• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ROMANI “VAJZA ME VIOLINË” I SHKRIMTARIT FLAMUR BUCPAPAJ, NJË RISI NË LETËRSINË TONË

March 18, 2025 by s p

Nga Skifter Këlliçi, SHBA/

Ajo që të bie menjëherë në sy sapo lexon romanin e shkrimtarit te njohur Flamur Buçpapaj, ‘Donika, vajza me violinë’, është shtjellimi i ngjarjeve me nje stil te zhdërvjellët, herë dramatik, herë meditativ, herë humoristik, herë ironik dhe fshikullues, sidomos kur autori ndalet në biseda të Ardianit, një nga personazhet kryesore të romanit, me personazhe te tjera, veçanërisht me dy përsonazhet e tjera, Donikën dhe Mimozën, të dyja studente në Akademinee Arteve per muzike,(violinë). Në keto biseda autori shpreh indinjatën e thellë për pasojat e rënda që po kalon Shqipëria në fund të viteve të shekullit të kaluar, e sfilitur dhe varfëruar skajësisht nga diktatura komuniste dhe nga Sigurimi i Shtetit, një ndër armët e saj gjakatare.

Zakonisht në skalitjen e personazheve jemi mësuar të njihemi që në fillim më të dhëna biografike të tyre, që bëhen me anë digresionesh, të cilat rastis të ngadalesojnë ecurinë e përmbajtjes. Por autori, për ta mënjanuar këtë ngadalsim, në bisedë e sipër i vë një pjesë të këtyre të dhënave biografike në gojën e vetë përsonazheve. Kështu gjatë bisedave të Ardianit, i cili punon në Shkodër si korrespondent i një gazete që botohet në Tiranë, me Donikën dhe Mimozën, në takimin e tyre të parë në trenin që shkon nga Shkodra në Tiranë, është ai që që u rrëfen atyre për veten,si është rritur jetim, ngaqë babai i tij me origjinë kosovare është arratisur që andej, është martuar në Shqipëri me një vajzë shkodrane,i zgjënjyer realiteti i hidhur socialist, burgoset nga Sigurimi,vdes, pastaj humbet dhe nënën…Gjithashtu po gjatë këtij takimi edhe Donika dhe Mimoza tregojnë për jetën e tyre që përthyhet nga ndërhyrjet e autorit duke lënë që rjedha e ngjarjeve të mos bëhet monotone.

Natyrisht, autori gjen rast që të plotësojë vetë portretet e këtyre përzonazheve të romanit edhe me të dhëna të tjera kështu interesi i lexuesit rritet nga faqja në faqe. Ja një ndërhyrje e tillë:

“Babai i Donikës pati vdekur herët, duke e lënë shumë të vogël atë, ndërsa nëna e rriti dhe e shkolloi. Asaj iu kujtua çdo gjë nga fillimi. Pas vdekjes së babait, ato e lanë Shkodrën dhe u strehuan në Tiranë. Nëna gjeti punë si edukatore kopshti. Morën shtëpinë që u përkiste nga trashëgimia e babait të saj dhe vazhduan jetën në kryeqytet. Pastaj, dhe atë ua mori shteti e u dhanë një dhomë dhe një kuzhinë në “Uzinën e Traktorëve”,në Tiranë”,(faqe 120 e romanit).

Element tjetër i rëndësishëm në roman janë dhe meditimet, kryesisht i Ardianit, të përdorura natyrshëm nga autori, i cili shpalos në të to jo vetëm dhunti, të shoqëruara me figuracion të lartë artistik, por, siç do të shohim më pas, edhe elemente nga fusha të tjera tëj jetës, që i gjejmë vetëm në veprat më të mira të autorëve tanë .

Duke menduar për Donikën, me të cilën tashmë është i dashuruar, autori shkruan kështu:

‘Uji do të shkojë në det, për të çuar mesazhin e dashurisë së tyre. Nga deti në oqean do ta çonte vala e lumit të bardhë në emër të Erzenit. E kështu lajmi do bashkonte gjithë oqeanet e dashurisë botërore. Këtu te ne ka lindur një dashuri,- do thonin valët e lumit. – Dëgjojeni ritmin e zemrës së të dashuruarve. Është tingulli më i bukur tokësor. ..

S’ka tingull ma të bukur! – do thonin edhe yjet, që së shpejti do mbulonin qytetin e Tiranës.

Dona po e shikonte si e habitur nga ritmi i fjalëve të bukura që tha ai në një minutë. Ajo tundi kokën. Ishte e habitur nga magjia e tij dhe përsëriti dhe një herë dhe më fort: ‘Ardian, të dua! Dhe s’dua të ndahem kurrë nga ti. Zoti të ruajtë dhe të mbroftë!’, (faqe 100).

Ky përshkrim, një prozë e vërtetë poetike, e zbut dhe thyen prozaizmin në fragmentin të mëposhtëm, që plotëson ato copëza të përshkrimit të historisë së fëmijërisë së Donikës, të rrëfyera nga autori, që përmenda më sipër.

Por në faqet e këtij romani jo rallë ndeshemi dhe me meditime të karakterit filozofiko-psikologjik, që i japin frymëmarrje më të thellë synimeve që i ka vënë vetes autori, për ta ngritur edhe më shumë artistikisht veprën e tij.

Po e ilustroj këtë me një shëmbull: Jemi në fillim të viteve 1990-të të shekullit të kaluar. Eshtë përmbysur sistemi komunist dhe është vendosur rendi demokratik. Ardiani nuk është vetëm shkrimtar shumë i njohur edhe në botë, por njëkohësisht edhe nënkryetar i Parlamentit Shqiptar, i martuar me Donikën. Por atë e kanë rrëmbyer banditë dhe e kanë dërguar në Itali, për ta shndërruar në prostitutë. I ndodhur në Milano me dy shokë të SHIK-ut, Ardiani i dërmuar psikologjisht së bashku me dy shokët e mësipërm, ndodhet në zyrën një eprori të policisë së këtij qyteti, i cili, për ta qetësuar, nis t’i shpjegojë:

‘- Do t`ju prezantoj një psikologun tim. E kam shok dhe është shumë i aftë. Keni nevojë për të. Jeni i tronditur. E kuptoj. Gruaja juaj ka qenë peng bandash dhe s’ju vë faj, sepse edhe kompleksi ‘i fajit’ ju rëndon, e di. E di që ia keni vënë fajin vetes për çfarë ka ndodhur. E di se është në fushën time i tillë fenomen. E di sepse kam studiuar raste të tilla. Shpeshherë, njëri nga bashkëshortët që jeton, vret veten nga humbja e të dashurit të vet. Edhe këto ndodhin. Ty të është krijuar përshtypja që je vrasës. Janë simptoma normale. Të tjerëve u krijohet përshtypja që ata e vranë të afërmin e tyre me mosveprimet ose veprimet e tyre dhe dënojnë veten. Pra, është psikologjike. Frojdi e përcakton saktë’. (faqe 291).

Kështu në kapitujt e tjerë të romanit njihemi me kryebanditin e quajtur Saimir Kaushi, që me banditë të tjerë kanë rrëmbyer Donikën dhe me gomone e kanë dërguar në Itali dhe e mbajnë skllave në një shtëpi të fshehtë në një lagje të Milanos. Ai e mban atë peng edhe me një kusht: Në rast se ajo nuk do që të martohet me të, do ta detyrojë ta bëjë atë pre të mishit të bardhë.

Pas shumë përpjekjesh policia italiane arrin të zbulojë vendndodhjen e Donikës, shpartallon bandën dhe kap Saimir Kaushin, që, më së fundi, pasi ajo është katandisur në gjendje të mjerueshme, detyrohet të shtrohet në spital dhe pas disa ditësh kurimi më së fundi takohet me Ardianin.

Nuk po zgjatem me tutje, por në vija të përgjithshme kjo është përmbajtja e këtij romani, i cili për mënyrën si autori i ka shtjelluar ngjarjet, me shumë të papritura të përshkruara me ritëm intensiv dhe, veç të tjerash, me dialog shumë të natyrshëm, përbën risi në letërsinë tonë dhe premton se autori ka një të ardhme te sigurtë edhe në lëvrimin e prozës së gjatë.

Filed Under: ESSE

VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 60 VJETORIT TË KALIMIT NË AMSHIM TË FAN NOLIT

March 18, 2025 by s p

VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 60 VJETORIT TË KALIMIT NË AMSHIM TË FAN NOLIT.

Filed Under: Opinion

“Mbyllja e TikTok-ut, heroizmi i fundit i Liderit tonë vizionar”

March 18, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi

Populli shqiptar ka fatin të jetojë në epokën e një lideri që sheh përtej të tashmes, përtej ekraneve të telefonave tanë të mjerë, dhe përtej vetë lirisë sonë së pavlerë. Kryeministri ynë i ndritur, Edi Rama, ka vendosur t’u japë fund rrëmujës digjitale duke na liruar nga skllavëria e TikTok-ut. Me një urdhër të shenjtë dhe të padiskutueshëm, ai ka dëshmuar sërish se është babai i kombit modern, një shenjtor i shekullit XXI që nuk kursen as censurën për të na shpëtuar nga vetja jonë!

Sipas qeverisë, ky vendim u mor për të mbrojtur të rinjtë nga rreziku i dhunës. Tani, pa TikTok, ata do të kalojnë më shumë kohë në aktivitete të shëndetshme si bisedat ballë për ballë, leximi i librave (që nuk ekzistojnë nëpër libraritë tona) dhe shëtitjet e qeta nëpër qytetet tona të mbushura me smog dhe nga shikimi I Big Brother apo nga podcastet e ERTV. Ah, sa mirë do të ishte sikur të ndalonim edhe telefonat fare! Imagjinoni: një Shqipëri pa rrjete sociale, ku lajmet do të shpërndahen ekskluzivisht nga zëdhënësit e qeverisë dhe televizioni kombëtar. Demokracia e vërtetë!

Ndërkohë, opozita dhe disa gazetarë kanë filluar të ulërasin për censurë, sikur e drejta për të bërë video qesharake me efekte idiote të jetë ndonjë liri themelore. Nuk e kuptojnë se ky vendim është një domosdoshmëri kombëtare, një masë e pjekur për të garantuar stabilitetin! Edhe Kina do të ishte krenare për një hap të tillë! Dhe, sigurisht, për të gjithë ata qytetarë “rebelë” që kërkojnë mënyra alternative për të hyrë në TikTok, ne kemi një mesazh të qartë: kujdes me VPN-të! Mos harroni që qeveria jonë tashmë është eksperte në kontrollin e internetit dhe në ndjekjen e të gjithë atyre që guxojnë të thyejnë rregullat e arta të mirëqenies kolektive.

Por pse të ndalemi këtu? Nëse TikTok-u është i rrezikshëm, a nuk janë edhe Facebook-u, Instagram-i dhe YouTube po aq problematikë? A nuk nxisin edhe ata shpërqendrim, përçarje dhe ndonjëherë – oh, tmerr – mendim kritik? Mbase duhet të ndalojmë krejt internetin dhe të kthehemi në ditët e lavdishme të vitit 1990, kur informacioni kontrollohej me dorë të hekurt dhe qytetarët jetonin të lumtur në padituri.

Në fund të fundit, siç ka ndodhur shpesh në historinë tonë, ne do të pranojmë çdo kufizim me qetësi e përulësi, sepse jemi mësuar. Dhe kur, një ditë, do të zgjohemi dhe të zbulojmë se edhe Google nuk funksionon më – vetëm në Shqipëri, sigurisht – do ta pranojmë me një buzëqeshje të hidhur dhe do të vazhdojmë rutinën tonë të zakonshme: duke pritur vendimin e ardhshëm brilant të udhëheqësit tonë vizionar.

Revolucioni digjital i opozitës shqiptare ka shpërthyer me një protestë epike kundër censurës më të tmerrshme që ka parë ndonjëherë vendi: ndalimi i TikTok!

Qeveria e majtë, e cila ka ndaluar gjithçka përveç propagandës së vet, vendosi me një gjest madhështor të mbyllë TikTok-un për 12 muaj, duke pretenduar se platforma “nxiste dhunën dhe bullizmin.” Në të vërtetë, thuhet se kabineti u tremb nga fakti që 12-vjeçarët mund të bënin video më bindëse se fjalimet e Edi Ramës.

Ndërkohë, opozita e drejtuar nga Sali Berisha – i cili ka një përvojë të gjatë në betejat epike kundër teknologjisë (përfshirë printerat, e-mailet dhe sistemin TIMS) – u ngrit në këmbë për të mbrojtur lirinë e fjalës… dhe të videot-eve me sfond këngësh turbofolk.

“TikTok është një e drejtë themelore! Duhet ta mbrojmë nga censura e qeverisë që frikësohet nga rinia jonë e lavdishme dhe filtrat e Snapchat-it,” tha Berisha, ndërsa qindra demokratë brohorisnin emrin e tij, duke mbajtur pankarta si “Pa TikTok, s’ka Demokraci” dhe “Korrupsioni është i keq, përveç kur e bëjmë ne.”

Ish-lideri demokrat, i cili deri vonë ka luftuar me arrestin shtëpiak dhe përçarjet brenda partisë së tij, u zotua se TikTok do të rikthehej më 12 maj – një ditë pas zgjedhjeve parlamentare. “Pse më 12? Sepse atëherë do të kemi një opozitë të re dhe do ta harrojmë këtë protestë si çdo herë tjetër,” shpjegoi ai.

Ndërsa për Amerikën Tik Toku shihet si subversionyu atë kinez në të dhënat personale të amerikanëve. pavarësisht Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin të mërkurën me një shumicë dërrmuese që mund të detyrojë TikTok të heqë dorë nga kontrolli i kompanisë së tij mëmë kineze ose të ndalohet. Fati i saj në Senat nuk është i qartë pasi Trum e sht. Kompania mëmë e TikTok, ByteDance, është e bazuar në Kinë dhe ligjvënësit amerikanë thonë se po ndjekin një ndalim në emër të mbrojtjes së SHBA, të dhëna nga qeveria kineze. Por ligjvënësit nuk po ndjekin legjislacion gjithëpërfshirës federal për privatësinë që do të mbronte të dhënat e amerikanëve për të gjitha aplikacionet që ata përdorini Ramës , por ky nuk është shqetësimi i Ramës pasi radiot e Pekinit shperndajnë vallë rdiosh nga Fllaka si në kohën e miqësisë së madhe.

Në anën tjetër, Edi Rama u shfaq i qetë, duke postuar një pikturë ekspresioniste të vetes me titullin “TikTok-free Albania” dhe duke deklaruar se ky ishte një hap i madh përpara në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. “Ne nuk mund të lejojmë që populli të informohet përmes videove 15-sekondëshe. Kjo është detyrë ekskluzive e televizioneve tona të pavarura dhe të lira… që unë i kontrolloj,” tha ai.

Në fund, protesta përfundoi pa incidente, përveç faktit që një numër i madh protestuesish u kapën duke regjistruar live nga TikTok, pa e kuptuar se ishte i ndaluar. Ata u liruan me kushtin që të kthehen në Facebook – ku, sipas Berishës, qëndron opozita e vërtetë.

Ndërkohë, Shqipëria vazhdon rrugëtimin e saj drejt Europës, një rrugë që do të zgjasë të paktën deri në vitin 2050… ose kur të shpiket një platformë e re sociale për t’u ndaluar

Filed Under: Fejton

Poeti nga Presheva Xhemë Karadaku: Pse shkruaj për fëmijët!

March 18, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Letërsia, sidomos poezia, duke qenë e bazuar te fjalët e figurshme, ka mjete shprehëse të përshtatshme për të ndikuar bukur ndjeshëm te fëmijët. Emocionet  që ngjall poezia dhe arti në përgjithësi kanë ndikim mjaft më të madh në përpunimin e gjykimeve dhe në sjelljet intuitive, sidomos të fëmijëve deri në adoleshencë. Këtë mundohet të bëjë sot në Kosovë, me artin e tij, një poet e shkrimtar i njohur si Xhemë Karadaku, që e bashkon ndjeshmërinë e vet, gjykimin dhe përfytyrimin me këtë përpjekje për të hyrë në botën e ndjenjave të fëmijve nëpërmjet gjuhës poetike. Xhemë Karadaku, me origjinë nga Presheva, është një nga shkrimtarët dhe poetët më të njohur në Kosovë, me një përvojë të gjerë letrare. Ka shkruar mjaft vepra poetike, libra me tregime, libra me enigma dhe monografi. Në ngrehinën artistike të tij spikasin elemente të qënësishme filozofike, psikologjike, shoqërore, gjuhësore etj. 

Në pikun e karrierës së tij letrare dhe të trazimit shpirtëror, vitet e fundit ai është kthyer, pothuaj tërësisht, kah fëmijët. Xhema beson tmerrësisht në bukurinë e botës së fëmijëve. Librat e tij të shumtë për fëmijë janë  mjaft interesantë, plot fantazi e humor të këndshëm. Në vetvete janë një thesar, që e bëjnë atë një shkrimtar mjaft të dashur nga fëmijët. Librat flasin për problematika të reja dhe interesante, me nota origjinaliteti dhe mjeshtëri artistike. Përmendim disa prej tyre, të botuara edhe në rrjetin gjigand ndërkombëtar “Amazon”: “Dhjetë me yll”, “Kalikuse, oj kalikuse”, “Histori për një dashuri”, “Lojë me fjalë”, “Nipi i Don Kishotit, “Pse iu kall mjekra gjyshit”, “Fuqia hyjnore”, “Trimi më i madh në botë”, “Portret i çuditshëm”, “Legjenda e re”, “Jam i madh”, etj.

Duke njohur mirë botën e brendshme dhe kërkesat e fëmijëve, poeti arrin t’u largohet frazave të përgjithshme, deklarative e moralizuese. Zakonisht vjershat i ndërton mbi një fabul të thjeshtë ku fëmija, përmes personazheve të ndryshëm, sheh veten e tij në lodra e gëzime të çiltra. 

“Pulat kakarisin

Në llamba neonësh

Qentë po ulërinin

Në Kulla neonësh”

(Fragment: Në qytet)

Duke lexuar vjershat e Xhemë Karadakut të tërheq pasuria e ndjenjave, sinqeriteti i thellë, natyrshmëria.

“Shkruaj për fëmijët sepse dua që zëri i përjetshëm i artit dhe i bukurisë së tij të përkëdhelë shpirtin e tyre, ta bëjë më të bukur e më të qetë jetën e tyre ose, së paku, disa momente nga jeta e tyre. Arti u flet të gjithëve. Pra edhe fëmijëve. Dhe ata janë bota jonë. I japin kuptim jetës sonë. Ky është mision për t’i shërbyer letërsisë kombëtare, që të rritim fëmijë të mbarë dhe me shenja dalluese kombëtare”, tha poeti për gazetën “Dielli”.

Vjershat e tij rrezatojnë bukuri estetike dhe ide të gjithkohshme, dhe këto arrihen veçanërisht nëpërmjet subjektit e figuracionit, humorit e detajit të freskët artistik.

Po ecnin dy burra
Rrugës nëpër pyje
E shikonin qiellin,
Mbushur plot yje.

Nisën një bisedë
Me gaz dhe qeshje
Dikur sikur trimat,
Bënë marrëveshje!

Uh, marrëveshja
Habiti edhe pyjet:
Njëri mori qiellin,
E tjetri i mori yjet!

Pastaj nën një lis,
Burrat u shtrinë,
Të dy plot ëndje
Shihnin “pasurinë”

(Fragment: Zënka)

Xhemë Karadaku e mbështet poezinë  e vet mbi një përdorim mjeshtëror të figurave letrare të larmishme. Duke qenë të drejtëpërdrejta dhe të pangarkuara me figura, vjershat kapen lehtë nga imagjinata e fëmijëve. 

GJELI

Mësuesi porositi me zë:

-Sillni nesër nga një vezë!

N’shkollë kush vjen pa të

Një minus merr për besë.

Nasradini s’kish dëgjuar

Me mend ish tjetërkund

Nga klasa doli i vetmuar

U nis drejt për n’katund.

Të nesërmen sa nisi ora 

Mësuesi u kërkoi prerë:

-Vezët mbi banka-saora!

T’ecim tutje menjëherë.

Nasradini syhapur mbeti

Shikon rrotull plot habi!

Mësuesi shpejt e vërejti

Dhe arsye kërkon nga ai?

E Nasradini si zakonisht

U kallëzua mendjehollë:

-Për këto pula, sigurisht,

Një gjel duhet n’shkollë?

Vargu është konçiz, me rimë e muzikalitet, aq sa fëmija, fare lehtë, mund t’i mbajë mend e t’i bashkojë me tingujt e një melodie. 

 “Një ditë dola në livadh,

Dhe bërtita: JAM I MADH!

Një buburrec kapa n’kokë,

Dhe e hodha mirë përtokë…

Hipa mbi grumbull dheu:

-Trim si unë s’ka Atdheu!

Ditën tjetër në mal dola:

-JAM I MADH, me zë fola!

(Fragment: Jam i madh)

Frazeologjia e bukur fëmijërore vjen hijshëm, e vjelur prej autorit me zgjuarsi e mprehtësi nga jeta e përditshme e të vegjëlve. Është pikërisht ajo frazeologji fëmijërore, e cila në substancën e saj ka nota humori të këndshme e jetësore, të freskët e joshëse. 

“Dy shtëpi janë përballë
Dallojnë nga madhësia
Sa fort kontrast i rrallë
Habiten krejt njerëzia!

Në pallatin me sa kate
Veshur krejt n’mermer
Jeton një lakuriq nate
Sorollatet e bën tmerr…

(Fragment: E di përgjigjen).

Gjithashtu gjuha e përdorur tregon se poet është edhe njohës i mirë i psikologjisë së fëmijëve, pasi vë në veprim kryesisht fondin aktiv të fjalorit të tyre, pa e mbingarkuar atë me nocione të pakuptueshme. 

“Lexova në një ditar fëmije:

-Nuk dua t’jem n’jetë si hije

Hije e zezë, kopje e trishtë

Dhe t’i bëhem secilit bisht.

I lexova edhe shumë gjëra

Ato do të mbeten sekrete.

Veç një gjë më tha zemra:

-Fëmijët janë botë në vete!

(Fragment: Botë më vete)

Poezia e Xhemë Karadakut, në një masë të ndjeshme, i dëfren lexuesit e vegjël, por ngacmon edhe imagjinatën e tyre:

Në vitin e parë më lë pa fletore

Librat m’i more në vitin e dytë 

N’vitin e tretë çantën ma more

N’vitin e katërt s’t’i pashë sytë!

Enigmë mbete, nuk e di ku trete

Kalove male, e kalove dhe dete

Disa shkolla, thonë, gjoja i kreve 

“Intelektual” në atdhe u ktheve!

(Fragment: Portret i një kandidati për deputet)

“Gishti i vogël n’protestë

Ankohej me drithërimë:

-Jeta juaj përherë-festë,

Unë mbeta sa një grimë!

Pesha dhe angazhimi  i poetëve dhe shkrimtarëve në letërsinë për fëmijë ka vlera domethënëse jetike për një letërsi me ndjeshmëri kulturore, edhe pse ajo quhet e fëmijëve.  Letërsia për fëmijë, si në Kosovë edhe në Shqipëri, kërkon një dimension i ri zhvillimi, duke nxitur e stimuluar botimet. Problematikat nuk janë të reja. Ndonëse ka pak autorë që shkruajnë për fëmijë, qoftë dhe duke bërë një krahasim me vitet ‘60 -70 të shekullit të kaluar, vërehen nota origjinaliteti dhe mjeshtëri artistike. Por mungon mbështetja dhe subvencionimi i librave. Shtetet tona duhet ta mbështesin financiarisht këtë lloj letërsie, që të mos skuqemi nga vetja, pasi ajo i shërben edukimit të fëmijëve, pra të ardhmes.

Të gjithë duhet të ndërgjegjësohen se në situatat e reja socio-kulturore shkolla, e vetme, nuk e luan dot më  si dikur rolin shoqëror dhe edukativ me peshë, nuk e përmbush dot misionin e saj të trefishtë pedagogjik, shoqëror e moral. Gjithnjë e më tepër ky mision është në rrezik. Hendeku midis arsimimit të trashëguar dhe shijeve të nxënësve është mjaft i thellë. Ka një bjerrje të autoritetit moral të shkollave. 

Mes moralit të zakonshëm, i cili duhet të kultivohet brenda mureve të shkollës, dhe veprimtarisë mendore të shoqërisë, që ka hyrë në një zonë eklektizmi individual, është hapur një humnerë e frikshme. 

Po ndodh një keqkuptim i madh, që i ndan institucionet shkollore nga përdoruesit e tyre. Shkollat janë moderne, por nxënësit priren të jenë “postmodernë”. Shkolla ka për pikësynim të formojë mendjet e të zhvillojë njohuritë, ndërsa ata i kundërvënë vëmendjen e paqëndrueshme, të ndikuar fort nga televizioni dhe rrjetet sociale. 

Dihet që televizioni nuk është kurrë një pasqyrë besnike e shoqërisë, nuk shërben kurrsesi si medium edukimi, pasi marrdhëniet që shfaq është i detyruar t’i bëjë spektakolare. Ky spektator është thjesht i parashikuar, ose i evokuar, ndryshe nga çfarë ndodh zakonisht me lexuesit e një libri. 

Në qoftë se kultura është tërësia e qëndrimeve, zakoneve dhe vlerave që përcaktojnë tablonë e identitetit të një grupi, atëhere muzika, letërsia dhe artet në përgjithësi, përbëjnë themelin e kulturës së fëmijëve. 

Në njëfarë kuptimi, poetë si Xhemë Karadaku mund të konsiderohen “rilindas modernë”, shkrimtarë të përkushtuar, për të cilët shoqëria e sotme, në këtë shndërrim të madh antropologjik, ka shumë nevojë. 

BIOGRAFIA


Xhemë Karadaku u lind në fshatin Ranatoc të Karadakut të Preshevës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Preshevë, ndërsa fakultetin në Prishtinë. Bashkëpunon me revista e portale të shumta në gjuhën shqipe, ku ka publikuar një numër të madh të poezive, tregimeve, humoreskave dhe enigmave të rimuara. Ishte anëtar redaksie i Revistës “Jehona” në Preshevë, ishte redaktor i revistës për fëmijë “Ylberi” në Gjilan dhe një periudhë ishte anëtar i Redaksisë në revistën për Enigmatikë “Horizonti” në Gjilan. Është autor i njëzet veprave letrare dhe publicistike. Është autor i qindra enigmave të rimuara, të cilat i botoi në librat “Gjej e qesh” dhe “Zgjidh e Zgjidh” (botim elektronik). Është prezantuar në Antologjinë e Letërsisë për fëmijë “Lule për lulet” të botuar në vitin 2014. Libri me poezi për fëmijë “JAM I MADH”, në vitin 2014, u nderua me çmimin “Ymer Elshani” nga Karvani Letrar “Agim Deva” si libri më i mirë i botuar në Kosovë. Në konkurse të ndryshme letrare, në Kosovë e më gjerë, është fitues i shumë shpërblimeve për poezi, tregime dhe humoreska. Është editor i Shtëpisë Botuese “URA, Prishtinë. Jeton dhe punon në Prishtinë

DISA NGA VEPRAT:

Legjendë e re, 1992

Natë mbi mua, 1994

Gjej e qesh, 1994 (libër me enigma)

Pse iu kall mjekra gjyshit, 1995

Zvarranikët, 1995

Trimi më i madh në botë, 1999

Kalikuse, kalikuse a ma gjen një nuse, 2000

Ëndërr me ëndrra, 2000

Feniksi nuk është ndryshe, 2000

Lavjerrësi i kohës, 2002

Histori për një dashuri, 2003

Lojë në Trojë, 2003

Nipi i Don Kishotit, 2005

Fuqia Hyjnore, 2009, 2010

Flakadani i lirisë – Monografi për dëshmorin Xhavit Kozhani, 2010

Bozanska moc, 2011

Lojë me fjalë, 2011

Lojë me fjalë, 2013, botim i plotësuar (Shkup)

JAM I MADH, 2014 (libri më i mirë në Kosovë për vitin 2014)

Zgjidh e zgjidh, 2018 (libër me enigma)

Dhjetë me yll, poezi për fëmijë, 2019

Portret i Çuditshëm, ilustrim për fëmijë, 2020.

Lazdani, tregime për fëmijë, 2020.

‘Kalikuse, oj kalikuse”, nëntor 2024

“Hapësirë e akullt”, 2024 


Çmimet letrare:


Në konkurse të ndryshme letrare, në Preshevë, në Kosovë e më gjerë, është fitues i shumë shpërblimeve letrare, ndër të cilët do veçuar:

• Sëmundja bashkëkohore, tregim satirik, çmimi i dytë, Bota e Re, 1989

• Hapësirë e akullt, tregim për të rritur, çmimi i parë, Flaka e Janarit, 1994

• Polemika, poezi për fëmijë, çmimi i tretë, Flaka e Janarit, 1994

• Pastrimi i mendjes, tregim satirik, çmimi i parë, Bujku, 1994

• Dashamirë, ju faleminderit, tregim satirik, çmimi i dytë, Bujku, 1994

• Në dosjen tënde, poezi satirike, çmimi i tretë, Bujku, 1994

• Vdekja duke qeshur shqip, tregim për të rritur, çmimi i parë, Flaka e Janarit, 1995

• Nuk di si ndodhi, poezi për fëmijë, çmimi i tretë, Flaka e Janarit, 1995

• Intelektual i pavarur, tregim satirik, çmimi i tretë, Bujku, 1997

• Lavjerrësi i kohës, tregim për të rritur, çmimi i parë, Flaka e Janarit, 2000

• Letra, tregim për të rritur, çmimi i parë, Manifestimi Kulturor “Kadri Kadriu” – Podujevë, 2001

Amazon.com: Kalikuse, oj kalikuse (Albanian Edition): 9789951512695:  Karadaku, Xhemë: Books
Amazon.com: Histori për një dashuri (Albanian Edition): 9789951512657:  Karadaku, Xhemë: Libros
Loj me fjal – Xhem Karadaku – Pocket | Akademibokhandeln
Nipi i Don Kishotit : Karadaku, Xhemë: Amazon.co.za: Books
Amazon.com: Pse iu kall mjekra gjyshit (Albanian Edition): 9789951512664:  Karagaku, Xhemë: Books
Fuqia Hyjnore by Xhemë Karadaku | Open Library
Trimi më i madh në botë (Albanian Edition): Karadaku, Xhemë: 9789951512626:  Amazon.com: Books
Shoqata e Shkrimtarëve "Feniks" Preshevë - POEZI ME NGJYRIME EMOCIONALE... (Xhemë  Karadaku, “Dhjetë me yll” sh.b. “Ura” Prishtinë, fq. 210). Bilall Maliqi  “Dhjetë me yll “ titullohet libri më i ri i
Portret i çuditshëm - Xhemë Karadaku by Shtëpia Botuese URA - Issuu
Amazon.com: Legjendë e re (Albanian Edition): 9789951512671: Karadaku, Xhemë:  Books
Amazon.com: Jam i madh (Albanian Edition): 9789951512701: Karadaku, Xhemë:  Books

Filed Under: LETERSI

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë për protestat për Demokraci dhe Drejtësi në Serbi. Mbështetja e stabilokracisë në kurriz të demokracisë është një qasje dritëshkurtër

March 17, 2025 by s p

Tiranë, 17 mars 2025/

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) i konsideron protestat e vazhdueshme të studentëve dhe qytetarëve serbë, të cilët me guxim po reagojnë kundër korrupsionit, autokracisë dhe gërryerjes së vlerave demokratike, si demonstrim i zhgënjimit të një populli që kërkon llogaridhënie, transparencë dhe respektim të të drejtave themelore, vlera që janë themeli i çdo shoqërie demokratike.

Historia ka treguar se kur njerëzit dalin në rrugë në protestë, ata e bëjnë këtë për një arsye.

Zërat e tyre nuk duhet të shpërfillen, shtypen apo injorohen. E drejta për tubim dhe shprehje paqësore është një gur themeli i demokracisë dhe ne qëndrojmë me vendosmëri me të gjithë ata që luftojnë për drejtësi, barazi dhe një qeveri që u shërben qytetarëve të saj në vend që të sundojë mbi ta.

KASH shpreh shqetësimin e saj të thellë për reagimin represiv dhe absurd të autoriteteve serbe, si nga institucionet politike ashtu edhe nga organet ligjzbatuese.

Këshilli qëndron në solidaritet me të gjithë individët dhe lëvizjet që mbrojnë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës. Aspiratat e popullit nuk duhet të adresohen me represion, por me dialog, reformë dhe përkushtim për një shoqëri të drejtë dhe demokratike.

Për më tepër, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u bën thirrje të gjitha qeverive në rajon që t’u kushtojnë vëmendje këtyre protestave si një kujtesë për detyrën e tyre për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat e popullit të tyre.

Është e papranueshme për çdo lidership që të heshtë disidencën, të shpërfillë kërkesat publike ose të dobësojë institucionet demokratike në favor të sundimit autoritar. Komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë vigjilent dhe të mbështesë aktivisht ata që kërkojnë një të ardhme të përcaktuar nga liria, integriteti dhe qeverisja e vërtetë demokratike.

Mbështetja e stabilokracisë në kurriz të demokracisë është një qasje shumë dritëshkurtër.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 433
  • 434
  • 435
  • 436
  • 437
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT