• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shuhet në New York Haxhi Gashi (1934-2021)

March 8, 2021 by dgreca

-Njoftimi i familjes Gashi:E pamja (e kufizueme për shkak të pandemisë) do të jetë të mërkurën me 10 mars nga ora 4:00 PM – 8:00 PM/

Nga Neritan KOLGJINI/*

Iku prej kësaj bote nji ndër njerëzit ma të virtytshëm e të paqtë që unë kam njoftë, përfaqësues tipik i brezit të martirizuem nën diktaturën komuniste, Haxhi Haziz Gashi.

Mbas nji stërmundimi të gjatë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, të shkaktueme prej Alzheimer’s/dementia, ai mori frymë për herë të fundit në orën 11.15 P.M. të datës 7 mars 2021, në nji spital në Rockland County, New York.

Ishte 86 vjeç, prej të cilave 42 i kishte kalue nën diktaturën komuniste. 

Me këtë diagnozë kishte vite që vuente, por dy vitet e fundit, shëndeti i tij u dobësue shumë, edhe për shkak të humbjes së kujtesës.

Përgjatë kësaj kohe, ai asht trajtue në shtëpi, i rrethuem me përkujdesjet e bashkëshortes dhe të resë, e gjithashtu edhe të djemve, nipave, mbesave të brezit të afërt, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk po ua përmend emnin. Nuk pati nevojë me u shtrue në spital, përveç ndonji rasti të rrallë për kryemjen e kontrolleve mjekësore. I ushqyem me dashuninë njerëzore të familjarëve, ai mundi me i rezistue sëmundjes për nji kohë bukur të gjatë, saqë dukej sikur do t’i mbijetonte edhe vetë vdekjes.

Por paracaktimit të fatit nuk i shpëton askush. Kështu, edhe ky shpirt i paqtë, ma në fund mbylli sytë e u largue kësaj bote, tue lanë mbrapa nji boshllëk të pariparueshëm.

Për ne, ai ishte Lala Haxhi, nji ikonë e mirësisë njerëzore, nji erudit, nji enciklopedi e gjallë. Kohët e fundit vuejti fizikisht për shkak të sëmundjes, e cila kishte goditë fort edhe trunin e tij e sistemin nervor. Tashma ai nuk ishte në gjendje me krye as nevojat fiziologjike, nuk mundej me ngranë ushqim, madje as ujë nuk mundej me pi, pa rrezikue me u mbytë.Vetëm në këto kushte, familjarët u detyruen me e dërgue me urgjencë në spital në datë 15 shkurt 2021.

***

Megjithëse ishte nji njeri me strukturë fizike të imët, ai kishte nji energji të jashtëzakonshme dhe mundej me përballue fizikisht ecjen në distanca të gjata, për disa orë, pa u lodhë. Edhe pse nuk të jepte përshtypjen e nji njeriu të përgatitun fizikisht, – sepse ma shumë të dukej si nji profesor universiteti, sesa nji alpinist, – ai kishte në të vërtetë nji forcë të mahnitshme për staturën e tij trupore.

Ajo që bante ma fort përshtypje te ky burrë, ishte qetësia tipike, toni karakteristik i zanit, e folmja e tij e shtruet dhe e kujdesshme, aura e tij që rrezantonte fisnikëri, dhe sidomos sytë e gjallë, që reflektonin një inteligjencë natyrale. 

Me ngrohtësinë që përcillte dhe sjelljen e tij të butë, të bante menjiherë për vete, sidomos ne fëmijët. 

***

Haxhi Gashi u lind në Nangë, Lumë, në 16 qershor 1934. Në moshën 6 vjeç mbeti jetim për shkak të vdekjes së nanës.

Shkollimin e bani në Bicaj deri në moshën 11 vjeç, kur fati i tij do të merrte një kthesë të fortë.

Në këtë kohë internohet familjarisht në kampin e shfarosjes së Beratit, për shkak të aktivitetit antikomunist të babës së tij, Haziz Agës, i cili ishte pjesë e grupeve të rezistencës antikomuniste në veri të vendit (1944-1946).

Ai i mbijeton atj ferri në kampin e Beratit por i vdes i nipi, (djali i Ganiut, Lutfiu) dhe vajza e dajës, Kadishja, e bija e Prof. Miftar Spahisë.

Por persekutimi i familjes së Haziz Gashit, prej komunistëve kishte nisë para se me ardhë në pushtet kjo skotë barbare. Në shtator 1944, partizanët (banditët) e Brigadës V-të dogjën disa fshatna të Lumës, ndër to edhe Nangën. 

Shtëpitë e Haziz Gashit u dogjën qysh në fillim. Pasunia iu konfiskue: lopë, dhen, qé, kuaj, drithë, nozullime etj.. Çfarë mbeti, iu vu flaka. Ramadan Cena tregon për nji serb, në radhët e terroristëve komunistë me mbiemnin Mihajloviç që kishte qenë prezent kur u dogj shpija e Haziz Gashit, të drejtuem prej kriminelëve Shefqet Peçi e Ramiz Alia, – i cili paska rrëfye se: “më erdhi keq se si e dogjën nji shtëpi në Nangë. Shqiptarët, shum të pashpirt. Unë mundohesha me i nxjerrë prej zjarri disa sexhade, shqiptarët i fusnin në flakë.”

Persekutimi komunist ndaj kësaj familjeje vazhdoi deri në ditët e fundit të regjimit gjakatar, qoftë përmes etiketimit si familje “kulake”, qoftë përmes mohimit të të drejtave elementare siç janë shkollimi, strehimi, punësimi, kushtet bazike jetësore etj.

Mbasi kryen ushtrinë në xhenio, Haxhiu nis punë në ndërmarrjen shtetnore “Rruga-Ura”, e cila njihej si ndërmarrje e “reaksionarëve”, për shkak se ishte e mbushun me djem e burra nga familjet e persekutueme prej regjimit.

Por as aty nuk e lanë gjatë, dhe ai detyrohet të kthehet në vendlindje, ku ishte i detyruem me punue në kooperativë.

Martohet me Sanije Tahir Kolgjinin me të cilën pati 5 fëmijë.

Familja e Haxhiut ishin të gjithë pa “triskë fronti”. Kjo ishte edhe ma e randë se nji dënim me burg. Brezi i vjetër e ka shumë të qartë faktin se në atë kohë, për çdo nevojë jetësore, njeriu duhej me iu drejtue organeve të pushtetit. Mospasja e triskës së frontit ishte nji dënim i pashpallun.

Për shkak se ishte natyrë shumë e rezervueme dhe nuk hapej me njeri, Haxhiu ndiqej sistematikisht prej njerëzve të Sigurimit të Shtetit. Për ta ai përbante nji rebus të pazbërthyeshëm.

***

Pa triskë fronti, pa mundësi ekonomike, me fëmijë me talent, të cilëve nuk u jepej e drejta e shkollimit, ai merr vendimin e arratisjes prej ferrit komunist.

Kështu, në natën e 29 majit 1986, Familja e Haxhi Gashit, mbas nji marshimi prej mbi 8 orësh, kalon kufinin ndërmjet RPSSH dhe RFSJ-së, në pikën që njihet me emnin Kallabak. Del në Restelicë, prej aty në Prizren. Mbas nji qendrimi prej pak muejsh në kampin e refugjatëve në Beograd, zhvendoset përfundimisht në SHBA, me 20 nandor 1986.

Arratisja e familjes së Haxhi Gashit bani nji bujë të madhe në opinionin e kohës dhe diskreditoi krejtësisht propagandën komuniste për “jetën e lumtur në regjimin socialist”. Bashkëfshatarët e Haxhiut dhe gjithë njerëzit e krahinës së Lumës, nisën të mendojnë rreth shkaqeve që e kishin shty këtë njeri të urtë, me ndërmarrë nji vendim gati ekstrem e me rreziqe seërioze për jetën.

Njerëzit e kthjellët i jepnin plotësisht të drejtë për këtë veprim gati heroik. Ndërkaq regjimi do të vijonte ndjekjen e tij edhe mbas arratisjes. Në nji dokument të marrë nga dosjet e Sigurimit, paraqitet me hollësi plani për me krijue kushtet që ai të kthehej mbrapsht prej autoriteteve jugosllave. (Për ma tepër, shih materialin bashkëlidhun).

***

Jeta në SHBA do t’i ofronte mundësi të pamata kësaj familjeje të martirizueme. Fëmijët shkollohen të gjithë në universitete të njohun në gjithë botën si Princeton dhe Columbia. 

Për strehim e punësim, – të përkrahun edhe nga miqtë e familjes si Asllan Zeneli, Prof. Miftar Spahija, Ramadan Cenaj dhe Dali Lita, – munden me u sistemue pa problem.

Vetë Haxhiu, megjithëse në moshë të madhe, mbasi mëson gjuhën angleze, hyn në shkollë të mesme dhe ia del me përmbushë këtë andërr të rinisë së vet, në vitin 1994. (Bashkëlidhun foto e diplomës).

Në SHBA, ai asht angazhue rregullisht në çdo aktivitet apo demonstratë që asht organizue prej diasporës antikomuniste, kundër regjimit gjakatar të Tiranës apo në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Mbas çlirimit të Kosovës, në 1999, ai pak kohë ma vonë viziton Prizrenin, që për lumjanët asht si nji vend i shenjtë pelegrinazhi.

***

Haxhiu ka pasë nji natyrë studioze qysh në rininë e vet. I pajisun me nji vullnet të çeliktë për me zhvillue dijen e vet ai lexonte çdo tekst që mundej të gjente. Libra, gazeta, revista apo emisione në radio. Përmes korrespondencës apo bisedash me personalitete të kohës së vet, me të cilët vendosi kontakte në SHBA, ai krijoi profilin e tij si nji njeri i formuem intelektualisht, pavarësisht vështirësive që kishte pasë në jetë, sidomos sa i përket shkollimit.

Ndiqte me vëmendje ngjarjet e zhvillimet politike dhe mundej me ba analiza e prognoza interesante që gjenin vërtetësi në vijim.

Gjatë kohës që jetonte në ferrin komunist, ishte i famshëm për metodat që përdorte me ndjekë “Zërin e Amerikës” në radio, apo burime të tjera informacioni.

Nji fakt tjetër që e kam të dëshmuem personalisht, ai kishte nji tërheqje të pazakontë drejt zbulimeve shkencore. Të dukej e habitshme se si nji njeri i mbyllun mes 4 mureve të shtëpisë së vet, zotnonte informacione të fundit mbi shpikjet apo të rejat e shkencës.

***

Haxhiu ban pjesë në atë që po quhet “brezi i artë” i antikomunistëve, të cilët po shuhen dalëngadalë për shkak të moshës. Janë ajo elitë burrash e grash që i rezistuen regjimi gjakatar për 45 vjet rresht. Në njifarë mënyre, janë fisnikëria e këtij vendi, të cilët sakrifikuen gjithçka për me ndryshue sadopak për mirë gjendjen e këtij vendi dhe me iu ba barrikadë atij yryshi drejt humnerës ku donin me na hedhë komunistët.

Por, për ironi të fatit, kjo shtresë fisnike, kjo aristokraci morale, me të cilët do të krenohej çdo komb në botë, asht pak e njohun ose pothuejse e panjohun për masën e gjanë.

Lamtumirë lala Haxhi, ti ike në rrugën pa kthim, tue na lanë nji pikëllim të thellë në shpirt e në zemër. Shpirti yt i bardhë u baftë dritë për ne dhe brezat e ardhshëm.

***

Ma poshtë një dokument i nxjerrë nga dosjet e Sigurimit të Shtetit

Propozim

Për të disinformuar zbulimin jugosllav ndaj të arratisurit Haxhi Gashi

Me datën 29.91986, u arratis në Jugosllavi, nga fshati Nangë e rrethit të Kukësit, Haxhi Gashi së bashku me të shoqen, tre djem dhe vajzën. Djali i madh i tij, Luani, ka punuar puntor në minjerën e Kalimashit, ndërsa i dyti Ylberi ishte ushtar i vitit II-të në Tiranë. Si familje është e njohur në të gjithë rrethin dhe kryesisht në zonën e Lumës si e deklasuar dhe lidhje e të arratisurve e sidomos gruaja e tij e cila është vajza e Tahir Kolgjinit, i arratisur dhe me aktivitet kundër Shqipërisë.

Me qëllim për ta disinformuar zbulimin jugosllav rreth arratisjes së kësaj familje e për të hedhur dyshime ku të bëhet e mundur kthimi i tyre në Shqipëri, apo të mirren masa izolimi e burgosje, propozojmë të kryhen këto veprime:

1.Bp (bashkëpunëtori – shën.im) “Besniku” ka në Kalisht të Gostivarit hallën e tij me të cilën mban korrespondencë. Burri i hallës, Tahir Kalishti, na del se është agjent i organeve të UDB-së.

Mendojmë që të mirret takim me këtë b.p., t’i thuhet që t’i bëjë një letër familjare hallës së tij dhe ndër të tjera t’i shkruajë:

“……..”.

2. B.p. “Besa” mbanë korrespondencë me lidhjet e tij në Prizren, ku këta lidhen me të arratisurin Isuf Fejz Rata.

Mendojmë që të mirret takim dhe me këtë bp. dhe t’i thuhet që t’i shkruaj një letër lidhjes së tij në Prizren, e cila të jetë familjare dhe e zakonshme e ndër të tjera të shkruajë:

“……..”.

3.Nga ana e jonë është miratuar për të shkuar vizitor në Prizren bp. “Kufitari” tek të afërmit e tij.

Veç të tjerave, këtij bp. do t’i jepet edhe kjo detyrë:

Në biseda të rastit që do të bëjë me lidhjet e tij, t’u thojë se para disa ditësh është arratisur në Jugosllavi Haxhi Gashi me fëmijët, për të cilin të gjithë habiten, se si erdhi këtu kjo familje sepse, megjithëse ka qenë e prekur nga ai pushtet, është trajtuar mirë. 

(….)

  • Dielli i percjell ngushellimet me te thella z. Mithat Gashi per humbjen e babait te tij te dashur. Pushofte ne Paqe!

(shënim: ky dokument është nxjerrë nga dosjet e Sigurimit për vjehrrin e Haxhi Gashit)

NJOFTIMI I FAMILJES GASHI

Familjarë, miqë e dashamirë, ju lajmërojmë se dje në New York, me datën 7 Mars, 2021 në ora 23:15, Haxhi Haziz Gashi (bashkëshorti, baba, vllau, e gjyshi) ja dha shpirtin Zotit, Atij që ja dhuroi në qershor të vitit 1934.

E pamja (e kufizueme për shkak të pandemisë) do të jetë të mërkurën me 10 mars nga ora 4:00 PM – 8:00 PM në:

Pizzi Funeral Home

120 Paris Ave,

Northvale, NJ 07647

Varrimi do të bahet ditën e ejte me 11 mars në oren 11:00 AM në:

Laurel Grove Cemetery

295 Totowa Rd, NJ 07512

Filed Under: Opinion Tagged With: Haxhi Gashi, ne New York

Nipi i dom Lazer Sheldise ne New York

December 20, 2017 by dgreca

2 Varri25498066_1770560556341310_1046533610566599579_n1 dom Pjetri i pret1 Biblioteka

Nipi i dom Lazër Sheldisë viziton dhe vendos lule në varrin e axhës së tij në New York mbas shumë vitesh/
Nga Klajd Kapinova/ Bronx, New York. Këto ditë ishte për një vizitë në kishën katolike shqiptare Zoja e Shkodrës dhe kishën katolike amerikane italiane shën Lucia meshtari i ri dom Nikolin Toma (Sheldija), i cili, kishte ardhur nga Shkodra, për të rikthyer në vendlindje dorëshkrimet e axhës së tij meshtarit dom Lazër Sheldija.
Në kishën amerikane italiane dom Nikolini u mirëprit nga meshtari shqiptar dom Nikolin Pergjini, i cili, prej disa vitesh shërben si famullitar në këtë kishë klasike italiane, duke thënë meshën në shumë gjuhë të botës, për komunitetin e madh multi etnik këtu.
Dom Nikolini, sapo ishte kthyer nga një udhëtim dhe vizitë në kishat katolike shqiptarë të shën Palit e shën Pjetrit në Rochester Hills dhe kisha katolike Zoja Pajtore e Shqipërisë në Detroit të shtetit të Michigan-it, ku është takuar ngrohtësisht me meshtarët respektivë dom Fred Kalaj dhe dom Ndue Gjergji.
Të dielën e kaluar nipi i dom Lazër Shëldisë, meshtari nga Malësia e Shkrelit dom Nikolini tha një meshë për komunitetin shqiptar pranë kishës katolike Zoja e Shkodrës në Hartsdale New York.
Ditën e marte mbasdite ai u takua dhe zhvilloi një bisedë të ngrohtë në zyrat e famullisë me meshtarin, liderin dhe aktivistin e palodhur të komunitetit katolik shqiptar Të Përndershimin dom Pjetër Popaj dhe shoqëruesit e mikut nga Shkodra aktivistët e komunitetit tonë, studiuesi dhe publicisti Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova editor i revistës kulturore Jeta Katolike, e cila botohet në New York prej vitit 1966.
Me një mikpritje tradicionale bujare si në sofrat e njohura tipike shqiptare deri me raki të mirënjohur nga Skrapari, dom Pjetri, në fjalën e tij mbasi falënderoj meshtarin për vizitën e njohu atë me historinë e kishës katolike shqiptare në New York.
Ndër të tjera, dom Pjetri, foli fjalë shumë të mira për meshtarin dhe mikun e tij dom Lazër Sheldinë, për të cilin ruante shumë kujtime të bukura.
Ai tha se dom Lazri dhe mons. dr. Zef Oroshi vinin nga Shqipëria e cila ishte e mbyllur dhe shtypur dhunshëm nga komunizmi dhe diktatura e Enver Hoxhës, e cila brutalisht kishte ndaluar ushtrimin e fesë, dhe po masakronte klerin katolik dhe popullin shqiptar, duke e kthyer Shqipërinë në shtetin e vetem ateist në botë.
Meshtari Popaj, shtoi se: “Dom Lazri i donte shumë shqiptarët këtu, sepse kishte mall për vendlindjen. Ai kishte një zemër të pastër dhe shumë bujare. Meshtari kishte një pasion për letërsinë dhe në veçanti për poezinë. Ai shkruante poezi dhe kishte dëshirë t’ia lexonte miqëve të tij, që vinin për ta vizituar në shtëpinë e tij. Dom Lazri i donte librat dhe kishte një bibliotekë shumë të pasur. Kur dom Lazri kaloi në amshim, një ditë famullia ku ai shërbente na telefonoi që të merrnim librat e bibliotekës së tij, të cilat i ruajmë edhe sot në kishën tonë në këtë dhomë që ju shihni tani. Dom Lazri, kishte një ëndërr të madhe për t’i bashkuar të gjithë shqiptarët rreth shtëpisë së Zotit. Ai ishte një mikpritës dhe bujar shembullor. Çdo emigrant që ka shkuar për të kërkuar ndihmë tek ai, i ndihmonte pavarësisht besimit fetar që ata kishin, mjafton që ata të ishin shqiptare, sepse e kuptonte shumë mirë se rruga dhe mundimet e emigrantëve nuk kanë të sosur… Zona e Sheldisë së Shkodrës nga ai vinte, ka nxjerrë shumë meshtarë të nderuar dhe respektuar në trojet shqiptare dhe jashtë saj. Një prej tyre jeni edhe ju dom Nikolin, që po ecni nën shembullin e axhës tuaj, duke sherbyer si meshtar në Malësi të Shkrelit… Zoti ju ndihmoftë dhe ju falënderojmë edhe një herë për vizitën tuaj!”
Gjatë gjithë kohës së udhëtimit me makinë drejt varrezave katolike në Saint Raymond’s Cemetery (is a Roman Catholic cemetery at 2600 Lafayette Avenue in the Throggs Neck and Schuylerville sections of the Bronx, New York City, United States), studiuesi dhe publististi Tomë Mrijaj tregonte episode me shumë kujtime plot emocione të bukura, që ai kishte përjetuar gjatë bisedave me meshtarin dom Lazër Sheldinë dhe mikun e dashur të tij mons dr. Zef Oroshin (1989-1912), themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare, Qendrës Shqiptare dhe revistës kulturore Jeta Katholike Shqiptare (1966, sot vijon të botohet me emrin Jeta Katolike).
Për më tepër, studiuesi dhe publicisti Mrijaj, në një monografi historike shkencore kushtuar klerikut në emigracion mons. dr. Oroshit, me titull: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, (Jetëshkrim), New York, 2009, për jetën dhe veprimtarinë fetare e atdhetare të meshtarit dom Lazër Sheldija, për herë të parë, ka shkruar një jetëshkrim historik prej 20 faqesh, të botuar në librin e cituar më lart.
Studiuesi Mrijaj, ndër të tjera tha, se: “Dom Lazër Sheldija, mbas 10 vitesh si misionarë në shërbim të Krishtit në Brazil (Amerika e Jugut), niset me një vizë turistike për në SHBA. Ishte vera e vitit 1973, kur ai zbriti për herë të parë në Californi, i ftuar nga një ish shok i klasës kur ishte me studime në Itali. Sërisht, me avion ai niset për një udhëtim drejt New York-ut, ku qëndron për disa muaj tek disa miq dhe të njohur të tij në Brooklyn dhe Manhattan. Meqenëse dom Lazri kishte ardhur për vizitë turistike, vendos të jetoj në SHBA, nga dëshira e madhe për të qëndruar pranë bashkëkombasve të vet, mbasi në Brazil nuk kishte pasur fatin të njihet me shqiptarë. Mbasi i rregullon dokumentet e nevojshme të rezidencës, ai stabilizohet (vendoset) në fillim në Brooklyn pastaj në Bronx, NY, ku fillon ti shërbyei komunitetit katolik shqiptar në New York, në kishën amerikane Holy Rossary në Eastchester Road, Bronx, NY. Ai u interesua për formimin e Qendrës së Dytë Katolike Shqiptare shën Pali e Shën Pjetri, gjë që e vazhdoi deri sa humbi jetën tragjikisht. Për këtë tragjedi të madhe mediat ameikane kanë shkruan shumë…”
Falë bujarisë së tij karakteristike tipike shqiptare Tomë Mrijaj na fton për një vizitë në shtëpinë e re në Upstate New York, të cilin meshtari mik nga Shkodra e bekoi mbas vizitës së tij.
Dom Nikolin Toma (Sheldija), është nipi i meshtarit dom Lazër Sheldia, të arratisur nga Shqipëria gjatë komunizmit. Ai mbas shumë vitesh viziton dhe vendos lule në varrin e axhës së tij në New York. Dom Nikolini, është meshtar në kishën e Shkrelit dhe njëkohsisht kryen detyrën e Vikarit të Përgjithshëm, pranë Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës, ku shërben kryeipeshkëvi arbëresh Shkëlqësia e Tij imzot Angelo Massafra.

Kush është seminaristi i arratisur nga komunizmi dom Lazër Sheldia (1928-1988)?

Ai ka lindur më 15 janar 1928, në fshatin Sheldi, jo shumë kilometra larg nga qyteti i Shkodrës. Poeti i embëlsisë, martiri i shenjtë dom Ndre Zadeja, duke pikatur talentin dhe zellin për libra të Lazrit të vogël e ndihmon për të vijuar studimet për meshtari në Shkodër.
Në vitin 1941 ai filloj jetën studentore si seminarist jezuit, ku del me rezultate shumë të mira në mësime. Me mbylljen e seminarit, pas ardhjen në pushtet nga komunistët ateist, studenti Sheldia rregjistrohet në gjimnazin e shtetit dhe më vonë bëhet mësues.
Meqenëse në shkollë ai fliste për vlerën pozitive të doktrinës kristiane, ai bie në sy të forcave të Sigurimit të shtetit komunist, të cilët e kishin futur në rreth të kuq për ta arrestuar.
Duke e nuhatur rrezikun që e priste, ai mendoi të arratisej nga Shqipëria. Dhe një ditë ëndrrën e bëri realitet, duke shkuar drejt botës së lirë në ish Jugosllavi dhe më pas në vitin 1954 shkon në Vjenë (Austri). I riu Lazër për tu bërë meshtar shkon në Itali, ku regjistrohet në Universitetin e Urbinos, Propaganda Fide.
Në vitin 1960 ai bëhet meshtar. Duke parë nevojën e emigrantëve për meshtarë Selia e Shenjtë e emron meshtarë kapelan i shqiptarëve për Europën Perëndimore.
Tre vjet më vonë, në vitin 1963 ai dërgohet si misionar i Krishtit në arkidioqezin e Rio De Janeros në Brasil, ku punoi deri në vitin 1973.
Në muajin mars të vitit 1973 dom Lazri vjen në Californi (SHBA), ku qëndron 6 muaj dhe më pas udhëton drejt New York.
Nga viti 1973-1988, qëndroi në New York, ku për 15 vjet i shërbei komunitetit amerikan dhe shqiptarë, në kishën Holy Rossary, në Eastchester Road, Bronx, New York.
Më 22 nëntor të vitit 1988, ai gjendet i vdekur në shtëpinë e tij nga Policia e shtetit të New York. (NYPD). Ai varroset me nderime dhe respekt nga komuniteti shqiptaro amerikan, në varrezat katolike në Saint Raymond’s Cemetery, Bronx, NY.
Në rrasën e varrit të misionarit të Krishtit dom Lazër Sheldia gjendet e shkruar në shqip ky epitaf: “Në Përkujtim të Përjetshëm të Misionarit Katolik.”
Më 30 qershor 2005, në fshatin e lindjes në Sheldi të Shkodrës, u përurua monumenti i martirëve, që kanë shërbyer në Sheldi, ku tre pëllumba të bardhë simbolizojnë tre meshtarët: Dom Ndre Zadeja, dom Dedë Maçaj dhe dom Lazër Sheldia.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Klajd Kapinova, ne New York, Nipi i dom Lazer Sheldise

