ZYRA JURIDIKE E AVOKATIT YLBER DAUTIKa SHËNUAR REKORD NË NJU JORK/
* Verdict Search Report & New York Law Journal”, publikuan me 23 Dhjetor 2013 se Zyra Juridike e Av. Ylber Dauti, është e para në shtetin e Nju Jork-ut, që fiton dy vjet radhazi shumën më të madhe në kategorinë”Premises Liability”./
* Shuma e madhe e dëmshpërblimit e fituar nga Av. Dauti në favor të klientëve-dy fëmijëve shqiptarë,- shokoi gjykatësen, që nuk e firmosi vendimin për dy javë./
* Shuma e fituar nga Av. Dauti, për një klient shqiptar më 2013 është përfshirë në listën e “25 shpërblimeve më të mëdha në shtetin e Nju Jork-ut për të gjitha kategoritë Ligjore”
* Një batutë e Av. Dauti me George Sorosin për të kapërcyer një situatë të sikletshme/
* Karriera akademike: Avokati Dauti i përzgjedhur për të dhënë leksione në Amerikë dhe Europë./
NGA DALIP GRECA/
Avokati Ylber Dauti është një ndër të përzgjedhurit e komisionit seleksionues për Albanian American Success Stories, që organizohet me 3 maj në Battery Gardens, në qytetin e New Yorkut. Natyrisht se kjo përzgjedhje është mëse e merituar. Ylber Dauti është ndër avokatët e rinjë shqiptarë më të suksesshëm në Amerikë dhe Europë. Emri i tij ndeshet shpesh në median amerikane dhe shqiptare.Jo rrallë është përzgjedhur nga “Verdict Search Report & New York Law Journal” për rekordet e shkëlqyera. Avokati Dauti i ka të shumta rastet e fitoreve të çështjeve juridike një ose disa milionëshe, prandaj është klasifikuar si “Avokati milioner”.
Sa herë kam trokitur në studion Ligjore të avokatit Dauti, kam gjetur gjithmonë informacione të reja për betejat juridike të zhvilluara në gjykatat amerikane apo europiane. Në rekordet e fitoreve të tij janë regjistruara çështje të bujshme që kanë diktuar deri në ndryshim të ligjeve të Shtetit. Po cilat janë fitoret më të reja të avokatit? Në këtë artikull do të njiheni me: fitoren me shtatë shifra me një klient shqiptar para pak javësh, fitoren e një çeshtjeje delikate me dy fëmijë shqiptarë, të cilët kur të rriten do ta shohin veten se janë multimilionerë; fitorja maksimale me një klient amerikan, që u bë “milioner”, përfshirja më e fundit në “Verdict Search Report and New York Law Journal”, takimi me Geroge Soros, ku ai u përzgjodh për t’i dorëzuar një çmim special. Si është ndjerë avokati kur ka humbur betejën e parë gjyqësore para dhejtë vitesh? Çfarë emocionesh përjeton ai pas një beteje të zgjatur juridike? Përse e ka moto dhe përse ua rekomandon klientëve të vet thënien e Mark Twain, të cilën e ka të vendosur në një vend të dukshëm të zyrës së tij?: “Gjithmonë trego të vërtetën pasi kështu nuk do të harrosh se çfarë ke thënë.”!?
E reja më e fundit nga zyra juridike e avokatit shqiptar, The Dauti Law, PC, është një gjyq që përfundoi para pak javësh në Nju-Jork. Klienti i tij ishte një shqiptar i lindur dhe i rritur në Amerikë. Avokati më tregon se përzgjedhja e Jurisë pati një rastësi; një nga emrat e përzgjedhur qëlloi të ishte shqiptar, i ardhur në SHBA 20 vitet e fundit. Në periudhën dhjetëvjeçare që zhvillon gjyqe në Nju Jork, avokatit nuk i kishte qëlluar që të përzgjidhte asnjë shqiptar. Kjo rastësi e gëzoi, pasi mendoi se ai vetë si avokat shqiptar dhe klienti i tij shqiptar, do të ndjeheshin mirë, nga që do të krijohej një afrimitet, por ndjesia u shua shpejt; shqiptari i përzgjedhur u dorëhoq për shkak të anglishtes jo të mirë. Gjithësesi gjyqi vazhdoi me një përzgjedhje tjetër dhe çështja përfundoi pozitivisht. Shqiptari doli i kënaqur nga mbrojtja prej avokatit Dauti, jo vetëm prej shumës me shtatë shifra të dëmshpërblimit që fitoi, por edhe prej profesionalizmit dhe etikës së avokatit.
