![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/04/1-a-Eugjen-Merlika.jpeg)
Nga STEFANO MONTEFIORI/
“Po arrijmë në çështjen themelore:deri në ç’pikë, ne perëndimorët, antarë të Bashkimit Evropian dhe të Aleancës atllantike mund të shkojmë, duke pranuar atë që po ndodh në Ukrainë?” Manuel Valls, 59 vjeç, ish kryeministër i Francës, në qeveri kur siriani Bashar al-Assad, me mbështetjen e Putinit, përdorte armët kimike mbi bashkatdhetarët e tij e kur vetë Putini mësynte dhe bashkëngjiste Krimenë, thotë se “tashmë nuk mund të tërhiqemi mbrapsht, nuk mund të shtiremi se lufta n’Ukrainë nuk po ndryshon botën”.
Çfarëmendon për fjalën e Zelenskit në Parlamentin farncez? E për kritikat e tij ndërmarrjeve franceze si Renault që ende nuk e kanë lënë Rusinë?
“Presidenti ukrainas ka të drejtë të kërkojë ndihma e sanksione gjithënjë e më t’ashpra, t’i ankohet Vëndeve evropiane që mblidhen nesër për të shtyrë ndërmarrjet që të bëjnë zgjedhjet që janë të detyruara. Por në sfond është një çështje më e gjërë, për të cilën të gjithë jemi thirrur t’a përballojmë”.
Pra, çfarë duhet bërë , mbas sanksioneve kundër Rusisë dhe ndihmave Ukrainës, nëse bisedimet nuk do të kishin sukses?
“Është ashtu, duhet të përgatitemi për të gjitha rastësitë. Mund të pranojmëshkatërrimin e plotë të Ukrainës? Të Mariupolit, të Odesës, të Kievit? Mund të pranojmë përdorimin e armëve kimike, mbasi Rusia ka përdorur tashmëraketat ipersonike?”
Deri tani Perëndimi nuk ka ndërhyrë drejtpërsëdrejti për të respektuar rregullat e frikësimit bërthamor, për të mos shkaktuar një luftë bërthamore.
“Sigurisht, arsyeja ështëpërsosmërisht e kuptueshme nga pikëpamja juridike e politike, Ukraina nuk bën pjesë në NATO. Është e drejtë t’i jepen të gjitha mundësitë deri në fund, me shpresë që masakrat të ndalohen. Por në qoftë se kjo nuk ndodh? Çfarë do të bëjmë nëse shkatërrimi vazhdon? Është rrezik që disfata e jonë morale të jetë e tmerrshme”.
Çfarëkëshilloni të bëhet?
“Tani për tani kufizohem me ngritjen e çështjes, rreziqet për mua janë shumë të qarta. Por çështja tashmëështë kjo. Gjëndja e tashme, a është e lejueshme për kohë të mesme e të largëta, nga një pikpamje morale dhe strategjike? Besoj se përgjegjësit e BE, NATO-s e të G7, në këto ditë janë duke pyetur pikërisht këtë”.
Nga Polonia për shëmbull vjen ideja e forcave ndërmjetëse në tokën ukrainase për të siguruar korridoret njerëzore.
“Sigurisht, vijat e rrahjes së mendimeve janë duke lëvizur, prandaj them se po i afrohemi një çasti, në të cilin duhet të marrim vendime të vështira. Duam t’a shmangim luftën, kjo është e sigurtë dhe shumë e drejtë. Megjithatë lufta është e ne duhet të përgatitemi për t’a fituar. Nuk jemi më në gjëndjen klasike, doktrina e Mbrojtjes është ndryshuar në pak ditë. Thellimi i sanksioneve, lidhjet e ndërmarrjeve me Rusinë, furnizimi me gaz e vajguri janë çështje themelore që kemi trajtuar deri tani. Por kemi arritur në çastin në të cilin duhet t’i përgjigjemi pyetjes themelore”.
Presidenti amerikan Biden menjëherë ka sqaruar se nuk do të kishte dërguar trupa n’Ukrainë, e ka përsëriritur shumë herë dhe haptas ka përjashtuar çdo ndërhyrje të drejtpërdrejtë. A mos ka qënë shumë i kujdesshëm n’atë drejtim? A nuk do të kishte qënë më mirë t’a linte Putinin në pasiguri, në vënd që t’i hapte rrugën e lirë, pa i vënë Rusisë asnjë vijë të kuqe për të mos e kapërcyer?
“Sa i përket vijës së kuqe, ne kemi një të shkuar të rëndë. Më 2013 i kishim vënë Basharit vijën e kuqe në përdorimin e armëve kimike në Siri. Atëherë Bideni ishte zëvendës i Obamës. Megjithatë Bashari i përdori armët kimike mbi popullsinë e tij dhe Rafalet tonë u ngritën për t’i dhënë përgjigjen e lajmëruar. Objektivat ishin zgjedhur së bashku me aleatët tanë amerikanë. Isha në qeveri, Franca ishte e vendosur. Qe Obama ai që u tërhoq mbrapsht, ne u detyruam të thërrasim gjuajtësit e t’i kthenim në bazat e tyre. Ajo shenjë dobësie e Amerikës u shfrytëzua menjëherë nga Vladimir Putini në Siri e ndonjë muaj më vonë në Krime. Putini e dinte se i kishte duart e lira, e dinte se Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin ndërhyrë”.
A është e ndryshme gjëndja tani?
“Më duket se gjërat janë ndryshuar, veçanërisht për ne evropianët. Nuk mund tëtërhiqemi mbrapsht përballë një beteje qëështë ajo e qytetërimit, e jo prej sot por prej fjalimit të mbajtur në Konferencën e Mynihut më 2007, kur Putini shpalosi teorinë e tij mbi demokracitë perëndimore të dobta e të zotëruara nga ideologjia Lgbt. Fjalimet e tij janë plot dhunëe, tashmë e dijmë, duhen marrë fjalë për fjalë. Duhet të përgatisim opinionet tona publike”.
Çfarë duhet të presim?
“Çasti i kthesës mund t’arrijë në ditët e ardhme. Të shohim si do të shkojnë këta takime të nivelit të lartë ndërkombëtarë. Të shohim nëse përpjekjet diplomatike do t’arrijnë ndalimin e luftës, siç shpresojmë të gjithë. Nëse lufta vazhdon, kundër dëshirës sonë, duhet të jemi gati”.
Çfarë mendoni për ata që në Perëndim martohen me tezat e Kremlinit?
“Në të vërtetë shumica e evropianëve po tregon një hov të jashtzakonshëm në dobi të Ukrainës. Pastaj janë ata që vetëquhen paçifistë, sigurisht. Më kujtojnë një fjali të presidentit Francois Mitterrand të shqiptuar para Buntestagut më 1983: “Edhe unjam kundër raketave. Por vë re se paçifistët janë në Perëndim dhe raketat janë në Lindje”.
“Corriere della Sera”, 24 mars 2022 Përktheu Eugjen Merlika