
Nga Kadri Dauti/
Bashkimi (ribashkimi) kombëtar është një aspiratë shumëshekullore dhe e pashuar e kombit tonë. Është një e drejtë historike dhe legjitime e një populli të lashtë, autokton në trojet e veta. E një populli fisnik, liri e paqedashës, që meriton respektin e popujve të tjerë dhe mbarë Evropës për të kaluarën dhe vlerat e tij ndaj identitetit, qytetërimit dhe kulturës evropiane. Asaj Evrope që dikur i ka bërë padrejtësinë më të madhe, duke e ndarë në copa-copa për interesat e saj.
Ndarja e trojeve shqiptare si prikë fqinjëve tanë ardhacakë, pushtues, nuk mund të mbetet përjetësisht kështu. Nëse në kohën e ndarjes, të Kongresit të Berlinit 1878 dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër 1913, e më pas, sundonin pikëpamje politike fashiste, sot flitet për rend demokratik, për liri e paqe, për drejtësi e sovranitet. Por këto nuk mund të arrihen duke mbuluar padrejtësitë e mëdha që u janë bërë popujve. Konkretisht, pa korrigjuar vendimet e ndarjes së trojeve etnike shqiptare. Se si e kur kjo varet, por jo kurrë.
Realiteti i sotëm gjeopolitik, me dy shtete shqiptare dhe pjesë të tjera të trojeve shqiptare në Greqi, Maqedoni, Serbi e në Mal të Zi është i hidhur, i padrejtë dhe i papranueshëm për shqiptarët. Përse duhet të jetë e ndarë Kosova nga Shqipëria?! Opinioni evropian e më gjerë e ka të qartë se shqiptarët duan e kërkojnë të jetojnë bashkë në një shtet të vetin kombëtar. Shqiptarët nuk kanë pasur e nuk kanë përse të kenë strategji nacionaliste për “Shqipëri të Madhe”, sikurse Serbia me “Nacertanie-n” dhe Greqia me “Megaliidhe-në”, por kërkojnë vetëm trojet e veta etnike (natyrale) në një shtet kombëtar. Dhe kjo është aspiratë shumëshekullore, një e drejtë e tyre, e cila kurrsesi nuk lidhet me cenimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan. Përkundrazi, do ndikojë vendosmërisht për stabilitet e paqe, siç e ka dëshmuar përgjatë historisë së tij kombi jonë dinjitoz.
Legjitimiteti i bashkimit të Kosovës me shtetin amë, Shqipërinë.
Sot Kosova është një shtet i pavarur, falë luftës së tij dhe angazhimit të madh të diplomacisë evropiane, veçanërisht SHBA-së dhe ndihmës së tyre e të NATO-s. U zgjidh një padrejtësi e madhe historike. Se “gjaku i Shqipërisë ka forcuar kombet e tjerë”. Evropa reagoi pozitivisht për fajin e saj të dikurshëm. U çlirua një popull nga një regjim fashist, barbar, i Serbisë, që ka ndjekur një politikë shtypëse, shkombëtarizuese, shfarosëse e ka kryer masakrat më çnjerëzore mbi popullin shqiptar të Kosovës dhe atë të Bosnjë-Hercegovinës. Por ironia është se përse Kosova të jetë një shtet i ndarë nga trungu amë? Përse të jenë dy shtete shqiptare? Përse populli i Kosovës nuk është i lirë të vendos vetë për fatin e tij? Në dinamikën gjeopolitike dhe gjeostrategjike sot, Evropa nuk mundet të lëngojë më nga plagët e vjetra. Aspirinat e diplomacisë nuk i shërojnë dot.
Para objektivit tonë politik, anëtarësimi në BE, duhet të qëndrojë aspirata jonë kombëtare: bashkimi i trojeve etnike shqiptare. Para se Shqipëria të anëtarësohet në BE, duhet të bashkohet Kosova me Shqipërinë në një shtet dhe të futen si një trup i vetëm në BE. Sepse jemi një komb, kemi një identitet. Nuk ka komb kosovar, historikisht ka vetëm një komb: komb shqiptar.
Nuk ka kuptim që në BE, në NATO, në OKB një komb të përfaqësohet me dy shtete, me një flamur kombëtar. A ka në BE, në NATO dy shtete me një identitet, me një flamur, gjuhë e himn? Përndryshe, nesër, kur Shqipëria e Kosova të jenë në BE, në parlamentin Evropian do jenë deputet shqiptarë të dy vendeve, plus deputetët shqiptarë të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, për shkak përfaqësisë së minoriteteve atje. Për shqiptarët kjo do ishte një e mirë për të ndikuar në vendimmarrjet e institucioneve evropiane me votat e deputetëve shqiptarë, por kjo nuk qëndron përpara idealit kombëtar.
Bashkimi i Kosovës me shtetin amë, Shqipërinë, nuk është vetëm në interesin tonë kombëtar, por është edhe në interes të drejtësisë, paqes dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit. Sepse një shtet shqiptar më i fortë, do luaj një rol vendimtar në ruajtjen e ekuilibrave gjeopolitik të rajonit, të paqes e stabilitetit në Ballkan. Do ndikonte në politika më të mira mirëkuptimi mes fqinjëve, duke ndikuar më shumë zhvillimin ekonomik dhe lehtësimin edhe të BE nga ana diplomatike, politike e ekonomike. Flasim për Evropë të Bashkuar, për kombe të bashkuara dhe jo më për një komb të bashkuar.
Korrigjimi i padrejtësisë së ndarjes së Kosovës nga trungu amë, sikurse edhe pjesët e tjera të trojeve tona Çamëria, Sanxhaku, Shkupi, Plava, Gucia etj., është kërkuar pareshtur. Rezoluta e Konferencës së Bujanit (31.12.1943 – 2.01.1944), me përfaqësues të dy kombësive (shqiptarëve dhe serbëve), bazuar në parimin e vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, thoshte: Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë. … edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e tyre, me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Kjo rezolutë doli në mes zjarrit të luftës për liri kundër nazifashistëve. Garant për këtë ishte UNÇ e Jugosllavisë dhe UNÇSH e Shqipërisë. Për këtë garantonin edhe aleatët e mëdhenj të luftës antifashiste: Bashkimi Sovjetik, Anglia e Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit). Por kjo aspiratë edhe sot nuk është realizuar, për shkak të politikës shoviniste, gllabëruese të Serbisë, që riokupoi në 1945 Kosovën.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do ishte thjesht një akt korrigjimi i padrejtësisë së Konferencës “kazino politike” të Ambasadorëve në Londër 1913. Fundja a nuk mbahet Evropa e bota sot mbi tre shtyllat: drejtësi, paqe e stabilitet? Këtë kërkojmë edhe ne. Dhe kurrsesi nuk jemi kundër interesave strategjike të miqve tanë.
Kush e çfarë e pengon bashkimin?
Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë mund dhe po e pengojnë sot për sot, por askush nuk mund ta pengojë përjetë. Sepse jemi vëllezër, kemi një identitet, jemi një komb. Ne, populli me shpirt e me zemër jemi të bashkuar dhe askush nuk na pengon dot. As propaganda antishqiptare për një identitet dhe komb kosovar e sajuar në kuzhinat e Serbisë fashiste, që akoma vazhdon me egërsinë e saj kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Politikisht na pengon politika shqiptare dhe gjeopolitika e diplomacia evropiane. Hipokrizitë e politikanëve shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë duhet të marrin fund. Me interesat e aspiratat tona kombëtare nuk mund të bëjnë tregti për pushtet politikanët amoralë. Ata e premtojnë në fushata elektorale bashkimin kombëtar, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por e harrojnë sa vijnë në pushtet, se janë të ligj. Fatkeqësisht partitë shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri janë të ndarë e të përçarë egërsisht dhe nuk pritet të punojnë për këtë qëllim madhor kombëtar. Pavarësisht se deklarojnë: “Duam që Kosova të jetë sovrane [dhe] të ketë … të drejtën për t’iu bashkuar Shqipërisë, sepse vetëm kështu do të bëhemi të barabartë me kombet dhe me shtetet e tjerë të zhvilluar demokratikë e përparimtarë të botës”.
Populli shqiptar e do Evropën, se është evropian, por nuk mund të pranojë të jetojë si komb i ndarë në shtete. Nuk mund të pranojë më diskriminimin, asimilimin, mosnjohjen e të drejtave etnike dhe qytetare të vëllezërve tanë në Çamëri, Manastir, Gostivar, Tetovë, Kumanovë, Preshevë, Bujanoc, Metvegjë, Sanxhak, Plavë e Guci. Se kjo është një vetëvrasje politike, një shkatërrim i kazus sonë kombëtare.
Politika e mos ndryshimit të kufijve nuk është parim universal, nuk është e përjetshme. Një ditë do shuhet. Por në rastin e Kosovës nuk është e qëndrueshme. Sepse, së pari kufijtë u ndryshuan për ish-Jugosllavinë, dhe së dyti, u ndryshuan edhe për Kosovën që u shkëput nga Serbia.
Problemi është vetëm te Paketa Ahtisari, e cila ndalon bashkimin me Shqipërinë. Por kjo paketë, e padrejtë në shumë anë, një “Kushtetutë antidemokratike edhe shumë diskriminuese për popullin shqiptar të Kosovës” e ka përfunduar qëllimin e saj. Padrejtësia ndaj popullit shqiptar të Kosovës nuk mund të vazhdojë më. Ka ardhur koha të revokohet Pakoja Ahtisari. Me të drejtën ndërkombëtare, është koha që populli i Kosovës të vendos vetë ardhmërinë e tij, sipas parimit të vetëvendosjes të përcaktuar në pikën 2 të Rezolutës 1514 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, datë 14 dhjetor 1962: “Të gjithë popujt kanë të drejtë që të vetëvendosin lirshëm; në përputhje me këtë të drejtë ata përcaktojnë lirshëm statusin e tyre politik dhe ndjekin në mënyrë të lirë zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor.” Për këtë luftoi populli i Kosovës në 1998-1999. Kosova nuk ka përse të jetë më peng i dialogut me Serbinë, kur ajo është rreshtuar qartë me BE-n, SHBA-në dhe NATO-n. Për këtë mjafton vullneti i diplomacisë evropiane. Ne besojmë se ka kaluar koha kur “Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e diplomacisë” – siç tha ish-ambasadori fisnik amerikan G. F. Williams më 15 nëntor 1915 në Boston në tubimin e shqiptarëve. Diplomacia evropiane duhet ta dijë që, ne kemi etje për liri dhe jemi racë e fortë. Sakrificat, gjakun dhe amanetin e të parëve tanë kurrë nuk do i harrojmë. Kurrë!
Evropa sot e di që ne, populli, jemi të bashkuar shpirtërisht e kulturalisht. Kufijtë mes nesh janë thjesht gjeografik. Piramidat kufitare të vendosura nga Komisioni i Delimitimit të Kufijve të Shqipërisë ne i kemi hequr tashmë. Pengesat për këtë vullnet të shqiptarëve janë subjektive, politike. Na pengon vetëm vullneti politik i Evropës. Evropa e pranon tashmë se ne, populli shqiptar jemi më të dëshirueshmit e më të dashurit, sepse kemi “në të njëjtën kohë elementët e forcës, burrërinë, kurajën, të lidhura me devotshmërinë më të butë dhe më të ligjshme.” Edhe ne jemi Evropa. Nuk jemi as lindje e as perëndim, por jemi Perëndim, identiteti i Evropës.
Vetëvendosje!
Padyshim vetëvendosje. Sepse parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje është parim bazë ky i Kartës së Atlantikut, që në shtëpinë e vetë secili vendos sipas vullnetit të tij. Vetëvendosja e lirë e gjithë shqiptarëve në një Evropë të lirë duhet të sjellë bashkimin tonë. Ne vendosim se çfarë do bëjmë: do bashkohemi një ditë politikisht. Hapësirat shqiptare në Greqi, Maqedoni, Serbi e në Mal nuk mund të mbeten nën kolonializmin e tyre. Kur dhe si do e vendosim bashkë me diplomacinë evropiane dhe amerikane.
Ne nuk kemi asnjë plan të fshehtë bashkimi dhe as nuk e kemi të fshehur qëllimin tonë për tu bashkuar si komb. Se nuk shquhemi për plane të fshehta e djallëzore. Por kemi një qëllim madhor si komb i lirë e demokratik: bashkimi me demokracitë perëndimore.
Logjika e ftohtë e pranon që, nesër, në BE në NATO apo në OKB nuk ka përse të jenë dy shtete shqiptare, me dy flamuj, me dy himne, me dy vota, kur kanë një identitet, një rrënjë, një histori dhe një kulturë. Që Shqipëria dhe Kosova do të jenë një shtet dhe kombi shqiptar do jetë një entitet politik kjo është thjesht çështje kohëzgjatje procesi, jo qëllimi në vetvete. Kur flitet të bashkohemi në BE, përse të mos bashkohemi më parë si entitet politik!
Ne jemi popull sovran dhe kemi vullnetin tonë: bashkimi kombëtar. Populli shqiptar e ka deklaruar hapur dhe me vepra verdiktin e vetë për bashkim dhe nuk ka nevojë për referendum. Pritet verdikti diplomatik e politik.
………..
Tiranë, më 23 dhjetor 2025.