Bashkimi Europian po planifikon heqjen e përgjithshme të kufizimeve dhe hapjen e ekonomisë. Kjo mund të ndodhë pasi numri i infektimeve të bjerë ndjeshëm, sistemi shëndetësor të ketë kapacitete dhe mundësi për të kryer testime masive. Presidentja e Komisionit Von Der Leyen tha se vendet anëtare duhet të koordinojnë masat dhe të parandalojnë efektet negative në ekonomi.
Komisioni i Bashkimit Europian paraqiti udhërrëfyesin për të hapur gradualisht ekonominë e bllokut 27 anëtarësh. Presidentja e Komisionit Ursula Von Der Leyen tha se përpara heqjes së kufizimeve dhe hapjes së ekonomisë, vendet duhet të kenë ulje drastike të numrit të infektimeve për një periudhë të gjatë kohe bazuar mbi të dhëna të besueshme epidemiologjike, kapacitet të sistemit shëndetësor për të trajtuar rastet që mund të paraqiten dhe mundësi për të kryer testime masive.
Von Der Leyen shtoi se vendet anëtare duhet të koordinojnë masat për të hequr kufizimet si dhe për të parandaluar efektet negative në ekonomi
“Buxheti i ri BE-së duhet të shfrytëzojë investimet e mëdha për të rifilluar rritjen ekonomike,” tha Von Der Leyen.
Nga ana tjetër Komisioni do të organizojë më 4 maj një konferencë globale donatorësh për të financuar kërkimet për gjetjen e vaksinës për koronavirusin.
Ndërsa kreu i Këshillit Europian Charles Michel paralajmëroi se fatura financiare e pandemisë është ende e panjohur. Michel ju bëri thirrje udhëheqësve europianë që të tregojnë më shumë solidaritet në të ardhmen dhe të nxjerrin mësime nga kriza që shkaktoi kriza e koronavirusit.
Përveç krizës ekonomike, blloku u ndesh me një krizë politike. Gjermania dhe disa vende të tjera kundërshtuan emetimin e koronabondeve si borxh të përbashkët të eurozonës për të ndihmuar Italinë, Spanjën dhe Francën dhe u propozua aktivizimi i Mekanizmit të Europian të Stabilitetit. Propozim i cili u refuzua.Kreu i Këshillit, tha se synimi kryesor i Brukselit është rifutja në shina e tregut të përbashkët pas heqjes së masave kufizuese, ndërkohë më 23 prill gjatë samitit të BE-së do të diskutohen masa për të çliruar më shumë fonde për qytetarët europianë.