Para disa kohësh, në Janar 2014, një klient i avokatit Dauti botoi në gazetën“Dielli” një falenderim publik për mbrojtjen e shkëlqyer që ai u pat bërë dy fëmijëve të aksidentuar. Ia citova avokatit një shprehje të atit të fëmijëve, i cili i shkruante Diellit:” Kur të rriten dy fëmijët e mi do ta kuptojnë se secili prej tyre është multimilioner në saj të aftësive të një avokatit shqiptaro-amerikan,Ylber Dauti. Faleminderit avokat!”
I kërkoj më shumë detaje rreth atij gjyqi. Isha kurreshtar edhe për reagimin e gjyqtares, e cila në prani të përkthyesit shqiptar, kishte shfaqë habinë e shumës së dëmshpërblimit të kërkuar nga avokati.
Dauti i përgjigjet intersimit: Kjo ishte një çeshtje, sa interesante, aq dhe e vshtirë, pasi fëmijët kishin pësuar një aksident dhe askush nuk kishte parë se si kishte ndodhur aksidenti. Ata ishin shumë të vegjël dhe nuk mund të dëshmonin dhe shpjegonin se çfarë u kishte ndodhur. Pala e paditur pretendonte se mbrojtja nuk ishte në gjendje të provonte se ata ishin fajtorë për aksidentin pasi mungonin dëshmitë reale për mënyrën se si kishte ndodhur aksidenti.
Avokati Dauti punoi fort në mbrojtje të fëmijëve. Netë, javë e muaj shqetësime derisa ia doli; provoi në mënyrë të besueshme se pala tjetër ishte fajtore për aksidentin. Krahas provave të tjera, ai arriti ta bindë palën kundërshtare edhe përmes dëshmisë së dy ekspertëve: një psikologu fëmijësh dhe një inxhinieri civil. Shuma e dëmshpërblimit shokoi gjykatësen e çeshtjes,që u shpreh se “kurrë nuk kishte parë apo dëgjuar që një shumë kaq e madhe të jepej në një çeshtje si kjo, pasi – sipas saj – dëmtimet ishin fare të vogla.”
Gjyqtarja filimisht refuzoi të firmoste vendimin gjyqësor për Shumën e dëmshpërblimit dhe refuzimi i saj ishte i paprecedent. Në çeshtjet kur bëhet fjalë për dëmshpërblim fëmijësh që janë të pazotë të mbrojnë interesat e tyre, në bazë të ligjit, kërkohet gjithmonë përfshirja e Gjykatës për t’u siguruar që interesat e fëmijëve të mbrohen në mënyrë të kënaqshme dhe ndodh shpesh që Gjykata të ndërhyjë dhe të kërkojë nga pala tjetër të rrisë vlerën e dëmshpërblimit. Por në këtë rast po ndodhte e kundërta: Gjykatësja, Sharon Aarons, pretendonte se shuma ishte tepër e madhe dhe e pa justifikueshme. Por avokati nuk u tërhoq. Ai ishte i bindur se në fund ajo nuk mund të ulte masën e dëmshpërblimit pasi një veprim i tillë do të ishte kapërcim kompetencash dhe abuzim i pushtetit nga ana e saj. Ia bëri gjykatëses të qartë mendimin e tij duke i thënë se veprimi i saj nuk është parë apo dëgjuar kurrë më parë, jo vetëm në Nju Jork, por as në tërë Amerikën.
E pyes avokatin: Po nëse ajo nuk hiqte dorë nga këmbëngulja e saj për uljen e dëmshpërblimit, çfarë do të ndodhte?
