
(Nga diskutimi në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, të premte 5 nëntor 2021, në promovimin e librit të akademik Vaso Tole “Banda Kombëtare “Vatra”, ku kumtuan: Prof. Dr. Zana Shuteriqi, Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Kapiten Altin Babameto, Kristaq Balli dhe familjarë të Thoma Nasit nëpërmjet videoconferencës).
Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi
Msc Alma Golemi
Libri i akademik Vaso Tole “Banda Kombëtare “Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane”, është një gur i gdhendur me merak, një copëz e historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX-të.
Libri është një dimension i ri kulture, historie dhe identiteti. Një punë cilësore për një formacion të jashtëzakonshëm muzikor, që u themelua dhe u drejtua nga Thoma Nasi më 17.12.1916. Banda që themeloi ishte një dritare e re muzikore e botës shqiptare, e konceptit të edukimit muzikor, e botimeve muzikore, që u pasua me krijimin e Bandës presidenciale, Bandës mbretërore e më tej Bandës së Ushtrisë e 45 orkestra frymore dhe fanfara e deri tek Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura dhe bandat muzikore të bashkive sot.
Qëllimi i krijimit të saj ishte thellësisht atdhetar e patriot: “për t’i shërbyer çështjes kombëtare me dashuri vëllazërore” dhe nëse do shpërndahej, Banda nuk mund të shpërndahej në Amerikë por vetëm në Shqipëri”.
“Armët” e tyre ishin veglat muzikore që u blenë nga më të mirat, sepse edhe stërgjyshërit dhe gjyshërit e tyre ashtu i blenin armët për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
Sot nuk bëjmë vetëm një promovim libri, por edhe homazh për themeluesin e Bandës Kombëtare “Vatra” Thoma Nasi, për familjen Nasi, muzikantin Albert Thoma Nasi që u rreshtua në ushtrinë amerikane sikurse bënë edhe 3441 shqiptarë të tjerë në Amerikë. Biri i muzikantit të madh Thoma Nasi, Alberti ishte pjesë e denjë e ushtarave amerikanë që erdhi me armatat antifashiste amerikane, por ngeli përjetësisht dëshmor për çlirimin e Europës në Francë.
Libri është vlerë e spikatur që ndriçon, hedh dritë në kuptimin e jetës muzikore, në një ndër periudhat kur në truallin shqiptar mungonte shteti dhe liria, por kuptimi dhe përmbushja e jetës me dimensionin e mençurisë njerëzore, bëri që Banda “Vatra” të ishte bashkë me vatrën shqiptare, me hallet e kohës. Ajo nuk ishte një bandë muzikore e armatosur me pushkë e fishek, por me aspirata që qarta, me këngët e popullit, me ëndërra e shpresa për lirinë. Stili i thjeshtë dhe referencat e shumta e bëjnë librin solid, të formimit akademik e shkencor, një amanet brezash muzikorë që vjen tek lexuesi nga dora e një ustai akademik për librat.
Latinët shprehen: “Habent sua fata libelli/Librat kanë fatin e tyre”, sikurse arkivat, dokumentet, dijet. Librat kanë mijëra fjalë, zgjojnë ide, ndriçojnë studime dhe kanë destinacion të sigurtë. Intelektualizmi shqiptar i fushës muzokore dhe jo vetëm gjithmonë do të ketë uri dhe dëshirë që të lexojë të vërtetat e fillimshekullit të kaluar si dhe përpjekjet shqiptare në luftë, në diplomaci, në pavarësi, kongrese, luftra kombëtare e lokale, do të flasë e tregojë për bandën “Vatra”, që erdhi në zjarrin e luftës për liri dhe ngeli frymëzuese brezash.
Tingujt e bandës “Vatra”, frymëzuan dhe mobilizuan luftëtarët në beteja, me tingujt e saj ranë 175 dëshmorë dhe 422 të plagosur në llogoret për lirinë e vendit, me tingujt e Vatrës u ringritën dhe gjetën forcë e shpresë deri kur atdheu u bë i lirë dhe i përbashkuar. Historia e botës është para së gjithash histori e luftrave dhe anëtarët e bandës “Vatra”, u rikthyen në Shqipëri si misionarë lirie, të thithnin erën e barotit, të jepnin shpirt frymëzimi në beteja, të merrnin erën e lirisë dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit në Luftën e Vlorës. Prandaj edhe banda Vatra shkonte në front 2-3 herë në ditë për të rritur moralin e luftëtarëve.
Nuk ka betejë të historisë ku janë përdorur instrumentet muzikore dhe mendimi ushtarak të mos e ketë marrë në analizë përdorimin e instrumentave si një prej elementëve të fitores. Me të drejtë autori i referohet Sederholm-it (pjesëtar i grupit të Lidhjes së Kombeve që monitoronte kufirin jugor të Shqipërisë në vitet ’20-të): “… një komb që arrinte të krijonte të tilla grupe si Banda “Vatra”, dhe të donte muzikën aq sa njerëzit e shprehin këtë me vërshimin nëpër koncerte, natyrisht që meritonte lirinë e tij”. 1920-ta, në Shqipëri, kishte evenimente madhore: kongresin e Lushnjës dhe tre luftra në Vlorë, Dibër e Koplik. Në këndvështrimin historiko-ushtarak armët, luftëtarët, trimat kishin nevojë për moral të lartë dhe elementë besimi e fuqie, kishin nevojë për vargjet kushtrim e prush luftarak të birit të fshatit Vajzë Ali Asllanit. Vargjet e tij u muzikuan në Drashovicë pranë shtabit luftarak i luftës, nga shqiptaro-amerikani i madh Thoma Nasi, dirigjenti i Bandës Kombëtare “Vatra”, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në atë luftë.
Njё nga çastet historike të veprimtarisë së “Vatrës” në frontin luftarak, më 1920 ishte kur pas largimit të italianëve, gjithë shqiptarët që kishin marrë pjesë në luftë u futën në Vlorë me bandën në krye duke kënduar “Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora!”.
Fakt është se kjo këngë pas një shekulli u rijetëzua, përmes ri-harmonizimit, ri-orkestrimit për orkestër simfonike dhe ri-këndimit të saj nga këngëtari Josif Gjipali dhe kompozitori Klodian Qafoku. Tradita luftarake shqiptare e luftrave u pasurua më 1920-tën me ndjenjën e hovin moral, me të cilën Banda “Vatra” dhe “Afërdita” zgjonte hove trimërie në shpirtrat e luftëtarëve shqiptarë, që me tingujt e “Vatrës”, u ndeshën përgjakshëm dhe ranë për atdhe trima që të merrnin gjak në vetull. Ata ranë “ku i zinte balta”, me shpresën për ta parë Atdheun të lirë. Uniformat ushtarake dhe simbolet kuq e zi shkruanin në fakt misionine tyre dhe amanetin e shqiptarëve të Amerikës për mëmëdheun: “Liri a vdekje”, ndërkohë që në ballë ishte flamuri i Skënderbeut.
Autori Vasil Tole, e ka çveshur materialin burimor në libër nga tepërimet e klishetë, nuk i ka vënë librit gjethe dafine, por vërtetësi. Përmes një profesionizmi të spikatur autori ka depërtuar në ngjarjet e para një shekulli dhe përshkruan me realizëm e seriozitet ngjarjet e Vatrës dhe bandës së saj muzikore, rrugëtimin 18 ditor në oqane e dete, pjesëmarrjen në luftë dhe veprimtarinë e pasluftës. “Banda Kombëtare “Vatra”, nuk është vepër kolektive, por një qëmtim plot sqimë e merak sa një institucion, që për nga shtrirja e gjerësia e studimit ka sjellë një aparat shkencor të referueshme edhe nga brezat që do ristudjojnë këtë vepër plot vlera. Emra, fotografi, bibliografi, referenca, kërkime arkivore, pasion, diku i kursyer në fjalë, diku i shtrirë në gjerësi e gjatësi gjeografikisht, por të përcaktuar dhe renditur qartë.
Me Luftën e Vlorës kishte ardhur “ora e Motit të Madh”, ishin ringjallur shpresat dhe misionarët e shqiptarizmës kishin dalë në plan të parë. Pionierët e artit muzikor nuk ngelën mbrapa në këtë ndërmarrje që i përkiste kombit. Djemtë e kulturës muzikore shqiptare në mungesë të institucioneve e kishin dhënë kontributin e tyre jashtë hapësirës administrative të katër vilajeteve. Jeta dhe muzika, formacionet muzikore, bandat lokale e deri tek bandat muzikore kombëtare kishin lindur dhe rilindur, duke përqafuar modelet perëndimore. Fushën muzikologjike shqiptare me sy nga perëndimi, për instrumenta, formacione e bandave muzikore nën uniformë. Bandat muzikore fillimisht kishin lindur si frymëzuese e inkurajuese të ushtrive për fitore dhe më tej edhe për ngritjen e moralit të luftëtarëve në luftë dhe argëtim.
“Banda Kombëtare “Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane i akademik Vaso Tole me 427 faqe, 11 kapituj, 209 të dhëna bibliografike, qindra referenca, dokumente arkivore e fotografi është një memorial kujtesë për formacionin muzikor atdhetar të shoqatës “Vatra”, një copëz e miqësisë shqiptaro-amerikane, një trup plot ndjenjë e prush atdhetarie. Ky libër vjen tek lexuesi edhe me një CD, me 11 këngë e himne.
Banda Kombëtare “Vatra” ishte një copëz Shqipërie në pentagram kur atdheu kishte nevojë, në kohë rreziku. Vlera eqëndron në misionin atdhetar në kohën e duhur kur “Vatra” dhe “vatranët” nuk ishin vetëm me zemër, me ndjenjë, me përkrahje morale për mëmëdheun, por edhe me prezencë fizike me 120 luftëtarë (të stërvitur ushtarakisht në Boston), në betejat për liri e pavarësi sikurse erdhën djemtë shqiptarë të Amerikës në luftën kombëtare të Vlorës, në Dibër, në Koplik dhe kudo ku gjëmonte krisma e pushkëve për liri. Ajo që i madhi Fan Noli thoshte: “Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, u konkretizua faktikisht dy herë përgjatë një shekulli më 1920-tën dhe më 1999-tën, kur Nëna Shqipëri këtej e matanë kufirit lëshoi thirrjen-kushtrim, për liri, pavarësi dhe identitet. Federata “Vatra” si rrallë organizime të tjera shqiptare jashtë vendit dërgoi luftëtarë, bandën muzikore “Vatra” dhe mbështetëse financiare për luftën për Pavarësinë e Dytë Shqiptare të 1920-ës.
Rrugëtimi historik i Bandës “Vatra” vjen në detaje Durrës-Tiranë-Shkodër-Tiranë-Elbasan-Berat-Këlcyrë-Gjirokastër-Tepelenë-Përmet-Kolonjë-Korçë (27 maj 1920)-Dardhë – Vlorë, që kulmon me festimet e 3 shtatorit 1920.
Dashurisë për Atdheun nuk ikën kurrë moda, si më 1920-tën ashtu edhe aktualisht pas një shekulli. “Banda Kombëtare “Vatra” u shkrua në histori dhe është prezent në çdo apel kur kombi e thërret. Diaspora shqiptare jashtë trungut mëmë, në çdo situatë dhe pas një shekulli, është e gatshme kur atdheu e kërkon. Vatra dhe vatranët e Amerikës e bënë të mundur dhe shkruan historinë me fjalën atdhetare, me kohën e duhur dhe me rastin fatlum për shqiptarët që me luftë rifituan pavarësisë së dytë të tyre më 1920-tën.
Libri ka dokumentuar një copëz të historisë, ka ndriçuar me mençuri, një faqe të ndritur të shqiptarizmës të ardhur nga përtej Atlantikut, të shqiptarëve që jo vetëm me pushkë, me penë, me mjete financiare, por edhe me një bandë muzikore që zbriti deri në llogoret e përgjakshme dhe shkroi histori përtej imagjinatës njerëzore.
Urime autorit akademik Vaso Tole, për këtë libër-buqetë me dije, që nuk do mbushë vetëm bibliotekat por edhe boshllëkun real që ekzistonte deri më sot në mjedisin intelektual shqiptar e më gjerë!
-&-