“Banda Kombёtare Vatra nё Luftёn e Vlorёs, 1920 dhe krijimi i kёngёs himn “Vlora-Vlora”-
– Dëshmitari i asaj lufte Ago Agaj, në kujtimet e tij shkruan pёr efektin qё shkaktoi ardhja e Bandёs Kombёtare VATRA tek luftёtarёt:… pa le kur u dëgjua, që “Vatra e famshme”, kishte nisur nga Amerika një bandë muzikore të shquar për të ardhur në Drashovicë e për të marrë pjesë në luftë. Atëhere gëzimi i luftëtarëve u rrit dhe më shumё…..
Shkruan: Akademik Vasil S. TOLE
Banda Kombёtare VATRA mori pjesë në Luftën e Vlorës jo thjesht e vetëm me pushkë, por me një instrument muzikor në dorë, i cili provoi se u shndërrua në “armën” e tyre më efikase për të mbështetur çlirimin e Vlorës.Ata shkuan nё Vlorё duke u nisur nga Korça dhe aktiviteti i parafundit i bandës “Vatra” në Korçë, përpara se të shkonin në Vlorë, ishe ai i datës 23 qershor 1920, i cili u organizua si protestë e hapur ndaj masakrave të Italisë në Vlorë. Thoma Nasi, drejtuesi i bandёs kujton: …nuk kishim shumë kohë që ndodheshim në Korçë, kur në qershor të 1920 morëm një lajm alarmues nga forcat luftarake të Vlorës të cilat na kërkonin t’u shkonim për t’i ndihmuar të mbanin lart moralin nga që sapo kishin marrë Tepelenën e Drashovicën – kjo e fundit vetëm rreth 20 milje nga Vlora – dhe tani po luftonin kundër italianëve në kodrat përreth Vlorës.
Kronika e kohës jep këtë dinamikë të zhvillimit të ngjarjeve nё Korçё: … që m’ora 8 në mëngjes, zunë të mbyllen dyqanet dhe populli të mblidhet në boulevard e Shënt Gjergjit. M’ora 9 me flamur të zi në krye të shkrojtur mi te: PROTESTIM KONDRA MASAKRAVE T’ITALISË NË VLORË dhe me bandën Kombëtare “Vatra” vanë para shtëpisë së ish-Qeveritarit Delegat të këtushme, z.Cretin, i cili atere po azëroheshe që të lërë Korçën. Kur dolli Koloneli Cretinper të ipur otomobillë që të shkojë, Banda “Vatra” atere i bie “Marseiëzës”, të cilën e mbuluan duartrokitjet dhe të thirurat rroftë Franca, rroftë Shqipëria. Si mbaroj Banda del Z. Llambi Lapi dhe mban fjalë dyke çpjeguar shkakun e metingut. Thotë se, ky meting u mbajt, për të protestuar kondra masakrave t’Italisë në Vlorë dhe i lutet z. L Kolonelit Cretiu që të dërgojë këtë protestim, të cilin ja dha të shkrojtur, ne Kryeministri Francës Z. Milerand. Si mbaroj fjalën Z. Lapi, Banda i bie “Himnit të Flamurit”, të cilin e mbulojnë duartrokitjet dhe të thirurat rroftë. Me të mbaruar Banda Himnin e Flamurit, z. L Kolonel Cretin shkoj për në Francë në mest të duartrokitjeve dhe të thirurat e popullit rroftë Franca rroftë Shqipëria, rroftë L Kolloneli Kretin[1].
Pas Korçёs, Faik Konica e përshkruan kështu këtë segment të udhëtimit të tyre: …. në rrethet e Vlorës u bashkuan me kryengritësit heroike që leftojin për çlirimin e vendit, edhe topat e italianëve përcuallnë marshet e bandës me nota të forta, të përshkruara në kartë[2].Thoma Nasi thekson faktin se:…kjo luftë epike kishte tërhequr vëmendjen e të gjithë botës dhe midis korrespondentëve që mbulonin luftën, më i shquari ishte Edsel Mowrer i Chicago Daily News dhe Washington Post. Dukej që të gjithë korrespondentët mbanin anën e shqiptarëve guximtarë, trimëria e të cilëve përshkruhej në njoftimet e përditëshme. Duhet përmendur se luftëtarët shqiptarë kishin hedhur gunat e tyre të leshta e të rënda mbi barrikadat e telave me gjëmba dhe kapërcenin mbi to për të terrorizuar italianët. Për më tepër, sapo që italianët i nisnin aeroplanët e tyre, shqiptarët i rrëzonin shumë syresh[3].
Dëshmitari i asaj lufte Ago Agaj, në kujtimet e tij shkruan pёr efektin qё shkaktoi ardhja e Bandёs Kombёtare VATRA tek luftёtarёt:… pa le kur u dëgjua, që “Vatra e famshme”, kishte nisur nga Amerika një bandë muzikore të shquar për të ardhur në Drashovicë e për të marrë pjesë në luftë. Atëhere gëzimi i luftëtarëve u rrit dhe më shumё. Sadoqë nuk ua merrte mendja se si do t’ trembeshin italianët e do të viheshin në ikje me anë të veglave muzikore, të cilat ata i admironon më tepër se c’do gjë[4].
Pas vizitës së parë të bandës “Vatra” në atdhe, dëshira popullore për një muzikë të re, i dha mundësinë Thoma Nasit të kompozonte shumë këngë. Njëra prej këtyre këngëve, në mos më e njohura, ishte kënga “Vlora-Vlora”[5], me fjalë të Ali Asllanit (1884-1966). Peshkop Fan S. Noli e thotë shkoqur se …edhe kënga “Vlora, Vlora”, sikundër e dini është bërë nga një përfaqësonjës i “Vatrës”, të cilin e kemi këtu në mes tonë. Ia dini emrin, por do ta thom, profesor Thoma Nashi[6]. Në kujtimet e Nasit të shumë viteve më vonë, ai ngatërron pa dashje emrin e krijuesit të poezisë së kësaj kënge. Në versionin e tij ai përmend Bajram Currin, gjë që nuk provohet të jetë e vërtetë. Referuar kujtimeve të Hajredin Bej Cakranit: …ata (banda “Vatra” – shënimi ynë”) e bënë dhe ujdisnë vjershnë që kish bërë ato ditë shkronjëtori Ali Aga Asllani dhe e bënë hymn, si frëngjtë asokohe Marsejezën[7]. Pra kënga “Vlora, Vlora”jo vetëm është kompozuar në flakët e luftës, por si e tillë është dëshmia më e prekshme e trashëgimisë shpirtërore që vjen nga Lufta e Vlorës.
Sipas Nasit, një nga çastet më të paharruara të veprimtarisë së “Vatrës” në front më 1920 ishte kur: …pas largimit të italianëve, ‘të gjithë shqiptarët që kishin marrë pjesë në luftë u futën në Vlorë me bandën në krye duke kënduar Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora! Kënga pati sukses të menjëhershëm dhe brenda pak ditëve u përhap në të gjithë Shqipërinë. Në një nga transmetimet e saj në radio, Dorothe Thompson tha se shqiptarët kur hidheshin në sulm kundër italianëve këndonin këngën Vlora, Vlora. Kjo këngë është bërë një nga klasiket shqiptare dhe ende këndohet sot. Gjëja që më ka habitur e befasuar më shumë është se si këngët që shkruaja arrinin të shpërndaheshin pothuajse brenda natës në të gjithë vendin dhe të këndoheshin e ekzekutoheshin pa nota të shtypura nga orkestrat vendase. Kudo që vizitonim qytete të mëdhenj a të vegjël, popullata vendase do të na përshëndeste duke kënduar këto këngë![8]
Kush nuk i di vargjet e saj?
I.
Jam vlonjat e jam vlonjat,
zhgabën e kam mëm’ e atë,
zhgaba trime dykrenorë
fron’ e saj e ka në Vlorë!
Ref.
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri më të lumtë dora.
II.
Vlora trime shqipëtare
si rob jetën s’e do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bëhet tym e hi!
III.
Jam vlonjat e jam burrë,
s’duron burri zgjedhë kurrë,
jam vlonjat e si vlonjat
do bëj luftë me të shtat’!
IV.
Jam vlonjat dhe trim me besë,
rreth flamurit di të vdesë,
a me hir a me pahirë
doemos do rroj i lirë!
Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare me në krye bandën “Vatra” hynë triumfalisht në qytetin e çliruar të Vlorës, gjё e cila provohet edhe nga disa fotografi historike, njё pjesё tё tё cilave i botojmё pёr herё tё parё nё librin “Banda Kombёtare Vatra, njё histori unikale shqiptaro-amerikane”, botim i Akademisё sё Shkencave, 2020. Para se banda të hynte triumfalisht në Vlorë, Gazet’e Korçës e datës 4 shtator 1920, u kujtonte lexuesve të saj se: …triumfi panegjerik i kësaj bande u tregua në Drashovicë, ku me marshet e saj patriotike u dha fuqi të reja luanëve vlonjatë dhe të tjerëve vetëdashës, të cilët me hovet e tyre shtrënguan armikun e djeshëm dhe mikun e sotmë të lërë Vlorën[9]. Korrespodenti i gazetës së Korçës shkruante: …Banda kombëtare “Vatra” arrin atje e cila pritej me padurim të madh nga populli… Më ora 8 në mëngjes u dëgjua zëri i bandës “Vatra” e cila vajti në kazermë ku ushtri e Korçës nënë Ferid Frashërin e priti me armë për nder dhe që andej, bashkë me ushtrinë vajti për të marrë vendin e caktuar përballë monumentit të dëshmorëve[10].
Ngritja e flamurit të fitores në Vlorë u prit me entuziazëm të papërshkrueshëm popullor dhe u bekua me gjakun e 175 dëshmorëve, të 422 të plagosurve[11] dhe të sakrificave të panumërta të popullit vlonjat. Këto sakrifica kishte parasysh kolonel Aqif Përmeti, komandanti i “Trupës vullnetare” tё ardhur nga Amerika sё bashku me bandёn Kombёtare VATRA, kur me mbarimin e luftës lëshoi thirrjen për të mbështetur popullin që vuante nga mjerimi i pasluftës me kёto fjalё”…Vlora sot ndodhet në duar të ushtrive shqipëtare. Por ky vend historik nuk u dorëzua me dashjen e italianëve por u mor me luftë duke derdhur gjak shqiptari për të shpëtuar Vlorën. Ata që ranë dëshmorë të këtij qëllimi, kanë lënë fëmijën, gratë dhe mëmat e tyre në duart tona. Ata dëshmorë sot prehen në gji të Perëndisë, por fëmijes së tyre mbase i dridhet dora e buza për një kafshore bukë. Prandaj që të mos lihen fëmijët e dëshmorëve të vuajnë, duhet çdo njëri që mban emrin shqiptar, pa kursim të japë ndihmën e tij[12].Njё foto e veçantё ёshtё shkrepur nga fotografi Petro Dhimitri mё 3 shtator 1920 nё ditën e çlirimit të Vlorёs ku janё sё bashku 250 vullnetarë nga qarku i Korçës[13], në mes të të cilëve ndodheshin 120 trupat e ardhura nga Amerika dhe pjestarёt e Bandёs Kombёtare VATRA.
Ngritja simbolike e flamurit shenjoi fitoren e luftës. Për ato çaste, në shtypin e shkruar thuhet:…bandat po buçisnin për himnin e flamurit dhe z. Qazim Kokoshi po ngrinte flamurin sipas muzikës[14]. Bëhet fjalë për bandën “Vatra”[15] dhe bandën “Afërdita” të Elbasanit, prezencën e të cilave konfirmohet nga disa drejtime, nder to edhe Syrja Vlora[16] në kujtimet e tij: …dalëngadalë italianët u tërhoqën nga toka e Vlorës dhe, më së fundi, në kohën e caktuar, e liruan krejt vendin duke u transferuar në ishullin e Sazanit. Pas kësaj, me plot gaz e muzikë të luajtur nga banda e Korçës dhe ajo e Elbasanit, i tërë populli festoi i gëzuar e i lumtur. Kështu iu dha fund luftës.(Te plote lexoje ne Gazeten DIELLI ne Print)
[1] Shih: “Metingu për të protestuar kondra masakrave të Italis në Vlorë”, te Gazet’ e Korçës, 23 qershor 1920.
[2] Cituar sipas artikullit “The sweet power of music”, 1920, të shkruar nga Faik Konica.
[3] Cituar sipas leksionit të mbajtur nga Thoma Nasi me studentët shqiptarë të Universitetit të Harvardit, 1960.
[4]Shih “Lufta e Vlorës”, Tiranë, 2002, f. 255.
[5] Kënga “Vlora-Vlora” u kompozua nga Thoma Nasi gjatë Luftës së Vlorës.
[6] Cituar sipas: Fan S. Noli. Vepra 6, Tiranë, 1996, f. 217.
[7] Te: Kujtimet e një firmëtari. Tiranë, 2016, f. 359.
[8] Shih: Thoma Nasi. Ligjërata. 1960.
[9] Cituar sipas: Gazet’ e Korçës, 4 shtator 1920.
[10] Cituar sipas: Gazet’ e Korçës, 8 shtator 1920.
[11] Shifrat janë cituar sipas: Syrja Vlora. Kujtime, nga fundi i sundimit soman në Luftën e Vlorës, Tiranë, 2013, f. 335
[12] Cituar sipas gazetës Koha, Korçë, 7 gusht 1920.
[13] Shih gjithashtu: Syrja Vlora. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Tiranë, 2013, f. 334 (perifr.).
[14] Shih: gazeta Koha, datë 11 shtator 1920, f. 3 (shkrim).
[15] Shih gjithashtu: Enver Memishaj. Emblema e një Epopeje. Tiranë, 2010, f. 367-368.
[16] Syrja Vlora. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës, Tiranë, 2013, f. 199. Libër i cituar.