dhe kërkues. Megjithatë, e keqja specifike mbetet. Atje bëhen zgjedhjet, por është tëpër e vështirë që të formohet qeveria.

Çfarë tregon një papërgjegjshmëri infantile dhe amorfe, duke farkëtuar thënien anti-shqiptare: “Shqiptarët nuk janë shtet-formues.” Fatkeqësisht, dardanët duke shikuar vëllezërit e tyre në anën tjetër të kufirit po huazojnë terma dhe akuza të turpshme siç ishte dhe ajo e fundit për heroin e Kosovës: “hajdut traktorash”!
Dikur turpi ishte faqe e zezë, ndërsa tani shëtit me kollare! Po, ky është bash fjalori banal i komunistëve shqiptarë dhe ruso-serbofilëve. Gjuhë e përdorur për çdo patriot që ka derdhur djersë e gjak. Gjithë heronjtë që kanë bërë luftën, shahen?!

Një tregues kokëfortë: me largimin në amshim të Presidentit Ibrahim Rugova, Dardania po lëngon në zgjidhje dhe vendimarrje të shumta. A e meriton këtë inkompetencë populli Dardan? Kurrë!! Unë mendoj se kreu i qeverisë, Albin Kurti, Vjosa Osmani, Përparim Rama, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, e shumë personalitete në atdhe e diasporë, duhet t’a rrisin ndjeshmërinë e përgjegjësisë ndaj gjakut të derdhur për të çuar imazhin e atdheut në një stad më të lartë. Do të ishte e udhës që të dalin nga guacka e Unit për një ndryshim thelbësor. Si në Shqipëri dhe Dardani, duhet të gjendet një rrugëdalje për të mundur praktikat e vjetra, të ngurta- pa bereqet. Ata duhet të dalin mbi partitë, duke krijuar një bosht bashkqevërisës për të ardhmen e përbashkët.

Sidomos, Dardania nuk e ka luksin për të qeverisur një parti. Me pjekjen e kushteve, le të ndërtojnë një besim reciprok për të krijuar një sistem të ri më efiçent: Sistem Presidencial. Mbase shqiptarët do të jenë me fat të kenë një president si, Theodore Roosvelt, i cili “korigjoi” rreptë elitën e miliarderëve: John Davison Rockefell, Andrew Carnegie, Cornelius Vanderbilt, John Pierpont Morgan. Persona që kishin shkatërruar konkurencën e lirë, dhe për interesa të ngushta, kishin kompromentuar rëndë disa herë zgjedhjet e presidentëve në Amerikë. Tycoon’s of US industry mësuan se, simbioza e votës lirë dhe burrit shtetit mbesin korrektorë të pagabueshëm në zhvillimin ekonomisë (monopoleve) dhe shtetit ligjor.

Mendimi im, çdo zhvillim ka një pikë limiti dhe çdo limit ka një rregullator. Dhe Rama, ka një shans për të dalur nga impakti që ka futur veten dhe partinë. Ai mendon se i ka fituar votat dhe i ka votuesit në dashuri sublime?! Atëherë, le t’a provojë këtë forcë të “konsuliduar votash” për të sfiduar amullinë rreth tij, duke thirrur një referandum popullor për ndryshimin e sistemit: nga republikë parlamentare në atë presidenciale. Le të jetë dhe Rama kandidati për President. Pas kësaj mundësie popullore, ndahet përgjithmonë loti dhe Zoti. Nëse ai e fiton…ta gëzojë! Kështu marrin fund qeveritë e anagramave.

Në hapësirën shqipfolëse, sistemi presidencial do fuqizonte shtetin, ekonominë dhe zhvillimin e strategjisë për të ardhmen, do rilindte shpresën e truallit të të parëve tanë, duke paralizuar përfundimisht klanet kleptokrate të partive dhe biznesmenët banditë që kanë vrarë konkurencën e lirë. Historikisht, zhvillimi i kombeve ka ardhur prej grupimeve dhe udhëheqësve mendjendritur dhe kurrë nga skeletonët e uritur të pushtetarëve mendjezi! Shikoni ndërtesat fantazma të bëra me paratë e pista paasnjë plan urban. Kaq larg ka shkuar babëzitja e tyre sa matematikisht harrojnë se shqiptarët nuk janë një popull prej 30 milionësh, por sa gjysma e një lagje në Amerikë, me një gjysmë bosh.

