![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/06/448876602_877110327790824_641591292392902232_n.jpg)
Evarist Beqiri/
Ky shkrim është botuar para 182-viteve nga gazeta austriake “Lloyd Austriaco”, më 28 korrik 1842, në faqen numër dy. Ai flet për Mahmud bej Vlorën dhe ndihmën bujare që ai i jep ekuipazhit të një anije austriake, viktimë të një sulmi piratësh në brigjet shqiptare. Mahmud bej Vlora, ishte i biri i Ismail bej Vlorës dhe babai i Ismail Qemal Bej Vlorës.
Disa pjesë nga shkrimi: “Anija e lartpërmendur mbërriti në Durrës. Mahmud Beu, i biri i Ismail Beut nga Vlora sapo u informua për ngjarjen, mori të gjitha masat për t’i siguruar bujarisht ekuipazhit të mbathura, njëkohësisht i dha kapitenit Giaxevich, të gjitha paratë që dispononte me vete në atë moment, duke shtuar edhe një sasi ari, si kompensim për atë çka i ishte grabitur.
Ai arrestoi edhe disa persona nga fshati Dukat, si të dyshuar për aktin, si edhe për t’i detyruar të paguajnë vlerën e plotë të sendeve të grabitura. Më pas anija austriake “Trionfo” u nis nga Durrësi për në Maltë…”.
I ati i Ismail Qemalit, Mahmud Vlora ishte fisnik dhe idealist dhe këto tipare i kultivoi edhe tek i biri. Biblioteka e tij ka qenë ruajtur pjesërisht deri në vitin 1944 në bibliotekën e familjes Vlora. Eqrem Vlora dëshmon se Ismail Qemali i fliste atij shpesh për të atin. “Një ditë Mahmud beu”, – tregon Ismail Qemali, – “me sy të përlotur e me një libër në dorë, po rrinte në një cep të dhomës së tij të punës. Vjen brenda kushëriri i tij Selim pasha (i cili nuk dinte as shkrim as këndim) dhe e pyet i shqetësuar: ‘Çfarë ka ndodhur, Mahmud? Përse po qan?’ Mahmud beu i tregoi librin: ‘Shiko këtu çfarë po lexoj! Ky është Gerusalemme liberata ( Jeruzalemi i çliruar) i Torkuato Tasos: sikur ta dije se me ç’vargje të mrekullueshme i ka shprehur idetë e tij të larta për bujarinë, njerëzdashjen, drejtësinë dhe lirinë edhe ti do të qaje!’. Selim pasha kishte qeshur muaj radhazi me këtë histori dhe pastaj për vite të tëra e tregonte si histori”.
Modelet janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e lidershipit. I ati i tij ishte shembulli me të cilin u rrit Ismail Qemal Vlora. Qysh në fëmijëri, Ismail Qemali do të provonte shijen e kulturës europiane, nëpërmjet mësimit dhe leximit në italisht dhe frëngjisht. I ati i tij ndikoi që ai veç shqipes, turqishtes dhe greqishtes, të mësonte edhe italisht dhe frëngjisht. Vetë Mahmud bej Vlora zotëronte disa gjuhë (turqishten, italishten, greqishten, frëngjishten). Duke qenë edhe vetë një njohës i gjuhëve dhe letërsisë europiane, ai donte që ti rrënjoste atij që në vogëli dashurinë për gjuhët dhe kulturën europiane, duke i vendosur në dispozicion edhe bibliotekën e pasur personale që zotëronte. Ismail Qemali thotë se: “Ai donte qysh kur isha i vogël, të ushqente tek unë zell dhe shije për kulturën europiane”.
Mahmud bej Vlora dhe Selim Vlora, xhaxhai i Ismail Qemalit, ishin udhëheqësit e kryengritjes popullore kundër reformave të Tanzimatit (1839 – 1876). Më 3 nëntor të vitit 1839, u shpallën zyrtarisht reformat e Tanzimatit. Më 2 mars të vitit 1847, zyrtarët turq arritën në Delvinë, për të lexuar dekretin e reformave për Labërinë. Ata nuk dinin shqip, por edhe shqiptarët nuk dinin turqisht, prandaj përkthimin e bëri Mahmud bej Vlora, që nuk e kishte harruar vrasjen e pabesë të të atit në Janinë. Ai ia përktheu popullit, dekretin sipas mënyrës së vet: “Ata kërkojnë djemtë tanë. Puna e parë do t`ua presin perçen, do t`ua marrin pushkën dhe fustanellën dhe pastaj do u veshin çitjane që të duken si gra. Në u pëlqeftë t`ua marrin të gjitha shenjat e burrërisë me të cilat keni fituar në mijëra beteja, bukur, binduni rregullave të reja, në mos atëherë vendosni vetë se çfarë duhet të bëni”.
Në fakt, me këtë gjuhë, Mahmud bej Vlora i bëri thirrje Labërisë të merrte armët. Si rezultat i shtypjes dhe mohimit të të drejtave të shqiptarëve, më 1847 vala e kryengritjeve popullore kundër reformave të Tanzimatit u përhap gati në të gjithë Shqipërinë. Pas shtypjes së saj ata të dy u arrestuan dhe u internuan në Konia të Azisë së Vogël.
Por, në vitin 1850, Porta e Lartë filloi një politikë pajtuese kundrejt shqiptarëve. Sulltan Abdylmexhidi (1839-1861), vendosi në provincat shqiptare të perandorisë valinj me origjinë shqiptare. Në shkurt 1850 në Janinë, Ismail Rahmi Pasha, nipi i Ali pashë Tepelenës, u emërua si guvernator i “Shqipërisë së Poshtme”, dhe në Prizren, u emërua si guvernator i “Shqipërisë së Epërme”, Ismail Pasha Pliasa. Tashmë era dukej se po frynte në favor të familjes Vlora.
Dy valinjtë e sapoemëruar kishin lidhje gjaku nga ana mashkullore dhe femërore me Vlorajt. Kjo politike e re e Portës së Lartë ndaj shqiptarëve, favorizonte kthimin e të dëbuarve. Kështu që, në fund të vitit 1851 ose në fillim të vitit 1852, Mahmud bej Vlora, erdhi nga Konia në Vlorë, duke marrë sërish zyrtarisht kryesimin e familjes dhe udhëheqjen e krahinës. Ndërkohë, vëllai i tij Selim pashë Vlora dhe prijësi i shquar Çelo Picari, u konsideruan akoma të rrezikshëm nga qeveria otomane dhe nuk u lejuan të ktheheshin akoma. Këto ngjarje do të shënjonin fëmijërinë e Ismail Qemalit.
Ndjenja e mirëfilltë e përkatësisë kombëtare nis të zhvillohet te shqiptarët vetëm pak para mesit të shekullit të XIX, pikërisht me fillimet e veprimtarive kulturore-kombëtare. Për t’i armiqësuar shqiptarët me turqit, kanë ndikuar edhe luftërat e pandalura lokale kundër autoriteteve turke gjatë kohës së zbatimit të reformave të Tanzimatit. Karakteristikë për këtë armiqësim është një dokument, i cili disa vite më parë Tanzimatit as që mund të mendohej. Ai gjendet sot në bibliotekën e parlamentit grek në Athinë dhe është një vendim i Kuvendit të krejt Labërisë më 18 mars 1847, nën kryesinë e Mahmud bej Vlorës (i ati i Ismail Qemalit), të Abdyl Bej Delvinës dhe të Myslim Gjonlekës (i biri i Zejnel Gjonlekës), ku i bëhet thirrje mbretit grek të mbështesë kryengritjen shqiptare kundër Turqisë, në këmbim të krijimit të “Mbretërisë greko-shqiptare”, brenda së cilës secili komb do të qeverisej në mënyrë të pavarur dhe vetëm personi i sundimtarit, si edhe ushtria e marina do të ishin të përbashkëta. Kërkesën e kanë nënshkruar 44 figura të shquara shqiptare (ndër ta vetëm pesë ortodoksë). Kryeministri i atëhershëm grek Ioannis Kolettis, e përkrahu këtë kërkesë. Por, kolegët e tij dhe parlamenti nuk e pranuan statusin e veçantë që kërkonin shqiptarët brenda kësaj mbretërie.
Në vitin 1854, bandat andarte shoviniste të organizuara nga qeveria greke filluan luftën për pushtimin e trojeve shqiptare në Thesali. Ata donin të merrnin Janinën dhe krahinat e tjera të Jugut të Shqipërisë, duke kryer masakra mbi popullatën civile shqiptare. Në këto kushte, për herë të parë, shqiptarët u ndjenë të kërcënuar nga fqinjët dhe elita shqiptare u shty drejt zgjedhjeve të detyruara për aleancë politike dhe ushtarake, mes Perandorisë Osmane dhe fqinjëve. Mahmud bej Vlora dhe Selim pashë Vlora me trupat e tyre nga Labëria i prapsën grekët në Mecovë. Mirëpo qeveria turke nuk i shpërbleu vullnetarët. Krerët protestuan dhe i thanë se ata e kishin ndjekur atë duke i besuar fjalës së tij.
Qeveria osmane i dha atij obligacione shtetërore pa vlerë, por si besnik i “fjalës së dhënë”, ai paguante me paratë e veta. Mahmud Vlora u detyrua të shiste të gjitha çifligjet e tij për të paguar ushtarët “se nuk donte ta hante fjalën dhe të nxinte fytyrën” dhe ra në varfëri. Për këtë arsye, këtë varfëri e trashëgoi edhe Ismail Qemali, i cili kaloi një rini shumë të vështirë. Megjithatë, falë aftësive dhe cilësive të jashtëzakonshme, ai arriti të bëjë karrierë, duke prekur majat e administratës së Perandorisë Osmane. Mbajtja e besës dhe fjalës së dhënë ishte një tipar karakteristik i prijësve shqiptarë. Këtë tipar fisnik e trashëgoi Ismail Qemal Vlora…