– Përsiatje -/
Nga Pëllumb Kulla/
Fjalën “bashkim” ne e përdorim shumë. Një ditë më lindi dyshimi se unë e përdor atë pa ia ditur kuptimin. Befas u kujtova se këtë fjalë e kisha përdorur gjithë jetën. Dhe po gjithë jetën, nuk ia kisha ditur kuptimin e plotë. Në disa raste e kisha përdorur në shkrimet që botoja dhe në shumicën e herëve në kuvende, ku isha duartrokitur si njeri i gjerë, burrë i urtë e patriot i klasit të parë!Ditën që fillova të dyshoj se, megjithqë ishte fjalë shqipe, unë si shqiptar i thekur, i njohur me letrat e me gjuhën, prapëseprapë nuk ia dija kuptimin, vendosa të përpiqem që t’ia shkoqis domethënien e gjerë “bashkimit” dhe mendova se çfarë duhet bërë që të vihet në jetë ai.
Pas një periudhe të gjatë përpjekjesh e një vargu meditimesh, vura re se “bashkimi” nuk ishte fare gjë e lehtë. Është, dakord, një fjalë e bukur, festive, e ngrohtë, plot emocion, por gati e parealizueshme.
Bashkim – do të thotë të jetosh afër, të vëllazërohesh me një njeri a një grup njerëzish, me të cilët deri tani nuk ke qënë bashkë, nuk i ke dashur fare dhe, në të shumtat e rasteve, i ke urryer. Nuk është e lehtë.
Bashkim – na i thënkëshin pranimit të gabimeve, fajeve, mëkateve që ke bërë ndaj një tjetri. Nuk qënka kollaj.
Bashkim – do të thotë të falësh. Të falësh në thellësi të shpirtit dëmin që të kanë shkaktuar, gjakun që të kanë derdhur, shnderimet, vjedhjen që të kanë bërë. Të falësh mëkatarët që, të penduar thellësisht, të dalin përpara me kokë ulur e me lotë në sy. Nuk është fare e lehtë të falësh dhe zor të gjesh mëkatarë e sidomos të penduar! E sidomos në Shqipëri!
Bashkim, – do të thotë të shikosh prapa dhe përpara, të ndahesh nga ca grupime e të bësh një afrim tjetër të arsyeshëm, të urtë dhe më afër llojit tënd.
Bashkimi – është rasti, kur pas faljes së sinqertë je i zoti edhe të kapërdish.
Bashkim, – është një mënyrë të jetuari në harmoni me një njeri a me një grup njerëzish, që shndërrohet në një nevojë të jetuari, kundër një grupi tjetër, kundër shtetesh të tjera e kundër aleancash armiqësore, që nuk të duan as ty dhe as ata, me të cilët u bashkove dhe sidomos nuk duan t’ju shohin bashkë. E vështirë kjo gjë sidomos aty ku duhet më shumë, në viset shqiptare.
Bashkim, – do të thotë që, pas kësaj, të punosh ca më shumë se ai tjetri, njeriu me të cilin u bashkove. Do të thotë të luftosh ca më shumë se ai, të shpenzosh më shumë se ai dhe, në rast nevoje, të japësh jetën para se ta japë ai. A jemi ne të tillë?
Një njeri fal hasmin për gjakun e vëllait, babait a djalit të vetëm, paraqitet në kuvend, i shtrëngon dorën atij që i ka përvëluar shpirtin, përqafet me të dhe, në prani të njëqind burrave të përlotur që duartrokasin, zotohet që të ndërpresë urrejtjet dhe pusitë. Keni takuar njerëz të tillë? Shumë pak. Ju janë dukur të bukur? Të mahnitshëm, pasi kanë ngritur peshë një mal të tërë dhe ne s’kemi qënë veç soditës të mrekullisë.
Pra “bashkimi”, vëllezër, është një punë e vështirë. Gazetat e shkruajnë, se nuk dijnë ç’të thonë tjetër, politikanët e thonë për t’u dukur, shkrimtarët e shkruajnë për abetaret e librat e këndimit dhe palët kundërshtare në gjirin e një kombi e tellallosin për t’ua lënë kundërshtarëve doçin në derë, me demek “ne kemi bërë thirrje më shumë se ju”.
Dhe jo njëherë janë parë shqiptarë, që bashkim i thonë gabimisht ujdive për të përfituar, njerëz që urrejnë bashkatdhetarët më shumë se të huajt, njerëz që pasi janë prishur nisin ta urrejnë shokun e bashkëpuntorin më shumë se atë, që dikur e luftonin së bashku. Ka shqiptarë që në furrën e urrejtjes gatuajnë më shumë mëri të helmët për shqiptarë të tjerë se sa për pushtuesin, qoftë ky italian, grek, gjerman apo serb. Mjaft që të pranohet kjo e nuk është zor të rreshtohen këtu emra ballistësh, komunistësh, legalistësh, socialistësh, demokratësh, disidentësh, reformatorësh, kolaboracionistësh. Nuk është zor të gjesh emra brenda kufijve të Shqipërisë dhe viseve të saj përtej.
I zorshëm mbetet vetëm ai, BASHKIMI, që ne e përmendim, e shkruajmë dhe e lexojmë çdo ditë. Më kot…
Ju lutem e ju përgjërohem, miqtë e mi, mos e përdorni, mos e lodhni, a ndofta mos e ndotni më këtë element vendimtar për jetën e një kombi. Të punojmë që të piqet, ta shohim të mundur, ta shohim të afërt, që të vërsulemi për realizimin e tij.(Dielli-arkiv)
Nik Kodra says
Shkrim shume interesant per nje reflektim te thelle te sejcilit lexues. Kjo me kujton mrekulline e pajtimit dhe bashkimit qe arriti i madhi Anton Ceta ne Kosove. Sigurisht aty u perputhen aftestie e jashtzakonshme te nje burri te urte, te ditur, shume human dhe patriot i madh me gjendjen e rende qe kishte krijuar shtypja e eger serbe ne Kosove.
Tani rrethanat Shqiptare teje e tej jane ndyshe. Ekonomia e tregut, lakmia per pasuri dhe pasurim te shpejte, xhelozia per tjetrein e shume e shume faktore te tjere e kane bere bashkimin Shqiptar me te veshtire. Gjeja me e rende ne Shqiperi eshte vazhdimi i gjakmarrjes! Shoqeria jone eshte shume e dobet!
Deshiroj qe shkrimi i te nderuarit Z. Kulla te jete nje shkendije per nje ndriçim te mendjes se Shipos!
Faleminderit Z. Kulla!