Politika po loz në mënyrën më të shëmtuar me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve. Trumbetojnë në elektorat se do bashkohemi dhe nuk bëjnë asnjë veprim real për bashkim ekonomik e kulturor, për të cilat nuk ka asnjë ndalim dhe nuk i pengon askush. Pastaj si e shohin që gënjeshtra e tyre është trashur diç si tepër sa njerëzit i përqeshin, i fusin një frenim duke thënë se do të bashkohemi në Europë. Hane Shan hane Bagdat. A thënë shul shqip: pordhë politike me rigon. Këta duan të na mbushin mendjen se kur ti dalin hallës qimet do ta quajmë dajë. Kësisoj u përdrodh fjala sërish prej qeveritarëve tanë këto ditë në Prishtinë në përurimin e shtatores së Ismail Qemalit./
Nga Kolec TRABOINI/
Një gjë nuk kuptohet, se si Shpëtim Idrizi me partinë e vet PDIU, tashmë bashkuar në aleancë me qeverisjen e majtë, do të realizojë programin e vet i cili është ende i paqartë nëse është program atdhetar, politik apo ekonomik. Po fundja le të supozojmë që u arrit një marrëveshje greko-shqiptare për pronat e pronësitë e çamëve, në këtë rast ky Idrizi me partinë e vet do të lëshojë Shqipërinë e do të shkojë në Çamëri si shtetas grek apo jo? Po Greqia, anipse pjesëtare e BE, nuk e pranon dyshtetësinë. Si i bëhet atëherë, sepse kryetari, apo ata anëtarët e PDIU-s, nuk mund të konsiderohen më shtetas shqiptarë nëse shkojnë në Greqi. Greqia jo me kot e ka bërë këtë ndalim të dyshtetësisë, që tu presë rrugën çamëve të vendosur në Shqipëri për kthim, por edhe të shuaj përfundimisht mundësitë e arvanitëve arbërorë që të kenë edhe shtetësinë shqiptare të origjinës së tyre. Aristidh Kolës i është dhënë shumë vite para se të vdiste shtetësia shqiptare, por ai nuk mund ta aplikonte se atë donin greket, ta konsideronin të huaj dhe ta zbonin nga Greqia, por meqë Aristidh Kola nuk ua dha këtë mundësi dhe ua dogji kartat, hienat e Athinës gjetën rrugë tjetër, e vranë. Kam shkruar dhe më parë se shfrytëzimi i kauzës çame, e jo vetëm çame por edhe atdhetare kombëtare, për karrierë politike në Shqipëri ka një problem jo pak të vogël. Kryekreje është spekulativ një mashtrim për përfitim. Politika po loz në mënyrën më të shëmtuar me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve. Trumbetojnë në elektorat se do bashkohemi dhe nuk bëjnë asnjë veprim real për bashkim ekonomik e kulturor, për të cilat nuk ka asnjë ndalim dhe nuk i pengon askush. Pastaj si e shohin që gënjeshtra e tyre është trashur diç si tepër sa njerëzit i përqeshin, i fusin një frenim duke thënë se do të bashkohemi në Europë. Hane Shan hane Bagdat. A thënë shul shqip: pordhë politike me rigon. Këta duan të na mbushin mendjen se kur ti dalin hallës qimet do ta quajmë dajë. Kësisoj u përdrodh fjala sërish prej qeveritarëve tanë këto ditë në Prishtinë në përurimin e shtatores së Ismail Qemalit. Po le të kthehemi tek Shpëtim Idrizi me partinë e tij PDIU të cilët duhet ta kenë të qartë se, o do të ndjekësh kauzën e kthimit në trojet e të parëve dhe të lëshosh karrieren politike në Shqipëri, ose do të vazhdosh karrieren politike në Shqipëri si shtetar shqiptar dhe rrugën për kthim në Greqi e ke të mbyllur. Pra cilës kauzë i përmbahet, asaj ekonomike apo politike, sepse nuk janë në një linjë. Këtë ai nuk e ka specifkuar në asnjë rast. Madje, në reagimin e fundit të PDIU-së bëhet me dije se zgjedhja e kryetarit të kësaj force si nënkryetar i Kuvendit është bërë në parim me Frymën e Traktaktit të Miqësisë, pa na dhënë të kuptojmë se çfarë lidhje ka çeshtja çame që mbron partia e Shpëtim Idrizit me traktatet e shtetit shqiptar me atë grek dhe si na qënka zgjedhur ky nënkryetar në Kuvendin tonë në përputhje me traktatet shqiptaro-greke. Ja dhe deklarata e PDIU: “PDIU e ka bërë të qartë njëkohësisht se është në favor të marrëdhënieve miqësore me Greqinë, në respekt të parimeve të njohura të sovranitetit, mosndërhyrjes në punët e brendshme të njeri tjetrit, të sanksionuara mes të tjerave dhe në Traktatin e Miqësisë midis dy vendeve tona. Edhe votimi i zotit Idrizi është brenda kësaj fryme miqësie dhe bashkëpunimi, me Greqinë, me fqinjët tanë, me gjithë aleatët tanë strategjikë.” Fjalë të mëdha e gurët në trastë. Kur ti të kesh tërë këtë tirandë respektesh me frazeologji standarde atëherë çfarë kërkon si forcë politike? Po çeshtja çame ku është. Pse është formuar kjo parti? Kjo vërtetë i ve vulën gjithçkaje. Kjo parti kohë më parë, në nëntor vitin 2013, në qindvjetorin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër që i copëtoi trojet shqiptare, u paraqit në metingje me platformë të bashkimit të Çamërisë me Shqipërinë. Vunë hartën e bashkimit ( duke përfshirë Çamërinë) te ura e Lanës, aty ku Bulevardi “Gjergj Fishta” kryqëzohet me rrugën “Sami Frasheri” që qëndroi gjatë gjithë vitit 2013. Si mund të kesh këtë platformë bashkimi kombëtar dhe në të njëjtën kohë të respektosh gjitha ato parime që na i radhisin sot e që në thelb shprehin një mohim total të programit fillestar e retorikes atdhetare përbashkuese tashmë e harruar prej tyre. PDIU shkon deri atje në deklaratën e vet sa thotë se kjo parti nuk është irredentiste dhe i këput një frazë të përgjithshme që nuk thotë asgjë: “Ne jemi për sinkronizimin e axhendës tonë kombëtare me atë perëndimore dhe e shohim Bashkimin kombëtar të lidhur me integrimin evropian.” Puf! Kjo po që është bashkim. Një bashkim ku shqiptarët në trojet e veta do të ndjehen si turistë. Po si do ta bejë Bashkimin Kombëtar Shpëtim Idrizi me partinë e tij dhe cilat do të jenë këto “ sinkronizime”? Çfarë bashkimi kombëtar kërkon ai. Si do ta bejë? Kërkon kthimin në Greqi me të gjitha të drejtat që ua kanë mohuar por që u takojnë si qytetarë greke, a çfarë? Pra kemi një çeshtje çame, kemi nje kastë politike që e lakon si çeshtje por nuk kemi asnjë platformë bindëse dhe realisht të mundshme për tu zbatuar. Politika është arti i të mundshmes. Nuk është arti i vetgënjimit a shfaqje cirku me prestigjiatorë, por i gjetjes së mundësive për të arritur disa qellime ekonomiko-shoqërore apo kombëtare. Pra cilës kauzë i përmbahet Shpëtim Idrizi? Fundja ta dimë edhe ne të dëbuarit nga trojet e të parëve tanë si të veprojmë me rastet analoge në të gjitha trevat shqiptare mbetur peng i vitit 1913. Të bëjmë edhe ne parti që kur të bashkohemi në Europë të hyjmë politikisht në trojet e të parëve tanë jashtë Shqipërisë. Apo, mos o Zot, karriera politike i ndihmon këta krerë partish për të rregulluar veten e rrethin e ngushtë dhe kauza e kthimit në Çamëri mbetet thjesht një retorikë për të marrë votat e shqiptarëve pasardhës të popullsisë çame, e cila është zbuar me një gjenocid të vërtetë. Po këtë gjenocid a do ta parashtrojë për dëmshpërblime që Greqia e ka për detyrë t’i japë, siç edhe ajo vetë u kërkon gjermaneve. Mirëpo Greqia nuk ka vepruar më pak ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë sesa nazistët gjermanët kanë vepruar ndaj grekëve. A e ka dërguar Shpëtim Idrizi çeshtjen çame dhe gjenocidin grek ndaj shqiptarëve në instancat ndërkombëtare? Çfarë ka paraqitur para tyre apo mbetemi me fjalime mitingjesh partiake dhe Shpëtim Idrizi bën karrierë politike në emër të popullsisë shqiptare të Çamërisë. Nëse pretendon të jetë atdhetar me shpirt e program e jo për demagogji politike, atëherë të mbahet pas platformës të Bashkimit të Çamërisë me Shqipërinë e këtu retorikat për integritet e sovranitet të Greqisë( mbi trojet shqiptare që ajo ka pushtuar në 1913) mbetën të konsiderohen vetëm lavazhe. Të thuash se ne shqiptarët, që na kanë ndarë në pesë shtete në Ballkan si të ishim një popull muhaxhirë, do të bashkohemi në Europë e jo me njëri-tjetrin në një shtet të përbashkët, është si të fshihesh pas gjethes së fikut. Prandaj ngado që ta shohësh nuk mund të konsiderohet kauza e tij personale për karrierë një përkushtim atdhetar. Ngado që ta vërtitësh retoriken e tij dhe të partisë që drejton PDIU, me atë që shkruajnë e thonë është në fund të fundit një kauzë pronash në aparencë dhe karrierë politike në thelb. Me këtë program të cungët ai nuk del dot nga sfera e interesave të ngushta të një njeriu apo një grupimi dhe nuk ka në asnjë sens kontacionin e një qëllimi kombëtar për bashkim. Retorikat e atdhetarizmit, bashkimit kombëtar e tjera si këto në gojën e mjaft politikanëve e pushtetarëve janë si tu japësh votuesve shqiptare nga një karamele me mbështjellëse atdhetare e le të mbllaçiten sa të duan duke parë endrra në diell, sepse kësisoj është e aspak ndryshe shpikja e shpifur se bashkimi kombëtar do të bëhet në Europën e Bashkuar.