Shkruan:Eugen SHEHU/
Ka njerëz të lidhur kaq ngushtë me fatet e popullit dhe kombit të tyre,ashtu siç janë të lidhura valet e detit me shkëmbijtë e bregut.Ata ndodhen gati në një dialog intim të përjetshëm.Natyrisht lidhja e fateve të kombit me ate të burrave që e duan atë,mund të zgjase me vite.Por si rrallë kund në historinë tone,jeta e Bajram Currit,është e lidhur ngushtë në pesë decenie me fatin e Shqipërisë. Brenda kësaj lidhje shkëlqeu më tepër se gjithshka ylli i trimërisë i këtij gjakovari.Thirrjes madhore të kombit të vet në pesë decenie,Bajram Curri iu përgjigj me rininë,burrërinë e më pas,me vdekjen e vet. U lind në Gjakovë në vitet e largëta 1862. I jati i tij Shaqiri,kishte udhëhequr disa çeta gjakovare në luftë kundër reformave të Tanzimatit,të urdhëruar prej Portës së Lartë.Për këtë shkak, familja e tij internohet e duket se ky internim do të ishte pos të tjerave,vrasja e ëndrave fëmijnore të Bajramit të vogël.Biri i Gjakovës,trashëgoi prej të jatit dy virtyte të vyera karakteri,ndershmërinë dhe guximin.Por të dy këto virtyte të shenjta,at e bir nuk i shfaqën në kuvende,në odat e burrave. Më pare se këtu,guximi i tyre ndriti si ata yjet e majit,në fushëbetejat e shumta që përcuallën jetën e tyre.Ngase ndiqej në Kosovë,Bajram Curri,në rininë e tij,vendoset disa kohë në Mal të Zi.Por edhe këtu,karakteri i tij,nuk mund të pajtohej me jetën e qetë,kullat e burnisë dhe bisedat në kulla.Merr pjesë aktive në lëvizjen shqiptare për Mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë.Madje në disa luftime, bashkëkombasit e tij,duke luftuar në krah,parashohin tek Bajram Curri,udhëheqësin dhe strategun e ardhshëm ushtarak.Për hir të së vërtetës,duhet thënë se dikur në rininë e pare,Bajram Curri pat nisur të studjojë në shkolla ushtarake por kundërshtimi i hapur i tij ndaj administratës osmane,bëri që ai të rrëmbejë armët e të verë në jetë parimet e artit ushtarak popullor.Në vitet e qëndrimit në Plavë e Guci pos të tjerave,biri i Gjakovës do të kishte mik bese Hasan Ferrin,të birin e legjendarit Jakup Ferrit. Në ag të këtij shekulli,i lodhur prej jetës në megrim,larg atyre kujtimeve të bukura me ç’ka mund ta lidhte Gjakova,Bajram Curri kthehet në vendlindje.Hafijet e Mustafa Pashës ndërkohë kanë bërë detyrën.Në fshatin Vranovc,ai rrethohet prej gjashtëqind ushtarëve dhe thirjes pë t’u dorëzuar i përgjigjet me krismën e pushkës.Është dashur të kalojnë 48 orë,është dashur pikërisht të meret vesh se Bajram Curri ka çarë rrethimin,për të kuptuar se Gjakova ka lindur e rritur trima që s’mund t’i kape plumbi i pushkës.mbas kësaj beteje ku në krye të një grushti burrash,Bajrami çau rrethimin e 600 ushtarëve,ka qenë vetë Sulltani që lejoi rikthimin e tij në Gjakovë.