Mendoj se, shteti nuk ndërtohet dhe mbrohet me fjalore të huazuara, me presione, me falle shtrigash, me vjedhje votash, me premtime boshe, me betone e gradaçela, kur pjesës dërmuese të popullsisë u mungon jetesa minimale. Nuk është e udhës që shqiptarët të futen në armiqësi me njëri-tjetrin për ca kleptokratë dhe vagabondë, që nuk janë as komunistë e as demokratë! Se po të ishin komunistë…odiseja e luftës për karrige do kishte marrë fund! Sikur të ishin demokratë, do respektoheshin ligjet e demokracisë, vota dhe funksionimi i të drejtave themelore të njeriut. Simboli i politikës së sotme është thjeshtë: kleptokraci dhe prostitucion politik! Prandaj inteligjenca ka barrën finale për ndryshimin rrënjësor të këtij imazhi dëmsjellës dhe banal. Inteligjenca është ozon, ujë dhe jetë. Nëse inteligjenca mbyll valvulat e oksigjenit, çdo diktaturë vdes si metastazat kancerogjene. Dhe kur diktaturat vdesin, popujt gëzojnë e prosperojnë.

Pas këtij revolucioni, truri i kombit duhet të punojë për gjëra më të mëdha, jo si të vidhen votat e të armiqësohen shqiptarët, si të bëhen balancat e aferave, por si shqiptarët të bashkohen dhe ti tregojnë botës se janë ata që dinë të qeverisin dhe ndërtojnë, siç thoshte, Dushko Hr.Konstantinov: “Shqiptarët janë banorët më të vjetër të Gadishullit Ballkanit dhe pasardhës të drejtëpërdrejtë të ilirëve të vjetër, të cilët kishin ndërtuar shtetin më të fuqishëm në Ballkan.” Pra, që shqiptarët të riciklohen si të tillë, duhet të zgjohen nga gjumi për t’i kapur të gjitha elemetet humano-shpirtërore si pararojë e ndryshimit psikologjik që ndihmon ngritjen esenciale të emancipimit shoqëror. Një gjë e tillë do ndihmojë për të shkapërcyer inatet e ndasirat e një vize shkopi në shkretëtirë që vetë e kanë vizatur. Sfida e shekullit duhet të jetë vota për bashkimin e shqiptarëve, e cila nuk e pengon dhe trondit botën e qytetëruar, por armiqtë tanë.

Pra, le ti mundim armiqtë me dashurinë ndaj njëri-tjetrit për t’u krijuar bindjen se i duam dhe ata! Alphonse de Lamartine, për popullin tonë do shkruante: “Ky komb dhe ky popull nuk mund të merret nëpër këmbë sepse është toka e heronjëve të të gjitha kohërave.”

Filed Under: Politike

NJË YLL SHNDRITËS NË YLLËSINË E KOLOSËVE BOTËRORË…

June 23, 2025 by s p

Kosta Nake/

“DANTJA I PASHMANGSHËM” (2005)

Kjo sprovë e Kadaresë ngjan si kthim i vështrimit të perandorit mbi territore që kanë thesare dhe duhet ta ndjejnë pushtetin e tij. Mos vallë Dantja shkoi me dashje drejt humbjes së Firences? Paska patur një hidhnim mes Dantes dhe profetit Muhamet që nuk e kisha vënë re më parë. Qasja shqiptare ndaj poetit, duke filluar që nga Ernest Koliqi, më duket si ata turistët që shkruajnë emrat e tyre te monumentet e lashtësisë me shpresë që do ndajnë diçka nga madhështia e tyre. Kur Kadare rikthehet te Beatriçe Portinari dhe e quan poemën një strehë për të, u befasova: Si është e mundur?! Një njeri që shkruan kaq shumë, ku e gjen kohën për të bërë hulumtime kaq me detaje për gjëra që të tjerët do t’i kalonin sipër si patinatorë?

