*Nis gjyqi i Ramush Haradinaj në Gjykatën Franceze/
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbërritur në Gjykatën në Colmar të Francës, aty ku po mbahet seanca për të, rreth ores 11 paradite me oren e Europes. Ai ka hyrë në seancë nën masa të rrepta sigurie.Avokatja e Haradinajt në fjalën e saj ka thënë se Serbia është duke bërë lojë me ndalimin e Ramush Hardinajt. Ajo i ka treguar trupit gjykues se Haradinaj është gjykuar në Hagë, jo nje here, por dy, ku edhe është shpallë Jo fajor për akuzat e ngritura nga Serbia.Avokatja para trupit gjykues po kërkon lirimin e menjëhershëm të klientit të saj.
Gjykata mund të marrë një vendim gjatë ditës për Haradinajn përfshirë edhe lirimin me kusht deri në përfundimin e procedurave gjyqësore, duke e mbajtur atë në shtetin francez, thonë zyrtarët mbrojtës të tij.Autoritetet e drejtësisë në Serbi dorëzuan dy ditë më parë kërkesën për ekstradim të zotit Haradinaj me, siç thanë, akuzat e reja për “krime lufte në Kosovë në fundvitet e 90-ta ndaj popullsisë joshqiptare”.Pala mbrojtëse ndërkaq ka kërkuar lirimin e zotit Haradinaj bazuar në “gjykimin e përfunduar në Gjykatën për krime lufte në ish-Jugosllavi që ka trajtuar çështjet” që siç thotë “pretendon pala serbe”.Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Bazelit nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet serbe për, sic thuhet, “krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”.
Haradinaj u mbajt në paraburgim me vendim të një Gjykate franceze e cila tha se po kërkon nga autoritetet e Serbisë një kërkesë zyrtare për ekstradim.
Autoritetet në Francë thonë se rasti nuk ka “implikime politike” meqë po trajtohet nga organet e drejtësisë franceze dhe kanë pohuar faktin se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Kosovë për çështjen Haradinaj.Në Kosovë ndërkaq, udhëheqës të institucioneve kanë kërkuar zyrtarisht nga Franca lirimin e Haradinajt dhe ‘janë zotuar për zbatim të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë’ nëse urdhërarrestet që datojnë nga fillimi i viteve 2000 nuk tërhiqen.Qeveria e Kosovës mori vendim ndërkaq javën e kaluar që t’ia ndalojë hyrjen në Kosovë presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq dhe zyrtarëve të tjerë në Ditën e Krishtlindjeve Ortodokse.Marrëdhëniet ndërmjet palëve ranë në nivelin më të ulët që prej fillimit të bisedimeve në Bruksel të lehtësuara nga BE-ja e cila sërish ka bërë thirrje për “vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunim në të gjitha fushat”.