


Sokol Paja/
Basketbollistja Edona Thaqi i bashkohet Federatës Vatra, organizatës patriotike, atdhetare e kulturore më të fuqishme, më të rëndësishme dhe historike për mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edona Thaqi bën pjesë në ekipin e Basketbollit në Universitetin Fordham dhe është reportere për NBA, WNBA dhe Connecticut Sun.
Mikpritësi Ilir Cubi në emër të Vatrës në fjalën e mirëseardhjes ekspozoi historinë dhe veprimtarinë e Vatrës e Diellit, punën historike kombëtare me Nolin e Konicën dhe angazhimin me Vatrën që në vitet 90-të me Arshi Pipën. Themeluesi i “Noli Tv” z.Nazim Salihu u ndal te kontributi i Vatrës për kulturën dhe angazhimet komunitare.
Në fjalën e saj sportistja Edona Thaqi përgëzoi Vatrën për punën dhe historinë e saj, tregoi eksperiencën, pritjen dhe mbështetjen nga Presidentja Vjosa Osmani dhe ekspozoi punën e saj për të ndërtuar në Kosovë një kamp basketbolli për të ndihmuar, zbavitur dhe edukuar fëmijët edhe për të sjellë disiplinën, shkollën dhe lojtarët e NBA në Kosovë. Sportistja Thaqi ftoi komunitetin për të ndihmuar projektin e saj sportiv me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë fëmijëve të Kosovës. Shkrimtari dhe poeti Mëhill Velaj theksoi se Vatra është vendi më i shenjtë i shqiptarëve të Amerikës. Pres nga rinia që ta çojë përpara këtë trashëgimi të çmuar shqiptare, theksoi shkrimtari Velaj. Edhe av.Adem Aliu përgëzoi Edona Thaqin për arritjet dhe projektet e saj. Vatra rritet e zhvillohet në vlera e kapacitete. Vatrës përditë i bashkohen patriotë dhe atdhetarë, aktivistë e veprimtarë, intelektualë e personalitete që nderojnë Vatrën e kombin shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.