Anipse ai u fal prej Sulltanit,(këtë metodë e përdote ngaherë Porta e Lartë për tjera qëllime) biri i Gjakovës e dinte se pas çdo hapi që hidhte e priste pusia o e osmanllinjëve e serbozinjëve.Madje kjo lloj falje nuk mundi të stepte për asnjë cast jetën plot vrulle e veprimtari të këtij atdhetari të lidhur aq ngushtë me fatet e popullit.Tashmë miqtë tij të besës janë; Hasan Prishtina,Isa Boletini,Nexhip Draga dhe Elez Isufi tek karakteri dhe qendrueshmëria e të cilëve ai gjen vehten e vet në rrafsh të marëdhënieve me fatin shqiptar.Këto lidhje u formuan edhe më shumë në rrjedhën e luftrave që Shqipëria zhvilloi sikundër Portës së Lartë,ashtu edhe ndaj synimeve aneksioniste të sllavo-grekëve.Kuptohet që Bajram Curri,bën pjesë në radhët e atyre burrave që në fillim përkrahën politikën e Turqve të Rinj.Ndërkohë,ai bën pjesë në rradhët e atyre atdhetarëve që kur pane se ç’ishte kjo lëvizje,as qanë,as bërtitën dhe as shkuan pas turqve të rinj.Bajram Curri u përket atyre burrave të mençur që ndërsa në parim binte dakord me turqit e rinj,në praktikë çdo ditë e jetës së vet ishte në funksion të plotë të shqiptarizmës.Kështu,në vitet 1908-1911 e shohim në Shkup,Tetovë e Manastir duke u përpjekur në çeljen e shkollave shqipe apo themelimin e klubeve shqiptare që u shëndrruan në çerdhe të lëvizjes sonë kombëtare.Ftohet në Kongresin e dytë të manastirit më 1910 dhe ngase përgaditet për luftime në Gjakovë,dërgon aty Hysni Currin.Me fjalën e tij,nisen dhjetra djem të rinj nga Kosova të studjojnë në gjimnazin ushtarak të Manastirit apo Normalen e Elabasanit.Duke qenë se bënte pjesë në komitetitn e fshehtë të Shkupit,mban lidhje të drejtëpërsëdrejta me krerët kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare të kohës.
Në pranverën e vitit 1911,Bajram Currin e shohim të formojë në Gjakovë një degë të komitetit të fshehtë të Shkupit.Dihet tashmë se në rend të pare të kësaj dege ishte mobilizimi total i njerëzve në rrafsh të kryengritjes së përgjithshme.Disa muaj më pas,me nismën e Bajram Currit,midis Gjakovës,Hasit,Bytyqit e Krasniqes,lidhet besa “perme me luftue autonominë shqyptare”.Në vitin 1912,që në vigjilje të tij,kryhen disa beteja të rëndësishme në Nikaj-Mertur,Has e Gjakovë.Në këto beteja,pos trimërisë shkëqeu edhe diplomacia e trimit të Gjakovës.Në bashkëpunim të ngushtë me Elez Isufin e Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën,Bajram Curri ndërkaq ka filluar të armatosë çetat vullnetare shqiptare ngase gjendja e tyre në këtë drejtim linte shumë për të dëshiruar.Kështu,në një raport sekret që konsulli austro-hungarez në Prishtinë,Prohaska,i dërgonte më 23 maj 1912,Ministrit të Punëve të jashtme në Vjenë thuhej ; “Një e treta e arnautëve nuk kanë pushkë dhe armatosen me kosa,shumë të tjerë presin ditën e betejës për të vrarë ushtarë armiq,që të mund të armatosen”(Sipas arkivit shtetëror të Vjenës,materiali gjendet në arkivin e Institutit të Historisë ).
Ndërkaq,është ideuar dhe organizuar prej Hasan Prishtinës,Bajram Currit,Mahmut Zajmit dhe dhjetra trimave të tjerë Kuvendi i Junikut.Kahja për veprime autonomiste të këtij Kuvendi ishte tepër e dukshme,mandej në te u gjeneruan edhe ide të reja,të rëndësishme që kishin të bënin me ardhmërinë e kombit shqiptar.Krerët e kryengritjes së përgjithshme,me anën e një memorandumi i kërkuan Portës së Lartë bashkimin e tokave shqiptare,ngritjen e flamurit shqiptar në çdo vilajet,njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare si edhe caktimin këtu të një guvernatori të përgjithshëm shqiptar.Natyrisht në Junik,pati edhe element të tjerë anonim nga politika turke duke mos qenë dakord me idenë e kryengritjes së përgjithshme.Lidhur me këtë,pjesëmarësit do të prisnin me entuziazëm fjalën e Bajram Currit,I cili me ndershmërinë dhe guximin që e karaterizonte me ate devocion kulmor ndaj lirisë së trojeve tona, e mbylli diskutimin e tij me fjalët ; “Asht nji detyrë e shenjtë për me luftue kundër çdo armiku,edhe mos me pas aspak pushkë.Lufta na u ka ba detyrë. Pra duhet t’u dalim zot të drejtave tona e të shpëtojmë prej robnisë”.(H.Prishtina.Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vjetit 1912, Shkodër 1912,faqe 15 ).
Menjëherë pas vendimeve të rëndësishme të Junikut,mbi 2 mijë burra u mblodhën në fshatin Strrellë nën komandën e Bajram Currit.Ata së pari sulmuan Pejën e mandej iu drejtuan Gjakovës,në garnizonin ushtarak të së cilës ishin forca të konsiderueshme të ushtrisë osmane.Ata dërguan menjëherë në Gjakovë një division që e mbanin të dislokuar në Mitrovicë.Bajaram Curri,duke parparë një përleshje në kushte krejtësisht të pabarabartë,manovroi me kujdes duke i çuar forcat e veta në Guci.Edhe këtu,pas një organizimi disa ditësh,forcat e komanduara nga i biri i Gjakovës ndërmuarën një varg aksionesh duke sulmuar befasisht garnizonet osmane jo për t’i djegur ata,më tepër se për të marrë prej tyre armë dhe municion luftarak.Më tej,këto forca ju drejtuan Qafës së Prushit si një ndër garnizonet më të plota të ushtrisë turke,ngase rruga disa kilometra larg Qafës, ishte nyje nevrallgjike.Edhe këtu spikati talenti ushtarak i Bajram Currit dhe intuita e tij për ta goditur armikun në vendin dhe kohën që ai nuk e pret.Trimat e Kosovës,luftuan në Qafë Prush me flamurin Kuq e Zi në ballë të formacioneve të tyre luftarake,të bindur tashmë se ky flamur do të valonte së shpejti në trojet e çliruara shqiptare. Lidhur me këtë betejë,konsulli Prohaska i shkruan Kontit Bertold në Vjenë me 4 prill 1912 ; “Luftimet vazhduan disa ditë.Ato qenë nga më të ashprat dhe përfunduan në disfatën e plotë të turqve të cilët u larguan duke lënë mbi 300 të vrarë e të plagosur dhe 250 robër,nga të cilët 5 oficerë,si edhe një sasi e madhe armësh e municionesh”. (Arkivi shtetëror I Vjenës.Dokumenti gjendet në Arkivin e Institutit të Historisë).
Pas betejës së Qafës së Prushit,ku u shkruan faqe të një heroizmi të paparë,autoritetet administrative turke u përpoqën të përdorin ndaj Bajram Currit dhunën psikologjike duke arestuar krejt familjen e tij.Por kjo masë asgjë nuk ndryshoi në karakterin dhe veprimtarinë e Bajramit.Ky e ndjeu së mbrendshmi se me gjithë privimin e lirisë,familjare të tij të shtrenjtë,do ta kuptonin burrin dhe atin e tyre,ashtu siç pat kuptuar ai të atin e vet në fëmijëri,ndërsa i ngryste netët në internim. Trimi i Gjakovës,në krye të burrave të Hasit,Gashit e Krasniqes sulmon tani në malësitë e vendlindjes.Edhe këtu,betejat janë të mëdha por fatmirëissht ata çlirojnë Gjakovën.Përmes entuziazmit të madh të fitoreve,nuk është vështirë të dallosh një fakt.Ngase shqiptarët e ndjenjë se kryengritja e përgjithshme,pat filluar si një ortek i cili duke zbritur nga mali,ata vrapuan të mbushnin radhët e luftëtarëve duke nënkuptuar me ç’rast se liria do të vinte vetëm në bashkimin e zemrave dhe gjokseve të tyre.Tanimë trimat nga kosova numërojnë mbi 10 mijë vetë nën udhëheqjen e Bajram Currit.Me 23 korrik 1912 ata hyjnë në Prishtinë ku populli i pret si çlirimtarë.Është i njohur tashmë fakti që Hasan Prishtina formuloi një program prej 14 pikash ku në qendër të vëmndjes ishte autonomia e Shqipërisë.Prej Prishtinës,Portës së Lartë iu dërgua një telegram në të cilën përcaktohej qartë se,nëse kërkesat e shqiptarëve të pasqyruara në programin e Hasan Prishtinës nuk do të plotësoheshin brenda dy ditëve,forcat vullnetare shqiptare do të pushtonin Shkupin.Natyrisht të pranoje ato kërkesa ishte më tepër se kapitullim,ndaj Porta e Lartë preferoi heshtjen. Vetëm një ditë pas mbarimit të afatit,më 5 gusht kryengritësit shqiptarë hyjnë në Shkup duke zhvilluar edhe disa luftime në rrethinat e tij.Pas tyre në krye të 6 mij trupave vullnetare,hyri në Shkup,Bajrym Curri,duke dëshmuar edhe një herë vendosmërinë e vet,për t’i shkuar deri në fund çështjes së pavarsisë shqiptare.Marrja e Shkupit që ishte qendër e Vilajetit të Kosovës,ishte një epilog i tërë atyre përpjekjeve të filluara që me 1908.Në shtypin e kohës,lidhur me këtë ngjarje shkruhej ;”Ate manifest që e bani Bajram Curri,se ban tjetër shqiptar.U çue në kamb Shkupi,i madh e i vogël,sheshazi dukesh se u ngjall Shqipëria e shqiptarët e dashunia ishte e pa kallxueshme ke mileti shqiptar”.( Gazeta “Shkupi” viti 1912 numër 31 ).
Është i njohur tashmë prej të gjithëve fakti që,Bajarm Curri u kthye nga rruga që kish marrë për në Vlorë.Edhe pse zemra ja desh të shihte se si do të valvitej i lirë flamuri kuq e zi,ai e ndjeu se luftimet që sërbët po bënin në Kosovë,donin ta mbysnin që në djep foshnjën e sapo lindur,shtetin e ri shqiptar.Trimat që e shoqëronin,u thotë se do ndërrojmë rrugë dhe ata e kuptojnë komandantin etyre.E vërteta është se luftimet e para,ai i zhvillon në Plavë e Guci ku në bashkëpunim edhe me luftëtarët e këtyre trevave,brenda disa javësh mund të largojë prej andej forcat malazeze.Më pas në lidhje të ngushtë me trimat e kosovës,ndërmerr aksione të befta e të fuqishme në Rrafshin e Dukagjinit.Bajram Curri do të priste ndërkaq me indinjatë të thellë vendimet e Konferencës së Londrës për coptimin e trojeve shqiptare.Së bashku me Isa Boletinin,Sali Gjukën,Vehbi Dibrën,Elez Isufin,Mit’hat Frashërin e dhjetra atdhetarë të tjerë,biri i gjakovës martire do të ngrinte zërin fort ndaj kësaj padrejtësie.Mandej edhe pushka e tij do të shkrepte kurdoherë duke gjëmuar për bashkimin e trojeve shqiptare.Në vitet 1915-1918,Austro-Hungaria dominoi në mënyrë të ndjeshme në jetën politike dhe kulturore shqiptare.Fillimisht,disa reforma administrative dukej se do të sillnin diçka në jetën shqiptare.E vërteta është se Bajram Curri,në bashkëpunim të ngushtë me Luigj Gurakuqin,Aqif Pashë Elbasanin,Dervish Himën,Hill Mosin etj, në këto vite punuan mjaft për prosperitetin e kombit tonë në rrafsh të çështjes kombëtare.por në mjaft raste,kur panë se Austro – Hungaria kishte qëllimet e veta,ata propaganduan e punuan sa mundën për përhapjen e diturisë në radhët e shqiptarëve.Ka qenë pikërisht kjo veprimtari atdhetare që çoi autoritetet austriake në Shqipëri,të marrin vendim për largimin e Bajram Currit pikërisht nga Shqipëria. Por edhe në Vjenë,shpirti i tij s’mund të rrije i qetë.Sytë e tij plot dritë treten larg,përmes mjergullës vieneze.Mendja e tij vrapon në Gjakovën e pushtuar,pushka e tij e harruar diku duket se kërkon burrin.Në një prej këtyre ditëve të zymta,ai merr penën dhe në një melankoli të thellë i shkruan një mikut të tij ; “Pa asnji dyshim mund t’ju kallxoj,se tepër më vjen keq… Kaq larg shokëve të mi,të cilët sot jan tue derdh gjak për me mbrojt kufirin e stërgjyshnive të tokës sonë,ku armiku shekullor po mundohet me na qitë prej andej… Lajmet që jamë tuj i marr prej Kosove,janë tepër të vështira e plot dhimbe për çështjen tonë në Kosovë.Mu,atje po më thërrasin për me u nisë”.(Arkivi Qendror i shtetit,fondi 818,dosja 13,fq, 4 ).
Pranvera e vitit 1920 e gjen Bajram Currin në Gjakovë.Natyrisht,mosha e tij e madhe, vuajtjet , luftërat që pati bërë ,sikur donin që ai të mbetej aty,sa më pranë familjes, vendlindjes miqve që e dëgjonin duke e adhuruar e duke i thënë : na prijë o baca Bajram !Ngase Bajram Curri kish dëgjuar kurdoherë vetëm thirrjen e tokës së vet,ai rrëmben pushkën e viret sërish në roje të lirisë.Ndërkaq ishte zhvilluar Kongresi i Lushnjës dhe atdhetarët aty,duke parë situatën e rëndë të mbrendshme dhe ate rreth kufijve,emërojnë Bajram Currin në detyrën e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.Plaku i maleve,i derteve dhe halleve,e pranoi këtë detyre jo si një ofiq por si urdhër për të rinisur sërish jetën e vështirë të betejave.U deshën vetëm disa javë në këtë detyrë dhe forcat esadiste të mpleksura me rryma gjithfarlloj antikombëtare,të goditeshin në mënyrë të rreptë. Qeveria e dalë prej Kongresit të Lushnjës,shihte tek energjitë e birit të Gjakovës,jo vetëm ruajtësinë e sigurisë së mbrendshme por edhe tejpamësinë e veprimeve dhe organizimeve luftarake në kufijtë e Shqipërisë. Në një letër të datës 12 qershor 1920,Aqif Pashë Elbasani,në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Shtetit,i drejtohet Bajram Currit tekstualisht ;
“ E gjindmja e një burri me shpirt thjesht kombëtar,si zotëria juaj në qeveri,na jep nji shpersë të madhe për shpëtimin e Shqipërisë.Ja pra,u pa një shenjë fitimi prej veprimeve të fundit,të cilat u bënë nën drejtimin dhe komandën e zotërisë suaj.Ju uroj pra me gjithë zemër për fitimet që bëtë në këto ditët e fundit,dhe lus Zotin,që të dilni faqebardhë në të gjitha punët që do nisni të bëni edhe pas kësaj”.( Arkivi Qendror i shtetit, fondi 818 , dosja 9 , faq. 2 ).
Në gusht-shtatorin e vitit 1921,serbët,ndërmuarën aksione të mëdha spastirmi pothuaj në krejt kosovën dhe trojet shqiptare në Maqedoni.Për serbinë tashmë ishin vënë në funksion të plotë makanizmat e dhunës të ideuar në elaboratet famkeqe të shkenctarëve-bastard.Madje formacione të rregullta serbo-malazeze po kryenin në këto kohë vrasje e dhunime në Dibër,Dukagjin e Mirditë.Në cilësinë e komnadantit të trupave shqiptare në këto territore,Bajram Curri organizoi në tetor 1921 disa kundërsulme të fuqishme.Ai u ndihmua gjithashtu edhe nga vullnetarë shqiptarë dhe kësisoj, forcat serbo-malazeze u torhoqën prej kufijve të shtetit amë. Më pas,duke parë se politika shqiptare,po kalonte nëpër rrugë interesash të vogla,plaku i maleve mendon se roli,fjala dhe pushka e tij duhet të jehojë në Dibër e Kosovë.Është pikërisht kjo arsyeja që në fundvitin 1921,plaku i maleve organizon në Dibër me krejt parinë e saj duke kërkuar sigurimin me armë në dorë të interesave kombëtare.Me ndihmën edhe të Elez Isufit e Suf Xhelilit,u formua aty “Besa e Shenjtë”, organizatë e cila do të udhëhiqej kurdoherë vetëm me kahje nga shqiptarizmi.Anipse në këtë kuvend,merrnin pjesë burra të sprovuar në sa e sa beteja,ata dëgjuan me vëmendje fjalët e plakut të maleve dhe zgjodhën ate si “komandant i përgjithshëm i forcave ushtarake të “Besa e Shenjtë” (Arkivi Qendror i Shtetit , Fondi Gjygji politik,dosja 28 , fleta 17 ).
Brenda disa muajve,shtrirja e kësaj organizate mbërriti deri në Kavajë,ndërsa në veri,ajo u përhap në Dukagjin,Krasniqe e malësi të Gjakovës. I prirur kurdoherë ndaj një atdhetarizmi të heshtur e të ndershëm,Bajram Curri do të qëndronte larg lojrave politike që luheshin në Tiranë.Për te,mbi çdo rrymë,mbi çdo parti apo grup njerëzish,rrinte kurdoherë i zgjuar,.mendimi për bashkimin e krejt trojeve etnike shqiptare. Është kjo arsyeja që në tërë periudhën 1918-1924,ai bashkëpunon ngusht pos të tjerave edhe me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës.Mesazhet që ai ka marrë në vite prej personalitetit tjetër Hoxhë Kadria,apo ato që vetë Bajrami i ka dërguar këtij komiteti, përbëjnë një një kuptim tjetër mesazhin e madh të bashkimit të krejt shqiptarëve partia e të cilëve ishte Shqipëria.Nuk janë të pakta ato raste kur komiteti kombëtar i Kosovës,për të marrë vendime të ndryshme i drejtohet plakut të maleve,tek i cili shihte jo vetëm urtësinë e mendimit por edhe shpresën e veprimit energjik.
Në vitin 1924,turbullirat e brendshme në Shqipëri janë të mëdha.Natyrisht,të para nën një objektivitet potencues,këtu ndërthuren sidomos politikat destabilizuese si edhe lakmitë e fqinjëve tanë të cilët askurrë s’i rreshtën veprimet luftarake ndaj nesh.Gjithsesi,plaku i maleve,edhe në këto momente,dënon ate politikë përçarëse të krerëve,të Tiranës. Bajram Curri mbledhe rreth vehtes forca përparimtare,të gatshme jo vetëm ta shuajnë çdo vëllavrasje mes shqiptarëve por edhe të ruajnë kufijtë verior të shtetit amë. Bashkëpunon ngusht me Hasan Prishtinën dhe niset për në veri të Shqipërisë për të ngrohur sadopak zemrat e atdhetarëve të krejt brigjeve të Drinit ku rreziku serb ndahej vetëm prej disa dallgëve.Me energjitë e pashterura që e shoqëronin gjithkund,arrin të vendose qetësi në Krume e të organizojë mbrojtjen e vendit.Në një letër që i dërgon mikut të tij Gjelosh Ramës,më 30 maj 1924,plaku i maleve thotë ; “Une hina në Krume,ku u bashkova me ushtrinë e do të punojmë për atdhe gjithë së bashku.U baj me die që,me të marrë këtë letër të niseni me nga katërdhet djem te Nikaj-Merturit,e në qofshin gjysma pa pushkë, i gjejmë këtu.Kur të dilni në Krasniqe,të shihni edhe me Rexhep Bajaraktarin e Halil Llapin,me të cilën ta lidhni besën me krasniqe ashtu edhe me juve.Presim që të vini sa ma parë”.(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi 818 , dosja 18 , fleta 9 ).
Ndërkaq në Tiranë ka ndodhur përmbysje.E nënvizoj përmbysje për një fakt tepër domethënës.Deri më tash,kësaj përmbysje të përmasave madhore,historiografia shqiptare,ndofta i ka bërë nder të pameritur.Ende sot ajo kryengritje që çoi në rrëzimin e Ahmet Zogut,konsiderohet si normale madje vazhdon të quhet revulucion demokratiko-borgjez.Ky emërtim gati-gati me terminologji bollshevike,natyrisht që nuk mund të përputhet me ate çka në të vërtetë ngjau në qershorin e vitit 1924.Njëher tjetër ndofta,ne mund të analizojmë realisht shkaqet që çuan në përmbysjen e shtetit të asaj kohe ( të cilin në pamje konstitucionale ende sot s’po arrijmë dot).Për hir të së vërtetës,duhet thënë se në ditët e marrjes së pushtetit Fan Noli nxitoi të marre “me të mirë” Bajram Currin.Ky tash më kishte bërë emër jo vetëm si burrë trim por edhe si njeri i ndershëm e atdhetar i palëkundur,fjala e të cilit respektohej në krejt trevat veriore shqiptare.Duke dashur sigurisht një mbështetje sa ma të madhe në Malësi,Noli,iu drejtua Bajaram Currit se ç’mendim kish ky lidhur me postin e ministrit të arsimit.Natyrisht plaku i maleve e vlersoi këtë mesazh dhe në një letër që mban datën 5 korrik 1924,shkruan pos të tjerave ; “Si une vetë dhe tanë kosovarët e çmojnë plotësisht rëndësinë që ka ministri i arsimit,prandaj kemi ma të madhen dëshirë që ate vend,ta zane një njeri kompetent,i zoti i punës,që të ketë dhanë dhe prova në jetën e vet në të kaluemen,se idetë e tij i përshtaten gjendjes së krijueme prej sakrificave që bani populli ynë… Këto cilësi i gjejmë mjaft të shkëlqyeshme në personin e Sali Gjukës,thjesht i degës arsimore,patriot e demokrat i vjetër”.(Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 818,dosja 7, faqe 35 ).Por, ngase plaku i maleve do të ishte krejt i pavarur në veprimtarinë e vet,ngase i vetmi merak i tij do të ishin kufijtë e coptuar të atdheut,edhe muaji i mjaltit të tij me Fan Nolin do të mbaronte shpejt,ende pa filluar mirë.Kështu disa javë pas këtij letërkëmbimi,një urdhër administrativ i firmosur prej Nolit,urdhëron për dalje në pension të Bajram Currit.plakun e maleve,të derteve,të halleve,ate që pesë decenie u lidh veçse me fatet e Shqipërisë, tani e nxirnin në pension.Po a mund të nxirej në pension trimi,a mund të hiqej pushka nga duart e Bajram Currit ? A mund të flere stuhija ? Ndaj sërish ai niset në rrugët e luftës,aty ku serbi e malazezi jo vetëm kërcënonin kufirin e shenjtë por edhe kryenin masakra të egra në popull.Plaku i maleve mendon se ma tepër se oratoria e Nolit në Parllament,kombi,atdheu i përvuajtur duan krahë e zemër për të mbajtur pushkën.Dhe mendimi i tij ngadhnjeu shumë shpejt.I papërkrahur prej qeverisë së re,madje i kërcënuar prej saj,në gjendje pothuaj varfërie,së bashku me miqtë e tij të mirë Shefqet Dragën e Met Vejselin,plaku i urtë e trim i ngjitet Dragobisë nëpër ate dimër të madh. Natyrisht këtë gjendje gati të mjeruar ka patur parasysh Pashiçi kur i dërgon Bajaram Currit një letër me anë të Isuf Hamzës.Në te thuhej : “Bajram Currit i vihen nën dispozicion dy milion dinarë dhe i jepet liri banimi ku të dëshiroj ay vetë në nji qytet të jugosllavisë dhe disa privilegje të tjera,nëse pranon marveshje dhe pushon luftën kundër jugosllavisë”.(Tahir Zajmi,tragjedia e shpellës së Dragobisë,Gazeta “Kosova”,qershor 1943).Ndërkaq përgjegjja e plakut të maleve ka qenë e prerë “Shko thuaj atyne faqezezëve me i çue fjalë asaj dhelprës së Shumadisë,se Bajram Curri nuk asht nji burrë që me shpetue shpirtin,të tradhëtojë atdhenë”.
Kësisoj për të ardhur në fundmarsin e vitit 1925,atëherë kur kriminelët shqiptar e bellorusë e malazez afro 800 vetë i ngjiten në Dragobi dhe rrethojn plotësisht shpellën në të cilën Bajram Curri ndodhej i strehuar me një grusht djemsh.Ata e kishin në kujtesë Bajram Begun i cili së bashku me Ali Riza Kosovën e Ahmet Zogun ua shuajti “Republikën e Mirditës” mbrenda Shqipërisë jo vetëm bjellogardistët e pashiqit por edhe ca Mirditorë mercenarë të tyre,këtu fshihej tradhëtia ( jo si trumbetoi historia komuniste e shtetit amëdukle ia mveshur Ahmet Zogut ).Me të shkrehur pushka e parë,brof disa dhjetra metra larg shpelle,Sali Mani.Ai së bashku me disa luftëtarë të pafriguar zënë pozicione duke lënë plakun e maleve në besë të Shefqet Dragës.Luftimet janë zhvilluar gjithë ditën të furishme ngase pozicionet e trimave të Bajram Currit janë tepër të favorshme e shpirti i tyre nuk frigohet aspak kundër mercenarizmit të palës kundërshtare. Në muzg,Bajram Curri dhe Shefqet Draga,të ndejkur prej dy-tri djemve të tjerë,dalin nga shpella duke menduar se pushka e tyre duhej të shkrepte në ato momente.Të përfshirë në afshin e luftës,ata zbresin deri poshtë në pozicione për t’u mbrojtur shpinën e krahët bashkëluftëtarëve të tyre.Por armiqtë janë me qindra.Pas çdo të vrari dërgohen dhjet prej tyre duke mos pyetur për çmimin e jetës.
Pikërisht në muzg,ndërsa Bajram Curri po luftonte i vetëm tek një shkëmb,dëgjohet një zë si bubullima ; kapeni të gjallë dhe lidheni ! Eplaku i maleve i përgjigjet po me ate zë gjëmues ; ”Bajram Currin veç nëna në djep e ka lidhë !” E ndërsa gryka e Valbonës gjëmon prej pushkëve,bie nata e zezë, e ftohtë,nata bie shpejt a thua se ajo nuk donte të shihte si skuqej gjoksi i trimit prej plagëve të mëdha,si binte burri tek shkëmbi i qetë se gjithshka që pati në jetë ja dha Shqipërisë, e tash i falte edhe jetën.Valbona duke gurgulluar gurëve,ende sot rrithotë legjendën e Dragobisë, legjendën e pavdekur në mote që mban emrin Bajram Curr.
Bern-Zvicër
Kole Gjeke Juncaj says
Une kam nje bindje,se patriotin e madh Bajram Currin e kane vrane fallangat e Ahmet Zogut te udhehequra nga Kadri Mehmeti.Per ta verifikue bindjen time do ta lexoi historine e shqiperise nga Abaz Ermeni.Nese Abaz Ermeni e pohon kete.Atehere nuk e luan topi