Avokati duket tepër i sigurtë në arsyetimin e tij: Në rast se ajo do të ulte masën e dëmshpërblimit, atëherë,isha i sigurtë që Gjykata e Apelit do të rrëzonte vendimin e saj dhe ajo do përmendej për keq në faqet e para të të gjitha gazetave dhe revistave juridike në Amerikë. Përfundimish, pas një hezitimi prej rreth dy javësh, ajo u “dorëzua” dhe ra dakort të firmosi vendimin.
Sa ishte shuma e dëmshpërblimit? Avokati nuk jep shifra, por mjaftohet me përsëritjen e asaj çfarë kanë shkruar në letrën e falenderimit publik botuar në Dielli:“se kur fëmijët të rriten do ta kuptojnë se do të jenë multimilionerë….”. Veçse do të doja të shtoja, thotë avokati, “sidomos njëri prej tyre, do të ketë një shumë prej disa-milionësh, që ndoshta nuk ka nevojë të punojë fare në jetën e tij – kuptohet, në qoftë se ai dëshiron të mos punojë, por unë nuk do t’ia sugjeroja një gjë të tillë aspak.”
I përmend avokatit edhe një falenderim tjetër publik për Zyrën e tij nga klienti amerikan, Joseph Kramer, publikuar nga Dielli në Shkurt të vitit 2013. Bëhej fjalë për shperblimin më të madh gjyqësor për vitin 2012 në Shtetin e Nju-Jork-ut në kategorinë “Premises liability accidents’, siç shkruante gazeta New York Law Journal/ Verdict Search, publikuar në 19 dhjetor 2012.
Pas këmbënguljes time avokati sqaron se çështja në vetvete nuk kishte ndonjë gjë të veçantë përveç shumës së madhe të dëmshpërblimit, që iu dha klientit të tij. Por një gjë interesante kishte ndodhë në fund të çeshtjes. Këtë ia kishte treguar vetë klienti,z. Kramer. Ditën e mbylljes së çështjes, njëri nga avokatët e palës kundërshtare, James Cirrincione, i ishte afruar z. Kramer dhe i kishte thënë: “Urime, Z. Kramer. Ky është një shpërblim i padëgjuar dhe marramendës për një çështje si kjo – dhe unë të sugjeroj që t’i dërgosh një peticion Papës në Romë që të shënjëtërojë avokatin tënd, Z. Dauti! Z. Kramer, me të qeshur, ia kishte kthyer : “Në rast se Papa do shenjtëronte një avokat – Zoti do ta ndëshkonte, pasi asnjë avokat nuk e meriton shenjtërimin, sado i përkryer që të jetë.”
Dhe a e dini ç’ndodhi? Vetë avokati i palës kundërshtare, z. Cirrincione,i impresionuar me rezultatin, më vonë referoi një klientin e tij tek zyra e avokat Dautit dhe kërkoi që ai ta merrte përsipër mbrojtjen e çeshtjes së klientit të tij.
-Kjo më emocionoi, thotë Ylberi, pasi ai ma besoi një çështje të vetën. Mjafton të marrim në konsideratë faktin që z. Cirrincione është mbi 60 vjeç dhe ka punuar si avokat për rreth 40 vjet.
Sukseset e avokatit Ylber Dauti, shumat e mëdha të dëmshpërblimit dhe publiciteti ia kanë shtuar klientelën. A ndjehet i kënaqur që numëri i shqiptarëve është rritur dhe se ata përbëjnë më tepër se 50% të klientelës së zyrës.
Në bisedë me avokatin mëson se një betejë juridike mund të zgjasë me vite dhe séanca gjyqësore mund të zgjasë me javë të tëra…dhe në rast se palët nuk bien dakort përpara apo gjatë séancës gjyqësore atëherë Juria tërhiqet të marrë vendim në një dhomë tjetër. Ç’ndodh në raste të tilla?Procesi i pritjes së vendimit të Jurisë është një nga gjërat më të vështira sepse pas këtij momenti gjithçka është jashtë kontrollit të avokatit. Atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë, të lutet dhe të shpresojë. Jurisë mund t’i duhen orë apo edhe ditë për të marrë një vendim. Emocionet bëhen më të forta, koha kalon shumë ngadalë saqë minutat ndjehen si orë dhe orët- si ditë të tëra.
Po ç’është mbyllja me sukses e një beteje juridike?Para se t’i përgjigjet pyetjes, avokati duket i menduar, pastaj shton:- është një çlirim i papërshkrueshëm psikologjik dhe emocional. Është një kënaqësi e madhe kur puna kurorezohet me sukses dhe besimi i klientit tek avokati justifikohet. Në të njëtën kohë, në rast humbje, ndjenja që vjen pas është një torturë e vërtetë emocionale dhe psikologjike që zgjat shumë më tepër sesa ndjenja e fitores dhe që ndoshta nuk harrohet kurrë pasi gjithmonë do vazhdosh të analizosh strategjinë që ke ndjekur gjatë gjyqit dhe do mendosh se ku ke gabuar dhe çfarë do të kishte ndodhur sikur të kishe bërë diçka ndryshe…është një proces irracional vetëkritikues që ndoshta nuk përfundon kurrë.
Pyetja ime nëse ka ndodhur që të humbas ndonjë çështje, nuk e zë në befasi avokatin.
– Po, përgjigjet mendushëm,kam humbur betejën e parë gjyqësore. Edhe pse kanë kaluar mbi 10 vjet,ai mban mend çdo detaj të asaj çeshtje.Mund të ndodhë që përsëri ta provojë shijen e hidhur të humbjes, por betejë është, ka dy palë që përplasen, njëra do të fitojë, arsyeton Dauti.Ai mendon se humbja edhe pse e dhimbshme, është një e keqe e nevojshme pasi na kujton se jemi njerëzorë dhe jo hyjnorë dhe na bën që të ecim me përulësi me këmbë në tokë dhe jo të “fluturojmë” nga deliri i madhështisë.
Avokati Dauti, ka një sekret të fitoreve të veta në betejat juridike, respektimin absolut të së vërtetës. Mark Twain, krahas trashëgimisë si shkrimtar na ka lënë dhe një thesar me këshilla. Një ndër to, avokati e ka të shkruar në një pllakë dhe e ka vendosë në kënd të dukshëm të zyrës, që ta shohin dhe klientët. Këshilla është: “Gjithmonë trego të vërtetën pasi kështu nuk do të harrosh se çfarë ke thënë.” Për çështjet ligjore në të cilat është specialist, Dauti nuk i përzgjedh çështjet, nuk ka kriter refuzimi, përveç kriterit të së vërtetës. Në rast se klienti nuk ka “tendencën të harrojë” se çfarë ka thënë, atëherë ai është i gatshëm ta përfaqësojë.
Jo rrallë avokati shqiptar Ylber Dauti ka hyrë në rekordet e “Verdict Search Report and New York Law Journal”. Cila është arsyeja?
Ka qëlluar që çështja që ka mbrojtë ka qenë unike, siç ishte mbrojtja e një shqiptari nga Kosova, i cili një vit para aksidentimit, kishte marrë depërtim nga Amerika. Ligji i shtetit dhe ai federal binin në kundërshtim. Fitorja që arriti avokati qe e bujshme.Por ka ndodhë që të përfshihet aty nga që shumat e fituara përbënin lajm sensacional për komunitetin juridik, siç ishin shumat e mëdha të fituara në shtetin e Nju Jorkut për klientin amerikan në 2012 dhe klientin shqiptar në 2013 në kategorinë e “premises liability”. Verdict Search Report në bashkëpunim me New York Law Journal botuan më 23 Dhjetor 2013, listën e rezultateve të arritura në Nju Jork, rezultoi që për herë të parë në historinë e shtetit të Nju Jorkut, që kur ata filluan të publikojnë këto statistika, zyra e avokatit Dauti, ishte e para që kishte fituar për dy vjet radhazi shumën më të madhe në kategorinë e “premises liability”. Ka dhe një rekord tjetër: Shuma e fituar për klientin Shqiptar në vitin 2013, është përfshirë në listën e “25 Shpërblimeve më të mëdha të arritura në Shtetin e Nju-Jorkut në të gjitha kategoritë ligjore.”
Për avokatin Dauti, “sekreti” i fitoreve qëndron tek tri fjalë: Pasion, punë dhe fat! Njeriu duhet të ketë pasion për punën që bën se përndryshe nuk arrin të punojë aq sa duhet. Njeriu duhet të punojë shumë dhe të lerë sa më pak që është e mundur në duart e fatit. Por edhe pasi kemi punuar shumë dhe me pasion, duhet të shpresojmë dhe të lutemi që “era e fatit” të fryjë në drejtimin tonë – pasi në rast se fati nuk na ndihmon, ne mund të mos arrijmë çfarë dëshirojmë dhe meritojmë, ne fare mirë mund edhe të dështojmë në rast ai “fryn” kundra nesh.
Ylber Dauti është i pari avokat shqiptar, anëtar i përjetshëm i “Milion/Multimilion Dollar Advocates Forum” . Pyetjes sime nëse e ngacmon togfjalëshi ”avokat milioner”, ai i përgjigjet pozitivisht.Arsyet, më thotë, janë dy:e para, është e keqinterpretuar si shprehje pasi në të vërtetë të qenit i ashtuquajtur avokat milioner/multimilioner nuk do të thotë në vetvete se je avokat i zoti pasi ndodh jo rrallë që të kesh fatin të merresh me çeshtje me vlera milionshe dhe multi-milionshe – por kjo nuk do të thotë se je avokat i jashtëzakonshëm; thjesht faktet janë në favorin tënd. Së dyti, është shprehje e keqkuptuar, pasi ai është marrë me çeshtje me vlera milionëshe apo multimilionëshe – kjo nuk do të thotë aspak se ai vetë është milioner apo multimilioner. Edhe sikur të ishte kështu, shton; suksesi në përgjithësi, përfshirë edhe suksesin në profesionin juridik nuk mund dhe nuk duhet të matet kurrë me shuma parash. Ka njerëz shumë të zgjuar, të zotë dhe të sukseshëm, përfshirë këtu edhe avokatë shumë të zotë, që kanë dhënë kontribut të çmuar për shoqërinë por për shkak të natyrës së punës së tyre ata nuk kanë siguruar shuma të konsiderueshme. Do të ishte shumë paradoksale në rast se nuk do ti konsideronim këta njerëz si të suksesshëm, arsyeton avokati..
Zyra ligjore Dauti e shtrinë veprimtarinë e saj edhe jashtë Nju Jorkut. Kohët e fundit është marrë me çeshtje kontratash ndërkombëtare të biznesit për interes të klientëve nga Europa, Amerika Qendrore dhe e Jugut.
Nga një mik i avokatit pata dëgjuar për një vonesë të tij në një ceremoni të rëndësishme në Manhattan, që kishte të bënte me një nga filantropistët dhe njerëzit më të pasur në Botë, George Soros. Avokati e kishte kaluar situatën e sikletshme me një batutë. E pyes rreth asaj ceremonie dhe cila ishte arsyeja e ftesës për të qenë pjesë e asaj ceremonie. Cila ishte situata dhe batuta?Fillimisht, ai refuzon, duke thënë se kjo nuk ka të bëjë me zyrën Juridike të tij. Pas këmbënguljes time, tregon:Fondacion Mitteleuropa i bazuar në Zvicër i kishte akorduar Sorosit çmimin “Dr. Elmer Hantos Prize” për kontributin që filantropisti ka dhënë në zhvillimet demokratike pas rrëzimit të komunizmit në Evropën Lindore dhe Qendrore. Kryetari i fondacionit së bashku me Rektorin Akademik të Universitetit të Evropës Qendrore të bazuar në Budapest, Hungari (Central European University) e kishin ftuar edhe avokatin Dauti në atë ceremoni, si ish-student shume i sukseshem i këtij Universiteti, themeluar nga Sorosi. Ndërkohë që ata po prisnin së bashku me Sorosin, që të dorëzohej çmimi, fatkeqësisht avokati ishte bllokuar në trafik. Arriti me vonesë dhe ishte i sikletosur kur hyri dhe gjeti aty duke pritur George Soros, Presidentin e Fondacionit Zviceran dhe Rektorin akademik të Universitetit. Situatë e vështirë. Ishte skuqë nga turpi. Kërkoi ndjesë nëpërmjet një batute- duke i shtërnguar dorën, i thotë Sorosit; Ju jam shumë mirënjohës për çfarë keni bërë për të gjitha vendet ish-komuniste në përgjithësi dhe për mua personalisht.Sikur Ju të mos më kishit krijuar mundësinë e marrjes së bursës për studime në Budapest nëpërmjet fondacionit të tuaj – unë fare mirë mund të isha bari në malet e Shqipërisë dhe jo avokat në Nju Jork…dhe me të qeshur, kishte shtuar: siç thotë një shprehje popullore “mund ta largosh fshatarin nga fshati, por nuk mund ta largosh fshatin prej fshatarit”… edhe pse Ju arritët të më largoni mua nga fshati, nuk arritët të largoni mentalitetin e fshatarit nga unë dhe ky është i vetmi shpjegim që kam për vonesën time.Të gjithë kishin qeshë dhe Sorosi vetë ishte sjellë me përzemërsi…
Avokati Ylber Dauti ka nisë ta pasurojë edhe karrierën akademike. Ka disa vite që ai ftohet të japë prezantime, ligjerata në Iaccoca Institute dhe Lehigh Univeristy në Pensilvani. Prezantime kanë të bëjnë me diskutimin e eksperincave në fushën e ligjit dhe biznesit ndërkombëtar. Kohët e fundit ka marrë një ftestë edhe nga një universitet evropian, Tilburg Univeristy në Hollandë, që të japi leksione dhe seminare për studentët ndërkombëtare të atij universiteti në fushën e përpilimit dhe negocimit të kontratave në përgjithësi dhe atyre të biznesit ndërkombëtar në veçanti.
Pyetjeve për kohën e lirë dhe hoby, avokati i shmanget.Veçse nuk e fsheh se udhëtimet i pëlqejnë shumë. Udhëtimi i fundit ishte muajin që shkoi në Argjentinë. Ka vizituar Ujëvarën e Iguazu, që është ujvara më e madhe dhe një nga Shtatë Mrekullitë e Botës. Gjithashtu ka viztuar dhe Akullnajën e Perito Moreno, që është akullnaja më e madhe pas Antarktitës dhe ndhodhet në cepin më jugor të Argjentinës, në krahinën Patagonia, që ndryshe njihet edhe me emrin ‘Fundi i Botës’ pasi poshtë asaj zone ka vetëm oqeane dhe pastaj vjen Antarktida e mbuluar me akull.
Kur e pyes për vendlindjen, ndjehet i brengosur. Gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, ka konstatuar njëfarë ndjesie pajtese të qytetarëve me idenë se politika dhe burokracia shtetërore janë të korruptuara dhe se një gjë e tillë ka filluar të konsiderohet normale. Kjo e ka shqetësuar dhe e ka alarmuar.Ai mendon se pajtimi i shoqërisë me korrupsionin e elitës politike përbën një fenomen shumë të rrezikshëm për shoqërinë dhe shtetin. Në rast se populli pajtohet me idenë se është normale që drejtësia, politikanët dhe përfaqësuesit e zgjedhur të korruptohen kur vijnë në pushtet, atëherë, rotacioni politik që realizohet nëpërmjet zgjedhjeve elektorale do të jetë një proces pa pasoja, ç’ka do të sjellë degradimin e shoqërisë dhe shtetit. Në rast se populli pajtohet me fenomenin e korrupsionit atëherë rotacioni i pushtetit nuk do të sjell asnjë ndryshim pozitiv – është njësoj sikur të përpiqesh të luftosh një plagë permanente duke e mbuluar me fasho të përkohshme.(Dielli-Arkiv)
hgdghd says
deri tani kemi njohur avokate rileter broker me kombesi shqipetare qe ia kane ngjeshur shqipetareve por mund te kete edhe shqipetare te mire