Deni Hoxha, i ftuari special në eventin e Rita Orës në New York

July 19, 2017 by dgreca

Deni Hoxha është drejtues i organizatës “Team Albanians”, përmes së cilës promovohen vlerat dhe turizmit shqiptar jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe në botë. Gjithashtu, Deni ishte një nga 4 studentët të përzgjedhur nga të gjitha Shtetet e Bashkuara, i cili foli rreth studimeve (arabisht) në Jordani gjatë verës, nëpërmjet programit NSLI-Y i financuar nga Departamenti i Shtetit/

1 deni rita1 rita deni motra2 Rita

Nga Zina Tosku/TIRANE, 18 Korrik/ATSH-Z.Tosku/-Superylli shqiptar me famë botërore, Rita Ora ka zhvilluar mbremjen e kaluar,  një event në New York për lancimin e këngës së saj më të fundit në Amerikë.

I pranishëm në këtë aktivitet ka qënë edhe Deni Hoxha, 17-vjeçari për të cilën kanë shkruar mediat e huaja dhe ato shqiptare.Si një ndër miqtë më të mirë të Rita Orës, Deni dhe motra e tij Iva kanë realizuar një sërë fotosh, ku shihet se kanë bërë simbolin e shqiponjës, për të treguar për origjinën e tyre shqiptare. Edhe pse me famë botërore, ylli botëror nuk lë asnjë mundësi pa shfrytëzuar, për të treguar se është shqiptare.

Deni Hoxha është drejtues i organizatës “Team Albanians”, përmes së cilës promovohen vlerat dhe turizmit shqiptar jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe në botë. Gjithashtu, Deni ishte një nga 4 studentët të përzgjedhur nga të gjitha Shtetet e Bashkuara, i cili foli rreth studimeve (arabisht) në Jordani gjatë verës, nëpërmjet programit NSLI-Y i financuar nga Departamenti i Shtetit. Aktualisht, ai ka fituar studimet në universitetin më të mirë në botë, Harvard.

Rita Ora kështu vjen me projekt të ri muzikor pas dy vitesh. /z.t/ /a.g/

Filed Under: Featured Tagged With: Deni Hoxha, ne New York, Rita Ora

Nga refugjat lufte i Kosovës, te “Bloomberg”-u në New York

July 6, 2017 by dgreca

Rrëfimi i Gazmend Gjonbalajt: nga refugjat lufte i Kosovës, te “Bloomberg”-u në New York/1 GAZMEND-GJONBALAJ-1Nga Saimir Sulaj, Washington/

Ishte vetëm 22 vjeç kur lufta në Kosovë e detyroi të niste jetën e refugjatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me familjen. Ëndrra për suksesin në Kosovën e tij të dashur iu pre në mes. Por teksa një ëndërr po i shuhej, një tjetër lindi papritmas dhe iu bë realitet falë punës së palodhur e sakrificave. Historia e tij, është ajo klasikja e një shqiptari të përvuajtur që korr sukses në një vend të huaj e të madh, siç është Amerika, por që nuk harron as vendlindjen dhe kontribuon përditë për të. Talenti dhe angazhimi iu shpërblyen shpejt dhe tashmë ka arritur majat, duke punuar në pozicion drejtues për kompaninë e famshme financiare në New York e kudo në botë, “Bloomberg”. Me Gazmendin u takuam në kryeqytetin amerikan, Washington, D. C., në një prej vizitave të tij të shpeshta, si anëtar i bordit të drejtorëve të “American Councils” që ndihmon studentë nga 80 shtete të ndryshme të botës, mes tyre edhe Shqipëria e Kosova, për studime në Amerikë.

Gazmend, mund të na tregosh pak më shumë për kompaninë “Bloomberg” ku ju punoni? Çfarë është “Bloomberg” për ata që nuk e njohin dhe si arriti kjo kompani që të bëhet kaq e famshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Ju faleminderit shumë së pari për ftesën dhe për rastin që më jepet që t’ju drejtohem lexuesve tuaj! Kompania “Bloomberg” është një ndër kompanitë kryesore që jep informacione për financë. Çdo kompani financiare dhe çdo qeveri botërore ka sistemin e “Bloomberg” ku marrin informacionet për tregjet dhe çfarë ndodh në të gjithë botën. “Bloomberg” ka dhe shumë anë të tjera. Ka anën mediatike. Ka televizion, radio dhe gazeta të ndryshme. Por fokusi kryesor është në shërbimin e financave dhe të bizneseve.

Unë kam ardhur në Amerikë në vitin 1999 si refugjat lufte. Praktikisht fillova nga zero. Pas dy tre muajsh, NATO hyri në Kosovë. Prindërit e mi u kthyen. Por për arsye të kushteve, unë si djali më i madh kisha detyrimin që të përkrahja financiarisht familjen. Unë isha student shumë i mirë nga Kosova, por kur erdha këtu në SHBA, m’u desh që të punoja menjëherë. Kam punuar për disa vite për “Nielsen Media Research”, pastaj në Neë York Stock Exchange për pesë vite. Tashmë punoj prej pesë vitesh në “Bloomberg” në postin e drejtorit për Zhvillim dhe Hulumtim. Ndoshta ishte pasioni shqiptar, apo guxim prej një intelektuali budalla që mora përsipër disa projekte shumë milionë dollarëshe, gjë që kur e mendoj tani në retrospektive, më duket e frikshme. I realizuam ato projekte dhe në atë mënyrë karriera ime nisi të ecë përpara. Unë isha një djalë që vija nga Bregu i Diellit nga Prishtina, të cilit iu besuan projekte miliona dollarëshe. Është një eksperiencë që përkthehet në realizimin e ëndrrës amerikane. Jam shumë krenar që ato vlera të trashëguara prej prindërve të mi i kam mishëruar, që të punosh me integritet dhe të punosh shumë, rezultatet do të vijnë. Dhe ashtu ndodhi.

Cili është pozicioni juaj aktual në “Bloomberg” dhe me se merret saktësisht ai sektor ku ju punoni?

 Unë jam drejtor për Zhvillim dhe Hulumtim në “Bloomberg”. Për gjashtë vite kam punuar në sistemin “Bloomberg Law”. Kam qenë lider kryesor teknik aty. Kam pasur gati 100 punonjës në varësi.

Me se merrej ky sistem?

“Bloomberg Law” merret me çfarëdo që përmendet në fushën legjislative dhe juridike në SHBA, me materiale që janë grumbulluar prej disa vitesh. Tashmë prej dy vitesh jam duke ndërtuar një ekip të ri që merret me mbrojtjen e bizneseve nga pastrimi i parave. Duhet të dihet sfondi i çfarëdo transaksioni bankar. Fokusi i punës së grupit që unë ndërtoj, është ndërtimi i sistemeve që zbulon pastrimin e mundshëm të parave.

Çfarë shkollimi kryet këtu në Amerikë pasi erdhët?

 Unë isha student shumë i mirë në Prishtinë dhe erdha këtu kur kisha për të dhënë vetëm disa provime përpara se të diplomohesha. Por kur erdha këtu, më duhej ta nisja nga zero. Nuk kisha para që të nisja shkollë. Qëllimi im ishte edhe vizioni im, që të shkoja në një shkollë të mirë. Por vizioni dhe mundësitë që kisha nuk përputheshin. Për një vit punova shumë dhe kurseva disa para. Aplikova në dy universitete: “Columbia University” dhe në “New York University”. Konkurrova në “NYU” dhe mora rezultate të mira e u pranova. Por për fat të keq nuk kisha mundësi të mjaftueshme financiare. Kisha punuar shumë dhe kisha mbledhur vetëm pesë mijë e 500 dollarë. Këto para ishin të mjaftueshme për të ndjekur vetëm dy lëndë. Këto ishin gjithë paratë e mia dhe i investova në shkollim. Ky ishte një motivim i madh, sepse unë kisha edhe detyrimin që të ndihmoja familjen. Kjo më shërbeu që të studioj shumë dhe t’ia dal. Pasi mbarova ato dy lëndë arrita të siguroj një bursë të vogël, edhe pse vështirësitë vijuan dhe m’u desh të përballesha me to. Pasi mbarova universitetin “NYU” përfundova edhe dy mastera. Një në shkenca kompjuterike dhe një në menaxhimin e sistemeve të informacionit. Këto dy mastera më hapën dyert për më tej. Deri në atë moment po punoja për “Nielsen Media Research” pastaj për Neë York Stock Exchange dhe më vonë në “Bloomberg”.

Ju jeni goxha i përfshirë në aktivitetet e komunitetit shqiptaro-amerikan këtu në SHBA, por edhe në ndihmë të shqiptarëve në atdhe. Mund të më flisni pak për veprimtarinë tuaj në këtë fushë?

Së pari dua të them se unë sot jam gjallë dhe familja ime është gjallë falë komunitetit shqiptar në Amerikë. Është një komunitet i mrekullueshëm. Është një komunitet shumë aktiv që sakrifikon çdo gjë për shqiptarët në Ballkan. Kur erdha këtu në fillim u frymëzova shumë, por nuk i kisha mundësitë. Isha i shkolluar dhe e dija mirë gjuhën. Ndaj u angazhova shumë t’i ndihmoj shqiptarët, sidomos politikanët që vinin nga Ballkani. Nisa të jepja përkrahjen time maksimale, me qasje në sistemet legjislative dhe kudo, sepse i kisha mundësitë. Por të them të drejtën, jam i zhgënjyer me gjeneratat e vjetra të politikanëve tanë. Ata vijnë me njëfarë vetëpromovimi dhe e harrojnë misionin e tyre kryesor në shërbim të njerëzve. Komuniteti shqiptar në Amerikë është i shpërndarë, por mbetet i mrekullueshëm. Në çdo moment bën promovimin e interesave kombëtare. Edhe unë jam shumë i frymëzuar me shqiptarët këtu.

Cili ka qenë roli juaj dhe çfarë po bëni aktualisht? Më përmendët para se të nisnim intervistën se jeni të angazhuar që të sillni studentë shqiptarë që të vijnë e të shkollohen këtu në Amerikë.

Unë i kam të dy prindërit profesorë, por unë nuk do të bëhem kurrë i tillë. Edhe pse jam i shkolluar. Kam arritur në përfundimin se vetëm përmes shkollimit, mund të ndryshojmë për mirë vendin tonë, apo edhe botën. Para disa vitesh u angazhova me fondin “Kosova-America Education Found”. Ky është një program edukativ që prej 14 vitesh sjell studentë nga Kosova që të marrin master këtu në Amerikë me detyrimin që të kthehen në Kosovë dhe të ndryshojnë vendin në të mirë. Tani jam në bordin e drejtorëve të “American Councils” me shtab qendror këtu në Washington, D. C. Jam i vetmi shqiptaro-amerikan aty dhe ne jemi përgjegjës për programet edukative në 80 shtete të botës, përfshirë Shqipërinë, Kosovën e shumë shtete të tjera të Ballkanit. Misioni ynë, misioni im, është që të çojmë një mesazh të fortë për shqiptarët në Ballkan, se me punë dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin, çfarëdo industrie mund të shpërthejë në përmasa globale. Sidomos teknologjia. Tanimë nuk ka asnjë pengesë që të rinjtë shqiptarë në Shqipëri e Kosovë, të mos bëjnë ato çka ka bërë “Google” apo “Facebook”. Çdo pengesë logjistike ka rënë. Qasja në internet është e hapur.

Detyra ime dhe mesazhi kryesor është që edhe pse është vështirë që të marrim fonde prej komunitetit, sepse shkollimi është i shtrenjtë në amerikë, është që çdo i ri, nëse punon fort dhe bashkëpunon me të tjerët, sepse pa bashkëpunim nuk arrihet asgjë, mund t’ia dalë për çdo gjë. Mesazhi im i dytë shkon për shqiptaro-amerikanët në Amerikë. Të vazhdojnë të jenë të mrekullueshëm dhe i ftoj që të përfshihen sa më shumë në jetën e komunitetit këtu. Të rinjve shqiptaro-amerikanë ju rekomandoj që të jenë sa më shumë aktivë në komunitetin shqiptar. Jo për të tjerët, por për veten e tyre. Sepse nëse angazhohen, do të jenë më aktivë edhe në fushën e tyre të punës. /Kortezi: tesheshi.com/

Filed Under: Histori Tagged With: ne New York, Nga refugjat lufte i Kosovës, Saimir Sulaj, te “Bloomberg”-u

HOTJANËT NË NEW YORK, KUNDERSHTOJNE MINI-HIDROCENTRALIN

May 28, 2017 by dgreca

HOTJANËT NË NEW YORK-“Kundërshtojnë ndërtimin e mini-hdrocentralit”/

New York, 27  Maj  2017- Në New York u takuan bashkatdhetarët tanë nga Hoti mbi Plavë për të kundërshtuar ndërtimin e një mini-hidrocentrali, i cili do të shfrytëzojë ujërat e Hotit dhe natyrën piktoreske të këtyre trevave.
 
Nga takimi i së shrunës, 27 Maj 2017,  të gjithë njëzëri kundërshtuan prekjen dhe shfrytëzimin e bukurive të natyrës së Hotit për qëllime komerciale dhe përfitime të individëve, duke nëpërkëmbur vullnetin e Hotjanve dhe duke sjellur vendime të njëanshme pa përfillur vullnetin e vendorëve. 
Askush, as qeveri dhe as individ, nuk mund të sjellin vendime për pasuritë tona shekullore, pasuri këto që me shekuj i kemi ruajtur dhe mbrojtur nga çdo pushtues.
 
(Teksti e foto nga New York, nga faqja “Plavë e Guci” në facebook )

Filed Under: Komunitet Tagged With: -HIDROCENTRALIN, HOTJANËT, KUNDERSHTOJNE MINI, ne New York

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT