Në muajin mars 2022 Kryetari i Bashkisë Gjirokastër Z.Flamur Golemi vlerësoi me Certifikatë Mirënjohje atdhetarin Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Për veprimtarinë e spikatur patriotike për mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar si dhe kontributin e dhënë për çështjen kombëtare jashtë atdheut”.
Në datën 30 mars 2022 në sheshin përpara Shkollës së Parë Shqipe “Liria” në Gjirokastër iu dorëzua Certifikata e Mirënjohjes Z.Kevin Haxhiu nga Drejtori i Drejtorisë së Turizmit,Trashëgimisë dhe Sporteve në Bashkinë Gjirokastër Z.Blerim Kore.
Vlerësimi nga Bashkia e Gjirokastrës është një prej vlerësimeve që i janë bërë atdhetarit të shquar Qerim Haxhiu.
-Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020),Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr.67 Datë 28/07/2020 vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJES” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare,zoti QERIM HAXHIU mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë.Në Egjiptin e largët,ku jetoi e punoi ,për gati 60 vite ai krijoi një Lushnje e Shqipëri të vogël,bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”.
-Në muajin shtator 2020 Shoqata Çamëria Kosovë vlerësoi me Çertifikatë “Mirënjohje” me motivacionin: -“Per kontribut atdhetarë” (pas vdekjes ) atdhetarin Qerim Haxhiu në vitin e 100 vjetorit të lindjes së tij (1920-2020).
-Në muajin shtator të vitit 2021 Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” nderoi me vlerësimin më të lartë “Mirënjohja e Artë” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Për kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare jashtë atdheut,ruajtjen e identitetit shqiptar,ruajtjen e gjuhës shqipe,mbështetjen e studentëve shqiptarë në Egjipt dhe lidhjet e vazhdueshme me Vatrën dhe Gazetën “Dielli””.
ATDHETARI QERIM HAXHIU lindi më 7 shkurt 1920 në Lushnjë,në një familje qytetare,fisnike,patriotike të Lushnjes.Djali i patriotit të shquar shqiptarë Bajram Haxhiu i cili ishte një nga Anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu.Në vjeshtën e vitit 1938 Qerimi u nis nga Lushnja me tranzit në Selanik dhe mbërriti në Aleksandri.Kjo rrugë e gjatë për Qerimin ishte e paharruar për faktin se për të ishte rrugë pa kthim mbrapa në atdhe gjerë sa ndërroi jetë por në vitin 1967 arriti të merrte një leje për vizitë në atdhe.Patrioti Qerim Haxhiu fizikisht ishte në Egjipt,por me shpirt e zemër ishte gjithmonë në Shqipërinë Etnike.Ai botonte gjithnjë artikuj për atdheun Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në gazeta,revista të diasporës shqiptare të Egjiptit.Qerimi e kishte pasion letërsinë që në rininë e tij të hershme ndaj dhe shfletonte pothuajse të gjitha botimet që dilnin në atë kohë.Ai gjithashtu ka shkruar dhe poezi nga më të ndryshmet.Haxhiu ka qënë nismëtarë i shumë organizimeve si dhe hartues i disa memorandumeve,peticioneve të gjitha këto për çështjen kombëtare Shqiptare.Qerim Haxhiu ishte atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut Shqipërisë,Kosovës,Çamërisë dhe të gjithë trevave shqiptare.Haxhiu ishte antikomunist i flakët,demokratë dhe nacionalist i madh.Qerim Haxhiu kishte njohuri të thella për historin shqiptare dhe gjithnjë fliste për Rilindasit e gazetat që ata botuan,të cilët kontribuan në zgjimin dhe ndërgjegjësimin kombëtarë të shqiptarëve të Egjiptit.Në 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (11 korrik 1930-11 korrik 1951),atdhetari Qerim Haxhiu mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprën e Çajupit,gjatë homazheve që zhvilluan atdhetarët e kolonisë shqiptare të Egjiptit,në varrin e Andon Zako Çajupit në Egjipt.Nga të gjithë veprimtarët e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu ishte i vetmi që shkruajti një përmbledhje (histori) për diasporën shqiptare të Egjiptit qe i duhej Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Amerikë.Patrioti Qerim Haxhiu ka mbajtur lidhje të vazhdueshme në të gjallë të tij me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës”VATRA” dhe ishte i abonuar në Gazetën “DIELLI”.Gjithashtu Qerimi ka bashkëpunuar me Drejtuesit e Vatrës edhe në një projekt historik të Diasporës Shqiptare në Egjipt,projekt që e ndërmori “Vatra” dhe që u realizua nga Qerim Haxhiu në bashkëpunim me studentët shqiptar në Egjipt.Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu në Kairo ishte një mjedis totalisht shqiptarë në tokë të huaj.Biblioteka e Qerim Haxhiu-t ishte burim dijesh dhe e njohur nga të gjithë ata të cilët (kryesisht studentët shqiptarë me studime në Kairo,me origjinë nga Shqipëria,Kosova,Çamëria dhe nga të gjithë trevat shqiptare) që kishin vizituar patriotin dhe kishin lexuar libra nga biblioteka e tij apo edhe ishin këshilluar me të për çështjet atdhetare.Biblioteka përbëhej nga një literaturë e çdo lloji dhe e zgjedhur në disa gjuhë si:shqip,turqisht,italisht,anglisht,frëngjisht,etj.Qerim Haxhiu ka kontribuar në fillim të viteve ‘90 në përpilimin e librit “Shqiptarët e Egjiptit” me informacionet e tij të shumta për Historinë e Diasporës Shqiptare të Egjiptit.Qerim Haxhiu me pak fjalë ishte erudit por që nuk arriti dot që të jepte kontributin e tij në Shqipëri sepse në atë kohë regjimi diktatorial-komunist personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë si atdhetari Qerim Haxhiu nuk ia hapi “derën” për të kontribuar në atdhe,në Shqipëri.Megjithatë ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare.Emri Qerim Haxhiu është shënuar me shkronja të arta në historinë e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit.Ai ishte Rilindasi i Fundit në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit.Qerim Haxhiu u nda nga jeta më 1 Janar të vitit 2003.Për Qerim Haxhiu-n janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit”-Autor,Emin Azemi,Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup.Në Gazetën Illyria,1209,21-23 Janar 2003 është botuar një artikull nga Prof.Beqir Ismaili me titull “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare:Qerim Haxhiu (1920-2003)”.Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”,Prizren,10-13 qershor 2012 e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar,Prof.Dr.Beqir Ismaili në kumtesën që ka mbajtur në këtë konferencë ndër të tjera ka përmendur edhe veprimtarinë e atdhetarit të shquar shqiptarë Qerim Haxhiu.