• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIRIA DO NJERËZ TË LIRË…

February 11, 2025 by s p

C:\Users\User\Downloads\Screenshot 2025-01-19 at 6.59.46 PM (1).JPEG

Intervistë e shkrimtarit Visar Zhiti,

dhënë gazetarit Liridon Mulaj

në “Gazeta Si”

C:\Users\User\Downloads\IMG_4121.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_4119.jpg

1. Shteti i Illinois-it në ShBA ka shpallur datën 28 Janar si Ditën e Lirisë në nderim të figurës tuaj si një zë kundër shtypjes dhe regjimit. Cilat janë ndjesitë tuaja?

Më vjen mirë për ndjesitë e të tjerëve, do të thosha, që e çmojnë lirinë e tjetrit si pjesë të lirisë së tyre. Siç duket liria e vërtetë është kur është e të gjithëve bashkë. Edhe pse Dita e Lirisë nuk u shpall në atdheun tonë, – po më thoshin, – ku mua dikur m’i morën liritë të gjitha, kur dhe atdheu vetë nuk ishte i lire, – po u thosha unë, – dhe aty më hodhën në burg, ku gjeta qindra e mijëra të tjerë, kundërshtarë dhe heronj që iu kundërvunë diktaturës, dhe nga aty u liruam, – dhe po vazhdonim të thoshim, se larg, shumë larg shpallet Dita e Lirisë, në një shtet tjetër të një vendi të madh, ku liria është princip dhe realitet. 

E përsëris, më erdhi mirë. E çmoj se ashtu si juve, u bëri përshtypjeve dhe shumë e shumë të tjerëve. 

 Po ju them, nuk nisi me mua, as e kisha menduar ndonjëherë, por nga të rinj si ju, ia arritën të ishte dhe një ditë e tillë në nderim të vuajtjes njerëzore të dheut amë, të qendresës ndaj së keqes në dheun amë. 

Më kanë shkruar të rinj si ju që në Proklamatën e Governorit të shtetit të Illinois-it, zotit JB Pritzker, kanë gjetur se aty bëhet fjalë dhe për lirinë e poezisë, po aq e rëndësishme sa liria e njeriut. Kështu bashkë të dyja, a nuk është një mrekulli?    

C:\Users\User\Downloads\IMG_3643 (2).jpg

2. Pse Shqipëria nuk e ka një ditë të tillë? A mendoni se është bërë pak nga shteti shqiptar në gjithë këto vite për të përkujtuar ata njerëz që humbën jetën burgjeve?

Që pse Shqipëria nuk e ka një ditë të tillë, më trishton që bëhet kjo pyetje, e çmoj guximin tuaj, por nuk duhet t’i përgjigjem unë, por Shqipëria, ata që janë në krye. 

Ditë të lirisë duan njerëz të lirë dhe kulturë lirie të përbashkët, po edhe poezi jete. Po i përmend të dyja se e mësuam nga Proklamata. Shqipëria jonë vjen nga traumat e mëdha të diktaturës dhe nga një Realizëm Socialist, që më shumë se një metodë letrare, ishte antiletërsi.

Më lejoni të tregoj diçka që më duket domethënëse, se kur një shkrimtar dhe përkthyes që e njohim, shkruajti me dashuri dhe vlerësime një ese për poezinë e dikujt që kishte dalë nga burgu, një tjetër, që s’e di a e njihni, bëri një kundër-ese po atë ditë, flakë për flakë si revolucionar, gabim, shkruante i zemëruar, ç’është kjo, thyhej rutina, atij i dukej se e ndjejnë për detyrë të mbronte shokët (?!), pra ishin të tjerë shokët e tij dhe si në shumëçka që shkruan ai, ndjehej fryma e përçarjes si dhe e përçartjes, instiktivisht i dilte për zot socrealizmit të tij. 

Një inat të tillë shfryrës më duket se kanë ditët tona, ditë robërie ende. 

Liria është dhe dashuri dhe kulturë. Thënë troç, Shqipëria jonë ecën drejt lirisë duke patur në krye më shumë nga ata që ishin kundër lirisë. Na ka mbetur shumë nga ai terri i shpellës së Platonit, edhe pse tashmë kaluan 3 dekada nga rënia e perandorisë komuniste dhe ndryshimi i sistemit në vendin tonë, nga diktaturë në pluripartitizëm dhe demokraci. 

Ju më pyesni: “A mendon se është bërë pak nga shteti shqiptar në gjithë këto vite për të përkujtuar ata njerëz që humbën jetën burgjeve?” 

Prapë, mendoj se shoqëria sot duhet t’i përgjigjet kësaj pyetje. Unë jam njëri nga ata që e humbëm jetën burgjeve. Ende nuk kanë varre të pushkatuarit… Demokracisë shqiptare sot i mungon fryma e atyre që e ëndërraun atë dhe u sakrifikuan për ditën e lirisë. 

   .

3. Edhe ju si çdo i dënuar , i njihni persekutorët tuaj. Disa prej tyre janë gjallë. Sipas jush si mund të mbijetojnë letrarisht në një shtet edhe persekutori edhe viktima?

Unë do të thosha: “edhe persekutori edhe i persekutuari”, se shpesh nuk janë thjesht viktima, por dhe disidentë, kundërshtarë, të dënuar burgjeve deri në martirizim.Madje janë liderë morale dhe shenjtër. 

