Shkruan: Robert Martiko/
Duke përfunduar së lexuari romanin “Vajza e Gjeneralit” me autor shkrimtarin e mirënjohur tashmë në letërsinë artistike shqiptare, Aleko Likaj, mendja më shkoi padashur te Nefeli, kjo zanë e mirënjohur e mitologjisë greke e cila, një ditë, duke fluturuar në trajtën e resë së tejdukshme mbi pallatin madhështor të Orhomenit, diku në Beotinë e largët mitologjike, vendosi të zbresë aty, e dashuruar me mbretin e quajtur Aramant, duke braktisur në këtë mënyrë, me dëshirën e saj, hapësirën e pamatë të qiellit të kaltër…
Në bazë të ligjeve të mirënjohura të së njëjtës dashuri të pamposhtur, klasike, të përsëritur midis qëniesh romantike, vajza e re franceze me origjinë nga Bordoja e Francës, e quajtur Brizhitë, vjen e dashurohet me Bardhin, djaloshin nga Shqipëria e kohëve të përbindëshme diktatoriale, staliniste, i cili gjendej në vendin e saj për studime universitare. Pra, në këtë pikë, kushdo gjen rastin të ndiejë në roman atë endjen e madhe që zakonisht lexuesit i dhurojnë në shpirt të ashtuquajturat “love story”. Sa për krahasimin tim me Nefelin apo nimfën e bukur të qiejve, bëhet fjalë në këtë rast për vetë kryeqytetin e botës, për Parisin apo ndryshe, të ashtuquajturin “Qytet i Dritës”, qielli i magjishëm i të cilit, i imortalizuar edhe prej një serë artistësh e këngëtorësh me famë botërore, duke filluar nga Zhan Burzhua Mistinget, Moris Shevalie, Edith Piaf, Sharl Aznavur, Iv Montan e duke përfunduar te Mathië Shedid e Vanesa Paradis, nuk mund të mos i dhurojnë shpirtit njerëzor atë dehjen e jashtzakonëshme, tejet admiruese, në delir apo ekstazë, për të cilat, një poet i madh francez, si Lamartini, shprehet se, në prani pamjesh të tilla magjepsëse, psherëtimat nuk mund të mos ngjiten me një lehtësi të përkryer, lart, në kupën e qiellit…
Deri në këtë pikë, kur Bardhi ende nuk ka marrë urdhër të prerë prej autoriteteve-hiena komuniste, për të braktisur Parisin e për tu kthyer urgjent në vendin e tij, lexuesi, lehtë mund të imagjinojë se dashuria me Brizhitën lundron e magjishme e me vela të hapura, të tendosura prej fryrjesh bulçish të purpurta amorësh me krahë, të bukur e romantikë… Por ja që vjen fare papritur një cast mizor ku heroi arrin të kuptojë se, ashtu i kthyer përfundimisht në atdheun e tij të dashur, nuk mund të aspirojë më për asnjë lidhje me qiellin blu të Parisit ku gjendet e dashura e tij. Për tu ndier më pas, jo vetëm shpirtërisht por edhe fizikisht, i burgosur e torturuar në rrathët më të përbindshëm e më monstruozë të Ferrit shqiptar, të ndërtuara me mjeshtëri prej një Makbethi kriminel si Enver Hoxha, i cili nuk ngurron t’u verë thikën në grykë vetë bashkëkombasve të tij. Ndërkohë, në ato kushte hetuesish të egra mesjetare, për dashnorin e torturuar e të lemerisur, Brizhita e tij e dashur nuk mund të përbëjë veç një ëndërr tmerrësisht të pakthyeshme.
Ja si i paraqet autori çastet e lajmërimit për largim nga Franca: “Në fillim kishte qenë një ëndërr. Pastaj një makth, që e kishte kapluar ashtu të zhveshur e të shtrirë në shtrat studentin nga Shqipëria dhe që e bëri të rrotullohej e të ndryshonte krah disa herë nën çarçafin e bardhë. Më pas kishte ardhur zilja e telefonit. Zgjati dorën përgjumshëm dhe kapi receptorin. Një zë urdhërues nga ana tjetër e telit. Si një kumt nga një tjetër botë… Ishte pas mesnate. Binte shi dhe era ulërinte si një ulkonjë e vjetër plakë, që kërkon gjah në një humbëtirë gati të harruar e të vetmuar nga bota. Në mëngjes pa zbardhur mirë ishte vënë për udhë…”
Lexuesi gjen në këtë mënyrë rastin në roman, për të rënë në kontakt me natyrën paranajoke të Enver Hoxhës, diktatorit të madh të Shqipërisë komuniste, i cili drejtoi me zjarr e hekur gjatë gjysëm shekulli duke drejtuar vendin e tij drejt shkatërrimit të plotë. Një prej këtyre viktimave ishte jo vetëm Bardhi por edhe gjithë familja e tij.
Sa më sipër, deri diku jo pa qëllim jam duke përdorur terma karakteristike të koncepteve të Errësirës dhe Dritës manikeiste, edhe pse nuk dyshohet aspak që Enver Hoxha paraqet për shqiptarët një individ ekzemplar, përfaqësues të obskurantizmit mesjetar apo ndryshe një qenie tipike me insufiçiencë mendore apo shpirtërore. Veç, duke huazuar këndvështrimin e një personaliteti të madh akademik si filozofja gjermano-hebre e natyralizuar në amerikane, Hanna Arendt, rreth vlerësimit të një prej shfarosësve më të mëdhenj të hebreve gjatë periudhës së olokaustit gjerman, të famshmin Adolf Aihman, i cili gjatë diktaturës hitleriane arriti të asgjësojë mbi gjashtë million çifutë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Enver Hoxhën. Në mënyrë analoge, edhe për të mund të pohohet me plot gojën se ai nuk ishte budalla por vetëm një individ të cilit i mungonte mendimi. Në kuptimin se kurrë nuk arrinte të pyeste vetveten se çfarë qe duke kryer në një mënyrë tejet mizore kundër popullit të tij. Duke ndier boshllëk në kokë e duke i munguar gjithashtu aftësia dialoguese me vetveten, ai kurrë nuk ndjeu ti lindëte në kokë ndonjë mendim i caktuar vetëkritik apo të ndiente përgjegjësi për kasaphanën njerëzore të realizuar nëpërmjet urdhrave të tij makabre. Sipas Hannës, çdo individ i tillë nuk përbën asgjë tjetër veç, thjesht, një njeri banal. Bëhet fjalë në këtë rast për “Banalitetin e të Keqes”. Ku, nuk mund të bëhet fjalë më për një të keqe manikesiste të trajtuar nëpërmjet kendvështrimit të ashtuquajtur të Dritës dhe Errësirës, të trajtuar nëpërmjet termave: djallëzore, monstruoze, kriminel, sketerrë e Hekatë, që aq shumë gjenden sot të trajtuara zakonisht në gazeta, libra, kinematografi, arte grafike apo në television…
Ajo që më bën përshtypje akoma më të thellë në romanin “Vajza e Gjeneralit”, të shkruar me një ndjenjë të veçantë humaniste nga autori, është fakti se një komb i tërë prej tre miljon shqiptarësh gjendet i paralizuar nga frika që ndien prej hijes së rëndë të diktatorit. Sigurisht, fare të paktë janë tipat që bëjnë përjashtim nga ky rregull, midis tyre edhe heroi i romanit, Bardhi, i cili pëson krizë të forte nervore gjatë torturave në hetuesi dhe, megjithatë, nuk rrëfen askënd për të ndihmuar keqbërësit e Sigurimit Shqiptar. Në të njëjtën mënyrë stoike vepron edhe babai i tij, duke i rezistuar të keqes me forcën e domosdoshme shpirtërore të karakterit të tij të fortë, ndërkohë që, pothuajse gjithë viktimat e tjera mbarëpopullore shndrrohen padashur në instrumenta apo vegla të verbra e të bindura të sistemit komunist.
Për të hedhur dritë mbi shoqëritë nën diktaturë, na bie për detyrë ti referohemi shkrimtarit dhe poetit francez Charles Péguy nga Orleani i cili e quan kryefamiljarin (në origjinal: pater familias) si një nga aventurierët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë..
