
Nga Arif Murrja/
Në sallën solemne të Akademisë së Shkencave, më 12 tetor, u mbajt promovimi i librit “Po rikthehem në Hotesh – Monografi”, vepër e mësuesit të nderuar Skënder Murrja. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe frymëzuese, sikur vetë fshati Hotesh të ishte rikthyer në vatër — në kujtesën dhe shpirtin e vet.
Përveç ftesës si i pranishëm, pata nderin të mbaja edhe një fjalë të shkurtër me temën “Vendlindja në librin e Skënderit”. Aktiviteti u drejtua nga gazetari i njohur Defrim Methasani, ndërsa para meje mbajtën fjalën e tyre Halil Rama, Demir Osmani, Luljeta Prençi dhe Faik Xhani.
Në hyrje të takimit u shfaq një video përmbledhëse që pasqyronte me ndjeshmëri dhe qartësi thelbin e veprës. Ndërkohë, përshëndetën znj. Festime Mjeshtri, kryetare e Bashkisë Bulqizë; Tatjana Parllaku Çarkaxhiu, kryetare e OBVLP (Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës); dhe Bashkim Lami, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Bulqiza”. Për kontributin e tij, këta të fundit, në shenjë mirënjohjeje, e nderuan autorin me një Certifikatë Mirënjohjeje” për kontributin e tij në arsim dhe kulturë.
Në fjalën time u përpoqa t’i afrohesha temës me një qasje akademike të kuadruar në kritikën shkencore, duke e trajtuar veprën jo vetëm si rrëfim letrar e emocional, por edhe si dokument kulturor që meriton lexim analitik. Kjo qasje lidhet natyrshëm me përvojën time në kërkimin universitar, si dhe me pasionin e kahershëm për të shkruar mbi historinë e Luznisë, ku Hoteshi zë një vend të veçantë mes gjashtë fshatrave të kësaj krahine ende pak të eksploruar.
Sot, kur e rikujtoj atë promovim, mendoj se ndoshta duhej të kisha folur më shumë për këtë temë: për historinë, qëndresën dhe trashëgiminë e fisit tonë. Por njëkohësisht, besoj se shkrimi historik dhe kërkimi shkencor mbi fisin Murrja duhet të zgjerohet në botime akademike dhe revista shkencore që bëjnë filtrime dhe oponeca profesionale.
Fama e këtij fisi, që jeton në oda, në gojëdhëna dhe në folklor, ka qenë gjithmonë frymëzim për mua që të hulumtoj më thellë. Deri më tani, kontributet tona (të miat, të Xheladinit, të Skënderit dhe të Ilmit) janë botuar në gazetën Rruga e Arbërit — një hap modest, por i pamjaftueshëm për marrë vendin që meritojmë në histori.
Parë në këndvështrimin e misionit të edukimit të brezave, Skënder Murrja është pinjolli i parë i këtij fisi me arsim të lartë — një njeri që sfidoi kohën e vet dhe mbeti shembull për të tjerët. Ai është pasardhës i mësuesve të vjetër Bajram dhe Ibrahim Murrja. Ky mision ka vijuar me Mensur Murrja, Sali Murrja, Njazi Murrja, Xheladin Murrja, Bashkim Murrja, Ilmi Murrja, Shkëlqim Murrja, Rushit Murrja, Dritan Murrja e deri te Drilon dhe Ylber Murrja, Nurie Murrja, që mbartin sot stafetën në mësimdhënie (shumë ndjesë nëse kam harruar dikë).
Pengu i mësuesit Skënder ishte pamundësia për të punuar më gjatë në Luzni, vendin ku ai do të kishte dashur të jepte më shumë nga vetja dhe përvoja e tij. Por unë e shoh ndryshe dhe ndoshta më thellë kontributin e tij në Mat, Fushë-Alie, Katër Grykët dhe Bulqizë.
Në këto fshatra e qytete, emri i fisit Murrja njihej nga rrëfimet e brezave, por pak kush kishte pasur mundësinë të njihte nga afër një përfaqësues të tillë. Skënder Murrja e solli këtë emër me dinjitet dhe përkushtim, përmes dijes dhe punës së ndershme, duke mishëruar jo vetëm virtytet e fisit Murrja, por edhe vlerat më të pastra të arsimtarit luznak që shërbeu me pasion, pavarësisht se ku e çon jeta.
Në këtë libër, rikthimi nuk është udhëtim në hapësirë, por në kujtesë. “Po rikthehem në Hotesh” është mënyra e autorit për të takuar djaloshin që ishte dikur, për t’i shtrënguar dorën dhe për t’i thënë: “Ja, nuk të harrova.” Dhe ndoshta pikërisht kjo është vlera më e madhe e veprës: që na kujton se njeriu nuk mund të jetë plotësisht i ardhshëm, nëse nuk di të kthehet pas me dashuri.