• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Poeti i nëmur” çam Bilal Xhaferi

October 14, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Gjatë muajit gusht 2024 vizitova shumë bashkëpatriotë në Çikago, mes të cilëve edhe të nderuarin Skënder Shuaipi nga Markati i Konispolit, i afërm, shok e mik i pandarë i Bilal Xheferit, i cili ka qëndruar te koka deri në momentet e fundit. Pyetja që më erdhi natyrshëm për Bilalin, pasi rrufitëm kafet në shtëpinë e tij, ishte:  Ç’ndodhi para atij momenti fatal, para se Bilali të jepte shpirt? A kishte dorë Sigurimi i Shtetit, siç është përfolur?

M’u përgjigj shkurt, në mënyrë lakonike: “Bilali nuk ka nevojë për furka, nga ato që i vihen një muri për ta mbajtur. Arti që ai krijoi i përket njeriut të lartësuar. Ishte një talent i rrallë, një shpirt i kalitur hollë”.

Ishte një përgjigje e mençur, që më futi në mendime. Kam lexuar shumë për Bilalin, por kurrë nuk e kam hasur një shprehje të tillë, kaq të thjeshtë dhe të madhërishme njëkohësisht. Është kjo arsyeja që më nxiti për këtë shkrim.

***

Bilal Xhaferi u lind më 1935 në fshatin Ninat të Konispolit dhe zemra i ndali në 14 tetor të vitit 1986, në Çikago të Shteteve të Bashkuara, ku jetonte si emigrant, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1969, pas privacioneve të shumta që pësoi nga regjimi diktatorial. Padyshim Bilal Xhaferi ishte një talent i lindur, një uragan letrar, me frymëzim dhe kthjelltësi të pakrahasueshme i cili, me veprat e tij, kapërceu  dhe e sfidoi kohën. Talenti i tij nuk mund të vihet në diskutim ndonjëherë. Sot, 38 vjet pas vdekjes, edhe pse vepra e tij mbeti e papërfunduar, ngrihet përherë e më mrekullisht drejt një horizonti pa kohë. Studiuesi i letërsisë Adriatik Kallulli, që e njihte nga afër Bilal Xhaferin, shprehej se ai ishte fund e krye “mik i njerëzve të së ardhmes, me energji të pashteshme”.

Regjimi komunist i shkaktoi Bilalit plagë të rënda, goditje shpirtërore, gati vdekjeprurëse, si goditje rrufeje, që nuk u mbyllën asnjëherë dhe nuk u shëruan kurrë plotësisht. Goditja e regjimit ndaj Bilalit ishte njëlloj kasaphane ndaj shpirtit të lirë të një shkrimtari dhe poeti kombëtar, prototipi i një natyre organike, me temperament të zjarrtë, aktiv dhe i papërmbajtur.

“Poet i nëmur” do ta quante Bilal Xhaferin shkrimtari Sabri Hamiti, duke u nisur nga vuajtjet e tij të shumta shpirtërore. Por Bilali kishte atributet e rezistencave vetëmbrojtëse dhe asnjëherë nuk e ndjeu nevojën e vetëmohimit. Kurrë nuk u shuan në gjoksin e tij flakët e ndezura të talentit  flakërues, vullneti krijues i sprovuar nga përvoja tragjike e jetës, edhe pse fati e braktisi qysh fëmijë. Ishte 12-vjeç kur humbi nënën dhe komunistët i pushkatuan të atin dhe, fill i vetëm, i duhej të kujdesej për tri motrat. “Bilali ishte në gjendje të përballonte ngarkesa të mëdha, tregonte shkrimtari dhe shoku i tij Bedri Myftari. Ai ishte gjithmonë në gjendje të trazuar dhe të shqetësuar. Ishte përherë në gjendje alarmi. Sigurimsat nuk ia dolën asnjëherë ta lëkundnin epërsinë  e hekurt të vullnetit të tij. Kishte një vullnet monumental dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të përballuar vuajtjet…Në ‘68-ën, në skicën e dhomës ku qëndronte, planifikoheshin përgjuesit, e për çdo rast aty ishin operativët, shpesh ndër ata që i rrinin pranë, me dhjetëra, si “Petraq Myzeqari”, “Bilbili”, “Dhespoti”, e të tjerë. Derisa Bilalit nuk i mbeti zgjidhje tjetër veçse të arratiset, duke lënë pas një letër”. Studiuesi dhe shkrimtari Ahmet Mehmeti tregon se ka lexuar me kujdes dosjen e Bilalit, e cila përmban rreth 400 faqe dokumente. “Në dosjen e tij ka 111 dokumente. Ndaj tij Sigurimi  kishte angazhuar 18 bashkëpunëtorë. Rreth 60 familjarë ishin marrë në shqyrtim, ndërsa prej survejimit implikoheshin 83 persona të tjerë. Kjo tregon masën e përndjekjes që vuajti Xhaferri, vetëm se ishte shkrimtar dhe nuk lëvizte nga fjala e tij”, thotë zoti Ahmeti.

Deri dy ditë para se të arratisej, shkrimtari Bilal Xhaferri punoi në sektorin e fermës “8 Nandori” Sukth, punëtor në Brigadën e Vreshtave, ku u transferua pas debatit të hapur në Lidhjen e Shkrimtarëve për moskonkordancë me romanin “Dasma”. Është fakt se në vitin 1969 jeta e Bilalit u trondit nga cikloni i fuqishëm komunist dhe jeta e tij u shemb me uturimë .“Ju më privuat plotësisht, më mohuat, më zhdukët për së gjalli si letrar. Nuk e tradhëtoj kurrë këtë popull dhe atdheun, edhe pse emigroj larg”, thuhej në letrën e Bilal Xhaferrit, të lënë në postën greke të policisë kufitare, ku u dorëzua pas arratisjes nga Shqipëria, në vitin 1969. (Fashikulli i shkrimtarit Bilal Xhaferri publikuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, deklasifikuar nga AIDSSH më 22.11.2018).

Shpirti i tij, pas arratisjes drejt lirisë në SHBA, filloi të çlirohej nga marramendja, mundi të gjejë një koncept filozofik krejtësisht të ndryshuar, një koncept të ri për jetën. Dhe kjo e rriti deri në pambarim mundësinë e forcimit shpirtëror të tij. Kur shkoi në SHBA jeta e tij mori një kuptim të ri.

Si shkrimtar, gazetar e polemist i flaktë ai iu kundërvu, me tërë talentin dhe forcën e shpirtit, forcës shkatërruese të realitetit komunist, me ide dhe koncepte të reja për letërsinë dhe jetën. Energjia e rrufeshme e talentit të tij ishte e pashembullt. Shirti i tij nuk u çlodh dhe nuk u rehatua asnjëherë.

Bilali luftoi me kurajo, në ekstazë e me tërbim krijues, kundër harbimit të shfrenuar komunist, që nga Gazeta “Dielli”, ku shërbeu si zëvëndëseditor në vitet 1970-1972, e deri te revista “Krahu i Shqiponjës””, botim i Lidhjes Çame në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, që themeloi në Çikago në vitin 1974. Artikujt e tij për çështjen kombëtare, për Kosovën e Çamërinë, dhe për tradhtinë kombëtare të regjimit komunist, të mbushuar me tharm e forcë, shkumëzonin me perla xixëlluese dhe me ritme të fuqishme. Shkrimet e tij kishin një dritë solemniteti, realizmi dhe tejdukshmërie magjike, deri në thellësitë më të mëdha, në mënyrë të pakrahasueshme, me përkushtim e ligjërim të shndritshëm. 

Në të përkohshmen “Krahu i Shqiponjës” botoi shumë artikuj publicistikë, botoi fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” dhe “Hëna e kantjereve”.

Duhet pranuar se përndjekja e tij vazhdoi edhe në SHBA, pasi nuk reshti së akuzuari, me tërë forcën e shpirtit, regjimin komunist, si karikaturë e një sistemi të personifikuar te Njëshi. Tregojnë se kur shkruante për E. Hoxhën i kërcente damari i ballit nga tërbimi. Në Dosjen e arkivuar më 10.04.1987, me vlerë studimi, (Fashikulli 2/A nr. 98), e cila është deklasifikuar nga AIDSSH më 22.11.2018, thuhet:. “Përndjekja e Bilal Xhaferrit vijoi edhe gjatë qëndrimit të tij në SHBA. Në dosje ka elementë të shumtë që hedhin dritë në dinamikat e jetës së tij, jo vetëm në atdhe, ku u dënua nga sistemi dhe u survejua, po ashtu jashtë tij, ku u ndoq deri kur mbylli sytë në vitin 1986”. Edhe ai e dinte që përndiqej, por u përpoq të ruante mbijetimin e shkrimtarit dhe gazetarit të vërtetë, duke pranuar konsakrimin e vet: një jetë prej martiri dhe asketi.

Grehina shpirtërore e talentit të tij digjej nga zjarri i përqendruar i frymëzimit, derisa ndjeu dhimbjen e  fortë të sëmundjes vdekjeprurëse.

Vdekja e Bilal Xhaferit ka mbetur një moment i errët dhe i pashpjeguar. Nëse të gjithë e pranojmë që talenti i tij letrar është unikal, mendoj se nuk është nevoja që fati i tij fizik të shndërrohet në një mit. Në jetën e shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj ka rastësi të mbrapshta. Biografët dhe studiuesit shpesh bëjnë një llogari të gabuar, duke synuar të arrijnë një efekt të ndjeshëm, në tejkalim të fakteve dhe rrethanave ku ka jetuar dhe mbyllur jetën shkrimtari apo artisti. Në shkrime të autorëve të ndryshëm është thënë se Bilali vdiq në një spital të Çikagos, në rrethana të dyshimta.

Për vdekjen e beftë të shkrimtarit në ‘86-ën në Çikago motra e tij, Antika Hoxha, është shprehuar, pa dhënë as emra as detaje, se i është thënë që kjo vdekje  nuk ishte natyrale, dhe se vëllanë e saj e helmuan…

Shkrimtari Naum Prifti, në shënimin e tij, me titull “In Memoriam Bilal Xhaferri”, botuar në gazetën Dielli, 14 tetor 2023, mes të tjerash thotë: “Bilal Xhaferri vdiq në një spital të Çikagos më 14 tetor 1986, pasi kishte pasur një operacion për heqjen e një mase tumori në kokë. Epikriza e tij mund të lexohet në arkivin e spitalit për këdo që interesohet të dijë me hollësi shkakun e vdekjes. A ka vepruar dora e Sigurimit jashtë shtetit? Sigurisht që po, por një pjesë të legjendave i përhapnin vetë punonjësit e sigurimit për të ngjallur frikë e panik te bashkatdhetarët në diasporë”.

Që shenjat e vdekjes ishin të qarta në kohën kur Bilali ndenji në spital dhe iu nënshtrua operacionit dhe se Bilali e dinte fatin e tij, e pohon edhe një dëshmitar që jeton ende sot. Quhet Kaso Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Konispolit, me banim në SHBA që nga viti 1985, kur u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist. 

Në librin autobiografik “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi), botuar vitet e fundit, Kaso Hoxha shkruan:

“Ishte java e dytë e tetorit 1986, në mëngjes sapo kisha filluar punën, kur padroni i restorantit, Stefan Hajazi, më tha:

-Dikush do të flasë me ty”.

-”Alo, kush është”?,  i përgjigjem!

-”Jam unë Bilali, Kaso”!

-Mirëmëngjes Bilal, si jeni”?

-“Nuk jam mirë Kaso, jam në spital”, m’u përgjigj

-“Si the”? e pyeta i tronditur.

-“Jam i sëmurë Kaso, analizat që bënë tregojnë se kam tumor në kokë”, më tha me gjysëm zëri.

-“Në cilin spital je Bilal? Do të vij sa më shpejt të jetë e mundur”!

-“Jam në spitalin Masonic 836 Ë Ëellington Ave”, ti mos u mundo të vish, se do të hyj në sallën e operacionit dhe ti nuk do të mund të më shohësh. Hajde më mirë nesër”, më këshilloi Bilali.

Mora në telefon të gjithë fshatarët e mi që ndodheshin aty, nëse dinin diçka për shëndetin e Bilalit. Bilali njoftoi edhe Skënder Shuaipin, të vetmin njeri me të cilin flisnin. Shkova të nesërmen në spital bashkë me Rexhep Hoxhën. Në dhomën e Bilalit gjetëm Skënder Shuaipin me gruan dhe nënën e tij. Bilali ishte akoma në “koma”, ai nuk kuptonte asgjë çfarë ndodhte për rreth tij, ku infermieret shikonin herë pas here aparaturat.

Koka e tij e mbështjellë me fasho dhe vetëm një pjesë e fytyrës ishte e zbuluar! Pyetëm doktorin se kur mund të përmendej nga ai gjumë i thellë? Na tha: ”Besoj pas 24 orëve mund të flas”. Ne u larguam dhe e lamë që të vinim ditën tjetër që në mëngjes. E gjetëm Bilalin atë mëngjes  të zgjuar. Bilali na njohu dhe sytë ju mbushën me lot. Duke i zënë dorën që ishte aq e ftohtë, i them:

Bilali më tha: “Kaso, ky është fundi im”!

-”Të shkuara Bilal, kurajo. Ti je i fortë, do ta kalosh edhe këtë të keqe”!

-“Jo Kaso, prognozat nuk janë të mira, kam mbetur i paralizuar gjysma e trupit, nuk kam asnjë farë ndjenje. Me sa shoh ky është fundi im”!

-“Jo, jo! Mos e mendo atë kurrë, kurajo Bilal”, i dhashë kurajo.

Ai kishte nevojë për qetësi dhe unë e Rexhepi u larguam. Operacioni ishte shumë i vështirë, ndoshta i kishin dëmtuar sistemin nervor, dhe në qoftë se do të përmirësohej, ai do të mbetej në karrocë me rrota për atë jetë që i kish mbetur. U ktheva përsëri në fshatin ku punoja, me shpresë që të shkoja një tjetër ditë që ta vizitoja.

Në 14 tetor 1985, herët në mëngjes më telefonoi Skënder Shuaipi, i cili më dha lajmin e vdekjes së Bilalit.

Ja cfarë shkruan më poshtë Kaso Hoxha:

“I thashë pronarit të restorantit, Stefan Hajazit: “Do më falësh, unë do shkoj në Chicago, Bilali vdiq”. Pronari nuk tha asnjë fjalë, me sa kuptova nuk i erdhi mire, sepse nuk i bëhej puna dhe nuk kish punëtor të mjaftueshëm! Me gjithë atë unë ika, u lidha me Rexhepin dhe Skënderin, për të diskutuar dhe për të parë nga ana ligjore se si ishte e mundur të vdiste në spital, kush ishte përgjegjës për vdekjen e tij?!

Skënderi kishte nënshkruar të gjitha dokumentat e Bilalit në spital, si i afërm i familjes. Sipas raportit të spitalit, Bilali u gjend i vdekur, të gjithë aparatet që kontrollonin dhe e mbanin të gjallë, ishin të hequra dhe plaga e operacionit kullonte gjak! Ishte Bilali në gjendje dhe kishte kaq forcë që t’i jepte fund jetës së tij”?! 

Siç shihet Kaso Hoxha, edhe pse përshkruan saktësisht gjendjen shëndetësore të Bilalit pas operacionit të vështirë dhe me risk, për ta bërë më intrigues rrëfimin e tij në libër, aludon për një vrasje të mundshme, ose më saktë për një atentat kundër tij. Athere kujt i duhet besuar? Cila është e vërteta e së vërtetës? Mendoj se në këtë rast ekzistojnë dy të vërteta, një e vërtetë reale, sipas raportit zyrtar të spitalit, dhe një e vërtetë kriptogjenike, e fshehur, e maskuar, që është shndërruar në fiksion.

Njerëz si Bilal Xhaferi nuk ke pse t’i ngatërrosh, duke i mbuluar me mister e mjegullnajë, madje duke nënkuptuar që Bilali mund të ketë vrarë edhe veten, duke hequr fishat që e mbanin në jetë. Bilali ishte nga ata që e donin jetën më shumë se sa kuptimin e saj. Ai do të vdiste vetëm nëse me këtë ata që e donin do të ishin të lumtur.

Jam i të njëjtit mendim me shkrimtarin e shquar Naum Prifti se në vdekjen e Bilalit mund të ketë vepruar dora e Sigurimit, qofë edhe duke përhapur “fake news”. Por, nga faktet që kemi përballë bindemi, po aq, se Bilali ishte 

viktimë e fatit të lig, që kish vizatuar në fytyrën e tij çdo dhimbje. Sëmundja e rëndë e mposhti pasionin e tij tepër të fuqishëm për jetën. Kanceri ishte demoni që e mbërtheu për fyti dhe i mbështolli trurin, e torturoi derisa i mori frymën, pavarësisht rezistencës dhe vrullit të epërm të tij.

Krijues si Bilal Xhaferi janë aq gjenialë dhe të ndjeshëm, saqë lëndohen padashur edhe pas vdekjes. Ndaj është e kotë të kërkojmë arsye për të “motivuar” epilogun tragjik të jetës së tij.

Lereni poetin dhe shkrimtarin e pavdekshëm të pushojë i qetë përballë Hyjnores, mes çasteve sublime që ai krijoi dhe rikrijoi, me një ankth të shenjtë në shpirtin e tij fluturues!

Disa nga veprat e Bilal Xheferit:

Njerëz të rinj, tokë e lashtë (tregime, 1966)

Lirishta e kuqe (poezi,1967)

Dashuri e përgjakur (1992)

Krastakraus (roman,1993)

Eja trishtim (poezi,1995)

Ra Berati (1995)

Përtej largësive (1996)

PDIU | Bilal Xhaferri, lindur më 2 nëntor 1936 në fshatin Ninat të  Çamërisë, përballoi një fëmijëri të vështirë pas vdekjes së nënës dhe… |  Instagram
Hyqmet Zane: Dosja e sigurimit për Bilal Xhaferin dhe “Nobeli” i pa dhënë  për Ismail Kadarenë | Gazeta Telegraf
Studiuesi: Nga kush u eliminua Bilal Xhaferri dhe pse – Saranda City

Filed Under: LETERSI

VATRA DHUROI 100 FLAMUJ KOMBËTARË, 100 LIBRA SHQIP DHE 100 GAZETA DIELLI PËR FËMIJËT E SHKOLLËS SHQIPE “GJUHA JONË” NË PHILADELPHIA

October 14, 2024 by s p

Sokol Paja/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 100 libra shqip e 100 gazeta Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia në shenjë nderimi, vlerësimi e respekti për punën e jashtëzakonshme edukative, patriotike, kulturore e atdhetare. Në ceremoninë e përurimit të Qendrës Komunitare dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia, zyrtarët e Vatrës sekretari Dr. Pashko Camaj, editori i Diellit anëtari i kryesisë Dr. Paulin Marku, Ilir Cubi, Nazim Salihu (Noli Tv), Dr Ines Murzaku e vatranë të tjerë u pritën përzëmërsisht nga kryetari z.Dritan Matraku, nënkryetarët Mexhit Koboçi, Rudina Bani, sekretarja Julida Çepele e aktivistë të tjerë si Sadik Elshani e kontributorët ndër vite të shoqatës. Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë” prej 22 vitesh ruan denjësisht gjuhën shqipe, kulturën kombëtare dhe identitetin shqiptar në mërgatën shqiptare të Philadelphias. Shoqata “Bijtë e Shqipes” është shndërruar në një qendër të fuqishme patriotike, sociale, edukative, kulturore e atdhetare permes aktiviteve të shkëlqyera atdhetare që rrezatojnë vlerat tona më të mira kombëtare shqiptare në Amerikë. Drejtuesit e shoqatës “Bijtë e Shqipes” shprehën mirënjohje e vlerësim për dhuratën bujare dhe morën garanci prej Vatrës e Diellit për bashkëpunim të ngushtë e mbështetje të fuqishme në misionin e tyre të shenjtë për ruajtjen e gjuhës, kulturës, historisë e traditës shqiptare në Amerikë.

Më herët Vatra ka shpërndarë flamuj kombëtarë, libra, abetare e gazeta Dielli edhe në shkollat shqipe New York, New Jersey, Missouri, Connecticut.

Filed Under: Featured

“SHTËPIA E SHQIPTARIT”, FESTË MADHËSHTORE NË PHILADELPHIA

October 14, 2024 by s p

Sokol Paja/

Philadelphia, 13 tetor 2024 – Shoqata Mbarëshqiptare Social – Kulturore “Bijtë e Shqipes” bashkoi shqiptarë nga Amerika, Kanadaja, Italia, Greqia, Gjermania, Shqipëria, Kosova e trojet etnike kombëtare në një festë madhështore të inagurimit të “Shtëpisë së Shqiptarit” si qendër e re komunitare që bashkon të gjithë patriotët shqiptarë të Philadelphias. Një aktivitet i shkëlqyer patriotik, atdhetar, kulturor, komunitar e kombëtar i “Bijve të Shqipes” të cilët bashkë me shkollën shqipe “Ghuja Jonë” janë një krenari kombëtare shqiptare në mërgatën e Amerikës. Përurimi i Qendrës Komunitare dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia si një moment historik, është një mirënjohje për kontributin 22 vjeçar të kësaj shoqate në shërbim të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare. Një emocion dhe krenari e pa përshkrueshme për çdo pjesëmarrës, vlerësimi dhe puna fenomenale e komunitetit fantastik shqiptar në Philadelphia.

Nën prezantimin mjeshtëror të gazetarit të shquar të RTSH mjeshtrit të skenës dhe ekranit Defrim Methasani dhe patriotes së talentuar Julida Çepele, u kënduan emocionalisht himnet kombëtare të Amerikës e Republikës së Shqipërisë duke ngjallur emocione të mëdha dhe përjetime zemre në tokën e ëndrrave dhe larg atdheut mëmë. Ceremonia festive vazhdoi me interpretime të shkëlqyera si një koncert me këngë dhe valle nga nxënës dhe ish -nxënës të shkollës shqipe “Gjuha Jonë” me vallen e Tiranës e këngën e fëmijëve “Xhamadani vija-vija” të cilët emocionuan të gjithë të pranishmit. Kënga “Moj e bukura more” e kënduar nga Anita Rukiqi dhe Isli Ademi u pasua nga Kristina Marku e la gjurmë kujtese në ceremoni me këngën “Thërret Prizreni mori Shkodër”, pasuar nga vallja e Tropojës kërcyer mjeshtërisht prej të rinjve shqiptarë të Philadelphias, pjesë e ‘Bijve të Shqipes”. Ansambli Folklorik “Çipini” nga Labëria i thuri këngë polifonike nderimi kontributit historik të shkollës shqipe “Gjuha Jonë” e shoqatës “Bijtë e Shqipes” për gjuhë e kulturë kombëtare, përformancë e lartë artistike që u pasua nga nxënësi Leonard Hasa në një instrumental me çifteli.

Kryetari i Shoqatës Mbarëshqiptare Social – Kulturore “Bijtë e Shqipes” z. Dritan Matraku falenderues dhe i emocionuar në fjalën e mirëseardhjes tha se kjo ditë e shënuar e përurimit të shtëpisë së shqiptarit, përmbush amanetin e të parëve për të ruajtur historinë e vlerat tona kombëtare e për ti përcjellur tek brezat e rinj. Z.Matraku vlerësoi dhjetëra biznese e sipërmarrje shqiptare që për 22 vite sakrifikuan e kontribuan për shtëpinë e shqiptarit në Philadelphia. Shoqata “Korabi” i dhuroi nga Shqipëria “Bijve të Shqipes” një libër me vlera historike e kulturore si shenjë nderimi e respekti për angazhimin e punën e vyer atdhetare.

Përfaqësuesi i Senatit të SHBA, zyra e Senatorit Bob Casey, z. Ethan Seletsky, Senatori z. Jimmy Dillon, Këshilltari i qytetit z. Michael Driscoll dhe përfaqësuesi i shtetit të Philadelphias Pat Gallagher në fjalimet e tyre që u shoqëruan me dhurata për shoqatën “Bijtë e Shqipes” e shkollën shqipe “Gjuha Jonë”, vlerësuan lart komunitetin shqiptar të Philadelphias, cilësuan bashkëpunimin e frytshëm, vlerat komunitare, krenarinë e sukseset e shqiptarëve që janë frymëzim edhe për komunitetet e tjera në Philadelphia. Ambasadori i Shqipërisë në Uashington Ervin Bushati në fjalën e tij vlerësoi punën komunitare dhe atdhetare të shqiptarëve të Philadelphias. Artisti Shaban Lajçi duke recituar pjesë nga Lahuta e Malcisë emocoionoi të gjithë të pranishmit me mesazhet atdhetare të At Gjergj Fishtës që qëndrojnë aktuale edhe në ditët e sotme. Artisti i shquar Xhevat Limani interpretoi poemën e Naim Frashërit “Ti Shqipëri më jep nder” duke dhënë mesazhe të fuqishme për ruajtjen e gjuhës shqipe, këtë gjuhë të perëndisë, ndër brezat e shqiptarisë. Këngëtari Artur Matia përgjatë performancës së tij i shtoi nota gëzimi e hareje ceremonisë së shkëlqyer festive që bashkoi shqiptarët e Amerikës në festën e shtëpisë së shqiptarëve. Përfaqësuesi i nismëtarëve të shoqatës “Bijtë e Shqipes” z. Llazar Vero në fjalën e tij tregoi me detaje rrugëtimin historik të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në 22 vite histori, ndërsa z. Tajar Domi ish-kryetar shoqatës “Bijtë e Shqipes” shpjego për të pranishit funksionin që do të kryejë shtëpia e shqiptarëve si qendër kulturore e multidimensionale në shërbim të komunitetit shqiptar në Philadelphia.

Dr.Pashko Camaj, Sekretari i Federatës “Vatra” vlerësoi punën patriotike të shoqatës “Bijtë e Shqipes” e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” për ruajtjen e gjuhës e identitetit kombëtar duke e lidhur ngushtë këtë veprimtari me misionin e Vatrës që prej themelimit e deri në ditët e sotme. Dr. Camaj përshëndeti në emër të kryetarit Dr. Elmi Berisha, Kryesisë së Vatrës, Këshillit të Vatrës e të gjithë vatranëve dhe dhuroi në emër të Federatës Vatra 100 flamuj kombëtar, 100 libra shqip dhe 100 gazeta Dielli për fëmijët e shkollës shqipe. Editori i gazetës “Dielli” i quajti shqiptarët e Philadelphias apostuj të shqiptarizmës dhe ambasadorët më të mirë të vlerave kombëtare në mërgatën e Amerikës. Gjuha, kultura dhe identiteti e bëjnë një komb të pa vdekshëm, tha ndër të tjera editori i gazetës Dielli.

Mjaft e veçantë në këtë ceremoni patriotike ishte përshëndetja e drejtorit artistik të Qendrës “Margarita Xhepa” në Asti të Italisë z. Hasan Bulçari dhe e drejtorit të shkollës shqipe “Naim Frashëri” në Patra të Greqisë z. Iliaz Bobaj, lexuar nga mësuesja Kristiana Veliu. Shkolla këto model atdhetarie e patriotizmi në Greqi dhe Itali e të binjakëzuara me shkollën shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia.

Fjalë përshëndetëse dhe mjaft emocionuese mbajtën Dr. Bexhet Hasani e znj.Iliriana Sulkuqi si përfaqësues të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Dr. Skender Kodra nga Akademia Shqiptaro – Amerikane e Shkencës dhe Arteve dhe z. Iliaz Shehu, anëtar i Kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Ceremonia festive u përmbyll prej nënkryetarit Mexhit Koboçi e Rudina Bani me dhënien e certifikatave të vlerësimit e mirënjohjes “Kontribute Atdhetarizmi” për bizneset që kontribuan në ndërtimin e qendrës komunitare“Bijtë e Shqipes” e shkolles shqipe “Gjuha Jonë”. Finalja festive ishte prerja e shiritit të inaugurimit të “Shtëpisë së Shqiptarit” prej drejtuesve të shoqatës e nxënësve të shkollës si dëshmi e vazhdimësisë, mirënjohjes e krenarisë kombëtare në mërgatën e Amerikës.

Një aktivitet i shkëlqyer kulturor, atdhetar, patriotik e komunitar ku shqiptarët e Philadelphias shkëlyen si kurrë më parë. Qershia mbi tortë e aktivitetit ishte pjesëmarrja e gjërë e Vatrës e vatranëve me në krye sekretarin Dr. Pashko Camaj, editorin e Diellit, anëtarin e kryesisë Dr. Paulin Marku, Ilir Cubi, Nazim Salihu(Noli Tv), Dr. Ines Murzaku e vatranë të tjerë. Një prezantim dinjitoz e me shumë dinjitet, në një ceremoni të bekuar që kurorëzon përpjekjet dhe aspiratat e shqiptarëve për gjuhë e kulturë, sukses, identitet, histori e krenari në mërgatën e Amerikës. Zoti i bekoftë përpjekjet e shenjta të të gjithë shqiptarëve për gjuhë shqipe, histori dhe identitet kombëtar.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

AALEA Showcases the Albanian American Diaspora as a Model of Unity, Professionalism, and Civic Pride

October 14, 2024 by s p

Dritan Lazami/

Human Trafficking Detective for the Dane County Sheriff’s Office

The Albanian law enforcement diaspora is growing globally, with Albanians increasingly entering law enforcement professions in various countries, particularly in the United States, Germany, Switzerland, and other parts of Europe. These officers are building bridges between their respective communities and local law enforcement agencies, while maintaining a strong connection to their Albanian heritage.

In the United States, organizations like the American Albanian Law Enforcement Association (AALEA) play a significant role in uniting Albanian-American law enforcement officers from across the country. AALEA focuses on promoting cultural pride, supporting officers of Albanian descent, and fostering connections between Albanian communities and law enforcement agencies. Officers in these roles include suburban police officers, deputy sheriffs, special agents, investigators, and state troopers.

In countries like Germany and Switzerland, the Albanian diaspora has also made significant strides in law enforcement, with Albanians serving as police officers, detectives, and other roles in public safety. Polizeikommissar Morina from Bielefeld, Nordrhein-Westfalen, for example, is an inspiring figure for the younger Albanian generations in these regions.

This growing involvement of Albanians in law enforcement not only strengthens ties between the diaspora and their host countries but also helps in promoting a positive image of the Albanian community abroad. It reflects a commitment to service, law, and order while maintaining pride in their Albanian roots.

Filed Under: Reportazh

“Inteligjenca Artificiale, fati apo fundi i njerëzimit” 

October 14, 2024 by s p

 Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Në vijim gjeni përmbledhje strategjike mbi oportunitetet dhe rreziqet më kritike për individin, shkencën, shoqërinë njerëzore, kulturën dhe rendin botëror, pra rreth: “Inteligjencës Artificiale”, duke j’u referuar filozofit më të shquar të historisë moderne të njerëzimit, Prof. Yuval Noah Harari: 

Së pari, Inteligjenca Artificiale (Artificial Inteligence, shkurt AI), po arrin në kufijtë e shoqërizimit, duke influencuar ndjenjat/lidhjet emocionale, sociale, madje edhe vetë kuptimin e ekzistencës tonë. Nga ana tjetër, “një set pyetjesh të forta” ngrihen mbi AI, të cilat po dominojnë diskutimet akademike, shkencore, politike, zyrtare dhe shoqërinë njerëzore: çfarë oportunitetesh dhe kërcënimesh paraqet AI për ardhmërinë e njerëzimit ?; Referuar edhe Biblës: “A do përbënte AI një betejë kundër natyrës, bashkë me të, fundin e historisë së njerëzimit”? A është e mundur (?), A do të jetë në gjendje shoqëria njerëzore të prodhojë mekanizmat e duhura për të adresuar përfitimet si dhe për tu mbrojtur sa nuk është von nga AI?

Dekadën e fundit, Institucionet e sigurisë në rrafshin kombëtar dhe Global, mbeten të fokusuara mbi pasojat e riciklimit të luftës neonaziste të Rusisë – Putiniste për pushtimin e Ukrainës; përballjen me terroristët e pa Fe në Lindjen e Mesme; sfidat e paqes në Ballkanin Perëndimor; programet e armëve të shkatërrimit në masë në Korenë e Veriut, Iran, krizën ekologjike, me të cilat po përballet njerëzimi. Për mirë apo për keq, edhe AI po demostron peshë gjithnjë e me përcaktuese në të gjitha sa përmendëm, si dhe për të përmirësuar ose përkeqësuar edhe sistemin ekologjik 4 miliardë vjeçar të planetit Tokë.

Në fakt, frikësimi i njerëzimit nga AI ka nisur bashkë me epokën e kompjuterit nga mesi i shekullit të 20-të, me çfaqjen e filmave fantastiko-shkencor, Terminator ose Matrix.  Por ndërkohë që skenarët fantastiko-shkencor janë bërë pika referimi kulturore, ata nuk janë marrë seriozisht në debatet shkencore, politike, etj. 

Inteligjencës Artificiale (AI) po përparon frikshëm, deri në kufijtë për tu bërë e ndjeshme, pra zotërimin e ndjenjave dhe ndërgjegjes, ose të bëhet e aftë për të influencuar kulturën dhe botën fizike. Dhe ndoshta më shpejt seç mendohet, Robotët do të jenë në gjendje të lëvizin dhe të veprojnë në shtëpi, qytete, male, pyje, ekonomi, shkencë, mjekësi, hapësire, ushtri, polici, etj, edhe më me efikasitet sa dhe vetë Ne/njerëzit. Gjithësesi, edhe për Chat GPT apo të tjera teknologji të reja të AI, ende nuk kanë prova që ato të zotërojnë vetëdije, emocione, etj si p.sh, data që automjetet vetëdrejtuese, vazhdon të shtyhet. 

“Lajmi i keq” është se për të kërcënuar mbijetesën e qytetërimit tonë, AI nuk ka nevojë për ndërgjegje. Ndryshe nga sa mund të mendohet, AI është në gjendje të mësojë dhe përmirësohet vetë, deri në masën sa vetë zhvilluesit e këtyre mjeteve suprizohen me aftësitë e plota të AI !? Prandaj, Harari parashikon që me këto aftësi AI, rrezikon të “gllabërojë deri edhe kulturën njerëzore“. 

Tashmë jemi të familjarizuar për disa nga aftësitë më themelore që zotëron AI, si ato të shkrimit të tekstit, vizatimit të imazheve, kompozimit të muzikës, fjalimeve politike, hapjes së kodeve, etj. Por, ka shumë aftësi shtesë që po shfaqen si falsifikim i thellë i zërave dhe imazheve (Deep Fake), kontratat ligjore, deri aftësitë për të “rekomanduar” marrëdhënie intime mes qënieve njerëzore. 