Në mbyllje disa vlerësime për Danten: poet hyjnor, profetik, bashkues zyrtar i Italisë, ndëshkuesi i mëkatarëve, më i madhi poet i Europës.

“HAMLETI – PRINCI I VËSHTIRË” (2007)

Ndër çështjet e diskutueshme mund të veçohen: Mbreti Hamlet vdiq nga kafshimi i gjarprit, nga helmi në vesh, apo nga kumti që i përcolli Klaudi? 

Për cilat nga këto faje rëndohet Gertruda: prishja e zisë, tradhëtia bashkëshortore, apo pjesëmarrja në krim? 

Ofelia e  humbi virgjërinë me Hamletin apo me tjetërkënd? 

Studimi përmban sfida që vetëm Kadare ka mprehtësinë t’i zbulojë dhe guximin t’i artikulojë: 

E para, tërbimi vrastar i Hamletit mund të ketë lidhje me xhaxhain që mund t’i kishte hyrë në pjesë duke abuzuar me Ofelinë. 

E dyta, Poloni, mund të ketë qenë dashnor i Gertrudës, atëherë Hamleti mund të ishte djali i tij dhe Ofelia rrjedhimisht duhej të ishte e motra dhe jo e dashura. 

E treta, nxjerrja e një përfundimi befasues për Edipin – nuk e ka vrarë ai të atin, nuk ka fjetur ai me nënën, por ka bërë një krim të tretë duke u kthyer në tiran. 

E katërta, Hektori nuk ia mbathi nga frika prej  Akilit; tri rrotullimet rreth mureve të Trojës kanë qenë haluçinacione dhe nderimi që i bënë trojanët ishte i përligjur.

 Duke qenë perandor i letrave, Kadare nuk la copë të globit pa këqyrur; duke qenë shqiptar, nuk la mundësi pa shfytëzuar që ngjarjen e botës t’i shpjegojë me një nga thesaret shqiptare – kanunin. Në këtë rrafsh me mjaft interes janë krahasimet Edip – Orest – Hamlet.

Një kthinë më vete përbën pranëvënia e jetës vetjake të Shekspirit me atë të Pjetër Budit. Është vërtet e çuditshme sa pak të dhëna ka për vetë Shekspirin, sa kontradiktore dhe pa interes janë ato që ekzistojnë, deri te pyetja tronditëse: mos ai është maska e dikujt tjetër? Si ka mundësi që për bashkëkohësin e tij nga një vend i vogël si Shqipëria ka më shumë gjurma nga jeta vetjake?

Te romani “Kronike në gur” (1971) leximi i tragjedisë “Makbeth” e bën rrëfyesin që ta rimarrë disa herë motivin e vrasjes së mysafirit. Duke kujtuar adoleshencën e vet të hershme, ai tregon për kopjimin me dorë të “Makbethit”. E si të mos e adhurosh Kadarenë për guximin që tregoi duke shkundur nga pluhuri i viteve për t’i ekspozuar sërish monumentet madhështore të së shkuarës, siç bëri me tragjedinë “Makbeth”? Ca analizave brilante me përndritje të re që mund t’i bëjnë vetëm mendjet e mëdha. Synopsis për këtë tragjedi në kolanën e Veprave është rishkruar duke u dyfishuar në sasi dhe duke u pasuruar me detaje të reja që ilustrojnë luftën për pushtet duke na e çuar mendjen për kullotë te Enveri dhe Mehmeti: xanxat për pushtet, sëmundja e dyshimit që prek sovranët, ndikimi që ka numri dy në bazë, lëkundja që shkaktohet nga një ftesë e papritur, përpjekja për ta mbuluar të vërtetën dhe për të paraqitur një tjetër në vend të saj. Ajo që mbetet e pandryshuar është dashamirësia e Kadaresë ndaj ledit Makbeth dhe përpjekja për t’ia larguar nga duart njollat e gjakut. Mos është kjo qasje edhe për Nexhmijen?

 Gjithçka te Kadaraeja është dëshmi e një talent të lindur që e bën yll shkëlqimtar në yllësinë e kolosëve të letërsisë botërore.

Filed Under: ESSE

VOTA E VJEDHUR E KTHYER NË ART…

June 23, 2025 by s p

Alfons Grishaj*/

*Analiza politike vijon nga numri i kaluar…

Gjatë gjithë këtyre ngjarjeve, kryeministri i anatemuar i sotëm nuk ishte në Shqipëri, por në Francë. Në fillimet e demokracisë, Rama ishte me PD për një ndryshim thelbësor, biles në anën ekstreme. Askush nuk e dëgjoi zërin e tij, dhe ai i zhgënjyer iku si shumë të tjerë. Udhëheqësi, Fatos Nano (që shpiku piramidat), e solli Ramën në Shqipëri. Më vonë ai do shprehej: “Ramën e mora me thonj të paprerë nga bordurat e Parisit, tek shiste ikona të vjellura”. Për mendimin tim, ky fjalor është tipik komunist,ironi e vonuar që nuk vlen as për fëmijët e kopshtit e jo më për një burrë me mend si, Nano. Rama kish bërë “qejf” me emigrimin, prandaj erdhi i shtruar dhe heshte kur shokët e tij mundoheshin t’a vinin në lojë…Ai kish një mendim tjetër…larg lojrave të fjalës dhe romuzeve të kalamajve të PS-së. Sapo iu dhe rasti, riformatoi strategjinë e lënë përgjysmë të votës, duke e sofistikuar dhe kthyer në art.

I mbushur me mllef nuk i fshehu dot emocionet e thyera nga vuajtjet në emigrim, që përtej kornizave diplomatike kish shpërthyer: “Unë jam këtu për të marrë hak!” Dhe diku tjetër, ai vazhdon: “Kini kujdes prej patronazhistëve se nuk janë si unë…(dmth-paqësor). Këto thënie nuk i përkasin më një intelektuali, por një harrakati çoroditës.

Rama i viteve 90-91, djaloshi inteligjent e liridashës, porsa hypi në pushtet nuk mbeti më ëndërrimtari i përmbysjes rregjimit komunist, por një sozi i sëmurë…shumë i sëmurë…bash si, Kaligula. Mjerisht, shembuj tillë të krijojnë bindjen se, çdo ëndërrues i dyshimtë çjerr fasadën e vet dhe herët a vonë kthehet në oblivion. Ecje-jaket e zgjedhjeve u bënë një pezishkë, që me kohën krijuan një rrjet çeliku të pa penetrueshëm nga klani i babëzitjes dhe “hakmarrjes”, duke thyer rekord verbërie pushteti.

Me votimet e 11 Majit 2025, PS – bëri të njëjtin gabim fatal që bëri PD në vitin 1996. Këtu e kuptoj shumë mirë Sali Berishën, që nga eksperienca shprehet: “Më mirë që nuk fituam.” Rama në këtë rast u tregua i vogël dhe tejet i babëzitur. Mandati tij i katërt, ngjante me mandatin e pestë të Daniel Orteges, i cili pat përdorur të gjitha format për të qëndruar në pushtet,duke ekzekutuar përfundimisht demokracinë në Nikaragua. Dhe pse Ramës i mjaftonin votat që kish pasur më parë, biles edhe me ndonjë mungesë do i bënte mirë për të krijuar një bindje të zbutur: “votat qenë më të lira se katërvjeçarin e kaluar”. Por, babëzitja nuk e çliron dot kurthin e ndërgjegjes korruptuar, përkundrazi!

Ai u mundua t’a kalonte këtë farsë me sportivitet, por qe e pamundur prej zullumit të përsëritur!

Pjesa teatrale e gjunjëzimit para Melonit, nuk i piu ujë. Ajo me një buzëqeshje të ftohtë diplomatiko-ironike, e uroi: “Urime për fitoren e paparashikuar!”. Ai uli kokën, duke pohuar në heshtje që efekti i ketaminës kish mbaruar. Çdo diplomat i huaj nuk e ha dhe nuk e koncepton dot një fitore në një rrugëtim kur gjysma e qeverisë është futur në burg për plaçkitje…, dhe bash ajo parti të fitojë përsëri?! Këtu ose kemi të bëjmë me një popull primitiv, ose me një klan tepër të rrezikshëm që për qëllime personale mundohet t’a kthejë shqiptarin në troglodit dhe Shqipërinë në shpellën e tij. Farsa elektorale në Shqipëri, ka kaluar çdo kufi, që për mendimin tim, duhet të ndalet në një formë apo me një tjetër. Kur humb vota, ka humbur liria dhe kur humb liria, njeriu nuk ka çfarë humbet tjetër, përveç jetës. Vjedhja e votës është një skllavëri klasike, të cilën e përdorin vetëm diktatorët që krijojnë pushtet absolut.

INSTALIMI PATRONAZHIMIT QEVERITAR PËRBËN NJË RREZIK SERIOZ PËR DEMOKRACINË NË SHQIPËRI

Ky organizëm brenda partisë të kujton, Sturmabteilung – NSDAP SA e Hitlerit. Kupola pajis anëtarët e partisë me nga një dosje të detajuar për të manipuluar (peshkuar) me para, presion apo vende pune, të cilët shpërblehen në bazë të manipulimit të numrit të votuesve. Praktikë e psonisur dhe më 11 Maj, ndaj votës diasporës. Çdo i punësuar i PS-së në Shqipëri, që të qëndronte në punë duhej të siguronte nga diaspora 4 deri në 10 vota. Pra, në këtë rast nuk flitet më për partizanë, por artizanë deformimi moral-shpirtëror të lirisë dhe shëmtimin e njeriut!

Pas zgjedhjeve, Ambasada amerikane falemnderoi popullin shqiptar dhe jo qeverinë. Disa “përkthyes diplomat” paraqitën definicionin e ndërrimit të gjuhës së diplomacisë, kur mesazhi s’ka të bëjë aspak me gjuhën diplomatike, sepse diplomacia dhe shteti nuk janë populli, por liderët që zgjidhen me, apo pa votën e lirë. Diplomacia ka një gjuhë: “Gjuha instituticionale”, ndërsa gjuhët tjera janë: “ngushëlluese”, si në rastin në fjalë.

Mesazhi i Ambasadës Amerikane, ishte i drejpërdrejtë për shqiptarët: “Fatin tuaj e keni vetë në dorë, si me logjikë të fortë, qoftë dhe me logjikë të dobët. Ne jemi me zgjidhjen tuaj.” Ambasada amerikane mund të ketë pasur parasysh dhe thënien e Abraham Lincoln: “Zgjedhjet i përkasin popullit”, por cilit popull? Apo popullit të tradhëtuar dhe plaçkitur nga qeveritë e njëpasnjëshme ?! Prandaj diplomacia let natyrshëm me kornizën e kuotave të politikanëve që kanë bërë histori. Për mendimin tim, sikur Ambasada Amerikane, të dilte me një prononcim negativ për zgjedhjet…,të nesërmen sheshet do mbusheshin me pankarta për rrëzimin e qeverisë. Diplomacia, si art paqësor negociues midis shteteve nuk mund t’a pranojë kurrësesi kthimin në pikën zero të problemeve të njohura që ka kaluar vendi ynë.

Prandaj gjuha e Ambasadës Amerikane ka qenë shumë e qartë duke e situr prononcimin që të mos ketë keqkuptime në udhëkryqin e pasionit vetiak. Ndërsa OSBE dhe ODIHR dolën me një raport: “Klima e zgjedhjeve ishte e vështirë”, “Raste të intimidimit të kandidatëve”, “Fushata u fokusua me sulme armiqësore”, “U falën 150 milionë euro-gjoba 2 ditë para zgjedhjeve”, “Fushata nuk u monitorua online”, “U minua pluralizmi i burimeve mediatike”, “U kërcënua administrata publike”, “PS përdori administratën” etj…Siç shihet, kjo është pjesa e aisbergut diplomatik të kostatuar pa u zhytur në Mariana Trench. Nuk e di si ndihet Rama dhe inteligjenca e PS-së, por unë si qytetar i botës lirë, ndihem shumë keq. Pas kësaj, kush mendon që zgjedhjet kanë qenë të lira, u ngrohtë nga liria e Luciferrit në pafundësi…

*Analiza politike vijon në numrin e ardhshëm…

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 276
  • 277
  • 278
  • 279
  • 280
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT