• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GRUPI I VALLEVE “ALBOS”, KULTURË DHE TRASHËGIMI SHQIPTARE NË MONTREAL TË KANADASË

September 18, 2025 by s p

Anna Hasa, kordinatore e grupit të valleve “Albos”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, cultures e traditës shqiptare në Montreal të Kanadasë përmes veprimtarive kulturore, komunitare e atdhetare.  Ajo rrëfen me pasion punën artistike dhe shpirtërore të grupit të valleve “Albos”  me vajzat shqiptare krenare për rrënjët e tyre, historinë e traditën kombëtare. Me patrioten Anna Hasa bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIA E THEMELIMIT TË GRUPIT TË VALLEVE “ALBOS”

Grupi i valleve “Albos” u formua në vitin 2023, vetëm një muaj para festës së Flamurit, që Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal organizonte për komunitetin. Ishte pikërisht ky aktivitet i rëndësishëm që ndezi idenë dhe dëshirën për të krijuar një grup vallesh që do të përfaqësonte me krenari traditat tona në atë mbrëmje madhështore. Ajo që nisi si një nismë modeste për një aktivitet të vetëm shumë shpejt u shndërrua në një projekt të përhershëm, falë pasionit të vajzave dhe mbështetjes së prindërve. Sot, “Albos” është kthyer në një nga shtyllat kryesore të ruajtjes së kulturës dhe trashëgimisë shqiptare në Montreal.

ORGANIZIMI I GRUPIT, PASION DHE TALENT

Grupi i valleve “Albos” është i organizuar në disa grupmosha, duke filluar nga fëmijët më të vegjël deri tek të rinjtë. Mësimet zhvillohen rregullisht gjatë fundjavës ose përpara eventeve të rëndësishme ku marrim pjesë, në orare të përshtatshme për prindërit dhe fëmijët, dhe mbahen në hapësira të dedikuara për aktivitete kulturore. Aktualisht, grupi përbëhet gjithsej nga 10 vajza, të cilat mësojnë jo vetëm hapat dhe koreografitë e valleve shqiptare, por edhe kuptimin dhe historinë që fshihet pas tyre. Ato njihen me kostumet tradicionale, me karakterin e veçantë të çdo treve dhe me vlerën shpirtërore të folklorit tonë. Mësuesja e grupit është Emanuela Guberaj, e cila ka trashëguar nga familja e saj rrënjë të thella për vallet dhe kulturën shqiptare. Me përkushtimin, pasionin dhe energjinë e saj, ajo i udhëheq vajzat me dashuri, duke e bërë çdo provë një përvojë argëtuese, edukative dhe motivuese.

“ALBOS” PJESË E RËNDËSISHME KULTURORE E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË MONTREAL

Që nga themelimi në vitin 2023, grupi i valleve “Albos” ka marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme kulturore të komunitetit shqiptar në Montreal. Performanca jonë e parë ishte pikërisht në festën e Flamurit të organizuar nga Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal, ku vajzat u pritën me shumë duartrokitje dhe entuziazëm nga publiku. Që prej asaj dite, Albos është bërë pjesë e pandashme e aktiviteteve kombëtare, festive dhe kulturore që organizohen në qytet. Synimi ynë është që grupi të vazhdojë të rritet, të përfshijë më shumë fëmijë e të rinj dhe të shndërrohet në një ansambël të madh që përfaqëson me dinjitet kulturën shqiptare jo vetëm në Montreal, por edhe më gjerë. Planet tona afatgjata përfshijnë pjesëmarrjen në festivale kulturore ndërkombëtare dhe aktivitete që bashkojnë shqiptarët në Kanada, si dhe prezantimin e traditave tona në skena më të mëdha jashtë vendit.

DASHURIA DHE PASIONI PËR VALLET TRADICIONALE

Grupi i valleve “Albos” ende nuk ka marrë çmime zyrtare, por për ne çmimi më i madh është dashuria dhe pasioni që këto vajza kanë për vallet tradicionale. Ato përpiqen çdo ditë të mësojnë hapat, të kuptojnë historinë dhe emocionin e secilës valle dhe ta transmetojnë këtë dashuri tek publiku në çdo performancë. Përkushtimi i tyre, energjia dhe gëzimi që sjellin në skenë janë vlerësimi më i madh që mund t’i jepet një grupi vallesh, dhe kjo e bën Albos të veçantë dhe të dashur për komunitetin e Montrealit.

PËRPJEKJET KULTURORE PËR RUAJTJEN E TRADITËS SHQIPTARE

Grupi i valleve “Albos” është më shumë se një grup vallesh – është një urë lidhëse mes brezave dhe traditës shqiptare. Përmes aktivitetit të tyre, vajzat mësojnë dhe ruajnë jo vetëm hapat dhe koreografitë, por edhe historinë, kulturën dhe vlerat që fshihen pas çdo valle tradicionale. Përpjekjet tona përfshijnë prezantimin e kostumeve tradicionale, shpjegimin e origjinës së secilës valle dhe organizimin e performancave që lidhen me festat dhe ngjarjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Në këtë mënyrë, grupi ndihmon vajzat të lidhen me rrënjët e tyre, të kuptojnë identitetin kombëtar dhe të ndihen krenare për trashëgiminë që ruajnë. Si koordinatore, e ndjej çdo ditë rëndësinë e kësaj pune. Kur shoh vajzat duke vallëzuar me pasion dhe duke transmetuar emocion në çdo valle, kuptoj se po i japim atyre një lidhje të drejtpërdrejtë me historinë dhe kulturën shqiptare – një dhuratë që do ta mbajnë me vete gjatë gjithë jetës.

PATRIOTIZËM DHE DASHURI PËR ATDHEUN

Puna kulturore e grupit “Albos” ka rritur ndjeshëm ndjenjën e patriotizmit te vajzat. Duke mësuar hapat dhe historinë e çdo valle, duke njohur kostumet tradicionale dhe duke marrë pjesë në aktivitete kulturore, ato kuptojnë vlerën e trashëgimisë së tyre dhe krenarinë që buron nga rrënjët shqiptare. Përmes çdo prove dhe performancë, vajzat mësojnë të respektojnë traditën dhe të ndihen pjesë e komunitetit shqiptar në Montreal. Ky kontakt i drejtpërdrejtë me kulturën i bën ato më të vetëdijshme për identitetin e tyre kombëtar dhe rrit dashurinë për atdheun, edhe pse jetojnë larg tij. Kur vajzat vallëzojnë me pasion dhe emocion, shoh sytë e tyre plot krenari dhe them me veten se kjo ndjenjë e patriotizmit nuk është thjesht një mësim, por një përvojë që do ta mbajnë me vete gjatë gjithë jetës.

KUSH ËSHTË ANNA HASA?

Unë jam Anna Hasa, koordinatore e grupit “Albos”. Puna ime konsiston në organizimin e aktiviteteve, koordinimin e provave dhe përzgjedhjen e repertorit në bashkëpunim me mësuesen, duke u siguruar që çdo performancë të realizohet me përkushtim dhe pasion. Për mua, “Albos” nuk është vetëm një grup vallesh – është një familje ku çdo vajzë mëson, lidhet me kulturën e saj dhe zhvillon talentin e saj artistik. Kam një përgatitje profesionale si juriste, që nuk lidhet drejtpërdrejt me vallëzimin, por pasioni im për artin dhe traditat shqiptare më ka shoqëruar që fëmijë. Që në moshë të vogël kam qenë pjesë e shkollave të kërcimit dhe kam marrë pjesë si valltare në aktivitete të ndryshme në Shqipëri. Ky pasion dhe përvoja më kanë shtyrë ta vë në praktikë këtu në Montreal, duke formuar grupin “Albos” dhe duke promovuar kulturën dhe traditën shqiptare tek brezat e rinj. Qëllimi im është që çdo vajzë pjesë e Albos të ndihet krenare për rrënjët e saj shqiptare, të mësojë traditën me pasion dhe të transmetojë dashurinë për kulturën tek të tjerët.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Dëshmia e James Rubin – sinjal për përgjegjësi e transparencë

September 18, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Dëshmia e James Rubin në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk është një detaj dytësor në proceset gjyqësore për Kosovën, por një sinjal i qartë mbi mënyrën se si bashkësia ndërkombëtare e sheh raportin midis luftës për liri dhe standardeve të drejtësisë. Rubin, si njëri ndër zërat e njohur të diplomacisë amerikane gjatë viteve të 90-të, përfaqëson kujtesë historike për rolin e SHBA-së në çlirimin e Kosovës, dhe dëshminë që lidh politikën ndërkombëtare me proceset aktuale gjyqësore.

Në këtë kuadër, vlen të theksohet se Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë nënvizoi disa të vërteta të pamohueshme se: akuzat ndaj UÇK-së ishin të fabrikuara nga rusët dhe të sponsorizuara nga serbët; nuk është gjetur asnjë provë se drejtuesit e UÇK-së kanë dashur të ekzekutojnë njerëz; dhe se Hashim Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës.

Këto deklarata jo vetëm që rrëzojnë narrativat e shpifura kundër luftës çlirimtare, por i japin edhe një bazë më të fortë morale-politike mbrojtjes së saj në çdo instancë ndërkombëtare.

Ky akt ka dy mesazhe thelbësore:

1. Për drejtësinë, se çdo proces gjyqësor duhet të jetë transparent, me bazë në prova, dhe jo në narrativat e fabrikuara nga propaganda serbe.

Dëshmitë si ajo e Rubin shërbejnë për ta vendosur kontekstin e drejtë historik: se ndërhyrja e NATO-s dhe rezistenca e UÇK-së ishte përgjigje ndaj një regjimi gjenocidal.

2. Për politikën, se Kosova nuk duhet të lejojë të relativizohet lufta e saj çlirimtare.

Nëse në sallën e Hagës artikulohet e vërteta për spastrimin etnik dhe dhunën sistematike të Serbisë, atëherë detyra e institucioneve të Kosovës është që ta forcojnë këtë të vërtetë edhe në skenën ndërkombëtare, duke mos e lënë të deformohet nga propaganda.

Prandaj, dëshmia e Rubin nuk është thjesht pjesë e një dosjeje gjyqësore, është dëshmi politike e morale.

Është kujtesë se lufta e Kosovës nuk ka qenë konflikt i barabartë palësh, por luftë mes agresorit dhe viktimës. Dhe është obligim i klasës politike të Kosovës që këtë kapital të së vërtetës ta ruajë, ta mbrojë dhe ta shndërrojë në forcë diplomatike.

Filed Under: Ekonomi

𝐃𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐊𝐮𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐮𝐭𝐞̈𝐬 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧𝐞

September 18, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Sot SHBA feston Ditën e Kushtetutës. Më 17 shtator 1787 delegatët në Konventën e Filadelfias firmosën Kushtetutën e SHBA, dokumentin më jetëgjatë deri më sot, ndërkohë me tekstin më të shkurtër që ekziston nga të gjitha kushtetutat e vendeve të tjera, të cilat u bënë me një të tillë duke marrë shembull atë të SHBA.

SHBA është shembulli i republikës në veprim për mbarë globin. Por, eksporti më i rëndësishëm i Amerikës në botë ka qenë Kushtetuta e saj. Ajo u hartua si kushtetuta e parë në një dokument të vetëm. Është dokumenti me jetëgjatësinë më të madhe. Dhe gjatë dy shekujve të fundit çdo komb e ka pranuar nevojën dhe vlerën e të pasurit një kushtetutë. Dhe në rastet kur vendet kanë hartuar një të tyren, referenca ka qenë pikërisht Kushtetuta Amerikane. Madje ka pasur shumë përpjekje për të importuar Kushtetutën dhe sistemin e qeverisjes së SHBA-së dhe për t’i zbatuar ato në pjesë të tjera të botës, por ato kanë qenë të pasuksesshme. Kjo ka ardhur për faktin se Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes amerikane janë pasqyrim i mentalitetit, vlerave dhe identitetit amerikan. Shumë vende, veçanërisht ato në Amerikën Latine, u përpoqën të imitonin qeverinë dhe Kushtetutën e SHBA, por dështuan. Bolivia e provoi, dhe si rezultat pësoi gjashtëdhjetë revolta, dhjetë kushtetuta të rishkruara dhe gjashtë presidentë të vrarë midis viteve 1826 dhe 1898. Simon Bolivar (1783-1830), i njohur si George Washington i Amerikës së Jugut, vdiq një idealist i zhgënjyer nga dështimi për të zbatuar kushtetutën e vendit të tij, të modeluar sipas asaj amerikane. Arsyeja e dështimit nuk ishte gjë tjetër veçse fakti se Kushtetuta Amerikane u hartua për popullin dhe shoqërinë amerikane, e cila qëndron e bazuar mbi disa parime të caktuara.

Kushtetuta e SHBA-së ka një sërë amendamentesh specifike për të drejtat e njeriut të njohura si Bill of Rights. Hartuesit dhe ratifikuesit e Kushtetutës së SHBA-së i mësuan botës se nuk mund të ketë kushtetutë pa një seksion të veçantë që rendit të drejtat individuale.

Gjithashtu, në hartimin e Kushtetutës amerikane, u krijua një emër dhe ofiq i ri që nuk kish ekzistuar më parë: Presidenti. Për herë të parë në histori u krijua figura dhe detyra e Presidentit. Një shembull një u mor më pas nga shtete të tjera.

Kushtetuta i dha ofiqit të Presidentit kompetencën të ishte “Komandanti i Përgjithshëm i Forcava të Armatosura dhe Marinës, të bënte falje, të nënshkruante marrëveshje me kombe të tjera (nën këshillimin e Senatit), si edhe të caktonte ambasadorë, konsuj, gjyqtarë të Gjykatës Supreme.” Presidenti ishte drejtues lufte por nuk mund të shpallte luftë dhe as të paguante për luftën pasi këto pushtete i kishte legjislativi.

Kushtetuta i jepte legjislativit, pushtetit me shumë individë më shumë kompetenca, ndërsa ekzekutivit, pushtetit që drejtohej nga një njeri i vetëm shumë pak prej tyre.

Në këtë kushtetutë Presidenti i SHBA ka më pak pushtet se pushtetet e tjera. Në fakt, themeluesit e kushtetutës nuk lejuan që një njeri i vetëm, apo edhe një grup njerëzish të mernin në dorë fatet e një kombi. Kjo do ndryshonte më vonë në shekullin e njëzetë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të senatorëve dhe me pushtetet që do i kalonin presidentit, sidomos shpallja e luftës pa miratimin e Kongresit, të cilat do e bënin një individ të vetëm njeriun me pushtetin më të madh në SHBA dhe si rrjedhojë edhe në botë.

Kushtetuta amerikane ka një ndarje pushtetesh e cila funksionon në mënyrë të përkryer. E jo vetëm kaq, por qeverisja amerikane ka një dinamikë dhe një formulë rotacioni të paprecedentë.

Përpjekjet e etërve amerikanë për të mos lejuar asnjë individ të bëhej mbret apo Zot duken qartë në ekuacionin e rotacioneve të kongresmenëve, senatorëve, kolegjit elektoral, dhe mandatit të gjykatësve të Gjykatës Supreme.

Themeluesit e Kushtetutës caktuan që pushteti legjislativ, Kongresi, të përbëhej nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Në Dhomën e Përfaqësuesve çdo shtet do dërgonte një numër përfaqësuesish sipas numrit të popullatës së çdo shteti. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga çdo shtet pavarësisht numrit të popullatës. Kjo u bë për të ruajtur balancën midis demokracisë popullore dhe drejtimit të elitave.

Për më tepër kushtetuta vendosi se zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të bëhen çdo dy vjet, për President çdo katër vjet, për Senat çdo gjashtë vjet, ndërsa mandati i gjykatësve të Gjykatës Supreme të jetë i përjetshëm në mënyrë që gjykatësit të mos ndikoheshin nga rotacionet politike. Në këtë mënyrë kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit.

Por, sikur të mos mjaftonte kjo ndarje, edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo e presidentit kalonte përmes një procesi rotacioni edhe më filtrues. Neni 1, Pika 3, e Kushtetutës së SHBA thotë: “Senati do ndahet në tre Kategori. Karriget e Senatorëve të Kategorisë së Parë do jenë të lira në përfundim të vitit të dytë, dhe Kategoria e dytë do përfundojë në vitin e katërt, ndërsa Kategoria e tretë në vitin e gjashtë.” Ndërsa Presidenti, me mandat katër vjeçar, nuk do zgjidhej drejtpërdrejtë nga populli, por nga një grup përfaqësuesish, që njihet si Kolegji Elektoral, nga çdo shtet.

Etërit amerikanë krijuan një Republikë të bazuar mbi parimet më të shëndosha të qeverisjes.

Sistemi politik dhe qeverisës në SHBA është i balancuar dhe unik. Ndarja horizontale e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është tërësisht e ndryshme nga vendet e tjera, sado demokratike qofshin ato. Asnjë shtet tjetër nuk është kaq i obsesuar me ndarjen e pushteteve si në Amerikë.

Në sisteme presidenciale dhe parlamentare të ngjashme përsa i përket ndarjes horizonatale të pushtetit është presidenti, parlamenti apo kryeministri ai që kanë pushtet mbi të tjerat. Edhe një institucion kolegjial si parlamenti mund të shndërrohet në absolutizëm pasi si kryeministri ashtu edhe ministrat e qeverisë dalin nga parlamenti për aq kohë sa ka një shumicë të thjeshtë. Një qeveri parlamentare nuk has aq shumë vështirësi sa presidentët amerikanë për të shndërruar në ligje propozimet e tyre. Qeveria paraqet direkt legjislaturën e vet në parlament. Zakonisht kontrollon kalendarin dhe agjendën legjislative. Situata është tërësisht ndryshe në sistemin amerikan. Agjenda legjislative nuk kontrollohet nga presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë më shumë produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit sesa Kongresit dhe Presidentit. Ky sistem balancash e ka bërë SHBA vendin më të zhvilluar dhe udhëheqës në botë.

E pluribus unum (Nga shumë, një). Kjo është motoja e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. 50 shtete në një.

Një vend me mbi 56 mijë qeveri. Me mijëra njësi qeverisje të ndara në 36 mijë qytete e qyteza, dhe 35 mijë distrikte të veçanta!

Vendi me diversitetin më të madh njerëzor por të gjithë të bashkuar në një qeveri, një komb dhe një flamur! “Nga shumë, një” është një markë unike amerikane e cila u arrit falë atij dokumenti që u firmos në Filadelfia më 17 shtator 1787, Kushtetutës, për të cilën Presidenti dhe zyrtarët e lartë të SHBA betohen në marrjen e detyrës se do ta respektojnë, ruajnë e mbrojnë me të gjithë forcën dhe aftësinë e tyre.

Filed Under: Opinion

E vërteta e luftës së Kosovës përballë propagandës serbo-ruse: James Rubin rrëzon akuzat ndaj UÇK-së

September 18, 2025 by s p

Nga: Ramiz Tafilaj

Houston, Texas/

Procesi gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së është kthyer në një arenë ku përplasen jo vetëm dëshmitë dhe faktet juridike, por edhe kujtesa historike dhe propaganda e djeshme e Beogradit e Moskës. Në këtë kontekst, dëshmia e James Rubin – një prej zërave më të njohur amerikanë të diplomacisë së viteve 1990 – merr një peshë të jashtëzakonshme.

Rubin, i cili ka qenë ndihmës sekretar i Shtetit dhe zëdhënës i Departamentit të Shtetit, dëshmoi qartë se Hashim Thaçi nuk kishte kontroll absolut mbi UÇK-në dhe se ajo nuk funksiononte si një ushtri klasike me komandë të centralizuar. Ky fakt vetvetiu përgënjeshtron akuzat e ngritura se krerët e saj urdhëronin krime apo ekzekutime. Përkundrazi, Rubin konfirmoi se nuk ekzistonte asnjë provë nga inteligjenca amerikane apo ajo ndërkombëtare që Thaçi ose Jakup Krasniqi të kishin dhënë urdhëra të tillë.

Këtu zbulohet një e vërtetë e hidhur: shumë prej akuzave që qarkullonin në atë kohë ishin të fabrikuara nga aparati propagandistik serb dhe i amplifikuara nga Rusia. Raporte false, dokumente të sajuara dhe shpifje të dizajnuara me qëllim degradimin e UÇK-së, u shpërndanë në botë për ta relativizuar luftën e drejtë të Kosovës dhe për ta barazuar viktimën me agresorin. Ky ishte dhe mbetet një mekanizëm klasik i propagandës: ta përmbysësh realitetin në mënyrë që krimineli të duket viktimë, e viktima kriminel.

Por e vërteta historike është e dokumentuar: Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si reagim i domosdoshëm i një populli të shtypur. Nuk ishte ushtri pushtuese, por ushtri mbrojtëse; nuk ishte mjet i interesave personale, por i lirisë kolektive. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe është fyerje ndaj mijëra familjeve shqiptare që dhanë jetën, gjakun dhe rininë e tyre për Kosovën.

Në këtë pikë, analiza merr dimensionin e sotëm: edhe pas çlirimit, disa zëra – të brendshëm e të jashtëm – nuk kanë reshtur së hedhuri baltë mbi figurat kryesore të UÇK-së. Ky fenomen nuk është vetëm padrejtësi morale, por edhe një rrezik politik, sepse cenon unitetin kombëtar dhe hap plagë të reja mbi sakrificën e popullit shqiptar. Është detyrë e çdo intelektuali, gazetari dhe politikani të bëjë dallimin mes kritikës së ndershme dhe propagandës së fabrikuar.

Dëshmia e James Rubin na rikujton një të vërtetë themelore: lufta e Kosovës nuk ishte aventurë politike, por një luftë për mbijetesë. Përballë masakrave, spastrimit etnik dhe shfarosjes së planifikuar nga regjimi serb, ndërhyrja e NATO-s nuk ishte thjesht opsion, por domosdoshmëri. Ishte një akt moral dhe politik që shpëtoi një popull të tërë dhe hapi rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Prandaj, përtej sallës së gjyqit në Hagë, e vërteta mbetet e qartë: Lufta e Kosovës ishte e drejtë, UÇK-ja ishte në shërbim të popullit të pafajshëm, dhe propaganda serbo-ruse nuk mund të zhbëjë realitetin e shkruar me gjak e sakrificë.

Filed Under: Politike

Narrativa serbo-ruse për Kosovën

September 18, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

“Prezenca e gjerë e elementëve kriminalë në Kosovë të lidhur me grupe terroriste të Lindjes së Mesme, kryesisht të Sirisë, si dhe bandave kriminale në Ballkan dhe pjesë tjera të Europës, do të thotë se rajoni me historinë e janë të pasur dhe trashëgiminë kulturore është duke u bërë një strehë e hajnave dhe kriminelëve të të gjitha llojeve. A duhet të jetë kjo ndonjë befasi kur ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë strukur si elita sunduese e Prishtinës? Për të hetuar mizoritë, përfshirë vrasjet dhe rrëmbimet me qëllim të trafikimit të paligjshëm të organeve të kryera nga disa prej tyre, u krijua një gjykatë e posaçme me nismën e BE-së pas një raporti të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty. Ne ende jemi duke pritur që ky organ gjyqësor të fillojë punën dhe të ngrejë akuza kundër kriminelëve.”

Ky citat është pjesë e një artikulli të përbashkët e Sergey Lavrov, Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë, dhe Ivica Daciq, Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, i botuar më 18 qershor 2020 në Rossiyskaya Gazeta dhe Kurir, dhe i i publikuar edhe në portalin e Ministrisë së Jashtme të Federatës Ruse në gjuhën ruse, gjermane, franeceze, spanjolle dhe portugale

Daciq dhe Lavrov në këtë artikull anti Kosovë paraqet vizionin e përbashkët rus dhe serb për të Kosovën. Daciqi dhe Lavrov theksojnë se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, dhe homologu i tij, Ivica Daciq, bëjnë propagandë agresive ndaj shtetit të Kosovës, duke theksuar se shteti i Kosovës është në buzë të greminës ekonomikisht dhe se krimi është në rritje të vazhdueshme. Po ashtu, ata asokohe kërkonin që Gjykata Speciale të marrte vendime sa më shpejt ndaj “kriminelëve” të UÇK-së si dhe kërkonin që të respektohet Rezoluta 1244 si një zgjidhje përfundimtare.

Një pjesë qendrore e tekstit të Daciqit dhe Lavrovit është kritika ndaj Perëndimit – SHBA-së dhe BE-së – të cilat akuzohen se imponojnë zgjidhje të njëanshme, injorojnë interesat e Serbisë dhe nxisin destabilitet përmes mbështetjes së “separatizmit kosovar”. Artikulli denoncon gjendjen e brendshme në Kosovë, të cilës i atribuohet korrupsion, krim i organizuar dhe ndikim i ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke u ndalur sidomos te akuzat për krime lufte dhe trafikim organesh. Po ashtu, theksohet se Gjykata Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së, themeluar me nismë të BE-së, ende nuk ka dhënë rezultate.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 330
  • 331
  • 332
  • 333
  • 334
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT