• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkujtojmë sot në 103-vjetorin e lindjes albanologun e mirënjohur arbëresh, gjuhëtarin dhe profesorin Antonino Guxeta

October 15, 2025 by s p

QSPA/

Lindi më 14 tetor 1922 në Horën e Arbëreshëvet, Siçili. Ishte i biri i Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta), themeluesit të seminarit Arbëresh të Palermos. U diplomua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë të Universitetit të Palermos. Në vitin 1974 u emërua profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Oriental të Napolit. Në vitet 1975–1997 ka drejtuar Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos. Ka dhënë gjithashtu mësim edhe në Universitetin e Kalabrisë në vitet 1987–1990. Si drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare “Rosolino Petrota”, prej vitit 1968 organizoi 23 kongrese ndërkombëtare për studimet shqipe, aktet e të cilëve i publikoi rregullisht. Themeloi kolanën “Albanica” që numëron mbi 20 vëllime dhe shkroi një varg librash studimorë në fushën e gjuhësisë dhe të studimeve letrare. Ndër të cilët përmendim: “Gjurmë të shqipes në shekullin XV në dokumentet venedikase të kohës” (1968); “Ernest Koliqi, një poet social”(1968); “Magjia e së vërtetës: tregimet e Ernest Koliqit ndërmjet traditës dhe ripërtëritjes” (1974); “E folura e Piana degli Albanesi” – pjesa I – Fonologjia (1978); “Bajroni në Shqipëri” (1978); “Përshkrim fonematik i të folurës arbëreshe të konteshës Entellina”(1978); “Etnia shqiptare në Itali” (1978) etj. U nda nga jeta në Korrik të vitit 2017. Veprimtaria e tij i ka dhënë nxitje zhvillimit të albanologjisë në universitetet italiane gjatë një periudhe të vështirë, duke garantuar formimin e një brezi të ri studiuesish arbëreshë. Është dekoruar me disa çmime ndërkombëtare ndër të cilat iu akordua edhe Urdhrin “Naim Frashëri” më 1992. http://www.archivioradiovaticana.va/…/nd%C3…/sq-1327174

Filed Under: Histori

Artisti Salih Buzhala i bashkohet Vatrës

October 15, 2025 by s p

Artisti i shquar nga Kosova me banim në New York z.Salih Buzhala i bashkohet Federatës Vatra. I njohur me emrin artistik “Magicsal” ka lindur në qytetin e Ferizajit në Kosovë dhe prej një dekade jeton në New York. Në Amerikë ka kryer disa kurse trajnimi si prestigjiator ku argëton fëmijët por edhe të rriturit në New York e Kosovë. Vizitën dhe anëtarësimin në Vatër e quan shumë emocionues duke parë historikun e lavdishëm të këtij institucioni patriotik e shumë të rëndësishëm të shqiptarëve të Amerikës dhe të trojeve etnike shqiptare. “Si artist në këtë shtëpi të shenjtë mbarëkombëtare e atdhetare, unë do të jem i gatshëm të kontribuoj si artist e patriot, gjithmonë kurdo të ketë nevojë komuniteti ynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” u shpreh artisti Buzhala. Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për çdo patriot që mbështet Federatën Vatra e kontribuon për kombin, komunitetin e çështjen kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Vatra

Mona Liza dhe Madalena Doni, Leonardo Da Vinçi dhe Rafaelo, gjigandët e Rilindjes përballë njëri-tjetrit

October 14, 2025 by s p

Albert Vataj/

Këto janë dy tablo ikonike të titanëve të Rilindjes së Artë Italiane. Ata kanë kaq shumë ngjashmëri dhe akoma më shumë elementë dallues mes tyre. Janë të arta, sepse e artë ishte periudha kur ata u ngjizën për të rrokur përjetësinë, për të udhëtuar në mijëvjeçarë me të njëjtin solemnitet dhe madhështi, qyshkur zbritën spariherë në “pasarelat” e kumteve shprehëse estetike. Sfiduan kohën, duke gjunjëzuar në një akt solemn nderimi gjenerata të tëra adhuruesish, të cilët u magjepsën pas tyre dhe u shastisën prej misterit që fshihnin në nënlëkurën inkandeshente të toneve të ngjyrës dhe shpimeve të dritës.

Arti nuk është përfaqësuar nga shenjtorë, anipse ajo që forca e tyre përjetuese e ngriti aq lart shpirtin krijues, duke e pleksur si një shpërthim të vezullimtë ylli në galaksinë e Udhës së Qumështit. Gjithmonë historia njerëzore ka qenë bujarisht e përkëdhelur nga një adhurim i përmasave të tilla, si një formë shpërblese për mrekullinë që ai beson, magjinë së cilës ai i blaton pasion dhe përkushtim, ndjenjë të pastër adhurimi. E kësisojtë është ajo marrëdhënie, që na përfshin kur mëtojmë e mëkohemi prej një shkasi krijues që vjen nga thellësitë e kohës, për të dëshmuar mbi gjithëkohësinë e së tashmes së një komunikimi estetik. E kush më mirë se shpirtja krijuesve e titanëve të artit ka privilegjin të na qaset kësodoresh.

Këto dy tablo janë një befasi, të cilat na përfshijnë duke na yshtur në kureshti, shuarja e të cilave është njëjtësisht me zbërthimin e një ekuacioni. Sepse ata, Leonardo Da Vinçi dhe Rafaelo, nuk ishin thjeshtë piktorë, dhe përkime të tilla në artin e pikturës, nuk janë thjeshtë rastësi, janë ajo mistikë e komunikimit, me të cilin ata i folën kohës së tyre dhe epokave që mbasrendën.

Një shikim i shpejtë nuk e ka të vështirë të gjejë të përbashkëtat e këtyre pikturave. Të veçantat dhe ngjashmëritë e dy kryeveprave të dy gjenive të Rilindjes italiane, Leonardo Da Vinçi dhe Rafaelo, dëshmojnë më shumë se sa fshehin një histori të bashkëkohësve, të dy mjeshtrave, që u pavdeksuan me veprën e tyre dhe hyjnizuan me bekimin e penelit këto zonja fisnike.

Studiuesit qasen t’i lidhin këto dy punë, jo vetëm nga tërësia e elementeve përbërës të pikturave, por edhe nga historia e zanafillës së tyre. Të gjithë dakordësohen se është Rafaelo ai që ka sjellë një Madalena Doni, e cila merr shkas nga Mona Liza e famshme e Leonardo Da Vinçit. Pëshpëritet se Rafaelo e ka parë punën e Leonardos në studion e këtij të fundit, ndërkohë që ajo ishte e papërfunduar.

A kemi të bëjmë me një imitim apo një zgjatim të asaj qasje për të përafruar idetë dhe zëfilljet kompozicionale? Historia e artit është e mbushur me përngjasime, me akuza dhe trille, me teori të larmishme konspiracioni, gjithashtu. Në fund të fundit, secili ka patur vendin e vet në histori dhe qiellin e famës në lavdi.

Duhet të sjellim në vëmendje se shpesh pëlqimet apo dashuritë me shikim të parë të mjeshtrave, konkretizohen në përkime krijuese, pa dashakeqësinë dhe qëllimin e përvetësimit të ideve apo shtytjes në një mundësimi krijues. Rafaelo, i cili “akuzohet” se ka sjellë Madalena Doni referuar Moza Lizës së Da Vinçit është përpjekur të sjell diçka ndryshe nga mjeshtri, por duke ruajtur strukturën kompozicionale, si kundër duke bërë zhvendosje trajtimi dhe ezaurimi, si në sfond, në tonalitet ngjyrash, në veshje të zonjës, në pozicionin e duarve, në përqendrim dhe vështrim.

Secila prej këtyre dy tablove ka diçka ndryshe në atë që do të quajmë ligjërim krijues. Të gjithë elementët në dukje imitues, nga Da Vinçi, te Rafaeli pësojnë ndryshim, i cili është i themeltë në dekodifikimin e shprehive dhe gjesteve. Pavarësisht se Moza Liza është më e famshme se Madalena Doni, ajo nuk është më shprehëse dhe rrjedhimisht në ekzaminimet artistike që të dyja qëndrojnë në një lartësi.

Filed Under: Kulture

Paqja e Abrahamit II: Rrënjët biblike të një strategjie të re në Lindjen e Mesme

October 14, 2025 by s p

Si Donald Trump po përpiqet të ringjallë diplomacinë fetare në një rajon të përçarë

Analizë nga Rafael Floqi 

Në Sharm el-Sheikh, më 13 tetor 2025, Presidenti Donald Trump shpalli me ton solemn “agimin historik të një Lindjeje të Mesme të re”. Pas dy vjetësh luftë shkatërruese midis Izraelit dhe Hamasit, administrata e tij arriti të ndërmjetësojë një armëpushim të plotë, që përfshin lirimin e pengjeve, hapjen e kufijve dhe një plan rindërtimi për Gazën. Në një rajon ku konflikti duket i përjetshëm, Trump kërkon të imponojë një moment të ri – një Paqe të Abrahamit II – që shkon përtej marrëveshjeve të normalizimit të vitit 2020 dhe synon një arkitekturë të re rajonale.

Nga “Abraham Accords” tek një “pakt lindor” më gjithëpërfshirës

Në qendër të strategjisë së Trump qëndron koncepti i “Paqes së Abrahamit” – një vizion që e merr emrin nga patriarku biblik Abraham, figura themelore e përbashkët e judaizmit, krishterimit dhe islamit. Për Trump, kjo nuk është vetëm metaforë fetare; është një instrument politik për të ndërtuar urë besimi midis popujve të ndarë nga historia, feja dhe konfliktet e shekullit XX.

Në vitin 2020, Marrëveshjet e Abrahamit sollën normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Marokut dhe Sudanit. Por projekti i vitit 2025 është më ambicioz: për herë të parë, përfshin vetë Gazën dhe kërkon të krijojë një mekanizëm të përhershëm sigurie dhe bashkëpunimi që lidh Izraelin me shtetet kryesore myslimane – Egjiptin, Turqinë dhe Katarin – nën garancinë e SHBA-së.

Në Sharm el-Sheikh, përballë dhjetëra liderëve botërorë, Trump deklaroi:

“Ne kemi një mundësi unike në jetë për të lënë pas armiqësitë e vjetra dhe urrejtjet e hidhura. Kjo është Lindja e Mesme që Abraham do të kishte dashur – ku bijtë e tij më në fund jetojnë në paqe.”

Një diplomaci e re transaksionale

Strategjia e Trump në Lindjen e Mesme dallon nga ajo e çdo administrate tjetër amerikane: ajo është transaksionale, jo ideologjike. Në vend të përpjekjeve për “demokratizim”, Trump fokusohet në marrëveshje të prekshme – tregti, energji, siguri, investime. Për të, paqja është produkt i interesave, jo i idealizmit.

Në samitin e Sharm el-Sheikh, ai arriti të nënshkruajë me Egjiptin, Turqinë dhe Katarin një dokument për “Gazhën e së ardhmes”, që përfshin tre shtylla: Rindërtim ekonomik, përmes një fondi ndërkombëtar prej 30 miliardë dollarësh, ku kontribuojnë vendet arabe dhe korporatat perëndimore; Administrim civil ndërkombëtar, nën mbikëqyrjen e një komisioni të OKB-së dhe ligjvënësve palestinezë të moderuar; Siguri rajonale, me monitorim nga një mision shumëkombësh që përfshin 200 trupa amerikane dhe personel nga BE-ja, Egjipti e Turqia.

Kjo qasje pragmatike – për disa cinike – tregon se Trump po përpiqet të ndërtojë një Pax Americana të versionit të tij, ku SHBA nuk është më “garant moral”, por menaxher strategjik i paqes dhe stabilitetit.

Një rajon i lodhur nga lufta

Lufta Izrael–Hamas, që zgjati mbi 24 muaj, shkatërroi infrastrukturën e Gazës dhe vrau dhjetëra mijëra njerëz. Në shumë mënyra, ajo i dha fund iluzioneve se konflikti mund të kontrollohej me masa të pjesshme. Deri në verën e vitit 2025, përplasjet kishin përfshirë edhe kufirin me Libanin, duke e futur në lojë edhe Hezbollahun – aleatin më të fortë të Iranit.

Në këtë klimë, armëpushimi i 13 tetorit është më shumë se një ndalesë e luftës; është një përpjekje për të riformatuar vetë sistemin politik të Gazës. Trump e ka bërë të qartë se Hamas duhet të çarmatosej dhe të zëvendësohet nga një autoritet lokal i mbështetur nga vendet arabe dhe SHBA. “Është koha që populli palestinez të ndërtojë, jo të shkatërrojë,” tha ai në Knesset.

Në fjalimin e tij, Trump mori edhe një hap simbolik që tronditi opinionin publik: kërkoi që Presidenti i Izraelit të fali Benjamin Netanyahun, i cili përballet me akuza për korrupsion. “Ai është një nga udhëheqësit më të mëdhenj të kohës sonë të luftës,” tha Trump. Përkrahësit e tij e panë këtë si një akt lojaliteti ndaj aleatëve, kritikët si ndërhyrje e papërshtatshme në drejtësinë izraelite.

Irani dhe boshti i rezistencës: hije mbi paqen

Për Iranin, marrëveshja e re është një sfidë strategjike. Ajo e izolon regjimin e Teheranit nga fqinjët arabë dhe rrezikon ta lërë jashtë çdo formule të ardhshme rajonale. Pas bombardimeve të kufizuara që SHBA kreu në mars 2025 ndaj tri objekteve bërthamore iraniane, marrëdhëniet midis dy vendeve janë në pikën më të ulët që nga viti 1988.

Teherani ka reaguar me deklarata të ashpra, duke paralajmëruar se “pa drejtësi për palestinezët, paqja nuk do të zgjasë”. Ndërkohë, Hezbollahu në Liban dhe milicitë pro-iraniane në Irak e Siri kanë kërcënuar me “rezistencë të vazhdueshme”. Por me ekonominë iraniane të rrënuar dhe me ndikimin e Rusisë të dobësuar pas luftës në Ukrainë, Teherani ka pak hapësirë për veprim.

Në thelb, “Paqja e Abrahamit II” është edhe një strategji e fshehtë për rrethimin diplomatik të Iranit – një përpjekje për ta izoluar gjeopolitikisht përmes normalizimit midis Izraelit dhe vendeve myslimane që më parë ishin në anën e tij.

Arabia Saudite dhe Turqia: dy shtylla rivale të hegjemonisë rajonale

Një faktor kyç në suksesin e planit është qëndrimi i Arabia Saudite. Edhe pse nuk ishte pjesë formale e nënshkrimit në Sharm el-Sheikh, burime të diplomacisë amerikane thonë se Riadi e ka mbështetur procesin në heshtje. Princi i kurorës Mohammed bin Salman e sheh këtë si një mënyrë për të ruajtur ndikimin saudit në botën sunite dhe për të siguruar investime amerikane në projektet e tij të “Vision 2030”.

Në anën tjetër, Turqia e Erdoganit po përpiqet të ripozicionohet si ndërmjetëse. Pas viteve tensione me Izraelin, Ankara është rikthyer në diplomacinë rajonale me një qëndrim më realist. Nënshkrimi i Erdoganit në dokumentin e Sharm el-Sheikh ishte një nga momentet më të rëndësishme të samitit. Për herë të parë, Turqia dhe Izraeli u gjendën në të njëjtën tryezë nën ndërmjetësimin e SHBA-së dhe Egjiptit.

Evropa dhe sfida e rendit të ri

Ndërsa Lindja e Mesme po hyn në një fazë të re, Evropa mbetet e ndarë. Franca dhe Gjermania e kanë përshëndetur armëpushimin, por kërkojnë që ai të shoqërohet me “garanci të qarta për shtetin palestinez”. Bashkimi Evropian e sheh “Paqen e Abrahamit II” si mundësi, por edhe si paralajmërim për dobësimin e ndikimit evropian në rajon.

Ndërkohë, Rusia – e izoluar pas luftës në Ukrainë – ka reaguar me heshtje të mërzitur, ndërsa Kina ka bërë thirrje për një “zgjidhje gjithëpërfshirëse nën kornizën e OKB-së”, duke mos e përmendur fare emrin e Trumpit.

Gaza: midis shpresës dhe rrënojave

Në terren, situata mbetet dramatike. Gaza është shndërruar në një rrënojë urbane me më shumë se 60% të banesave të shkatërruara. Mbi dy milionë banorë përballen me mungesë ushqimi, ujë të pijshëm dhe energji. Plani i Trump parashikon rindërtimin e menjëhershëm të infrastrukturës kritike – spitale, shkolla dhe rrugë – përmes kompanive amerikane, turke dhe egjiptiane.

Por pa stabilitet politik, asnjë rindërtim nuk është i qëndrueshëm. Debati më i madh është mbi qeverisjen e Gazës: a do të administrohet nga një këshill i përkohshëm arab, nga Autoriteti Palestinez apo nga një ent i ri civil ndërkombëtar? Deri tani, asnjë palë nuk ka një përgjigje të qartë.

Dimensioni amerikan: Paqja si kapital elektoral

Në horizontin e afërt politik, kjo marrëveshje është edhe një aset elektoral për Donald Trump. Me fushatën presidenciale të vitit 2026 në prag, suksesi në Lindjen e Mesme mund të përkthehet në një fitore të madhe politike. Në fjalimet e fundit, ai e ka quajtur veten “Presidenti i Paqes”, duke e vendosur këtë marrëveshje në qendër të platformës së tij.

Analistët në Washington vërejnë se Trump po kërkon të krijojë një trashëgimi diplomatike që do ta veçojë nga paraardhësit e tij. Ndërsa administratat Obama dhe Biden u përqendruan në negociata të zgjatura pa rezultat, Trump po ofron një “model të marrëveshjeve të shpejta me rezultate konkrete”.

Një rend i ri apo një iluzion i vjetër?

Megjithë entuziazmin, dilemat mbeten të thella. A mund të mbahet një paqe e ndërtuar mbi interesat dhe jo mbi drejtësinë historike? A mund të ekzistojë një Lindje e Mesme e qëndrueshme pa një zgjidhje të qartë për statusin e Jerusalemit dhe të refugjatëve palestinezë?

Trump e di se kjo është një betejë jo vetëm politike, por edhe simbolike. Në një rajon ku figura e Abrahamit përfaqëson besëlidhjen e përbashkët të feve abrahamike – judaizmit, krishterimit dhe islamit – ai po përpiqet të shndërrojë mitin në mekanizëm diplomatik. Në këtë kuptim, “Paqja e Abrahamit II” nuk është vetëm një marrëveshje gjeopolitike; është një përpjekje për të krijuar një identitet të ri rajonal mbi bazën e bashkëjetesës dhe interesit të përbashkët.

Roli i Egjiptit dhe rivendosja e një ekuilibri arab

Nënshkrimi i marrëveshjes në Egjipt nuk është zgjedhur rastësisht. Që nga marrëveshja e Camp David-it më 1978, Egjipti ka qenë ura lidhëse midis Izraelit dhe botës arabe. El-Sissi e sheh këtë rol si mënyrë për të riafirmuar peshën e tij rajonale, ndërkohë që rivalët si Irani dhe Turqia kërkojnë të përfitojnë nga dobësia e Palestinës.

Në këtë kuptim, Abraham Accords 2.0 — siç janë pagëzuar tashmë nga disa diplomatë — janë më shumë se një marrëveshje paqeje; ato janë një përpjekje për të ridizenjuar hartën strategjike të Lindjes së Mesme nën kujdesin e një “rendit abrahamik” ku Izraeli, Egjipti dhe shtetet e Gjirit përbëjnë boshtin e stabilitetit.

Një mësim nga historia 4000-vjeçare

Por historia e Abrahamit mbetet një paralajmërim. Është historia e një patriarku që udhëtoi drejt një toke të premtuar, vetëm për ta parë pasardhësit e tij të ndahen për të njëjtën tokë. Është rrëfimi i tensionit mes premtimit hyjnor dhe realitetit njerëzor — një metaforë që përkthen më së miri fatin e Lindjes së Mesme.

“Ne duam gjithçka për veten, por historia na kujton se mund të jetojmë vetëm pranë tjetrit,” thotë Feiler. Ky është ndoshta mesazhi më i thellë i paqes së Abrahamit: ajo kërkon jo triumf, por bashkëjetesë; jo pushtim, por ndarje të trashëgimisë.

Konkluzioni: Diplomacia e besimit apo teologjia e interesit?

Në fund, pyetja që mbetet është nëse “paqja e Abrahamit” është një ideal i sinqertë apo një strategji e re e fuqisë. Për momentin, duket si një përzierje e të dyjave. Ajo e kthen mitin biblik në instrument politik dhe shpresën fetare në gjuhë të diplomacisë moderne.

Por nëse historia na mëson diçka, është se çdo marrëveshje në Lindjen e Mesme mbetet e brishtë për sa kohë që tokës i mungon drejtësia dhe njerëzve u mungon besimi.

Në këtë kuptim, rrëfimi i Abrahamit nuk është vetëm një metaforë; është një paralajmërim. Paqja e vërtetë do të vijë vetëm kur bijtë e Isakut dhe Ismailit të kuptojnë se trashëgimia e tyre nuk është pronë, por përgjegjësi — një kujtesë se besimi i përbashkët mund të jetë më i fortë se historia që i ndan.

Por historia e Lindjes së Mesme na kujton se çdo “paqje e madhe” ka qenë gjithmonë e përkohshme, derisa është shfaqur kriza e radhës. Për momentin, rajoni frymon më lirshëm, por nën sipërfaqe, plagët janë ende të hapura.

Në fjalët e fundit të samitit, Trump tha:

“Abrahami ndau bijtë e tij, por Zoti na dha mundësinë t’i ribashkojmë. Ky është misioni ynë – dhe historia do ta gjykojë nëse e përmbushim.”

Nëse kjo “Paqe e Abrahamit II” do të bëhet themeli i një epoke të re apo një kapitull tjetër në ciklin e pafund të lindjesmesës, mbetet për t’u parë. Por për momentin, Sharm el-Sheikh 2025 mbetet pika ku historia, feja dhe politika u ndërthurën sërish për të kërkuar një paqe që ende duket aq e largët sa dhe premtuese. 

Filed Under: Politike

Shqiponjat e Shkollës Shqipe “Alba Life’ në Bronx në Paradën vjetore të Ditës së Kristofer Kolombos

October 14, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Duket se Shkolla Shqipe “Alba Life” në Bronx e cila është një histori suksesi edhe pse ka pak javë që ka filluar mësimin është përfshirë në dy aktivitete madhështore shqiptare dhe amerikane.  Në fund të shtatorit Shkolla Shqipe “Alba Life” një nga degët e rrjetit më të madh të Alba Life në Diasporë mirëpriti Presidentin e Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj ku nga nxënësit e kësaj shkolle pati një performancë madhështore. 

Ndërsa ditën e diel më 12 tetor, te ftuar nga Ansambleisti i mirënjohur i Parlamentit të Nju Jorkut z. John Zaccaro Jr. një dashamirës i madh i shqiptarëve si dhe mbështetës pa kushte i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit mori pjesë në Paradën vjetore të Ditës së Kristofer Kolombos, që përkonte me vitin e 48-të të saj.  

Shkolla Shqipe “Alba Life” në Bronx parakaloi me krenari të ligjshme edhe për faktin se e ka filluar hapjen e Shkollës Shqipe në Bronx në Shkollen me emrin e madh “Christofer Colombos” dhe po e vazhdon me plot dinjitet duke rritur reputacionin në sytë e drejtoreshës, ekipit të saj dhe të gjithë oficerëve të sigurimit.

Një grup nxënësish me mësueset e tyre profesionisete Helenën, Erindën dhe Migenën, marshuan në rrugën e njohur “Morris Park”.  Spektatorët e shumtë përgjatë trotuareve duartrokisnin dhe brohorisnin grupet e ndryshme që marshonin me krenari për këtë ditë feste kombëtare.  Midis grupeve ë mëdha si Fondacioni Bally dalluar për humanizëm apo grupe të tjera nga shkollat, bizneset, bandat muzikore i jepnin rrugës një gjallëri dhe entuziazëm të mrekullueshëm.  Edhe pse ishte një ditë e zymtë të gjithë pjeëmarrësit më dukeshin sikur formonin një diell përfshi dhe nxënësit, prindërit dhe mësuesit e Alba Life.  

TV dhe shkollat Shqipe “Alba Life” e kanë programin e tyre të nderojnë figurat e ndritura historike si të Shqipërisë ashtu dhe Amerikane, përfshirë dhe këtë ditë pushimi të vendosur në saje të zbulimit të madh që realizoi Kristofer Kolombo. Ftesa nga z, John Zaccaro dhe znj. Fisnike dhe plot mirësi nga Ornela Beshiri u mirëprit me dashuri dhe respekt të pakufishëm.  

Flamujt italianë, amerikanë, shqiptarë dhe të vendeve të ndryshme sollën një botë të tërë me ngjyrat e tyre kombëtare në atë atmosferë festive.  

Tejet emocionuese ishte kur gjatë rrugës spektatorët na përshëndesnin duke bërë shqiponjën apo vinin me vrap kush e kush të bënte foto me logon e Alba Life.  Natyrisht është krenari kur ne jemi një, sepse na bashkon Flamuri, na bashkon Gjuha Shqipe. 

Shkolla Shqipe “Alba Life” u paraqit para skenës kryesore me vallen “K’cimi i Tropojës” e cila është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO. Mesuesit e Shkollave Shqipe “Alba””Life” kanë 19 vjet që per cdo vit e performojnë këtë valle në klasa dhe në skenat e Nju Jorkut dhe natyrisht nuk kishte lajm më të bukur ta performonim dhe në këtë ditë feste kombëtare amerikane! Aparatet fotografike, gazetarët, mediet amerikane, amatorët si dhe Ansambleisti John Zaccaro duatrokiste nxënësit e Alba Life gjatë vallëzimit të tyre.  Ky grup nxënësish tërhoqi vemendjen në disa medie dhe njera prejt tyre është Bronx 12 news të cilët e publikuan në media.   

Kjo ditë feste është homazh për rrënjët, për komunitetin e madh italo-amerikan që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në të gjitha fushat në ndërtimin e Amerikës.

Dita e Kristofer  Kolombos është një ditë kombëtare pushimi në shumë vende të Amerikës dhe në vende të tjera, dhe një ditë pushimi federal në Shtetet e Bashkuara, e cila zyrtarisht feston përvjetorin e mbërritjes së Kristofer Kolombos në Amerikë. 

Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Donald Trump ka nënshkruar një proklamatë, më  9 tetor, 2025 ku nder të tjera shkruhet se “Sot kombi ynë nderon legjendarin Christopher Columbus, heroi origjinal amerikan, një gjigant i civilizimit perëndimor dhe një nga burrat më trim dhe vizionar që kanë ecur ndonjëherë mbi faqen e tokës. Në këtë Ditë të Columbus-it, ne nderojmë jetën e tij me respekt dhe mirënjohje, dhe premtojmë të rikuperojmë trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme të besimit, guximit, këmbënguljes dhe virtytit nga zjarrvënësit e krahut të majtë që kanë kërkuar të shkatërrojnë emrin e tij dhe të poshtërojnë kujtimin e tij.I lindur në Gjenova, Itali në vitin 1451, Columbus u shfaq shpejt si një titan i Epokës së Zbulimeve. Më 3 gusht 1492, pas viteve të studimit të intensifikuar, përgatitjeve dhe kërkesave, Christopher Columbus siguronte financimin nga Kurora Spanjolle për të nisur një ekspeditë të guximshme që shumica e njerëzve e mendonin të pamundur. I komanduar nga Ferdinand dhe Isabella e Spanjës, Columbus dhe ekuipazhi i tij u hipën në tre anije të vogla — Niña, Pinta dhe Santa Maria për t’u nisur në një udhëtim të rrezikshëm për

përtej Atlantikut.  Ai udhëhiqej nga një mision fisnik: të zbulonte një rrugë të re tregtare për në Azi, të sillte lavdi për Spanjën dhe të përhapte Ungjillin e Jezus Krishtit në vende të largëta. Pak më shumë se 2 muaj më vonë, më 12 tetor 1492, Kolombi arriti në tokë në Bahamas moderne. Me mbërritjen e tij, ai mbolli një kryq madhështor në një akt të fuqishëm përkushtimi, duke ia kushtuar tokën Zotit dhe duke filluar trashëgiminë krenare të Amerikës në besim. Edhe pse fillimisht besonte se kishte arritur në Azi, zbulimi i tij hapi kufirin e gjerë dhe mrekullitë e panumërta të Botës së Re për Evropën. Më pas, ai udhëtoi më tej në Kubë dhe ishujt e tjerë në Karaibe duke eksploruar bregdetet e tyre dhe duke u angazhuar me njerëzit e tyre.

Dita e diel për të gjithë ne që parakaluam do të jetë një ditë që do të ngelet gjatë në kujtesën tonë dhe një trendafil I bukur gjithë aromë në historinë e familjes së madhe alba Life, si dhe ne historikun e Paradës kushtuar zbuluesit të madh Kristofer Kolombos. 

12 Tetor, 2025

Bronx, New York

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 285
  • 286
  • 287
  • 288
  • 289
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT