-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron për vizitë në Londër/
PRISHTINË, 2 Nëntor 2016-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron për vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, ku sot është takuar me Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme, Boris Johnson dhe ministrin e Shtetit për Evropë dhe Amerikë në Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit, Alan Duncan.Gjatë takimit me sekretarin Johnson, kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin e gjithanshëm në Kosovë, si dhe për të arriturat evidente në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e madhe të Britanisë për Kosovën në të gjitha fazat, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes.
Po ashtu, ai theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar, si një prej partnerëve kryesorë strategjikë të Republikës së Kosovës. Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme, Boris Johnson, shprehu përkrahjen e mëtejme të Britanisë së Madhe për Kosovën.Sekretari Johnson, po ashtu, u interesua për zhvillimet në Kosovë dhe theksoi vullnetin e Mbretërisë së Bashkuar për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën. Ndërsa, gjatë takimit të kryeministrit Isa Mustafa me ministrin Alan Duncan u bisedua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës dhe përkrahjen e mëtejme të Londrës për Kosovën në shumë aspekte.Në dy takimet ishin të pranishëm edhe ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.
-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vizitoi Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër, ku pati një takim me presidentin e Bankës, Sir Suma Chakrabarti/
PRISHTINË, 2 Nëntor 2016-B.Jashari/ Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vizitoi Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër ku pati një takim me presidentin e Bankës, Sir Suma Chakrabarti. Të pranishëm ishin edhe anëtarët e qeverisë së Kosovës, ministrat Avdullah Hoti dhe Memli Krasniqi, dhe menaxhmenti i lartë i BERZH, ku me ç`rast diskutuan aktivitetet e Bankës në vend. Kosova është bërë pjesëtare e BERZH si dhe vend i operacioneve në dhjetor të vitit 2012. Deri më tani, BERZH ka investuar në 50 projekte në Kosovë, që arrijnë një shumë prej më tepër se 200 milionë euro. Në tetor të vitit 2016, Bordi i Drejtorëve të BERZH ka miratuar strategjinë e re të vendit për punën e kësaj Banke në Kosovë me tre prioritete që mbështesin zhvillimin e konkurrueshmërisë në sektorin privat, përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji dhe mbështetjen e konektivitetit dhe integrimit rajonal.
Para miratimit të strategjisë së re për vendin, Presidenti i BERZH, Chakrabarti vizitoi Kosovën në qershor të vitit 2016, në vazhdën e një turneu më të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Në muajin shkurt të këtij viti, Kryeministri Mustafa përcolli Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor në BERZH.
Presidenti Chakrabarti e mirëpriti mundësinë që të takohet sot me kryeministrin dhe delegacionin e lartë qeveritar nga Kosova. “Ne jemi të gatshëm që të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin me Kosovën. Jemi fuqimisht të përkushtuar që ta mbështesim zhvillimin e sektorit privat në një bazë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe integrimin rajonal të vendit. Vetëm gjatë këtij viti unë e kam vizituar Ballkanin Perëndimor dy herë dhe ajo çfarë pashë ishte inkurajuese. Tani kemi një përpjekje të vërtetë reformuese dhe BERZH është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj me investime dhe dialog politik”, tha presidenti Chakrabarti.Njoftimi dërguar sonte nga Londra thekson se, kryeministri Mustafa tha se BERZH-i është duke mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe zbatimin e shumë projekteve. “Sot, ne kemi marrë mbështetje konkrete nga presidenti Chakrabarti për projekte të cilat janë të parapara në prioritetet e qeverisë së Kosovës dhe do të kenë ndikim në përmirësimin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe avancimin e cilësisë së jetës së njerëzve. Qeveria e Kosovës mirëpret strategjinë e re të BERZH-it për Kosovën dhe pret përfshirje më të madhe të BERZH-it në mbështetjen e sektorit privat, sidomos tani pas vlerësimit pozitiv nga ana e Bankës Botërore për kushtet e të bërit biznes në Kosovë”, tha Mustafa.
Delegacioni i Kosovës do të shfrytëzojë vizitën në Londër për diskutim të detajuar me përfaqësuesit e menaxhmentit të BERZH-it dhe për të diskutuar për projekte konkrete.Gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, presidenti Chakrabarti nënshkroi dy marrëveshje me bankat lokale, të dyja me qëllim të asistimit të bizneseve lokale të sektorit privat, që është një nga prioritetet e Bankës. Operacionet e BERZH-it në Kosovë kryesohen nga Elena Petrovska, e cila iu bashkua presidentit dhe kryeministrit në mbledhjen e sotme.