

Akademik Vasil S. Tole/
Historia unike e bandës kombëtare “Vatra”, e themeluar në dhjetëvjeçarin e dytë të shek. XX, nga dirigjenti dhe kompozitori Thoma Nasi me mbështetjen e plotë të federatës “Vatra”, na fton që përmes veprimtarisë së tyre të shohim nga një tjetër këndshikimi historinë e Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit XX. Janë disa dritare përmes të cilave duhet ta shohim rolin e saj: thjesht si formacion muzikor, si shenjë e qartë atdhedashurie, si miqësi shqiptaro-amerikane apo edhe si mekanizëm për të kuptuar vendin e muzikës në shoqërinë shqiptare.
Banda u krijua në Amerikë, vend për të cilin Noli thoshte se Amerika është nëna jonë kombëtare. Kjo pasi ajo i dha komunitetit shqiptar mënyrën amerikane të jetesës, demokracinë, lirinë në përgjithësi, lirinë e të mospasurit frikë, lirinë e fjalës dhe lirinë e besimit, të cilat shqiptarët nuk i gëzonin në atdheun e vjetër dhe që prej andej i sollën në mënyra të ndryshme në Shqipëri. Banda kombëtare “Vatra” ishte njëra prej tyre! Nevoja për krijimin e shoqërive dhe formacioneve muzikore tek shqiptarët e Amerikës lidhej drejtpërsëdrejti me ruajtjen e identitetit të tyre kulturor e që, sigurisht, motori lëvizës i këtij mekanizmi artistik më së pari kishte lidhje me mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, duke përcjellë përmes saj ide dhe qëllime kombëtare.
Shohim një lidhje të drejtpërdrejtë mes ngritjes së shoqërive dhe bandave muzikore në Shqipëri, me ato të diasporës shqiptare në Amerikë, Greqi, Rumani, Bullgari e kudo qoftë. Krijimit të tyre i parapriu një krijimtari muzikore e letrare e natyrës patriotike, ndër to përmendim krijimin në Amerikë në vitin 1906 nga Thanas Floqi (18841945) të melodisë dhe vargjeve të këngës “O trima luftëtarë” ; nga Kol Tromara të këngës “Sa të rrojë gjithësia”; në vitin 1909, nga Nikollë (Kolë) Rrodhe kemi krijimin e këngës “Marsh turje në luftë” sipas melodisë së “Yankee March”, SHBA, dhe të këngës “Zot i fuqive” (sipas melodisë së këngës amerikane “My country ‘Tis of Thee” e njohur si himn i SHBA-së deri në vitin 1931), e po ashtu ekzistencën e disa formacioneve muzikore të shqiptarëve, si mandolinata “Morava” e shqiptarëve në qytetin Akron, shteti Ohio, USA-1910, banda “Queen Sofia” u themelua nga shqiptarët e Amerikës në Xhejmstaun, Nju-Jork, SHBA, 1915, mandolinata “Dodona”-1915-1916 dhe “Albanian Choral Society”, e themeluar në vitin 1917 etj.
Vlen të theksohet se krijimi i bandës kombëtare”Vatra” ishte i veçantë, për shumë arsye. E para lidhet me faktin se në kohën e krijimit të saj në vitin 1916, pothuajse ishte përmbyllur procesi i strukturimit të komunitetit shqiptar të Amerikës. Nga shoqëri dhe struktura të mbyllura dhe të pakoordinuara me njëra-tjetrën, me krijimin e federatës “Vatra” ishte mundësuar më së pari kompaktësimi i faktorit shqiptar në SHBA. Kështu, që në momentin e parë të themelimit, banda kombëtare “Vatra” u krijua jo si përfaqësuese e një shoqërie të veçantë shqiptarësh të Amerikës, por si emblema e vetme e tyre muzikore, e cila do të funksiononte pranë federatës “Vatra”. Nga ana tjetër, vetë përdorimi i të njëjtit emër, atij të “Vatrës”, e përforcoi këtë unitet.
Dita e themelimit të Bandës kombëtare “Vatra” është dita e diel e 17 dhjetorit 1916, në qytetin Ustër të shtetit Massaçusetts të Amerikës. Mbledhja themeluese zgjodhi një komision dhe u lidh një kontratë për të sanksionuar këtë nismë, sa kulturore e po aq atdhetare. Në të ndër të tjera shkruhet: …ne të nënshkruarit … duke dëshiruar përparimin e atdheut tonë dhe duke marrë ndër sy se fillimi i një Bande është një nga mënyrat e përparimit , vendosmë të formojmë Bandën me emrin “Vatra”. Qëllimi i Bandës është për t’i shërbyer çështjes kombëtare, ashtu si në vatrën familjare në trupën e Bandës duhet të mbretërojë një dashuri vëllazërore dhe se kjo Bandë nuk do të shpërndahet gjersa të mos dëshirojë shumica e anëtarëvë të saj dhe jo këtu, por në Shqipëri. U aprovua Kanunorja ku secili, emër për emër, e firmosi atë. U blenë veglat muzikore nga më të mirat që ishin në tregun amerikan të veglave të asaj kohe.
Më 26 prill 1917, me rastin e festimit të Pashkëve në SHBA, banda “Vatra” interpretoi “Hymnin e Shqipërisë” dhe të Amerikës, kompozime origjinale të krijuara nga Thoma Nasi si dhe pjesë nga repertori i artë i muzikës botërore, me autorë si Mozarti, Bethoveni, Brahmsi etj. Dy vjet para ardhjes në Shqipëri, më 1918, drejtuesi i bandës Thoma Nassi botoi në Amerikë të parin version për zë dhe piano (me nota dhe me fjalë) të “Himnit të Flamurit”, të cilin e ribotoi përsëri në prill të vitit 1947. Në vitin 1918, himni kombëtar interpretohet dhe regjistrohet në Amerikë nga banda “Vatra”, si dhe publikohet në disqe nga shoqëria diskografike “Albanian Phonographs Records”, me qendër në Amerikë, me titullin “Marshi i Flamurit, Valo-valo”, i kënduar nga Spiridon Tasi Ilo. Ky mbetet i pari regjistrim muzikor i “Himnit Kombëtar” që njohim deri më tani.
Banda “Vatra” erdhi në Shqipëri kur atdheu kishte nevojë për të. Lufta e Vlorës më 1920 ishte thirrja për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër pushtuesve. Thënia e Nolit “Mbahu nëne, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, gjeti konkretizimin e saj përmes akteve sublime të 120 vullnetarëve shqiptaro-amerikanë, të mbledhur dhe të përgatitur nga federata “Vatra” – SHBA dhe te veprimtaria mbarëshqiptare e bandës kombëtare “Vatra” në atdhe. Më 2 prill 1920, banda kombëtare “Vatra” mbërriti në Shqipëri për të marrë pjesë në ngjarjet për çlirimin e Shqipërisë, së bashku me “Trupin vullnetar” të drejtuar nga Aqif pashë Përmeti (18841945). Para se të merrte pjesë në Luftën e Vlorës, banda kombëtare “Vatra” kreu disa udhëtime koncertore nëpër qytetet kryesore në vend. Nuk mund të përshkruhet optimizmi dhe gjallëria që përçoi ky rrugëtim artistik nëpër atdhe (në qytetet e Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Beratit, Durrësit, Tiranës etj.), në muajt prill-maj 1920, si për popullin, ashtu edhe për vetë pjesëtarët e bandës. Kjo mbështetje nga ana e federatës “Vatra” ishte krahas ndihmesës së vazhdueshme që ajo bënte për çështjen kombëtare përmes mbështetjeve të vazhdueshme financiare.
Ata morën pjesë në Luftën e Vlorës jo thjesht e vetëm me pushkë, por me një instrument muzikor në dorë, i cili provoi se u shndërrua në “armën” e tyre më efikase për të mbështetur çlirimin e Vlorës. Një nga çastet më të paharruara të veprimtarisë së “Vatrës” në front më 1920 ishte, siç e përshkruan Nasi , kur: …forcat luftuese të Vlorës na u lutën t’i vizitonim për të mbajtur lart moralin e tyre… dy, tri herë në ditë ne shkonim në front për të luajtur për luftëtarët shqiptarë. Fakt është që banda “Vatra”, siç dokumentohet edhe në fotografi të kohës, ishte në Vlorë ditën e çlirimit të saj, bashkë me 250 vullnetarë nga qarku i Korçës , në mes të të cilëve ndodheshin edhe 120 trupat e ardhura nga Amerika. Gazet’e Korçës e datës 4 shtator 1920, u kujtonte lexuesve të saj se: …triumfi panegjerik i kësaj bande u tregua në Drashovicë, ku me marshet e saj patriotike u dha fuqi të reja luanëve vlonjatë dhe të tjerëve vetëdashës, të cilët me hovet e tyre shtrënguan armikun e djeshëm dhe mikun e sotmë të lërë Vlorën . Ngritja simbolike e flamurit shenjoi fitoren e luftës. Për ato çaste, në shtypin e shkruar thuhet:…bandat po buçisnin për himnin e flamurit dhe z. Qazim Kokoshi po ngrinte flamurin sipas muzikës . Bëhet fjalë për bandën “Vatra” dhe bandën “Afërdita” të Elbasanit, prezenca e të cilave konfirmohet nga disa drejtime, ndër to edhe nga Syrja Vlora në kujtimet e tij.
Ardhja në Vlorë e bandës kombëtare “Vatra” ishte vetëm prologu i rrugëtimit të saj shumëvjeçar në Shqipëri. Banda kombëtare “Vatra” me vajtjen në Vlorë e sidomos me kompozimin prej Thoma Nasit me fjalët e Ali Asllanit të këngës himn Vlora-Vlora, i dha Luftës së Vlorës dhe luftëtarëve shqiptarë formën dhe përmbajtjen e një lufte kombëtare dhe ushtrie të vërtetë, e cila lufton për çdo pëllëmbë të territorit të vendit, me flamur në dorë e me himn në gojë. Vatranët nuk ishin thjesht muziktarë me vegla muzikore, por misionarë modernë të çështjes kombëtare. Me fitoren e kësaj lufte duket se u përmbush edhe amaneti i Fan S. Nolit, i shprehur qartë në artikullin “Për një Shqipëri Evropiane”, në të cilin shfaqte tri dëshirat e tërë shqiptarëve: lirimi i Shqipërisë; forcimi i saj dhe të zgjedhurit e kufijve të Shqipërisë nëpër tërë ato vende ku rron kombi shqiptar dhe flitet gjuha shqipe .
Me përfundimin e Luftës së Vlorës, me vendimin nr. 616, datё 14 shtator 1920 e qeverisё sё Sulejman Delvinёs, banda “Vatra” shpallet bandё kombёtare nё dispozicion tё qeverisё, me qendёr nё Korçё. Në vitet 1920, falë Thoma Nasit dhe bandës “Vatra”, roli i muzikës dhe në përgjithësi i artit u ridimensionua në shoqërinë shqiptare. P.sh., në Korçë kemi edhe krijimin e të parës orkestër simfonike në Shqipëri, koncerti premierë i së cilës u dha në prill të vitit 1924. Thoma Nasi, i parapriu ngritjes së orkestrës simfonike me disa veprime energjike, ndër to ajo e konceptimit të saj. Këtë vizion ai e përshfaqi në formën e një artikulli me titull “Përmi organizimin e një orkestre simfonike” , të cilin e botoi në dy numra të gazetës Shqiptari i Amerikës, në vitin 1923. Artikulli “Përmi organizimin e një orkestre simfonike” hodhi realisht hapin e parë publik drejt qëllimit final, ngritjes së të parës orkestër simfonike në Shqipëri, me qendër në Korçë. Pavarësisht se jeta e saj qe e shkurtër, ajo provoi se shqiptarët i kishin kapacitetet e duhura organizative dhe artistike për të krijuar orkestrën simfonike. Fjalët e Nasit: …dhe çfarë nisje më të bukur të bëjmë se fillimin e një orkestre simfonike, që do të jetë yshqim shpirti për të gjithë, lavdërimi i botës së qytetëruarë”, do të shkruhen një ditë me germa ari në historikun e orkestrave simfonike dhe të muzikës së kultivuar në Shqipëri.
Në fillim të viteve 1920, banda ishte pjesë aktive në dy ngjarje të shenjuara shqiptaro-amerikane. Në prill të vitit 1922 ata ishin në Tiranë në inaugurimin e “Shkollës teknike amerikane”, atë që njihet si shkolla e Fultzit. Ja se si shkruan ish-ambasadori Rajerson: …në 17 prill 1922, një ceremoni inauguruese u organizua për ndërtimin e shkollës Teknike Amerikane (e quajtur gjithashtu Shkolla Profesionale Amerikane), me muzikë nga banda muzikore e Shoqatës “Vatra” nga Bostoni ; dhe së dyti, në 28 korrik 1922, me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, banda “Vatra” merr pjesë në ceremonitë e nderimit për paraqitjen e letërkredencialeve të ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri etj.
Gjashtëvjetori i krijimi të bandës “Vatra” më dhjetor të vitit 1922, ishte një mundësi e mirë që Thoma Nasi të ritheksonte për të pranishmit e shumtë në aktivitetin e organizuar, se: …banda “Vatra” do të mbetet e paharruar në historinë e Rilindjes Shqiptare. Jemi të lumtur se sot u realizua plotësisht qëllimi për të cilin u fillua kjo bandë . Veprimtaria e bandës “Vatra” preku dy çështje thelbësore: patriotike dhe kulturore . Duket se Amerika i kishte dhënë Nasit dhe djemve të bandës kombëtare “Vatra” gjithë forcën e duhur për t’u përballur me këto sfida, të cilat, me sa duket, nuk ishin thjesht kulturore. Për ta bërë këtë, atij personalisht dhe bandës “Vatra” si institucion kulturor, iu desh të përballeshin me një realitet që linte shumë për të dëshiruar. Një pjesë të vështirësive ata e shfaqën në vitin 1923, kur përmes “Apelit” drejtuar popullit shqiptar ritheksuan rolin e tyre: …për të çporrur së këtejmi “havazet e daulleve dhe të taksave të çallgive”, “manetë e anadollakëve”, këngët e “ashikëve” dhe të “dylberëve”, “pizgat e gajdeve të evgjitëve” dhe “dairet e çingive të Tiranës”, “dam-dum-dumeret e saroshëve dhe sadomistëve” etj. Kontributin thelbësor të bandës kombëtare “Vatra” e pohon edhe At Gjergj Fishta, kur shkruante se: … muzika asht njeni ndër faktorët ma të parë të qytetënimit të popujve. E kështu “Vatra”, tue u interesue për zhdrivillimin e muzikës në Shqipni, ia shtron kombi rrugën ma të shkurtë, për me u kapë te qytetnia. Jo, po; muzika gjithmonë ka qenë mbajtë prej kombeve të qytetnueme për faktor përparimi e qytetnimi .
Kryeministra të atyrevioteve si Sulejman Delvina, At Fan S. Noli dhe më pas edhe mbreti Zog u angazhuan drejtpërsëdrejti për t’i dhënë shtetit shqiptar një dimension më kulturor, për ta vendosur kulturën dhe posaçërisht muzikën në themel të identitetit të tij. Në vitin 1925 banda kombëtare “Vatra” transferohet nga Korça në Tiranë dhe shpallet“Bandë Presidencale” e shtetit shqiptar, dhe më 1928 shpallet“Bandë Mbretërore” e Shqipërisë. Fara e bandës “Vatra” dhe pjesëtarët e saj ishin kudo në Shqipëri, aty ku krijohej një formacion i ri muzikor, një botim ose një shkollë e re. Me pak fjalë, roli i bandës “Vatra”, i gjithë pjesëtarëve të saj, ishte katalizator procesesh emancipimi kulturor, me rolin e jashtëzakonshëm të këtij formacioni muzikor që themeloi për të parën herë jetën muzikore në qytetet shqiptare, futi konceptin e edukimit muzikor në shkollat tona dhe që ideoi e realizoi botimet muzikore në vend.
Një kulminacion në marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve tona ishte ligjërimi i muzikës xhaz (jazz) në jetën e Shqipërisë së viteve 1930, kontribut i drejtpërdrejtë i vatranëve të muzikës. Viti 1917 mbahet si viti kur disku i parë i xhazit amerikan e përhapi këtë muzikë në gjithë botën. Duke llogaritur këtë datë si një datë të përhapjes ndërkombëtare të xhazit, mund të themi që Shqipëria përmes ligjit të vitit 1938, që legjitimonte ngritjen e orkestrës xhaz në formacionet muzikore të Mbretërisë Shqiptare, ishte ndër të parat që çmonte dhe popullarizonte vlerat e kësaj muzike e, njëherazi, lidhjet shpirtërore e kulturore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo miqësi shqiptare ndaj Amerikës dhe ndaj “jazz-it” si një kulturë tipike amerikane, shfaqej në atë kohë në rrugë të ndryshme, nisur si nga gjestet publike të institucioneve shqiptare, siç është rasti i ligjit “Për trupat muzikore të ushtrisë”, ku në nenin 14 sanksionohej ngritja e orkestrës së muzikës xhaz, vendosja e emrit të presidentit Wilson në vend të emrit Shëngjin në Lezhë, e deri te kontributet artistike të krijuesve shqiptarë për këtë kulturë muzikore unike si rasti i filmit dhe fotografive të Gjon Milit mbi xhazin. Sot, xhazi amerikan, fado-portugeze dhe isopolifonia shqiptare me saze janë tri kulturat muzikore moderne të krijuara në shekullin XX, si rezultat i kombinimit të kulturave etnike me veglat e temperuara muzikore, që të tria të regjistruara në “Listën përfaqësuese të dukurive shpirtërore” UNESCO. Si përfundim, fjalët e profesorit Sederholm, pjesëtar i grupit të Lidhjes së Kombeve që monitoronte kufirin jugor të Shqipërisë në vitet 1920, se: … një komb që arrinte të krijonte të tilla grupe si banda “Vatra” dhe të donte muzikën aq sa njerëzit e shprehnin këtë me vërshimin nëpër koncerte, natyrisht që meritonte lirinë e tij. Trashëgimia artistike dhe atdhetare e bandës kombëtare “Vatra” është një ndër vlerat e qëndrueshme që kujtojmë në vitin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.