• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Koha e bllokadës duhet të mbarojë: Kosova ka nevojë për rikthim te normaliteti institucional

August 21, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Kosova nuk mund të mbetet peng i interpretimeve të ndryshme juridike. Institucionet duhet të funksionojnë. Kuvendi duhet të konstituohet, qeveria të testohet në sallën e Kuvendit, dhe çdo paqartësi ligjore të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese. Çdo vonesë e panevojshme dëmton qytetarët dhe e pengon rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është një moment kthese. Ai duhet ta rikthej rendin kushtetues në binarët e tij natyralë, duke i kujtuar qeverisë/mazhorances, se asnjë pushtet nuk është mbi ligjin dhe se asnjë manovër politike nuk mund të justifikojë shkeljen e afateve dhe procedurave. Ky vendim vulosi fundin e një skenari të paramenduar për bllokim institucional dhe dëshmoi se institucionet e pavarura mbeten gardianët e demokracisë dhe të Kushtetutës.

Seanca e fundit e Kuvendit i vuri vulën krizës së shumicës. Përballë vendimit të Kushtetueses, Kuvendi dëshmoi se qeveria nuk gëzon më as unitetin e brendshëm. Moskalimi në votim i kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje – nuk është thjesht një dështim teknik. Ai është një sinjal politik i qartë se shumica/koalocioni fitues i zgjedhjeve te 9 shkurtit – e ka humbur legjitimitetin e brendshëm dhe autoritetin moral për të udhëhequr.

Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë i prerë dhe parimor: nuk do të votojë ministra të propozuar nga VV që janë të penalizuar për korrupsion, krim të organizuar ose që nuk gëzojnë integritet politik. Ky qëndrim e thellon edhe më shumë dështimin e shumicës aktuale, e cila nuk arrin të sigurojë besueshmëri as për kandidatët e vet.

Kjo situatë e zhvesh qeverinë nga çdo pretendim për stabilitet. Një shumicë që nuk arrin të kalojë votimet e veta të brendshme nuk mund të pretendojë se përfaqëson vizion për vendin. Ajo nuk ka më as kohezion të brendshëm dhe as kapacitet për të udhëhequr në sfidat e mëdha që presin Kosovën.

Albin Kurti, që pretendon se është zëri i vullnetit qytetar, sot është shndërruar në simbol të kontradiktës politike. Qesharak e bën fakti se një kryeministër që ka dështuar mbi 50 herë të kalojë kandidaturat e veta, vazhdon të sillet sikur ka forcë absolute. Propozimi i znj. Shvarc, ndonëse dihej se nuk gëzonte mbështetje, e shndërroi seancën në një farsë të hidhur dhe tragjike për shtetin që mbetet i paralizuar, dhe komike për mënyrën sesi tallet me seriozitetin e institucioneve.

Në këtë proces, Kurti po tallet me të gjithë: me qytetarët që presin funksionim të institucioneve, me shtetin që ka mbetur i bllokuar, me opozitën që refuzon të shndërrohet në dekor, dhe madje edhe me aleatët ndërkombëtarë që kërkojnë stabilitet.

Strategjia është transparente: duke propozuar emra të papranueshëm, ai zhvendos fajin te opozita, ndërkohë që e ka përgatitur vetë dështimin. Ky është manipulim i pastër politik.

Edhe pse Presidenca e ka konsideruar urgjencë konstituimin e Kuvendit, Kurti ka zgjedhur të fajësojë Gjykatën Kushtetuese. Por nuk është gjykata ajo që e mban peng procesin; është kryeministri që refuzon përgjegjësinë politike. Zgjidhja është e qartë: konsensus me opozitën për një figurë të pranueshme, pa improvizime dhe pa kokëfortësi.

Çfarë mund ta detyrojë Kurtin të reflektojë? Vetëm presioni i brendshëm politik – humbja e mbështetjes në Kuvend – dhe presioni i aleatëve ndërkombëtarë. Sepse konsensusi nuk lind nga arroganca e njëanshme, por nga vetëdija se pushteti nuk është pronë private, por përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Sa më gjatë që Kuvendi mbetet i bllokuar, aq më shumë Kurti e shmang llogaridhënien. Një Kuvend funksional do ta detyronte të përballej me opozitën, me interpelanca, mocione dhe kërkesa për transparencë. Prandaj bllokada është strategji, jo rastësi.

Një rrugëdalje ekziston nëse ofrohen kandidatura të pastra nga çdo barrë gjyqësore, të pakomprometuara me korrupsion ose krim, dhe me integritet moral e politik. Emri i një kandidature konsensuale e aftë për të ndërtuar ura bashkëpunimi, mbetet çështje që varet nga vullneti i palëve.

Çfarë do të ndodhë në seancën e radhës? Nëse Kurti vazhdon me logjikën e përplasjes dhe me emra provokativë, vendi do të përballet me një tjetër dështim. Nëse ka reflektim dhe pranohet kompromisi, kriza mund të zgjidhet. Por shenjat aktuale flasin për një skenar të vazhdueshëm bllokade.

Ky është momenti i reflektimit. Pushteti nuk është pronë private e një partie dhe as mekanizëm hakmarrjeje. Çdo përpjekje për të kapur institucionet e pavarura vetëm sa e thellon krizën dhe minon besimin qytetar në demokracinë tonë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe votimi i fundit në Kuvend janë paralajmërim i qartë se koha e abuzimeve po mbaron.

Kosova ka nevojë për një rikthim të menjëhershëm te normaliteti institucional dhe kushtetues. Vetëm kështu vendi do të mund të ecë përpara me stabilitet, me institucione funksionale dhe me vizion të përbashkët për integrim.

Filed Under: Ekonomi

Tezat që ndërtuan harresën për Çamërinë

August 21, 2025 by s p

Teza #7.

“Çamët kërkojnë ndryshim kufijsh”

Një ndër tezat më djallëzore që ka qarkulluar në diskursin zyrtar grek ndaj çështjes çame është se kërkesat e komunitetit çam përbëjnë një kërcënim ndaj kufijve të Greqisë. Kjo tezë është përdorur në mënyrë sistematike për të delegjitimuar çdo përpjekje për të kërkuar drejtësi dhe për të përhapur frikë në opinionin publik grek. Por ajo është tërësisht e pabazë, historikisht dhe juridikisht.

Asnjë kërkesë e komunitetit çam, as nga individë publik, as nga organizata, as nga shteti shqiptar nuk ka përfshirë ndonjëherë ndryshim kufijsh shtetërorë.

Nuk ka asnjë dokument, rezolutë apo deklaratë që të artikulojë pretendime territoriale ndaj Greqisë.

Pse përdoret kjo tezë nga Greqia?

• Për të frikësuar opinionin grek me idenë e një “kërcënimi të brendshëm”;

• Për të justifikuar mosveprimin diplomatik dhe refuzimin e dialogut;

• Për të delegjitimuar çamët si nacionalistë ekstremistë;

• Për të njollosur çdo zë që kërkon drejtësi si “revanshist”.

E vërteta është: Kërkesa për drejtësi nuk është kërkesë për kufij. Kërkesa për t’u kthyer në shtëpitë tona nuk është për ndryshim kufijsh por është një e drejtë legjitime për të jetuar secili në shtëpinë e vet.

Çamëria kërkon të kthehet në ndërgjegjen e Europës, jo në hartën e saj.

Alket VELIU

Filed Under: Histori

Sali Nivica, pena e një zemre që rrihte vetëm për Atdheun

August 21, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Sali Asllan Nivica u lind më 15 maj 1890 në fshatin Rexhin të Kurveleshit, një trevë e njohur për burrëri, besë e dashuri të patundur ndaj gjuhës amtare. Fëmijëria e tij u formua mes gurëve të malësisë dhe frymës së lirisë, ku çdo fjalë shqipe ishte amanet dhe çdo këngë popullore ishte betim. Shkollën fillore e ndoqi në vendlindje, ndërsa për arsim të mëtejshëm u dërgua në Manastir, ku gjatë viteve 1904–1907 mori mësime që do ta ushqenin me kulturë e dituri moderne. Pas kësaj ai vazhdoi studimet në gjimnazin e mirënjohur të Zosimesë në Janinë (1907–1909), një vatër arsimore që kishte nxjerrë shumë nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare. Aty Saliu u dallua për zgjuarsi, për etje ndaj diturisë dhe për lidhjen shpirtërore me gjuhën shqipe, e cila u bë udhërrëfyesi i jetës së tij. Në vitin 1909, i pajisur me dituri e me ideale, ai nisi punën si mësues në Durrës, duke mbjellë fjalën shqipe ndër brezat e rinj dhe duke u përfshirë menjëherë në veprimtarinë kombëtare.

Rrugëtimi i tij arsimor dhe atdhetar nuk u ndal këtu. Në vitin 1911, gjatë qëndrimit në Stamboll, Nivica u arrestua për veprimtari kundër Perandorisë Osmane. Megjithatë, lirimi i tij u mundësua nga ndërhyrja e Ismail Qemalit, duke dëshmuar se Saliu tashmë ishte bërë pjesë e një rrjeti të gjerë patriotësh që po përgatitnin themelin e shtetit shqiptar. Pas këtij episodi ai u pranua si mësues në Robert College, ku mbolli te nxënësit e rinj dashurinë për gjuhën amtare dhe kulturën kombëtare. Në këtë mjedis intelektual, Nivica nisi të ngjizë idenë se kombi shqiptar mund të ngrihej vetëm mbi gjuhë të përbashkët, arsim të ndriçuar dhe shtyp të lirë.

Këto përvoja të hershme, të fituara në shkolla të njohura e në qendra të rëndësishme kulturore, e përgatitën atë për rolin e madh që do të luante më pas si mësues, publicist, dhe patriot. Që nga këto vite të para u duk qartë se ai do ta lidhte jetën e vet me idealin e shenjtë të Shqipërisë, duke u bërë një ndër figurat më të ndritura të gazetarisë dhe mendimit politik shqiptar në fillim të shekullit XX.

Në vitin 1914, në Vlorë, ai themeloi gazetën “Populli” bashkë me Muço Qullin. Kjo gazetë nuk ishte thjesht një organ informimi, por një tribunë e fuqishme e ideve kombëtare, një thirrje e hapur për unitet dhe qëndresë ndaj çdo rreziku që i kanosej vendit. “Populli” nuk u mjaftua vetëm me pasqyrimin e ngjarjeve politike, por u bë një shkollë e vërtetë e mendimit kombëtar, ku çdo artikull kishte forcën e një manifesti. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe përplasjes së brendshme, gazeta rifilloi botimin në Shkodër, duke marrë një dimension edhe më të gjerë si zë i kombit në mbrojtje të kufijve dhe të drejtave të shqiptarëve.

Në dhjetor 1918, Nivica mori pjesë në themelimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili kishte për mision mbrojtjen e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve të vitit 1913. Në këtë organizatë ai bashkëpunoi me personalitete si Hoxhë Kadri Prishtina, Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Bajram Curri e të tjerë, duke qenë zëri i tyre në shtyp dhe ndër opinionin publik. Ky kontribut i dha atij vendin e nderuar të një ndër ideologëve më të mëdhenj të çështjes kombëtare. Në janar 1919, ai e ringjalli sërish gazetën “Populli” në Shkodër, e cila u bë organi kryesor i Komitetit të Kosovës dhe tribunë e pakrahasueshme e rezistencës shqiptare ndaj planeve të fuqive të huaja.

Nivica nuk kufizohej vetëm te shkrimi politik. Ai kishte një vizion kulturor e shkencor për Shqipërinë. Ai kërkonte themelimin e një Akademie Kombëtare, hartimin e një fjalori të përbashkët dhe zhvillimin e një gjuhe standarde. Për të, pa gjuhën e bashkuar nuk mund të kishte komb të bashkuar. Ky ideal ishte një vazhdimësi e Rilindjes dhe një përpjekje për të institucionalizuar kulturën shqiptare. Në këtë drejtim, ai ishte në një mendje me personalitete të mëdha si Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri dhe Luigj Gurakuqi.

Veprimtaria e tij e zjarrtë nuk kaloi pa pasoja. Ai u burgos disa herë, u ndoq dhe u përndoq nga kundërshtarë politikë dhe nga shërbimet e huaja që shihnin te figura e tij një pengesë serioze për planet e tyre. Megjithatë, çdo burgim e forconte më shumë, dhe çdo pengesë i shtonte vendosmërinë. Gazetat e kohës, bashkëkohësit dhe shkrimtarët e përshkruajnë si një figurë të pastër, me qëndrim të prerë, që nuk e shiste dot asnjë ideal dhe që nuk lëkundej përballë rrezikut.

Fatkeqësisht, më 10 janar 1920, në kulmin e veprimtarisë së tij, Sali Nivica u vra në Shkodër nga Kolë Ashiku. Vrasja e tij la hije të rënda dyshimesh mbi ndërhyrjen e elementëve të huaj, sidomos italianë, të cilët ishin të shqetësuar nga veprimtaria e tij kombëtare. Çfarëdo të ketë qenë arsyeja, kombi shqiptar humbi një nga bijtë e vet më të ndritur, një tribunë të vërtetë të mendimit politik dhe një penë që kishte aftësinë të zgjonte ndërgjegjen e popullit.

Vlerësimet për të nuk munguan kurrë. Gjergj Fishta e përkujtoi me vargje të fuqishme duke e quajtur “shtyllë dhe shkamb” të kombit. Historianët e mëvonshëm, si Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo e më të rinjtë si Dorian Koçi, e kanë përshkruar si shembull të gazetarit patriot, që e ktheu shtypin në armë për liri. Ish-presidenti Bamir Topi e nderoi me titullin “Nderi i Kombit”, duke e vendosur emrin e tij në panteonin e figurave më të mëdha kombëtare. Gazeta “Dielli”, organi i kolonisë shqiptare në Amerikë, e ka përkujtuar gjithmonë si një zë që nuk heshti kurrë për Kosovën dhe për Shqipërinë.

Populli shqiptar e ruan ende në kujtesë figurën e tij si simbol të idealizmit dhe të sakrificës. Ai mbetet një shembull për të rinjtë, për intelektualët dhe për çdo njeri që beson se fjala e lirë dhe dija janë armët më të forta për mbrojtjen e atdheut. Kujtimi i tij është një kujtesë e gjallë se Shqipëria është ndërtuar me gjakun dhe mundin e burrave të mëdhenj, të cilët si Sali Nivica, e vunë jetën e tyre në altarin e kombit.

Filed Under: Opinion

SHOQATA SHQIPTARE “KOSOVA” – MONTREAL, GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT E KANADASË

August 21, 2025 by s p

Ilirjana Latifi, kryetare e Shoqatës Shqiptare “Kosova” – Montreal, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Montreal përmes veprimtarive patriotike, komunitare dhe atdhetare. Ajo rrëfen imtësisht aktivitetet dhe përkushtimin dhe në fondacionin “The Artistè Foundation” e shkollën shqipe “Dardania”, veprimtari këto që rrisin, nxisin dhe promovojnë komunitetin shqiptar në Montreal.

Me patrioten Ilirjana Latifi bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

Historia e themelimit të Shoqatës Shqiptare “Kosova” – Montreal

Shoqata Shqiptare Kosova – Montreal ekziston tashmë pothuajse një dekadë. Megjithatë, unë preferoj të flas për periudhën kur mora drejtimin si kryetare. Fillimi nuk ishte i lehtë – përkundrazi, ishte i mbushur me sfida dhe përgjegjësi. Përballja me mungesën e buxhetit, përfundimi i kontratës së lokalit të shkollës Dardania, pamundësia për të siguruar pagesën e mësueses, aktivitetet e bllokuara për shkak të dokumentacionit dhe llogarisë bankare të pezulluar – ishin disa nga vështirësitë kryesore. Me shumë punë dhe përkushtim, arrita të rikthej funksionalitetin e plotë të shoqatës, të hapja konton bankare, të siguroja një buxhet stabil dhe ta vija Shoqatën përsëri në rrugën e duhur. Sot, shoqata ka një veprimtari aktive dhe një rol të rëndësishëm në komunitet.

Aktivitetet patriotike dhe komunitare

Shoqata jonë organizon aktivitete që ruajnë dhe forcojnë identitetin kombëtar shqiptar. Një sukses i veçantë ishte aktiviteti i parë me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, ku patëm një bashkëbisedim të frytshëm me diasporën. Gjithashtu, organizuam panairin e parë të librit në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore Shqiptare dhe organizatën “Albanian Development Alternative”. Një tjetër moment i paharrueshëm ishte pikniku i përbashkët i Shoqatës Shqiptare Kosova – Montreal dhe Shoqatës Kulturore Shqiptare Montreal, ku prania e bashkatdhetarëve ishte shumë e madhe. Festat e fundvitit me babadimrin dhe dhurata për fëmijët e shkollës Dardania, si dhe festa e Pavarësisë së Kosovës me pjesëmarrje nga të gjitha trevat shqiptare, janë bërë tashmë tradita të bukura që mbledhin komunitetin.

Kontributi në bordin e “The Artistè Foundation”

Në “The Artistè Foundation” kam rolin e Project Manager. Falënderoj znj. Arta Rexhepi për ftesën që të jem pjesë e bordit. Fondacioni ynë ka për mision të fuqizojë komunitetin shqiptar, të mbështesë të porsaardhurit në Kanada, si dhe të ndërthurë trashëgiminë tonë kulturore dhe artistike me kauza të shëndetit, advokimit dhe drejtësisë. Ne synojmë të fuqizojmë gratë përmes artit, të japim hapësirë për zërat e tyre dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi për një shoqëri më të drejtë e gjithëpërfshirëse. Jam shumë e kënaqur me vëmendjen dhe përkrahjen që kemi fituar në një kohë të shkurtër dhe së shpejti do të prezantojmë organizimin tonë të parë zyrtar.

Aktivitetet kulturore dhe edukative me shkollën “Dardania”

Brenda Shoqatës, unë drejtoj edhe Shkollën Shqipe “Dardania”. Fillimisht, numri i nxënësve ishte shumë i vogël, por sot kemi arritur rreth 30 nxënës të regjistruar. Përfundimi i vitit shkollor 2024 u shënua me sukses, duke shpërndarë certifikata për nxënësit dhe dhurata për mësueset, si dhe duke organizuar një festë me prindër e fëmijë. Qëllimi ynë për vitin e ardhshëm është hapja e dy klasave, në mënyrë që mësimi të jetë më i favorshëm si për nxënësit, ashtu edhe për mësueset. Librat e shkollës janë furnizuar nga Ambasada e Kosovës në Ottawa, falë përkrahjes së ambasadorit z. Adriatik Kryeziu.

Promovimi i bizneseve shqiptare në Kanada

Shoqata jonë gjithashtu punon për të promovuar bizneset shqiptare në Kanada. Përmes sponsorimeve të tyre, kemi arritur të realizojmë aktivitete të rëndësishme kulturore dhe patriotike. Mbështetja e tyre është jetike për komunitetin tonë dhe meriton mirënjohje të veçantë.

Ndjenja e patriotizmit tek fëmijët

Puna kulturore dhe edukative e Shoqatës Kosova dhe e Shkollës Shqipe Dardania ka ndikuar shumë në rritjen e ndjenjës së patriotizmit tek fëmijët. Përmes mësimit të gjuhës shqipe, traditave, këngëve, valleve dhe historisë kombëtare, fëmijët po e forcojnë lidhjen e tyre me atdheun dhe rrënjët.

Kush është Ilirjana Latifi?

Rrjedh nga një familje artistësh, e rritur mes muzikës dhe vallëzimit. Kam mbaruar shkollën fillore të muzikës në Prenk Jakova – Prishtinë (flaut) dhe më pas në Shkollën e Muzikës Gjilan (kanto). Kam qenë pjesë e grupit “Xixëllonjat këndojnë” nën drejtimin e Drita Rud-it dhe më pas anëtare e Ansamblit “Idriz Seferi”, duke interpretuar si valltare dhe këngëtare.

Jam pjesëmarrëse në festivale të ndryshme për fëmijë dhe të rritur , ku kam fituar çmime dhe certifikata mirënjohjeje. Kam ndjekur gjithashtu trajnime për paqen, stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike, advokim dhe media. Në aspektin profesional, kam përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë në drejtimin Fitnes dhe Nutricion, ndërsa studimet universitare i kam përfunduar në Fizioterapi. Sot punoj si fizioterapeute, masoterapeute dhe specialiste e estetikës mjekësore. Jam nënë e tre fëmijëve, njëkohësisht një grua biznesi dhe kryetare e një shoqate. Për mua, puna vullnetare është mision dhe shembull që dua t’ua transmetoj fëmijëve të mi.

Mirënjohje dhe falënderime

Mirënjohja më e vlefshme për mua është përkrahja e komunitetit dhe bizneseve gjatë çdo aktiviteti të shoqatës. Falënderoj veçanërisht sekretarin e Shoqatës, z. Azem Bega, për ndihmën e jashtëzakonshme; mësuesen dhe ndihmësen e saj për punën e palodhur; prindërit e nxënësve për besimin dhe angazhimin; ambasadorin e Kosovës z. Adriatik Kryeziu për përkrahjen dhe furnizimin me libra; Konsullatën e Kosovës dhe z. Kadri Dakaj si dhe Ambasadoren e Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, për përkrahjen e vazhdueshme. Një falënderim i posaçëm shkon për gazetën “Dielli” në New York, është një nder që edhe puna dhe arritjet tona të gjenden në faqet e saj, duke na motivuar të vazhdojmë rrugëtimin me më shumë përkushtim.

Filed Under: Politike

Më 20 gusht 1463, u shpall marrëveshja midis Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Senatit të Venedikut

August 20, 2025 by s p

QSPA/

Më 20 gusht 1463, u shpall marrëveshja e paqes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në luftën e përbashkët kundër osmanëve midis Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Senatit të Venedikut.

Kjo marrëveshje u krye në një kohë kur osmanët kishin sulmuar zotimet venedikase në Peleponez dhe Venediku përmes të dërguarit të tij këmbënguli gjatë te Skënderbeu për kryerjen e saj. Skënderbeu, i dyzuar nga qëllimet e Venedikut, pas një periudhe të gjatë reflektimi nga ana e tij dhe e Ligës vendosën të lidhin këtë marrëveshje. Sipas saj Skënderbeu zotohej të vazhdonte luftën kundër Perandorisë Osmane, ndërsa Venediku do t’i dërgonte ndihma në njerëz dhe dukatë, si dhe të dërgoheshin anije në brigjet e Shqipërisë dhe Dalmacisë. Në rast se do të përfundohej me një marrëveshje të mundshme paqeje mes Venedikut dhe osmanëve, Skënderbeu do të vihej në dijeni dhe Shqipëria do të përfshihej në kushtet e traktatit. Në këtë marëveshje Senati premtoi që në rast disfate dhe pushtimi të Shqipërisë nga osmanët, Skënderbeu së bashku me të tjerë shqiptarë do të strehoheshin në tokën e Venedikut, gjë që u realizua pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

(Foto: Portreti i Skënderbeut nga piktori Agim Sulaj)

https://albemigrant2011.wordpress.com/…/prof-dr-jahja…

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 369
  • 370
  • 371
  • 372
  • 373
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT