• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bajram Curri, komandant i talentuar i përgatitur në beteja

March 28, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Bajram Curri ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Dëshmor i Atdheut, Hero i Popullit shqiptar nga Malësia e Gjakovës. Bajram Curri e filloi veprimtarinë ushtarake si kapiten në Prizren, major në Prishtinë, e së mbrami kolonel (allajbeg) në Shkup, ku kishte në dorë xhandarmërinë e Vilajetit të Kosovës.

Bajram Curri kapet fort pas “besë së lidhur ndërfisnore dhe popullore përpara luftës së shtatorit të vitit 1878”. Malësia e Gjakovës e nis në luftë më shumë për të marrë pagëzimin, po Bajram Curri i prin luftës përkrah Sulejman Vokshit e Riza Kryeziut, përkrah Jakup Ferrit e Haxhi Zekës, që ka për të qenë emblema e tij për shumë kohë. Betejat në Pepiç e Velikë, në Nevshak-Velika ishin ndeshje të vogla për luftëtarët e regjur, që prisnin luftën vendimtare të 5 janarit 1881. Në këtë përpjekje fitimplote për shqiptarët Bajram Curri u njoh për së afërmi me Haxhi Zekën. Ndiqte luftën, ndiqte njerëzit e luftës. Ata ishin të ndryshëm. Haxhi Zeka nuk ngjante me Isuf Sokolin, Abdulla Hoti ishte natyrë e shtruar dhe e qetë, Beqo Qoshja ishte gjaknxehtë, Ali pashë Gucia ishte pasha… Megjithatë të gjithë këta burra puqeshin në një pikë: ia dinin luftës dhe e kishin çuar bukur mirë gjer atëherë… Ende nuk orientohej mirë, ende mbështetej te të tjerët, shihte si e çmonin luftën Haxhi Zeka me shokë, si e sillnin kuvendin, si e jepnin fjalën e besën. Ashtu bënte edhe ai.

Isa Boletini e kishte bërë për vete. Kishte parë Kosovën te Boletini. Të rëndë, pa mburrje, të vuajtur, pa nxjerrë klithma, trimërie pa shitur trimëri… Do të vijë një kohë që Bajram Curri do të përdorë një ekivalent të bujarisë, trimërisë dhe fisnikërisë. Do të thotë “Qofshi si Boletini!”. Ai u bë një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899–1900, ku u shqua si udhëheqës i lëvizjes antiimperialiste në Kosovë. U bë prijësi kryesor i Mbledhjes së Ferizajt, të korrikut 1908, ku përkrahu kërkesën për vendosjen e kushtetutës. Në vendimet e Ferizajt, Bajram Curri ishte mbështetësi kryesor i mendimeve dhe propozimeve të Hasan Prishtinës. Një mbështetje po kaq të madhe pati edhe nga Isa Boletini. Hasan Prishina në kujtimet e tij shkruan: “në këtë rast, me të vërtetë asht për t’u përmendë  mundi e zelli i Bajram beg Currit”.

Bajram Curri ndihmoi kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911, ku i bëri një qëndresë të fortë ushtrisw turke në Qafën e Morinës. Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga komandantët e talentuar popullorë që theu ushtritë turke në Qafën e Prushit në korrikun e 1912, dhe në fushën e Kosovës. Së bashku me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Idriz Seferin dhe Riza bej Gjakova në krye të forcave kryengritëse hyri në Shkup. Në Manastir, Bajram Curri njeh plot burra të dëgjuar, të Shqipërisë së Jugut, po Sali Butkën dhe Bajo Topullin i ndan veç. Flet për ta kur kthehet në Prishtinë. Ai alamet Bajo Topulli, mësues në Idadije, dhe ai Sali shtatshkurtë, luftëtarë i regjur!

Bajram Curri me Isa Boletinin dhe të tjerë ngulën këmbë, që edhe shqiptarët duhej të përkrahnin lëvizjen xhonturke dhe të kërkonin kushtetutën. Pushka e tij u zbraz herë mbi batalionet e ekspeditave ndëshkimore, të cilat me zjarr e hekur kërkonin nënshtrimin dhe taksa e ushtarë për sulltanin, herë mbi elemente vendas që dilnin kundër rrymës së përgjithshme të kohës, duke bërë kauzë të përbashkët për pushtuesit. Krisma e saj ishte mjaft shqetësuese edhe për shtetet shoviniste fqinje dhe aleatët e tyre të mëdhenj, që lakmonin ose bënin pazarllëqe në kurriz të trojeve shqiptare. Lëvizja e pareshtur popullore, deri në atë shpërthim të fuqishëm, që çoi në Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, janë të lidhura shpesh me emrin e Bajram Currit. Në vitin 1912, atdhetari i vjetër u bë ndër drejtuesit kryesore të kryengritjes së përgjithshme antiturke. Kjo kryengritje, më e madhja, më e organizuara dhe më e pjekura politikisht ndër kryengritjet e periudhës së fundit të Rilindjes, i dha atij mundësinë si prijës popullor ndër më karizmatikët, që të shfaqë më së miri aftësitë organizative, ushtarake e politike. Kuvendi i Junikut dhe betejat nga Qafa e Prushit deri në çlirimin e Shkupit dëshmuan vlerat e gjithanshme të “tribunit të vegjëlisë”.

Bajram Curri me forcat e tij hyn në Shkup me muzikë e flamuj, duke krijuar kështu një ndjenjë të gëzuar që ngjallte besim për të ardhshmen. Njerëzit e tij u derdhën menjëherë në dyert e klubit të oficerëve ku ishin thurur gjithnjë planet antishqiptare të xhonturqve dhe u thirrën atyre që ishin brenda: “Deri tash kje e jueja e sod e masandej asht e Shqypnisë”.

Në situatën e vështirë gjatë viteve të Luftës Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, kur Bajram Curri u rreshtua përkrah mbrojtësve më të flaktë të pavarësisë dhe kundërshtarëve të papajtueshëm të copëtimit të trojeve shqiptare. Në këtë kuadër, gjithnjë në krye të forcave popullore, u përlesh me ushtritë pushtuese serbo-malazeze, në Plavë e në Guci, në Krasniqe e në Gash. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më pas e pati nder ta zgjidhte atë anëtar të vetin dhe t’i ngarkonte detyrën e përfaqësuesit në Konferencën e Paqes për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Kryengritësit shqiptar u përgjakën me trupat serbe duke luftuar në tërheqje. Humbjet qenë të mëdha nga të dy palët. Bajram Curri me luftëtarët e vet u tërhoqën në drejtim të Qafës së Morinës. Aty bëri qëndresën e fundit.

Në vitin 1913 ishte një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze. Në vitin 1914 mori pjesë në luftën kundër veprimeve antikombëtare e separatiste të Revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës. Me të hyrë ushtritë austriake në Gjakovë më 1916, shkon në terren ku interesohet për rendin dhe qetësinë dhe për zhvillimin arsimor. Kambanat e luftës botërore arrijnë edhe në Shqipëri po me atë forcë që bien në frontet e madha… Bajram Curri me Hasan Prishtinën organizojnë qëndresën e popullit në malësi. Ata e ndjejnë nevojën e Isa Boletinit. Ata u kërkojnë Fuqive të Mëdha me anë të një letre dërguar përfaqësuesëve të tyre në Shkodër, që të ndërhyjnë pranë Beogradit dhe Cetinës për të respektuar vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Letrën e firmos i pari Hasan Prishtina dhe i dyti Bajram Curri.

Bajram Curri rri maleve. Herë qëndron në Dragobi, herë hidhet në Nikaj e Mërtur e ndodh që kalon edhe në Krumë. Pushteti i malazezve shtrihet me egërsi në të gjithë Malësinë e Gjakovës, po malet mbeten si gjithnjë pa asnjë pushtet. Bajram Curri gjatë pushtimit austro-hungarez “rrin në shtëpi të vet në Gjakovë” pa asnjë detyrë zyrtare. Megjithëse në kushte të ndryshme dhe larg njeri tjetrit, “Hoxha Kadriu, Hasan Prishtina dhe Bajram Curri qenë një treshe e pandalshme, që e plotësuan njeri-tjetrin… bile, ndër disa periudha, të caktueme historike e politike të vendit tonë sa që mund të interpretohen pa njeri-tjetrin”.

Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe u bë një nga udhëheqësit kryesorë të tij. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar dhe më 27 maj 1920, Këshilli Kombëtar e zgjodhi ministër pa portofol Bajram Currin detyrë të mbajtur deri më 28 shtator 1920. Më tej vijoi punën si këshilltar i Këshillit Kombëtar. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës gjeti tek ai i një mbështetje të fuqishme dhe prijësin që i duhej për të shpartalluar çdo pengesë në rrugën e sigurimit dhe konsolidimit të pavarësisë së vendit. E thërrisnin të ishte aty ku situata ishte më kritike, dhe ai me atdhetarizmin dhe aftësitë e tij e normalizonte. Kështu ai nisi operacionin kundër bandave esadiste, të hapur në ballë të gjerë në gjysmë harku dhe e mbajti të fshehtë planin që kishte hartuar dhe vetëm në mesnatë të 4 qershorit 1920 u tha trupave për të nisur sulmin.

Goditi e shpartalloi esadistët në Shqipërinë e Mesme në prag të fillimit të Luftës së Vlorës. U përgatit të nisej për Vlorë, zgjodhi edhe trimat që do të merrte me vete, po lajmet për një përqëndrim të ri trupash në Gjakovë e vonuan disa ditë. Kur e pyetën se kush do t’i qeverisë tokat e tjera shqiptare që kanë ndër mend të çlirojë, Bajram Curri thotë prerë, qeveria e Vlorës. Mandej pa u çlodhur ende, vrapoi në Koplik për të sprapsur intervencionin jugosllav. Në konfliktin e Koplikut 1920, qeveria shqiptare dërgoi forca të emigrantëve kosovarë me në krye Bajram Currin, si dhe mjaft vullnetarë nga Shqipëria e Mesme. Më 30 tetor 1920 Bajram Curri dorëhiqet si deputet. Si ministër pa protofol në qeverinë e Tiranës, zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, tregoi se burrat e ndershëm të popullit e gjejnë veten për t’i shërbyer Shqipërisë. Më tej caktimi i tij si komandant i përgjithshëm i operacionit kundëresadist, tregon për përvojën e gjatë të luftës, si dhe popullaritetin që gëzonte në popull. Ai merr fuqi të plota nga qeveria e Tiranës mbi Forcat e Armatosura, madje sa të zgjasë operacioni, “do të ketë tagër t’i jap urdhër edhe gjindarmërisë”. Ai komandoi njësi të rregullta ushtarake dhe vullnetare, gjithsej deri në 3.000 mijë trupa.

Taktika dhe strategjia e tij prej prijësi popullor, nuk i lë agjë mangut artit ushtarak të përparuar të kohës, sado që përpjestimet e betejave janë të vogla. Bajram Curri ishte i përgatitur për beteja të mëdha. Sulejman Delvina e vlerëson lart shërbimin e Bajram Currit, duke e falënderuar “për veprimet nalta dhe patriotike”, e “s’ka për t’i harruar kurrë kombi shqiptar”. Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi kanë ndikim të madh mbi njeri-tjetrin. Curri ishte për Gurakuqin nderi, burrëria, besa “baba”… ndërsa Gurakuqi ishte për Currin “Luigji, prisi ynë i diturisë” dhe “Luigji asht djal i jem”!

Në mars 1921 Këshilli i Lartë kishte dekretuar emërimin e Bajram Currit “kolonel rezervë me rrogë të përmuajshme”, që e linte pa asnjë fuqi… por, Bajram Curri kishte ndikim në popull. Në dhjetor 1921 u caktua Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në qeverinë disa ditore të Hasan Prishtinës.

Një vit më vonë, asgjësoi në Mirditë komplotin e agjenturës së Pashiçit, të kryesuar nga kapedani separatist i krahinës. Më pas, i pakënaqur nga politika e diktatit të qeverisë mori pjesë në lëvizjen e marsit 1922, kurse në 24 maj shpërtheu në Krumë kryengritjen e armatosur në favor të opozitës liberale, e cila u kurorëzua me fitoren e Qershorit.

U vendos në Krasniqe nga ku vazhdoi luftën në gjirin e malësorëve të Veriut ndaj masave të çpopullimit që kishin ndërmarrë serbo-malazezët. Mori pjesë në Lëvizjen e Marsit të vitit 1922 kundër Ahmet Zogut, bashkë me Elez Isuf Ndreun dhe M. Krujën me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Krijoi një zonë të lirë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) nga ku kërcënonte qeverinë e Tiranës dhe bashkëpunoi me çetën e Azem Galicës që luftonte në Kosovë për çlirim kombëtar.

Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Lëvizjes së Qershorit 1924. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit.

Lajmi i ndërhyrjes së huaj ngjalli protesta energjike nga ana e popullit, organizatave demokratike dhe qeverisë. Më 18 dhjetor 1924 Fan Noli ju drejtua Italisë, Anglisë, Francës dhe sekretarit të Lidhjes Kombeve Enrik Drumontit me një note. Populli protestoi dhe kërkoi armë për të luftuar kundër ndërhyrjes. Tirana kërkoi armë dhe Zija Dibrën, si komandant operacioni, kërkoi forca e armë. Luma kërkoi armë dhe oficera për të drejtuar rezervistët, ndërsa Bajram Curri nuk kërkoi tjetër veçse një top. “Plaku i maleve” qe pushka e parë dhe e prapme e Revolucionit.

Nuk mori rrugën e mërgimit, kur Ahmet Zogu pasi kishte siguruar përkrahje ndërkombëtare me ndihmën e trupave të huaja, përmbysi qeverinë e Fan Nolit. Me armë në dorë iu ngjit përsëri bjeshkëve të Krasniqes, kreu aksione në Gash e Bytyç, por edhe në Has udhëzoi luftëtarët kosovarë t’i qëndronin dhunës dhe politikës serbe të spastrimit etnik të Kosovës dhe përgatitej për të rifilluar në pranverën e vitit 1925 një kryengritje të re, që do t’i sillte vendit një regjim liberal demokratik, kurse Kosovës, shpresën për t’u çliruar e bashkuar me Shqipërinë.

Osmanët i bënë atentatë, austriaket e internuan, qarqet shoviniste serbe i premtuan një pasuri të tërë vetëm të hiqte dorë me çdo kusht ta shtinin në dorë, “gjallë ose vdekur”, sepse ekzistenca e tij donte të thoshte qëndresë, kryengritje, shpërthim për liri, pavarësi e bashkim kombëtar, për emancipimin politik e demokraci. Por “dragoi” nuk ishte i tillë që të përshtatej, dhe siç është shprehur vet, “me shpëtue nji shpirt të korit veten, të tradhtojë atdheun”.

Në interes të çlirimit kombëtar, Bajram Curri hyri në kontakt edhe me përfaqësues të lëvizjes çlirimtare të kombeve të tjerë të Ballkanit, duke kontribuar kështu në ngritjen e urave të mirëkuptimit, të miqësisë e bashkëpunimit ndërballkanik. Bindja se popujt e vegjël e të robëruar duhet të çlirohen e të vëllazërohen, e shoqëroi atë përgjatë gjithë jetës.

Populli e deshi për prijës, ia dha pa hezitim “votën”, duke e ndjekur pas jo vetëm në fitoret e bujshme, por edhe në kohë të vështira. Bajram Curri ka qenë shumë besnik, patriot i palëkundur për çështjen kombëtare, antiserb përsa i përket problemit të Kosovës dhe të viseve të tjera kombëtare të mbetura jashtë kufijve të shtetit shqiptar, dhe një mbështetës i shtresës së varfër të popullsisë.

Filed Under: Histori

Marrëveshja në fushën e sigurisë rajonale midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

March 28, 2025 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Historikisht Ballkani është njohur në histori si fushë e konkurrencës së fuqive të mëdha. Kjo për shkak të pozicionit që ka, i ndodhur në rrugët që hapen në çdo drejtim, por edhe si pasojë e konkurencës dhe mosmarveshjeve midis vetë popujve të Ballkant. Që nga Romakët në vitin 200 para erës sonë. Me pushtimin e Stambollit nga osmanët në vitin 1453, bizanti mori fund dhe historia ballkanike përjetoi administrimin osman, i cili vazhdoi deri në vitin 1912. Përveç Perandorisë Osmane, Ballkani u njoh edhe me administratën e Habsburgëve. Monarkia Habsburge që nga viti 1867 e mbrapa u bë një monarki e dyfishtë dhe filloi të njihej si Perandoria Austro-Hungareze deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Në shekullin e 16-të një perandori tjetër filloi përpjekjet për shtimin e influencave në Ballkani, ajo ishte Perandoria Ruse. Në shekullin e 18-të në lojen e tyre për influencë në Ballkan futen edhe Anglia me Francën dhe më fuqizimin e tyre edhe Gjermanina me Italinë. Kështu nga njëra anë kemi Perandorinë Austro-Hungareze, Gjermaninë dhe Italinë, ndërsa nga ana tjetër kemi Britaninë e Madhe, Francën dhe Rusinë. 

Me Traktatin e Shën-Stefanit, nënshkruar më 3 mars 1878, Rusia e copëtoi Ballkanin siç deshi dhe erdhi deri para portave të Stambollit. Traktati i Shën-Stefanit donte krijimin e “Bullgarisë së Madhe”. Ndërhyrja e Britanis së Madhe me Austro-Hungarinë në Kongresin e Berlinit në vitin 1878 pengoi krijimi e Bullgarisë së Madhe. Në periudhën e Luftës së Ftohtë në ekuilibrat e konkurrencës në Ballkan filloi të hyjë edhe Amerika.  Ky rivalitet i fuqive të mëdha në Ballkan vazhdoi dhe po vazhdon edhe sot. 

Përpos gjithë këtij kalvari të gjatë, Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO-s), Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan këto ditë një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. 

Kjo marrëveshje ka katër pika;

Pika e parë e marveshjes ka të bëjë me promovimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimin në industrinë përkatëse.Të tre shtetet do të eksplorojnë zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse përmes bashkëpunimit shumëkombësh, me qëllim që të rrisin gatishmërinë e forcave të tyre ushtarake. Ato zotohen që të identifikojnë hapësira për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, duke nxitur qasjen në burime dhe zinxhir furnizimi me qëllim që të kenë një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes.

Pika e dytë është ajo e ndërveprueshmërisë, përmes edukimit, trajnimeve, stërvitjeve, rekrutimit, zhvillimit dhe mbajtjes së personelit të kualifikuar ushtarak me qëllim që të rriten kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse. Marrëveshja parasheh stërvitje dypalëshe dhe trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë në bazë të politikave të NATO-s dhe BE-së, me qëllim që forcat e tyre ushtarake të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.

Pika tre përqendrohet në kundërpërgjigjen ndaj kërcënimeve hibride. Shtetet janë zotuar se do të forcojnë hapat e përbashkët për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride, përfshirë kërcënimeve kibernetike, fushatave të dezinformimit të cilat mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale. Ato zotohen që Shqipëria, Kosova dhe Kroacia do të eksplorojnë mundësitë e reagimit për një sërë kërcënimesh të mundshme ndaj infrastrukturës së tyre kritike.

Pika e fundit e marrëveshjes është për mbështetjen që shtetet do të ofrojnë për integrimin euroatlantik. Këtu përfshihet përafrimi i politikave me institucionet dhe strukturat euroatlantike të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për integrimin e plotë të Kosovës në nismat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes  në Programin për Partneritet për Paqe të NATO-s.

Pavarësisht se nuk ka formën e një marrëveshjeje ndërkombëtare, kjo nisem me vullnet politik të palëve është shumë e rëndëshme. Rëndësia kryesore qëndron në faktin se erdhi në kohën kur janë rritur tensionet  dhe paparashikueshmëria e aleancave ekzistuese të sigurisë në botë është vënë në pikëpyetje. Nga ana tjetër kjo ka një rëndësi historike për Kosovën pasi forcimi i alternativave dhe aleancave strategjike është shumë i nevojshëm, kjo forcon aspektin e mbrojtjes dhe është një rrugë e qartë drejt anëtarësimit në NATO.

Serbia këtë nisëm e shikon si hap një hap që “minon stabilitetin rajonal” dhe si kërcënim për “integritetin territorial” të saj, kurse Kosova dekleroi se nisma s’duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt, por duhet të pranohet edhe si mesazh se tri shtetet do të jenë të bashkuara përballë çfarëdo sfide apo kërcënimi.

Sërbia ka qënë dhe aktualisht është një kërcënim real për destsbilizimin e Kosovës edhe të rajonit. Ajo ka mbi 10 vjet që armatoset, edhe pse nuk është e kërcënuar nga asnjë fqinjë. Kërcënimi dhe destabilizimi i Kosovës nga Serbia është tentuar edhe në të kaluarën nëpërmjet akteve terroriste. Sërbia është në pritje të një firoreje të Rusisë në Ukrainë. Kriza e brendëshme në Serbi, rrezikon të tranferohet në Kosovë nga Presidenti Vuçiç si një rrugëdalje e situatës së destabilizuar tashmë që ai po kalon. 

Kjo marrëveshje ushtarake trepalëshe në fushën e mbrojtjes Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë, është një lajm i mire edhe për rajonin që edhe mund ti bashkohen dhe një lajm i keq për Serbin e cila duhet të mendohet mire nëse përpiqet që problemet e brendshme ti kakojë tek fqinjët.

Shqipëria duhet të gjejë të gjitha rrugët për të ndihmuar dhe garantuar integritetin territorial të Kosovës. Këtë i’a njeh edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ato duhet të studiojnë mundësitë politike dhe juridike, duke u konsultuar me aleatët dhe vetë NATO-n për arritjen e një marrëveshje dypalëdhe Shqipëri – Kosovë për vetëmbrojtje kolekrive në përputhje me nenin 51 të Kartës së OKB-së.

New York Mars 2025

Filed Under: Ekonomi

Anëtarësimi i ngutshëm i Shqipërisë në BE, arritje historike apo shkëputje kombëtare me Kosovën?

March 28, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/

Historia e një kombi nuk është thjesht një renditje kronologjike ngjarjesh, por një ndërthurje e thellë e kuptimeve, përpjekjeve, projeksioneve dhe përjetësimit të një vetëdijeje kolektive që kërkon të jetë e lirë, vetëformësuese dhe sovrane në përkufizimin e fatit të vet. 

Në këtë kuptim, çdo përfshirje në një strukturë më të madhe se vetvetja nuk është kurrë një akt teknik apo neutral, por përbën një ndodhi metafizike në qenien e një kombi, ose një lartësim të domethënies së vetes nëpërmjet ndarjes së përbashkët të fatit historik, ose një vetëzbehje që çon drejt zhbërjes së atij kuptimi që e bën një komb të jetë vetvetja.

Në këtë udhëkryq historik, Shqipëria përballet me një zgjedhje që është më shumë se politike, ajo është ontologjike dhe civilizimore. 

Çështja nuk është thjesht a duhet apo jo të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian. 

Pyetja e vërtetë është: çfarë bëhemi ne kur anëtarësohemi vetëm? 

Çfarë humbasim? 

Çfarë komprometojmë në kuptimin e vetvetes, në rrënjët, në horizontet e bashkësisë si komb shqiptar?

Në pamje të parë, diskursi politik, mediatik dhe akademik në Shqipëri e trajton integrimin evropian si një aksiomë, si një e mirë absolute, si një përmbushje e dëshiruar dhe e vonuar historikisht. 

Por kur një aksiomë nuk lejohet të vihet në dyshim, ajo rrezikon të shndërrohet në dogmë. 

Dhe kur një dogmë imponon rrugën drejt një strukture supranacionale, pa analizuar pasojat e brendshme strukturore, ajo bëhet një strategji e nënshtrimit, jo një akt i emancipimit.

Nëse Shqipëria i bashkohet BE-së pa Kosovën, atëherë ndodh një ndarje reale e trupit kombëtar në dy regjime juridikë që do të kenë orientime, obligime dhe dinamika të ndryshme. 

Kjo nuk është më një çështje teknike. 

Kjo është një ndarje metafizike në vetë trupin e qenies shqiptare. 

Në një epokë kur të gjitha kombet e Ballkanit kërkojnë të realizojnë bashkësinë e tyre historike dhe etnike nëpërmjet integrimeve të përbashkëta, vetëm shqiptarët rrezikojnë të ndahen përmes një anëtarësimi që fragmenton, dhe jo që bashkon.

Dhe ky është thelbi i dilemës sonë kombëtare:

A është anëtarësimi i njëanshëm dhe i përshpejtuar i Shqipërisë në Bashkimin Evropian një hap drejt modernizimit institucional dhe përfshirjes në një rend perëndimor, apo një akt që, pa Kosovën, e dekonstruon, zhbën përfundimisht projektin historik të bashkimit kombëtar shqiptar, duke e futur atë në harresë politike dhe margjinalitet gjeostrategjik?

Në këtë pikë, duhet ndalur çdo retorikë sipërfaqësore. 

Duhet menduar thellë. 

Duhet parë përtej syve të burokracive të Brukselit dhe lëvizjeve të ambasadorëve në Tiranë. 

Duhet vështruar me sytë e atyre që shohin kah historia, kah kujtesa dhe kah përgjegjësia e të ardhmes. 

Siç thotë Roger Scruton, “një komb nuk mund të jetë i lirë nëse nuk kupton përse ekziston”. 

Dhe kjo fjalë, “ekzistencë”, nuk është metaforë. 

Ajo është pyetja e madhe që çdo komb i bën vetes në momente të krizës ontologjike.

Përse ekziston kombi shqiptar?

A ekziston për të hyrë në një strukturë që e njeh vetëm Shqipërinë si shtet e jo shqiptarinë si bashkësi historike? 

A ekziston për të deleguar sovranitetin, pa pasur më parë garantimin e unitetit të vet kombëtar? A ekziston për të arritur standardet e BE-së në kurriz të projektit të vet vetëpërcaktues? 

A ekziston për t’u integruar si pjesë e një harte që nuk pranon kurrë të rishikojë padrejtësitë historike të 1913-ës?

Ne nuk kemi luksin të mashtrohemi. Historia jonë është përplot me shembuj të integrimeve të parakohshme, të bashkimeve të shpejta që kanë prodhuar më shumë shkëputje sesa unifikim. 

Rruga drejt BE-së, nëse ndiqet në mënyrë të njëanshme dhe të pashoqëruar nga një doktrinë kombëtare për bashkimin e shqiptarëve në një projekt gjeopolitik të përbashkët, nuk është rruga e bashkimit me Evropën, por është rruga e ndarjes me vetveten.

Në këtë dritë, pyetja më e rëndësishme nuk është kur do hyjmë në BE. 

Pyetja është: me kë do hyjmë apo si do të hyjmë në BE? 

Me çfarë kuptimi të vetes, me çfarë bashkësie shqiptare, me çfarë projekti kombëtar?

Nëse nuk i përgjigjemi kësaj pyetjeje sot, nesër do jemi të ndarë, të heshtur dhe të gjunjëzuar përballë një Evrope që do na pranojë si individë e shtetas të shkëputur, por jo si një komb me ideal, qëllim dhe destin të vetin.

Shqipëria: Fitore formale, humbje S

strategjike…

Nëse Shqipëria përmbyll procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian gjatë këtij cikli afatshkurtër dmth në harkun kohor 2027 apo 2030, rezultati i parë do të jetë një sukses formal, por një humbje thelbësore në planin strategjik kombëtar. 

Në pamje të parë, ky anëtarësim do të interpretohet si një triumf diplomatik dhe institucional, një hap përfundimtar drejt asaj që është propaganduar si “kthimi në shtëpinë evropiane”. 

Por, në thelb, bëhet fjalë për një zhvendosje të strukturës së orientimit kombëtar, ku mjeti bëhet qëllim dhe qëllimi humbet në mjegullën e një entiteti politik që nuk e njeh dhe as e promovon bashkësinë shqiptare si subjekt historik dhe politik.

Modelet e zgjerimeve të mëparshme tregojnë se anëtarësimi në BE sjell një sërë përfitimesh teknike: qasje në fondet strukturore dhe të kohezionit, rritje të perceptimit të besueshmërisë ndërkombëtare, standardizim të legjislacionit dhe njëfarë tërheqjeje investimesh. 

Këto janë pamjet sipërfaqësore të një procesi që në të vërtetë transformon thelbin e funksionimit të një shteti dhe të vetë përfytyrimit të tij mbi misionin historik.

Por siç e ka analizuar Jurgen Habermas në veprën “Legitimation Crisis”, teknokratizimi i pushtetit politik në sistemet liberale, sidomos në kontekste të brishta institucionalisht si Shqipëria, çon në një krizë të thellë legjitimiteti. 

Kur mekanizmat e vendimmarrjes transferohen në instanca supranacionale, ndërkohë që bazat kulturore, përfaqësuese dhe historike të shoqërisë nuk janë konsoliduar, ndodh një erodim i besimit, një shkëputje e thellë midis qeverisjes dhe përfaqësimit.

Për Shqipërinë, kjo përkthehet në një sërë pasojash:

 • Institucionet kombëtare reduktohen në ekzekutues pasivë të direktivave që nuk burojnë nga realiteti shqiptar. Vendimmarrja e vërtetë do të zhvendoset përtej kufijve, ndërkohë që elitat politike vendase do të shndërrohen në ndërmjetës të interesave të Brukselit, e jo më në përfaqësues të misionit kombëtar.

 • Kapitali njerëzor, veçanërisht rinia dhe shtresat më të përgatitura, do të intensifikojnë emigrimin, jo më vetëm për shkaqe ekonomike, por si rezultat i perceptimit të Shqipërisë si një vend pa të ardhme ku potenciali i tyre nuk mund të realizohet. Kjo do të përshpejtojë një zbrazje shpirtërore dhe demografike që do ta lërë kombin pa palcë vetëzhvillimi.

 • Sektorët e ndjeshëm të ekonomisë vendase, veçanërisht bujqësia, prodhimi i vogël dhe tregjet lokale, do të gjenden nën trysninë e një konkurrence që i tejkalon kapacitetet e tyre reale. Standardizimi evropian, në mungesë të mbrojtjes selektive dhe të një modeli kombëtar të zhvillimit, do të ketë efektin e mbytjes ekonomike nga sipër, dhe jo rritjes nga poshtë.

Kosova: Ndarje e heshtur, presion i rritur.

Ndërsa Shqipëria do të shfaqet në skenën ndërkombëtare si anëtare e re e BE-së, Kosova do të mbetet jashtë dyerve të këtij bashkimi, duke u përballur me një realitet gjithnjë e më të vështirë. 

Dhe ky nuk do të jetë thjesht një status “kandidat në pritje”. 

Përkundrazi, do të jetë një gjendje e institucionalizuar të jashtmit brenda kombit.

Në praktikë, kjo do të nënkuptojë:

 • Presion të shtuar për kompromise në dialogun me Serbinë, pasi çdo përparim i saj do të varet nga balanca e kërkuar nga faktori ndërkombëtar midis “stabilitetit rajonal” dhe “pranimit reciprok”. 

Por në këtë ekuilibër të ftohtë gjeopolitik, Kosova mbetet hallka më e dobët dhe më e ekspozuar ndaj presioneve për zhbërje të brendshme apo autonomi të pjesshme në këmbim të integrimit gradual.

 • Përjashtim nga rrjetet reale integruese, si programet e mobilitetit, bashkëpunimit institucional dhe qasjes në tregje të përbashkëta. 

Nëse Shqipëria ecën përpara pa të, Kosova do të ngelet një “zonë tampon”, as brenda BE-së, as brenda një blloku shqiptar, as e njohur plotësisht, as e integruar efektivisht.

 • Vendosje të një kufiri të ri evropian në mes të shqiptarëve, me gjithë retorikën e bashkëpunimit, me gjithë marrëveshjet për integrim ekonomik apo bashkëpunim kulturor. 

Fakti është se kufiri i BE-së bëhet kufiri i ndarjes shqiptare, i ri-institucionalizuar dhe i mbrojtur me legjislacion evropian.

Kësisoj, bashkimi formal i Shqipërisë me BE-në pa Kosovën nuk është vetëm një veprim teknikisht i shpejtë, është një akt ndarës substancial. 

Ai krijon dy ritme të ndryshme historike për të njëjtin komb. 

Njëri do të përfshihet në një sistem që e rregullon nga jashtë, ndërsa tjetri do të mbetet në një zonë të paqartë, ku çdo lëvizje drejt së ardhmes kalon përmes rrugës së kompromisit me tjetërsimin.

Në këtë afatshkurtër, fitoret janë sipërfaqësore dhe kalimtare. 

Humbjet janë të padukshme, por strukturore dhe të pakthyeshme. 

Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo hap që përjashton Kosovën nga integrimi i përbashkët është një hap drejt institucionalizimit të ndarjes kombëtare, me pasoja që do të zgjasin jo tri vjet, por tri breza.

Afatmesëm: Normalizimi i shkëputjes, zbehja e Kombit…

Hipotetikisht, nëse ndodh anëtarësimi i përshpejtuar i Shqipërisë në BE ta zëmë në vitin 2027 apo 2039, pas kalimit të fazës së parë euforike të anëtarësimit të njëanshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, skena politike dhe kombëtare shqiptare hyn në një fazë më të heshtur, por shumë më të rrezikshme: normalizimin e shkëputjes. 

Në këtë periudhë, proceset që në fillim ishin të dukshme dhe të debatueshme, fillojnë të fshihen pas perdeve të një rendi të ri, ku çarja midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk përjetohet më si devijim apo krizë, por si gjendje normale.

Kjo është pikërisht ajo që filozofi politik Carl Schmitt përshkruan si transformim të thelbit të politikës: kur dallimi ndërmjet “mik” dhe “armik” nuk është më rezultat i konfliktit të hapur, por është i koduar ndryshe, në struktura të padukshme dhe të institucionalizuara. 

Në këtë rast, ndarja e trupit kombëtar nuk shfaqet si ndarje tragjike, por si funksionalitet institucional, i pranuar heshturazi dhe i përforcuar përditë nga sistemet që e bëjnë të mundur.

Dy realitete zhvillohen në kahe të ndryshme:

 • Shqipëria inkorporohet brenda logjikës së një rendi supranacional, ku prioritetet ekonomike, kulturore, juridike dhe diplomatike diktohen nga instanca të jashtme. Identiteti kombëtar fillon të përkufizohet më shumë si një “kulturë rajonale” brenda një bashkësie më të madhe, sesa si një subjekt politik i pavarur me drejtim historik të vetin.

 • Kosova, në anën tjetër, ngec në një pozitë të ndërmjetme, në kufijtë e Perëndimit, pa hyrje të garantuar, pa liri reale veprimi dhe nën trysni të përhershme për të bërë kompromise që e copëtojnë brenda vetes. 

Shtetformimi i saj mbetet i brishtë, ndërsa legjitimiteti i saj ndërkombëtar i kushtëzuar nga vullneti i të tjerëve.

Në këtë kontekst të ri, raporti ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës transformohet thellësisht, jo përmes ndonjë deklarate të qartë ndarjeje, por përmes një zbehjeje progresive në të gjitha fushat ku ndërveprimi ishte dikur jetik.

Ekonomia: Ndërprerja e frymëmarrjes së përbashkët.

Tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës fillojnë të ndjekin logjika të ndryshme rregullimi. Shqipëria futet nën kornizat e politikave të përbashkëta të BE-së, me standarde dhe kuota që nuk përkojnë me realitetin kosovar. 

Bashkëpunimi tregtar ngushtohet për shkak të barrierave të padukshme burokratike, fiskale dhe doganore. 

Lëvizja e lirë e mallrave, që dikur shihej si themeli i bashkëpunimit ekonomik kombëtar, transformohet në një procedurë të ngatërruar dhe të ngadaltë, që e dekurajon vetvetiu shkëmbimin e brendshëm shqiptar.

Arsimi dhe Lëvizshmëria: Dy horizonte të ndryshme për të njëjtin brez.

Programet arsimore fillojnë të ndjekin udhëtime të ndryshme. 

Shqipëria adopton kurrikula të harmonizuara me BE-në, ndërsa Kosova mbetet e izoluar nga programet kryesore të mobilitetit evropian. 

Studentët dhe të rinjtë shqiptarë të Kosovës përballen me burokraci të shumëfishta dhe diskriminim të heshtur në qasjen ndaj mundësive që për të rinjtë e Shqipërisë bëhen rutinë. 

Mbi të gjitha, ndodh një ndarje psikologjike: brezat e rinj fillojnë të formësojnë horizontet e tyre kulturore dhe qytetare në përputhje me realitetet e vendeve ku jetojnë, jo në raport me bashkësinë kombëtare.

Juridiksioni dhe Diplomacia: Shkëputje e heshtur e kohezionit strategjik.

Në planin juridik dhe diplomatik, Shqipëria dhe Kosova fillojnë të ndjekin rrugë gjithnjë e më të veçuara. 

Shqipëria i nënshtrohet jurisprudencës së BE-së dhe e transformon politikën e saj të jashtme në përputhje me politikën e përbashkët të Unionit. 

Kjo përjashton çdo lloj koordinimi real me Kosovën në çështje strategjike, sepse vendimet e Shqipërisë tashmë janë të kufizuara nga pozicionet kolektive të BE-së, të cilat shpesh janë të kujdesshme, të paangazhuara ose edhe të ndikuara nga shtete që nuk e njohin Kosovën si shtet. Kësisoj, zëri diplomatik shqiptar nuk dyfishohet në mbrojtje të një kauze të përbashkët, por zbehet në një heshtje të institucionalizuar që shndërrohet në normë.

Kjo fazë afatmesme është më e rrezikshmja, sepse ajo nuk përmban asgjë spektakolare. 

Nuk ka akte të mëdha tradhtie apo vendime të papritura. 

Ka vetëm dëmtim të heshtur, zbehje graduale dhe shkëputje të paemërtuar.

Kur ndarja bëhet normale dhe kombi ndjehet si diçka e largët, si një ide e bukur por jopraktike, atëherë ka ndodhur zhbërja më e rrezikshme: zhbërja nga brenda, pa traumë, pa dhimbje, por me amnezi.

Afatgjatë: Dy Kombësi, dy realitete, një zhbërje.

Nëse trajektorja e nisur me anëtarësimin e njëanshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian vazhdon pa korrigjim, atëherë pas vitit 2035 do të përballemi me një gjendje të konsoliduar fragmentimi kombëtar. 

Kjo nuk do të jetë më thjesht një ndarje politike apo institucionale, por një transformim rrënjësor i vetë përfytyrimit mbi identitetin shqiptar, i përftuar nga kushtet e reja civilizuese ku do të jenë zhytur pjesët e ndara të kombit.

Do të kemi përpara një realitet të dyfishtë, i cili, në thelb, përfaqëson dy mënyra të ndryshme të ekzistencës shqiptare në shekullin XXI, të ndërtuara mbi bazamente kulturore, ligjore, ekonomike dhe ndërkombëtare të pakompatueshme.

 • Shqipëria, tashmë e integruar prej më shumë se një dekade në BE, do të jetë shndërruar në një provincë burokratike të një rendi supranacional, ku vendimmarrja e vërtetë do të jetë përjashtuar nga hapësira publike kombëtare. 

Përfaqësimi nuk do të ketë më lidhje me vullnetin politik të popullit shqiptar, por me pajtueshmërinë ndaj direktivave që burojnë nga një aparat administrativ ndërkombëtar. Kultura politike do të jetë zbehur në një cinizëm teknokratik, ku idealet kombëtare shihen si anakronizma folklorike, dhe çdo përpjekje për sovranitet interpretohet si devijim euroskeptik.

 • Kosova, e mbetur jashtë BE-së, do të jetë shndërruar në një zonë tampon, e varur nga dinamika që vendosen në trekëndëshin Beograd–Bruksel–Washington. 

Pavarësia e saj do të vazhdojë të mbetet pjesërisht e kontestuar, pjesërisht e kushtëzuar, dhe në asnjë moment e garantuar përfundimisht. 

Politika e jashtme do të jetë kryesisht reaktive, jo projektive; shteti do të funksionojë mbi baza të paqëndrueshme; dhe çdo përpjekje për zhvillim strategjik do të mbetet peng i marrëdhënieve me Serbinë dhe mungesës së përfshirjes reale në arkitekturën euroatlantike.

Në këtë kontekst, ajo që humbet nuk është vetëm bashkimi territorial i shqiptarëve, por vetë kuptimi i përbashkët i të qenit shqiptar. 

Nëse për dekada me radhë kemi folur për një kombi shqiptar me dy shtete, do të jemi tashmë përballë një realiteti me dy kombësi të veçuara, të cilat ndajnë gjuhën, por jo më projektin historik.

Ky është rreziku më i thellë: copëtimi i identitetit, jo më nga forca e jashtme, por nga mjedisi i brendshëm që e ka bërë ndarjen të natyrshme.

Ashtu siç thotë filozofi Charles Taylor, “identiteti formohet nëpërmjet dialogut me botën që na rrethon.” 

Nëse Shqipëria dhe Kosova jetojnë në struktura të ndryshme civilizuese, atëherë edhe bota me të cilën ndërveprojnë për të formësuar vetveten është thelbësisht e ndryshme. 

Njëra dialogon me një rend juridik, ekonomik dhe kulturor që e largon gjithnjë e më shumë nga komponentët autoktonë të shqiptarësisë; tjetra lufton për të ruajtur një ekzistencë që nuk i njihet në mënyrë të plotë nga rendi ndërkombëtar.

Pasojat do të jenë të shumëfishta dhe të pakthyeshme:

 • Në planin kulturor, do të krijohen dy universe simbolikë të veçuar, ku përfytyrimi i kombit, historia e tij, dhe figurat themeluese do të përjetohen në mënyra të ndryshme, ndonjëherë edhe kontradiktore.

 • Në planin gjuhësor dhe arsimor, do të ketë standarde të ndryshme, referenca të ndryshme dhe orientime të ndryshme drejt së ardhmes. Kjo do të krijojë një humbje të densitetit të përbashkët kulturor, e cila ishte baza e rezistencës së shqiptarëve përmes shekujve.

 • Në planin psikologjik kolektiv, do të konsolidohet një ndjenjë e thellë e “tjetërsimit të brendshëm”, ku shqiptarët e Shqipërisë do të ndjejnë gjithnjë e më pak lidhje me ata të Kosovës, dhe anasjelltas. Përkatësia nuk do të lidhet më me gjakun, gjuhën dhe trashëgiminë, por me statusin juridik, stilin e jetesës dhe të ardhmen individuale në strukturat përkatëse.

Kjo është ajo që mund ta quajmë zbërthimi i heshtur i kombit. 

Nuk ka të bëjë me ndonjë ndalim formal të bashkimit kombëtar. 

Nuk ka ndonjë akt ndarjeje të shpallur. 

Ka vetëm një proces të zgjatur, sistematik, ku vetëdija kombëtare zëvendësohet me përkatësi teknokratike, ndërsa historia e përbashkët zëvendësohet me përditshmërinë e ndarë.

Nëse nuk ndërhyjmë që sot, me një doktrinë të vetëdijshme kombëtare, që refuzon integrimet e njëanshme dhe kërkon një bashkim të koordinuar të të dy shteteve shqiptare, atëherë, në vitin 2050, ideja e shqiptarësisë si projekt politik, shpirtëror dhe historik i përbashkët do të jetë veçse një kujtim i mjegullt në arkivat e nostalgjisë.

Kombet nuk zhbëhen gjithmonë me luftë. Ndonjëherë, zhbërja ndodh kur e lëmë veten të na formësojë një botë që s’na njeh dhe s’na do siç jemi.

Zgjidhja Strategjike: Integrim i bashkërenduar ose refuzim me dinjitet.

Asnjë komb që respekton vetveten nuk e ndërton të ardhmen mbi themelet e një ndarjeje të përhershme të trupit të tij. 

Dhe asnjë strategji e vërtetë kombëtare nuk mund të pranojë integrimin në një rend të ri politik si çmim për të mohuar ose përjashtuar një pjesë të vetes. 

Për shqiptarët, rruga drejt Bashkimit Evropian duhet të jetë rruga e bashkimit të kombit nëpërmjet një integrimi të përbashkët, ose të mos jetë fare.

Nuk kemi luksin të jemi teknikë në një çështje që është qenësisht metafizike. 

Ky nuk është një kalkulim për fondet e kohezionit apo për raportet e progresit. 

Ky është një akt i lirisë kombëtare, një vendim moral mbi vetë kuptimin e shqiptarësisë në epokën e rendit të ri global.

Për këtë arsye, strategjia e vetme legjitime dhe e dobishme kombëtarisht për Shqipërinë dhe Kosovën është ajo që:

Të kërkohet, synohet dhe realizohet integrimi i bashkërenduar i të dy shteteve shqiptare në BE, si një bllok kombëtar i pandashëm.

Kjo qasje është moralisht e ndershme, politikisht e mençur dhe historikisht e drejtë. 

Ajo kërkon që Shqipëria të mos përshpejtojë integrimin e saj duke braktisur Kosovën në periferitë e historisë, por të ndërtojë një partneritet strategjik të barabartë, ku të dy shtetet ecin me të njëjtin hap, me të njëjtin vizion dhe me të njëjtin përfaqësim.

Një integrim i tillë do të nënkuptonte që:

 • Shqipëria të kushtëzojë ritmin e saj me përparimin e Kosovës, duke ndërtuar një platformë të përbashkët negociuese që afirmon bashkësinë shqiptare si një faktor i pandashëm në rajon;

 • Të kërkohet nga BE-ja një paketë e veçantë për integrimin paralel të Shqipërisë dhe Kosovës, me justifikimin historik, gjeopolitik dhe moral të domosdoshmërisë së unitetit kombëtar në këtë proces.

Nëse kjo nuk realizohet, Shqipëria të kërkojë status special të bashkëpunimit të avancuar me Kosovën brenda BE-së.

Në rrethanat ku Bashkimi Evropian refuzon një integrim paralel të të dy shteteve shqiptare, Shqipëria duhet të mbrojë një formulë alternative të bashkimit funksional, nëpërmjet një statusi të veçantë të bashkëpunimit të brendshëm ndërmjet dy vendeve, të mbrojtur në mënyrë të posaçme nga traktatet e BE-së.

Kjo do të përfshinte:

 • Ruajtjen dhe garantimin ligjor të lëvizjes së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, pavarësisht nga kufijtë e BE-së;

 • Krijimin e strukturave të përbashkëta të qeverisjes, arsimit, tregtisë, mbrojtjes dhe diplomacisë, që funksionojnë në një regjim të përjashtuar nga ndalimet standarde të unionit;

 • Njohjen e kësaj lidhjeje të veçantë nga vetë BE-ja, si një model i përshtatjes institucionale të integrimit me ndjeshmëritë historike të kombeve që kanë përjetuar ndarje të padrejta.

Nëse as kjo nuk realizohet, Shqipëria duhet të ngadalësojë integrimin e saj në mënyrë të vetëdijshme, si akt i ruajtjes së unitetit kombëtar.

Ky është skenari më i vështirë dhe më i guximshëm, por edhe më i ndershmi në raport me historinë dhe gjakun shqiptar. 

Nëse të gjitha rrugët e bashkimit kombëtar brenda BE-së mbyllen, atëherë Shqipëria nuk duhet të ecë përpara si një ishull brenda kontinentit, por të ndalet dhe të kërkojë rrugën që nuk e lë askënd pas, veçanërisht Kosovën.

Ky do të ishte një refuzim me dinjitet, jo i integrimit evropian si vlerë, por i asimilimit të vlerave kombëtare në një rend që nuk i njeh dhe nuk i respekton ato. 

Ky akt do të afirmonte se për shqiptarët, uniteti vjen përpara përfitimit, dhe bashkimi vjen përpara integrimit.

Në fund të fundit, kemi të bëjmë me një zgjedhje thelbësore: të jemi të bashkuar e më vonë, apo të jemi të ndarë e më shpejt. 

Të jemi komb me kuptim, apo shtet me viza të lira. 

Të jemi histori, apo statistikë. 

Të jemi subjekt, apo objekt.

Një komb nuk matet me numrin e programeve që përthith, por me sasinë e dinjitetit që nuk e dorëzon kurrë.

Nëse Bashkimi Evropian nuk na do si bashkësi kombëtare e pandashme, atëherë ne nuk kemi pse të dorëzojmë veten tonë në këmbim të një vendi në tavolinë që nuk është e jona.

Dhe nëse Kosova nuk do të jetë në Evropë bashkë me Shqipërinë, atëherë as Shqipëria nuk do të jetë kurrë në Evropë në kuptimin e plotë të fjalës.

Sepse pa bashkim, nuk ka integrim që e shpëton shpirtin e një kombi.

Filed Under: Analiza

TRASHËGIMIA PATRIOTIKE DHE MEDIATIKE E JOSIF PANIT

March 28, 2025 by s p

Sokol Paja/

Familjet e mëdha patriotike në mërgatën shqiptare të Amerikës kanë luajtur një rol themeltar dhe historik në jetën komunitare dhe trashëgiminë kulturore kombëtare. Familjet e shquara patriotike shqiptare në Amerikë kanë qenë frymëzim për gjeneratat, udhëheqëse të veprimtarive patriotike e atdhetare, kolona të pathyeshme, baza të qëndrueshme dhe udhërrëfyese për patriotët, aktivistët dhe veprimtarët kombëtarë. Historia dhe kontributi patriotik i familjes Pani, për komb, atdhe e komunitet është ndër më të shquarit në mërgatën e Amerikës. Josif, Vasil, Sotir, Andrea dhe Vasil Pani janë një vazhdimësi dhe trashëgimi e artë e kombit tonë në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur aktivizimi patriotik memorizohet në libra e dokumentarë merr një vlerë të shtuar shoqërore, mediatike dhe historike. Libri i Sotir Panit: “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë” i përgatitur mjeshtërisht për botim nga Kolec Traboini nxjerr në dritë fakte dhe histori të jashtëzakonshme rreth veprimtarisë patriotike, atdhetare, kulturore, komunitare, kombëtare dhe mediatike të Josif Panit dhe pasardhësve të tij.

Përveç veprimtarisë së shkëlqyer patriotike, Josif Pani kontribuoi për zhvillimin e mediave të komunitetit shqiptar në Boston dhe ndihmoi në rritjen dhe zhvillimin kulturor e intelektual të gjeneratës e vendlindjes. Libri i Sotir Panit: “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë” ka një meritë të veçantë në fushën e historisë së gazetarisë shqiptare të mërgatës në tërësi pasi na njeh imtësisht mbi veprimtarinë dhe kontributin e Josif Panit në fushën e botimeve e letrave shqipe në mërgatën e Amerikës.

Sipas librit, Josif Pani u tregua mjaft aktiv dhe në fushën e publicistikës. Në shtypin e asaj kohe, si në gazetat “Kombi”, “Dielli”, “Koha” etj., gjejmë shkrime të Josifit në të cilat kritikon intrigat e grekëve dhe pretendimet e tyre territoriale në dëm të Shqipërisë. Kontributi mediatik i Josif Panit me botimin e gazetës “Sazani”, “Drejtësija” dhe librin “Adreatiku e lufta europiane” zë një hapsirë të qënësishme për shtypin shqiptar të kohës në mërgatën e Amerikës.

Gazeta neutrale “Sazani” e Josif Panit mbronte çështjen kombëtare e ngrinte zërin për bashkim e bashkëpunim të shqiptarëve, të krishterë e myslimanë si vëllezër për të shpëtuar Shqipërinë e për të mbrojtur shoqërinë “Vatra”.

Sipas librit “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë” gazeta “Sazani” ishte fortesë e çështjes kombëtare në Amerikë dhe do të vërë tërë fuqitë e saj dhe t’i bashkojë tërë Shqiptarët rreth “Vatrës”. Ai si editor i “Sazanit” që doli si gazetë e përkohshme në vitin 1917, ka shkruar mjaft kryeartikuj në të. Në vitin 1917 në Netick botoi librin e vogël “Adreatiku dhe lufta evropiane”. Libri kishte 50 fletë me kronika nga ngjarjet e luftës Euro-piane. Për botimin e tij thuhet se kanë ndihmuar rreth 400 shqiptarë emigrantë në Amerikë.

Teksa njihemi me jetën dhe veprën e Josif Panit e Vasil Panit kuptojmë fuqinë, ndershmërinë, atdhedashurinë, pastërtinë shpirtërore dhe patriotizmin e vërtetë të shqiptarëve të Amerikës në përpjekjet e shenjta për kombin, gjuhë shqipe, për kulturën kombëtare dhe mbi të gjitha ruajtjen e paprekshme të territorit shqiptar. Kontributi i shqiptarëve të Amerikës për komb e atdhe është monument i artë kombëtar.

Sipas librit “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë”, Josifi botoi edhe gazetën “Drejtësija”. Qëllimi i kësaj gazete ka qenë që të ndërgjegjësonte shqiptarët për të kërkuar kudo drejtësi si dhe të mos i jepnin paratë, djersën e tyre, bukën e gojës së fëmijëve për të kënaqur kërkesat e disave, por t’i jepnin për të bërë punë të vyera për Shqipërinë. Gazeta godiste grekomanët dhe këdo që luftonte Shqipërinë duke i dhënë hov të fuqishëm patriotik lëvizjes kombëtare shqiptare në Amerikë. Në gazetën “Drejtësija” thuhet se janë botuar dhe protestat e shqiptarëve të Amerikës, pranë senatorëve amerikanë për rivendikimin e kufijve dhe për mbrojtjen e Korçës e të Gjirokastrës nga pretendimet e grekëve duke ndihmuar në bërjen publike dhe ndërkombëtarisht të kërcënimit të tokave shqiptare nga fqinji jugor.

Gazeta “Drejtësija” me editor Josif Panin sipas librit “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë”, vinte theksin se bashkimi shqip-tarëve është gjëja më e shtrenjtë dhe ky bashkim do bëhej ashtu si duhej kur të vendosej mirë e të vazhdojë drejtësia e bindja te kanuni, prandaj dhe programi i gazetës ishte përkrahja e drejtësisë.

Sipas librit “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë”, gazetat e përkohshme “Sazani” dhe “Drejtësija” që nxorri Josif Pani, ndihmuan për demaskimin e armiqve të kombit, për ndërgjegjësimin dhe edukimin e shqiptarëve me ndjenjën e atdhedashurisë dhe për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar. Historia e jashtëzakonshme e familjes Pani meriton respekt e nderim ndër breza jo vetëm për përpjekjen shekullore për komb dhe atdhe por mbi të gjiha për trashëgiminë e jashtëzakonshme që kanë lënë familja Pani si testament të kombëtarizmës e burim frymëzimi në panteonin e artë të shqiptarizmës.

Filed Under: Opinion

Andon Zako Çajupi, satiristi i andshëm i kohëve tragjike, poeti i sqimës, i zëshmi i patriotizmit të shqiptarëve të Egjiptit

March 28, 2025 by s p

Albert Vataj/

159 vite më parë, më 27 mars 1866 u lind në Sheper të Zagorisë, Andon Zako Çajupi, avokat me pak sukses, poet buzëhollë, dramaturg i shquar, veprimtar patriotik, dhe demokrat. Jetoi dhe vdiq ne Egjipt më 11 korrik 1930. Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes” (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë.

Çajupi u mor gjithashtu edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomorri, më 1921 nxori në dritë Përralla të zgjedhura të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Ajo që ka mbetur prej vepërs së Çajupit ka një vlerë shumë të madhe. “Baba Musa lakuriq”, një parodi e bibles është një ndër veprat që ai nuk mundi t’i botojë sa qe gjallë. I mëshohet shumë asaj pjese të krijimtarisë së tij siç është cikli i “vajeve” dhe ajo çka më pak evidentohet është kritika që ai lëvroi me një thellësi mendimi dhe kthjelltësi gjykimi. Ai solli bashkë me Konicën, modelin kritik të të menduarit në kulturën shqiptare. Çajupi është shkrimtari i kapërcimit nga periudha e romantizmit, nga ai mentalitet mbizotërues i shqiptarëve, në modelin kritik të të menduarit. Ai e zbriti poezinë nga qiejt romantikë në tokën e zërit të shpirtit dhe mendjes.

Një tipar dallues te Çajupi është erotizmi në veprën e tij, që është prezent më shumë se çdo gjë tjetër. Kjo tregon se edhe në këtë pikëpamje ai qe shumë i emancipuar, dhe poezitë e tij erotike janë shumë fine e sensuale, të drejtpërdrejta, sarkastike, cinike dhe ironike. Kjo ndoshta si një qasje e tij për të guxuar në lëvrimin e një komunikimi ndryshe, një marrëdhënie që jo vetëm e veçon por edhe e shndërron në një shprehje interesimi për ta marrë në konsiderim.

Çajupi në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit, në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe.

Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj dhe veglave të tyre, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit, i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga ana e Ahmet Zogut.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 416
  • 417
  • 418
  • 419
  • 420
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT