
-Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani në Prekaz: Ne kemi obligim e borxh të përhershëm e të përjetshëm ndaj Jasharajve/

– Kryeparlamentarja Osmani: Sakrifica e Jasharajve i ka vënë themele të forta shtetit të Kosovës/

PREKAZ, 6 Mars 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga Kryetarja e Kuvendit, znj, Vjosa Osmani, kanë bërë sot homazhe te varri i Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe Familjes Jashari në Prekaz, me rastin e 22- vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”.

Kryeministri Kurti tha se pas seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës dhe pas parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sot, u bënë bashkë në Prekaz për të nderuar 22-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, për të bërë homazhe te varret e Jasharajve, të kësaj familjeje e cila siç theksoi kryeministri Kurti e ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare.
“Ne kemi obligim e borxh të përhershëm e të përjetshëm ndaj Jasharajve dhe këtë do të mund ta shlyejmë vetëm me punë të përditshme për shtetndërtim, për zhvillim dhe për drejtësi”, u shpreh kryeministri Kurti, duke bërë të ditur se pas këtyre homazheve, do të vizitojnë edhe familjen Jashari, përkatësisht bacën Rifat.
Osmani: Sakrifica e Jasharajve i ka vënë themele të forta shtetit të Kosovës
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, kanë bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetarja Osmani tha se në Prekaz janë për ta nderuar sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë atyre që luftuan, në mënyrë që qytetarët e Kosovës ta gëzojnë lirinë.
“Por më e rëndësishmja është që jo vetëm në këto data por në çdo ditë e në çdo moment, ta përkujtojmë këtë sakrifice, e cila i ka vënë themelet dhe ato, themele jashtëzakonisht të forta të shtetit tonë. Në të njëjtën kohë, ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës, duke bërë të ditur para syve të botës demokratike se populli shqiptar ishte një popull i shtypur nga ana e regjimit totalitar serb”, tha kryekuvendarja Osmani.
Më pas Kryetarja e Kuvendit, zonja Osmani e shoqëruar nga kryeministri Kurti, deputetë, ministra dhe përfaqësues të FSK-së, e kanë vizituar familjen Jashari, ku janë pritur nga vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari.
* Per me shume fotografi shkoni ne fb Gazeta Dielli