
Dr. Atdhe Hetemi
Drejtori Ekzekutiv IKKL/
Pavarësia e Kosovës është fryt i një rrugëtimi të gjatë, të shënuar nga padrejtësi dhe vuajtje, por edhe rezultat i qëndresës, sakrificës dhe mbështetjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë. Prandaj, kujtesa dhe reflektimi shkencor mbi të kaluarën mbetet element thelbësor i vetëkuptimit të shtetësisë, dhe përgjegjësisë sonë ndaj brezave të ardhshëm. Konferenca e parë ndërkombëtare e Institutit vendosi bazë të fortë për dialog shkencor mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, shkëmbim idesh dhe përballje me fakte. Ajo kulmoi me një rezultat të rëndësishëm akademik: vëllimin e redaktuar me punime shkencore, i cili është pranuar për botim nga shtëpia prestigjioze botuese Routledge, në kuadër të serisë South East European Studies. Ky botim konfirmon vlerësimin e standardeve shkencore të punës sonë, si dhe dëshmon që përvoja e Kosovës po zë vendin e merituar në diskursin akademik ndërkombëtar mbi luftën, drejtësinë tranzicionale dhe kujtesën kolektive.
Duke u mbështetur në këtë arritje, edicioni i sivjetmë, i titulluar “From War to Recovery: A Multidisciplinary Approach Towards Kosovo’s War Trauma”, shënon një fazë të re të konsolidimit institucional dhe pjekurisë akademike të IKKL-së. Kjo konferencë është vazhdimësi e një tradite në zhvillim e sipër dhe dëshmi e përkushtimit tonë për ta thelluar dialogun shkencor, e për ta zgjeruar perspektivën e hulumtimit mbi krimet e luftës. Diskutimet që do të zhvillohen gjatë këtyre tri ditëve synojnë të ofrojnë analiza të thelluara, qasje ndërdisiplinare dhe reflektime kritike mbi pasojat afatgjata të luftës, jo vetëm si përvojë historike, por edhe si realitet që vazhdon të ndikojë jetën e individit, strukturën shoqërore dhe proceset e shtetndërtimit.
Me këtë rast, dëshiroj të theksoj se puna e IKKL-së nuk kufizohet vetëm në mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve arkivore.
Por, misioni ynë është gjithashtu të ndërtojmë baza njohurish të verifikuara, të besueshme dhe të përdorshme, që shërbejnë si themel për hulumtime akademike, për hartimin e politikave publike, edukim e brezave të rinjë dhe forcimin e kujtesës institucionale të Republikës së Kosovës. Instituti ynë funksionon si hapësirë e pavarur kërkimore, e mbështetur në standarde të larta ndërkombëtare të metodologjisë shkencore, që adresojnë nevojat lokale dhe ruajnë integritetin shkencor duke e vendosur të vërtetën dhe profesionalizmin në qendër të çdo procesi.
Andaj sot, arkivi i IKKL-së është shndërruar në pike referimi që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm si për studiues vendorë e ndërkombëtarë, ashtu edhe për institucionet e drejtësisë. Edhe kjo konferencë është dëshmi e këtij rrugëtimi dhe e besimit që po ndërtohet rreth punës sonë dhe zhvillimit të saj të vazhdueshëm.
Punimet që do të prezantohen gjatë ditëve në vijim janë përzgjedhur përmes një procesi rigoroz akademik dhe pasqyrojnë qasje historike, politike, juridike, sociologjike e psikologjike ndaj traumës së luftës dhe procesit të rimëkëmbjes. Në këtë mënyrë, konferenca jonë synon që të dokumentojë të kaluarën dhe të kontribuojë në prodhimin e njohurive të reja, të krahasueshme në nivel ndërkombëtar. Andaj, shpreh mirënjohjen time për redaktorët e vëllimit shkencor që do të pasojë nga kjo konferencë, Prof. Catherine Althaus (University of New South Wales, Sydney) dhe Prof. Blerina Këllezi (Nottingham Trent University), për angazhimin e tyre profesional në garantimin e cilësisë së këtij procesi.
Të nderuar të pranishëm,
Ballafaqimi me të kaluarën përveç se detyrë morale, është edhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë. Andaj diskutimet që do të zhvillohen këtu, veç vlerës së theksuar akademike, pritet të kenë edhe rëndësi shoqërore dhe zhvillimore. Trajtimi i traumës dhe ndërtimi i paqes nuk mund të realizohen pa dokumentim të bazuar në fakte, pa ndjeshmëri ndaj viktimave dhe të mbijetuarve, si dhe pa përgjegjësi institucionale. Janë pikërisht këto parime që qëndrojnë në themel të punës sonë dhe i japin kuptim kësaj konference.
Në përmbyllje, falënderoj ekipin e IKKL-së për përkushtimin dhe punën e palodhur në organizimin e këtij aktiviteti. Falënderoj, po ashtu, Zyren e Kryeministrit dhe partnerët tanë institucionalë për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe secilin prej jush që keni zgjedhur të jeni pjesë e kësaj konference. Jam i bindur se na presin diskutime të frytshme, që do të japin kontribut të rëndësishëm në avancimin e dijes, forcimin e drejtësisë dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë.