• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

5 libra të rinj prej autores dhe publicistes së njohur shqiptaro-amerikane, Raimonda Moisiu -Sade

April 22, 2025 by s p

Kozeta ZAVALANI*/

E vendosur në SHBA-ës, aty nga fundi i shekullit të 20-ë, shkrimtarja shqiptaro-amerikane Raimonda Moisiu, ka shkruar dhjetra libra; në gjininë e romanit, poezisë, përkthimit, gazetarisë dhe publicistikës.

Në ditën Botërore të Librit, mora dhuratë 5 libra nga motra e shpirtit korçar; shkrimtarja e poetja e talentuar Raimonda Moisiu –Sade, që prej disa javësh gjendet në atdhe.

Ndonëse jeton në Amerikë, nuk ështē shkëputur kurrë nga Shqipëria dhe pasioni i saj, letërsia e krijimtaria. Raimonda është krijuesja modeste që krijimtarinë e saj e sheh gjithmonë si proçes integrues i shkrimtarëve shqiptarë në mërgatë pa vënë kurrë në qendër veten e saj, por duke sjellë gjithmonë bashkë krijuesit dhe lëvruesit e letrave shqipe, dhe ka realizuar 201 intervista me personazhe të letrave shqipe dhe të të gjitha fushave. Libri, thotë ajo, është pasuria ime më e madhe.

Unë do të shtoj thënien e Abraham Lincoln:”Miku im më i mirë është ai që më dhuron një libër të cilin nuk e kam lexuar”.

400 vjet më parë, më 23 prill 1616, u ndanë nga jeta Shekspiri, Servantesi dhe Garcilaso de la Vega. Thuhet se ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit e ka origjinën në zonën e Katalonjës, Spanjë, ku atij që blinte një libër, i dhurohej edhe një trëndafil.

23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.

Duke më dhënë librat Raimonda thotë:”Falenderim dhe Mirënjohje të thellë për Publishing House, “Botimet Jozef”, intelektualin e shquar, qytetarin dhe botuesin model dhe dinjitoz, Z. Aurel Kaçulini që me përkushtim, kujdes, besim, dashuri dhe mirësi, për dhuratën më të bukur, unike dhe me vlerë, që më bënë me rastin e ditëlindjes sime, pēr duke nxjerre nga botimi 5 librat e mij”.

Librat janë:

– “Pafajësia e Evës”, roman me 240 faqe me parathënien e shkruar nga gazetarja dhe lektorja e njohur, Elsa Xhai.

-“Eva’s Innocence”, novel in English language, 240 pages, – përkthyer nga vetë autorja, (R.Moisiu) dhe vlerësuar për përkthimin nga Ph. D Yllka Filipi/Writer

-“Vite Poetike” –libër me poezi me 430 faqe dhe me parathënien e shkruar nga Marjana Bulku Zeneli, Filologe/ Shkrimtare/ Gazetare.

-The Poetic Years” liber me poezi me 430 faqe -të përkthyera jo vetëm në gjuhën angleze, por edhe në disa gjuhë të tjera sikundër: Italisht, Greqisht, dhe Montenegrin, dhe me parathënie nga Vasil Tabaku Shkrimtar/ Poet/ Publicist, dhe përkthyer në gjuhën angleze nga vetë

autorja.

Poetja Moisiu, falenderon vecanërisht “Village Bread & Bagel” sipërmarrësin e njohur shqiptaro-amerikan, Vincens Jubani, resident në Jacksonville, Florida, për sponsorizimin e librit poetik.

-Libri “NË GJURMË TË FJALËS”, (me 432 faqe) -Vështrime/Përsiatje/ Kritika-

Mirënjohje dhe Falenderim, për miken me vlera Raimonda Moisiu –Sade

për këto libra me vlera që u dhuron lexuesve sepse, leximi e ndriçon mendjen e njeriut, e njeh dhe e informon me aspektet e jetës dhe të botës. E bën njeriun më të edukuar, më të kulturuar.Të lexuarit e librave pasuron botën e brendshme shpirtërore.

Libri është thesari më i çmuar për të pasuruar botën e brendshme të njeriut dhe veçanërisht për të kultivuar vlerën e diturisë dhe qytetarisë.

Ndaj mos tu ndaltë pena pēr ta bërë mendjen e lexuesit të jetë më kreative dhe aktive!

Librat e rinj, të shkrimtares dhe publicistes së njohur shqiptaro-amerikane, Raimond Moisiu-Sade, mund t’i porositni dhe merrni, pranë Shtëpisë Botuese “ BOTIMET JOZEF”, Rr.Epikadeve, Durrës, Albania.

Kozeta Zavalani,

*Shkrimtare, Gazetare dhe Aktiviste e Shquar e Shoqërisë Civile, dhe në komunitetin e Letrave Shqipe.

Filed Under: LETERSI

HAMIT KASTRATI, RAPSODI QË PO I JEP SHPIRT HISTORISË PËRMES KËNGËS

April 22, 2025 by s p

Nga: Besim Muhadri/

I lindur dhe i rritur në një ambient me tradita të shquara bujarie dhe atdhetarie, rapsodi popullor hasjan, i përmasave kombëtare, Hamit Kastrati (Golaj, Has 1962), në rrugëtimin e tij nëpër vite e dekada si njeri dhe rapsod, gjithnjë është ushqyer me ndjenjën e dashurisë për atdheun. Ndonëse i lindur dhe i rritur në një kohë kur regjimi komunist në Shqipëri kishte ngulfatur jo vetëm lirinë e njeriut dhe krenarinë e tij, qoftë personale, qoftë kolektive e kombëtare, por edhe kultivimin e traditave popullore, madje duke ndërhyrë edhe në çdo aspekt të jetës, Hamit Kastrati arriti t’i shpëtojë kësaj katrahure dhe të jetonte vertikalisht. I njohur tashmë si një rapsod i këngëve të mirëfillta folklorike, Hamit Kastrati është pa dyshim një nga rapsodët më të njohur jo vetëm të krahinës së Hasit, por edhe më gjerë.

Përveç si këngëtar, ai është i njohur edhe si krijues, përkatësisht hartues i të gjitha teksteve të këngëve të cilat ai i këndon. Janë me qindra këngë të krijuara nga vetë Hamiti gjatë pothuajse tri e më shumë dekadave. Këto tekste këngësh, të krijuara dhe të kënduara nëpër vite, Hamit Kastrati, përveç në audio dhe video incizime, i ka prezantuar para lexuesit, përkatësisht dëgjuesit të tij anekënd atdheut dhe kah flitet shqip përmes librit të tij me titull simbolik dhe shumë domethënës “Kënga e shpirti kurrë nuk vdesin”, në të cilin janë prezantuar 186 tekste këngësh të tematikave të ndryshme, të seleksionuara në pesë cikle, ku secili prej tyre paraqet tematikë më vete. Libri është botuar në vitin 2017, ndërkohë që Hamiti ka shkruar edhe qindra tekste të tjera dhe i ka gati për librin e dytë.

Në ciklin e parë të këngëve, “Gjak që s’falet asht Kosova”, autori ka prezantuar këngët e tij të shkruara e të kënduara për Kosovën, këtij pengu të përjetshëm të këngës dhe të shpirtit të tij prej rapsodi dhe shqiptari. Në këtë cikël këngësh autori i këndon Kosovës dhe ëndrrës së bashkimit kombëtar. Ai i këndon edhe figurave të shquara kombëtare të Kosovës martire, të ndarë padrejtësisht e tragjikisht nga trungu i Shqipërisë natyrale. Këngët e këtij cikli janë këngë që shprehin qartë përpjekjet e shqiptarëve, veçanërisht të atyre të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e saj. Rapsodi Hamit Kastrati i këndon Adem Jasharit, kësaj figure kyçe të UÇK-së, heroizmi dhe shembulli i të cilit frymëzoi luftëtarët e lirisë. Këngët e Hamit Kastratit për dëshmorët e Kosovës jantë kënga me domethënëse, më kuptimplote, të cilat shprehin dhe përçojnë amanetin e burrave të Kosovës që lufta të mos ndalet deri në realizimin e dëshirës së tyre kryesore që të mos ketë “kufij ndërmjet”, siç shprehet në shumë vargje rapsodi.

Këngët e ciklit të dytë të titulluar “Nji asht kanë e asht Shqipnia”, janë këngë kushtuar atyre që u vranë nga regjimi komunist në Shqipëri, por edhe këngë të tjera, të cilat shpërfaqin gjendjen dhe realitetin e një kohë shumë delikate, shumë të dhimbshme, siç ishte koha e regjimit të egër komunist të izolimit dhe të vetizolimit të Shqipërisë.

Në ciklin e tretë “Kush beson veç t’mira gjanë”, autori ka seleksionuar këngët kushtuar baballarëve shpirtërorë të krahinës së Hasit, Tropojës e të Gjakovës, të cilëve ai u këndon me shumë pasion dhe konsideratë.

Në ciklin e katërt Kastrati ka radhitur këngët e kurbetit, kësaj plage të hapur e të pashërueshme shqiptarësh, ndërsa në ciklin e pestë dhe të fundit ai ka prezantuar këngët e dashurisë por edhe disa këngë të tjera humoristike, si pjesë e pandarë e jetës.

Përjetësimi i luftës së Kosovës dhe përçimi i mesazhit të dëshmorëve

Kosova dhe historia e saj plot dhimbje, sakrifica dhe përpjekje për të ardhur deri të dita e madhe e lirisë dhe pavarësisë së saj, në vazhdimësi ka preokupuar jo vetëm atdhetarët, luftëtarët, idealistët, por edhe artistët, poetët dhe këngëtarët. Një shqetësim të tillë ka edhe rapsodi Hamit Kastrati. Kam përshtypjen se asnjëri nga poetët dhe rapsodët e trojeve shqiptarë se sa Hamit Kastrati nuk i ka kënduar kaq shumë dhe me kaq pasion Kosovës dhe bijve të saj të cilët luftuan, u sakrifikuan dhe vdiqën duke luftuar për ditën e madhe të lirisë, por edhe të pavarësisë dhe ta bashkimit kombëtar. Të kësaj tematike janë 78 këngë, të cilat shpërfaqin brengën e madhe të quajtur Kosovë, për të cilën rrahën zemrat dhe u derdh gjaku në kohë dhe periudha të ndryshme të historisë e në mënyrë të veçantë gjatë kohës së luftës së UÇK-së. Këngët e Hamit Kastratit të kësaj tematike, të prezantuara në librin e tij, janë një përmendore e fortë, shumë domethënëse, të cilat, përveç që përjetësojnë heroizmin dhe sakrificën shqiptare për lirinë e Kosovës, ato njëkohësisht janë edhe një dëshmi e gjallë e një historie tashmë të ndodhur që ka dhënë e po jep frytet e saj të ëndërruara nga breza të tërë. Prandaj edhe vetë titulli i ciklit “Gjak që nuk falet është Kosova”, natyrisht i huazuar nga një varg i poetit tonë të njohur Ali Podrimja (Kosova është gjaku im që nuk falet), sikur shpërfaq qëllimin e brezave ndër shekuj. Vargjet e këngëve të kësaj tematike, janë vargje më plot figuracion, me shumë domethënie dhe me shumë mesazhe, të cilat përçohen te lexuesi, qoftë përmes penës së autorit, qoftë përmes porosisë së protagonistëve të këtyre teksteve, të cilët sot prehen përjetësisht në altarin e lirisë së Kosovës.

Shpërfaqja e përmasës së tragjedisë dhe braktisjes së atdheut

Në këngët e ciklit të dytë “Nji asht kanë e asht Shqipnia”, siç u tha edhe më lart, autori ka cikluar këngë të cilat iu kushtohen atyre burrave të Shqipërisë, të cilët u vranë dhe u persekutuan nga ana e regjimit komunist, vetëm pse ata nuk u pajtuan me të keqen që kishte pllakosur vendin, e keqe që kishte ngulfatur perspektivën e Shqipërisë së idealeve të mëdha të rilindësve dhe të të gjithë patriotëve që punuan dhe luftuan deri në pikën e fundit të gjakut për perspektivën e saj evropiane, demokratike.

Këngët e Hamit Kastratit që për kanë këtë tematikë, janë krijime që tregojnë gjithë atë tragjedi të përmasave më të dhimbshme, të përjetuar nga shqiptarët, të cilët autori në një varg i quan jo pa qëllim i quan të pafat. 48 këngët që janë të përfshira në këtë cikël tematik, mund të cilësohen si këngët e dhimbjes e të tragjedisë sonë kombëtare, ashtu siç mund të cilësohen edhe këngët e kurbetit, të kësaj plage të hapur ndër shekuj për shqiptarët, e cila jo që nuk u shërua ndonjëherë, por ka rrezik që të mos shërohet asnjëherë. Si duket të kota janë thirrjet e rapsodit të që shqiptarët të braktisin ëndrrën e kurbetit, që është ëndrra e ikjes nga atdheu për një jetë më të mirë, sepse sindromi i quajtur emigrim ka marrë përmasa të mëdha, madje edhe duke arritur nivelin e tragjikës së përgjithshme gjithëkombëtare.

Shqetësimet e rapsodit Kastrati janë shqetësime të njeriut të ndershëm shqiptar, i cili ia do të mirën atdheut dhe të cilin dëshiron ta shohë ashtu siç duhet dhe duhej të ishte. Qoftë në ciklin “Nji asht kanë e asht Shqipnia”, apo edhe te “Këngët e kurbetit”, fantazma e tragjedisë kombëtare është ajo që sillet e nuk shqitet asnjëherë e në asnjë kohë, qoftë edhe në këtë kohën e re të demokracisë. Këngët si “Kroni i Guruzhupit”, “O shqiptarë pse kaq pa fat”, “Deri kur me derdh lot nana” e shumë këngë të tjera, te cilki “Nji asht kanë e asht Shqipnia” si dhe pothuajse të te gjitha këngët e kurbetit” e në veçanti këngët “Oj Shqipnia me halle e derte”, Pranvera me lot”, “Kofsh mallkue përjetë kurbet”, etj., janë disa nga këngët më të dhimbshme, që shpërfaqin përmasën e një tragjedie të quajtur braktisje të atdheut dhe lënien e tij në vetminë vrastare.

Këngë me shumë kuptim dhe domethënie janë edhe këngët e ciklit Kush beson veç t’mira gjanë, ashtu sikurse janë edhe këngët e ciklit të fundit, këngë dashurie dhe ato humoristike, ku përveç talentit të autorit në krijimin e teksteve të tyre tematike, ato shprehin edhe respektin e autorit për figurat e respektuara fetare siç janë në këtë rast Dervish Azem Dajçi, Dervish Sadik Gaxha, Brah Alia, Pashtriku, si vend i shenjtë, simbolika hasjane dhe kombëtare të humanitetit e të bamirësisë, por edhe këngë të tjera, ku autori ka fokusuar këngën e tij në aspektin e respektit ndaj këtyre figurave fetare të Hasit, Malësisë së Gjakovës e më gjerë, qoftë për aspektin humanitar dhe bamirës të tyre, qoftë si shërues shpirtrash dhe të besimit të patundur në Perëndinë. Prandaj edhe vargu “Kush beson veç t’mira gjanë” është një varg sa domethënës, aq edhe një përçues të qartë për njeriun e kohës sonë.

Rapsodi Hamit Kastrati me shumë pasion i këndon dashurisë, por edhe temave të tjera, përmes të cilave ai prek në “telin” e ndërgjegjes dhe të shqetësimeve të shumta që preokupojnë njeriun shqiptar. Me një fjalë, tekstet e këngëve të tij janë tekste që burojnë thellë nga shpirti i tij i trazuar në vorbullën e kohërave nëpër të cilat ka kaluar ai si krijues dhe njeri.

Hamit Kastrati, padyshim se me anë të këtij libri jo vetëm që po rrombullakëson një pjesë të punës dhe kontributit të tij në fushën e artit të këngës, por njëkohësisht ai po jep një kontribut shumë të çmuar në realizimin e një projekti madhor, siç është përfshirja brenda kopertinave të një liri të qindra teksteve të këngëve të tij, të cilat tashmë janë bërë pjesë e këngës folklorike shqipe, tekste të cilat, ndonëse të shkruara nga Hamiti, tashmë i kanë përvetësuar dhe po i këndojnë edhe shumë rapsodë apo të ashtuquajtur “rapsodë”, madje edhe duke ua ndryshuar kuptimin e tyre, qoftë për shkak të moskuptimit të teksteve në të dëgjuar, apo edhe të tendencës së përvetësimit të këtyre testeve, që në botën moderne quhet plagjiaturë e që kohëve të fundit është bërë fenomen shqetësues.

Prandaj, me anë të këtij libri, Hamit Kastrati tregon qartë se është rapsod në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës.

Filed Under: Kronike

“AMERICAN DREAM” – PREMIERE NIGHT AND GALA CONCERT

April 22, 2025 by s p

An Extraordinary Evening Awaits YouFilm Premiere – Witness the exclusive first screening of American Dream, a groundbreaking film series that captures the essence of ambition, struggle, and triumph.

Gala Concert – A spectacular live performance featuring world-renowned artists:

Kreshnik Zhabjaku- Tenor

Donika Ukshini- Soprano

Riad Imeri- Tenor

Arian Krliu- Singer

Kimi – Singer

Armend Baloku – Actor

Exclusive Live Performances:

Adel Lami- Ballerina

Andrew Kutryk- Ballet Dancer

Armend Baloku- Actor

Masterful Musical Ensemble:

Elis Lloshi – Piano

Klajdi Cerriku– Accordion

Did Tezha – Guitar

Margret Radovani – Violine

Three course dinner complemented by an open bar.

Dress Code: Suit and formal outfit

National Television Broadcast – The event will be broadcast on our national television channels in our homeland, ensuring this extraordinary night reaches audiences far and wide.

This is more than an event—it is a night of cinematic brilliance, artistic mastery, and unparalleled sophistication.

We look forward to welcoming you to this spectacular celebration of film, music, and artistry.

With gratitude: Vlora Nikçi & Armend Baloku

P.S. For Tickets please see the link below or the attached pdf file.

https://www.eventbrite.com/…/american-dream-premiere…

Filed Under: Komunitet

Trajektorja e Persekutimit të Familjes Çika – e vërteta që flet nga arkivat

April 22, 2025 by s p

Një reflektim mbi dokumentet e dosjes së përndjekjes së Nebil Çikës dhe familjes së tij, si dëshmi e një kohe që s’duhet të harrohet.

Nga Selami Zalli – AIDSSH

1. Për të kuptuar e qënë në gjëndje të analizoj mbi këtë libër, për të cilin jemi bashkuar, kam zgjedhur ta filloj e trajtoj diçka nga dosja e përpunimit, “dobësisë” e të ndjerit mikut e shokut tonë, jo vetëm personal por edhe institucional Nebil Cika, kjo në përkujtim e shprehje të respektit sado minimal.

Konkretisht kemi të bëjmë me një dosje të përbërë nga vetëm 79 faqe, me 44 dokumente të krijuara që nga data 06.02.1976 – 09.04.1992 ditën e arshivimit të saj. Në analizë të thjeshtë nga përmbajtja, përcaktimi i tendencës dhe intensiteti i ndjekjes përbën paradoks, por ne këtë jemi të detyruar ta pranojmë, ani pse nisur edhe nga eksperienca e punës me dosjet, jemi në gjendje të kuptojmë çfarë ka ndodhur, si janë cunguar e reduktuar aktet, e megjithatë aktet flasin dhe ne jemi në gjendje jo vetëm të kuptojmë por kemi edhe çfarë të themi, sjellim e prezantojmë përpara jush, mbi atë çfarë ka ndodhur, për të ecur në rrugën e vetpërmirësimit dhe korrigjimit në mënyrë që ajo e kaluar të mos përsëritet.

Që në fillim konstatohet periudha e gjatë e ndjekjes nga viti 1976 – 1992 (16 vjet) ndërkohë që aktet në dosje datojnë shumë më herët, po kështu sasia e vogël e fletëve. Nga shënimet standarte (formularët) në përbërje të dosjes figurojnë vetëm 3 punëtorë operativ (OS), ndërsa në fakt gjejmë gjurmë të 14 OS.

Tek lista e lidhjeve familjare bie në sy shtrirja e gjerë (Sarandë, Vlorë, Tiranë etj) kjo si tregues vlerash e ndikimi dhe arsye për të qënë target.

2. Nëse do të marrim në një analizë të thjeshtë, vetëm vërtetimin biografik do mjaftonte dhe do ja dilnim të ndërtonim një identikit, bërë prognozën e kuptuar çfarë mund të ketë ndodhur dhe arsyet.

– Vërtetim biografik datë 02.11.1976;

Arsimi i mesëm (luks për kohën),

Ish i dënuar me 20 vjet burgim,

Kooperativist,

Shtresë e pasur (me çifligje që kanë shfrytëzuar punën e të tjerëve …?!

Familje me influencë në regjimet antipopullore “kur hante shaka petulla” quhet kjo periudhë në Shkodër …!

Familje ka ndihmuar Ballin Kombëtar (nacionaliste) pa i hyrë analizës kush ishte dhe çfarë roli ka luajtur BK në këtë zonë…?!

Kanë hezituar të futen në kooperativë bujqësore dhe janë të prekur nga reformat, (trgues vizioni dhe koha u dha të drejtë, ja që paskan qënë në anën e duhur jo vetëm të historisë por edhe të ekonomisë, mirqënies e jetesës normale),

Qëndrim indiferent…?!

Nëse marrim në analizë e komentojmë këto cilësime, duke patur parasysh nga kush dhe për çfarë qëllimi janë bërë, të gjitha sot na rezultojnë vlera të përziera me të pavërteta dhe ajo që duam apo siç duam të jemi e aspirojmë që të shkojmë për të patur e ndërtuar një vend dhe jetë më të mirë e dinjitoze.

Po kështu në dosje evidentohen edhe lidhjet familjare e të krushqisë me sërën e mirë, të përafërt me të tyren.

3. Për të kaluar në aktin tjetër; Vendim për marrjen në kontroll operativ 2B datë 06.12.1976, jo për një fakt konkret apo se se ka bërë diçka, por thjesht si “element me të kaluar të keqe”.

Kjo si tregues i asaj se, kjo kategori konsideroheshin e trajtoheshin si lëndë e parë për burgosje, keqtrajtim e target goditje sa herë kishte nevojë për ashpërsimin e luftës së klasave, dhe do të duhej të zbuloheshin (sajoheshin) armiq, me të vetmin arsyetim biografinë dhe “mund të aktivizohet …”?!. Për këtë qëllim janë administruar në dosje dy ekstrakte, që datojnë që nga viti 1970 – 71, shumë kohë përpara marrjes në përpunim, ndërkohë që sipas akteve është marrë në përpunim 6 vjet më vonë (06.12.1976) çka përbën prove (tregues) se dokumentacioni është keqpërdorur, ndryshuar, mbajtur e zhdukur sipas dëshirës, për tu riaktivizuar, rindërtuar e goditur “armikun” sipas koniukturës dhe planifikimit. Konkretisht nga përmbajtja e këtyre dokumenteve rezulton kontradiktë, asgjë konkrete si dhe gjenden pyetje me shënime dore të cilat gjatë gjithë kohës mbetën pa përgjigje, të cilat “legalizohen” nga akti i dytë pa i dhënë përgjigje shënimit të parë, ribëhet përsëri po e njëjta pyetje edhe në shënimin e dytë “Ku është implikimi …?”, i cili nuk ekziston veç në mendjet diabolike.

Nga ky dokument kuptojmë se i ndjeri Sorkadh, kishte qënë në PP (përpunim paraprak) që nga data 09.09.1971, e shoqëruar me Plan – Masash, agjenturalo – operative të datës 10.09.1971, detyrat e të cilit janë realizuar nëpërmjet aktivizimit të 2 b.p. nga rrethi i afërt (zona) dhe 1 b.p. i sjellë nga Vlora, mbajtur në kontroll sidomos kur kalonin turistë të huaj etj.

Mbasi nuk kishte dalë asgjë në drejtim të tij, është vendosur asgjësimi i dosjes, duke ruajtur vetëm sa më sipër “dokumentin e mundësisë e nëndetseve…”!

Interesant dhe me interes do të ishte ky “Plan i masave”, asgjësimi i të cilit, ka marrë me vehte të vërtetën dhe shkeljet.

4. Nga përmbajtja dhe dhe shënimet që gjënden në “Relacionin…” e datës 29.03.1971 del qartë se është punuar me paragjykime e hamendësime të shprehura në përdorimin e zhargonin si; “… kulak etj, … ka shumë mundësi…”/!

Nga aktet e dosjes rezulton një periudhë e gjatë pa dokumentuar asgjë deri në datën 02.09.1983, kur kalohet nga tendenca për “spiunazh” në tendencën për “Tentativë arratisje”, për vetë natyrën klasore të OSSH nuk mund të lihej “armiku” i pambuluar …?!

Për këtë arsye në datë 07.02.1984 hartohen “Detyra kontrolli…” me b.p., vëzhgim, evidentim lidhjesh, ndjekje etj.

5. Duke kaluar pa asnjë veprim apo dokument të ri pas atij të vitit 1970, të cilit i përpunohet mbi baza fantazie përmbajtja e “Relacionit …” të datës 22.09.1985, që të justifikojnë mbajtjen në ndjekje me arsyetime e argumente fantashkencë, nëpërmjet përdorimit të nëndetseve etj. Relacion, në analizë të të cilit, i jap të drejtën vetes për ta aluduar se, mund të jetë bërë vetëm nën efektet e një darke peshku e nën avujt e alkolit, për më tepër nga një prototip famëkeq që ka alergji nga të diturit e fisnikët, sidomos mësuesit (Sulejman Abazi, zv/drejtor i OSSH) gjurmët e vijësjelljet e tij, gjenden nga Tropoja në Saradë, rasti i mësueses Rukie Rama e materializuar edhe në novelën “Goditja e Burrit” nga N. Tozaj.

Po e njëjta situatë faktike dhe gjëndje e akteve në “Planin e masave” të datës 22.09.1985, ku veç përsëritjes monotone të fabulës nga ana e OS, që ndjek çështjen (përpunimin) në pikën 3 kërkohet përsëri duke u kthyer në pikën fillestare se; “kush e ka implikuar”, pyetje kjo e bërë për herën e tretë dhe që nuk merr përgjigje?, për faktin e thjeshtë se diçka e tillë nuk ekziston por është produkt i mendjeve diabolike që “armikun” e gjenin në biografi.

6. Nga dosja rezultojnë vizita nga miqtë dhe klerikë, si në rastin e djalit të Dervish Nebiut nga Golemi, po kështu identifikohet “Brigadieri” me arsim të lartë si b.p. “Bistrica” etj.

Në leximin e një dosje, jo rrallë ndodh të kemi pështjellim ndjenjash e ndjesish, ku veç trishtimit e keqardhjes të ndodh, të ndjehesh mirë sikur po shlyen (lan) një borxh, përmbush një detyrim, të ndjehesh me fat e krenar për lidhjet e largëta, në konfirmim të asaj që “ngjet pa bëhet”, kështu më ndodhi, duke ndeshur në mbiemrat Xhelili (Adnandin), Ahmati (Sasaj), Noga (Gazin), Hysi (Glorin) etj, disa prej tyre shokë, kolegë e komshinj, ashtu si dhe personazhi kryesor i librit, Sorkadhi figuron të ketë patur shokë nga Tropoja (rasti Enver Hasa) e kështu pra, dhe nuk ka si ndodh e të ndërtohet ndryshe e funksionojë Uniteti Kombëtar që, sado e sido të tentohet, jo vetëm nuk do zhbëhet por përkundrazi do shkojë në trendin rritës. Në këtë kontest e më gjërë njohja me dosjet përbën nxitje e mësim, krijon lidhje e përkujdesje të cilat kur funksionojnë, çimentojnë qëndresën, vendin dhe çështjen tonë kombëtare, ende të pazgjidhur.

Të gjitha lidhjet edhe ato më zakonshmet, tregojnë e prezantojnë kualitet, nëse i referohemi një rasti ordiner (të zakonshëm) mbi një personazh për kohën trendi, i shkathët dhe faktor me ndikim në të rinjtë e asaj kohe në Tiranë, siç ishte Skënder Anxhaku, i cili tek këta burra me karakter e moral të lartë kishte besim dhe kërkonte mbështetje për arsyen e thjeshtë, që të kalojë e ndjehet mirë gjatë pushimeve në det, ndërkohë që nëse dëshironte, merrte pas vetes kryesinë e kooperativës dhe operativin e zonës … çka përbën, mbetet, e ka nevojë për një analizë të veçantë që nuk është vendi në këtë trajtesë.

7. Nga “Relacioni” i datës 02.04.1989, kuptojmë lirinë (hapsirën) në interpretim të rrethanave e fakteve që tejkalojnë çdo kufi e përmasë të të drejtave të autorit, kur arsyetohen e merren si të vërteta implikimet e viteve 70’ – 71’ të DBB Vlorë.?!

Trajektorja e kësaj dosje nga vendi në vend e gërma në gërmë herë në B, e herë në A deri në Prill 1992, dosje ku nuk mund të mungonte e mbetej pa pasyruar emri i Nebilit tonë, qoftë edhe nëpërmjet një certifikate.

E gjitha kjo ndaj një Borshioti, krahinë e njohur si “gjoksi shqiptar, përballë grekut”, ndaj një pinjolli të familjes nacionaliste, me tradita arsimore, me shtëpi e katandi, me miq, shokë e lidhje elite. Të gjitha vlerat që në këtë dokumentacion përbaltës sillen si negativitete nga të paqënët.

8. Edhe nga përmbajtja e procesverbaleve gjyqësore lehtësisht dilet në konkluzionin se kemi të bëjmë me një grup individësh (viktimat) me nivel të lartë, të ndërgjegjes shoqërore, disa me kontribute në atë pushtet, pjesëmarrës në luftë, të organizuar në parti, pjesëmarrës në aksione e nisma të kohës, të cilët ishin bërë të pakënaqur nga sjelljet e vrazhda dhe arroganca e regjimit të sapo vendosur.

Këta individë, familjarë e miq të tyre, kryesisht nga zona e tyre, dikurë, rezultojnë figura të njohura nga familje me taban, kishin pasur kurajon, aftësinë dhe mundësinë të reagonin botërisht në shtypin e opinionin e kohës ndaj pushtetit (Zogut e Fashizmit), kohë, që nga OSSH i konsideron si përkrahës të këtyre regjimeve …?!, të cilësuara nga hartuesit e këtij dokumentacioni si “antipopullore” e “antikombëtare” dhe shembull klasik njihet Nebil Çika (i vjetri), ndaj dhe nuk mund të ishte e të ndodhte ndryshe edhe me të Riun.

Individët në fjalë, në shprehje të indinjatës dhe revoltës së tyre, ishin shprehur pa ndrojtje me njëri tjetrin dhe në ndonjë ambient të gabuar se; “këtu është bërë, për të ikur fare” dhe kaq ka mjaftuar për të ndërtuar grupin armiqësor e vendosjen nën akuzë të tyre. Procesi gjyqësor ekspozon presionin, dhunën e situata të tjera, të cilat i dinin vetëm ata që i kishin hequr në kurriz dhe relativisht familjet e tyre. Kjo situatë “dëshpërimi” e shprehje indinjate që edhe sot ne mund ta bëjmë e shprehim, për pakënaqësinë më të vogël, pa shkaktuar apo sjellë penalizim, çka besoj se të gjithëve mund tu ketë ndodhur e përjetuar. Dikur, dëshpërimi dhe ekspozimi i tij, kishte pasoja, shembulli më klasik i mësuar nga ky proces i hapjes së dosjeve mbetet ai i poetëve të Bërzeshtës (Blloshmi – Leka).

Ndaj gjej rastin të lutemi e përpiqemi, që këto të mos përsëriten kurrë. Për të ndjerin, autorin mund të flas pa fund, por zgjodha të them ato që do i pëlqente atij.

Filed Under: Politike

GJON MILI NË PASARELAT E MODËS DHE SHOWBIZIT

April 22, 2025 by s p

Kristaq BALLI

Historia e “modës” në kontekstin e mënyrës së veshjes  është një aspekt i historisë  njerëzore. Që nga  kohët e hershme deri sot grekët, egjiptianët, romakët, europianët, aziatikët e më pas amerikanët visheshin ndryshe,  sipas nevojave  e  traditave të tyre antropologjike, etnokulturore, pozitës shoqërore, kushteve klimaterike, por dhe mundësive aktuale të prodhimit paraindustrial e shkëmbimit  të tyre. Vonë, në kohët modern, moda, në kuptimin e saktë leksikor u konsiderua si shprehje estetike njerëzore posaçërisht në veshje, këpucë, aksesorë, kozmetikë, stilim e parukeri, të cilat janë në funksion të tipareve, imazhit e proporcioneve trupore.

 Rreth kuptimit më specifik e profesionalisht  zejtar të modës, mund të flitet nga gjysma e shek XVIII. Në përhapjen e saj kanë ndikuar në mënyrë të posaçme artet figurative, veçmas piktura, ku mund të merret  si shembëll mbretëresha e Francës Marie Antoinette (1755-1793), e cila nëpërmjet pikturave të figurës e bustit së saj nga piktorë të oborrit me veshje të stiluara enkas për të, u quajt në mënyrë metaforike si “ministre e modës” e asaj kohe. Më pas, lindja, botimi e shpërndarja e massmediave, sidomos e shtypit, dizajnit grafik dhe sidomos shpikja e fotografisë e botimi i tyre në revistat social-kulturore, apo kinematografia e së fundi  mediumet elektronike, kapërxyen kufijtë gjeografikë të shteteve e kontinenteve  dhe sfumuan çdo barrierë konvencionale izolimi. Sidoqoftë, ekziston një datë, një vend  dhe një person të cilëve iu atribuohet fillimi i modës në sensin kontemporan e modern të stilimit të saj. Bëhet fjalë për Çarls Frederik Worth (1825-1895), një stilist anglez, i cili  në vitin 1858, në Paris, qepi etiketën me emrin e tij në veshjet që ai krijonte. Ai themeloi “The House of Worth” (Shtëpia e Vlerës), një nga  shtëpitë më të famshme të modës në atë kohë. Ai konsiderohet nga shumë  historianë mode si babai i saj. Dhe  atdheu i modës është Franca. Por,  në fillim të shek. XX moda i kapërxeu muret francezë thuajse në të gjithë perëndimin europian por edhe në Amerikë e kontinente të tjerë. Gjatë dhe pas Luftës II Botërore Parisi nuk mbeti më qendra globale e modës.  Vetë ajo u globalizua me progresion gjeometrik në të gjitha kontinentet. Sot ajo është kthyer në art, madje edhe në një nga industritë dhe bizneset më të mëdha në botë.

Moda është një shfaqje e idealeve të bukurisë dhe ndryshimit shoqëror, një lojë shprehëse midis përkatësisë dhe dallimit, komunikimit dhe prirjes. Veçoria e vetme e saj e vazhdueshme  është ndryshimi i përhershëm. Në sferën e paraqitjeve të bukura, moda funksionon në një mënyrë parashikuese dhe historike: reflekton ndryshimin që krijon.

Ndërkohë, kur flitet për Showbiz-in (më saktë show-business)  në gjuhën e përditshme merren në konsideratë të gjitha aspektet e industrisë së argëtimit me elementë  kreative (që përfshijnë variete, artistë, aktorë, performues, shkrimtarë, muzikantë, akrobat, striptistë, modele , etj.). Ky zhanër është elaboruar si term mediatik që nga vitet 1850, por hyri masivisht si zhargon në dinamikë në vitin 1945.  Industria moderne e argëtimit është e lidhur pazgidhshmërisht me  industrinë e madhe të modës dhe të dyja kanë fituar edhe  të drejtat e “pronësisë intelektuale”. 

Së bashku këto gjini të një industrie të madhe krijuese dhe konsumatore thithën edhe shumë fotografë e fotoreporterë, një pjesë e të cilëve iu përkushtuan atyre aq thellësisht sa krijuan profilin e tyre profesional fotografik duke u bërë të famshëm në këtë lëvizje të pandalshme social-artistike e komerciale. Midis dhjetra e dhjetra  prej tyre, të tillë si Mario Testino, Steven Meisel, Annie Leibovitz, Richard Avedon, Irving Penn, Patrick Demarchelier, Sumanth Kumar…, etj., u bënë fotografët ikonikë të revistave më të mëdha e më të shitura të modës në botë “Vogue” “Vanity Fair”, “Glamour”, “Harper’s Bazaar”,  “Elle”,  “Marie Claire”, “Cosmopolitan”…, apo të kompanive media-vizuale të mëdha si “Getty Images”, “Flickr”, “Magnum photos”,  etj. Fotografitë e modës janë gjithmonë interpretime, rezultate nga një mizansenë. Ato reflektojnë dhe vizualizojnë ndodhinë e ditës dhe parashikojnë atë të së nesërmes.

Për arsye të përmbajtjes e tematikës  së shumëfishtë social-kulturore të revistës “LIFE” ( e themeluar në vitin 1883) ajo ishte e para medie javore amerikane lajmesh fotografike që dominoi tregun për shumë dekada me maksimumin  13.5 milion kopje të shitura çdo javë në zenithin e saj. Roli i kësaj reviste në historinë e fotogazetarisë konsiderohet kontributi i saj më i rëndësishëm. Kjo ishte mbase edhe arsyeja që “LIFE” rekrutoi disa nga fotografët më profesionistë si Alfred Eisenstaedt, Margaret Bourke-White,  Robert Kapa, Andreas Feininger, Nina Leen, John Loengard, Philippe Halsman, W. Eugene Smith, Ralph Morse, Carl Mydans, Gordon Parks. E, në këtë vorbull të madhe shoqërore e artistike s’kishte se si të mos inkuadrohej edhe fotografi i shquar shqiptaro-amerikan Gjon Mili, studioja fotografike e të cilit për revistën “LIFE” është shumë e ngjeshur. Gjon Mili lëvroi fotografinë e modës dhe  showbizit kryesisht gjatë viteve 1940-1950, pra gjatë dhe pas Luftës II Botërore, kur kjo gjini ishte “zhvendosur” nga Europa në Amerikë e ku gjeti hapësira të reja konsumatore e inovative. 

Ishte koha kur  Amerika kishte dalë nga “depresioni i madh” dhe  shoqëria lëvizte vrullshëm drejt një mënyre më të emancipuar, më të sigurt materialisht e më të sofistikuar nga pikpamja e organizimit social-kulturor. Në fakt, trendi i modës masive gjatë kësaj periudhe përgjithësisht  ishte ai neoklasik, kur njerëzit kishin nevojë që veshjet e  tyre të ishin sa më të lehta, praktike e të çliruara nga aksesorë të tepërt voluminozë, të rëndë e stilizimesh të sofistikuara  baroku. Ato duhej të lejonin lëvizshmërinë, zhdërvjellësinë, thjeshtësinë, lehtësinë, komoditetin e  çlirimin e çdo pjese të trupit. Këtë prirje masive shfrytëzoi edhe Gjon Mili për t’u shprehur sa më denjësisht e individualisht në fushën e modës. Fakti që ai nuk ishte punonjës i akredituar i stafit të revistës  “LIFE” i jepte atij  lirinë e zgjedhjes pa kushtëzime redaktoriale.

Për promovimin e suksesshëm të modës, Gjon Mili synonte tre elementë kryesorë:  gjurmimin e brandeve dhe shtëpive të mëdha të modës, gjetjen dhe zgjedhjen e modeleve të famshme që prezantonin veshjet e aksesorët, si dhe aftësinë profesionale e artistike për ta fotografuar modelin në mënyrë mbresëlënëse, ekspresive duke nxjerrë në pah hirshëm staturën e saj (tij) në funksion të veshjeve që reklamoheshin, pra që edhe fotoja  të ishte spektakulare, estetike dhe artistike. Gjon Mili ishte edhe fotograf studioje edhe fotograf terreni. Për angazhimin e tij në modë ai shfrytëzoi kryesisht studion e tij të madhe e shumë të njohur në ndërtesën e Galerisë së Artit Amerikan në Manhattan, Nju Jork, të cilën për nga shumëllojshmëria e niveli i aktiviteteve krijuese kulturore, fotografi i shquar humanist francez, Henri Cartier Bresson (1908-2004), koleg dhe mik i ngushtë i Gj.Milit, e ka quajtur  “Athίna e Nju Jorkut”.  Shumë personalitete të jetës kulturore, artistike, sportive, showbizit, ashtu si edhe  të modës kishin krijuar aty nga një ngjarje, a histori të veçantë fotografimi e impresioni, madje, ndonjëherë, edhe nën mbikqyrjen e maces vigjilente Blackie, e cila u bë edhe një personazh në një pjesë të fotove të modës.

Në rrethana të ndryshme pune, Gjon Mili u njoh me disa modele të famshme amerikane (midis të cilave edhe me artiste hollivudiane  si Merilin Monroe, Marlene Dietrich, Sofia Loren, Elisabeth Tailor, Juliette Greco, Tanaquil Le Clercq, Samia Gamal, Jane Fonda, etj.),  por takimi dhe bashkëpunimi me supermodelet e yjet fotozhenike amerikane  Dorian Leigh (1917-2008), Elise Daniel, Adrian  Misc, Suzy Parker, Barbara Mullen, Mimi Berry, Florence Dornin, Evelyn Tripp, Sunny Harnett, Cherry Nelms, Brooke Hayward, Suzy Dubel, Jean Patchett, etj., do t’i siguronin artistit fotograf suksesin e merituar dhe promovimin e popullaritetin e ciklve të tij të modës dhe trendeve të dizajnit bashkëkohor. Pjesa më e madhe e fotove (me ngjyra dhe bardh’e zi) u botuan në revistën “LIFE”. Diva e modës Dorian Leigh (1917-2008), me të cilën Gjon Mili pati edhe bashkëpunimin më të suksesshëm, në historinë e profesionit të saj si fotomodele profesioniste  ishte një rast unik e thuajse i pakrahasueshëm për një supermodele. Ishte nga Teksasi, kish studiuar për inxhinieri mekanike, fushë në të cilën punoi për disa vjet. Kur ishte 20 vjeç u martua, lindi dy fëmijë, dhe u divorcua kur ishte 23 vjeç. Në moshën 27 vjeçare për hir të pamjes dhe përmasave trupore iu sugjerua modelingu nga agjencia e njohur “Conover”. Dorian kishte bel ekstremisht të hollë, flokë të zinj dhe sy blu të shndritshëm.  Në fakt, ajo gënjeu për moshën duke u deklaruar si 19 vjeçare (përndryshe nuk do ta pranonin), githashtu nuk tregoi se kishte edhe dy fëmijë. Fotoprova e saj u u vlerësua, u pranua dhe u botua në revistën e njohur të modes “Harper’s Bazaar”. Kështu filloi kariera e saj si fotomodele dhe ajo u shfaq si e tillë në revistat e tjera të njohura si “Vogue”, “Paris Match”, “Elle” dhe  sigurisht në “LIFE” (me foto nga Gjon Mili). Veç Gjon Milit, ajo punonte edhe me fotografët e tjerë të njohur Irving Penn,  John Rawllings,  Cecil Beaton, Richard Avedon,etj. Gjatë gjthë angazhimit të saj në profesionin e modelingut Dorian është shfaqur në kopertinat e më se 50 revistave amerikane e europiane.

Pjesa e fototekës së Gjon Milit kushtuar Dorian Leigh-t, modës e showbizit në tërësi është e gjerë, e larmishme dhe përbën një kapitull të rëndësishëm të krijimtarisë së tij. Gjejmë në të kryesisht fotot e studiuara e kompozuara në studion e tij, apo në ambjentet e punës  të modelingut, si porosi të kompanive të modës, ndeshim fotot e çastit në evente të ndryshme të modelingut, fotografi individuale apo në grup, foto të plota trupore, bust,  por edhe fragmente që paraqitin elementë apo aksesorë të veçantë, “modën e fëmijëve”,  si dhe “foto të rrugës” të shkrepura në befasi e surprizuese. 

Në muajin Mars 1950 ai realizon me Dorian Leigh, “top-modelin e Nju Jorkut qysh në vitin 1944” (LIFE Magazine, March 1950)  guidën me  veshjet të konsideruara si më magjepsëset e vitit 1950, të cilat përfshinin të gjitha stilet e rëndësishme të atyre kohëve të dizajnuara nga mjeshtra e kompani të njohura të modës si Christian Dior, Hattie Carnegie, Alphonse Berge (modeluesi i veshjeve që vetëtijnë e që mund të realizonte në publik një dizajn në 20 sekonda), Jane Derby, Adrian, F.C. Gundlach , Henry Rosenfeld, , Trigere, Mollie Parnis, Monte Sano, Brigance New York, Vera Maxwell, Ceil Chapman, Jean Patchett. Dorian Leigh promovoi me trupin e  saj qindra veshje e aksesorë të shumë llojeve e stileve të të gjitha stinëve, kryesisht brandet më popullore të preferuara nga vajzat e gratë e reja dhe seti fantastik i fotove realizuar dhe përzgjedhur nga Mili u botua në “LIFE” me  sqarime të hollësishme duke i shtuar edhe më popullaritetin supermodeles dhe veshjeve të kohës.

Nga modelet e tjera ai preferoi edhe shumë aktorë e aktore kinemarografie, si Zasu Pitts, Paula Laurence, Celeste Holm e veçanërisht të filmave ku ai ishte fotograf në sheshin e xhirimit ( “Guys and Dolls”, 1955, “Tempest”, 1958, “Porgy and Bess”, 1959,  “Anatomy of a Murder”, 1959, ”Exodus”,1960). 

Veshjet i përkasin, thuajse të gjitha llojeve, të ditës, apo mbrëmjes nga gjysmë-nudo e të tejdukshme e deri tek ato të stinëve të ndryshme të vitit.  Teknikat profesionale e artistike të aplikuara  nga Gjon Mili janë gjithashtu ato të preferuarat e tij, duke filluar nga  klasiket, në ato me lëvizje e me shkrepje të dendura, apo të rralla (dopjo, apo multi-ekspozim) nën ndriçimin stroboskopoik, fotot kundër dritës, apo fotot ku kombinohen proceset e filmimit negativ dhe pozitiv të personazhit në një të vetëm, portrete ku mbizotëron detali i përsosmërisë së portretit femëror nën sharmin e hijeshinë e një aksesori transparent që duket se mistifikon modelin, etj. 

Ashtu si edhe në pjesën tjetër të krijimtarisë, syri dhe fantazia artistike e Gjon Milit janë mbizotëruese. Qasja e thellë ndaj perceptimit të situatës solemne të një brandi të ri, organizimi kompozicinal, gjetja e pozicionit të fotografimit, qendërzimi dhe ndriçimi i detalit më të rëndësishëm në sfond zakonisht të qetë, njëngjyrësh, i bardhë, i zi ose neutral dhe niveli i thellë i mprehtësisë (smart) që vë në dukje edhe elementin më të fshehur të modelit e veshjes, e cilësojnë dhe e dallojnë fotografin për një stil origjinal e të përveçëm profesional e artistik. Modelet duket sikur vallzojnë në ajër duke shpalosur një vizion eterik ritmi fantazie e harmonie. 

 Me fotot  e tij për modën dhe modelet Gjon Mili ka marrë pjesë në disa ekspozita të rëndësishme. E fundit prej tyre është “Fashion Photography from the F.C. Gundlach Collection at Kunnsthalle” në vitin 2012. “Forma e ekspozuar dhe e  muzeizuar e fotografisë së modës bëhet e dukshme si medium i kujtesës, gjë që krijon modën si mit.  Në fund të fundit, fotografia e modës, si një medium i vetë-përfaqësimit të shoqërisë, zbulon zhvendosjen e interesit kulturor nga produktet në marka, imazhe dhe ngjarje”.(January 2,2012 postet by ACTVAdmin)

Në rastin e fotove nga bota e showbizit, Gjon Mili ka një përvojë po aq të suksesshme. Dihet që  ai, pas vitit 1940,  ka qenë ideatori dhe organizuesi në studion  e tij të veprimtarisë muzikore “Jam session”, që përfaqësonte një  show argëtues nokturn informal “nën ritmet e muzikës xhaz, nën avujt e dendur të alkoolit dhe djersës”, ku instrumentistë e këngëtarë të njohur, kryesisht afroamerikanë si Louis Armstrong, Duke Ellington, Lester Young,  Billie Holiday, Eddie Condon, Count Basie, Mary Low Williams, Gene Crupa, Red Callender e shumë të tjerë interpretonin për kënaqësinë e tyre, kryesisht për t’u zbavitur e ku synimi kryesor ishte improvizimi i çastit i motiveve dhe ritmeve me prirje nga më eksentriket e eksperimentueset që mund të shërbenin më pas  si bazë e partiturave të tyre zyrtare. Një  piano, pastaj dy, ishin instrumenti i përhershëm e i palëvizshëm në studion e Gjon Milit.  Nga zhanri show i “Jam Session”,  në vitet 1941- 1944 u realizuan nga Gjon Mili qindra  foto kinetike që do t’i rezistojnë kohrave, një pjesë e të cilave janë të botuara në revistën “LIFE”. Po nga kjo veprimtari u xhirua nga kompania hollivudiane Warner Bross, më1944 filmi muzikor me metrazh të shkurtër  “Jammin’the blues” ku Gjon Mili ishte regjisor, film i cili u nominua një vit më vonë për një çmim Oskar.

Por, në dosjen e zhanreve të larmishme showbizit, Mili ka të depozituara, gjithashtu shumë foto të realizuara në aktivitete të posaçme në institucione, salla të mëdha, hotele, klube nate, kabare, etj. Në ekspozitën e madhe  ”American Photography, 1890-1965: from the Museum of Modern Art, New York” ( Fotografia Amerikane 1890-1965 ë Muzeun e Artit Modern, Nju Jork më 1995 e udhëtoi edhe në Europë gjatë viteve 1995-1997 (Berlin, Amsterdam, Edinburgh, Goteborg, Paris, Valencia, Londër)  ishte pjesëmarrës autor edhe Gj.Mili me foton e tij interesante nga Showbizi të titulluar “Café Society” realizuar rreth vitit 1944.      

 Plot estetikë e art, elegante, sharmante, plot delikatesë e sensualitet,  edhe pse nuk kanë ndonjë përmbajtje me kumt të rëndësishëm historik, ato përbëjnë dëshmi (të kohës) që e kurorëzojnë nga të gjitha këndvështrimet  karierën e një artisti profesionist me cilësi të epërme universale. Fotot e Gjon Milit kushtuar botës së modës dhe showbizit edhe pse nuk janë të studiuara,  të grupuara e sistemuara me vëmendje si të tjerat, ashtu, të shpërndara si kristalet e metalit të çmuar në xeheror, mbeten  pjesë e  “minierës” së trashëgimisë të tij krijuese fotografike në çdo pikpamje profesionale e artistike dhe që zor se i gjendet fundi.  

□ □ □ 

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 380
  • 381
  • 382
  • 383
  • 384
  • …
  • 2780
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT