
Prof.dr.Muhamet Racaj/
Abstrakt
Ballkani në shekullin XXI përballet me një spekter të gjerë sfidash komplekse hibride që tejkalojnë kërcënimet ushtarake tradicionale. Evoluimi teknologjik, krizat klimatike, migracioni masiv dhe tendencat gjeopolitike kanë përshpejtuar përkeqësimin e ambientit të sigurisë në rajon. Artikulli i kushtohet analizës së hollësishme të kërcënimeve hibride, me theks të veçantë në ofensivën ruso-serbe që operon përmes dezinformimit, sulmeve kibernetike, krimit të organizuar dhe manipulimit institucional. Përmes lidhjes së ndikimeve ndërkombëtare — si BE, NATO, Rusia dhe Kina me kontekstin politik, institucional dhe social të vendeve të Ballkanit Perëndimor, synohet promovimi i mekanizmave të qëndrueshmërisë përmes bashkëpunimit rajonal dhe reformave institucionale në përputhje me standardet euro-atlantike.
Fjalët kyçe
Ballkani, Siguria hibride, Dezinformim, Rusia-Serbia, Integrimi euro-atlantik
Hyrje
Në shekullin XXI, ndryshimet në doktrinat e sigurisë nuk janë më të ndikuara vetëm nga komponentët e fuqisë së fortë (forca ushtarake), por gjithnjë e më shumë nga lufta hibride, operacionet kibernetike dhe dezinformimi, që veprojnë në zonën gri ndërmjet paqes dhe luftës¹. Ballkani është tejet i ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve për shkak të pasigurisë institucionale, plagëve të pazgjidhura ndër-etnike dhe ndikimit të aktorëve të jashtëm.
1. Lufta hibride: konceptualizim dhe përmasa aktuale
Lufta hibride është e kodifikuar si një strategji që përplaset jashtë fushëbetejës klasike, përmes mjeteve jokonvencionale: sulme kibernetike, infiltrime në institucione, krim të organizuar dhe dezinformim⁷. Në kontekstin ballkanik, përhapja e dezinformimit përmes platformave dixhitale është rritur ndjeshëm, duke polarizuar debatin publik dhe duke krijuar mosbesim ndaj institucioneve².
Sulmet kibernetike në Shqipëri në vitin 2022 nga një aktor i lidhur me Iranin janë shembuj konkretë të dobësisë së infrastrukturës dixhitale dhe ekspozimit rajonal ndaj aktorëve të jashtëm⁸. Krimi i organizuar, i cili bashkëvepron ngushtë me struktura politike lokale, shfrytëzohet për operacione hibride që minojnë qeverisjen e mirë⁶.
2. Manifestimet në vendet e Ballkanit Perëndimor
• Kosova është përballur me ofensivë koordinuar të sabotimeve institucionale, akte terroriste të dhunshme si sulmi në Banjskë dhe në kanalin e Ujmanit.Infiltrim në agjencitë e sigurisë, ngjarje që konfirmojnë ekzistencën e një strategjie hibride ruso-serbe në rajon³.
• Maqedonia e Veriut vuan ndikimin e mediave dhe strukturave politike të mbështetura nga qarqe ruse e serbe; raportet e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar për përfshirjen e figurave shtetërore në aktivitete që promovojnë narrativën e botës serbe⁴.
• Shqipëria ka qenë objektiv i disa sulmeve kibernetike ndaj sistemeve të saj qeveritare dhe kritike duke dëshmuar brishtësinë institucionale në sferën dixhitale⁸.
• Mali i Zi, përvijon një situatë të tensionuar ndëretnike, të përkeqësuar nga instrumentalizimi i kishës ortodokse dhe deklarata të orientuara politikisht nga Beogradi⁶.
• Bosnja dhe Hercegovina është në grafikën e ndarjes, për shkak të mbështetjes që Rusia dhe Serbia i japin Republika Srpska-s, duke penguar në mënyrë të drejtpërdrejtë funksionimin e institucioneve shtetërore multi-etnike⁵.
3. Ndikimet ndërkombëtare dhe realiteti multipolar
Shtyrja e afateve të zgjerimit të BE-së dhe ngadalësimi i integrimit kanë krijuar një boshllëk që po shfrytëzohet nga Rusia, Kina.
• Rusia, përmes lidhjeve historike, shpirtërore dhe ushtarake me komunitetet serbe, është bërë një motor i narrativës anti-NATO dhe anti-BE, duke synuar mbajtjen e rajonit jashtë ndikimit euro-atlantik³.
• Kina, me nismën “17+1” dhe investimet infrastrukturore, ndikon përmes metodave ekonomike dhe kredi me kushte jo-transparente⁴.
Sipas strategjisë së Bashkimit Evropian për sigurinë, përcaktuar në vitin 2003, një ndër kërcënimet më serioze për BE-në mbetet fragmentimi i brendshëm në vendet partnere⁹.
4. Sfidat sociale dhe ekologjike që dëmtojnë sigurinë
• Migracioni Masiv: Sipas të dhënave të OSBE-së dhe UNHCR, më shumë se 1.600,000 refugjatë kanë kaluar Ballkanin që nga viti 2015, duke krijuar sfida serioze për sistemet e menaxhimit të kufijve, rendit dhe integrimit afatgjatë⁵.
• Kriza energjetike: Pas pushtimit rus të Ukrainës, shumë shtete ballkanike përjetuan ndërprerje të burimeve ose çmime të papërballueshme për gazin dhe karburantet, veçanërisht ku varshmëria nga Rusia është e lartë⁵.
• Ndryshimet klimatike janë ndër faktorët destabilizues që ndikojnë në sektorin bujqësor, migracionin ekonomik dhe konfliktet për burime uji në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe pjesë të Shqipërisë⁶.
5. Rruga drejt qëndrueshmërisë institucionale dhe demokratike
• Reziliensa kibernetike: Krijimi i sistemit të mbrojtjes kolektive dixhitale ndërmjet vendeve të rajonit në bashkëpunim me NATO-n është i domosdoshëm⁸.
• Zhvillimi i qytetarisë digitale dhe medias së lirë: Forcimi i mediave të pavarura mbetet një mjet efektiv kundër propagandës destabilizuese².
• Harmonizimi me BE dhe NATO: Kërkon ristrukturim ligjor dhe institucional, përfshi trajnimin e elitave shtetërore dhe ndërtimin e sistemit gjyqësor të pavarur⁹.
• Bashkëpunimi ndërkufitar: Politikat për menaxhimin e krizave, trajtimin e emergjencave mjedisore dhe sigurisë së përbashkët janë kyçe për stabilitet⁶.
Përfundim dhe Rekomandime
Në shekullin XXI, Ballkani për momentin nuk përballet me luftëra klasike, por me forma të përparuara të luftës hibride ku synohet ndarja sociale, dobësimi institucional dhe ndalimi i përparimit euro-atlantik. Për të ndërtuar një ambient sigurie të qëndrueshme, nevojiten:
• Riformatim i legjislacionit të sigurisë dhe mbrojtjes në përputhshmëri me standardet euro-atlantike⁹.
• Ndërtimi i një arkitekture të përbashkët kibernetike për të mbrojtur infrastrukturën kritike⁸.
• Thellimi i partneriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare në luftën kundër dezinformimit dhe krimit të organizuar⁷.
• Forcimi i edukimit demokratik si mjet për reziliencë sociale dhe kundër influencave polarizuese².
FUSNOTAT
• Racaj, M. (2025). Siguria dhe lufta hibride në Ballkanin Perëndimor: Bota ruso-serbe në ofenzivë, Bota Sot.
• OSCE (2020). The Impact of Disinformation in South East Europe.
• Bardos, G. N. (2024). Strategjia ruse në Ballkan: Qasje hibride dhe boshllëqe politike, Balkan Security Review.
• European Parliament Report (2024), Neni 35: Veprimet e aktorëve rusë dhe serbë në Maqedoni.
• European Security Strategy (2003). A Secure Europe in a Better World, Bashkimi Evropian.
• Penev, S. et al. (1999). Pakti për Stabilitetin në Evropën Juglindore, European Institute.
• NATO (1998). Enlargement Study.
• Albanian National Agency for Cybersecurity (2022), Raporti mbi sulmet nga aktorë kibernetikë.
• BE-Komisioni Evropian (2025). Western Balkans Progress Report.