Analizë nga Rafael Floqi

Kampi Bondsteel, i vendosur në Ferizaj të Kosovës, është sot baza më e madhe e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Ballkan dhe një prej pikave kyçe të pranisë ushtarake amerikane në Evropë Juglindore. Që nga ndërtimi i saj në vitin 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Bondsteel është konsideruar jo vetëm një qendër logjistike dhe operacionale, por edhe një simbol i ndikimit amerikan në rajon.
Nga bazë e përkohshme në një pikë strategjike të përhershme?
Debati i brendshëm në Kosovë dhe deklaratat e zyrtarëve amerikanë dhe kosovarë e kanë shtyrë pyetjen nëse Bondsteel do të mbetet vetëm një bazë e KFOR-it, apo do të shndërrohet në një bazë të përhershme amerikane, të integruar në strategjinë globale të Pentagonit.
Kryeministri Albin Kurti dhe ish-ministri i mbrojtjes Armend Mehaj kanë kërkuar hapur që SHBA të investojë në përditësimin e Bondsteelit dhe në transformimin e tij në një bazë të përhershme. Argumenti i tyre është se Kosova, si shtet i rreshtuar qartësisht me Perëndimin, nuk mund të trajtohet në mënyrë më pak të favorshme sesa Serbia, e cila edhe pse mban qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, vazhdon të bashkëpunojë me NATO në kuadër të programit të Partneritetit për Paqe.
Politika amerikane për bazat jashtë SHBA-së
SHBA ka një doktrinë të konsoliduar mbi prani të përhershme ushtarake jashtë kufijve të saj. Aktualisht, Pentagon-i menaxhon rreth 750 baza në mbi 80 shtete të botës, duke ndërtuar një arkitekturë sigurie që i mundëson Uashingtonit të ketë qasje të shpejtë në rajone kyçe strategjike.
- Në Gjermani dhe Itali, bazat amerikane janë trashëgimi e Luftës së Ftohtë dhe vazhdojnë të shërbejnë si qendra të logjistikës euro-atlantike.
- Në Lindjen e Mesme, bazat në Katar, Kuvajt dhe Bahrein kanë luajtur rol kyç në luftërat në Irak dhe Afganistan.
- Në Azi, bazat në Japoni, Korenë e Jugut dhe Guam janë hallka themelore të strategjisë së frenimit ndaj Kinës dhe Koresë së Veriut.
Bondsteel, në këtë kuadër, përfaqëson “syrin amerikan” në Ballkan, një rajon ku përplasen interesat e SHBA, BE, Rusisë dhe së fundmi edhe Kinës.
Baza Bondsteel në Kosovë është shpesh parë si një simbol i pranisë ushtarake amerikane në Ballkan, por debati mbi të ardhmen e saj dhe të bazave të tjera amerikane në Evropë është bërë më i mprehtë në dritën e sfidave të reja strategjike. Çështja nuk është vetëm simbolike, por lidhet me një diskutim më të gjerë mbi mënyrën sesi SHBA projekton fuqinë e saj globale.
Në këtë kontekst, ish-komandanti i Forcave Amerikane në Evropë, gjenerali në pension Ben Hodges, thekson se baza si Bondsteel kanë një rol kyç jo vetëm për stabilitetin rajonal, por për mbrojtjen strategjike të vetë Amerikës:
“Forcat amerikane nuk janë në Evropë për të mbrojtur europianët. Nuk mund të mbrosh Shtetet e Bashkuara vetëm nga Teksasi, Karolina e Veriut apo Florida. Duhet të kesh praninë e përparme për të projektuar fuqi ajrore, detare dhe tokësore, jo vetëm në Evropë, por edhe në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Arktik.”
Për Hodges, mbyllja e bazave kritike si Ramstein, Sigonella apo Souda Bay do të minonte aftësinë e SHBA për të dominuar Mesdheun dhe për të projektuar forcë drejt Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Edhe në krahun lindor, baza si ajo në Poznan të Polonisë apo MK në Rumani mbeten “nyje jetike” për sigurinë amerikane dhe për aftësinë e NATO-s për të frenuar Rusinë.
Hodges paralajmëron se reduktimi i pranisë amerikane në Evropë do të interpretohej si “shenjë dobësie” nga Moska dhe Pekini:
“E para gjë që do të bënin do të ishte të porosisnin shishe shampanje për të festuar. Një tërheqje të tillë mund ta interpretoje vetëm si humbje prioriteti.”
Ky argument shkon në një linjë të ngjashme me atë të Pete Hegseth, i cili e përshkroi qartë filozofinë e mbrojtjes:
“Paqja arrihet përmes forcës; por ana tjetër e medaljes është se dobësia fton luftë.”
Edhe ish-presidenti Donald Trump ka qenë shpesh kritik ndaj kostove të pranisë ushtarake jashtë vendit, duke kërkuar që aleatët të paguajnë më shumë. Por, siç e vë në dukje Hodges, marrëveshjet me shtetet pritëse nuk janë thjesht çështje financiare, por përfshijnë inteligjencën, logjistikën dhe besimin reciprok.
“Këto janë kombe sovrane,” kujton ai, duke theksuar se SHBA nuk mund të veprojë me arrogancë në territoret e partnerëve.
Nëse dikur, gjatë Luftës së Ftohtë, mbi 300 mijë trupa amerikane ishin vendosur në Gjermani Perëndimore, Itali dhe Turqi, sot prania është shumë më e kufizuar. Kjo, sipas Hodges, e bën çdo bazë edhe më kritike:
“Kemi një gjurmë kaq të vogël në Evropë, dhe kemi vetëm nga një prej çdo gjëje. Nëse heq një bazë të caktuar, ose do të humbasësh atë aftësi, ose do të detyrohesh ta ngjeshësh në një vend tjetër që tashmë është në kapacitet të plotë.”
Në këtë kuadër, edhe Bondsteel merr një kuptim të ri. Ajo nuk është thjesht një bazë amerikane në Ballkan, por pjesë e një rrjeti global që lidh Mesdheun, Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore me sigurinë kombëtare të SHBA. Çdo vendim për reduktim apo tërheqje nuk duhet parë si çështje buxhetore, por si pyetje strategjike: a mundet Amerika të mbrojë interesat e saj pa një prani të përparme?
Në fund, dilema e bazave jashtë vendit është një reflektim i debatit më të madh mbi rolin e SHBA si superfuqi. Ajo që Hodges, Hegseth dhe Trump e shprehin secili në mënyrën e vet, është një e vërtetë e përbashkët: dobësia perceptohet si ftesë për konflikt. Dhe Bondsteel, sado e vogël në krahasim me Ramstein apo Rota, mbetet një gur i rëndësishëm në këtë mozaik të sigurisë globale.
Faktori rus dhe ndikimi serb
Eksperti i sigurisë Bedri Elezi ka theksuar se baza e Bondsteelit në një të ardhme të afërt do të kalojë nën administrim të drejtpërdrejtë të SHBA-së. Sipas tij, kjo nuk lidhet vetëm me nevojat e Kosovës, por edhe me balancën strategjike që SHBA kërkon të ruajë në raport me Rusinë.
Rusia, duke përdorur Serbinë si aleatin e saj të vetëm në Ballkan, ka tentuar të projektojë ndikim përmes bazës së Nishit, një qendër e inteligjencës dhe shërbimeve të emergjencës që shpesh akuzohet se ka funksione hibride ushtarake. Elezi thekson se transformimi i Bondsteelit në bazë amerikane do të zvogëlonte ndjeshëm hapësirën e ndikimit rus në rajon, duke e bërë më të vështirë për Moskën të përdorë Serbinë si “trojan” brenda Ballkanit.
Perspektiva Trump dhe debati amerikan mbi bazat
Ndërkohë që qeveria e Kosovës e sheh si interes strategjik forcimin e Bondsteelit, disa zëra në SHBA kanë parashikuar qasje më skeptike gjatë presidencës së Donald Trump. Profesori i Columbia University, David Phillips, ka theksuar:
“Një nga gjërat e para që Trump mund të bëjë është të rishikojë politikat amerikane të sigurisë. Do të prisja mbylljen graduale të bazës amerikane në Kosovë, ‘Bondsteel.’”
Edhe gjenerali portugez Raul Cunha, ish-zyrtar i KFOR-it, ka thënë:
“Donald Trump dëshiron të mbyllë një numër të madh bazash amerikane jashtë vendit për arsye ekonomike… SHBA ka më shumë se 700 baza në botë dhe të gjitha konsumojnë shumë para, të cilat ai i sheh të nevojshme për politikat e brendshme.”
Këto deklarata tregojnë se e ardhmja e Bondsteelit lidhet drejtpërdrejt me politikën e brendshme amerikane mbi buxhetin, por edhe me qasjen që Uashingtoni mban ndaj Ballkanit.
Dimensioni rajonal dhe ndikimi në Ballkan
Një bazë e përhershme amerikane në Kosovë do të ndryshonte ekuilibrat e sigurisë në rajon:
- Për Kosovën: do të ishte garanci kundër kërcënimeve të Serbisë dhe do të shpejtonte procesin e integrimit në NATO.
- Për Serbinë: do të krijonte presion shtesë për të rishikuar politikën e saj të “neutralitetit”, duke u detyruar të balancojë mes Perëndimit dhe Rusisë.
- Për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi: do të forconte sigurinë e tyre, si shtete tashmë anëtare të NATO-s, duke eliminuar çdo boshllëk strategjik.
- Për BE-në: do të sillte një garanci të drejtpërdrejtë amerikane në një rajon ku ndikimi evropian shpesh perceptohet si i brishtë.
E ardhmja e Bondsteelit nuk është thjesht çështje e sigurisë së Kosovës, por një pjesë e mozaikut të madh të politikës globale amerikane për prani ushtarake jashtë kufijve. Nëse SHBA vendos ta shndërrojë këtë bazë në të përhershme, atëherë Kosova do të përfitojë garanci sigurie dhe prestigj politik, ndërsa Ballkani do të hyjë në një epokë të re të ekuilibrave strategjikë.
Bondsteel, nga një bazë e përkohshme e misionit paqeruajtës të NATO-s, mund të shndërrohet në një pikë kyçe të hartës globale të Pentagonit, duke e kthyer Kosovën në një element të pazëvendësueshëm të arkitekturës së sigurisë euro-atlantike.