Prof. Milazim Krasniqi/
Shtetet e Ballkanit janë shtete kliente (në faza të ndryshme në raste të ndryshme edhe shtete kukulla), që në krye të herës nuk janë formuar si shtet-kombe, po janë të vizatuara për interesat egoiste e militariste të Fuqive të Mëdha. Rolin si shtete kukulla a kliente, nuk ua kanë suspenduar as kur ndonjë fuqi ka rënë dhe është zëvendësuar nga ndonjë tjetër. Patroni është zëvendësuar, por varësia ka mbetur. Fjala vjen, shtete si Mali i Zi, Bullgaria e Serbia, janë formuar për t’u shërbyer interesave ruse në Ballkan. (Bllokimi i hapësirës ajrore për ministirn rus Llavrov nga Bullgaria e nga Mali i Zi në qershor 2022, paraqet një moment kur këto shtete kalojnë në sferën atlantike, si shtete partnere të SHBA.) Greqia është formuar si projekt britanik e rus, për ta përdorë si pykë për çmontimin e Shtetit Osman në Mesdhe, me Qipron si trofe britanik. Shqipëria është formuar si projekt austriak, për të mos lënë shtetet satelite të Rusisë të dilnin më Detin Adriatik. Në kohën më të vonë, në vitet nëntëdhjetë të shekullit XX, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë bërë shtete si projekte ameriko-atlantike. Përderi sa Kroacia e Sllovenia janë projekte gjermano-atlantike, Bosnja e Hercegovina dejtoniane duket si projekt ruso-amerikan. (Ka edhe variacione, por këtu po ndiqet “atësia” në vijat më të trasha.) Mbetet fakti që asnjëri nga shtetet e sotme ballkanike nuk është formuar pa sponsorizim, pa mbikëqyrje. Ky nuk është mallkim nga arsenali i mitologjive antike pellazge, helene a ilire. Ky realitet është si pasojë e ideologjive ekspansioniste e praktikave të kolonializmit.