
95 vjet nga ndarja nga jeta e heroit Bajo Topulli. Veprimtar i Rilindjes Kombëtare, organizator e drejtues i çetave të armatosura për pavarësi në vitet 1906-1908, Hero i Popullit.Bajram Topulli i njohur si Bajo Topulli lindi në Gjirokastër. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, kurse shkollën e mesme dhe Normalen e Lartë në Stamboll në vitin 1895. Ne të njëjtin vit u emërua mësues gjimnazi në Trapezunt dhe pas një viti në Erzerum. Të njëjtën detyrë ushtroi edhe në qytetin e Selanikut.Në vitin 1904 u emërua nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit.
Në vitin 1906, ai themeloi çetën e parë që veproi në rrethin e Korçës, duke organizuar aksione kundër pushtuesve osmanë dhe bandave greke. Aksioni më i njohur ishte ai i Gurit të Çapit, ku u vra peshkopi Foti, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së Papa Kristo Negovanit.
Për shkak të ndjekjeve osmane, në vitin 1906 Bajo Topulli dhe i vëllai Çerçiz Topulli shkuan në Sofje e Bukuresht, ku morën mbështetje financiare nga kolonitë shqiptare për luftën e armatosur te çetave. Në vitin 1907 udhëtoi në SHBA, ku u ndihmua po ashtu nga diaspora shqiptare.
Si delegat në Kongresin e Manastirit, kontribuoi në vendosjen e alfabetit të gjuhës shqipe. Gjatë viteve 1908–1910, u angazhua në hapjen e klubeve dhe shkollave shqipe në Gjirokastër, Janinë, Korçë dhe qendra të tjera të vilajeteve shqiptare. Në vitin 1910, u emërua inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe më pas prefekt në qytetet Izmir, Bursa e të tjera.
Pas kthimit në atdhe në qershor 1925, u emërua kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës,të cilën e drejtoi për tre vjet.Gjatë mandatit të tij, ai ndërmorri një varg reformash të rëndësishme që kontribuan në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe funksionimin e institucioneve. Gjithashtu ai u bë nismëtar i ngritjes të së parës shoqëri aksionere tregtare në Shqipëri, e cila u quajt“Dele”. I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në Sarandë. Një ceremoni lamtumire madhështore u organizua që nga Saranda deri në Gjirokastër në nderim te figures së tij.
Burimi nga: Lefter Dilo, Myslim Islami, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 2729-2730.
Foto: wikipedia.org
Marrë nga: Muzeu Kombëtar