Së dyti, aspekti më i rëndësishëm i revolucionit të AI, është zotërimi i gjuhës në një nivel që tejkalon edhe aftësinë njerëzore ! Por me zotërimin e gjuhës njerëzore, AI “kërcënon të depërtojë në çelësat” që ç’bllokojnë dyert e institucioneve, bankave, emailet, FB, etj. Ndërsa kështu, AI është shumë afër për të hakuar përdorim e gjuhës dhe për të krijuar mitologji, ligje, art, shkencë, politik, deri për të bashkëjetuar miqësisht me “njeriun tokësor”!  Nëpërmjet zotërimit të gjuhës AI gjithashtu mund të krijojë marrëdhënie intime (ndërvartësie) me njerëzit dhe për të ndikuar në opinionet dhe pikëpamjet tona mbi botën. Që AI të ketë ndërgjegje, nuk ka nevojë për ndjenjat e veta, pasi (keq) përdor vartësinë njerëzore ndaj AI.  

Kështu, AI ka ngritur një pyetje të madhe: “çfarë do të thoshte për qëniet njerëzore të jetonin në një botë ku ndoshta shumica e tregimeve, melodive, imazheve, ligjeve, politikave dhe mjeteve janë formëzuar nga Alienët, pra jo-njerëzore, të cilët ditën të shfrytëzonin me efikasitet, dobësitë dhe ka arritën të krijojnë marrëdhënie, madje intime me qëniet njerëzore” ?!

Sot, asnjë njeri nuk mund të shpresojë të mundë një kompjuter në lojën e shahut ! E njëjta gjë po ndodhë në art, në politikë, ekonomi, arsimim, sport, muzik, shëndetësi, etj. Çfarë do të ndodhë me sistemin arsimor kur fëmijët të shkruajnë esetë e tyre me Chat GPT (?), etj. Së shpejti mund ta gjejmë veten duke zhvilluar diskutime në internet për abortin, ndryshimin e klimës, apo përballjen me entitete që ne mendojmë se janë qënie njerëzore, por në të vërtetë mund të jenë Robotë të AI. A nuk do ishte krejtësisht e kotë, që ne të humbim kohën tonë duke u përpjekur të bindim një Robot të AI të ndryshojë pikëpamjet e tij, pasi sa më gjatë të kalojmë duke folur me Robotin, aq më mirë ai na njeh si dhe më lehtesisht i përpunon mesazhet për të na ndryshuar pikëpamjet tona politike dhe në çdo fushë tjetër.

Në qershor 2022 ndodhi një incident i famshëm kur inxhinieri i Google, Blake Lemoine, i cili deklaroi publikisht se Chatbot-i/AI, Lambda (për të cilin ai punonte) u bë një qënie e ndjeshme që reagoi ndaj tij. Por Profesori humbi punën shumë fitimprurëse, pikërisht kur mendonte se po mbronte Chatbot-in e AI.  Çfarë do të ndodhë me shoqërinë njerëzore ndërsa AI po përparon në një betejë për të krijuar marrëdhënie intime me Ne/njeriun, që më pas mund të përdoren për të na bindur të blejmë produkte të veçanta, ose të votojmë për Parti ose politikanë të veçantë apo deri edhe me kë të martohemi ?!

Së treti, sot njerëzit mund të përdorin një këshilltar të vetëm të AI, si Oracle me një ndalesë (one stop shop) dhe si burim për të gjithë informacionin që u nevojitet. Pse të shqetësoheni për të kërkuar diçka kur thjesht mund t’i kërkoni Oracle-it t’ju tregojë gjithçka që dëshironi ? Pra, ekziston mundësia që brënda një kohe të shkurtër e gjithë industria e reklamave të shembet, ndërsa AI si dhe pronarët dhe kompanitë që kontrollojnë AI do të bëhen jashtëzakonisht të pasur dhe rrjedhimisht më të fuqishëm. Pra kjo për të cilën po flasim, potencialisht nuk është fundi i historisë njerëzore, por fundi i pjesës së dominuar nga njeriu. 

Brenda pak vitesh Inteligjenca Artificiale mund të memorizojë/përvetësojë të gjithë historin e kulturës njerëzore, pra gjithçka u prodhua për mijëra e mijëra vjet. Mos të harrojme se Ne/njerëzit nuk kemi njëherë e përgjithmonë të drejtë për realitetin. Mjetet e mëparshme si shtypshkronjat, radiot, apo televizorët ndihmuan në përhapjen e kulturave, por ato kurrë nuk mund të krijonin diçka të re vetë. Një shtypshkronjë nuk mund të krijojë një libër të ri, atë e bën/nte vetëm njeriu. Prandaj, IA është thelbësisht e ndryshme nga makinat e shtypit, nga radiot, nga çdo shpikje e mëparshme në histori, pasi AI mund të krijojë ide, histori, imazhe, realitet krejtësisht të reja dhe kështu mund të krijojë një kulturë të re, apo Jo ? 

Së shpejti, Ne/njerëzit mund ta gjejmë veten duke jetuar brenda ëndrrave dhe fantazive që janë thelbësisht të ndryshme nga shumica e gjërave të imagjinuara në filma dhe libra fantastiko-shkencor. Më parë njerëzit kishin frikë nga kërcënimi fizik që paraqesin makinat inteligjente, që mund të vraponin rrugëve dhe qëllonin/vrisnin. Ndryshe nga disa teori konspirative, AI nuk ka nevojë të dërgojë Robotë vrasës, pasi AI mund t’i influencojë lehtësisht njerëzit të tërheqin këmbëzën nëse/kur ka nevojë …! 

Që nga kohërat e lashta, njerëzit kishin frikë se mos ishin të bllokuar në një botë iluzionesh. Në Greqinë e lashtë, Platoni tregoi alegorinë e shpellës ku një grup njerëzish të lidhur me zinxhirë gjatë gjithë jetës së tyre përballë një muri të zbrazët, ose ekrani le të themi.  Me vonë Buda tha se: “ajo që Ne normalisht e konsiderojmë realitet është shpesh vetëm trillim në mendjet tona”. Njerëzit kanë bërë luftëra të tëra duke vrarë dhe duke qenë të gatshëm të vriten vetë, për shkak të besimit të tyre në këto trillime!

Pra, revolucioni i AI do/po na sjell ballë për ballë me demonin e shpellës se Platonit dhe Buda-s, nëse nëse nuk do të jemi në gjendje ta heqim këtë perde iluzionesh duke menduar se ky është realitet. Megjithatë, këto mjete të Inteligjencës Artificiale kanë qenë të mjaftueshme për të krijuar këtë lloj perde iluzionesh që rrisin polarizimin shoqëror, minojnë shëndetin mendor dhe besimin te vlerat e shoqërisë demokratike. 

Mesazhe përmbledhëse, pa mëdyshje, që Inteligjenca Artificiale (AI) mbart potenciale të jashtëzakonshme positive, si p.sh në gjetjen e kurave ndaj kancerit, etj; zhvillimin e ekonomisë dhe mirëqënies, për paqen dhe sigurinë; kapërcimin e krizës ekologjike, etj sfida me të cilat po përballet shoqëria njerëzore.  Në 1945, në Hiroshima u provua fuqia shkatërruese e bombës atomike. Por a nuk do përfitonte njerëzimi duke prodhuar në vend të bombave energji të lirë dhe të bollshme ?  Kështu na duhet të mendojmë edhe për këtë armë të re (AI), që nëse nuk e vendosim nën rregulla/kontroll Sot, në vend të përfitimeve, mund të asgjësojë botën tonë mendore dhe bashkë me të njerëzimin. 

Prandaj Qeveritë duhet të ndalojnë përdorimin e çdo programi të ri përpara se AI të dali jashtë kontrollit. Hapi i parë është rregullimi ligjor i (sh) përdorimit të programeve të AI në shkollat publike. Ndërsa për çensurën në internet, Twitter, Facebook, Tik-Tok, etj, duhet marrë në konsiderat që vetëm qëniet njerëzore kanë lirinë e shprehjes, Robotët nuk e kanë gjithësesi. Kështu që nëse i vendosim nën kontroll që Sot, ose ju “mohojmë lirinë e shprehjes Robotëve”, mendoj se kjo duhet të jetë shume e mirë me të gjithë, apo Jo?

Në botën që rrokulliset me konflikte kaotike, AI perceptohet si: “zgjidhja/mallkimi jashtetokësor” drejt fundit të historisë njerëzore, edhe pse për të kërcënuar themelet e qytetërimit nuk ka gjithësesi nevojë për Inteligjencen Artificiale…! Diktaturat, Autokratët e moderuar (me kullaro dhe bejte demokratike), shtetet e dështuara, demokracitë fasade/burokratike (RSh = fanar ndriçues), ektremizmi i cdo lloj forme, rikthimi te lufta neo-Naziste, armët bërthamore, dezinformimi nga mediat, etj janë prova të vetë-mjaftueshme për të krijuar kaos social, politik, Qeverisës, vlerave si dhe hedhur në greminë shoqërinë njerëzore. 

Për më keq, zotërimi i fuqisë së AI, është arma e duhur që demokracitë të përthithen dhe përmiren nga diktatorët ose autokratët e veshur me kullaro perëndimore. Demokracia është një bisedë e lirë që mbështetet te gjuha/komunikimi. Kur AI hakeron gjuhën, mund të “burgosë lirinë” për të zhvilluar përgjegjësitë publike duke shkatërruar kështu demokracinë. Dhe nëse presim kaosin total, pasojë e pluralizmit fasadë (si në rastin e RSh), do të jetë tepër vonë që vendi dhe shoqëria të ri-sillet në shinat dhe vlerat demokratike.    

Padyshim që megjithë zhvillimet e sipërpërmendura, AI mbetet ende artificiale, në kuptimin që Ne/njerzit e prodhojmë. Por është po ashtu fakt që AI prodhon gjithnjë e më shumë vetveten, pra po del jashtë kontrollit tonë! Atëhere gjëja më e rëndësishme është të kuptojmë me të vërtetë se me çfarë po përballemi dhe të mos ngushëllojmë veten me mendime delirante, si p.sh: “AI është produkt Ynë/njeriut, pra është nën kontrollin Tonë të plotë, dhe nëse përpiqet të bëjë diçka të gabuar Ne e heqim nga priza …”, etj si këto. 

Përveç frikës se mund të na shkatërrojë qytetërimin, ende nuk dimë qartësisht për këtë “inteligjencë të huaj”. Prandaj duhet ndaluar zhvillimi i pakontrolluar i kësaj inteligjence, le ta quajmë Aliene, përpara se AI të na rregullojë apo shfarosë Ne/njerëzimin! Por kjo ka nevojë për vullnet dhe Leadeship i fortë si dhe fuqi kompjuterike shtesë, pra për më shumë para. 

Regjimet autoritare nuk dëshirojnë, ndërsa vendet e vogla me demokraci fasadë (përfshi RSh) nuk kanë as mundësi të vetëm-përballen me AI. Gjithësesi mbetem shpresëplotë se ShBA, BE-ja, UK, etj, po/do ndërtojnë aq shpejtë sa të mos jetë vonë, “armën/Sistemin pro/anti-AI”, pra strategji, kornizë ligjore, Institucione, kapacitete dhe aftësi globale për të mbrojtur shoqërinë nga një katrastrofë apokaliptike.  

Ndërsa si mesazh përmbyllës: “Inteligjenca Artificiale (AI) mbetet si një thikë me dy presa”, pasi mbart përfitime por edhe rreziqe të jashtëzakonshme për shoqërinë njerëzore.  Kështu që, fati apo fundi i njerëzimit varet nga vendimet dhe veprimet që shoqëria do ndërmarrë përpara se AI të dalë jashtë kontrollit. 

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO. 

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 865
  • 866
  • 867
  • 868
  • 869
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT