• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, SHBA dhe diplomacia e kryeneçësia

September 16, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi /

A është e garantuar mbështetja amerikane? 

Javët e fundit, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në një fazë tensioni që nuk ishte parë për dekada. Vendimi i SHBA për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën pason një seri shqetësimesh për veprimet e qeverisë në detyrë, të udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti. Shtetet e Bashkuara kanë argumentuar se veprimet e qeverisë kanë rritur tensionet dhe kanë kufizuar aftësinë e SHBA-së për të bashkëpunuar në prioritetet strategjike. Ky vendim nuk është thjesht një çështje protokollare, por një paralajmërim i qartë se mbështetja e fuqive të mëdha ndaj shteteve të vogla është e kushtëzuar dhe e ndjeshme ndaj veprimeve të qeverive vendore.

Kurti dhe Grenell: një përplasje strategjike

Roli i Richard Grenell, Dërguarit të Posaçëm të SHBA për Ballkanin, ka qenë vendimtar në këtë përplasje diplomatike. Grenell ka qenë kritik i ashpër ndaj Kurtit, duke e quajtur atë një partner të pasigurt për Shtetet e Bashkuara. Ai ka theksuar se veprimet e qeverisë kosovare, veçanërisht operacionet policore në veri dhe përpjekjet për të hapur urën e Mitrovicës, kanë penguar stabilitetin dhe proceset e normalizimit me Serbinë. Në një postim publik, Grenell deklaroi se marrëdhëniet midis SHBA dhe Kosovës nuk kanë qenë kurrë më të ulëta, duke theksuar përgjegjësinë e Kurtit për tensionet rajonale.

Nga ana tjetër, Kurti ka mbrojtur politikat e tij, duke argumentuar se veprimet janë kushtetuese dhe ligjore dhe synojnë ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Kundërshtimi i krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe refuzimi për të pranuar kandidatin e Listës Serbe për zëvendës-kryetar të Kuvendit pasqyrojnë një qasje, ku prioritet është mbrojtja e interesave kombëtare, edhe përballë presionit ndërkombëtar. Kurti ka theksuar se Kosova nuk mund të bëhet peng i një shteti të vetëm dhe se politika e jashtme duhet të mbrojë interesat kombëtare.

Pezullimi i Dialogut Strategjik: mesazh i qartë diplomatik

Vendimi i SHBA për pezullimin e Dialogut Strategjik ka qenë një paralajmërim i qartë për qeverinë e Kosovës. Ambasada amerikane ka shprehur se dialogu i pezulluar reflekton shqetësimet për veprimet që rrisin tensionet dhe destabilizojnë rajonin. Megjithatë, SHBA thekson se do të vazhdojë të jetë mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe mbështet partneritetin strategjik, duke nënvizuar nevojën për një partner që kupton rëndësinë e shmangies së veprimeve destabilizuese dhe ruajtjes së stabilitetit rajonal.

Reagimet politike brenda Kosovës kanë qenë të ndara. Opozita, veçanërisht PDK, ka cilësuar pezullimin “si dëmin më të madh politik, diplomatik dhe strategjik në historinë e shtetit të ri, duke theksuar se qeverisja e Kurtit ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin më të madh strategjik.” Qeveria në detyrë, përmes zëdhënësit Përparim Kryeziu, ka mbrojtur veprimet e saj si të ligjshme dhe kushtetuese, duke argumentuar se “stabiliteti aktual është rezultat i sundimit të ligjit dhe largimit të vatrave të destabilitetit, përfshirë sulmet paramilitare në Banjskë dhe aktivitetet kriminale në veri”.

Shtetet e vegjël dhe presioni i fuqive të mëdha

Kosova, si një shtet i vogël dhe i ri, përballet me realitetin e presionit ndërkombëtar që është pjesë e natyrshme e politikës globale. Shtetet e vogla shpesh varen nga fuqitë e mëdha për mbështetje diplomatike, ekonomike dhe ushtarake. Kjo varësi sjell edhe një presion të vazhdueshëm për të përshtatur politikat e brendshme dhe të jashtme sipas pritshmërive të partnerëve strategjikë. Pezullimi i Dialogut Strategjik është një shembull i qartë se edhe marrëdhëniet historike dhe strategjike mund të rrezikohen nga veprime që perceptohen si destabilizuese.

Historikisht, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur kombinime të presionit diplomatik, ekonomik dhe reputacional për të ndikuar vendimet e shteteve të vegjël. Rasti i Kosovës nuk është unik: Guatemala në 1954, Venezuela në 2019 dhe vendet e Ballkanit gjatë viteve ’90 tregojnë se SHBA shpesh vepron kur ka shqetësime për stabilitetin dhe interesat strategjike.

Kryeneçësia si mjet politik dhe diplomatik

Në këtë kontekst, koncepti i kryeneçësie bëhet vendimtar. Kryeneçësia nuk nënkupton arrogancë, por vendosmëri për të mbrojtur interesat kombëtare dhe sovranitetin. Veprimet e Kurtit, të cilat shpesh janë kritikuar nga Grenell dhe SHBA, reflektojnë një qasje ku shteti vendos integritetin dhe stabilitetin e brendshëm mbi presionin e jashtëm, duke ruajtur pavarësinë në vendimet e tij.

Shtetet e vogla, si Kosova, duhet të praktikojnë kryeneçësi të mençur, duke balancuar pavarësinë kombëtare me nevojën për partneritet strategjik. Vetëm kështu mund të shmangen tensionet e panevojshme dhe të ruhet besueshmëria ndërkombëtare.

Diplomacia si instrument stabilizues

Diplomacia mbetet mjeti kryesor për të menaxhuar marrëdhëniet me fuqitë e mëdha. Për Kosovën, kjo nënkupton komunikim të qartë dhe të hapur me SHBA, BE dhe fqinjët, duke negociuar prioritetet strategjike dhe duke shmangur keqkuptimet. Një diplomaci efektive gjithashtu kërkon fleksibilitet dhe aftësi për të negociuar kompromis pa sakrifikuar interesat kryesore kombëtare.

Mënyra se si Kosova menaxhon krizën politike të brendshme dërgon një mesazh të dyanshëm. Nga njëra anë, vendosmëria për sundim të ligjit dhe moslejimi i strukturave ilegale në veri, dërgojnë një mesazh të forcës se ligjit dhe sovranitetit, dhe është e duhura. Por nga ana tjetër, moskoordinimi i duhur nganjëherë me partnerët ndërkombëtarë dhe mungesa e fleksibilitetit diplomatik në situata të ndjeshme, mund të japë përshtypjen e një qeverisjeje që nuk gjithmonë vepron në harmoni me aleatët.

Kombinimi i kryeneçësisë dhe diplomacisë strategjike i mundëson Kosovës të shndërrojë presionin ndërkombëtar në dialog konstruktiv. Veprimet e SHBA duhet të interpretohen si paralajmërime për menaxhim më të kujdesshëm të politikave, jo si kërcënime për sovranitetin.

Dialogu Kosovë–Serbi dhe roli amerikan në stabilitetin rajonal

Marrëdhëniet Kosovë–Serbi mbeten një nga çështjet më të ndjeshme dhe vendimtare për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i nisur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008, ka pasur për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura si: integriteti territorial, pakicat etnike, dhe rrjetet infrastrukturore. Megjithatë, ky dialog shpesh ka hasur në pengesa politike, duke reflektuar jo vetëm tensionet historike, por edhe interesat gjeopolitike të aktorëve të jashtëm.

Një nga perceptimet e gabuara që duhet eliminuar është ideja se Perëndimi, përfshirë SHBA dhe BE-në, po favorizon Serbinë në këtë proces. Ky narrative shpesh përdoret në diskursin publik dhe politik për të minuar legjitimitetin e dialogut dhe për të krijuar tension mes Kosovës dhe partnerëve strategjikë. Në realitet, SHBA dhe BE synojnë të ruajnë stabilitetin rajonal dhe integritetin e shteteve të reja, duke u përpjekur që Serbia të tërhiqet nga ndikimi destabilizues i Rusisë dhe të integrohet në mekanizmat euro-atlantikë.

Kosova përgjatë shumë viteve nga pavarësia e saj, ka bërë hapa pozitiv drejt konsolidimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Megjithatë, mungesa e njohjes nga disa vende të rëndësishme (si pesë shtete të BE-së) dhe po ashtu disa pengesa dhe vonesa në proceset integruese dhe antarësime në organizata ndërkombëtare vazhdojnë të kufizojnë fuqinë dhe pozicionin e Kosovës në arenën globale.

Përveç marrëdhënieve me SHBA, Kosova përballet me sfida të tjera strategjike: integrimi në BE dhe marrëdhëniet me Serbinë. Çdo veprim i papërshtatshëm ose konfrontues mund të rrezikojë procesin e integrimit dhe stabilitetin rajonal. Qeveria kosovare duhet të balancojë përparësitë evropiane, sigurinë rajonale dhe sovranitetin kombëtar, duke përdorur diplomacinë për të komunikuar qëllimet dhe për të shmangur keqkuptimet ndërkombëtare.

Roli gjeopolitik i SHBA-së: tërheqja e Serbisë nga Rusia

Që nga fillimi i krizës ukrainase dhe përshkallëzimi i tensioneve SHBA–Rusi, Ballkani Perëndimor ka fituar rëndësi strategjike. SHBA ka ndjekur një politikë të dyfishtë: 

Mbështetje e fortë për Kosovën, duke garantuar sovranitetin e saj dhe integritetin territorial.

Dialog konstruktiv me Serbinë, për të ulur ndikimin rus në rajon dhe për të integruar vendin në mekanizmat euro-atlantikë.

Në këtë kuadër, çdo përpjekje për të interpretuar ndihmën perëndimore si favorizim për Serbinë është jo vetëm e pasaktë, por edhe e rrezikshme. Ajo mund të dobësojë besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe të pengojë avancimin e dialogut. SHBA ka qartësuar se marrëdhëniet e Kosovës me aleatët strategjikë nuk janë kompromis për ndonjë ndikim të jashtëm, por pjesë e një strategjie për stabilitet rajonal.

Kurti dhe opozita 

Nëse dikush thotë se Kurti është pro-rus dhe pro-serb vetëm pse refuzon kompromiset e serviruara të disa aleatëve me Serbinë, atëherë ai duhet të pranojë një të vërtetë të pakundërshtueshme: Thaçi është pro-perëndimor, anti-serb dhe “atdhetar”, sepse pranoi ndarjen e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo hedh dritë edhe mbi akuza të kota si ajo e Vlora Citakut se “Kurti ka acaruar marrëdhëniet me Shqipërinë”! Vlora e di shumë mirë se arsyeja e vërtetë është politika grabitqare e aleatit të saj, Edi Rama: përpjekja për ndarjen e Kosovës, mbështetja e hapur ndaj pretendimeve serbe mbi tokat tona, arroganca në Open Balkan dhe qëndrimet e tij kundër sovranitetit të Kosovës. Ajo duhet të kujtojë nëntorin e vitit 2018, kur Rama i tha Haradinajt “Gomar”, ndërsa Haradinaj i quanin Thaçin dhe Ramën “Trathtar”! Opozita duhet ta vendosë qartë: ose Kurti është “tradhtar”, ose eksponentët e saj janë “tregtarë” të trojeve të Kosovës. Të dyja nuk mund të bashkëjetojnë.

Strategjitë për eliminimin e perceptimeve të gabuara

Për të forcuar dialogun Kosovë–Serbi dhe për të parandaluar dezinformimin, qeveria kosovare mund të ndërmarrë disa hapa strategjikë:

Transparenca publike – Informimi i qytetarëve mbi qëllimet e dialogut dhe rolin e SHBA-së, duke theksuar mbështetjen për sovranitetin e Kosovës.

Diplomacia proaktive – Përdorimi i kanaleve diplomatike për të komunikuar rëndësinë e integrimit euro-atlantik të Serbisë dhe për të minimizuar ndikimin rus.

Bashkëpunimi rajonal – Përforcimi i projekteve ekonomike dhe infrastrukturore me fqinjët, duke krijuar ndërvarësi pozitive që i pengon Serbisë të largohet nga rruga euro-atlantike.

Mediat dhe edukimi publik – Luftimi i narrativave populiste që e paraqesin Perëndimin si mbështetës të Serbisë, duke përçuar mesazhin se SHBA dhe BE mbrojnë interesat e të gjithë rajonit.

Dialogu si instrument politik dhe diplomatik

Dialogu Kosovë–Serbi nuk është thjesht një bisedë për çështje teknike; ai është një instrument strategjik për stabilitet dhe paqe. Roli amerikan është thelbësor për të garantuar që Serbia të mos krijojë aleanca destabilizuese me Rusinë, ndërkohë që Kosova ruan sovranitetin e saj. Një dialog i mirëmenaxhuar mund të shërbejë si model për shtetet e vogla që përballen me presionin e fuqive të mëdha: të balancojnë pavarësinë kombëtare me nevojën për mbështetje strategjike.

Në këtë kuadër, kritikat që akuzojnë Perëndimin për favorizim të Serbisë janë jo vetëm të pasakta, por edhe të dëmshme. Ato minojnë besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe dobësojnë potencialin e saj për të negociuar marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjata.

Mësime për shtetet e vegjël

Situata e Kosovës tregon disa mësime të rëndësishme për shtetet e vegjël:

Mbështetja e fuqive të mëdha nuk është absolute – ajo është e kushtëzuar nga veprimet dhe sjellja e qeverive lokale.

Kryeneçësia është thelbësore, por duhet të kombinohet me diplomaci të mençur.

Diversifikimi i partnerëve është strategjik: mbështetja ekskluzive nga një aleat mund të bëhet e rrezikshme nëse marrëdhëniet tensionohen ndaj forcimi i lidhjeve me Shqipërinë( me gjithë qëndrimin paternalist të Ramës dhe teoritë sorosiane të Ballkanit të hapur), me Turqinë, Kroacinë, tashmë disi të harruara pas Presidencës Trump) dhe natyrisht me BE-në ka rëndësi pas SHBA-së.

Transparenca dhe dialogu publik janë mjete efektive për të ruajtur besueshmërinë ndërkombëtare. Institucionet e forta dhe sundimi i ligjit rrisin besueshmërinë dhe reduktojnë ndikimin destabilizues të aktorëve të jashtëm.

Përfundim

Roli i SHBA-së në Ballkan, veçanërisht në dialogun Kosovë–Serbi, është një kombinim i mbështetjes së sovranitetit të Kosovës dhe politikës gjeopolitike për të tërhequr Serbinë nga Rusia. Për Kosovën, sfida qëndron në menaxhimin e dialogut me diplomaci dhe kryeneçësi, duke shmangur perceptimet e gabuara që mund të dobësojnë pozicionin e saj ndërkombëtar.

Për të arritur stabilitet të qëndrueshëm, Kosova duhet të përdorë transparencën, diplomacinë proaktive dhe bashkëpunimin rajonal si mjet strategjik për të ruajtur sovranitetin dhe për të garantuar që dialogu me Serbinë shërben si instrument për paqe, jo si mjet për destabilizim. Në këtë mënyrë, perceptimet e gabuara mbi favorizimin e Serbisë nga Perëndimi mund të zëvendësohen me një narrativë të bazuar në fakte dhe strategji të qëndrueshme rajonale.

Vendimi i SHBA për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, përplasja midis Kurtit dhe Grenell, dhe reagimet e opozitës dhe qeverisë, tregojnë qartë delikatesën e politikës së jashtme për shtetet e vogla. Kosova duhet të praktikojë një balancim të kujdesshëm midis kryeneçësisë dhe diplomacisë, duke mbrojtur interesat kombëtare dhe sovranitetin, por duke ruajtur besueshmërinë dhe partneritetin me fuqitë strategjike.

Në këtë sfond, Kosova mund të kthejë presionin ndërkombëtar në një mundësi për dialog konstruktiv dhe avancim të stabilitetit rajonal, duke treguar se një shtet i vogël mund të jetë i fuqishëm dhe i pavarur në mënyrë strategjike.

Filed Under: Analiza

Komunitetet fetare shqiptare në Amerikë, pjesë e pandarë e identitetit kombëtar

September 16, 2025 by s p

Mondi Rakaj*/

Komunitetet fetare shqiptare në mërgatën e Amerikës zënë një vend shumë të rëndësishëm në historinë e zhvillimit, integrimit, bashkimit e promovimit të bashkatdhetarëve tanë. Prijësit fetarë të Kishës Katolike, Kishës Ortodokse, Xhamisë dhe Teqesë Bektiashiane kanë qenë personalitete fetare e atdhetare duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën dhe veprimtarinë e shqiptarëve të mërguar në Amerikë. Komunitetet fetare shqiptare në Shtetet e Bashkuara kanë pasur historikisht një bashkëpunim të shkëlqyer me Federatën “Vatra”, gazetën “Dielli” dhe kanë vepruar gjithmonë për të mirën e çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar. Një trashëgimi historike dhe patriotike që vazhdon të frymëzojë dhe sot, brezat e rinj të emigrantëve shqiptarë. Vëllazëria ndërfetare shqiptare është një ndër vlerat më të shenjta e më të shtrenjta të kombit tonë.

Komunitetet fetare janë pjesë e gjallë e jetës aktive të shqiptarëve, pjesë e pandarë e identitetit kombëtar e historisë kombëtare. Para disa javësh u informova se në kishën e Shën Thomait në Farmington Hills në Michigan kishte ardhur një prift shqiptar, At Eugene Shkurti. Ky ishte një lajm shumë i mirë për mbarë komunitetin shqiptar në Michigan.

Përgjatë takimit vëllazëror me At Eugene Shkurtin e informova për veprimtarinë e Federatës Vatra, historinë e saj të jashtëzakonshme, kontributin e gazetës Dielli, vlerën e tyre komunitare e atdhetare si institucione të shenjta kombëtare. Kaluam momente të bukura përgjatë një bashkëbisedimi me fokus rritjen e bashkëpunimit në dobi të komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare.

Në shenjë mirënjohjeje At Eugene Shkurtit i dhurova stemën e gazetës “Dielli” dhe kopje autentike të Diellit në disa numra të vitit 1975 dhe librin e mikut tim Prof. Dr. Nusret Pllana mbi terrorin e Serbisë pushtuese në Kosovë. At Eugene ishte shumë falenderues dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm jo vetëm në përmbushje të misionit por mbi të gjitha të ruajtjes së trashëgimisë historike të përpjekjeve të përbashkëta për fe, komunitetet, komb e atdhe.

*Drejtori i Degëve në Federatën “Vatra”.

Filed Under: Vatra

APOLOGJIA E HESHTUR QE FLET NE MEMORIAL DEDIKIMI  

September 16, 2025 by s p

Refleksion /

 DR.  EDUARD  A.  SKUFI – ATHINE 

Si  pa  e kuptuar  vjen  një  moment  në  finale,  kur çdo njeri bënë bilancin përballë pasqyrës së vetvetes. Ku udhëtimit brënda vetes, i jep sensin e  jashtëm të manifestimit, mes një  dallgë emocionesh, si formë konfesioni  që i nënshtrohet  një  apologjie, duke e parë jetën  analitikisht. Eshtë  ajo  që  R.W.Emerson  në vizionin  filozofik modern, e quan ”Celebrim i individualitetit  dhe  urtësisë,  duke  ofruar  një  imazh  me nuanca  në   aktin  e  apologjimit,  duke  e  jetuar  jetën  analitikisht “… Pasi ndërgjegja nuk mund të mbetet gjatë në heshtje. Por kjo apologji ka  një vecanti  humilitare, sepse është  një apologji e “heshtur”,  në meditim, që  ja drejtoj vetes dhe  që  flet  në  përulje  dedikimi (kur  një “më fal “ nuk e dëgjuam kurrë  nga  askush, për  ata  heronj të harruar)… Eshtë në këtë konsensus, një përulje njerëzore para kujtimit të tyre, por dhe një përulje intelektuale. Një reagim empatik, i sinqertë për të kalmuar shpirtrat e tyre. Nuk e di nëse është dhe “apology & defence” për të ardhmen! Le të  kërkoj unë  falje si intelektual dhe “fajtor pa faj”, për ata të shquar që aq shumë na  mungojnë, për ata që u ndëshkuan  për të vetmin  gabim, që  nuk u pajtuan me antivlerat dhe falsitetin  konformist. Për  ata  intelektualë  të  nderuar,  ekselenca  të  dijes universale,  që  dikush  i  ktheu  në  anonimë… Ata  që në vendet perëndimore që studjuan, i konsideronin  figura intelektuale  të  ndritëshme në historikun e  atyre universiteteve, ndërsa në vendin  e  tyre  jo vetëm  mbetën  pjesë  e munguar  enciklopedike, duke i mbuluar me padukshmërinë, por ju nënshtruan  një genocidi  mbase  unikal. Ato ikona vendosën dijet dhe kulturën e tyre  si  urë  lidhëse mes kombit dhe civilizimit të  shquar. Erdhën  me  aspirata  dhe  ëndrra  dhe  atje  mbetën…

Ata kishin kapacitetin racional dhe potencialin, për një vizion  të  ri  përparimtar me  influencë  të plotë  në  ndërgjegjen  sociale. Si një “bypass”  midis  dijes  dhe shoqërisë, duke  kultivuar  humanizmin. Veç nuk  ideatuan  duke  mallkuar  errësirën, por ndezën  qirinjtë e  dijes  për  ta  luftuar  atë me insistim , gjë  që i  irritoi  mediokrët. Sepse drita e dijes me forcën konceptuale që ata emetonin, përbënte “kërcënim” për rendin. Kështu i hodhën pluhurin e  harresës asaj pasurie kulturore, duke injoruar faktin se  ato  figura  kishin përmasa të  tilla  intelektuale, që historia me këmbëngulje do  ti nxirrte si diamantet në dritë, për ti vendosur  në  pavdekësi. Mes represionit, u vranë  ëndërrat  rinore, i  ndanë  në mënyrë  të  pamëshirshme   nga   familjet   dhe   fëmijët   e   tyre,  por  nuk  mundën   tju  a  shuanin   shkëlqimin  e  vlerave…  

Ai diskriminim mbeti i fiksuar, si imazhi i shëmtuar, i vëllavrasjes të  Kainit në syrin e  Abelit  biblik, por dhe të  hyjnisë, që kurrë nuk e harroi…

Duke mos mundur të privojnë ekzistencën e identitetit të tyre, në  kujtesën  historike dhe njerëzore. Pikërisht për të rifreskuar atë kujtesë, me aq impresione po endem në këto rreshta, duke u “vetakuzuar”si intelektual në këtë  apologji, ndaj atij genocidi me autorë të njohur. Të cilin në ndjenjë mirënjohjejeje dhe nostalgjije e shoqërojnë shpirtërisht, tingujtë e melodisë   së dhimbshme dhe sharmi i “Requiem Lacrimosa” të  Moxartit, ku drama dhe humanizmi përballet me misterin e vdekjes, në lotin e dhimbjes… Jehona  rrënqethëse e  asaj tragjedie  akoma dhe  sot nuk  është shuar, por rezonon  me  shpirtin  e  hirin  e  eshtrave  të  tyre   dhe  me  zemrat  tona !

…Nuk e di a ishte “sindroma e Stendalit”, apo psikoza e mosnënshtrimit  ndaj ”dhunës Mefistofelike”!..Askush nuk mund të harroj plejadën me figurat e shquara intelektuale që sollën kulturën dhe  frymën oksidentale, por edhe fundin dramatik të tyre…Kujtoj poetin më të madh dhe më të fuqishëm  të letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të njëzet, At’ Gjergj Fishtën me vargun “Veç ty (atdhe) të shoh andërr, veç se ty të kam             në  mendim“. Franceskanin gjeni, erudit Pater Anton Arapin me profecinë, ”Gjithmonë tue  rrënue nuk  mund  të  ndërtohet”… Sabiha Kasimatin libohovitja fisnike, shkencëtare, ikthiologe  e parë shqiptare lauruar në universitetin e Torinos, ku mbrojti dhe doktoratën. Por hijeshia dhe intelekti  u dënuan  në një vdekje makabër. Duke lënë thënien e saj të fundit  si  dëshmi  historike: “Ideologjia  ime   nuk  pajtohet  me  tuajën “!

Musine Kokalari intelektualja disidente, poetesha  me  ide demokratike , me fjalët e zemrës “E dua atdheun dhe pse mendoj ndryshe nga ju ”, Ramize Gjebrea (Ramona), bjondja simpatike me intelekt të vecantë, pre e një “inskenimi moralist”, me epilogun e saj “Mos më qëlloni nga mbrapa”…Mirash Ivanaj publicist dhe personalitet i shquar, reformator    në fushën e arsimit me aksiomën: ”Qoftë fatlum dhe me fillim të mbarë indipendenca në fushën arsimore”. Ethem Haxhiademi doktor i shkencave politike që la Berlinin, për tu konvertuar me penën e tij, në “Eskilin  shqiptar”, ku mbeti  në mes të tragjedive, (duke mos e  parashikuar  fundin  e  tij tragjik  e  fatal) . Zemra poetike e Havzi Nelës në  dënime “domino”, përfundoi e varur në litar, duke lënë pas bashkë me ikonën dhe shprehjen  e dhimbshme “Lamtumirë atdhe i dashur, po të le me zemër plasur”. Dr.Tahsin Jonuzi, ai “Gjeniu i fshehur “ i universitetit  të  Insbrugut, i cili doktoraturën e tij në filozofi  ja kushtoi studimit të parë albanologjik dhe arkeologjik shqiptar. Një punim shkencor, i mirëfilltë, sintezë e dijeve më të mira të kohës, në një këndvështrim historik dhe filozofik, me referenca prej kulturës antike deri në citimin e opinioneve   më  me vlerë  dhe  rezistente në kohë. Që çuditërisht  “u rrëmbye”, duke  u  sakrifikuar dhe  martirizuar  egërsisht   në  kampet  naziste, por  ai la  pas  definimin  unikal  se  “Atdheu  duhet  dhe  përmes  shkencës!” …

Dhe unë pyesja veten, pse nuk i qeshte buza birit të tij, piktorit mjeshtër  Nestor  Jonuzit,  pse  nganjëherë  i  dridhej  dora  dhe  fjala  para  penelit?!Nuk  besoja   se  ishin  vetëm  ngacmimet   apo   impresionet   artistike…

Dhe mendimi më çon tek thënia dy shekuj më parë e Mme M.Roland, krenare para gijotinës së Robespierit: “ Oh, Liberté, que  de crimes commet-on  en  ton  nom ?”…(Oh, liri  sa  krime  bëhen  në  emrin  tënd).

Ku,  jo rrallë  dukshmëria   bëhej  iluzion   dhe  “kurth”  i  padukshmërisë .

…Por kulti i intelektualofagisë vazhdonte me ritmin  diktatorial, në një kreshendo bulizmi e mohimi, duke mbytur traditën, duke injoruar faktin se një vend pa elitë intelektuale ishte i destinuar në një kolaps kulture, pa histori e pa të ardhme, dhe mbi të gjitha pa dinjitet kombëtar. Ai genocid  anti intelektual  prezantohej  në   forma  të  ndryshme. Ku njerëzit pa dimension, kulturalisht të pa orientuar, nuk pranojnë ekzistencën  e të  tjerëve “përballë”. Si  mund  të  lihen  në  harresë  për  persekutimin   e  tyre, si dëshmi e gjallë, gjithashtu  emrat e  Isuf  Vrionit  intelektual  eminent,  diplomat, përkthyes i talentuar, mbetur anonim, Dr. Jani Basho, doktori dhe intelektuali i shquar, që shtëpinë e tij e ktheu në klinikën e parë gjinekologjike, ku shërbente me humanizëm. Më vonë të tjerët asaj godine me arkitekturë klasike, i zhveshën romantizmin dhe transformuan në “shtëpinë me gjethe”, me aq mister. Dr.I.Hysenbegasi një kapitull ekselent i mjekut humanitar, të përkushtuar dhe me kulturë poliedrike, Dr.A,Aroni intelektual dhe okulisti i shquar, kreativ, i papërkulur, në një karakter dhe etikë për tu admiruar. Pedagogu Tanush Frashëri historian analitik, eseist, në një jetë pa diell, Maks Velo arkitekti dhe piktori modern, me guximin për ti shprehur idetë e tij mes ngjyrave  abstraksioniste. Por në  vecanti, Fatos Lubonja, nga një familje funksionarësh të rregjimit, por antirregjimit, disident, shkrimtar, përkthyes, në kalvar dënimesh dhe një “Lirie të kërcënuar“. Emrat e  tyre  janë  aq  të shumtë  sa  mund  ta  veshin  perimetrikisht  globin,  me  dhimbje  dhe  lot ( kaq vend i vogël me kaq shumë Mandelë, me aq netë të panumërta të “Shën Batolomeut“.  Nëse kjo nuk është paradoksale, çfarë mund të jetë!)… Dhe ata që mbijetuan, u detyruan në vitet e mbetura, në një  jetë  të zymtë, pa shpresë, pa buzëqeshje, me psikozën e  persekutimit. Por me imazhin e përhershëm me librin në dorë, në një lidhje “transvitale”. Ata  emra  të  shquar  që  ne  i  kishim   të  pamundur  dhe ti  artikulonim, njerëz “pa emër”, por mbi ta u mbështetën epokat. Besnik në  idealet, që nuk i modifikuan  idetë  sipas “modës”. Një format intelektualësh  “modelë”, që u sintetizua në koshiencën tonë, “iluministët” me misionin të  ndriconin errësirën …                    Vetëm mjeshtëria alegorike e F.Kafkës, mund të vizualizonte  metamorfozën e  gjëndjes shpirtërore  të  tyre  në ato momente, përballë   absurditetit   të   inskenuar,  në   një   pejsazh   dantesk  aq   ekstrem… ku  autorët dhe  qiellin  po  të   mundnin, pa   yje  do  ta   kishin   lënë!

Ajo “etnogjenezë intelektuale” përbënte një pasuri të veçantë dijesh dhe kulturash dhe një rrezik të pafund, që të tjerët e survejonin me cmirë e xhelozi. Dhimbjen, vuajtjet e tyre, hijet e natës i shijonin  me  kënaqësinë    e një telenovele, që e plotësonte  qeshja  cinike, demonike, mes  ndijimit  të  egër, të ftohtë  aq  çnjerëzor, ndaj “qënies  ontologjike”. Ku mediumet e “ëndërrthyesve të shpresës” e shtrinin  absurditetin, nga ndëshkimi  i  ëndrrës  deri  në   atë  të  mendimin  intim.

Sot kur mjegulla e doktrinimit dhe hypnoza e saj duket se janë pakësuar, mund të fitohet kthjelltësia e rifokusimit, kur akoma dhe sot vjen një rezonim i kobshëm nga historia! E kam të vështirë të shpreh ndjenjat dhe emocionet e mia para kujtimit të tyre, kur për  disa vite të jetës me një pjesë të tyre isha bashkëudhëtarë. Sentencat e kësaj apologjije “faljeje” janë dhe falenderim për rolin që ata idealistë luajtën, në formimin që jam sot. I ndjeva nga afër, dimensionet e tyre dhe kornizat ku i vendosën, gjë që serviri jo pak momente të dhimbshme dhe regreti, por “vala e rrezatimit” nuk na la të paprekur… Kështu ai sentiment u kthye në detyrim për një apologji të sinqertë, duke fituar momentin. Por që e shpërtheu citimi i Molierit, “ Nuk jemi përgjegjës vetëm për atë që bëjmë por dhe për atë që nuk bëjmë ”, dhe e kristalizoi më tej filozofi modern dhe  profesori i Bioetikës, Peter Singer “ Jemi pergjegjës  jo vetëm për  atë  që  bëjmë  por  dhe  për  atë  që  mund   të   kishim  parandaluar ”…

Veç më fatalja ishte se genocidi mbi elitën intelektuale, u shoqërua me     një kultivim brezash pa interes intelektual e kulturor. Mungesa e kulturës, me gjykim të amputuar dhe pa shpirtin e tradicionit krijoi brezin me një dizmorfi për të mbushur vakumin. Zëvendësimin me “pseudoelitën e re”, që nuk ishin vecse një “mendje e skllavëruar”, si një tip i vecantë i antropologjisë intelektuale. Prandaj  apologjinë time  dhe  rifreskimin historik i pashë në aspektin e  një  vizioni të  ri, por  dhe  si një  mesazh, duke  u  përulur me respekt, para kujtimit të martirëve  të dijes. Por për analizën e fakteve duhej pena e fuqishme  e Dostojevskit apo Tolstoit në një trilogji…Vërtetë ky fenomen intelektualofagik kishte karakter endemik, por për  nga  lloji , tek ne  dallohej për  përmasat  dhe  format  mizore. Ky fenomen sot, në skenën  e kohës moderne, ku liria krijon dimensione të reja por dhe  dilema, ka marr formën e diktuar, alkimike  të “hemoragjisë intelektuale”, të pa ndalur, me të  njëjtët  element  patogenetikë, në mizaskena  të  reja ,  mbase  me  konseguenca  të  pa konceptueshme   dhe   tepër   misterioze ,,,

Nëse mëshirimi i figurës dhe veprës të intelektualëve të shquar, si heronj të kulturës në obeliskë, monumente, apo muze të ekselencës intelektuale është detyrim moral  epokal, studimi i  vlerave  të  tyre  përbën domosdoshmëri. Kurora qoftë dhe me diamante mbi hirin e tyre nuk përbën vecse një imazh dekorativ, ndërsa lavdia e vendosur mbi emrin dhe veprën e tyre shpreh vlerësim, Që  ata  tempuj  të  kulturës  të  mos  mbeten  në  harresë, por   të  kthehen  në  një  zgjedhje   preferenciale  frymëzuese, për  riformimin   dhe  rimodelimin   e  kulturës   historike.

Historia e kulturës është esenca dhe promotori i një shoqërie vibrante. Lënia jashtë të vërtetës apo  vonesa historike, e kushtëzuar nga  një “vonesë  rikonceptuale”, të lënë  jashtë  ritmit  evolutiv. Ata  janë   konsulentë  pervers, destruktiv   ndaj  qytetërimit,  me    impakt  në   një   prognozë    regresive   të  pashmangshme!  

Drejt të ardhmes nuk mund të shkohet duke i injoruar faktet e pamohueshme historike, duke fshirë traditën. Koha nuk pret,“koha e vërtetë është katërdimensionale“, (është horizonti i mundshëm për çdo kuptim të qënies, ka deklaruar  filozofi  M.Heidegger). Pa kujtesë  historike  reale nuk  ka  memorje  kulturologjike, ajo  inspiron  momentin  e reflektimit. Investimi  në  të  përkthehet,  në  investim  për  të  ardhmen…    

Filed Under: Analiza

GJYQI I KOSOVËS TË HEDHË HAGËN NË GJYQ…

September 16, 2025 by s p

Nga Visar Zhiti/

Protesta e mijëra dhe e mijëra shqiptarëve në Hagë, në mbrojtje të çlirmtarëve të saj, ashtu me flamujt shqiptarë dhe të Kosovës, me thirrje dhe këngë, madje dhe piano, ishte një forcë qytetarie, e kulturuar për drejtësi, edhe pse e vonë. Gjithashtu dhe dëshmia amerikane nëpërmjet James Rubin, zv sekretar shteti, kur mbahej Rambujeja, hodhi dritë sërish mbi të vërtetën, cilët ishin kriminelë, që s’mund të kthehen në viktima, sado diplomaci e para të harxhojnë.

Në Hagë duhej të ishte shteti shovinist serb. Ndërkaq pabesueshëm ndodhi ajo që s’pritej, Vrasësi bëri si i vrarë. Që në ditët që Gjykata e Hagës thirri dhe mbajti disa nga krerët e UÇK-së, ndërkohë funksionarë të lartë të shtetitit të ri të Kosovës, unë bëra apelin tim si qytetar që doli në shumë media në Shqipëri e Kosovë e disporë, dhe i qendroj prapë atij apeli:

Jo Kosova në Hagë, por Haga në Kosovë…

Çuarja në Gjykatën e Hagës tani e disa prej krerëve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vendit ballkanik, me histori dramatike, të shkëputur nga dheu amë nga Fuqitë e mëdha dikur, por që mblodhi botën e përparuar, Europën e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n, që, si të thuash, bëri luftën e parë morale për të drejtat e njeriut, për shpëtuar një popull që po e vrisnin dhe ç’mbetej prej tij po e shkulnin nga trojet e tyre dhe kur ky vend u çliruar dhe u shpall Republika e Kosovës, më e reja në botë, e ata, krerët e U.Ç.K.-së zunë postet të larta drejtuese, ministra, kryeministra, kryetarë parlamenti, presidentë, 20 vjet pas luftës arrestohen dhe Haga i marr me avionin e saj për t’i gjykuar për krime lufte, më shumë se sa një akt drejtësia, duket si një aksion i rëndë revanshi, goditje e asaj lufte çlirimtare, sfidë aleancës Euro-Atlantike, prishje të ekuilibrave politikë në rajon dhe me gjerë dhe alarm për një luftë të re të makinerisë ushtarake Serbe, në përkujdesin e aleatit të saj të vjetër, Moskës.

Kështu duket. Shqetësimi është i madh. Intelektualë, shkrimtarë, klerikë, gazetarët patjetër, edhe politikanët e lartë, që zakonisht në ngjarjet kritike kursehen në qendrime dhe në të folur, por presin, ndërkaq edhe personalitete të huaja, amerikanë, etj, dhanë në media opinionet e tyre, një pjesë, më e madhja besoj, duket se është kundër marrjes ashtu në Gjykatën Speciale të Hagës, nërsa një pjesë tjetër shprehen se duhen gjykuar, cilëtdo qofshin, nëse kanë bërë krime lufte e më pas, ndaj robërve apo civilëve dhe rivalëve të tyre politikë. Drejtësia duhet patjetër. Ne, si popull jemi të vonuar në këtë drejtim. E befas, si në shumë çështje e kriza politike, që vijnë më së shumti prej atyre ekonomike e morale, befas rrëmbehemi e dalim dhe kundër vetes dhe përfitojnë të tjerët, sidomos kundështarët, thënë troç, se jemi në Ballkan, armiqtë e kombit tonë.

Gjykata Speciale e Hagës u krijua me miratim nga Kosova vetë, nga parlamenti i saj, me nxitjen dhe mbështetjen nga „Ndërkombëtarët”, nga OKB-ja dhe Drejtësia e madhe duhet të veprojë me drejtësi të lartë. Të gjykojë patjetër krimin, ta ndëshkojë tek cilido qoftë, që ka kryer krime, por jo dhe popullin nga ata kanë dalë, as vendin e tyre e luftën e tyre për liri.

Krimi ndodhi në Kosovë. Shtetëror nga ana e Serbisë. I hatashëm për sytë e botës. Kombëtar. Goditej kështu një tjetër komb, Genocit i urryer. Madje bënin si të krishterë kundër një vendi, sipas tyre mysliman, me një fondamentalizëm që e sponsorizonin po vetë ata. Kur dihet që shqiptarët ishin të krishterët e parë në Ballkan dhe manastiret dhe kishat e mbetura, sipas historianëve ishin të vendasve, pastaj u konvertuan si të ardhacakëve sllavë, etj, etj, dhe sunduesi serb para 20 vjetësh, me Hitlerin e fundit në Ballkan, Millosheviçin, pasi i kishte shkelur të drejtat si popull shqiptarëve në Kosovë, të trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, telsa bashkëjetonin në perandorinë e vogël dhe artificiale të Jogosllavisë, i dogji dhe e i vrau barbarisht. Plaçkiti dhe përdhunoi.

Dhe falë përvojës së tyre shtetërore, diplomacisë dhe aleancave, propagandës dhe botimeve, investimeve gjithandej, tani kanë marrë rolin e viktivës dhe në vend të tyre gjykohet viktima më shumë. Dhe në vendin e viktimave nxisin krimin, politik, fetar, ordiner dhe e shpërndajnë këtë imazh. Unë them them se ka dy aspekte me rëndësi situata e tanishme. E para, nuk duhet të shkojë në asnjë mënyre Kosova në Hagë, por Haga mund dhe duhet të shkojë në Kosovë, – dhe kjo e dyta është e dyta. Që s’janë njëjta gjë. Shqiptrët luftuan për liritë dhe të drejtat e tyre si komb dhe njerëz në trojet e tyre, te pragu i shtëpive të tyre, që ua dogjën dhe u vranë familjarët, pleq e fëmijë e u përdhunuan gra e vajza, një turp i ndyrë e çnjerëzor.

Gjykata e Hagës duhet të thërrasë në Hagë kriminelët serbë, që bënë krimet në popull tjetër, në shqiptarë. Me kujdes dhe siguri të plotë, duke i veçuar nga populli dhe intelektualët e saj, jo ata shovinistë, se serbët janë dhe një popull i emancipuar, me kulturë dhe dije. Dhe në qoftë se duhet ndihmuar Kosova, shteti i saj i ri, i brishtë, i kollajnëpërkëmbur, por që ka, në fund të fundit, një popull dinjitoz, fjalë pakë, të urtë dhe trim, me intelektualë të nivelit europian, me artistë të njohur nëpër botë, po aq sa serbët, në mos më shumë sot, nëse duhet luftuar korrupsioni dhe krimi në Kosovë, që janë, por dhe që sponsorizohen nga përreth, drejtësia duhet të veprojë e fortë, e ashpër, por brenda në Kosovë.

Pra, të vijë Haga aty, se nuk mund të çohet liria e Kosovës, ëndrra e Kosovës, simboli botëror i Kosovës në bankën e të akuzuarve në tjetër vend. Bota s’mund të dalë kundër botës. Prandaj dhe qëndrimi i krerëve të U.Ç.K.- ishte aq dinjitoz, amblematik, prekës, se merrnin fuqinë nga lufta e drejtë, trimërore e tyre, nga bekimi i popullit të tyre dhe mirëkuptimi i botës së përparuar. Gjykatësit dukeshin të vëmendshëm, madje të hipnotizuar, që përpara tyre s’kishin kriminelët, por heronjtë. Në Kosovë e dinë më më mirë se kush janë. Dhe nëse drejtues të luftës së Kosovës kanë prishur paqen, ka akuza për ta, natyrisht të gjykohen nga drejtësdia e popullit të tyre, edhe me ndihmën e atyre që erdhën për ta çliruar Kosovën. Dhe gjyqi të bëhet në Prishtinë.

Degradimi dhe rënia në paqe, nëse janë aq kriminale, gjithsesi duhen ndarë nga lavdia e luftës, pa u cënuar ajo meritë heroike. Kosova nuk mund të shkojë në Hagë. Që Drejtësia e Hagës të mos duket sikur ka në sirtarin e saj dosjen e pergatitur nga Serbia, nga zyrat e atyre që bënë genocidin më kriminal mbas Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti i sotshëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte ministër i propagandës së makinerisë së luftës së çmendur të Millosheviçit, Kasapit të Ballkanit, kur ata digjnin dhe vrisnin Kosovën, ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i sapo dorëhequr për të shkuar në gjyqin e Hagës, luftonte për të mbrojtur popullin e tij nga ata, që janë të qetë, por shqetësojnë të tjerët, sidomos Kosovën. Edhe qeveria shqiptarë, politikanët e saj të lartë, pozitë dhe opozitë, diplomatët, duhet të kenë patjetër parasysh në marrëdhëniet me Serbinë historinë dhe aktualitetin, krimet shtetërore dhe prapaskenat e dëmshme të tyre, rrjetin agjenturor, etj, dhe të guxojnë jo vetëm të duan marrëdhënie të mira, të domosdoshme patjetër, por të mbajnë qendrime serioze ndaj shtetit Serb, ende të pa penduar, jo vetëm antiKosovë, por dhe antieuropian dhe anti Aleancës Atlantike, një shtet ballkanas që po kërkon revansh duke u armatosur rishtas nga Rusia e Putinit.

Përvoja e Enver Hoxhës me Titon mbetet katastrofale për kombin tonë. Ne vazhdojmë të jemi të ndarë prej saj dhe humbës me një permanencë dëshpëruese. Kur Kosova është shqiptare dhe Shqipëria pa Kosovën, ashtu siç nuk ka të kaluar, nuk ka as të ardhme. Natyrisht të bashkuara në Bashkimin Europian. Në aleancë dhe besnikëri me mikun jetik të kombit tonë, SHBA-në. Në Hagë më parë duhet të ishin Vuçiçët. Se ndryshe do të duhet një Hagë për Hagën.

Filed Under: Politike

JAMES RUBIN, MIKU I HESHTUR I LIRISË

September 16, 2025 by s p

Prof.dr Skender ASANI/

Një thënie e lashtë shqiptare thotë: “Miku i mirë njihet në momentet e vështira”. Kjo urtësi reflekton thelbin e solidaritetit dhe humanizmit, veçanërisht kur vlerat kombëtare përballen me sfida ekzistenciale. Populli shqiptar, një nga popujt më të lashtë të Evropës, ka kaluar shekuj sfidash dhe përpjekjesh për mbijetesë. Nga antikiteti e deri në fund të shekullit XX, shqiptarët kanë qenë shpesh në shënjestër të pushtuesve, por miqësitë e sinqerta dhe përkushtimi i individëve të devotshëm kanë ndihmuar që e vërteta historike të bëhet e njohur dhe zëri i një populli të vuajtur të dëgjohet.

Në këtë kontekst, James Rubin u shfaq si një mik i heshtur, i përkushtuar ndaj kauzës shqiptare. Ai qëndroi pranë udhëheqësisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në momentet më kritike të konfliktit, kur projekti i Millosheviqit kërcënonte ekzistencën e popullsisë shqiptare. Rubin udhëtoi direkt në Kosovë, ndërmjetësoi dhe sugjeroi strategji për sigurimin e civilëve dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar. Pjesëmarrja e tij ishte një shprehje e rrallë e devotshmërisë, ku përveç detyrës diplomatike, ai shërbeu si mbështetje morale dhe strategjike për kauzën e lirisë.

Miqësia shqiptaro-amerikane u thellua në mënyrë të veçantë përmes angazhimit familjar të Rubin. Gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, ai, së bashku me gruan dhe motrën e tij, u përfshi fuqimisht në mbrojtjen e popullit shqiptar, duke përballuar sfida dhe situata të rrezikshme. Kur u ngritën dhomat e specializuara në Hagë dhe u përgatitën dëshmitë e sajuara kundër udhëheqësisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rubin veproi si mbrojtës i heshtur i së vërtetës. Ai përdori përvojën e tij të terrenit të vitit 1999 për të hedhur poshtë shpifjet e Serbisë dhe për të siguruar që drejtësia ndërkombëtare të mbështeste luftën e ligjshme të shqiptarëve për liri dhe mbrojtjen e pragut të shtëpisë. Ky angazhim familjar dhe profesional dëshmon se solidariteti i vërtetë shfaqet në momentet më të errëta dhe forcon miqësinë shqiptaro-amerikane në mënyrë të qëndrueshme.

Roli i Rubin nuk mund të kuptohej pa praninë e familjes së tij. Gruaja, Christiane Amanpour, korrespondente kryesore ndërkombëtare e CNN, raportoi drejtpërdrejt nga Beogradi, duke sjellë botës realitetin e përditshëm të luftës dhe pasojat për popullin shqiptar. Puna e saj siguroi që zëri i viktimave dhe përpjekjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mos mbeteshin të padëgjuara. Po ashtu, motra e James Rubin, Elizabet Rubin, realizoi një dokumentar të njohur për Kosovën, i nderuar me çmime të larta në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë një dimension të ri historisë dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Dëshmia e Rubin në dhomat e specializuara të Hagës ndaj udhëheqësisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një shembull i qartë i përkushtimit të tij ndaj së vërtetës. Ai prezantoi fakte të patundshme që çmontuan shpifjet dhe propagandat dashakeqe, duke vërtetuar natyrën e drejtë të luftës së popullit shqiptar për liri. Përpjekja e Ushtrisë Çlirimtare dhe e popullit shqiptar u përkrah nga Washingtoni, Brukseli, Londra, Parisi, Roma, Berlini dhe e gjithë bota liridashëse, duke dëshmuar një bashkëpunim global në mbrojtje të drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Kjo histori tregon se miqtë e vërtetë shfaqen kur errësira është më e thellë dhe sfidat duket se janë të pakapërcyeshme. James Rubin, Christiane Amanpour dhe Elizabet Rubin janë heronj të heshtur të popullit shqiptar, hijet që qëndrojnë pas vendimeve historike dhe strategjike, duke i dhënë zë së vërtetës dhe drejtësisë. Veprimet e tyre kanë ndihmuar një popull të përvuajtur të ruajë identitetin, dinjitetin dhe aspiratat për liri, duke lënë një trashëgimi që do të frymëzojë gjeneratat e ardhshme. Përmes dëshmisë dhe angazhimit të jashtëzakonshëm të James Rubin, miqësia historike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo vetëm që fuqizohet, por shndërrohet në një lidhje jetike për mbrojtjen dhe të ardhmen e popullit shqiptar. Kjo miqësi duhet të kultivohet, të njihet dhe të vlerësohet si një pasuri strategjike dhe morale, sepse në të qëndron siguria, liria dhe shpresa e çdo shqiptari.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 334
  • 335
  • 336
  • 337
  • 338
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT