Nga Visar Zhiti/
Poeti ynë nga Gjakova, që plot me Gjak lirie e ka dhe poezinë…
Baca Ali! – po i thoshim nga nderimi dhe ajo afërsi shpirtërore që të jepte ai, me një krenari të brendshme, që duke i lexuar poezinë kthehej në madhështi dhe adhurim. Ali Podrimja është poet emblematik.
Shoh një pullë poste të Republikës së Kosovës me portretin e tij, që vështron larg nëpër Shqipëritë, – siç e shkruante ai në shumës, se ka shumë Shqipëri thoshte. Kam mall për letrat e tij dhe do të doja t’i përgjigjesha sërish, t’i nisja një letër sot në Qiell, ku ai 12 vjet më parë iku atje, të endet shpirt në kopshtet e parajsës pas gjithë atyre dhimbjeve në tokën amë.
Bardi modern i eposit shqiptar të shekullit XX, kështu më është dukur. Shfletoj libra të tij, mbyshem me frymë dhe me kushtrime të brendshme. Është poeti shqiptar më i përkthyeri në gjuhë të tjera, në anglisht e bëri albanalogu i dashur dhe miku i përbashkët, Dr. Robert Elsie, në gjermanisht një tjetër mik, përkthyesi Hans-Joachim Lanksch dhe në italisht studiuesja jonë e shquar, pedagogia universitare Blerina Suta, me një parathënie që pata fatin ta shkruaj unë, në greqisht
një tjetër shkrimtar mik, e përktheu Iliaz Bobaj, etj, etj.
Shfletoj Podrimjen sot më shumë se ditë të tjera… S’ka si të mos ndal te poezia “Prizreni”, është në njërin nga librat e tij, dua të dëshmoj në vetë të parë si e donte ai tjetrin, me çfarë empatie. Nën titullit e poezisë si kushtim ka venë emrin tim, e ka shkruar para shumë viteve, me atë hermetizmin e tij mallëngjyes, që ngjan sikur është kod për të vazhduar bisedën tonë, se në vargun e fundit thotë:
Frymon atDheu, paska Zot
dhe s’ka pikë e as presje gjëkundi. E pafund… dhe fjalën atDhe e shkruante siç donte, Dheu – me shkronjë të madhe brenda fjalës, e di ai pse. I veçantë është dhe Dheu që e mbulon në Prishtinë…
Ah, si fillon poezia:
Putha pikën e gjakut
Mes Qiellit dhe Tokës
atëhere kjo pikë gjaku është e ylltë a është bërë yll a yjet janë pika gjaku, është e vuajtjes, e dhimbjes, e dashurisë, imja. Dhe poeti nxiton të thotë:
Më mbuloi drita hyjnore
dhe ashtu ndodhi vërtet me Podrimjen. Ai mbylli sytë përgjithmonë mes poezisë në Francë, në qytetin e vogël Lodevë, pikërisht në një festival poezie, si “poet i hartës së grisur” siç thotë poetja tjetër nga Kosova, Ilire Zajmi, e ftuar dhe ajo atje bashkë me Aliun tonë, ku një vit më parë kishim qenë me të dhe shkrimtarët Luan Starova, edhe poeti Anton Papleka, edhe unë. I ndjej…
Që nga qielli Podrimja “e lëviz gurin, rrënjën”, është në identitet me të gjitha fjalët e shqipes ashtu si dhe me njerëzit që i donte dhe e duan, që u linte ato autografe si poezi më vete…
Po unë kam gëzimin e dhimbshëm se kam marrë dhe një çmim letrar me emrin “Ali Podrimja”, edhe me emrin e mikut të tij, poet panteonik dhe ai, “Azem Shkreli” me librin me poezi “Si është Kosova”. Aty është dhe:
ELEGJIA IME
PËR POETIN ALI PIDRIMJA
– nga Visar Zhiti –
nuk mund të vdiste Podrimja
në Kosovën tij,
s’e linte toka këtu të shtrihej,
as të mbyllte sytë,
gjithnjë në këmbë,
klithmë jete gjithnjë
nëpër beteja shpirti,
me vështrim shqiponje
e flatra të rënda ere,
Toka Dardane nën hapat e tij
si nën ledhatime dashurie,
Deti Jon avitej si frymëzimi i tij
me dallgë të bardha
si me kuaj dasmash,
që i çuam në luftë
dhe Lumi i tij,
ditën i errët dhe i përzishëm,
kurse natën plot me shkëlqime
parajse,
që lidhte zërin me ecjen,
ëndrrën me rrugën, jetën me vdekjen
si birin me atin.
Ku ikën Ti, burrë i magjepsur,
me një këmishë yjesh,
të zbërthyer?
* * *
po ku ikën Ti, që s’ikën kurrë,
Vëlla i shtrenjtë,
Vëlla i madh, Bard i shenjtë?
Nuk shkulesh dot se je zemër me rrënjët në gur,
e kemi thënë, je gur me rrënjët
në zemër,
je rrënjë jete mes eshtrave të epokave
në Hijen e Tokës,
je kohë pavdekësie në një thirrje,
e kemi thënë.
* * *
atëhere ku shkoi shpirti yt? Ku ishte?
Mos vallë sipër zjarreve, kur digjeshin Prizreni, Kruja?
Ende më thellë endej si re
sipër një si Troje, që
u bë më e pamposhtur kur s’ishte më,
kërkonte shpirti dardanin Enea,
që vazhdonte të ikte ai
me atin mbi kurriz.
Shpirti i Eneas kërkonte trupin Tënd,
e di, ma kanë thënë perënditë tona
në Tomorr,
të njihnin, ti u ngjite atje, të pritën
dhe ndanë bukën me Ty.
Ecje Ti, Vëlla i perëndive, Baba Ali,
me Kosovën mbi shpinë,
me Lumin prej dore
dhe s’duhej të vdisnin as Lumi,
as Kosova, as Ti,
as perënditë. Binin shigjetat, por Ti me ç’magji
i ktheje në rreze dielli?
* * *
ky dardan i zhveshur që kishte ndalur në Butrint,
ishe Ti,
me shkëmbinjtë mburojë
e krahët shpata,
ngule një gur tjetër në Çamëri
mes hirit,
me fjalët e Tua të forta sa guri,
lexove poezinë e fundit në Sarandë. Që të të përqafonin,
u krijuan menjeherë gjire të tjerë
të kaltër. Ti shikoje
detin, atje ku mbështetej Naimi,
tek ai ulli i moçëm,
që befas bleroi prej Teje.
Nga duart e Tua dilnin pulbardha…
* * *
Vëllai ynë i madh, bard nga Gjakova,
me Gjak klithmash në buzë,
me himnin e lirisë në ballë
për luftëtarët e Tu,
plagët e tyre i vure të gjitha
në trupin Tënd,
të dhimbnin,
me ujin e Lumit tënd i qetësoje,
dole nga vorbullat e vdekura i gjallë,
shtatore lirie lakuriq,
krenar dhe i përunjur prej dhëmbjes,
i ndershëm dhe i madhërishëm
prej dëshpërimit,
me këngën që edhe ujqit i bënte miq
të zbutur,
ndërsa ajri përreth shndërrohet
në mermer të bukur
që qan.
Na mbytën lotët pa Ty.
Ti s’na duhesh varr,
kur dhe varret e tjerë i kishe hapur dhe vdekjet i bëje jetë,
skeletin e kujtesës tonë e mbushje me mish e gjak nga Yti, me metaforat
e Tua dhe po harroje veten, baca Ali,
ku po shkoje ashtu, në ç’hutim,
nuk duroje,
doje të ishe njëkohësisht në shumë vende dhe asgjëkundi,
me të gjithë, dhe me ata që s’janë
e s’kanë ardhur ende,
Mik i perëndive,
Ti, që na tregoje rrugët
nga duhej të kalonim.
Ti, që në flamujt tanë, të vjetër
e të rinj,
kishe venë krahun Tënd si shtizë.
Mos ik! Ku shkove ashtu, në ç’pyll
nate të huaj?
Kush të thirri aq larg? Lumi? S’e mbajnë dot brigjet,
i shtyu si anët e arkëmortit. Kishte ardhur Lumi, që krijove Ti,
e hape burimin me thonj…
* * *
Doje që të shlodhëshe gjetiu, tutje, matanë jetës,
se toka Jote dhe jeta Jote nuk të linte
të shtrihëshe,
të mbyllje sytë,
Udhëtar i dashuruar,
gjithmonë në këmbë, i zbathur
si dëshirat
në të kremten e poezisë,
sy-hapur si koha.
Lumi Yt rridhte poshtë flokëve të Tu, sillte zëra,
dilnin shtojzavalle, pasqyra hënash
të thyera,
bari i njomë si gishtrinj fëmije,
të ndillte të tretëshe aty,
kush të thirri prapë, yjet ngecnin
mbi qerpikë,
stërkala ujrash sikur shkundeshin psherëtima të argjenda,
Lumi, i lumi Ti, u ngjir së thirruri
deri sa të mori me vete.
Po Ti s’mund të jesh varr në tokën tënde, jo,
veçse epos i ri
nëpër erën e thinjur
që fryn dhe fryn,
sjell frymën tënde të fundit
që të mos vdesë
AtDheu, – e shkruajta si Ti
dhe po shtoj
në nderimin Tënd, emrin e lashtë,
që e vije në fund:
Ulpianë, më 23.07.2012
——————————
Shënim: e solla sot
në vend të një tufe me lule mbi varr…