Kemi në këtë rast të bëjmë me fakte të pakundërshtueshme që lidhen me të ashtuquajturin kryefamiljar të devotshëm, i cili gjendej totalisht i interesuar vetëm për mirëqënien e tij. I parë nën dritën e frymës fisnike që dallon autorin Aleko Lika, nën presionin e situatave kaotike politiko-ekonomike të kohës ku jeton, pater familias, ca më shumë nën diktaturat komuniste shndërrohet në një aventurier të madh. Ashtu i nënshtruar deri në palcë e servil nga interesi dhe frika e tmerrshme që i provokon sistemi vrastar, kryefamiljari nuk është në gjendje për të menduar asgjë tjetër më me vrull, prej mëngjesit e deri në darkë, veç për pensionin e vet, për të ardhurat e jetës, për sigurimin e gruas dhe fëmijëve të tij. As që mund të bëhet fare fjalë në këtë rast, për këtë lloj tipi, të sakrifikojë bindjet e veta morale, nderin dhe dinjitetin për hir të së vërtetës apo ndryshe tragjedisë së thellë, që është duke vuajtur me lemeri të thellë vendi i tij.
Me fjalë të tjera, me përjashtime fare të vogla tre milionë shqiptarë nuk përbënin në atë kohë veç një turmë nga pikëpamja psikologjike. Jo vetëm frika e rënies në disgrazie politike por edhe gëlltitja në bark e gjithfarë gënjeshtrash të propagandës dominonte jo vetëm ndërgjegjen por edhe botën e pakontrolluar të inkonshiencës. Jo vetëm njerëzit e thjeshtë por edhe të mbijetuarit ende të pa burgosur, apo të pa ekzekutuar, në të ashtuquajturin bllok të udhëheqjes, ashtu të privuar nga gjykimi i shëndoshë cerebral, gjendeshin të mbërthyer prej jetës nervoze veçanërisht në çastet e Spastrimeve të Mëdha apo vetëvrasjes aq të dyshuar të kryeministrit shqiptar të asaj kohe.
Lexuesi, nëpërmjet romanit “Vajza e Gjeneralit”, gjen rastin të zbulojë në mënyrë spontane se sa shumë bie poshtë inteligjenca e qenies njerëzore, për t’ia lënë vendin ndjenjave dhe instinkteve të pakontrolluara… Qe koha kur njerëzit bërtisnin si të tërbuar nëpër parada madhështore pa u rezervuar aspak, nëse do t’ju kërkohej për të qenë sa “heroikë” po aq edhe kriminelë. Ngaqë personaliteti zbehet e tretet ndërkohë që ndjenjat e çdo njësie të tillë, përbërëse të turmës, drejtohen drejt një ideje të vetme e cila nuk mund të jetë veç ajo e diktatorit që i shtyp keqas. Kolektiviteti, aq shumë i adhuruar e fatal veçanërisht në kultura të prapambetura njerëzore, e shndërron turmën në një masë të mirëfilltë me karakter psikologjik të mbytur prej mijëra emocionesh të dhunshme të denja për qenie monstruoze. Secili prej njësisë së turmës, përfshirë këtu edhe intelektualin, ndien, mendon dhe vepron në një mënyrë krejtësisht të ndryshme nga ajo që do të ndiente, mendonte e vepronte në qoftë se do të gjendej në trajtë individuale. Vlen të vihet në dukje gjithashtu se turma psikologjike, paraqet një gjendje provizore. Ajo është e përbërë prej elementesh heterogjene për një çast të bashkuar midis tyre, njësoj si qelizat e një trupi të gjallë, të cilat me bashkimin e tyre formojnë një qenie njerëzore të gjallë, që manifeston cilësi tepër të ndryshme prej celulave që e përbëjnë. Ndodh njësoj si në bashkimet kimike ku në sajë të reaksionit, krijohen substanca të reja me karakteristika krejt të ndryshme prej të mëparshmeve. Dhe, e keqja më madhe që ndodh në këtë rast, është se aktet e pamoralshme burojnë prej shpirtit trashëgimor të kopesë primitive. Dalin të dritë atavizma të cilat përbëjnë shpirtin e racës apo egërsisë të cilat shpesh injorohen brenda natyrës tonë. Në turmë edhe matematikani edhe çobani janë një. Nuk kanë ndryshim. Sepse nuk bëhet më fjalë për veprimin e botës së ndërgjegjshme por të botës instiktive të pa kontrolluar dot nga arsyeja.
Pikërisht, për këtë vlejnë ca romane me vlera me të vërtetë të mëdha zbuluese për ti çjerrë maskën sistemit komunist. Dhe autori Aleko Likaj është në gjendje të përmbushë më së miri misionin e tij letrar në këtë pikë. Pena e tij letrare bën që dashuria midis Bardhit dhe Brizhitës të triumfojë në roman.
Në këtë pikë autori lë vend për një farë romantizmi te libri i tij interesant “Vajza e Gjeneralit”. Sikur të thuhet se bëhet fjalë për ditët e ngrohta të Alkionës mitologjike në palcën e thellë të një dimri të jashtëzakonshëm. Siberian. Sipas mendimit tim, kjo ndodh ngaqë autori, si atdhetar humanist e me ndjenja të ngrohta ndaj vendit të tij, dëshiron të zbusë sado pak një realitet të ftohtë e tejet poshtërues, si ai që jetuan gjithë shqiptarët, pa përjashtim, nën diktaturë. Romantike paraqitet edhe Brizhita, në trajtën e një Penelope besnike çuditërisht në një botë perëndimore të mbushur me të ashtuquajturat “vajza nëna” në kulmin e lirive seksuale erotike, në qark të shkurtër, të një nate. Sa për besën e fshehur pas çdo rregulli e fjale të shprehur në Kanunin e Lek Dukagjinit që përmend autori në roman, për të kujtuar zakonet e vjetra të shqiptarëve, për këto nuk mund të bëhet kurrsesi fjalë në një vend me diktaturë të sofistikuar të përmbytur prej totalitarizmit galopant, ekstrem, stalinist.
Në roman lexuesi mëson se Brizhita i qëndron me vite të tëra besnike të zgjedhurit të saj të zemrës deri sa takohen një ditë pas vitesh të tëra ndarje. Është një veçanti e zemrës dhe ndjenjave njerëzore të shkrimtarit Aleko Likaj për të mbjellë, qoftë edhe në një shkretëtirë morale, farën e bukur të individëve të ashtuquajtur “të rrumbullakët” me dinamizëm e besë në shpirt, të cilët ndryshojnë aq shumë prej tipave statikë, të sheshtë, të quajtur ndryshe edhe “personazhe stok” që, në diktaturë i gjen në trajtën e veglave të saj të bindura.
Sa për termin “Banaliteti i të Keqes”, që kam përdorur më sipër, ky i përket një personaliteti filozofik e gjithashtu dinjitoz si Hanna Arendt e cila thotë: “Është opinioni im se e keqja nuk mund të jetë kurrë radikale, por vetëm skajore; dhe që nuk posedon as thellësi, as një dimension djallëzor. Ajo mund të përmbysë botën të gjithë dhe ta shkatërrojë, më saktë sepse përhapet si një kërpudhë mbi sipërfaqen e saj. Është një sfidë për mendimin, siç kam shkruar, sepse mendimi kërkon të shkojë në thellësi, tenton të shkojë në rrënjët e problemit, dhe në çastin që interesohet për të keqen ndëshkohet, ngaqë nuk gjen asgjë. Ky është banaliteti i tij. Vetëm e Mira ka thellësi dhe mund të jetë rrënjësore.”
Këtë frazë të fundit, se vetëm e mira ka thellësi dhe mund të jetë rrënjësore, jo vetëm tani por edhe në të kaluarën, kur Alekua shkruante me impenjim total shpirtëror për fatin tragjik të vajzës së Liri Belishovës, dua t’ja dedikoj shpirtit të bukur e human të vetë autorit i cili, në sajë të ndjenjash me të vërtetë të bukura e humane, arrin të nxjerrë nga duart e tij një vepër të dashur e rrëmbyese si kjo që lexuesi shqiptar ka rastin të lexojë të titulluar “Vajza e Gjeneralit.”