Dhe, nëse e kam kuptuar saktë pyetjen, të mbijetuarit letrarisht, pra në letërsi, e mendoj të arrirë, me kohë dhe përherë. Le të kujtojmë “Iliadën” ashtu janë bashkë, mbijetojnë njëlloj dhe ata që mbrojtën Trojën dhe ata që e dogjën dhe Troja u bë më e forte, kur s’ishte.  Edhe te Shekspiri bashkë janë vrasësit, të vrarët, fantazmat, të dashuruarit të vdekur e të gjallë, ashtu si aktoret mbasi mbaron shfaqja, jashtë teatrit, edhe te Kafka, që e kemi më pranë a jemi më brenda librave të tij. etj, etj.

Edhe në librat tanë bashkë janë, ish të burgosur, oficerë burgu, komunistë, të traumatizuar, ish të internuar, spiunë, ish poetë, kritizerë të realizmit demokratik, të pa shtëpi, me shumë pallate, të ikur, të ikur nga mendë, studentë në metropolet e botës, trafikantë, vrasës modern, fantazma moderne, punëtori që kthehet në mbrëmje në familje, etj, etj. 

Po, po, i njohim persekutorët tanë, Liridon, shumë gjallë janë të gjithë. Edhe ashtu si realisht, edhe letrarisht mund të mbijetojnë dhe brenda një shteti . 

Jeta i jep letërsisë dhe merr prej saj, edhe letërsia merr nga jeta dhe i jep asaj, janë dy domosdoshmëri, dy jetë që bashkëjetojnë. Edhe duke u bërë një shpesh… 

4. Letërsia e kujtesës sipas jush a i ka tashmë emrat simbol të saj të cilët kanë bërë bashkë nivelin estetik me pervojën. Kujtoj këtu se pas rënies së sistemit diktatorial, të gjithë nisën të shkruanin përvojat e tyre. Për ta riformuluar, a duhet të ketë dhe kjo lloj letërsie përfaqësuesit e saj më të denjë? 

E shoh me interes shqetësimin tuaj. Shpesh  është folur për atë që edhe ju po e quani “letërsi e kujtesës”. Sipas meje e gjithë letërsia, e përsëris, është e kujtesës.  Me këtë emërtesë  siç duket, donin të dallonin jo vetëm memoaristikën, por veçanërisht veprat e autorëve që erdhën nga harresa e qëllimtë, nga pamundësitë, nga burgjet dhe internimet. 

Unë e shoh si pjesë të së tërës, letërsi shqipe. Që për fat solli vepra madhore, poezi dhe prozë dhe eseistikë.

Pas rënies së sistemit diktatorial filluan të shkruanin dhe ata që s’mundeshin ose nuk lejoheshin gjatë diktaturës, është e drejtë e gjithkujt, por nuk besoj se kanë shkruar “të gjithë”, por nga “ata që dinin” për të gjithë… 

 Në qoftë se do ta quanim për arsye studimi ‘letëri tjetër” siç thuhet dhe “Shqipëria tjetër”, atë letërsi që erdhi nga burgjet dhe internimet, unë jam nga ata që besoj se ajo i solli letërsisë shqipe të vërtetat e mungura, madje dhe moralin dhe kujtoj shpesh një porosi të Franz Kafka-s që nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetën dhe moralin.    

 . Kjo është e gjitha. Nuk duhet ndarë letërsia e as përçarë. Dhe patjetër që i meriton përfaqësuesit e saj më të denjë letërsia shqipe dhe, për fat, i ka ata.. 

5. Jeni etiketuar shpesh si Primo Levi shqiptar pavarësisht se ju vuajtët në vendin tuaj dhe nga njerëzit tuaj. Sa e vështirë ka qënë të mbani këtë staturë, Visar? 

Kjo që më thoni, më huton disi. E di Primo Levin, vuajti kampet e përqendrimit nazist në kohë lufte, 4-5 vjet,  ndërsa ne holokaustin tonë e vuajtëm gjysmë shekulli në kohë paqeje, të një paqeje të keqe  që siç e thatë dhe ju, në vendin tonë dhe nga njerëzit tanë.

Unë them shpesh që ne u munduam të mbeteshim njerëz, edhe kur nuk lejohej, atje ku ishte e pamundur. A ia dolëm? Përgjegjësia është dhe për të tjerët…

6. Edhe një pyetje që e kam bërë dhe herë tjetër, çfarë do të thotë të emigrosh në këtë moshë dhe me këtë status? 

Do të thosha se ka ngjarje, rrethana dhe kushte, dëshira dhe pengesa, pengje, ëndrra dhe ikje, etj, dhe jo moshë të paracaktuar për ato..Vërtet unë shkova të jetoj në SHBA në atë moshë, kur zakonisht kthehen… dhe e kam treguar pse, kur as unë nuk e di saktë.

Mosha ndryshon si në atdhe dhe në emigrim, po aq njëlloj dhe jo njëlloj, mund të thinjesh brenda një nate ose të rinohesh befas apo ndjehesh pa moshë, pa status gjithashtu. 

Liridon, Mosha është kohë, ndoshta nuk është koha që ikën por ne. Statusin e kuptoj si gjendje. Nuk është e pandryshueshme, qoftë dhe si poezitë, si karrierë a si marrëdhënie, … por më i sigurti dhe më i vërteti, madje i përjetshëm  është statusi: njeri.

Shpesh ngjarjet, copat e jetës, nuk pyesin për moshë e status, i ke kërkuar dhe vijnë, edhe kur nuk e pret. 

Që të jem më pranë pyetjes tuaj, sinqerisht unë nuk ndjehem i ikur nga vendi im, aq më tepër nga gjuha ime, nuk mund, thjesht jam shpërngulur në një shtëpi tjetër, në një breg tjetër, do të thosha, të vetes. Dhe nuk po përsëris atë që thonë shpesh që mund të jesh më emigrant në vendin tënd, etj, etj. 

Ç’do të thotë të emigrosh? – më pyesni ju. Jetë, ju them. Që aq sa ç’e bëjmë, edhe na bën. Ndoshta shtojmë ca drita a ndryshojmë një trishtim apo fashot e një plage në shpirt…

7. Pse shqiptarët presin kaq shumë nga Amerika? Ju jetoni atje dhe mund të na jepni nje definim të kësaj pyetje.

Do të duhej përgjigje institucionale. Nuk besoj se kam një definicion  a për të thënë më shumë se bashkatdhetarët e mi në përgjithësi, por duke qenë dhe gazetar po flas si ata  se ne si popull e duam Amerikën si aleatin jetik, mbështetës të kauzës kombëtare. Kur jemi kërcënuar nga historia për ndarje të metejshme, pikërisht SHBA i ka ndaluar duke patur si princip mbrojtjen e kombeve të vegjël, ndërsa diaspora shqiptare në Amerikë ka patur mundësitë dhe bashkëpunimin qe të bëhet si një qeveri e Shqipërisë në mërgim. SHBA mori pjesë në dy Luftrat botërore, mbajti anën e drejtë të historisë, i fitoi ato duke bërë historinë e re të botës. Perandoria Komuniste dhe diktaturat e saj ranë, sepse SHBA iu kundërvu dhe u përball me totalitarizmin dhe regjimet shtypëse dhe u bë arritja më e madhe dhe kampion i lirive dhe i të drejtave të njeriut dhe popujve, i mirëqenies, i superfuqisë, edhe kozmike, ndërkaq e mbështeti Shqipërinë tone fuqimisht të ndërtonte demokracinë, e bëri dhe antare të NATO-s dhe së fundmi u bë dhe shpëtimi i Kosovës, gjysmës së Kombit tonë.  Shqiptarët presin nga Amerika mbështetjen për stabilitetin politik, zhvillimin ekonomik, integrimin euroatlantik dhe forcimin e institucioneve demokratike. Kur ia dalin të emigrojnë në SHBA, prekin një ëndërr, të ardhmen e fëmijëve të tyre, shkollim, kulturë, siguri. Ndërkaq nga Amerika mësohet se zhvillimi i vërtetë vjen vetëm nga vetvetja, kur bëhesh një shoqëri të përgjegjshme. Më lërë të shtoj se poezinë tonë do ta bëjmë ne. Tanke për mbrojtje do marrim nga jashtë, por romanin shqiptar prapë do ta bëjmë ne. Shqipërinë e kanë bërë shqiptarët dhe duhet ta ruajmë me dashuri.…  

8. Si nis dhe mbyllet një ditë e juaja? Amerika apo Shqipëria e nxisin më tepër nevojën për të shkruar?

Nuk besoj se ka ndonjë gjë me interes për t’ua treguar të tjerëve. Dita ime është imja. Jetojmë në Çikago tani, përballë kemi liqenin e madh, më i madh se Adriatiku dhe Joni bashkë, është më i madhi në botë, nga aty lind dielli, sikur del nga ujërat mahnitshëm, por ka dhe ditë me mjegull dhe gri, ka dhe akull, vendet e varkave dhe motorskafeve janë bosh tani, mërzia këtu është më solemne dhe dielli përëndon pas grataçieleve, që teksa ndezin morinë e dritave, ato duken sikur kanë copëtuar dieje…

Ç’t’ju them, ende shkruaj poezi, edhe rruges më ndodh. Shkoj librarive, por lexoj më pak, me time shoqe, Edën, shohim ekspozita, ndjekim dhe koncerte, opera, kthehemi dhe tek vendet ku kemi shkuar dhe me djalin tonë, Atjonin e vogël, marrim pjesë në meshat e së dielës në kishë, kemi vajtur në shtëpitë që ka themeluar shenjtja Nënë Tereza në Çikago, kemi ndjekur dhe gjurmët e shkrimtari çam këtu, Bilal Xhaferri. Shkruaj artikuj për gazetat, etj. 

Takohem me bashkatdhetarë, e kam treguar, këtu ka nga të persekutuarit, por po aq dhe nga ata që kanë qenë me persekutorët, Amerika na bashkon, por çuditërisht një pjesë e ruajnë nostaligjinë për atë kohë e sistem, kur ndjeheshin të begenisur, protagonistë dhe ofensivë, edhe këtu pëlqejnë marrëdhëniet, si të thuash, në celulë dhe duan të përvetësojnë atë traditë patriotike dhe kulturore të shqiptarëve më të hershëm, të Konicës dhe Nolit dhe Arshi Pipës, etj, ka të rinj të mrekullueshëm, që duan atdheun e prindërve të tyre, gjuhën, nërkohë kanë arritur maja si amerikanë, etj, etj. 

Dëshirën për të shkruar nuk besoj se ma ka dhënë Shqipëria dhe nuk besoj se mund të ma heqë apo shtojë Amerika.… 

9. Shkrimtarët janë dhe qënie politike ndaj dua me patjetër t’jua shtroj këtë pyetje. Zgjedhjet po afrojnë në Shqipëri. A mendoni se ka ende alternativa apo historia mbetet e njëjtë për ne? Dy forca politike që sfidojnë njëra tjetrën? 

Çdo njeri është qenia politike, Aristolteli thoshte se “është kafshë politike” (zoon politikon), i angazhuar në çëshjtet e polis-it, qytet-shtetet e atëhershme. Mua më vjen rëndë të them se shpesh ne bëjmë “politikë kafshësh”, të angazhuar në përvetësimin e shtetit.

Gjithmonë ka alternative, historia nuk mendoj se mbetet e njëjtë për ne, por shpesh mbetemi ne në vend, madje ecim dhe mbrapsht. Dy forcat politike, më shumë se sa sfidojnë njëra tjetrën, më duket se pengojnë dhe shtyjnë njëra-tjetrën për më keq..

Është e domosdoshme një rilindje tjetër, jo si kjo e tanishmja, por e fuqishme, e zanafillës naimjane, që thoshte “lind nga perëndon”, me fuqinë e kulturës së demokracive perëndimore, koniciane dhe at-fishtjane për ne, me atë frymë dhe dashuri të martirëve, të atyre që u përndoqën dhe të studentëve sot në metropolet e botës, etj, etj. 

Unë ju thashë se të rinj si ju janë ata që arritën të kenë një Ditë Lirie emblematike në Shtetin e Illinoisit, kanë emra të bukur si yti, Liri-don, ja, është Edon Shaqiri, president i Komunitetit Shqiptar aty, bashkë me skuadrën e tij dhe me Sonila Sejdaras, presidente e organizatës Care for Albania/ Kujdesu për Shqipërinë, që me shoqet dhe shokët e tyre të shumtë në SHBA dinë dhe si të votojnë, shembull se ne së bashku mund dhe duhet të bëjmë që ditët tona të gjitha të jenë të lirisë.

Filed Under: Interviste

17 vjetori i Pavarësisë së Kosovës festohet në New York

February 11, 2025 by s p

17 vjetori i Pavarësisë së Kosovës festohet në New York.

Filed Under: Komunitet

Skënder Sallaku, balerini dhe kampioni i mundjes, që i kthye në emblemë e Varietesë së Tiranës

February 11, 2025 by s p

Nga Albert Vataj/

Kujtesa është një ndriçim shpirti, me të cilin dritëhedhim mbi ngjarje dhe momente, personazhe dhe episode, të cilat feksin hera-herash ashtu beftas, si për të tentuar të na mbajnë të lidhur me të shkuarën, me çfarë nuk meriton të shuhet prej harrimit. Sot në përvjetorin e vdekjes së Skënder Sallakut, më shumë se sa ndërmendja, është mirënjohja ajo që na thërret, si në një solemnitet të shenjtë për ta kujtuar atë, si një ëndje për të rihapur skenat, prejnga Sallaku hyri tek ne, u bë pjesë e dashurave tona, për të jetuar me humorin dhe për ta bërë këtë magji të krijimit, mylmesën e një jete, tejet të trysnuar nga paniku dhe përsekutimi asgjësuese. Të risjellësh në kujtesë Skënder Sallakun aktor të humorit, do të ishte i paplotë kjo përtëritje në memorie, nëse e shkëpusin njeriun e guximshëm, të riun dhe ëndrrat e tij, ambiciet dhe përmbushjet e ngulmëta, që ishin dhe mbeten thelbësore për atë çfarë ishte dhe mbeti tek ne ai, aktori i dashur, i sa e sa roleve, ai që jetësoi në skenë tipe dhe karaktere, identitete dhe personazhe, të cilat më shumë se si të tillë, mbeten shpirtërorja e Skënder Sallakut.Shkrues dhe interpretues brilant i skeçeve dhe parodive, askujt nuk do ti shkonte në mënd se ai burri shtatshkurtër pati ëndërr të bëhej balerin ku dhe aspiroi në fillimet e tij.

Dhe që do të thoni ju, ai që u vlerësua me tituj dhe nderime, “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e Qytetit”, “Urdhri i Punës i Klasit të Dytë”, ai ishte edhe kampion kombëtar i mundjes klasike.

Skënder Sallakun, emblema e e Varietesë së Tiranës, një nga përfaqësuesit më të spikatur të humorit tiranas, ai skaliti emrin e ti në artin skenik të humorit si një rast unik, duke jetuar me të qeshurën dhe duke patur gjithçka të jetës së tij humorin. Është krijuar një stereotip, se të gjithë aktorët janë me humor dhe e qeshura është çdogjëshmëria e jetës së tyre, rasti i Skënder Sallakut bën përjashtim, ai nuk ishte vetëm një aktor humori, por edhe një njeri me shpirt plot dritë dhe të qeshurën të veshur si petk. Por, siç tregojnë edhe kolegët, kishte raste kur ai ishte serioz dhe asgjë nuk e çante këtë koracë që mbante atë të kyçur në momente të ndryshme të jetës. Artisti Skënder Sallaku u lindi në Tiranë më 25 janar 1935.

Që në fëmijëri të hershme ai shfaqi një pasion dhe dëshirë të madhe për aktrimin dhe sidomos për zhanrin e humorit. Rrugëtimi për të përmbushur ëndrrën e skenës së humorit, si për të gjithë edhe ai, Skënder Sallaku, veç mundit dhe sakrificave, punës, punës së palodhur dhe një vullneti të paepur, për të arritur gjithçka me meritë, u desh të sfidonte edhe makinacionet e regjimit komunist, ndaj së cilit, si ka thënë vetë Sallaku në një intervistë, ai fitoi me të qeshura. Rrugëtimi në skenën e Varietesë së Tiranës më 1956, mbylli portën e mundësit ambicioz dhe kampionit, për t’i çelur të ardhmen përmes siparit të skenës së humorit, skenë të cilën ai e deshi dhe i kushtoi gjithë jetën.Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Fizkulturës, ai ndoqi edhe një kurs kualifikimi për akrobat në Cirkun e Pekinit.

Karriera e artistit zgjati për më tepër se gjysmëshekulli, ku falë aftësive të tij të shkëlqyera plastike, pantomimike etj., interpretoi në më tepër se 1000 role në skenë dhe ekran, të cilat do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve dhe si një thesar për trashëgiminë artistike, kryesisht në zhanrin e komedisë. Një karrierë 52-vjeçare ishte jo vetëm një jetë në skenë, por çdoditshmëria e përjetuar me pasion dhe përgjegjësi të lartë, obliguese, jo vetëm ndaj spektatorit që e priti dhe e përcolli në qindra shfaqje me duartrokitje dhe ovacione, por edhe ruajtja e atij ekuilibrit të brishtë të ideologjisë dhe censurës që përgjonte me sy skifteri skenën e humorit. Të bëje art në diktaturë ishte një heroizëm.

Çdo sprovë dhe kulmim krijues, çdo shaka apo batutë ishte majëprehtë në humor dhe viktimat mbeten të shumta, por Skënderi, dhe jo vetëm ai, arritën të shpëtonin, arritën të mbanin të gjallë të qeshurën, këtë ballsam për shpirtrat e plagosur e vullnetet e drobitura. Disa nga interpretimet më të spikatura të Skënder Sallakut janë në shfaqjet: “Gaz dhe punë”, “Ditari i një bojaxhiu”, “Ekipi”, “Dosja jonë” , “Kur hiqen Maskat”, “Estrada në ekran”, e pafund komunikim skenik me të qeshurën, ku ai la gjurmë në traditën e artit tonë komik, një nga gjinitë e marrëdhënies estetike me publikun më delikatet. Por ai qëndroi në skenë nga fillimi deri në fund, duke na dhuruar të qeshura, duke ndarë me ne shpirtin e tij plot dritë dhe dëshirimin e madh, se, e qeshura është të jetuarit shëndetshëm . “Kam nisur të “qesh” qysh në moshën 16 vjeç.

Me një grup amatorësh të Pallatit të Kulturës hyra në balet, e nisa pra si balerin. Në vitin 1953 u krijua estrada e kufirit, duke kaluar si aktor në këtë estradë. Dhe më 1956 kalova në estradën e Tiranës deri në ditën që dola në pension”, rrëfeu ai në 70-vjetorin e lindjes për “Standard”.“E qeshura është jeta ime. Nuk mund të rri pa qeshur, të gjitha situatat e gëzueshme i krijoj nga ky shkak. Vetëm që të prodhoj tek njerëzit buzëqeshje. Madje, nuk përmbahem edhe në hidhërim, prapë se prapë e lëshoj nga një batutë me qëllim që njerëzit të qetësohen, për t’u mos mbushur me shumë ligështi.” kujtonte ai.Ai ishte një aktor brilant i humrit dhe një njëri me shpirt të madh. Ai na mësoi jo vetëm se si të qeshim, se si të mbushim shpirtin plot dritë dhe zemrën me të rrahura gazmimi, por edhe si mundë të jesh i njerëzishëm dhe mirënjohës për miqtë dhe kolegët. Ai kujtonte se “një nga njerëzit që më ka mbetur më afër dhe që më ka ndihmuar gjithë jetën, është ime shoqe. Kur merrja materialin, ajo e shtinte në duar e niste për të studiuar duke më udhëzuar se çfarë ishte më e sakta për mua dhe çfarë nuk bënte. Madje, Vitorja ka shkruar edhe vetë, por ka qenë dhe një nga akrobatet më të mira që ka pasur Shqipëria. Ajo ka qenë një nga bazat kryesore mbështetje për mua. Mjaft mbështetje kam pasur edhe prej shkrimtarëve, duke filluar nga humoristi i vjetër Dionis Bubani, i cili ka shkruar për mua qysh në moshën 18 vjeç, e më pas vijnë me radhë Koço Devole, Pëllumb Kulla, Filip Çakuli, Bujar Kapexhiu etj,. Më pëlqen humori që bëhet në Durrës, sidomos nga Fadil Hasa.

Po ashtu janë shumë simpatikë parodistët e Vlorës, ndërsa Zef Deda është ajka e humorit shkodran”.Kështu jetoi ai shpirt i begatuar nga e qeshura dhe mirësi. Kështu krijoi dhe interpretoi në skenat e mëdha dhe ato të argëtimeve në fshatra e ndërmarrje, katunde e ferma, ku ai, ai, Skëndër Sallaku, i vlerësoi të gjithë dhe e çmuan të gjithë, dhuroi të qeshura, si gjënë më të shtrenjtë që pati dhe u shpërblyer me zemrat dhe dashurinë e të gjithëve, atyre që e ndoqën nga skena në skenë, por edhe atyre që ishin dhe mbeten pjesë e jetës së tij, derikur ai vendosi të ndalonte. Skënder Sallaku u nda nga jeta më 11 shkurt 2014 në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme, prej së cilës ai vuajti për disa vite, por pa u nënshtruar, duke u përpjekur të bëjë më të mirë në ditët që i kishin mbetur, duke shkruar materiale komike. Iku për të mbetur përgjithnjë ai Skënder Sallaku i roleve të pavdekshme, i humorit taranas, i atij sharmit ëmbëlak të plakut babaxhan, burrit sarhosh, katundarit naiv, e shumë e shumë përjetësime të tjera, që janë pjesë e fondit të Varietesë së Tiranës, janë thesar i artit tonë komik. Figura emblematike si Skënder Sallaku do të jenë shembull frymëzimi për brezat e rinj të aktorëve komikë, atyre që më shumë se të na bëjnë të qeshim, ata duan të na dhurojnë çaste relaksi dhe ballsam shërimi. Shpirtrat tanë të plagosur kanë nevojë të ushqehen me dritën e perëndishme të të qeshurës, siç ka nevojë dita për dritën e diellit që të shndritë.

Filed Under: Kulture

Gjergj Kastrioti Gala – Një mbrëmje historike për arsimimin e rinisë shqiptaro – amerikane

February 11, 2025 by s p

Më 25 janar 2025, në ambientet madhështore të The Palazzo Grande, u mbajt gala e 9-të e Gjergj Kastrioti – një mbremje që ka shënuar një tjetër kapitull të suksesshëm në historinë e këtij eventi të rëndësishëm për komunitetin shqiptar-amerikan. Mbrëmja e organizuar nga Gjergj Scholarship Fund mblodhi më shumë se 600 shqiptarë nga Michigani dhe jo vetem, të bashkuar me një qëllim fisnik: për të investuar në arsimimin e brezave të rinj.

Ky event, që është bërë një traditë e përvitshme, tejkaloi pritshmëritë duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Falë zemërgjerësisë dhe solidaritetit të komunitetit, u siguruan mbi 250,000 dollarë në donacione, një shumë që do të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen akademike të dhjetëra studentëve shqiptarë në SHBA.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte shpallja e 20 përfituesve të bursave, të cilët u nderuan me bursa studimi. Përmes këtyre bursave, Gjergj Scholarship Fund vazhdon misionin e tij për të mbështetur të rinjtë shqiptarë në rrugën e tyre drejt suksesit akademik dhe profesional.

Në fjalën e tyre, organizatorët theksuan rëndësinë e mbështetjes së talenteve të reja dhe rolin që komuniteti shqiptar-amerikan ka në fuqizimin e brezave të ardhshëm. Përfaqësues të njohur të biznesit, akademisë dhe organizatave të ndryshme shqiptare morën pjesë në këtë gala, duke shprehur mbështetjen e tyre për këtë kauzë të rëndësishme.

Mbrëmja u shoqërua me një atmosferë festive, muzikë të zgjedhur dhe momente frymëzuese, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë e unitetit të komunitetit tonë.

Gjergj Kastrioti Gala 2025 ishte më shumë se një event – ishte një dëshmi e qartë e përkushtimit të diasporës shqiptare ndaj edukimit dhe zhvillimit të brezave të ardhshëm. Me këtë sukses të jashtëzakonshëm, gjysma e parë e vitit përfundon me një mesazh frymëzues, duke shënuar një tjetër kapitull të shkëlqyer në historinë e 9 gala-ve të organizuara nga Gjergj Scholarship Fund.

Endrit Topalli

Filed Under: Opinion

Azem Shkreli, pena dhe parmenda e poezisë kushtruese shqipe, shkrepëtima e vargëzimit të gulçeve të shpirtit

February 10, 2025 by s p

Nga Albert Vataj/

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh/me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë./Ngrehu mbi veten në do t’rrokësh frerët e erërave,/të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat e gjakut tënd./N’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,/jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi./Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh/për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë./

Këto nuk janë psalme të librave të shenjtë, as teksteve apokrif, por “Katër këshilla vetes” që i papërsëritshmi Azem Shkreli bënte asokohjen e vitit 1969, kur ai “E di një fjal prej Guri”. Kush ishte ai që i ka shkrepëtirë në ëndjen për të gjetur shtegun e për të hyrë në botën magjiplotë të poezisë, që si njeh këto vargje, këtë regëtimë të hovshme shpirti, që ka udhëtuar nëpër vite për të patur gjithnjë diçka për të thënë, “për të mos mësuar se si hesht e pathëna”.

Goditja e shpirtit të tij të ndjeshëm, e ka fërgëllyer dhe shkundur poetin nëpër ëndje dhe përkundur dëshirimeve, nëpër qiej e ka flakëruar, para se ta zbresë “me kangë t’gurgullimtë ndër buzë…”, e ta përmend atje ku “…lugjet me hije njomen, e drujt’ n’çdo vend/ rriten e lëshojnë freski…”.

Azem Shkreli anipse nuk i’u gjegj poterës dhe bujës mediatike, nuk u përfshi në listime emrash të vjershërimit shqip, me gjas ishte dhe mbëti kumbimi ma i zashëm që ka mujt me u flakëru në eterin shqiptar. Ishte një kushtrim jehues brezash, si një kandje e pashoqe përjetimi të fjalës si energji jetëdhënëse e asaj ç’ka shpirtin e mundon.

Në vetvete ishte çlire prej panevojës për të kumtuar dishepullin e ndokujt, veç solemnitetit idilik dhe epikës kreshnike që i’a kishte injektu në vena vendlindja. Si një feksje shkundullitëse behu ai në poezinë shqipe, për të qenë pena dhe parmenda e vjershërimit, vlaga e thellë në tokën e varrueme vrragësh të kahershme, britma e thekshme në plisin e mbjellur varresh, varresh që i shumon era e gjakut, duhma e lirisë. Në atëkohje djerrinash që i rreshkte hija e luftës së mbetur pezull, krahët dhërëpërveshur, shpirti i dlirë e gjaku i shulmuar në flakë, do të mbillnin tokën e këndimit të shpirtit. Ai ishte “poet idesh dhe gjykimesh të thella” kumton Agim Vinca. Ndërsa për kritikun Ali Aliu, Shkreli ishte “mjeshtër i vargut dhe i fjalës poetike”. Për Robert Elsie “Azemi është poet i mendimit”. Për Ali Podrimjen, Shkreli “njihet si fanatik i vargut, i latimit të tij, i ritmit, i muzikalitetit tekstor, i ironisë që shpesh na shfaqet në sarkazmë. Me pak mundohet të thotë shumë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, të cilët dinë përse shkruhet dhe artin e kuptojnë punë mjeshtërore”. “Azem Shkreli jetonte shpejt, dhe shkruante ngadalë”, kështu e ndërmend një mik i tij, i cili kujton ç’ka poeti i kish mëtuar një here se: “Poezia, aq sa don mjeshtëri për ta shkruar, po aq mjeshtëri don për ta lexuar, do kondicion, durim”.

Përgjatë gjithë rrugëtimit të tij krijues ai hovet tue lëshu shtat kumtimi dhe mëtimi bjeshkëve dhe krojeve, ku fërgëllejnë kallinjtë, e plisat zgjojnë ëndrrën e tokës, ku blegërimat i këndojnë ninulla yjesh bashtinave, ku gurët kanë një fjalë me thanë, gjaku ka një amanet, e liria “.. krahnorin po ma shtyn si dem…”. Ai erdhi kur fjala e shpirtit kishte nevojë për një ëmë me e përkund, një dashuri me e flakëru ndër ëndrra dhe dëshirime, dhe vdekja tue lyp amshimi me e përtëri jetën. Këtë fara hodhi në lavrën e lëruar të poezisë shqipe, Azem Shkreli.

Azem Shkreli datëlindi më 10 shkurt 1938 në Shkrel-Rugovë të Pejës. Në vendlindje do të merrte mësimet e para, ndërsa në Prishtinë ai do të kryente shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën Gjuhë Letërsi Shqipe. Ndër shumë vjet ai ka dhënë një kontribut si kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, gjithëpoaq ka drejtuar Teatrin Krahinor të Prishtinës dhe njihet si themelues dhe drejtor i “Kosova Filmit”. U shua më 27 maj 1997, për të mbetur i pashlyer në kujtesën e të gjithëve që e njohën, dhe i gjithmonshëm në panteonin e letrave shqipe, si poet, prozator dhe dramaturg.

Kumtim i këtij shkulmi të zëshëm

Azem Shkreli si fenomen i tekstshkrimit shqip shënon kthesën e themeltë në mëtimit poetik. Ndoshta letërsia shqipe nuk shënon në atëkohje ndonjë hendek cilësor, por ajo që vjen me Shkrelin kishte sosh që e panë si një urë komunikimi dhe përbashkimi me shpërthimin shqipshkrues të viteve ’30. Krijimtaria e tij në poezi rreket të çlirojë gulçin e kaplimit lirik prej të vetvetishmes personale duke e eksploduar si një diell përtëritës për të gjithë ata që rroken prej nevojës së vjershërimit si dëshirim. Dashuria amtare e buluar në gemat e pranverave të Rugovës e mbush me ëndje e shkulme jete, krejtkah gurron shpirti i tij krijues. Kësisoj u end ky yll e flakëroi në qiell si rrugëtim drejt lajmit të premtuar. Krijoi për të mos mbetur një relike por gjëndje, emocion. Kjo vringëllimë e pagjasë këngësh shpirti u shkund si balsam në dhimbje, asohere kur kapërcyelli i historisë e zhagitja e hijeve të së keqes, kërcitnin dhëmbët e mosbesimit, shpresëhumbjes. Me fjalë e me varg, me penë e me parmendë, ai nuk u ep për gjithëçmos.

Krijimtaria letrare

Rrugëtimin e përnjimëndtë nis më 1960 me “Bulzat”, për të vazhduar me “Engjujt e rrugëve”, 1963; “E di një fjalë prej guri”, 1969; “Lotët e maleve”, 1974; “Nga bibla e heshtjes”, një vit më vonë, më 1975. Më 1977 Rilindja në Prishtinë, nxjerr në dritë “Vjersha” të Azem Shkrelit, për tu pasuar nga “Pagëzimi i fjalës” më 1981; “Poezi” del nga “Naim Frashëri”, Tiranë,1984; “Kënga e hutinit” 1986; “Nata e papagajve” 1990; “Muri përfundi shqipeve”, 1993), “Shtatë nga ata” 1993, “Lirikë me shi”, 1994; “Zoti nuk është shqiptar” 1997, “Zogj dhe gurë”, po atë vit. “Rrënjë të gurta” vjen më 2001 si një botim i dytë i rishikuar. Vijnë njëri pas tjetrit këto zëra e jehona e tyre në kushtrim i kthen. Kolanën e e tij krijuese e vazhdon “Karvani i bardhë, “Sytë e Evës”, “Muri përfundi shqipeve” botuar në Cyrih, 1993; “Karvani i bardhë (i riu) 1997. Për të shku tek dramat: “Fosilet”, 1968 e “Varri i qyqes”, 1983. Gjithë ky zell e kjo kushtrimore krijuese, beh e regëtim atëditë e sot për të shuar etjen që e zhurit nëpër kroje e bunare andjeje estetike, shpirti shqiptar.

Përmbi gjithçka, mbetet poezia

Një ndër shtresime më të qenësishme, aty ku çmos gatoi ky shkulm i epshëm është padyshim poezia. Kjo gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor. Që prej te Matrënga e Budi, Bardhi e Bogdani, atëkohjen e këndej kjo dritë nuk ka reshtur së mëkuari dritën dhe hovet, këndimin shqip e kungimin e lirisë. Ai, Azem Shkreli e përjetësoim emrin dhe veprën duke u bërë mëkuisi i zjarrit, një Promete që do të çonte nga një gjenerat në tjetrën këtë pishtar. Është në radhën e etërve që skalitën me shpirt e pasion faqet e tyre të historisë, Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, e Shiroka… për të cytur më tej me kolosët Fishta, Konica, Noli, Migjeni e deri në tashmen e hambareve të shpirtit që e dengin pambarim.

Ardhja e Azem Shkrelit në poezinë shqipe, përpos që përputhej me bëhjen e talenti të fuqishëm, kungon sakaq një tjetërçka. Në formën shprehëse shënonte ndryshesë të ngutshme të fjalës dhe muzikalitetit, tempit dhe shkulmit zjarmëtar të gjakut dhe limfës. Shpalon saora një përvojë, një nevojë për tjetërqysh, një vetevete që dilte nga magja e gjenive për të promovuar modernitetin. Feksi një shpirt të shpenguar prej normës. Sillte një zë që kumton një skizëm nga rregulli dhe akademizmat hijerëndë. Frymëmarrja e zorshme e poezisë dhe myku i trashë i mureve të së kahershmes që gulçonte nën peshën e nevojës për çlirim rrëmbëjnë ngulmin e tij. Krejt kjo përpjekje ngadhnjimi do të kthente këtë penë në një ngadhënjim spartan, sprova e solemnitetit të fitores do ta kurorëzonte në katet e naltësimit deri te “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Epilog

Nga arena e garrametshme e teksteve që rrëmojnë në mu ndjenja të hobvshme, prej gjithë sëmbimeve ndaj dhimbjen që më dhëmb më shumë dhe e mbaj në duar si trofe të lojës me të mundshmen e përballjes, nënshtrimin prej një pasioni që m’gëlon s’brendshmi meje. Ajo shklet aty ku më përpush ky hap, prek aty ku me pizat ky ngulm, puth në buzët që cyten prej zjarmisë së dëshirës dhe rrënohen nga honi i pendimit. Është poezia e Azem Shkrelit, ajo që mbetet jo vetëm një zë në jehonën e letrave shqipe që më përshkon, por një e gjithmonshme që struket në nevojën për përjetime të potershme e ndijime ngjethëse. Poezia e tij rrëmon si asnjë parmend tjetër në koren e padurimit për t’u dhënë mish e shpirtë. Ai duke u strukur mes emrave dhe librave të pafund, e gjen rrugën e më qaset duke mbetur me mua dhe në mua si një zë, pëshpërimë, pshërëtimë, kushtrim, dhimbje, plagë, vdekje që ma kthen poetin, në çdo varg, në çdo fjalë. Azem Shkreli dhe poezia e tij, janë akti solemn i krijimit më i epërmi që prehet në ëndjen e një kushtimi vjershëtor.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 663
  • 664
  • 665
  • 666
  • 667
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT